Vështrim/Analizë

Xhevat Hasani: Mickovski kërkon luftë me shqiptarët për ta ndarë Maqedoninë

Mickovski kërkon luftë me Shqiptarët për ta ndarë në dy pjesë Maqedoninë

Në popull thuhet: «Mos e vetë (pyet) se kallëzon vet!»

Kështu edhe Hristijan Mickovski, kryetari i VMRO-DPMN-së, duke kërkuar (më 20. 10. 2023) që Ministri i Arsimit Jeton Shaqiri të urdhëroj që çdo të hënë në të gjitha shkollat e vendit të intonohet himni i Maqedonisë së Veriut, ka treguar vet se kush është e çka planifikon të bëj me Maqedoninë, nëse partia e tij probullgare dhe proruse do t`i fitonte zgjedhjet parlamentare, të cilat do të mbahen me 8 maj të vitit 2024.

Duke pasur parasyh se në himnin e Maqedonisë Veriore përmenden vetëm maqedonët dhe nuk përmeden fare shqiptarët, Mickovski e ka të qartë se shqiptarët nuk do ta intononin himinin e Maqedonisë çdo të hëne në shkollat në gjuhën shqipe. Dhe pikërisht ky kundërshtim i shqiptarëve dhe ndonjë kundërshtim tjetër i arsyeshëm i tyre, Mickovskit i duhen si shkase për ndezjen e ndonjë konflikti të armatosur në mes të shqiptarëve në njërën anë, dhe forcave ushtararko-policore të Maqedonisë, të përbëra në masën rreth 80% me oficerë, ushtarë e policë maqedonë.

Pse VMRO-DPMN-së i duhet konflikti ndëretnik me shqiptarët, këtë tani më e kanë kuptuar edhe zogjet e malit! Kësaj partie si edhe në vitin 2001 i duhet konflikti me shqiptarët, me qëllim të ndarjes së Maqedonisë në dy pjesë: Në Pjesën e Madhe të cilën VMRO-ja planifikon t`ia bashkoj Bullgarisë sipas planeve të Rusisë dhe në Pjesën e Vogël e cila do t`i bashkohej Shqipërisë.

Pikërisht për ta parandaluar konfliktin e mundshëm ndëretnik dhe për rrjedhojë edhe ndarjen e padrejtë të Maqedonisë në dëm të shqiptarëve, partitë politike të shqiptarëve në Maqedoni duhet ta pamundsojnë ardhjen e VMRO-DPMN-së në pushtet, kuptohet duke mos bërë koalicione qeveritare me të.

Disa parti të vogla  shqiptare duke u pozicionuar në krahun e VMRO-DPMN-se në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2024, ato nuk bëjnë tjetër veçse e favorizojnë ardhjen në pushtet të VMRO-së, me të gjitha pasajot që ajo sjell për shqiptarët të përmenduara më lartë.

Urrejtja që udhëheqësit e këtyre partive të vogla shqiptare mund të kenë ndaj BDI-së dhe ndaj Ali Ahmetit, nuk i arsyeton ata që të flenë me mullingjinë! Nuk ishte dashur që të tradhëtohen interesat e shqiptarëve në Maqedoni për një post apo për një copë grazhd që të jep VMRO-DPMN-ja e Bullgari-Rusisë.  Posti dhe grazhdi që të jep VMRO-DPMN-ja paraqesin haramanin me të madh që mund të bëjë një njeri.

Larg duart nga harami vëllezër shqiptarë në viset tuaja në Maqedoni!