Vështrim/Analizë

Fatos Tarifa: Albmericans dhe Trump

    Shtatë muaj si sot, më 5 nëntor të këtij viti, amerikanët do të votojnë për të zgjedhur presidentitn e tyre të ardhshëm. Po atë ditë, në 11 shtete të Shteteve të Bashkuara dhe në dy territore të atij vendi ata do të votojnë për të zgjedhur guvernatorin e shtetit apo të territorit të tyre; do të votojnë gjithashtu për të zgjedhuar përfaqësuesit e tyre që do të zenë një të tretën e vendeve në Senat dhe 435 anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin e Shteteve të Bashkuara; në disa shtete do të votojnë edhe për të drejtën e abortit.

Demokratët do të luftojnë për të ruajtur shumicën në Senat, për të rimarë shumicën e vendeve në Dhomën e Përfaqësuesve dhe për të zgjedhur guvernatorë demokratë në disa prej atyre 11 shteteve, në të cilët postin e guvernatorit aktualisht e mban një republikan.

Do të jenë gara të ashpra, por më e rëndësishmja ndër to është e do të mbetet deri ditën e fundit gara për zgjedhjen e presidentit të Shteteve të Bashkuara. Se cili do të jetë presidenti i ardhshëm i atij vendi, sot nuk është thjesht një kuriozitet, por diçka që, në një masë të madhe, do të përcaktojë zhvillimet e ardhshme në atë vend, si dhe marrëdhëniet e Amerikës me shoqërinë ndërkombëtare.

***

Unë i kam ndjekur nga afër dhe me vëmendjen më të madhe zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara qysh nga viti 1992 (shumë prej tyre gjatë periudhës kur jetoja, studioja dhe punoja në atë vend), por zgjedhjet presidenciale të këtij viti duket se do të jenë më interesantet—dhe më të rëndësishmet—në këto më shumë se tri dekadat e fundit.

Unë nuk jam një shtetas amerikan, por me Amerikën më lidhin shumë gjëra: një eksperiencë e gjatë dhe e pasur jetësore, shkollimi im në një prej universiteteve më të mirë të atij vendi, më shumë se katër vite të shërbimit tim diplomatik si ambasador i Shqipërisë në Uashington, vokacioni im intelektual e profesional si një sociolog, si studiues i politikës së jashtme, i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe i gjeopolitikës, kolegët dhe miqtë e shumtë që kam në atë vend etj.

Për të gjitha këto arsye, politika amerikane dhe zhvillimet në atë vend jo vetëm më mbajnë gjithnjë të interesuar më shumë se sa për çdo vend apo rajon tjetër të globit, veç vendit tim, por edhe të angazhuar për t’u informuar sa më saktë e objektivisht nga çdo burim i besueshëm i mundshëm.

Shumë herë, pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara rreth 15 vite më parë, kam shkruar për Amerikën, për shoqërinë dhe politikat e atij vendi (libra, artikuj studimorë, analiza) dhe shumë herë kam komentuar mbi zgjedhjet presidenciale në atë vend—Bush v Kerry (2004), Obama v McCain (2008), Obama v Romney (2012), Trump v Hillary Clinton (2016), Biden v Trump (2020). Duket se edhe gjatë muajve në vijim, deri në zgjedhjet e nëntorit këtë vit (dhe ndoshta edhe për një kohë pas tyre), nuk do u shpëtoj dot as tundimit për të shkruar e analizuar rëndësinë e këtyre zgjedhjeve, as ftesave për ta bërë këtë në të përditshmet dhe studiot e televizioneve kryesore të vendit. Por jo sot.

***

Këto shënime, që i bëj sot publike në gazetën Dita, janë nxituar nga një dukuri e thjeshtë, që për mua është tërësisht irracionale dhe, ipso facto, e pashpjegueshme.

Më ka rastisur këto kohë të takoj ose të komunikoj me shumë shqiptarë që, si emigrantë, jetojnë në Shtetet e Bashkuara, ose të natyralizuar si shtetas amerikanë (dhe që miku im gazetar, Peter Lucas, i ka pagëzuar si “Albmericans”), ose me leje qendrimi në atë vend. Jo më të shumtët, por disa prej tyre, (që mua, sidoqoftë, më duken shumë), janë shprehur e shpreheh se janë mbështetës të ish-presidentit Trump dhe se në nëntor do të votojnë përsëri për të.

Ky fakt më ka çuditur e vazhdon të më çudisë dhe unë, sado që përpiqem, nuk arrij të kuptoj dot racionalitetin e një qendrimi të tillë, mbështetjen dhe votën e tyre për një njeri, i cili, po të kishte qenë president në kohën kur këta shqiptarë emigruan në Shtetet e Bashkuara, do e kishte bërë më të vështirë, në mos të pamundur, natyralizimin e tyre si qytetarë të atij vendi, apo pajisjen e tyre me dokumente si emigrantë të ligjshëm.

Cilat të jenë arsyet pse një numër i madh emigrantësh shqiptarë në Shtetet e Bashkuara mbështesin një kandidat republikan (në fakt një demokrat të konvertuar në republikan), si Donald Trump?!

Një politikan, i cili është hapur kundër emigrantëve, madje një politikan racist, që beson në supremacinë e amerikanëve të bardhë, atyre që në zhargonin e atij vendi quhen WASP (White Anglo-Saxon Protestants) ndaj çdo grupi tjetër racor apo ndaj çdo komuniteti tjetër etnik, që u thotë përkrahësve të tij ultraekstremistë se emigrantët po e ndotin gjakun kombit amerikan, njëlloj siç Hitleri u thoshte përkrahësve të tij nazistë për hebrenjtë, për popujt sllavë, për romët etj.

Si mundet një emigrant shqiptar, që ka zgjedhur të jetojë në Amerikë, të mbështesë e të votojë për një kandidat që nxit urrejtje e përçarje në radhët e popullit amerikan, përballë një kandidati demokrat, si Joe Biden, që promovon unitet kombëtar e jo përçarje?!

Narrativa e z. Trump ushqehet nga një “kult nacionalist e racist”, nga besimi në “supremacinë e të bardhëve” (white supremacy) dhe nga synimi për krijimin e një “shoqërie hiperkapitaliste”. Ky kult nacionalist ka gjetur pasues të shumtë në radhët e miliona evangjelistëve amerikanë dhe është shndërruar në një “sekt masiv e të rrezikshëm”. Shumë prej tyre e shohin Trump-in si “shpëtimtarin e Amerikës së krishterë”, si një farë messiah që u ngrit kundër “intrigave djallëzore të politikanëve të tillë anti-krisht”, si Barack Obama, Hillary Clinton dhe tani Joe Biden, të cilët janë anatemuar e anatemohen përmes lloj-lloj teorish konspiracioniste. Njerëz të tillë shohin te Trump-i “njeriun e zgjedhur” për t’u bërë ballë “forcave të errta djallëzore”. Janë pikërisht këta që besonin verbërisht se pandemia e Covid-19 ishte një ndëshkim prej Zotit, madje një paralajmërim i Fundit të Botës—a sign of the End of Times.

A mund të imagjinohet që këtij sekti t’i bashkohen edhe një pjesë e emigrantëve shqiptarë në Amerikë, ata që i besojnë dhe i shkojnë pas Trump-it dhe që eventualisht mund të votojnë për të kundër presidentit Joe Biden, vetëm 4 vite më të madh në moshë se sa rivali i tij Trump!

Më pak se dy javë nga inaugurimi i z. Trump si president i Shteteve të Bashkuara, më 1 shkurt 2017, kam shkruar, po në këtë gazetë, se: “z. Trump ka fare pak të përbashkëta me presidentët amerikanë të pas Luftës së Dytë Botërore, si Harry Truman, John F. Kennedy dhe Bill Clinton (demokratë), apo Dwight Eisenhower dhe Ronald Reagan (republikanë). Këta të gjithë ishin internacionalistë dhe atlanticistë, krijuesit dhe mbështetësit e aleancës më të fuqishme politiko-ushtarake që ka njohur historia (NATO) dhe mbështetës qysh nga fillimi të Projektit Europian” dhe që Trump ka kërcënuar se do s zhbëjë.

Për cilat motive të arsyeshme do të votonte një emigrant shqiptar në Amerikë për një president krejt pa përvojë në politikë, si Donald Trump, për një biznesmen disa herë të falimentuar, për një pronar të dështuar të një “reality TV show”, për një njeri ndaj të cilit, si president në mandatin e tij të parë, kongresi amerikan votoi dy herë dënimin e tij (impeachment) dhe mbi të cilin, në prag të zgjedhjeve presidenciale të këtij viti, rëndojnë 91 akuza, për katër vepra të rënda kriminale, që nëse provohen të vërteta nga drejtësia amerikane, do e shpinin këtë njeri pas hekurave?!

Kjo është e para herë në historinë e Shteteve të Bashkuara që në garën për postin e presidentit të atij vendi janë të njëjtët kandidatë rivalë si në zgjedhjet e kaluara (më 2020), por kjo është, gjithashtu, hera e parë që për postin e presidentit të Amerikës kandidon një ish-president, mbi të cilin rëndojnë akuza kriminale, një kandidat që hapur deklaron se është mbi ligjin, se mund të bëjë ç’të dojë pa i dhënë llogari askujt për veprimet e tij, një njeri që kërcënon dhe instigon dhunë ndaj kundërshtarëve të vet, rrezikon përmbysjen e rendit kushtetues—me fjalë të tjera, një njeri që kërkon të revizionojë parimet themelore mbi të cilat Republika Amerikane u krijua 235 vite më parë, si “një vend në të cilin sundon ligji, jo njerëzit”.

***

Mund të vazhdoja edhe më gjatë, pasi vërtet nuk i kuptoj dot ata emigrantë shqiptarë në Amerikë (dhe një pjesë të njerëzve këtu, në Shqipëri), që pëlqejnë Trump-in dhe i mbështesin deklaratat dhe politikat e tij anti-kushtetuese, anti-demokratike dhe anti-amerikane, pavarësisht sloganit të tij populist. “America First”.

Por preferoj që figurën e z. Trump dhe rrezikshmërinë që ai përbën për Amerikën, për popullin e saj, por edhe për rendin botëror, t’i evidentoj jo përmes fjalëve të mia, por përmes fjalëve të disa prej njerëzve më të afërt në shërbim të tij, kur Donald Trump ishte president i Shteteve të Bashkuara.

Ish-sekretari i Mbrojtjes, Mark Esper, në memuarin e tij, titulluar Një betim i shenjtë (A Sacred Oath), botuar dy vite më parë, pohon se Donald Trump “është i papërshtatshëm për postin” e presidentit (he’s unfit for office). Po kështu, një tjetër ish-sekretar i Mbrojtjes në administratën e presidentit Trump, James Mattis, është shprehur se “(Trump është i pari president në jetën time, i cili nuk përpiqet ta bashkoje popullin amerikan…ai përpiqet të na përçajë” (Trump is the first president in my life who does not try to unite the American people…Instead he tries to divide us).

Ish-sekretari i Jashtëm në administratën e presidentit Trump, Rex Tillerson, ka thënë se Trump “është vërtet i limituar” (really limited), ndërsa ish-prokurori i Përgjithshëm (sekretar i drejtësisë), nën presidentin Trump, Bill Barr, ka pohuar se Trump “nuk duhet as t’i afrohet Zyrës Ovale” (shouldn’t be anywhere near Oval Office).

Ish-këshilltari për Sigurinë Kombëtare (National Security Advisor) i presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë, H. R. McMaster, pohon se Trump përfaqëson “mungesën e lidershipit” (the absence of lidership) dhe, po kështu, një tjetër ish-këshilltar për Sigurinë Kombëtare nën presidentin Trump, John Bolton, e ka karakterizuar ish-bosin e tij si “një budalla qeshatak” (a laughing full). Ish-këshilltari i presidentit Trump për Çështjet e Sigurisë së Vendit (Homeland Security), Tom Bossert, e ka cilësuar atë si “një turp i madh” (an utter disgrace).

Nga ana e vet, ish-shefi i Stafit të presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë, John Kelly, njeriu më i afërt i tij, e ka konsideruar kreun e Shtëpisë së Bardhë, të cilit ai i shërbeu, si “një njeri që vetëm i përbuz institucionet tona demokratike, Kushtetutën tonë dhe shtetin e së drejtës” (a person that has nothing but contempt for our democratic institutions, our Constitution, and the rule of law). Po kështu, ish-drejtori për Komunikimin në Shtëpinë e Bardhë gjatë presidencës së z. Trump, Anthony Scaramucci, e ka cilësuar bosin e tij Donald Trump si “terroristin vendas të shekullit të 21-të” (the domestic terrorist of the 21st century), ndërsa ish-sekretarja për Shtypin në Shtëpinë e Bardhë po në atë kohë, Stephanie Grisham, shprehet se: “Mua më tmerron fakti që [Trump] po garon më 2024” (I am tertified of him running in 2024). Të njëjtin shqetësim shpreh edhe ish-ndihmësja në Shtëpinë e Bardhë në mandatin e presidentit Trump si president, Cassidy Hutchison, kur pohon: “Unë mendoj se Donald Trump është kërcënimi më i madh me të cilin do të përballet demokracia jonë gjatë jetës sonë dhe, potencialisht, në tërë historinë amerikane (I think that Donald Trump is the most grave threat we will face to our democracy in our lifetime, and potentially in American history).

***

Përtej fjalëve të tyre, nuk më mbetet shumë se çfarë të komentoj më tej në këto shënime të mbajtura sot, më 5 prill 2024, shtatë muaj para se qytetarët amerikanë (ndër ta edhe disa dhjetëra mijë shqiptarë emigrantë në atë vend, që Amerikën e kanë bërë atdheun e tyre të dytë), të vendosin me votën e tyre nëse do të duan që, me një president si Joe Biden, Amerika e tyre të vazhdojë të mbetet ai vend që krijuan themeluesit e saj, ajo “Republikë e Madhe”—“The Great Republic”, siç e ka cilësuar atë Winston Churchill, që mbështetet në parimet e shtetit ligjor, në barazinë e çdo individi para ligjit, apo, në të kundërt, me një president si Donald Trump, të rrezikojnë pikërisht atë, së cilës i trembej Louis Kossuth, që “Republika Amerikane të humbiste ndërgjegjen dhe besimin në misionin e saj”, çka do të shënonte “fillimin e rënies së Amerikës, njëlloj sikurse 19 prilli i vitit 1775 shënoi fillimin e Republikës Amerikane”.

Këtë sentiment e shpreh në një mënyrë mjaft domethënse edhe ky episod i famshëm në prag të themelimit të republikës amerikane: Më 1787, ndërsa delegatët e Konventës Kushtetuese po dilnin nga Independence Hall, ndërtesa ku u mbajt ajo konventë në Filadelphia dhe në të cilën u diskutuan parimet bazë të kushtetutës amerikane dhe struktura shtetërore e republikës së re, një grua e moshuar iu drejtua nga turma Benjamin Franklin-it me këto fjalë: “Doktor, çfarë do të kemi, një republikë apo një monarki?” (Doctor, what have we got? A republic or a monarchy?).

Pyetjes së saj, Franklin i dha këtë përgjigje, që është bërë proverbiale dhe që duket se sot, me një politikan revanshist, si Donald Trump, mbetet po aq aktuale sa edhe atëherë: “Një republikë, nëse do të mundeni ta ruani atë” (A republic if you can keep it).