Arkiv / Ripublikim

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: Dokumente britanike për Pranverën Shqiptare ’81 në Kosovë

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba

 DOKUMENTE BRITANIKE PER DEMONSTRAT E VITIT 1981 NE KOSOVE

                                                                                   * * *

Dokumentet britanike për Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, sjellin para lexuesit informacione të rëndësishme, për një ngjarje me shumë interes të historisë bashkëkohore të shqiptarëve. Janë afër 300 faqe dokumente të vjela nga Arkivat Britanike në Londër, të natyrës diplomatike, politike, shoqërore, ushtarake etj. Shumica e dokumenteve i përket korrespodencës së Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Beograd, me Ministrinë e Jashtme dhe të Komonuelthit (Foreign and Commonwealth Office – FCO) dhe një numër më i kufizuar informacionesh të përcjella nga Konsullata e Përgjithshme Britanike në Zagreb. Dokumentet përfshijnë edhe korrespodencën  diplomatike të ambasadave të Madhërisë së saj, në: Athinë, Ankara, Moskë, Vjenë e deri në Abu Dhabi [Emiratet e Bashkuara Arabe], me Londrën. Pjesa më e rëndësishme e kësaj korrespodence i është bërë e njohur edhe Uashingtonit, me të cilin Londra konsultohej herë pas here dhe, siç dëshmojnë dokumentet, duket se ndanin edhe qëndrime të përbashkëta.

Një vend të konsiderueshëm zënë edhe artikujt e shtypit të vendeve perëndimore. Imazhet e para të qëndrimeve të diplomacive perëndimore ndaj Demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, dhe ndaj çështjes shqiptare, u përcollën pikërisht përmes këtyre artikujve. Në të vërtetë, disa prej shkrimeve të shtypit perëndimor dhe sidomos të atij austriak e gjermano-perëndimor shprehnin më qartë përmasat reale të asaj që po ndodhte në Kosovë në pranverën e vitit 1981, të egërsisë me të cilën u soll Jugosllavia ndaj demonstruesve dhe intelektualëve shqiptarë gjatë dhe pas demonstratave. Në ndonjë dokument specifik të këtij botimi do të pranohej e argumentohej juridikisht legjitimiteti dhe drejtësia e kërkesës kyçe “Kosova Republikë”.

Tematika e këtyre dokumenteve është e pasur dhe e larmishme, por, përmbajtja e saj mund të rivijëzohet në disa drejtime, të cilat fokusohen: tek  nacionalizmi i shqiptarëve të ish-Jugosllavisë; tek shkaqet e Demonstratave të mars-prillit të vitit 1981; tek kërkesa kryesore e tyre “Kosova Republikë”; tek roli i Shqipërisë në këto demonstrata dhe tek marrëdhëniet e saj me Jugosllavinë; tek politika zyrtare e Britanisë së Madhe ndaj Jugosllavisë dhe kërkesave të shqiptarëve; tek reagimi i organeve të larta partiake e shtetërore në  Serbi e  Federatë, gjatë dhe pas demonstratave; tek qëndrimet e dyzuara të udhëheqësve shqiptarë në Kosovë; tek analizat interesante për kushtetutshmërinë e kërkesës së demonstruesve “Kosova Republikë”; tek hamendësimet intriguese për vdekjen e papritur të kryeministrit të Shqipërisë, Mehmet Shehu etj.

Hartuesit e dokumentacionit në përgjithësi i gjejnë rrënjët e krizës brenda Jugosllavisë dhe jo jashtë saj, në kundërshtim me përpjekjet e udhëheqësve jugosllavë, që i kërkonin ato jashtë Jugosllavisë, kryesisht tek politika e shtetit shqiptar apo e Bashkimit Sovjetik. “Nacionalizmi në Kosovë, përmendet me të drejtë në një informacion të Ambasadës britanike në Beograd, është një problem endemik, të cilin as Tito nuk mundi ta zgjidhte”. Dokumentacioni hap rrugën për një analizë më realiste e më të plotë të Demonstratave të vitit 1981 në Kosovë.

Politika zyrtare britanike e vitit 1981 ishte për ruajtjen e Jugosllavisë dhe të tërësisë së saj territoriale, ndërsa kërkesa e shqiptarëve “Kosova Republikë” shihej me dyshim dhe rrezikshmëri, sepse pranimi i saj mund t’i hapte rrugë shpërbërjes së Jugosllavisë dhe hapjes së  “Kutisë së Pandorës”. Sidoqoftë, nuk do të mungonin edhe gjykimet dhe zërat e veçantë jashtë kuadrit zyrtar, të cilat e konsideronin të drejtë kërkesën e shqiptarëve për barazi brenda Federatës Jugosllave. Disa artikuj të shtypit të këtyre muajve, ndonëse furnizoheshin me “karburant” nga shtypi dhe autoritetet jugosllave, arritën në konkluzione më të drejta se vetë politikanët e shteteve të tyre, duke pranuar opsionin “Kosova Republikë”, madje edhe shkëputjen e saj nga Jugosllavia, duke sjellë si shembull historinë e disa vendeve evropiane.

Qeveria jugosllave, siç dëshmon dokumentacioni, qëllimisht e keqinterpretonte  kërkesën e demonstruesve për “Kosovën Republikë”, me shkëputjen e saj nga Jugosllavia dhe me ndryshimin e kufijve, duke e ditur se një opsion i tillë, do të prishte ekuilibrat dypolarë dhe do të kundërshtohej nga Perëndimi. Në mënyrë jo korrekte dhe të përsëritur, disa politikanë jugosllavë i referoheshin Aktit Final të Helsinkit, për pandryshueshmërinë e kufijve evropianë të vendosur pas Luftë së Dytë Botërore, duke “harruar” të përmendnin një nga nenet e tij, i cili i hapte rrugë ndryshimit të kufijve në mënyrë paqësore. Sidoqoftë, në rrethanat e “Luftës së Ftohtë” ishte gati e pamundur të “kapërceje gardhin”. Frika dhe paragjykimi për tjetrin ishin të pranishëm kudo. Por, studentët, punëtorët dhe intelektualët e Kosovës nuk kërkuan ndryshimin e kufijve, por barazi me republikat e tjera të ish-Jugosllavisë.

Në ndonjë dokument të këtij vëllimi vihet në dukje një tipar i veçantë i nacionalizmit shqiptar – prirja drejt të drejtave kombëtare dhe jo drejt lirive individuale, sikurse ndodhte në vendet anëtare të KSBE-së, ku bënte pjesë edhe Jugosllavia. Prirja për të drejta dhe liri individuale, ishte karakteristike për vendet ish-komuniste të Evropës Qendrore e Lindore, [ndonëse edhe Jugosllavia kishte problemet e veta], por, tek shqiptarët interesat kombëtare kishin fituar prevalencë mbi liritë dhe të drejtat e njeriut, për kohën kur u hartuan këto dokumente.

Dokumentet nuk i shpëtojnë dot subjektivizmit dhe këndvështrimeve të ndryshme, jo thjesht se ato janë ushqyer nga burime zyrtare jugosllave, por kryesisht për shkak të “doganës” që vë koha. Por, kjo nuk e cenon vlerën e tyre. Publikimi i këtij korpusi dokumentar do ta pasurojë më tej njohjen tonë për Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, do të na ndihmojë të gjykojmë më mirë për historinë e saj, për njerëzit që morën pjesë dhe mbi të gjitha për drejtësinë e kërkesës “Kosova Republikë”. Viti 1981 shënoi një pikë kulmore të kërkesave kombëtare të shqiptarëve, por jo fundin e një rruge të gjatë, e cila do të vazhdonte dhe do të kurorëzohej vetëm në fillim të shekullit të XXI, me shpalljen e shtetit të pavarur të Kosovës.

Shpresojmë dhe besojmë se publikimi i këtij vëllimi origjinal dhe intrigues do të tërheqë vëmendjen e lexuesit të thjeshtë, studiuesve të shkencave shoqërore, e veçanërisht të historianëve. Interesi besojmë se do të jetë i shumëfishtë për njerëzit që bënë historinë në ato vite, të cilët janë ende gjallë. Dokumentacioni është përcjellë sipas kronologjisë së ngjarjeve, pa i cunguar e hequr pjesëza nga trupi i tyre.

                                             Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba

-20-

Për përdorim të kufizuar

J C R Gray Esq                                                                                  Ambasada britanike

Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore                                                     Beograd

Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit, 29 prill 1981

I dashur Charles,

                                                                    Kosova

 

  1. Duhet thënë se nuk kalon asnjë ditë pa pasur ndonjë zhvillim të ri në jehonën e ngjarjeve në Kosovë. Nuk na lejohet ende të shkojmë aty që të shohim situatën, por një nga punonjësit tanë tregtarë të angazhuar në atë zonë më ka dhënë përshkrimin e përvojës së tij nga një vizitë tregtare aty javën e kaluar.
  2. Dushko Sokiç ka udhëtuar me makinën e tij për arsye regjistrimi për llogari të Beogradit, nga Shkupi në Prishtinë, dhe më pas në Mitrovicë dhe sërish në Beograd. Ai, si të gjithë udhëtarët e tjerë, u ndalua rreth 10 km larg Shkupit nga forcat e milicisë me helmeta çeliku, por u lejua të kalonte pasi paraqiti kartën së tij të identitetit. Ai vuri re se dy makina me targa të huaja, ndoshta të Gastarbeiter me pushime, ishin ndaluar në anë të rrugës dhe u ishte kërkuar të prisnin. Ai u ndalua përsëri në periferi të Prishtinës nga policia e Malit të Zi (ai mund t’i dallonte nga aksenti) dhe përsëri u lejua të kalonte pa vështirësi. Ai dalloi police femra që kontrollonin pasagjeret femra në një autobus. Ai ndeshi pika të tilla të ngjashme kontrolli nga policia – pa postoblloqe – gjatë rrugës së tij për në Prishtinë.
  3. Në Prishtinë, lëvizja e njerëzve dhe automjeteve ishte pothuajse normale, megjithëse ai vuri se ana shqiptare e rrugës kryesore ishte më e qetë se zakonisht dhe kishte më pak njerëz në kafenenë kryesore. Hotelet nuk lejoheshin të pranonin të huaj pa leje të veçantë dhe, një shqetësim i madh për të zotët e hoteleve, ishte fakti se një delegacion i Bankës Botërore u refuzua që të pranohej në hotelin kryesor për një farë kohe, meqenëse nuk kishte njoftuar më përpara!
  4. Sokiç foli me një numër zyrtarësh dhe biznesmenësh drejtues shqiptarë. Ato ishin të shqetësuar veçanërisht për faktin se udhëheqësit kryesorë të demonstratave nuk ishin kapur ende dhe spekulonin se do të kishte më shumë trazira më 4 maj, ditën e përvjetorit të vdekjes së Titos. Ato kritikuan me unanimitet Bakallin, për trajtimin që i kishte bërë situatës dhe që nuk i kishte kushtuar vëmendje paralajmërimeve të trazirave studentore nga Azem Vllasi, udhëheqësi i mëparshëm i rinisë, i cili aktualisht është në Kryesinë e Aleancës Socialiste të Kosovës. Vllasi, në përgjithësi, konsiderohej nga kontaktet e Sokiçit si një figurë në rritje, megjithëse kam dëgjuar se në një mbledhje të kohëve të fundit të studentëve në universitet ai është quajtur “tradhtar”, gjë që sugjeron se mund të ketë humbur mbështetjen e studentëve. Ai tha se problemi për heqjen pa zhurmë të Bakallit ishte se nuk ekzistonte më Tito për ta urdhëruar atë. Fadil Hoxha ishte shfaqur me reputacion në rritje dhe mendohej se ai ishte i vetmi njeri që mund të zgjidhte problemet e Kosovës.
  5. Sidoqoftë, Kryesia e Komitetit Krahinor të Kosovës u mblodh më 27 prill dhe shqyrtoi shkaqet, rrethanat dhe pasojat e ngjarjeve të fundit “me një këndvështrim të veçantë kritik ndaj veprimeve të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës dhe organizatave të tjera socio-politike dhe organeve të vetëmbrojtjes sociale në krahinë”. Këtu ekziston mundësia që të përcaktohet përgjegjësia për individë konkretë. Le të shohim.

I Juaji,
T. J. Clark

Për dijeni: P. Rennie Esq
Departamenti i Kërkimit, FCO

                                                                             -21-

Konfidenciale

GR 420

Fm Beograd 3101255Z APR 81

DIREKT PËR FCO                                                                                   Kopje origjinale

Nr. tel. 056, datë 30 prill ‘81

Informacion për UKDEL NATO

Kopje Washington (FCO PSE PASS)

                                                                                     Kosova

  1. Ka të dhëna se procesi i normalizimit të situatës në Kosovë nuk po shkon mirë siç do të donin autoritetet. Ka kaluar një muaj që prej demonstratave kryesore dhe Kosova është ende e mbyllur për të huajt, me përjashtim të atyre që punojnë në Kosovë; gjithashtu mbeten në fuqi masa të forta sigurie për të kontrolluar lëvizjen në këtë krahinë. Në një mbledhje të përbashkët të Kryesisë Federative dhe Këshillit Federativ për mbrojtjen e rendit kushtetues më 29 prill, Kolisevski tha se autoritetet nuk kishin zbuluar dhe shkatërruar ende forcat armiqësore që vepronin aty. U propozuan masa të mëtejshme konkrete për të përmirësuar sistemin e mbrojtjes së të gjithë njerëzve dhe vetëmbrojtjes sociale ne krahinë.
  2. Nga Kosova janë infiltruar raporte mbi mundësinë e demonstratave të mëtejshme gjatë fundjavës së ardhshme që përfshin festën e 1 majit dhe përvjetorin e vdekjes së Titos më 4 maj. Një pjesë e përmbajtjes së këtyre raporteve është dhënë nga një gazetë e Prishtinës e datës 30 prill, e cila konfirmoi aktivitetin e vazhdueshëm armiqësor dhe përmendi në mënyrë të veçantë rastin e përpjekjes së nxënësve të shkollës në një zonë 10 kilometra nga Peja, për të shpërndarë fletushka ku bënin thirrje për demonstrata të reja. Një lektor francez në Universitetin e Prishtinës, ka raportuar gjithashtu se 50% e studentëve po bojkotojnë universitetin.
  3. Ka të dhëna se autoritetet janë vigjilente ndaj rrezikut dhe mund të pritet që të marrin të gjitha masat e mundshme paraprake për të evituar trazira të tjera. Sidoqoftë, ato duhet të jenë të shqetësuara se me gjithë përpjekjet e tyre të konsiderueshme deri më sot, duket se liderët kryesorë nuk janë kapur dhe janë ende në gjendje të organizojnë aktivitete armiqësore. Kryesia e Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve u mblodh më 29 prill për të shqyrtuar ngjarjet e ndodhura dhe përgatiti masat për kapërcimin e situatës aktuale që do të diskutohet në një mbledhje të komitetit qendror më 7 maj.

Bolland                                                                                               [Përsëritet sipas kërkesës]

Ky telegram nuk është përcjellë.

-22-

PS/Z. Blaker

5 maj 1981

Vizitë e ambasadorit jugosllav: 6 maj ora 11.00 am

 Ambasadori jugosllav do të bëjë një vizitë nesër, me kërkesën e tij, tek z. Blaker. Ai ka nënkuptuar se dëshiron të diskutojë çështje të OSBE-së, politikën e BE-së në Azinë Jugore dhe Gjirin e Meksikës, dhe “marrëdhëniet e Jugosllavisë me një prej fqinjëve të saj” (që mendojmë se është Bullgaria ose ka të ngjarë Shqipëria). Bashkangjitur po ju dërgoj një notë me pikat që do të diskutoni dhe disa fakte thelbësore.

  1. Z. Gray do të marrë pjesë në vizitë për të mbajtur shënime.
  2. E. Montgomery Departamenti Sovjetik & Evropës Lindore

                                                                                         -23-

Vizitë e ambasadorit jugosllav tek z. Blaker: 6 maj

Çështjet për diskutim

OSBE

… Shqipëria: Trazirat në Kosovë

  1. Ngjarjet janë ndjekur me shumë interes. Jemi të kënaqur që trazirat kanë rënë. Nuk ka rënie në mbështetjen e Qeverisë së Madhërisë së Saj për stabilitetin dhe integritetin territorial të Jugosllavisë. Shenjë e këtij qëndrimi është miratimi kohët e fundit nga ana jonë për të eksportuar në Jugosllavi një sasi të konsiderueshme pajisjesh të sigurta për kontrollin e trazirave.

                                                                                            -24-

Procesverbal i bisedës ndërmjet ambasadorit jugosllav dhe ministrit të shtetit, Zyra e Jashtme dhe Komonuelthit: 11 ammë 6 maj 1981

Të pranishëm:

  1. P A R Blaker Z. Berisavljeviç, ambasadori jugosllav
  2. J. Macgregor
  3. J C R Gray
  4. Pas përshëndetjeve të përzemërta, ambasadori tha se ishte i kënaqur me situatën e marrëdhënieve midis Britanisë dhe Jugosllavisë. Pas vizitës së kryeministres në shtator 1980 marrëdhëniet ruajtën po atë ritëm.
  5. Ambasadori dëshironte të diskutonte marrëdhëniet e Jugosllavisë me fqinjët e saj, dhe në veçanti me Shqipërinë: kjo marrëdhënie ishte ndërlikuar që prej trazirave të fundit në Kosovë. Autoritetet po i analizonin ende këto ngjarje, të cilat kishin ndodhur aq papritur. Duket se për këtë ka tre shpjegime themelore. Së pari, përkeqësimi ekonomik i Jugosllavisë kishte ndikuar disproporcionalisht në Kosovë, dhe kjo situatë nga ana e saj e ka rënduar pakënaqësinë që ndjehet në Kosovë për varfërinë e saj relative krahasuar me Slloveninë dhe Kroacinë të cilat gjatë viteve të fundit ishin zhvilluar shumë shpejt. Së fundmi, kishte faktorë të rëndësishëm politikë. Autoritetet e kishin nënvlerësuar forcën e ndjenjës kombëtare shqiptare. Por, pika më shqetësuese ishte se autoritetet shqiptare dukej qartazi që ishin përfshirë thellësisht në këto trazira në një kohë kur marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave ishin më të mirat që në vitin 1949. Tregtia ishte rritur me shpejtësi. Për pasojë, autoritetet jugosllave ishin veçanërisht të shqetësuara për këtë aspekt. Ato nuk kishin informacion të saktë se çfarë po ndodhte në Shqipëri por dukej që aty zhvillohej luftë për pushtet. Z. Blaker pyeti nëse ambasadori nënkuptonte se ngjarjet në Kosovë kishin lidhje me ndryshimet e mundshme në udhëheqjen shqiptare. Ambasadori theksoi se Shqipëria po përpiqej të kapërcente izolimin e vetimponuar. Kjo politikë duket se ka shkaktuar përçarje në radhët e udhëheqjes.
  6. Por, ky nuk ishte presioni i vetëm për Jugosllavinë. Edhe linja bullgare ishte shqetësuese. Polemikat e kohëve të fundit në veprat historike bullgare ishin frymëzuar qartazi nga burime zyrtare dhe sugjeronin, për shembull, se Jugosllavia ishte çliruar nga trupat bullgare në fund të Luftës së Dytë Botërore dhe se maqedonasit ishin një komb “i shpikur”. Pikërisht kjo ishte arsyeja pse jugosllavët ishin të shqetësuar për festimet e ardhshme të përvjetorit të 1300-të të shtetformimit të Bullgarisë. Siç sugjeronin disa analistë në Londër, ata e kishin të vështirë të besonin se festimet do të ishin një manifestim i nacionalizmit bullgar përballë Bashkimit Sovjetik. Një gjë e tillë ishte e paimagjinueshme. Nacionalizmi bullgar drejtohej gjithmonë kundër Jugosllavisë. Kështu, z. Blaker do ta kuptonte që jugosllavët ishin të shqetësuar se si mund të lindnin praktikisht njëherësh dy burime të veçanta presioni.
  7. Z. Blaker tha se shpresonte që ambasadori e kishte kuptuar qartë se mbështetja e Qeverisë britanike për unitetin e Jugosllavisë nuk kishte ndryshuar. Ambasadori e miratoi pohimin e tij. Z. Blaker tha se në mungesë të marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë, ekzistonin limite të qarta të influencës që qeveria britanike mund të sillte për qeverinë shqiptare. Por ne asnjëherë nuk do të mbështesnim asnjë kërcënim ndaj integritetit të Jugosllavisë. Gjithashtu, as nuk do të mbështesnim aspiratat bullgare ndaj territorit jugosllav. Për sa i përket përvjetorit të 1300-të, ambasadori u vu në dijeni se Komitetit Britanik i Nderit përbëhej nga figura akademike dhe kulturore të kryesuara nga Lordi Goronwy-Roberts. Nuk kishim arsye të besonim se bullgarët do të shfrytëzonin përvjetorin për propagandë antijugosllave në Mbretërinë e Bashkuar. Qeveria britanike nuk do të hiqte dorë nga neutraliteti i saj i rreptë në çështjen e Maqedonisë dhe nuk do të bëhej palë në asnjë përpjekje për të shfrytëzuar festimet për propagandë në këtë çështje.

OSBE

  1. Z. Blaker tha se hartimi i një dokumenti neutral dhe mosangazhimi do të shërbente si bazë e dobishme për diskutime të mëtejshme. BRSS-ja vazhdonte ende me idenë e një konference për detantën ushtarake dhe çarmatimin. Por, nuk ka pasur progres në çështje që lidhen me të drejtat e njeriut, marrëdhëniet dhe çështje të informimit. Po bëhej e vështirë për ne t’i bënim rusët të përcaktonin se çfarë nënkuptonin me propozimin e tyre që CBM-të duhet të zbatohen për të gjithë pjesën evropiane të Bashkimit Sovjetik me kusht që në këtë mënyrë Perëndimi të zgjeronte zonën e besimit. Po kështu, nuk ishim të përgatitur që të ndaleshim përgjithmonë në çështjen e Madridit. Zvarritja e tepërt mund të zhvlerësonte OSBE-në siç kishte ndodhur me MBFR. Ambasadori pyeti nëse do të vendosnin diçka të ngjashme me formulën që ishte arritur në Beograd në rast se nuk përftohej një dokument thelbësor final. Z. Blaker tha se ne shpresonim për një marrëveshje më të ekuilibruar, por që në rast se nuk do ta arrinim këtë, atëherë do të pranonim minimalisht diçka të ngjashme me formulën e Beogradit me kusht që të nesërmen të përfshinte marrëveshjen.
  2. Takimi përfundoi në orën 11.00.

Shpërndahet për:

PS/Z.Blaker

  1. Bullard
  2. Fergusson

EESD

Departamenti i OSBE

Departamenti i Kërkimit

Kancelaritë: Beograd, Sofje

                                                                                     -25-

Për përdorim të kufizuar

J C R Gray Esq                                                                                     Ambasada britanike

Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore                                                Beograd

Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit, 5 maj 1981

I nderuar Charles,

Kosova: Situata e sigurisë

 Në telegramin tonë nr. 56, të datës 30 prill, tregohej vështirësia e vazhdueshme e autoriteteve për të dalë në krye të situatës së sigurisë në Kosovë. Gazeta “Politika”, në një dalje paraprake të artikullit të datës 4 maj për mbledhjen e sotme të Komitetit Krahinor të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës për të cilën do të raportojmë më vete, ka shpjeguar në detaje seriozitetin e problemit.

  1. Gazeta “Politika” tha se sot, 35 ditë pas demonstratave, situata ishte “më e qetë” por mbetej “shumë e vështirë”. Gjatë ditëve të fundit, veçanërisht më 1 maj, armiku ka vazhduar të rrisë tensionin përmes akteve të vogla të provokimit. Gjatë 10 ditëve të fundit grupe të rinjsh janë shfaqur në të njëjtën kohë në disa qytete, duke vepruar në mënyrë provokative dhe nacionaliste, me veshje kombëtare shqiptare, simbole të veçanta apo bluza me shqiponjën dykrerëshe shqiptare. Udhëheqësi i një grupi prej 50 të rinjsh në Prizren ishte identifikuar si i biri i një emigranti shqiptar. Në fund të prillit dhe në fillim të majit ka patur incidente në Ferizaj, Suharekë, Lipjan, Rahovec, Istog dhe Pejë, të cilat nuk ishin lejuar të përshkallëzoheshin vetëm nga ndërhyrja energjike e forcave të sigurisë. Për të krijuar konfuzion për identifikimin e tyre, pjesëmarrësit në këto “demonstrata paqësore” vepronin qëllimisht jashtë qyteteve të tyre të lindjes. Me gjithë përpjekjet për të shkaktuar trazira, armiku nuk kishte arritur të ndërpriste punën apo festimin e 1 majit. Gazeta “Politika” konkludoi se detyra e autoriteteve nuk ishte kurrsesi e lehtë dhe nuk ishte diçka që mund të zgjidhej brenda pak ditësh. “Rrënjët janë më të thella dhe së pari nevojitet që këto rrënjë të priteshin”.
  2. Kështu, ky raport konfirmon se të rinjtë po vazhdojnë të veprojnë në mënyrë të organizuar pak a shumë në të njëjtën zonë ku janë zhvilluar demonstratat e mëparshme. Raporti tregon se ata janë të përgatitur të rrezikojnë përballë prezencës së konsiderueshme të forcave të sigurisë dhe se liderët kryesorë nuk janë duke u kapur.

I Juaji,

  1. J. Clark

Për dijeni: P. Rennie Esq

Departamenti i Kërkimit, FCO

                                                                                         -26-

Konfidenciale

GR 500

Fm Beograd 061009Z, maj

Prioritet për FCO                                                                                       Kopje origjinale

Nr. tel. 058, datë 6 maj 81

Informacion për UKDEL NATO

Kopje për Washington (FCO PSE PASS)

Telegrami im nr. 56

                                                                              Kosova

  1. Komiteti Krahinor i Lidhjes së Komunistëve të Kosovës u mblodh gjatë gjithë ditës, më 5 maj, për të diskutuar shkaqet dhe pasojat e ngjarjeve të fundit.
  2. Mbledhja u raportua plotësisht në shtyp dhe të gjithë folësit dënuan haptazi udhëheqjen e Partisë së Kosovës pse nuk kishte vlerësuar situatën në mënyrë korrekte dhe nuk kishte marrë masat e duhura. Dorëheqja e Kryetarit aktual të Partisë, Bakallit u pranua, siç duket, herën e tretë që u kërkua. Ai u zëvendësua nga Veli Deva, veteran i Partisë, për një periudhë 1-vjeçare.
  3. Shkaqet kryesore të ngjarjeve iu atribuan së pari, irredentizmit shqiptar, i mbështetur në mënyrë të drejtpërdrejtë nga Shqipëria, si dhe disa organizatave emigrantësh, gjoja të financuara nga organizata të shërbimit të fshehtë. U kritikua në mënyrë implicite politika federative në drejtim të marrëdhënieve “me çdo çmim” me Shqipërinë. U identifikuan edhe dobësi të tjera në sistemin e mbrojtjes së të gjithë njerëzve dhe vetë-mbrojtjes sociale, të cilët nuk ishin pajisur dhe nuk ishin në gjendje të mjaftueshme për të trajtuar situatën në momentin e duhur; u kritikua sistemi arsimor i cili varej shumë nga materialet mësimore dhe stafi shqiptar dhe nuk ishte përshtatur siç duhet me nevojat e krahinës; gjithashtu u kritikua prapambetja relative e krahinës, krahasuar me pjesën tjetër të Jugosllavisë. U diskutua marrja e masave të ndryshme për të rishikuar sistemin politik, arsimor dhe të sigurisë.
  4. Mbledhja konfirmoi se ende nuk ishte zbuluar qendra që kishte organizuar aktivitetet armiqësore. Vazhdonte shkrimi i parullave, shpërndarja e broshurave dhe fletushkave, përhapja e dezinformimit dhe formave të tjera të provokimit. Ishin bërë përpjekje për të krijuar trazira gjatë festës së majit, por nuk pati incidente serioze.
  5. Është e qartë që Partia tani do të bëjë spastrimin e radhëve të saj, ndoshta pas mbledhjes së sotme të Komitetit Qendror serb dhe pas mbledhjes së nesërme të Komitetit Qendror jugosllav. Do të ndiqet me forcë një program i veprimit politik për çrrënjosjen e elementëve armiqësor dhe mund të rishikohet në mënyrë drastike politika aktuale e miqësisë me Shqipërinë. Por, nuk doli një zgjidhje e qartë për problemin kryesor të statusit të Kosovës: udhëheqja vazhdon të qëndrojë e vendosur për pandashmërinë e Kosovës nga Serbia. Pra, ka të ngjarë që pakënaqësia nacionaliste do të vazhdojë.

Bolland

[Përsëritet sipas kërkesës]

Ky telegram nuk është përcjellë.

                                                                                      -27-

GR 1000

Fm Beograd 080909Z, maj

Prioritet për FCO                                                                                         Kopje origjinale

Nr. tel. 060, datë 8 maj ‘81

Informacion për UKDEL NATO

Saving Washington (FCO PSE PASS)

Telegrami im, nr. 58

                                                                                     Kosova

  1. Komiteti Qendror i Jugosllavisë u mblodh, më 7 maj. Mojsov, president i Kryesisë, mbajti fjalimin kryesor i cili sipas tendencës së re u transmetua mbrëmë në televizor dhe u publikua sot në shtyp.
  2. Për herë të parë në një nga forumet që ka shqyrtuar ngjarjet në Kosovë, Mojsov e quajti si organizatore “Partinë Komuniste Marksiste-Leniniste të Shqiptarëve në Jugosllavi”. Ai e përshkroi atë si “Qendër e agjencisë së huaj” e maskuar pas parullave nacionaliste-irredentise dhe marksiste-leniniste, udhëheqësit kryesorë të së cilës do të dilnin shpejt para gjyqit për t’u përgjigjur mbi aktivitetin kundërrevolucionar që ata e kishin organizuar me kujdes për një periudhë të gjatë.
  3. Ai fajësoi Lidhjen e Komunistëve të Kosovës si shumë të ngadaltë dhe hezituese për të vlerësuar me korrektësi situatën dhe që nuk mori masat e nevojshme politike dhe të sigurisë. Për shumë vite, organizatat e Lidhjes së Komunistëve në Kosovë, kishin nënvlerësuar rrezikun e nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar, gjë që kishte bërë që armiku të ishte në gjendje të depërtonte në organizatën e lidhjes së komunistëve dhe organizata të tjera socio-politike, veçanërisht në organizatën e të rinjve. Tashmë ishte e nevojshme “të gjendeshin dhe spastroheshin të gjithë ata që ishin molepsur me ndjenjën e nacionalizmit… veçanërisht në udhëheqjen dhe organizatat e Lidhjes së Komunistëve të Kosovës”. Ai pranoi se Partia jugosllave në tërësi ishte fajtore gjithashtu sepse ishte treguar “e butë dhe e shkujdesur”.
  4. Mojsov, bëri thirrje që të zhvilloheshin reforma në politikën aktuale për zhvillim ekonomik në drejtim të Kosovës dhe për përmirësime në perspektivat e punësimit për të rinjtë. Ai theksoi se duhet vënë kufiri midisi “Shpalljes kombëtare” të popullit shqiptar si dhe nacionalizmit dhe irredentizmit. Vetëm në një referencë të shkurtër për Shqipërinë ai u ankua se ishte lejuar pa pengesa indoktrinimi i të rinjve me ndjenjën e nacionalizmit përmes propagandës në tekstet shkollore dhe prej mësuesve nga Shqipëria. Sulmi kryesor ndaj Shqipërisë iu la Milosh Miniçit, i cili duke përdorur një gjuhë të fortë, kritikoi së pari “verbërinë e jashtëzakonshme dhe pakujdesinë, e madje edhe naivitetin, pikë së pari të forcave tona politike dhe organeve shtetërore në Kosovë dhe jo vetëm”; së dyti, ai kritikoi udhëheqjen shqiptare për ndërhyrje “brutale” në punët e brendshme të Jugosllavisë dhe që kishte dëmtuar “me ashpërsi” marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve. Miniç, shtoi se Jugosllavia mbetej e gatshme për të ndërtuar marrëdhënie të fqinjësisë së mirë me Shqipërinë, përveç kur sjellja e kësaj të fundit e bën këtë të pamundur. Ndërkohë, ishte e nevojshme të bëheshin disa ndryshime në politikën e Jugosllavisë për t’i shpjeguar të rinjve në Kosovë veçanërisht pozitën e vërtetë të stalinizmit në Shqipëri, por pa nisur një fushatë kundër Shqipërisë, dhe për të rishikuar në mënyrë radikale bashkëpunimin kulturor dhe arsimor me Shqipërinë.
  5. Mojsov, tha se si rezultat i shpjegimit të pamjaftueshëm në radhët e të rinjve, ishte krijuar iluzioni për pozitën kushtetuese të Kosovës se çështja e krijimit të Republikës ishte një çështje krejtësisht formale e cila mund të zgjidhej përmes presionit. Ai pohoi se duhet të respektohet pozita e Kosovës brenda Serbisë.
  6. Mojsov, tha në mënyrë të përmbledhur: e gjithë çështja e zhvillimit të Kosovës është problem i Jugosllavisë, problem për lidhjen e komunistëve si e tërë. Ai ishte i bindur se lufta kundër kundërrevolucionit do të sillte si pasojë që Jugosllavia të bëhej më e fortë dhe më e bashkuar. Pas diskutimeve, Komiteti Qendror mbështeti unanimisht deklaratën e Mojsovit.
  7. Komiteti Qendror serb, i cili u mblodh më 6 maj, u përqendrua në mënyrë të mjaftueshme në aspektet serbe. Por, ky komitet njohu gjithashtu rreziqet më të gjera që vinin nga Kosova për marrëdhëniet ndërkrahinore në Jugosllavi në tërësi, veçanërisht si një stimul për nacionalizmin serb. Në këtë kontekst u vu në dukje me shqetësim migracioni i theksuar i serbëve dhe malazezëve nga Kosova.
  8. Komiteti Qendror i Serbisë, njohu plotësisht dobësitë e organizatës së Lidhjes së Komunistëve në Kosovë si dhe faktorët ekonomikë dhe socialë si shkaqe të trazirave, por e quajti “verbëri politike” këndvështrimin jokritik që kishte marrë Jugosllavia në nxitjen e marrëdhënieve me Shqipërinë, zhvillimin e njëanshëm të tyre në favor të Shqipërisë si dhe mungesën e ekuilibrit midis Shqipërisë dhe Kosovës në vend të një ekuilibri të tillë në Jugosllavi në tërësi.
  9. Komiteti Qendror i Serbisë bëri të qartë gjithashtu se nuk do të kishte ndryshime në statusin e Kosovës, por pranoi se një gjë e tillë nuk ishte shpjeguar në mënyrë të mjaftueshme më parë. Në bazë të Kushtetutës Federale dhe asaj serbe, krahinat autonome të Serbisë nuk mund të ishin të njëjta si Republikë, megjithëse në praktikë ato ishin të tilla në shumë drejtime. “Republikë është shteti që bazohet në sovranitetin e popullit të tij, në autoritetin dhe menaxhimin e klasës punëtore. Krahina autonome është komunitet socio-politik që bazohet në autoritetin dhe menaxhimin e klasës punëtore”. Problemi i krijuar këtu është se ishte besuar në mënyrë të gabuar që këto dy deklarata ishin të njëjta.
  10. U miratua dorëheqja e Bakallit nga Komiteti Qendror i Serbisë dhe në vend të tij u pranua Deva si anëtar.

Bolland                                                           (Përsëritet sipas kërkesës)

[Ky dokument nuk është përcjellë]

                                                                                           -28-

Konfidenciale

GR 1000

FM BEOGRAD 111315Z, maj

Direkt për FCO                                                                                            Kopje origjinale

Nr. tel. 062, datë 11 maj 81

Informacion për UKDEL NATO

Kopje për Washington (FCO PSE PASS)

Saving Zagreb (Beograd PASS)

Telegrami im, nr. 58

                                                                                         Kosova

                    Konkluzionet e dala nga mbledhja e gjatë e Komitetit Qendror, më 7 maj, duhet të shqyrtohen në mbledhjen tjetër të Kryesisë së tij. Sidoqoftë, disa pika që kërkojnë vëmendje janë të qarta dhe sugjerojnë disa vendime të vështira, por potencialisht të dobishme në aspektin afatgjatë për unitetin e Jugosllavisë.

  1. Pyetja kryesore që ka dalë nga të gjitha këto debate të fundit është se si ishte e mundur për një organizatë me mbështetje të huaj, pra Partia Marksiste-Leniniste Shqiptare në Jugosllavi (PMLSHJ), të planifikonte dhe të kryente (duke supozuar se i ka kryer) një sërë demonstratash të mirëzbatuara ndërkohë që asnjë person me pushtet nuk e dinte se çfarë po ndodhte. Përgjigjja e pakëndshme mund të jetë se udhëheqja në Kosovë në fakt kishte dijeni, por për arsye që ende duhen sqaruar, nuk bëri asgjë për këtë. Për më tepër, ajo kishte dijeni për incidente të tjera të shumta gjatë viteve të fundit dhe nuk kishte informuar autoritetet federale serbe. Shembulli që ka zemëruar pjesën më të madhe të popullit ishte heqja e portretit të Titos, me kërkesën e delegacioneve shqiptare vizitore, nga autobusët e mbushur me to dhe një muze që ata vizituan (drejtori i të cilit tashmë është pushuar). Sugjerimi kryesor është se shumë njerëz në vende të larta e simpatizonin shpalljen e aspiratave kombëtarë shqiptare.
  2. Komiteti qendror serb dhe ai jugosllav, duhej të fajësoheshin gjithashtu për faktin se nuk ushtruan më shumë kontroll ndaj komunitetit “të mbyllur” të Kosovës, i cili e konsideroi çdo kritikë ndaj veprimeve të tij si një dëmtim i sovranitetit të tij të imagjinuar dhe ndërhyrje në punët e brendshme. Parimi bazë i centralizmit demokratik ishte thyer dhe vendimet e arritura në mënyrë kolektive në Komitetin Qendror jugosllav ishin shpërfillur pa pengesë në Kosovë.
  3. Autoritetet qendrore duhet të mbajnë përgjegjësi kryesore gjithashtu për politikën e keqkuptuar haptazi ndaj Shqipërisë, dhe nëse Kosova ishte e lidhur kryesisht me zbatimin praktik të saj. Suksesi i shqiptarëve në infiltrimin dhe indoktrinimin e mësuesve, studentëve dhe fëmijëve të shkollave edhe duke mbyllur sytë, nënvizon naivitetin e mëtejshëm politik të Beogradit që shpresonte se Shqipëria nuk do ta shfrytëzonte situatën. Marrëdhëniet me Shqipërinë u diskutuan nga Kryesia Federale më 8 maj dhe, megjithëse nuk u dhanë detaje, mund të pritet që të ketë ndryshime të rëndësishme të politikës: për të siguruar një marrëdhënie më reciproke, për t’i dhënë fund pozitës pothuajse ekskluzive të Kosovës në kontaktet me Shqipërinë, për të ndaluar depërtimin shqiptar përmes kulturës, dhe për të informuar publikun jugosllav për stalinizmin në Shqipëri.
  4. Ka të ngjarë që të ketë ndryshime në sistemin e mbrojtjes së të gjithë njerëzve dhe vetëmbrojtjen sociale pasi, megjithëse është pranuar se mungesa e drejtimit politik është kryesisht gabim dhe forcat e armatosura zbatuan detyrën e tyre mbështetëse me kompetencë, milicia dhe njësitë territoriale shfaqën dobësi në trajtimin e situatës së brendshme të sigurisë për të cilën atyre u mungonin trajnimi dhe pajisjet e duhura. Një gjeneral i lartë e ka pranuar para këshilltarit tim se njësitë territoriale ishin trajnuar për të përballuar kërcënimin e jashtëm, por që tashmë ishte ndërmarrë një vështrim i ri në organizimin dhe trajnimin e tyre, jo vetëm në Kosovë, për pajisjen e tyre që të përballojnë kërcënimin e brendshëm, megjithëse sipas këndvështrimit të atasheut tim të mbrojtjes, kjo detyrë është kryesisht e milicisë. Vlen të thuhet se është bërë një porosi me nxitim për pajisje britanike kundër trazirave.
  5. Politikanët dhe shtypi po përshëndesin sot ngjarjet në Kosovë për krijimin e mundësisë për t’u përballur me shumë probleme që kanë rezultuar nga politika e decentralizimit. Theksi po vihet në Kosovë si një problem për të gjithë Jugosllavinë që kërkon zgjidhje jugosllave kolektive. Shoh se nuk ka ndonjë perspektivë për t’u kthyer në një shoqëri të kontrolluar në mënyrë më të centralizuar, por më shumë në një përpjekje të rinovuar për inkurajimin e bashkëpunimit ndërmjet republikave e madje integrimin për të penguar nacionalizmin, veçanërisht reagimin e ashpër të serbëve në lidhje me rrezikimin e Federatës. Në të vërtetë, Serbia është e vendosur që të ripohojë sovranitetin e saj kushtetues ndaj dy krahinave autonome. Disa udhëheqës të Partisë kanë arritur në përfundimin se Jugosllavia mund të dalë nga kjo traumë më e bashkuar se kurrë.
  6. Ndërkohë, situata e sigurisë mbetet e pazgjidhur. Problemi kryesor është në Universitetin e Prishtinës dhe disa shkolla, ku përveç kërcënimit për t’i dëbuar për mungesa, studentët vazhdojnë të bojkotojnë mësimin dhe të kërkojnë lirimin e mësuesve të tyre nga burgu. Raportet e shtypit përmendin gjithashtu shpërndarjen e fletushkave dhe broshurave si dhe përhapjen e dezinformimit dhe frikësimit. Janë marrë kundërmasa për të pushuar nga puna dhjetëra mësues; deri tani mbi njëqind komunistë janë përjashtuar nga partia, janë spastruar institucionet kulturore dhe janë pezulluar disa gazetarë dhe redaktorë.
  7. Kështu, duket se prioritet janë si më poshtë:
    a) të çrrënjoset opozita nacionaliste shqiptare në Kosovë përmes një operacioni të përbashkët të sigurisë dhe spastrimit të udhëheqësve jo të besueshëm;
    b)         të reformohet sistemi arsimor dhe të ristrukturohet programi i ekuilibruar në mënyrë të pabarabartë i zhvillimit ekonomik;
    c)         të shqyrtohet politika e fqinjësisë së mirë e Jugosllavisë ndaj Shqipërisë;
    d)         të rishikohet sistemi i mbrojtjes së të gjithë njerëzve dhe vetëmbrojtjes sociale;
    e)         të forcohet kudo disiplina e partisë; dhe
    f)         të ritheksohet pozita kushtetuese e Kosovës
  8. Kjo situatë çon në një detyrë të vështirë, por duket se Kosova e ka ndezur udhëheqjen me vendosmëri dhe gatishmëri për të adoptuar një qasje më realiste për shumë probleme të fshehura.

Bolland                                                             (Përsëritet sipas kërkesës)

[Ky telegram nuk është përcjellë]

                                                                                       -29-

Konfidenciale

J C R Gray Esq                                                                                      Ambasada britanike

Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore                                                         Beograd

Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit, 11 maj 1981

I nderuar Charles,

                                                                            Kosova

  1. Ju lutem referojuni letrës sime, të datës 22 prill, për misterin që rrethon zjarrin e vënë në Patriarkanën Ortodokse Serbe në Pejë.
  2. Një mik i imi i cili është anëtar i Komisionit serb për Mbrojtjen e Monumenteve të Lashta, më tha se hetimi mbi shkaqet e zjarrit tashmë ishte i plotë. Pasi policia e kishte marrë në pyetje kryemurgeshën e Patriarkanës për pesë orë, kinse në përpjekje për t’i nxjerrë asaj historinë mbi atë që kishte ndodhur, u vendos më pas se zjarri nuk ishte në të vërtetë një aksident, por ishte zjarrvënie e qëllimshme. Dy shqiptarë, babë e bir, janë ndaluar për këtë.
  3. Deri më sot, asnjë fjalë nuk ka dalë në shtyp për këtë çështje. Mendoj se autoritetet po shqyrtojnë se si ta paraqesin përfshirjen e shqiptarëve në një mënyrë sa më pak të mundshme për të zgjuar serbët, zemërimi i të cilëve është zgjuar tashmë nga dhunimi i varreve serbe në Kosovë.

I Juaji,

  1. J. Clark

                                                                                                    -30-

Konfidenciale

GR 550

Fm Beograd 140826Z, maj

Direkt për FCO (DESKBY 141030Z)                                                  Kopje origjinale

Nr. tel. 066, datë 14 maj 81

Prioritet për Moduk, Washington

                                                                  Kosova: situata e sigurisë

 

  1. Ambasada amerikane na ka dërguar një kopje të pyetjes për një person lokal kontakt, i cili u dha atyre një përshkrim të detyrës të kohëve të fundit aktive të kushëririt të tij në Kosovë me shërbim rezervë privat në ushtri.
  2. Dëshmia e rezervistit mbulonte periudhën e muajit deri më 7 maj. Ai ishte caktuar në një njësi këmbësorie e cila është zhvendosur në zonën e Podujevës gjatë javës së dytë të prillit. Njësia e tij ishte përfshirë në ato që ai i përshkruante si luftime në rrugë në Podujevë gjatë fundjavës 1-4 maj. Kjo njësi drejtohej nga “njësitë speciale të komandës” të cilët mbanin veshur rroba civile me jelekë kundërajrorë, të zgjedhur të gjithë sipas madhësisë dhe këto njësi mbanin edhe maska mbrojtëse. Njësia e ushtrisë së rezervistit, e udhëhequr nga këto komando, kishte pastruar disa pjesë të Podujevës shtëpi më shtëpi më 1 maj dhe kishte konfiskuar sasi të mëdha pistoletash.
  3. Më 13 prill, punëtorët dhe studentët shqiptarë në Vushtrri okupuan një fabrikë tekstilesh, e cila në atë kohë ishte izoluar nga trupat, njësia e rezervistit dhe komandot speciale. Fabrika u dogj dhe u dëmtua konsiderueshëm para se të largoheshin okupuesit. Ushtarët kishin urdhër të përdornin vetëm shkopinj por kishin autoritetin të përgjigjeshin me armë nëse ndaj tyre hapej zjarr.
  4. Më 5 maj, njësia e rezervistit ishte në një mision në kodrat në lindje të Vushtrrisë kur ushtarët ranë në një pritë nga një grup i armatosur shqiptarësh që përdornin armë automatike. Pas afërsisht një ore e gjysmë, njësia e tij u lirua nga një njësi tjetër jugosllave e ushtrisë. Nga të dyja palët pati të vrarë dhe të plagosur dhe u përdorën helikopterë për evakuimin e tyre në akademinë mjekësore ushtarake në Beograd. Ndërkohë që njësia e rezervistit po kthehej në zonën e Vushtrrisë pranë një kishë ortodokse serbe e cila ishte shkatërruar plotësisht gjoja nga rebelët.

Komente

  1. Nuk kemi mjete për të vërtetuar këtë dëshmi në terren. Megjithatë, Druloviç, sekretari ekzekutiv i Komitetit Qendror të Partisë, më ka thënë që forcat e armatosura nuk janë përdorur në operacione aktive kundër demonstruesve në Kosovë. Një gjeneral i lartë ka përsëritur në mbledhjen e datës 13 maj se njësitë e forcave të armatosura nuk kishin shtënë asnjë plumb gjatë trazirave në Kosovë.
  2. Gjithsesi, po ju raportoj këtë dëshmi amerikane sepse mendohet që ka vlerë dhe në një farë mase, është mbështetur nga përshkrimet e shtypit mbi trazirat në Podujevë gjatë ditëve të pushimeve 1-4 maj.

Bolland

(VAZHDON)