Arkiv / Ripublikim

 Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: Dokumente britanike për Pranverën Shqiptare ’81

 Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba

 DOKUMENTE BRITANIKE PER DEMONSTRAT E VITIT 1981 NE KOSOVE

                                                                                * * *

Dokumentet britanike për Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, sjellin para lexuesit informacione të rëndësishme, për një ngjarje me shumë interes të historisë bashkëkohore të shqiptarëve. Janë afër 300 faqe dokumente të vjela nga Arkivat Britanike në Londër, të natyrës diplomatike, politike, shoqërore, ushtarake etj. Shumica e dokumenteve i përket korrespodencës së Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Beograd, me Ministrinë e Jashtme dhe të Komonuelthit (Foreign and Commonwealth Office – FCO) dhe një numër më i kufizuar informacionesh të përcjella nga Konsullata e Përgjithshme Britanike në Zagreb. Dokumentet përfshijnë edhe korrespodencën  diplomatike të ambasadave të Madhërisë së saj, në: Athinë, Ankara, Moskë, Vjenë e deri në Abu Dhabi [Emiratet e Bashkuara Arabe], me Londrën. Pjesa më e rëndësishme e kësaj korrespodence i është bërë e njohur edhe Uashingtonit, me të cilin Londra konsultohej herë pas here dhe, siç dëshmojnë dokumentet, duket se ndanin edhe qëndrime të përbashkëta.

Një vend të konsiderueshëm zënë edhe artikujt e shtypit të vendeve perëndimore. Imazhet e para të qëndrimeve të diplomacive perëndimore ndaj Demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, dhe ndaj çështjes shqiptare, u përcollën pikërisht përmes këtyre artikujve. Në të vërtetë, disa prej shkrimeve të shtypit perëndimor dhe sidomos të atij austriak e gjermano-perëndimor shprehnin më qartë përmasat reale të asaj që po ndodhte në Kosovë në pranverën e vitit 1981, të egërsisë me të cilën u soll Jugosllavia ndaj demonstruesve dhe intelektualëve shqiptarë gjatë dhe pas demonstratave. Në ndonjë dokument specifik të këtij botimi do të pranohej e argumentohej juridikisht legjitimiteti dhe drejtësia e kërkesës kyçe “Kosova Republikë”.

Tematika e këtyre dokumenteve është e pasur dhe e larmishme, por, përmbajtja e saj mund të rivijëzohet në disa drejtime, të cilat fokusohen: tek  nacionalizmi i shqiptarëve të ish-Jugosllavisë; tek shkaqet e Demonstratave të mars-prillit të vitit 1981; tek kërkesa kryesore e tyre “Kosova Republikë”; tek roli i Shqipërisë në këto demonstrata dhe tek marrëdhëniet e saj me Jugosllavinë; tek politika zyrtare e Britanisë së Madhe ndaj Jugosllavisë dhe kërkesave të shqiptarëve; tek reagimi i organeve të larta partiake e shtetërore në  Serbi e  Federatë, gjatë dhe pas demonstratave; tek qëndrimet e dyzuara të udhëheqësve shqiptarë në Kosovë; tek analizat interesante për kushtetutshmërinë e kërkesës së demonstruesve “Kosova Republikë”; tek hamendësimet intriguese për vdekjen e papritur të kryeministrit të Shqipërisë, Mehmet Shehu etj.

Hartuesit e dokumentacionit në përgjithësi i gjejnë rrënjët e krizës brenda Jugosllavisë dhe jo jashtë saj, në kundërshtim me përpjekjet e udhëheqësve jugosllavë, që i kërkonin ato jashtë Jugosllavisë, kryesisht tek politika e shtetit shqiptar apo e Bashkimit Sovjetik. “Nacionalizmi në Kosovë, përmendet me të drejtë në një informacion të Ambasadës britanike në Beograd, është një problem endemik, të cilin as Tito nuk mundi ta zgjidhte”. Dokumentacioni hap rrugën për një analizë më realiste e më të plotë të Demonstratave të vitit 1981 në Kosovë.

Politika zyrtare britanike e vitit 1981 ishte për ruajtjen e Jugosllavisë dhe të tërësisë së saj territoriale, ndërsa kërkesa e shqiptarëve “Kosova Republikë” shihej me dyshim dhe rrezikshmëri, sepse pranimi i saj mund t’i hapte rrugë shpërbërjes së Jugosllavisë dhe hapjes së  “Kutisë së Pandorës”. Sidoqoftë, nuk do të mungonin edhe gjykimet dhe zërat e veçantë jashtë kuadrit zyrtar, të cilat e konsideronin të drejtë kërkesën e shqiptarëve për barazi brenda Federatës Jugosllave. Disa artikuj të shtypit të këtyre muajve, ndonëse furnizoheshin me “karburant” nga shtypi dhe autoritetet jugosllave, arritën në konkluzione më të drejta se vetë politikanët e shteteve të tyre, duke pranuar opsionin “Kosova Republikë”, madje edhe shkëputjen e saj nga Jugosllavia, duke sjellë si shembull historinë e disa vendeve evropiane.

Qeveria jugosllave, siç dëshmon dokumentacioni, qëllimisht e keqinterpretonte  kërkesën e demonstruesve për “Kosovën Republikë”, me shkëputjen e saj nga Jugosllavia dhe me ndryshimin e kufijve, duke e ditur se një opsion i tillë, do të prishte ekuilibrat dypolarë dhe do të kundërshtohej nga Perëndimi. Në mënyrë jo korrekte dhe të përsëritur, disa politikanë jugosllavë i referoheshin Aktit Final të Helsinkit, për pandryshueshmërinë e kufijve evropianë të vendosur pas Luftë së Dytë Botërore, duke “harruar” të përmendnin një nga nenet e tij, i cili i hapte rrugë ndryshimit të kufijve në mënyrë paqësore. Sidoqoftë, në rrethanat e “Luftës së Ftohtë” ishte gati e pamundur të “kapërceje gardhin”. Frika dhe paragjykimi për tjetrin ishin të pranishëm kudo. Por, studentët, punëtorët dhe intelektualët e Kosovës nuk kërkuan ndryshimin e kufijve, por barazi me republikat e tjera të ish-Jugosllavisë.

Në ndonjë dokument të këtij vëllimi vihet në dukje një tipar i veçantë i nacionalizmit shqiptar – prirja drejt të drejtave kombëtare dhe jo drejt lirive individuale, sikurse ndodhte në vendet anëtare të KSBE-së, ku bënte pjesë edhe Jugosllavia. Prirja për të drejta dhe liri individuale, ishte karakteristike për vendet ish-komuniste të Evropës Qendrore e Lindore, [ndonëse edhe Jugosllavia kishte problemet e veta], por, tek shqiptarët interesat kombëtare kishin fituar prevalencë mbi liritë dhe të drejtat e njeriut, për kohën kur u hartuan këto dokumente.

Dokumentet nuk i shpëtojnë dot subjektivizmit dhe këndvështrimeve të ndryshme, jo thjesht se ato janë ushqyer nga burime zyrtare jugosllave, por kryesisht për shkak të “doganës” që vë koha. Por, kjo nuk e cenon vlerën e tyre. Publikimi i këtij korpusi dokumentar do ta pasurojë më tej njohjen tonë për Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, do të na ndihmojë të gjykojmë më mirë për historinë e saj, për njerëzit që morën pjesë dhe mbi të gjitha për drejtësinë e kërkesës “Kosova Republikë”. Viti 1981 shënoi një pikë kulmore të kërkesave kombëtare të shqiptarëve, por jo fundin e një rruge të gjatë, e cila do të vazhdonte dhe do të kurorëzohej vetëm në fillim të shekullit të XXI, me shpalljen e shtetit të pavarur të Kosovës.

Shpresojmë dhe besojmë se publikimi i këtij vëllimi origjinal dhe intrigues do të tërheqë vëmendjen e lexuesit të thjeshtë, studiuesve të shkencave shoqërore, e veçanërisht të historianëve. Interesi besojmë se do të jetë i shumëfishtë për njerëzit që bënë historinë në ato vite, të cilët janë ende gjallë. Dokumentacioni është përcjellë sipas kronologjisë së ngjarjeve, pa i cunguar e hequr pjesëza nga trupi i tyre.

                                                     

                              Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba

 

                                                                                          -61-

Për përdorim të kufizuar

Referencë 025/427/1

HofC

G

DA                                                                                                      24 qershor 10981

                         Vizita e z. Hesseling të Ambasadës holandeze në Shqipëri

 Jan Hesseling raportoi në takimin javor të EC sot (24 qershor) se sapo ishte kthyer nga pritja e lamtumirës së tij në Shqipëri.

  1. Gjatë kohës që ishte aty, ai ishte lejuar të lëvizte vetë me makinë dhe për shkak të tabelave të pamjaftueshme rrugore dhe hartës së pasaktë, humbi në dy raste dhe iu desh të kthehej në rrugën e tij pasi arriti në postblloqe ushtarake. Në një rast, mbi të fluturoi një helikopter, pa dyshim për t’u siguruar se ai nuk ka hyrë në zonën ushtarake.
  2. Ai zhvilloi bisedime në Tiranë me zyrtarë shqiptarë të cilët, midis të tjerash, folën për marrëdhëniet jugosllavo-shqiptare. Shqiptarët thanë se ishte me shumë rëndësi për ta që shqiptarëve të Kosovës t’i jepeshin të drejtat e tyre sipas Kushtetutës Federale jugosllave. Ata thanë se nuk kishin pretendime territoriale, por se ndjenin keqardhje që Fuqitë e Mëdha nuk ia kishin dhënë Kosovën Shqipërisë në vitin 1913. Z. Hessling pyeti për hartën e “Shqipërisë së Madhe” e cila është në qarkullim dhe shqiptarët i thanë se nuk e kishin shpërndarë këtë dhe se një gjë e tillë duhet të jetë bërë nga grupet e emigrantëve të tillë si ballistët apo zogistët. Z. Hesseling raportoi gjithashtu, se shqiptarët i kishin thënë se nuk e kishin idenë se si do të zhvilloheshin marrëdhëniet jugosllavo-shqiptare dhe se kjo varej shumë nga Jugosllavia. Shqiptarët nga ana e tyre do të dëshironin marrëdhënie të fqinjësisë së mirë me Jugosllavinë, por me kusht që secili vend të mund të kritikonte tjetrin.
  3. Z. Hesseling foli gjithashtu me kolegë të ndryshëm nga misionet e tjera në Tiranë të cilët ishin të mendimit se sulmi i “bombës” kohët e fundit në Ambasadën jugosllave ishte nxitur nga shqiptarët. Diplomatët ishin gjithashtu të mendimit se ngjarjet në Kosovë ishin të dobishme për shqiptarët për të zhvendosur vëmendjen nga problemet e brendshme ekonomike aktuale në vendin e tyre. Ekonomia është në gjendje të dobët dhe shqiptarët e pranojnë se zhvillimi ka qenë i ngadaltë, por vazhdojnë me synimin e tyre për t’u mbështetur tërësisht në burimet e veta. Kongresi i 8-të i radhës pritet që të jetë Kongresi i parë në të cilin plani pesë-vjeçar do të përjashtojë përdorimin e ndihmës apo huas së huaj. Z. Hesseling u ndal në këtë pikë duke thënë se tregtia shqiptare bëhet tërësisht me para dhe se Kushtetuta ndalon specifikisht blerjen e mallrave nga jashtë me kredi. Ai tha se shqiptarët e pranonin që në vitet pas prishjes me Kinën kanë pasur probleme me makineritë dhe automjetet që prisheshin dhe me mungesën e pjesëve të këmbimit me të cilat do t’i riparonin ato dhe se teknologjia në Shqipëri ka mbetur është shumë vite pas. Z. Hesseling tha se marrëdhëniet e Shqipërisë me Kinën janë në nivelin më të ulët të mundshëm, por se misioni kinez, aktualisht i kryesuar nga i Ngarkuari me Punë, kishte mbetur njësoj siç ishte para prishjes me Shqipërinë (sidoqoftë, Lista Diplomatike aktuale në Tiranë tregon se ka një staf prej 12 diplomatësh, përfshirë një ambasador!). Misioni kinez ka ende seksionet ekonomike, kulturore dhe politike dhe një Atashe Ushtarak.
  4. Në frontin ushtarak, Z. Hessling raportoi se kishte parë shumë ushtarë meshkuj dhe femra në rrugët e Tiranës dhe komentoi se kjo pa dyshim ndodhte për shkak të fushatës së shqiptarëve kundër papunësisë. Ai tha se të gjithë njerëzit në Shqipëri kryenin shërbimin ushtarak dhe se sipas diplomatëve në Tiranë numri i stërvitjeve ushtarake është rritur gjatë muajve të fundit, veçanërisht pas shpërthimit të trazirave në Kosovë. Si shënim në fund të faqes i kësaj situate, z. Hesseling tha se ndërkohë që ecte me makinë nëpër fshatra në Shqipëri, kishte vënë re se ishin hapur mijëra “llogore” në shpatet kodrinore dhe në tokat anash rrugëve; disa prej tyre ishin ndërtuar natyrisht me madhësi për një person dhe disa të tjera për më shumë se një person. Ai tha se të gjitha kishin mbulesë konvekse prej betoni mbi to me një prerje horizontale për të siguruar një fushë zjarri.
  5. Do ju dërgoj një letër të shkurtër mbi raportimin e kësaj situate dhe një kopje të listës së diplomatëve në Tiranë për FCO.

 

I Juaji,

  1. Ward

                                                                               -62-

ENO 015/3                                                                                                29 qershor 1981

                                        Vizita e gazetarëve të huaj në Kosovë

 Michael Battey i “Reuters”, më ka treguar gjatë një dreke të premten më 26 qershor mbi vizitën e tij të fundit në Kosovë së bashku me gazetarë të tjerë të huaj.

  1. Battey tha se vizita e tyre ishte organizuar mirë dhe se gazetarët kishin qenë të lirë për të lëvizur nëpër Prishtinë pas përfundimit të programit të ditës së parë. Përshtypja e tij ishte se masat e sigurisë ishin ende të dukshme dhe ruanin një profil shumë të lartë. Forcat e policisë patrullonin qytetin me helmeta çeliku në kokë dhe kallashnikovë mbi supet e tyre. Forcat e Ushtrisë Popullore Jugosllave shiheshin jashtë Ministrisë dhe ndërtesave të tjera të rëndësishme. Ndërkohë që ecte nëpër Prishtinë, ai vuri re se kinematë ishin ende të mbyllura dhe se e vetmja zbavitje e hapur ishte pista e lojës me gjyle; megjithatë, rruga kryesore ishte e mbushur me njerëz në mbrëmje dhe gazetarët të cilët e njihnin Prishtinën dalluan diçka që nuk e kishin parë kurrë më parë. Ai vuri re policë jashtë orarit të punës që dukeshin të relaksuar, duke qeshur e bërë shaka, por, Battey vazhdonte, ata ishin një tufë gangsterësh me fytyra të rënda kur ishin në shërbim. Ai tha se kishte parë shumë aktivitet përreth Aeroportit të Prishtinës me avionë ushtarakë Mig-19 që praktikonin fluturime të ulëta mbi qytet dhe më pas zbritje dhe fluturime në aeroport. Ai kishte dëgjuar se gjatë revoltave në fillim të prillit, Forcat Ajrore ishin angazhuar për të bërë fluturime të shkurtra mbi demonstruesit me shpejtësi supersonike, me sa duket për t’i frikësuar ata më këtë uturimë sonike. Battey pa 3 tanke të vendosur në anë të lumit në rrugën për në Beograd. Ai tha se kishte policë të armatosur në të gjitha rrugët që të çonin në Prishtinë të cilët kryenin kontrolle në vend të automjeteve që hynin. Gjatë vizitës gazetarët shkuan tek Patriarkana në Pejë e cila ruhej nga roje të armatosura. Murgeshat aty thanë se kishin kërkuar mbrojtje pasi bandat e të rinjve që endeshin kishin krijuar shqetësime jashtë Patriarkanës, por që këto ngjarje nuk kishin qenë serioze.
  2. Gjatë kohës që ishin në Prishtinë, gazetarët ndoqën një konferencë për shtyp që po jepte një anëtar i Kryesisë së Kosovës, i cili midis të tjerash, foli për diferencimin, dhe tha se ky proces do të ishte i ngadaltë, metodik dhe i plotë, por kur Battey e pyeti “kush vendosi aktualisht sekush ishte përgjegjës?, A ishte ky një rast ku personat përgjegjës gjykonin personat përgjegjës?” Personi nga Kryesia të cilit iu drejtua pyetja u vu në siklet, ishte tejet bishtnues dhe në fund nuk iu përgjigj pyetjes. Battey e pyeti gjithashtu “si është e mundur që informacioni për eksodin e serbëve dhe malazezëve nga Kosova sapo është bërë i njohur kur dihet gjerësisht se një gjë e tillë ndodh prej vitesh?”. Përgjigja e tij ishte përsëri shumë e paqartë dhe Battey e përsëriti pyetjen e tij dhe më pas e pyeti se pse udhëheqja e Kosovës nuk kishte dijeni që kjo dukuri po ndodhte. Battey më tha se ai asnjëherë nuk mori përgjigje të kënaqshme për pyetjen e tij.
  3. Battey kishte përshtypjen se të gjithë udhëheqësit shqiptarë në Kosovë, me të cilët ai kishte folur, ishin në pozita shumë mbrojtëse për sa i përket përgjigjeve të tyre dhe ngjarjeve të marsit dhe prillit; kjo e kishte bërë atë të arrinte në përfundimin se ata ishin shumë nacionalistë. Gjithashtu, sipas mendimit të tij, duke pasur parasysh mungesën e njerëzve të posteve të larta në radhët e atyre që ishin spastruar, ai kishte përshtypjen se kjo i jepte besueshmëri historisë që mundësia e ngjarjeve të tilla në Kosovë dihej që më parë, dhe në njëfarë mase këto ngjarje kishin ndodhur me bashkëpunimin e heshtur, në mos mbështetjen aktuale të këtyre udhëheqësve. Ai gjithashtu mësoi se kishte një dallim të qartë midis mënyrës se si Kosova i shikonte gjërat dhe mënyrës se si Jugosllavia i shikonte ato. Në këtë pikë, përshtypja e tij ishte se Kosova kishte ndër mend t’i bënte gjërat sipas mënyrës së vet dhe se ai mendonte që kishte një shkallë të qartë konsolidimi në radhët e udhëheqjes.
  4. Gjatë informimit të përgjithshëm në Prishtinë, gazetarëve u ishte thënë se situata në Krahinë ishte tashmë shumë e qetë dhe se masat ende në forcë të sigurisë mund të hiqeshin shumë shpejt.

J Ward

                                                                                    -63-

Konfidenciale

Ambasada britanike

Beograd

1 korrik 1981

Përmbledhje

                                                                                           Kosova

 Një vlerësim i mëtejshëm i Krahinës së trazuar (paragrafi 1).

Ngjarjet

  1. Situata e sigurisë mbetet e pasigurt. Të huajt nuk lejohen të vizitojnë këtë zonë, përveçse nën mbikëqyrje të rreptë. Vazhdojnë rrëmujat në shkallë të vogël, ku përshihet reaksioni antishqiptar në Serbi. Programi politik për aksion zbatohet në rezistencë aktive dhe pasive dhe zhvillohet ngadalë. Marrëdhëniet me Shqipërinë janë përkeqësuar më tepër pas një shpërthimi me bombë në Ambasadën jugosllave në Tiranë; polemikat publike kanë vijuar; lidhjet kulturore janë ndërprerë (paragrafët 2-5).

Implikimet

  1. Aftësia e vazhdueshme e nacionalistëve për të vepruar tregon një shkallë të gjerë simpatie, në mos mbështetjeje. Edhe nivelet më të larta të Partisë Krahinore nuk kanë dhënë asnjë shpjegim bindës për gabimet e tyre ndoshta sepse dashur pa dashur ata kishin inkurajuar idenë e statusit të Republikës. Popullsia joshqiptare lokale dhe autoritetet në Beograd ishin në dijeni të kësaj, por iu shmangën ballafaqimit. Tani vetë shqiptarët kishin provokuar një situatë të tillë, e mbase këtu mund të trajtohen disa aspekte tabu të Kushtetutës, por pa ndryshuar statusin e Kosovës (paragrafët 6-7).
  2. Media e rriti lirinë e vet për raportimet në lidhje me Kosovën. Ka njëfarë kriticizmi formal për sensacionalizëm. Shtypi është i vendosur për të ruajtur dhe zgjeruar të drejtën e vet për të raportuar (paragrafi 8).
  3. Kosova ka mbërthyer disa nga forcat e sigurisë së Jugosllavisë që kanë ndikuar në aftësinë e përgjithshme mbrojtëse të saj dhe ka ngritur pikëpyetje për besueshmërinë e njësive territoriale lokale shqiptare (paragrafi 9).
  4. Një vështrim i ri po i jepet planit 5-vjeçar të zhvillimit të Kosovës. Por shkalla e lartë e lindjeve dhe ekzistenca e një sistemi të pabalancuar të arsimit bën të pamundur ndonjë përmirësim dramatik të ekonomisë së saj (paragrafët 10-11).
  5. Jugosllavët janë të shqetësuar se Shërbimi i Fshehtë Inteligjent Rus dhe ai Bullgar nuk janë duke lënë pas dore Kosovën si objektiv i mundshëm. Disa jugosllavë thonë se Shqipëria duhet të inkurajohet që të dalë nga izolimi i saj para se elementët prosovjetikë të shfaqen në epokën pas Hoxhës, por e shikojnë si të padobishëm për momentin çdo gjest të tepruar ndaj Shqipërisë.

Përmbledhje

  1. Kosova ka pasur efekte pozitive dhe negative. Në aspektin afatshkurtër, do të rikthehet stabiliteti megjithëse mund të priten trazira sporadike. Qetësia që ekziston pas vdekjes së Titos në Jugosllavi është tronditur rëndë dhe në aspektin afatgjatë do të jetë më e pasigurt.

 

                                                                                    -64-

Konfidenciale

 

Rt. Hon Lord Carrington KCMG MC                                                   Ambasada britanike

Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit                                                                   Beograd

Londër S W 11 korrik 1981

                                                                                    Kosova

Shkëlqesia Juaj,

  1. Në letrën time të datës 24 prill, kam dhënë një përshkrim të trazirave në Kosovë në mars dhe fillim të prillit 1981. Që atëherë, është ndërmarrë një program politik për aksion për të spastruar nacionalistët lokalë shqiptarë dhe për të rivendosur rendin në një krahinë ende të trazuar nga rrëmujat në shkallë të vogël. Ndërkohë, marrëdhëniet me Shqipërinë janë përkeqësuar më tej dhe Jugosllavia shfaqi shqetësimin e saj për përfshirje të mundshme të sovjetikëve. Në këtë letër, kam bërë një pasqyrë të rendit të ngjarjeve dhe kam analizuar implikimet e tyre për të ardhmen e Jugosllavisë.

Ngjarjet

Gjendja e sigurisë

  1. Më shumë se tre muaj pas demonstratave të para të zhvilluara nga studentët e Universitetit të Prishtinës, gjendja e sigurisë mbetet aq e pasigurt saqë të huajt nuk lejohen ende të hyjnë në këtë Krahinë, përveçse me marrëveshje të veçantë dhe nën mbikëqyrje të rreptë. Hyrja e diplomatëve është plotësisht e ndaluar; gazetarët mund të vizitojnë vendin vetëm në grupe të kontrolluara me kujdes; dhe madje turqit të cilët e kanë origjinën në Kosovë, por që aktualisht banojnë në Turqi nuk lejohen që të vijnë në këtë krahinë për të vizituar të afërmit e tyre. Zyrtarët jugosllavë këmbëngulin që kufizimet bëhen për arsye sigurie, gjë që në pamje të parë është një pranim i trishtuar për një vend që krenohet për sigurinë e tij. Realiteti është ndoshta disi më ndryshe: autoritetet qendrore duan qartazi të minimizojnë rrezikun e përfshirjes së huaj me nacionalistët.
  2. Në këtë mënyrë, është e vështirë të përftohen informacione drejtpërdrejt të besueshme mbi situatën në Kosovë prandaj duhet të bazohemi kryesisht në burime publike. Këto burime, nxjerrin në pah në mënyrë gjithnjë e më të detajuar shkallën e shtrirjes dhe thellësinë e shqetësimit. Pas dhunës që pasoi në fillim të prillit, pati një përgjumje deri në fund të muajit, kur raportet flisnin për akte të ndryshme të provokimit nacionalist, duke përfshirë përpjekjet për të organizuar demonstrata të reja gjatë festimeve të 1 majit. Pas disa ndërprerjeve të zhurmshme, Universiteti i Prishtinës dukej sikur do të shpërthente përsëri, prandaj nga mesi i muajit maj, studentët u dërguan në shtëpi 10 ditë para përfundimit të semestrit. Kjo lëvizje mund të ketë ndikuar vetëm në përhapjen e problemit, pasi nga shumë qytete përreth dhe më tej në zonat e banuara nga shqiptarët në periferi të Kosovës, me gjithë sigurimin e rreptë, raportet flisnin për incidente që përfshinin shkrimin e parullave, pamflete në qarkullim, kërcënime dhe dhunën e ushtruar ndaj shqiptarëve. Në disa pjesë të Serbisë, pati raporte mbi dëmet që i janë shkaktuar pronave të shqiptarëve dhe shfaqjen e parullave antishqiptare. Zërat për përleshje të armatosura nuk ishin të vërtetuara, por milicia speciale dhe njësite ushtarake janë instaluar në këtë zonë, ndoshta për shkak se forcat lokale nuk ofrojnë shumë mbështetje dhe gjithashtu për shkak se autoritetet qendrore nuk po lënë asgjë në dorë të fatit.

Situata politike

  1. Situata politike gjithashtu po normalizohet shumë ngadalë. Po has në vështirësi Programi i aksionit i shpallur nga Kryesia e Kosovës, sipas të cilit Partia dhe organizata të tjera duhej të spastronin të gjithë ata që kishin marrë pjesë në demonstrata apo kishin mbështetur nacionalistët në çfarëdo mënyre. Shtypi raportonte shembuj të shumtë të rezistencës aktive dhe pasive, që varionin nga refuzimi i plotë deri në bindjen ndaj direktivave të Partisë, nëpërmjet shmangies së hapur të përgjegjësisë nga zyrtarët bashkiakë dhe partiakë, në dorëheqjet e vonuara dhe shumë ngurruese të një grupi figurash drejtuese në udhëheqje dhe Universitet. Megjithatë, mbi 400 anëtarë më pak të rëndësishëm të Partisë janë përjashtuar dhe shumë të tjerë janë paralajmëruar, shumë mësues dhe nxënës janë përjashtuar nga shkollat, qindra studentë kanë humbur bursat e tyre dhe akomodimin, dhe një numër më i vogël punëtorësh kanë humbur punën e tyre. Përveç gjyqeve të publikuara të tre nacionalistëve nga komuniteti shqiptar në Maqedoni, një drejtësi e shpejtë, por e heshtur duket se ka dhënë dënimin për 500 veta dhe procedurat janë gati kundër 150 të tjerëve. Dëmi fizik është vlerësuar të jetë rreth 150,000£, megjithëse humbjet e shkaktuara nga dëmet e personave të paregjistruar deri te pasuritë e pasiguruara si dhe humbjet në prodhim duhet të tregojnë kosto shumë më të lartë të dëmeve të tilla.

Marrëdhëniet me Shqipërinë

  1. Një shpërthim misterioz “me bombë” në Ambasadën jugosllave në Tiranë, më 23 maj, shënoi përkeqësimin e marrëdhënieve, e po kështu akuzat e jugosllavëve ndaj ambasadorit shqiptar për përfshirjen e tij personale në aktivitete subversive në Kosovë, p.sh. në krijimin e “troikës” ilegale. Polemikat publike vazhduan pa reshtur, ku shqiptarët bënin justifikime historike mbi statusin e Republikës për Kosovën, dhe jugosllavët publikonin aspektet më të këqija të jetës në Shqipëri, veçanërisht ndikimin në minoritetin Maqedonas dhe Malazez në këtë vend. Jugosllavët vazhduan të akuzonin shqiptarët për ndërhyrje flagrante në çështjet e brendshme, dhe e hidhnin fjalën te influencat e jashtme për ngjarjet në Kosovë. Natyrisht, siç kanë dëshmuar jugosllavët, Tirana ka përdorur me efektivitet marrëdhëniet kulturore dhe arsimore për të nxitur nacionalizmin shqiptar në Kosovë. Por, Beogradi nuk ka paraqitur ende asnjë provë të saktë të aktivitetit subversit të drejtuar nga Tirana. Po kështu jugosllavët nuk kanë lejuar që situata të përkeqësohej deri në atë masë sa të prishte apo pezullonte marrëdhëniet me Shqipërinë. Në vend të kësaj, ata kanë marrë një numër masash praktike, p.sh., pezullimi i marrëveshjeve kulturore midis Kosovës dhe Shqipërisë dhe nxitja e transmetimit në radio nga Prishtina në përpjekje për të kundërshtuar influencën ideologjike të Tiranës në këtë Krahinë. Linja zyrtare e interpretuar në nivelin më të lartë federal ishte se Jugosllavia vazhdon të kërkojë marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunim me Shqipërinë, por që këtej e tutje në terma të barazisë dhe reciprocitetit të rreptë. Të gjitha marrëveshjet me Shqipërinë do të bëhen në nivel federal, d.m.th. nivel ndërshtetëror, dhe jo nëpërmjet protokolleve të negociuara në nivel lokal.

Implikimet politike të brendshme

  1. Trazirat e vazhdueshme dhe rezistenca ndaj procesit të “diferencimit”, siç quhet spastrimi, i veshi në mënyrë elokuente me gënjeshtër pretendimet e udhëheqësve të Partisë se trazirat ishin vepër e një pakice, mbeturina të borgjezisë së vjetër, Kominternit dhe bashkëpunëtorëve fashistë, të cilët kishin shumë pak të përbashkëta me masat e gjera të popullit. Nacionalistët vazhdonin të vepronin me pandëshkueshmëri të dukshme në disa zona dhe për këtë arsye duhet të kenë pasur një masë të gjerë simpatie, në mos mbështetjeje. Kjo reflektohet keq në qëndrimin e Partisë në bazë dhe aftësinë dhe gatishmërinë e saj për t’iu përgjigjur direktivave nga lart të Partisë. Me rëndësi më të madhe është rezistenca në nivelet më të larta të Partisë, veçanërisht dështimi nga ana e udhëheqjes së Kosovës për të dhënë ndonjë shpjegim bindës për gabimet e bëra, të cilat ia ka atribuar mungesës së vëmendjes, vigjilencës dhe informimit, deri te oportunizmi i individëve, e kështu me radhë. Asnjë nga ato pak shqiptarë drejtues të cilët, nën presion të madh dhe me ngurrim të dukshëm deri tani kanë dhënë dorëheqjen, nuk e ka pranuar fajin e tij publikisht.
  2. Shpjegimi i vërtetë është pothuaj i sigurt se ata dhe shqiptarë të tjerë në udhëheqjen e Kosovës, dashur pa dashur, kanë inkurajuar rritjen e nacionalizmit shqiptar duke pretenduar në mënyrë të qëndrueshme për Kosovën të gjitha atributet e pavarësisë nga Serbia. Ideja e statusit të Republikës për Kosovën kishte fituar në këtë mënyrë përhapje të gjerë dhe një shkallë miratimi zyrtar; megjithëse udhëheqja nuk përparoi me kërkesat për bashkim me Shqipërinë, ka të ngjarë që ata i pëlqenin synimet e atyre të cilët kërkonin që Kosova të bëhej Republikë. Pjesa joshqiptare e udhëheqjes, të cilët nuk kishin si të mos e dinin se çfarë po ndodhte – pasi, siç e ka zbuluar edhe shtypi, lidhjet formale me Serbinë po injoroheshin haptazi në të gjitha mënyrat – ose kishin frikë të flisnin hapur ose, ajo që ka më shumë të ngjarë, u është thënë nga autoritetet në Beograd që të mbanin gojën mbyllur. Këto autoritete ishin paralajmëruar nga Kardelj në vitin 1977 se situata ekonomike dhe politike në Kosovë ishte e keqe dhe se një kundërrevolucion po gatuhej, por ata zgjodhën që të mbanin fshehur vlerësimin e tij, me sa duket për të shmangur provokimin e një përballjeje me shqiptarët e Kosovës duke ndërhyrë në çështjet e tyre të brendshme.
  3. Meqenëse vetë kosovarët kanë provokuar përballjen, ka mundësi që të trajtohen një numër çështjesh të hapura në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë. Marrëdhënia kushtetuese është e mbushur me paqartësi dhe anomali, që rezultojnë nga shpresa fillestare se tre pjesët përbërëse të Serbisë do të bashkëveprojnë së bashku në frymën e vullnetit të mirë, gjë që siç rezultoi, ishte më e dallueshme për mungesën e një fryme të tillë. Siç më tha kryetari i Gjykatës Kushtetuese: rruga për në ferr është shtruar me qëllime të mira! Ai vazhdoi më tej duke e bërë absolutisht të qartë se nuk mund të kishte asnjë ndryshim në statusin e Kosovës, meqenëse shqiptarët e Kosovës përbënin vetëm një minoritet etnik të një populli që jeton në një vend fqinj dhe për rrjedhojë nuk barazohej me “kombet” e tjera në mazhorancë të Jugosllavisë të cilat kishin të drejtën kushtetuese të shtetit si republika brenda federatës. Do të ishte absurde, ai tha, që minoriteteve t’i jepej statusi i shtetit, dhe të tilla pakica, shtetet e të cilave ndodhen jashtë Jugosllavisë, ka shumë në Jugosllavi. Për më tepër, një gjë e tillë do t’i hapte rrugën shkëputjes së tyre dhe bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, duke minuar në këtë mënyrë integritetin territorial të Jugosllavisë.
  4. Me interes të gjerë është efekti i jashtëzakonshëm që ka pasur Kosova për lirinë e informimit. Edhe televizioni, i cili fillimisht ka mbetur mjaft prapa shtypit në pasqyrimin e Kosovës, i është përgjigjur me entuziazëm licencës për të hetuar gabimet e kryera aty. Kohët e fundit, udhëheqja serbe është ndjerë e detyruar të kërkojë një qasje më shumë konstruktive dhe më pak selektive nga media, sepse ishte haptazi e alarmuar nga mënyra se si media, veçanërisht shtypi i ilustruar i Beogradit, sensibilizonin në veçanti gjendjen e serbëve në Kosovë, duke nxitur në këtë mënyrë gjithnjë më shumë shpërngulje dhe duke provokuar një reagim të ashpër të serbëve. Gazeta politike e përjavshme “NIN” hodhi poshtë me vendosmëri këto paralajmërime dhe mbështeti vazhdimin e qasjes së vet kritike “pa ekzagjerim, lustrim dhe fshehje”. Megjithëse pasqyrimi i detajuar i ngjarjeve dhe komentet kritike kufizohen në masë të madhe me temën e miratuar të Kosovës, nuk ka të ngjarë që kjo situatë të përfundojë këtu. Në të vërtetë, shtypi është duke iu referuar shembullit të Kosovës për të justifikuar kërkesat e publikut që të marrë informacione në kohë, të plota dhe të sakta për tema të tjera.

Siguria

  1. Ekzistojnë dy aspekte të implikimeve të ngjarjeve të Kosovës për sigurinë jugosllave. Së pari, është e arsyeshme të supozohet se Kosova përbën një shterim për burimet mbrojtëse të Jugosllavisë dhe duhet të ketë të paktën një farë efekti të dëmshëm në aftësinë e përgjithshme të mbrojtjes, megjithëse kjo mund të jetë e përkohshme. Ekzistojnë gjithashtu efekte në doktrinën ushtarake mbizotëruese të Mbrojtjes së të Gjithë Popujve. Tani lind pyetja, se deri në çfarë mase populli i Kosovës mund të mbështetet në njësitet e veta territoriale lokale dhe organizatat e tjera para-ushtarake për të mbrojtur Krahinën e tyre, dhe Federatën, kundër një armiku të jashtëm? Shumë shqiptarë lokalë qartazi nuk i shikojnë “vëllezërit” e tyre nga Shqipëria si armiq. Në mënyrë të pashmangshme, informacionet për sigurinë është vështirë të merren.

Aspekti ekonomik dhe social

  1. Menjëherë pas demonstratave të prillit, Qeveria e Kosovës ndërmori hapin befasues, duke marrë parasysh situatën, që është miratimi i planit të saj pesë-vjeçar. Pak më vonë u mor vesh se ajo e kishte tërhequr planin për rishqyrtim, me sa duket pas paraqitjes nga ana e republikave donatore të mënyrës se si janë shpërndarë ndihmat për zhvillim në industritë me kapital intensiv dhe punimet madhështore publike në vend të përqendrimit në bujqësi dhe industritë prodhuese të punës intensive. Pasojat e këtij ndryshimi janë të rëndësishme për të trajtuar problemin e rëndë të papunësisë në Krahinë, burimin e të paktën një pjese të ankesave të disa prej demonstruesve.
  2. Kosova nuk mund të presë ndonjë përmirësim dramatik në ekonominë e saj për sa kohë që vuan nën barrën e përqindjes së lartë të lindjeve dhe një sistemi arsimor të drejtuar keq. Kërkesa për më shumë punë për gratë do të ndihmonte për të ulur përqindjen e lindjeve. Qëllimi i shpallur kohët e fundit për t’i drejtuar studentët drejt studimeve që do t’i kualifikonin për nevojat ekonomike të Krahinës, është një hap në drejtimin e duhur. Kjo lëvizje jep shpresë se mund të formojë një pjesë të një reforme më të gjerë arsimore sepse disproporcioni midis numrit të studentëve që studiojnë lëndë “joproduktive” dhe ato “produktive” është shumë i madh në të gjitha institucionet e arsimit të lartë të Jugosllavisë. Për më tepër, i gjithë sistemi është i mbingarkuar me një numër shumë të madh studentësh, shumë prej të cilëve nuk janë diplomuar në Prishtinë, që përbëjnë një masë prej 50%.

Aspekti ndërkombëtar

  1. Deri më sot, konflikti midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë për çështjen e Kosovës nuk ka përfshirë asnjë palë të tretë. Megjithëse shqiptarët e kanë interpretuar heshtjen virtuale të rusëve për këtë çështje si provë të bashkëpunimit të këtyre të fundit në atë që e përshkruajnë si një komplot i Serbisë së Madhe/Rusisë kundër Shqipërisë, jugosllavët nuk kanë arritur në këtë joshje të veçantë. Por, disa jugosllavë të mirënjohur, përfshirë Ministrin e Jashtëm, kanë pranuar privatisht shqetësimin se Shërbimet e Fshehta ruse dhe bullgare nuk po neglizhojnë që të gjuajnë në ujëra të turbullta dhe madje mund të kenë ndonjë kontakt indirekt me Shërbimet e Fshehta shqiptare përmes organizatave të shumëllojshme shqiptare të emigrantëve jashtë vendit, të cilat kanë qenë aktive në demonstrimin e mbështetjes së tyre për opozitën në Kosovë. Me gjithë humbjen e vëmendjes në Poloni dhe Afganistan, thuhet se rusët nuk mund të anashkalojnë objektivin e mundësisë së paraqitur nga Kosova për të minuar stabilitetin e Jugosllavisë. Disa zyrtarë jugosllavë kanë argumentuar se kjo situatë e bën akoma më shumë urgjente nevojën që Jugosllavia dhe vendet e tjera të interesuara për integritetin e Jugosllavisë duhet të përpiqen të nxjerrin Shqipërinë nga izolimi para se të vijnë në krye elementët prosovjetikë pas epokës së Hoxhës. Por, zyrtarë të tjerë kanë shprehur shqetësimin për demonstrimet e tepërta të miqësisë për Shqipërinë në periudhën aktuale gjë që haptazi do të shikohej si e padobishme nga Jugosllavia.

Përmbledhje

  1. Kështu, ngjarjet në Kosovë patën një efekt të përzier në zhvillimet e këtij vendi. Në aspektin pozitiv, këto ngjarje i dhanë udhëheqjes së përbashkët një impuls të ri për të qëndruar të bashkuar dhe për të mbrojtur integritetin e Jugosllavisë. Gjithashtu, këto ngjarje kanë bërë që autoritetet qendrore të rishikojnë zhvillimin social dhe ekonomik të Krahinës së bashku me kontributet që i janë bërë Kosovës nga Republikat e tjera. Shpërthimi i medies për të raportuar mbi Kosovën përbën një hap përpara në zhvillimin më të gjerë demokratik të vendit. Gjithashtu, ripohimi i kontrollit federal mbi marrëdhëniet me Shqipërinë duhet të sigurojë një bazë më të shëndoshë për politikën e fqinjësisë së mirë të Jugosllavisë. Megjithatë, në aspektin negativ këto ngjarje i kanë dhënë goditjen e parë të rëndë një prej trashëgimive më të mëdha të Titos, d.m.th. “vëllazërisë dhe unitetit” që përbëjnë gurin themelor të Federatës. Kështu, jo vetëm që në Kosovë u rizgjua forca përçarëse e nacionalizmit, por, si një reagim ndaj shprehjeve të dhunshme të ndjenjave shqiptare kombëtare, ka pasur një rigjallërim edhe të ndjenjave serbe. Ngjarjet kanë treguar gjithashtu se sa e përciptë është influenca e Partisë në Kosovë, ku populli duket se është më shumë i frikësuar sesa bashkëpunues dhe udhëheqja lokale është qartazi në mosmarrëveshje me Beogradin.
  2. Çfarë do të ndodhë në të ardhmen? Udhëheqja qendrore vazhdon të ndjekë një kurs tejet të ekuilibruar: me durim por me vendosmëri duke ripohuar kontrollin e saj dhe ndërkohë duke vazhduar politikat e saj të zhvillimit. Mendoj, se thjesht me anë të përpjekjeve, ajo do të shtypë forcat përçarëse në Kosovë dhe do ta kthejë Krahinën në gjendjen e saj të qëndrueshme si më parë. Por, natyrisht që do të ketë më shumë shpërthime sporadike, mundet edhe terrorizëm, dhe, në një periudhë afatgjatë, mund të ketë më shumë trazira serioze nëse kërkesat e kosovarëve për statusin e republikës nuk përmbushen në njëfarë mënyre. Kjo, pasi fakt është se nacionalizmi shqiptar është i rrënjosur thellë dhe, si rezultat i përqindjes së tyre të lartë të lindjeve, të plotësuar nga emigrimi i vazhdueshëm i serbëve dhe malazezëve, shqiptarët mund të përbëjnë afërsisht njëzet vitet e ardhshme, jo më 78% të popullsisë që përbëjnë aktualisht, por pothuaj 100% të banorëve të Krahinës. Gjithashtu, ekziston edhe mundësia që të ndërhyjnë forcat e jashtme. Shqipëria padyshim që do të vazhdojë propagandën dhe subversionin, të cilat do të forcoheshin nëse një regjim më i moderuar pason atë të Enver Hoxhës: Jugosllavia do të ketë vështirësi që të neutralizojë këto aktivitete, por duhet të jetë në gjendje të kufizojë efektet e tyre përçarëse. Bashkimi Sovjetik mund të përpiqet që të shfrytëzojë këto pakënaqësi: megjithatë, nuk ekziston asnjë shenjë aktuale për këtë. Por, çfarëdo që të sjellë e ardhmja në këtë drejtim, ngjarjet në Kosovë kanë trazuar fuqishëm zhvillimin e qëndrueshëm dhe paqësor që pasoi vdekjen e Titos majin e kaluar.
  3. Një kopje të këtij informacioni po ia dërgoj Përfaqësuesve të Madhërisë së Saj në Athinë, Bon, Bukuresht, Budapest, Paris, Romë, Sofje dhe Uashington, Përfaqësuesit të Përhershëm të Mbretërisë së Bashkuar në Këshillin e Atlantikut të Veriut dhe Konsullit të Përgjithshëm të Madhërisë së Saj, në Zagreb.

I Juaji besnikërisht,

  1. Bolland

                                                                                      -65-

Konfidenciale

  1. E. Montgomery Ambasada britanike

EESD                                                                                                               Beograd

FCO 13 korrik 1981

I nderuar Alan,

                                               Kosova: përgjegjësia politike

Përmbledhje

  1. Shtypi i Beogradit gjatë dy javëve të fundit ka vazhduar presionin ndaj udhëheqjes së Kosovës që të pranojë përgjegjësinë për rritjen e nacionalizmit shqiptar. Disa nga historitë e brendshme për udhëheqjen duket se kërkojnë një lloj reagimi, p.sh., dorëheqje të tjera, por deri tani njerëzit e interesuar presin rastin e volitshëm. Megjithatë, duket se presioni publik ka arritur që të sigurojë publikimin e vlerësimit “sekret” të Kardelj mbi situatën në Kosovë në vitin 1977.

Detaje

  1. Shtëpia botuese e gazetës “Politika”, e cila përfshin gazetën “NIN”, ka vazhduar me presionin e saj të rreptë për t’i kërkuar llogari udhëheqjes politike në Kosovë. Në një sulm për këtë çështje, të dyja gazetat “Politika” dhe “NIN” të datës 28 qershor shqyrtuan mënyrën se si po vijonte procesi i diferencimit në Kosovë. Politika e shprehu çështjen hapur: “Si është e mundur që pas çdo gjëje që ka ndodhur, njerëzit mbeten në pozicione përgjegjëse të cilët, për faktin e thjeshtë se janë në krye të institucioneve me influencë, mbajnë përgjegjësinë më të madhe për institucionet në Kosovë?” Gazeta “Politika” dha përgjigjen në vijim: “Në situatën aktuale, ku pushteti është uzurpuar, vendimet janë lënë në dorë të një rrethi të vogël njerëzish dhe përgjegjësia e tyre varet vetëm nga vetëndërgjegjja e tyre. Vetëm ata mund të emërojnë dhe pushojnë nga puna veten e tyre… Mungesa e kritikës dhe vetëkritikës në udhëheqje është një barrë e rëndë për diferencimin në Kosovë”. Gazeta “NIN” bëri një analogji ndërmjet mënyrës se si po kryhej procesi i diferencimit dhe spastrimit të radhëve duke filluar nga poshtë-lart. Pas një analize që ishte bërë në një numër komunash, gazeta arriti në përfundimin se procesi po ecte shumë ngadalë për shkak të mungesës së një udhëheqësi të një niveli më të lartë. Gazeta “NIN” kërkoi një koment për këtë nga një anëtar (shqiptar) i Kryesisë së Kosovës, Pljakiç, i cili tha: “kemi vlerësuar LK-në në tërësi, dhe veçanërisht udhëheqjen dhe organizatat në Kosovë, si përgjegjëse, por kjo nuk do të thotë që udhëheqja të japë dorëheqjen në mënyrë kolektive, për arsye se shkalla e përgjegjësisë objektive të individit ndryshon. Përgjegjësia individuale do të konfirmohet në fazën tjetër të veprimit”. Gazeta “NIN” u shpreh se të gjithë pyesnin se pse kjo fazë nuk kishte filluar.
  2. Shtypi gjithashtu theksoi me ironi fatin e një njeriu i cili pati guximin t’i dërgonte një telegram Kryesisë së LKJ-së, në të cilën ai shprehte mbështetjen për masat e marra kundër nacionalistëve në Kosovë dhe gjithashtu shprehte pikëpamjen se disa udhëheqës kosovarë, në veçanti Bakalli, mbanin përgjegjësi. Ai u dërgua në burg për 60 ditë për gënjeshtrat “duke dëmtuar organet social-politike, të tilla si Komiteti Krahinor [i LK-së]”! Megjithatë, kjo nuk e ka penguar gazetën “NIN” që të publikojë më 12 korrik dy kritika të detajuara të udhëheqjes së Kosovës.
  3. Profesor Halit Terrnavci, i cili drejton Katedrën e Gjuhës Shqipe pranë Universitetit të Beogradit dhe është kosovar, mori pjesë vullnetarisht dhe kreu intervista pranë “NIN” rreth çështjeve të ndryshme “të pahapura” në procesin e normalizimit në Kosovë. Ai përdori një gjuhë të fortë për udhëheqjen e Kosovës e cila ka vlerë të përsëritet fjalë për fjalë: “Si mund të presim normalizim në Kosovë kur të njëjtit njerëz në pozicione drejtuese, kundër të cilëve thuhet në programin e masave të LKK-së se kohët e fundit kanë vepruar në mënyrë liberale dhe oportuniste, po zbatojnë aktualisht diferencimin? Objektivi i tyre i qartë është t’i kalojnë çështjet në heshtje… Thjesht nuk besoj se situata në Kosovë do të mund të kapërcehet pa një vlerësim të qartë të përgjegjësive individuale të të gjithë kuadrove drejtues të Krahinës… Është kaq absurde që ne i kërkojmë drejtorëve të firmave ose shkencëtarëve, të cilët janë kompromentuar, të lënë punën, ndërkohë që ata të cilët e miratuan punën e tyre janë ende në krye të zonave më të ndjeshme në jetën e Krahinës.”
  4. Ai më tej trajtoi çështjen e nepotizmit në nivelet më të larta: “Është thjesht e pabesueshme se sa shumë është ndërlidhur një pjesë e shtresës më të lartë politike dhe intelektuale… Është një klan i tërë në të cilin njëri mbron tjetrin, jo për arsye ideologjike ose nacionaliste, por për të mbrojtur interesat familjare.”
  5. Profesor Terrnavci konkludoi: “Prandaj besoj se LKJ-ja duhet të flasë hapur dhe qartë për ngjarjet dhe përgjegjësitë konkrete mbi të gjitha të komunistëve kosovarë; përndryshe situata do të mbetet e vështirë… Është e vështirë vetëm për aq kohë sa nuk flasim hapur dhe është krijuar përshtypja se disa njerëz duan që t’i kalojnë çështjet në heshtje”.
  6. Kjo është një kritikë shumë e fuqishme por artikulli në vijim i “NIN” e preku më në thelb çështjen. Kontributin nuk e dha ndonjë gazetar, por Milija Kovaçeviç (serb), i përshkruar si delegat nga Kosova dhe kryetar i Komitetit të Financave të Dhomës Federative të Republikave dhe Krahinave, d.m.th. një person me rëndësi. Në një përshkrim të përpunuar me kujdes mbi krijimin e “egoizmit nacional” në Kosovë, Kovaçeviç tregoi se si “armiku i klasës” ishte në gjendje të shfrytëzonte kushtet politike për të depërtuar në LKK në një numër të konsiderueshëm njerëzish. Përpjekje e veçantë u bë për të depërtuar në medien e Kosovës, gjë që shpjegonte heshtjen e këtyre njerëzve për “ngjarje të ndjeshme dhe komprometuese” në radhët e tyre si dhe përpjekjet për të mbajtur medien akoma më larg këtyre ngjarjeve. Përkundrejt këtij sfondi, vazhdoi Kovaçeviç, “njeriu nuk mund të shmangë faktin që këto struktura [d.m.th. politikanët dhe nacionalistët], si rezultat i sjelljes së tyre, e cila nuk mund të quhet kurrsesi një gabim i zakonshëm apo pakujdesi, orientimi i tyre afatgjatë dhe nënvlerësimi prej tyre i rrezikut nga armiku, i dhanë hapësirë një situate politike, të cilën armiku e përdori për llogari të vet jo vetëm pa rrezikuar veten por madje pa asnjë pengesë.”
  7. Kovaçeviç iu kthye çështjes së mëparshme për t’i kërkuar llogari personave të përfshirë. Më duhet ta citoj atë fjalë për fjalë sepse i shpjegon kaq qartë vështirësitë aktuale në Kosovë: “Në një situatë të tillë, pjesa më e ngushtë dhe më përgjegjëse e strukturës politike, duke përfshirë mbi të gjitha individët më përgjegjës, duket se përbën bazën dhe pengesën më të vështirë. Ata theksojnë pazëvendësueshmërinë e tyre dhe vazhdojnë me këmbëngulje që t’ia kalojnë përgjegjësinë strukturave më të ulëta politike me justifikimin se LK-ja në përgjithësi kishte dobësi në punën dhe vigjilencën e saj dhe se për rrjedhojë ishte pikërisht këtu pesha kryesore e diferencimit politik. Sidoqoftë, problemi i vërtetë është se këto struktura thellësisht burokratike kanë krijuar kohët e fundit lidhje të forta me njëra-tjetrën dhe me njësitë institucionale të dobishme, nga të cilat varen të gjitha klanet me karakter të theksuar krahinor. Është e vështirë për kuadro kaq politikë që të largojnë veten nga pozicionet kryesore me vendim të tyre pasi në këtë mënyrë do t’u duhej të ndryshonin jo vetëm konceptet e tyre, në fakt sensin mbi rëndësinë e tyre, por edhe disa vendime të caktuara afat-gjata dhe të pandryshueshme që ata kanë trashëguar ose që me kalimin e kohës janë bërë pjesë e vetëdijes së tyre… Për këto arsye, është me rëndësi parësore që marrëdhëniet në hierarkinë politike, d.m.th. në udhëheqjen politike, duhet të spastrohen deri në skaj”.
  8. Kështu, në të tre artikujt mesazhi është i njëjtë, konkretisht që të gjitha elitat më të larta të Partisë duhet të largohen para se të fillojë procesi i vërtetë i normalizimit në Kosovë me njerëz të rinj, të cilët sipas Kovaçeviç janë spostuar në një linjë dytësore politike shumë kohë më parë. Deri më sot, nuk ka pasur asnjë përgjigje nga udhëheqja e Kosovës dhe politikanët federalë nuk kanë marrë asnjë pozicion publik. Megjithatë, është e vështirë të kuptojmë që, në kushtet aktuale, të mund të injorohen këto kritika të hapura dhe pa ekuivoke. Nëse duhet të ketë një riorganizim të udhëheqjes, nuk mbetet shumë kohë para kthimit të studentëve në shtator, kur cilitdo person që të jetë në krye të Kosovës, do t’i duhet të ketë krijuar një kontroll të mirë mbi situatën politike dhe atë të sigurisë.
  9. Mund të jetë krijuar njëfarë shprese se presioni publik për veprim do të triumfojë për shkak të publikimit në gazetën “Komunist”, gjatë dy javëve të fundit të vlerësimit gjer më sot të papublikuar të Kardelj mbi situatën në Kosovë sipas këndvështrimit të tij në vitin 1977 (përmendur në letrën time të datës 10 qershor). Njohja me këtë informacion ndoshta mund të kishte mbetur çështje e mbyllur nëse dy politikanët Sllovenë, Ribiçiç dhe Smole, nuk do të kishin kërkuar publikimin e këtij informacioni dhe nëse shtypi nuk do t’i kishte mbështetur ata plotësisht. Gazeta “Komunist” është duke publikuar të gjithë tekstin në formë libri së bashku me një fjalim të Titos mbajtur në Kosovë në vitin 1979 ku i paralajmëron ata për rreziqet e nacionalizmit. Ky publikim priret të krijojë një sërë pyetjesh se përse politikanët kosovarë nuk i kushtuan kujdes këtyre paralajmërimeve si dhe do t’i japë shtysë të re kërkesave që ata të mbajnë përgjegjësi për atë që ndodhi. Fakti është se pikërisht gazeta “Komunist” është ajo që mori iniciativën të publikojë miratimin e sugjerimeve në nivelin më të lartë partiak të kësaj forme të presionit publik ndaj udhëheqjes së Kosovës.

I Juaji,                                                                                                                      Jemy T. J. Clark

Për dijeni: P. Rennie Esq

Departamenti i Kërkimit, FCO

                                                                               -66-

Kopje për përdorim të kufizuar

Ambasada britanike

Beograd

15 korrik 1981

                              Ngjarjet e kohëve të fundit në Maqedoni dhe Kosovë

Përmbledhje

  1. Aktiviteti nacionalist shqiptar vazhdon në Maqedoninë Perëndimore, megjithëse është shprehur më shumë në formën e veprimit përmes fletushkave, bojkoteve dhe sjelljeve të tjera në shkallë të vogël (por të përhapur) sesa përmes trazirave serioze publike. Pkërisht në Kosovë, do të merren masa kundër drejtorit të TV Prishtinës i cili është përfshirë në një incident armiqësor. Në Ferizaj gjendja e sigurisë mbetet “e ndërlikuar”, dhe një rektori i ri dhe dy zëvendësrektorë të rinj janë emëruar në Universitetin e Prishtinës. Ekonomia e Kosovës është në vështirësi të mëdha.

Detaje

Maqedonia

  1. Midis datave 2 korrik dhe 13 korrik, gazeta “Politika” përmbante raporte të manifestimeve të nacionalizmit shqiptar në pjesë të ndryshme të Maqedonisë Perëndimore. Kështu, në një mbledhje të Komitetit të Tetovës të LK-së (Lidhjes së Komunistëve) është shkruar sërish aktualisht një vlerësim i favorshëm i gjendjes politike/të sigurisë. Ishte zbuluar se 26 persona të dënuar për pjesëmarrje në demonstratat e vitit 1968 kishin rifituar vendet e punës së tyre në fushën e edukimit; në të vërtetë, disa prej tyre ishin futur sërish në Parti. Gjithashtu ishte zbuluar se në vitet e fundit pothuajse 10,000 shqiptarë nga Kosova ishin shpërngulur dhe vendosur në krahinën e Tetovës. Gjatë mbrëmjes së 8/9 korrikut, rrugët e Tetovës ishin mbushur “përsëri” me fletushka që nxisnin shqiptarët të formonin një “grupim politik” dhe në to thuhej se shqiptarët në Jugosllavi nuk kishin të drejta. Ndërkohë në Gostivar, u shfaqën parulla nacionaliste. Në Kërçovë të Maqedonisë klasat e mësimit u bojkotuan për 23 ditë. Në fshatin e Greshnicës u gris dy herë një foto e Titos. U kërcënuan zyrtarë vendas (përfshirë disa shqiptarë) të cilët ishin përfshirë në aktivitete antinacionaliste.
  2. Në përgjithësi, këto raporte paraqesin një tablo të nacionalizmit shqiptar mjaft të përhapur, megjithëse në shkallë të vogël, në Maqedoninë Perëndimore i cili është duke shqetësuar në mënyrë të dukshme autoritetet lokale. Sidoqoftë, në Maqedoni gjendja në përgjithësi duket ende “e qëndrueshme” megjithëse ndoshta jo aq “e kënaqshme” sa shprehej se ishte një muaj më parë nga kryeministri i Maqedonisë në intervistën e tij dhënë për gazetën “NIN” (letra e David Miller që është dërguar për ju më 23 korrik, paragrafi 7). Rastësisht, në një notë personale lektori i Këshillit Britanik në Shkup, më tha këtë javë se pronarët e dyqaneve dhe tregtarët e tezgave shqiptare në Shkup e kishin shumë të vështirë për të shitur ndonjë gjë, madje edhe me çmime të zbritura, ndërkohë që njerëz të kombësive të tjera po nxirrnin fitime duke vënë çmime më të larta dhe duke bërë tregti të shpejtë. Kjo situatë dukej se zhvillohej paralel me bojkotin e pronarëve shqiptarë të dyqaneve ndaj serbëve në Beograd (Letra e Klark e datës 10 qershor drejtuar Montgomerit).

Kosova

  1. Më 11 korrik gazeta “Politika” raportonte se Savan Hiseni, drejtori i TV Prishtinës, dhe Haki Dautaj, i cili deri kohët e fundit kishte qenë kryetar i Kryesisë së Konferencës Komunale të LK-së në Deçan, duhej të këshilloheshin për “sanksione më të ashpra” pas implikimit të tyre në një incident ku ishte hedhur përtokë një flamur pro Titos përpara një koncerti të organizuar nga TV Tirana. Kjo dukej një akuzë mjaft modeste për t’iu kundërvënë dhe akuzuar një figure si Hiseni, organizata e të cilit është përballë një kritike të rëndë për tendencat e saj nacionaliste, por është një organizatë që ka tërheqje emocionale popullore dhe është më e lehtë për të ndjekur penalisht këtë organizatë sesa akuzat më të gjera dhe më të çlirëta të nacionalizmit.
  2. Siç raportonte gazeta “Politika” më 6 korrik, gjendja në Ferizaj dhe përreth këtij qyteti ishte ende “e komplikuar” pavarësisht faktit që ishin identifikuar 400 pjesëmarrës në demonstrata armiqësore. Në një mbledhje të konferencës komunale lokale u bënë ankesat tashmë të njohura se “diferencimi” po zhvillohej ngadalë dhe në mënyrë joefikase. Një nga anëtarët e kryesisë së LK-së së Kosovës tha se “sjellja liberale dhe oportuniste” ishte shkaku i gjithë kësaj duke shtuar me pompozitet, por pa dobi se “ne jemi fajtorë për atë që ka ndodhur”.
  3. Në letrën time të datës 10 korrik dërguar për ju flitet për situatën e turbulluar në Universitetin e Prishtinës. Gazeta “Politika” e datës 17 qershor raportonte se është emëruar një rektor i ri (dr. Minir Dusi). Gjithashtu janë emëruar dy zëvendësrektorë, një serb dhe një shqiptar; rektori serb është zgjedhur unanimisht, megjithëse kjo kishte ndodhur pasi ai ishte “lutur” pa sukses pranë Këshillit të Universitetit që të mos paraqiste emërimin e tij për arsye shëndetësore.

Ekonomia e Kosovës

  1. Raportet se si kanë ndikuar trazirat në ekonominë e Kosovës, kanë qenë kontradiktore, por më 14 korrik gazeta “Politika” raportonte se Kryesia e Kosovës dhe Kryesia e LK-së së Kosovës kanë shqyrtuar pozitën ekonomike dhe kanë konstatuar se ajo ishte “tejet e pakënaqshme”. Objektivat e vëna për zhvillimin e Kosovës në vitin 1981 nuk po përmbusheshin, gjë që e bëri gjendjen ekonomike “shumë të ndërlikuar”. Hapat prapa në të gjitha frontet ishin veçanërisht të dukshme në periudhën pas demonstratave. Gjithashtu, është ngritur një grup pune për të përgatitur një përmbledhje të problemeve për mbledhjen e ardhshme të Kryesisë së LK-së së Kosovës. Një nga oficerët tanë i LE-së Komerciale ishte në Prishtinë javën e kaluar dhe ka mësuar se rishikimi i parashikuar i Planit 1981-1985 që është tërhequr nuk ishte asgjëkund gati dhe se do të punohej me të gjatë gjithë verës.

I Juaji,

Charles Crawford

Oficer Informacioni

                                                                                   -67-

Për përdorim të kufizuar

UK sekret

Burim delikat

  1. Broomfield,

Për dijeni: M. Rennie, Departamenti i Kërkimit                                           15 korrik 1981

                                                                            Shqipëria

 Në vijim të shqetësimeve tona aktuale mund të dëshironi të keni në dorë draft njoftimin e JIC (në fakt drafti i tretë) që pritet të shqyrtohet nga CIG nesër pasdite. Me përjashtim të ndryshimeve të vogla të cilat i kam nënvizuar me laps, z. Montgomery dhe unë jemi në përgjithësi të kënaqur me të, megjithëse pohimi për rëndësinë e Shqipërisë është më pak tingëllues nga sa kemi shpresuar. Por, ky draft njoftim ofron një historik të përditësuar të dobishëm për:

  1. a) përpjekjet tona për të zgjidhur dallimet tona me Shqipërinë;
  2. b) raportet për shëndetin e dobët të Hoxhës;
  3. c) Kongresin e ardhshëm të Partisë këtë vjeshtë.
  4. Megjithatë, puna për draftin ka treguar qartë se sa skematike janë njohuritë tona për skenën e brendshme shqiptare. Sipas mendimit tim, mënyra më e mirë për të ndrequr këtë është që gjatë Presidencës tonë të EC-së për Grupin e Punës së Evropës Lindore, të përgatitet një studim mbi situatën në Shqipëri. Në këtë drejtim, duhet të bazohemi shumë tek francezët, italianët dhe grekët (megjithëse përshtypja ime është se ndonëse kanë misione në Tiranë, edhe ata kanë shumë pak dijeni për atë që po ndodh atje). Gjithashtu, mund të konsultohemi edhe me turqit në këtë drejtim.

I Juaji,

  1. C. R. Gray

Departamenti Sovjetik & i Evropës Lindore

                                                                                          -68-

Konfidenciale

  1. Bullard, 16 korrik 1981

                                                                            Shqipëria

 Keni kërkuar një vlerësim të implikimeve të raportimeve mbi shëndetin e keq të Hoxhës.

  1. Prej disa vitesh ka pasur zëra se Hoxha është i sëmurë rëndë. Dalja e tij e fundit publike për të cilën kemi dijeni ndodhi më 1 maj të këtij viti, ku sipas italianëve ai dukej në një formë mjaft të mirë. Megjithatë, zërat e vazhdueshëm për vdekjen e tij të pashmangshme do të jenë të vërteta një ditë. Duke pasur parasysh këtë fakt dhe shqetësimet tona aktuale me përpjekjet e bëra nga ana jonë për të zgjidhur dallimet tona me shqiptarët, si departament po tregojmë më shumë interes për Shqipërinë sesa kemi pasur prej kohësh. Fryti i parë në këtë drejtim është një draft notë i JIC-së, që po përgatitet aktualisht. Paragrafët përkatës citojnë:
  2. a) Pozita e Shqipërisë i jep asaj një rëndësi të pabarabartë me madhësinë dhe pozicionin e saj ndërkombëtar. Rusët kanë arsye të qartë ideologjike për t’i sjellë shqiptarët në vathën e vet. Për më tepër, ata do të përfitonin në mënyrë të konsiderueshme nga kontrolli mbi objektet ushtarake shqiptare, veçanërisht bazën detare, dhe e shihnin si një avantazh përdorimin e Shqipërisë si bazë prej ku do të ushtronin presionin e tyre ndaj Jugosllavisë apo do të nxisnin subversionin apo destabilizimin aty. Interesimi kryesor i Perëndimit është që të mos e lejojë Bashkimin Sovjetik të përdorë objektet ushtarake. Kina ndoshta ka pak më shumë interes në vend.
  3. b) Udhëheqësit shqiptarë deri tani kanë mbetur armiqësor ndaj Bashkimit Sovjetik dhe të shurdhër ndaj thirrjeve të sovjetikëve për përmirësimin e marrëdhënieve. Por, besojmë se gjatë viteve të ardhshme Bashkimi Sovjetik do të vazhdojë përpjekjet për përmirësimin e marrëdhënieve me Shqipërinë, ndërkohë që do të kultivojë lidhje më të ngushta me çdo element prosovjetik që mund të ketë mbetur në vend. Jugosllavët besojnë se Enver Hoxha ka sëmundje të pashërueshme dhe besojnë se fraksionet pro Moskës po synojnë të marrin kontrollin e Shqipërisë pas vdekjes së Hoxhës. Nevoja e ngutshme për ndihmë të huaj mund ta bëjë me të vërtetë ndonjë udhëheqje të re më të bindur ndaj përçapjeve sovjetike për afrim. Por, dallimet e mbetura e madje ndoshta të heshtura ideologjike dhe dëshira për të shmangur paragjykimin e Shqipërisë për përmirësimin e marrëdhënieve me pjesën tjetër të botës, mund të pengojnë zhvillimin e lidhjeve më të ngushta me Moskën.
  4. c) Po të vinte në fuqi në Tiranë një udhëheqje prosovjetike, pa dyshim që Bashkimi Sovjetik do të kërkonte objekte ushtarake në vend, dhe me qëllim që ato të mbeten të sigurta për një periudhë të gjatë kohore, ndoshta do të dëshironte ta tërhiqte Shqipërinë sërish në Komekon, në mos në Paktin e Varshavës. Shqipëria ndoshta do të kërkonte një quid pro quo (kompensim) të rëndësishëm për objektet ushtarake. Rusët mbase do të ishin të përgatitur për të paguar një çmim mjaft të lartë për një marrëdhënie të tillë, megjithëse një barrë shtesë financiare do të ishte jo e mirëpritur për anëtarët e tjerë të Komekon. Një kosto më të madhe do të kishte frenimi i pashmangshëm i përpjekjeve të rusëve për të joshur Jugosllavinë të cilën e shohin qartazi si një çmim më të lartë. Nuk mendojmë se Bashkimi Sovjetik do të ndërmerrte veprime ushtarake për të fituar kontrollin mbi Shqipërinë përveç se po të ftohej nga shqiptarët ose në rastin e një dobësimi të përgjithshëm në Ballkan.
  5. Sidoqoftë, njohuritë tona mbi skenën e brendshme shqiptare janë mjaft të vagëlluara. Por, mendojmë se nëse vdes Hoxha pasuesit e mundshëm do të përfshinin Shehun, kryeministrin aktual, megjithëse edhe ai është i vjetër dhe me sa duket i sëmurë. Nga ana tjetër, Byroja Politike përbëhet kryesisht nga shokë të Hoxhës të kohës së luftës të cilët në vazhdimësi kanë mbështetur politikat e tij. Nuk kemi shenja për divergjenca serioze mendimesh brenda Byrosë Politike të cilat mund të sillnin një shenjë të politikave të mundshme të brendshme pas largimit të Hoxhës.
  6. Për të plotësuar njohuritë tona mjaft të fragmentuara, kemi parasysh se gjatë Presidencës së EC-së, Grupi i Punës së Evropës Lindore duhet të përgatisë një studim mbi situatën në Shqipëri. Në përgatitjen e këtij dokumenti duhet të mbështetemi fuqimisht tek francezët, italianët dhe grekët (megjithëse përshtypja ime është se pavarësisht se këto vende kanë misione në Tiranë, edhe ata janë të keq-informuar për atë që po ndodh atje). Gjithashtu, mund të konsultohemi edhe me turqit në NATO.

I Juaji,

  1. C. R. Gray

Departamenti Sovjetik & i Evropës Lindore

                                                                                        -69-

Nato Konfidenciale

16 korrik 1981

                                                                             Shqipëria

 Kjo notë vlerëson pozitën politike, strategjike dhe ekonomike të Shqipërisë, dhe mundësinë e implikimeve prej afrimit të mundshëm me Bashkimin Sovjetik.

Historiku: 1939-1980

  1. Shqipëria, që kur u bë shtet i pavarur në vitin 1912, deri së fundmi është varur nga një fuqi e huaj për mbrojtje dhe ndihmë ekonomike. Pas luftës së fundit dukej e mundshme për një farë kohe se Shqipëria do të bëhej pjesë e Federatës Jugosllave, si rezultat i lidhjeve të ngushta të farkëtuara kur Jugosllavia e ndihmoi në krijimin e Partisë Komuniste Shqiptare e cila mori kontrollin e Shqipërisë në vitin 1945. Por, kur Jugosllavia u përjashtua nga Kominterni në vitin 1948, Enver Hoxha, sekretari i parë i Partisë Komuniste Shqiptare (një post të cilin ende e mban), përfitoi nga rasti për t’u kthyer nga Bashkimi Sovjetik për ndihmë dhe për të eliminuar rivalët e tij jugosllavë nga udhëheqja. Bashkimi Sovjetik konsiderohej më shumë si aleat sepse mendohej se kishte plane territoriale për Shqipërinë.
  2. Vdekja e Stalinit në vitin 1953, procesi vijues i destalinizimit dhe afrimi midis Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë rritën frikën e Shqipërisë se Jugosllavia mund të ushtronte përsëri ndikim mbi vendin përmes Bashkimit Sovjetik. Kur Kina filloi të kritikonte hapur Bashkimin Sovjetik në vitin 1960, ajo gjeti një aleat tek Hoxha, i cili gjithnjë e më shumë ndante pikëpamjet ideologjike dhe politike kineze. Në fillim të viteve 1960, Shqipëria ndërpreu pjesëmarrjen në Komekon dhe nuk i lejoi më përdorimin e objekteve ushtarake në vend nga sovjetikët. Prishja e plotë me Bashkimin Sovjetik ndodhi në vitin 1968, kur Shqipëria u tërhoq formalisht nga Pakti i Varshavës pas pushtimit të Çekosllovakisë. Ndërkohë, lidhjet me Kinën u forcuan. Kina e mbështeti Shqipërinë si nga pikëpamja ekonomike dhe ideologjike në këmbim të një baze në Evropë për transmetime propagandistike dhe një zë në Kombet e Bashkuara në një kohë kur Kina komuniste nuk përfaqësohej aty. Kina i dha fund kësaj marrëdhënieje të ngushtë me Shqipërinë në vitin 1978, kur duke mos pasur më nevojë për Shqipërinë si aleate, tërhoqi ndihmën e saj ekonomike dhe ushtarake. Sidoqoftë, Kina vazhdoi të ruante marrëdhëniet diplomatike.
  3. Që prej prishjes me Kinën, Shqipëria ka shmangur çdo përfshirje në blloqe dhe ka qëndruar larg angazhimeve multilaterale. E bindur për korrektësinë e interpretimit të marksizëm-leninizmit nga ana e saj, Partia Komuniste Shqiptare mbetet nga pikëpamja ideologjike armiqësore me të gjitha partitë e tjera qoftë ose jo në pushtet, dhe ka marrëdhënie vetëm me grupet marksiste-leniniste të cilat të njëjtën kredo politike e shpallin si të tyren. Bashkimi Sovjetik dhe Kina, po ashtu si Shtetet e Bashkuara, dënohen si “imperialiste”, dhe Shqipëria nuk ka lidhje diplomatike apo tregtare formale me Bashkimin Sovjetik ose Shtetet e Bashkuara.

Marrëdhëniet midis Britanisë dhe Shqipërisë

  1. Britania nuk ka pasur marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë që para luftës së fundit. Ka dy probleme të pazgjidhura. Qeveria shqiptare deri tani nuk është përgatitur për të rifilluar marrëdhëniet përpara dorëzimit “me interes” të arit që ka marrë përkohësisht pas luftës si dëmshpërblim për një sasi që Shqipërisë i është grabitur nga gjermanët. Ari me vlerë 26.5 milionë dollarë, më 28 janar 1981 është mbajtur nga Banka e Anglisë në emër të Komisionit Trepalësh për Kthimin e Arit Monetar, i cili përbëhet nga përfaqësues të qeverive britanike, amerikane dhe franceze. Qeveria britanike dhe ajo amerikane kanë kundërshtuar të dyja dorëzimin e arit “shqiptar” para zgjidhjes së pretendimeve të tyre respektive kundër Shqipërisë. Pretendimi britanik lind nga refuzimi i Shqipërisë për të vepruar në përputhje me çmimin e dhënë të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë prej 800,000 £ si kompensim për dëmin që i është bërë dy destrojerëve britanikë në incidentin e Kanalit të Korfuzit në vitin 1946. Përpjekjet britanike për të rifilluar marrëdhëniet para zgjidhjes së problemeve financiare deri tani nuk kanë qenë të suksesshme.

Perspektivat ekonomike

  1. Shqipëria është vendi më i varfër në Evropë, por standardi i jetesës dhe kushtet shoqërore janë përmirësuar. Rritja e shpejtë e popullsisë do të thotë se vendi duhet të përpiqet për rritje të shpejtë ekonomike me qëllim krijimin e vendeve të punës dhe përmirësimin e mëtejshëm të standardit të jetesës. Në vitin 1945 Shqipëria ishte një vend i prapambetur bujqësor, por filloi të zhvillohej me ndihmën e ndihmës sovjetike dhe më pas kineze deri kur teknikët e fundit kinezë u tërhoqën në vitin 1978. Aktualisht, theksi kryesor në politikën e industrisë është në prodhimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike, kimikatet (veçanërisht plehrat kimike) dhe inxhinieri (veçanërisht pjesët rezervë për pajisjet kapitale ekzistuese). Në bujqësi, Shqipëria ka qenë e pavarur në prodhimin e grurit që në vitin 1976 dhe madje ka prodhuar teprica të vogla për eksport.
  2. Sipas shifrave shqiptare, prodhimi social u rrit me 28% gjatë periudhës së Planit Pesë-vjeçar 1976-1980, dhe në mënyrë të konsiderueshme më shpejt gjatë 2 viteve të fundit – pas tërheqjes së ndihmës kineze – sesa në vitet e mëparshme. Plani aktual Pesë-vjeçar (1981-85) synon vazhdimin e rritjes më të shpejtë, përsëri pa hua nga jashtë dhe asistencë ekonomike. Me gjithë sukseset e pretenduara për rritjen e normës së ngritjes ekonomike pa ndihmë të huaj, Shqipëria mund ta ketë tejet të vështirë që të ruajë rritjen e shpejtë ekonomike nëse vazhdon me politikën e vetëmbështetjes së paepur.
  3. Shqipëria ka disa burime natyrore: naftë që mjafton për të mbuluar një të tretën e nevojave të saj dhe për të lënë një tepricë të vogël për eksport (megjithëse ka cilësi të dobët dhe vështirësi për nxjerrjen e saj), qymyr dhe një potencial të konsiderueshëm hidroelektrik. Vendi ka gjithashtu burime të rëndësishme mineralesh hekuri dhe bakri, megjithëse aktualisht prodhimi i bakrit është në një shkallë mjaft të vogël. Burimi më i rëndësishëm i Shqipërisë është kromi, për të cilin ajo është aktualisht prodhuesja e tretë më e madhja në botë dhe eksportuesja e dytë më e madhe. Por, besojmë se rezervat e vërtetuara janë ndoshta të mjaftueshme për më pak se prodhimin e 10 viteve në normat aktuale dhe përfaqësojnë vetëm rreth 1% të rezervave të përgjithshme botërore; edhe rezervat potenciale ndoshta nuk do të zgjasin më shumë se për 20 vite të tjera. Shqipëria do të jetë me fat nëse do të ruajë prodhimin e mineralit të kromit në nivelin aktual deri në fund të viteve 1980. Për pasojë, objektivi për zgjerim është i kufizuar. Do të duhet disa kohë për të zgjeruar kapacitetin e prodhimit.

Tregtia e jashtme

  1. Qeveria shqiptare ka bërë përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet tregtare me 80 apo më shumë vende me të cilat ajo ka marrëdhënie diplomatike. Por, që në fillim të viteve ‘70, tregtia e jashtme shqiptare nuk është rritur më shumë se 600 milionë dollarë amerikanë në vit, kur rreth dy të tretat e tregtisë bëhej me Kinën. Tregtia me vendet josovjetike Komekon është rreth 200 milionë dollarë amerikanë në vit, kryesisht me bazë shkëmbimi. Tregtia me Bashkimin Sovjetik është e papërfillshme. Tregtia me Perëndimin e zhvilluar arrin gjithashtu në rreth 200 milionë dollarë amerikanë. Shqipëria importon nga Perëndimi kryesisht hekur dhe çelik, kimikate, qymyr dhe tekstile, duke eksportuar në këmbim afërsisht tre të pestat e prodhimit të vet të kromit (një pjesë e tij është e cilësisë së dobët), nikel, tel bakri, produkte ushqimore dhe disa mallra të prodhuara. Partneri më i madh tregtar i Shqipërisë aktualisht është Jugosllavia. Kushtetuta e vendit ndalon ndërmarrjet e përbashkëta me kredi nga “monopolet dhe shtetet borgjeze dhe revizioniste e kapitaliste”. Shqipëria rrallë i është drejtuar bankave perëndimore për ndihmë financiare, përveç me bazë afat-shkurtër. Kohët e fundit, Shqipëria është përpjekur të inkurajojë partnerët e saj tregtarë perëndimorë që të bëjnë tregti mbi bazën e shkëmbimit ose ndërrimit të mallrave: një gjë e tillë mund të pengojë planet për zgjerimin e këtyre lidhjeve tregtare në të ardhmen e afërt.
  2. Balancimi i tregtisë shqiptare midis Lindjes dhe Perëndimit nuk është thjesht rezultat i dëshirës së udhëheqjes për të ruajtur pavarësinë politike të vendit. Pajisjet e avancuara perëndimore do të mbeten jetike për zhvillimin e industrisë shqiptare, por tregjet e Komekon janë më shumë të afta që të tërheqin mallra të prodhuara shqiptare të kualitetit të dobët. Megjithëse Shqipëria ka kapacitetin të shtojë eksportet e saj minerale dhe energjetike, ajo nuk do të jetë në gjendje të importojë të gjitha makineritë që kërkon nga Perëndimi: disa furnizime do të duhet të vijnë nga Evropa Lindore.

Pozita strategjike

  1. Vetë forcat shqiptare nuk kanë ndonjë domethënie të madhe. Ka katër brigada këmbësorie dhe një tankiste, rreth njëqind avionë luftarakë të mbrojtjes ajrore dhe një anije e vogël bregdetare. Të gjitha pajisjet kryesore janë të vjetra, të vjetruara dhe vuajnë nga mungesa e pjesëve rezervë dhe mirëmbajtja e tyre. Megjithatë, duke pasur parasysh pozitën gjeografike të Shqipërisë, objektet e saj ushtarake mund të kenë rëndësi strategjike nëse do të viheshin nën kontrollin e Bashkimit Sovjetik. Bashkimi Sovjetik ka përdorur më parë bazën detare të ndërtuar nga sovjetikët në gjirin e Vlorës, dhe përdorimi i kësaj pike do të ndihmonte në mënyrë të konsiderueshme në ruajtjen e nëndetëseve të Flotës Veriore Sovjetike të pozicionuara në Mesdhe, veçanërisht për arsye se aktualisht Bashkimi Sovjetik ka objekte të kufizuara tregtare në Mesdhe. Gjithashtu, kjo pikë mund të ofrojë një zonë strehimi në thellësi ujore për përdorim nga anijet mbështetëse të Skuadriles Mesdhetare. Flota Ushtarake Detare shqiptare ka gjithashtu dy baza të vogla forcash bregdetare në Ishullin e Sazanit dhe Durrës.
  2. Funksionimi i avionëve sovjetikë nga aerodromet shqiptare nën kontrollin e sovjetikëve do të rriste kërcënimin e Paktit të Varshavës nga ajri për rajonin Jugor të NATO-s, por avionë të tillë do të ishin më shumë të ekspozuar ndaj kundërpërgjigjes së NATO-s dhe do të nevojitej fluturimi mbi territorin e Jugosllavisë për të mbështetur një zotërim të tillë sovjetik. Ngushtica e Otrantos, hyrja në Adriatik, do të ishin më afër shtrirjes së avionëve sovjetikë. Aerodromet ekzistuese ndoshta do të nevojitej të rinovoheshin dhe përmirësoheshin për të përballuar operacionet sulmuese.
  3. Përdorimi nga sovjetikët i objekteve shqiptare do të rriste shqetësimet e vendeve fqinje të Adriatikut, megjithëse shumë pak do të rritej kërcënimi i operacioneve tokësore dhe ajrore kundër Greqisë ose Jugosllavisë, i cili ekziston nëpër Bullgari.

Situata dhe opinioni aktual

  1. Pozita gjeografike e Shqipërisë i jep asaj rëndësi më të madhe sesa do të garantonte madhësia e saj apo edhe pozicioni ndërkombëtar i saj. Bashkimi Sovjetik do të përfitonte në mënyrë të konsiderueshme nga kontrolli mbi objektet ushtarake shqiptare, veçanërisht bazën nëndetëse, dhe do ta shihte si avantazh përdorimin e Shqipërisë si bazë nga e cila të ushtronte presion ndaj Jugosllavisë apo të nxiste subversion ose destabilizim atje. Interesi kryesor i Perëndimit ishte që të mos lejonte përdorimin e objekteve shqiptare nga Bashkimi Sovjetik. Kina nuk po tregon aktualisht ndonjë interes të madh në këtë vend.
  2. Shqipëria paraqet gjithashtu interes të konsiderueshëm për Jugosllavinë, e cila ka një pakicë të madhe shqiptarësh etnikë në Kosovë. Marrëdhëniet e Shqipërisë me Jugosllavinë u përmirësuan pas prishjes me Kinën; po kështu pushtimi sovjetik i Afganistanit dhe shqetësimi mbi fatin e Jugosllavisë pas vdekjes së Titos në vitin 1980 bëri që Shqipëria të rishpallte sigurimet e saj më të hershme për të ndihmuar jugosllavët në rast agresioni sovjetik. Por, brishtësia e kësaj detante dhe potenciali i Shqipërisë për të trazuar stabilitetin jugosllav nëpërmjet tërheqjes së saj natyrale për shqiptarët etnikë janë ilustruar gjeografikisht nga toni i hapur nacionalist dhe irredentist i trazirave të fundit në Kosovë. Reagimi shumë i ashpër jugosllav, i cili pasqyron dyshimin e bashkëpunimit shqiptar, çoi në përkeqësimin serioz të marrëdhënieve bilaterale, dhe pezullimin e marrëveshjeve kulturore.
  3. Udhëheqësit shqiptarë kanë mbetur deri sot armiqësorë ndaj Bashkimit Sovjetik dhe të shurdhër ndaj thirrjeve sovjetike për përmirësimin e marrëdhënieve. Por, besojmë se gjatë viteve të ardhshme Bashkimi Sovjetik do të vazhdojë përpjekjet e tij për të përmirësuar marrëdhëniet me Shqipërinë, ndërkohë që do të kultivojë lidhjet me çdo element prosovjetik në vend. Hoxha thuhet se është i sëmurë rëndë, por nuk kemi informacion përmes të cilit të bazojmë gjykimin tonë mbi llojin e udhëheqjes që mund të dalë pas vdekjes së Hoxhës. Nevoja e ngutshme për ndihmë të huaj mund ta bëjë ndonjë udhëheqje të re më të bindur ndaj përçapjeve për afrim me sovjetikët; por dallimet e mbetura e madje ndoshta të heshtura ideologjike dhe dëshira për të shmangur paragjykimin e Shqipërisë për përmirësimin e marrëdhënieve me pjesën tjetër të botës, mund të pengojnë në praktikë zhvillimin e lidhjeve më të ngushta me Moskën.
  4. Nuk mendojmë se Bashkimi Sovjetik do të ndërmerrte veprime ushtarake për të fituar kontrollin mbi Shqipërinë përveç nëse ftohej nga udhëheqësit shqiptarë apo në rast të çrregullimeve të përgjithshme në Ballkan. Nëse, pas vdekjes së Hoxhës në Tiranë do të vinte në pushtet një udhëheqje prosovjetike, pa dyshim që Bashkimi Sovjetik do të kërkonte të ketë objekte ushtarake në vend, dhe me qëllim sigurimin e tyre për një periudhë të gjatë kohore, ndoshta do të dëshironte ta tërhiqte Shqipërinë sërish në Komekon, në mos në Paktin e Varshavës. Shqipëria ndoshta do të kërkonte që të arrinte një quid pro quo (kompensim) të rëndësishëm për objektet ushtarake. Bashkimi Sovjetik mbase do të ishte përgatitur për të paguar një çmim mjaft të lartë për një marrëdhënie të tillë, megjithëse një barrë shtesë financiare nuk do të ishte mirëpritur për anëtarët e tjerë të Komekon. Sidoqoftë, një kosto më të madhe do të kishte frenimi i pashmangshëm i përpjekjeve sovjetike për të rifituar ndikimin në Jugosllavi, të cilën ata e shohin qartazi si një çmim më të mirë.

 

                                                                                  -70-

JCR Gray Esq                                                                                       Ambasada britanike

EESD                                                                                                                      Beograd

FCO                                                                                                                21 korrik 1981

                                                     Kosova: foto të demonstratave

I nderuar, Zotëri

  1. Shtypi i ilustruar i Beogradit ka filluar më së fundi të publikojë foto të demonstratave në Kosovë. Bashkangjitur po ju dërgoj disa prej tyre me interes për ju.

I Juaji,

Charles Crawford

Oficer Informacioni

Foto A:

“Nacionalistët shqiptarë hodhën gurë ndaj atyre që nuk bashkohen me ta”.

“Detyra e tyre është të trazojnë popullin: me një megafon përballë ndërtesës së LKK-së”.

“Nacionalistët dhe irredentistët më fanatikë mbanin shkopinj”.

Foto B:

“Prishtinë: fillimisht demonstruesit dolën me parulla “shoqërore”, por më pas fytyra e armikut u zbulua”.

Foto C:

“Foto nga dita me trazira e pranverës: Milicët kanë ndaluar një grup demonstruesish dhe po i bindin që të shpërndahen dhe të mos mashtrohen nga armiku”.