Arkiv / Ripublikim

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: Dokumente britanike për Pranverën Shqiptare ’81

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba

 DOKUMENTE BRITANIKE PER DEMONSTRAT E VITIT 1981 NE KOSOVE

                                                                                    * * *

Dokumentet britanike për Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, sjellin para lexuesit informacione të rëndësishme, për një ngjarje me shumë interes të historisë bashkëkohore të shqiptarëve. Janë afër 300 faqe dokumente të vjela nga Arkivat Britanike në Londër, të natyrës diplomatike, politike, shoqërore, ushtarake etj. Shumica e dokumenteve i përket korrespodencës së Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Beograd, me Ministrinë e Jashtme dhe të Komonuelthit (Foreign and Commonwealth Office – FCO) dhe një numër më i kufizuar informacionesh të përcjella nga Konsullata e Përgjithshme Britanike në Zagreb. Dokumentet përfshijnë edhe korrespodencën  diplomatike të ambasadave të Madhërisë së saj, në: Athinë, Ankara, Moskë, Vjenë e deri në Abu Dhabi [Emiratet e Bashkuara Arabe], me Londrën. Pjesa më e rëndësishme e kësaj korrespodence i është bërë e njohur edhe Uashingtonit, me të cilin Londra konsultohej herë pas here dhe, siç dëshmojnë dokumentet, duket se ndanin edhe qëndrime të përbashkëta.

Një vend të konsiderueshëm zënë edhe artikujt e shtypit të vendeve perëndimore. Imazhet e para të qëndrimeve të diplomacive perëndimore ndaj Demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, dhe ndaj çështjes shqiptare, u përcollën pikërisht përmes këtyre artikujve. Në të vërtetë, disa prej shkrimeve të shtypit perëndimor dhe sidomos të atij austriak e gjermano-perëndimor shprehnin më qartë përmasat reale të asaj që po ndodhte në Kosovë në pranverën e vitit 1981, të egërsisë me të cilën u soll Jugosllavia ndaj demonstruesve dhe intelektualëve shqiptarë gjatë dhe pas demonstratave. Në ndonjë dokument specifik të këtij botimi do të pranohej e argumentohej juridikisht legjitimiteti dhe drejtësia e kërkesës kyçe “Kosova Republikë”.

Tematika e këtyre dokumenteve është e pasur dhe e larmishme, por, përmbajtja e saj mund të rivijëzohet në disa drejtime, të cilat fokusohen: tek  nacionalizmi i shqiptarëve të ish-Jugosllavisë; tek shkaqet e Demonstratave të mars-prillit të vitit 1981; tek kërkesa kryesore e tyre “Kosova Republikë”; tek roli i Shqipërisë në këto demonstrata dhe tek marrëdhëniet e saj me Jugosllavinë; tek politika zyrtare e Britanisë së Madhe ndaj Jugosllavisë dhe kërkesave të shqiptarëve; tek reagimi i organeve të larta partiake e shtetërore në  Serbi e  Federatë, gjatë dhe pas demonstratave; tek qëndrimet e dyzuara të udhëheqësve shqiptarë në Kosovë; tek analizat interesante për kushtetutshmërinë e kërkesës së demonstruesve “Kosova Republikë”; tek hamendësimet intriguese për vdekjen e papritur të kryeministrit të Shqipërisë, Mehmet Shehu etj.

Hartuesit e dokumentacionit në përgjithësi i gjejnë rrënjët e krizës brenda Jugosllavisë dhe jo jashtë saj, në kundërshtim me përpjekjet e udhëheqësve jugosllavë, që i kërkonin ato jashtë Jugosllavisë, kryesisht tek politika e shtetit shqiptar apo e Bashkimit Sovjetik. “Nacionalizmi në Kosovë, përmendet me të drejtë në një informacion të Ambasadës britanike në Beograd, është një problem endemik, të cilin as Tito nuk mundi ta zgjidhte”. Dokumentacioni hap rrugën për një analizë më realiste e më të plotë të Demonstratave të vitit 1981 në Kosovë.

Politika zyrtare britanike e vitit 1981 ishte për ruajtjen e Jugosllavisë dhe të tërësisë së saj territoriale, ndërsa kërkesa e shqiptarëve “Kosova Republikë” shihej me dyshim dhe rrezikshmëri, sepse pranimi i saj mund t’i hapte rrugë shpërbërjes së Jugosllavisë dhe hapjes së  “Kutisë së Pandorës”. Sidoqoftë, nuk do të mungonin edhe gjykimet dhe zërat e veçantë jashtë kuadrit zyrtar, të cilat e konsideronin të drejtë kërkesën e shqiptarëve për barazi brenda Federatës Jugosllave. Disa artikuj të shtypit të këtyre muajve, ndonëse furnizoheshin me “karburant” nga shtypi dhe autoritetet jugosllave, arritën në konkluzione më të drejta se vetë politikanët e shteteve të tyre, duke pranuar opsionin “Kosova Republikë”, madje edhe shkëputjen e saj nga Jugosllavia, duke sjellë si shembull historinë e disa vendeve evropiane.

Qeveria jugosllave, siç dëshmon dokumentacioni, qëllimisht e keqinterpretonte  kërkesën e demonstruesve për “Kosovën Republikë”, me shkëputjen e saj nga Jugosllavia dhe me ndryshimin e kufijve, duke e ditur se një opsion i tillë, do të prishte ekuilibrat dypolarë dhe do të kundërshtohej nga Perëndimi. Në mënyrë jo korrekte dhe të përsëritur, disa politikanë jugosllavë i referoheshin Aktit Final të Helsinkit, për pandryshueshmërinë e kufijve evropianë të vendosur pas Luftë së Dytë Botërore, duke “harruar” të përmendnin një nga nenet e tij, i cili i hapte rrugë ndryshimit të kufijve në mënyrë paqësore. Sidoqoftë, në rrethanat e “Luftës së Ftohtë” ishte gati e pamundur të “kapërceje gardhin”. Frika dhe paragjykimi për tjetrin ishin të pranishëm kudo. Por, studentët, punëtorët dhe intelektualët e Kosovës nuk kërkuan ndryshimin e kufijve, por barazi me republikat e tjera të ish-Jugosllavisë.

Në ndonjë dokument të këtij vëllimi vihet në dukje një tipar i veçantë i nacionalizmit shqiptar – prirja drejt të drejtave kombëtare dhe jo drejt lirive individuale, sikurse ndodhte në vendet anëtare të KSBE-së, ku bënte pjesë edhe Jugosllavia. Prirja për të drejta dhe liri individuale, ishte karakteristike për vendet ish-komuniste të Evropës Qendrore e Lindore, [ndonëse edhe Jugosllavia kishte problemet e veta], por, tek shqiptarët interesat kombëtare kishin fituar prevalencë mbi liritë dhe të drejtat e njeriut, për kohën kur u hartuan këto dokumente.

Dokumentet nuk i shpëtojnë dot subjektivizmit dhe këndvështrimeve të ndryshme, jo thjesht se ato janë ushqyer nga burime zyrtare jugosllave, por kryesisht për shkak të “doganës” që vë koha. Por, kjo nuk e cenon vlerën e tyre. Publikimi i këtij korpusi dokumentar do ta pasurojë më tej njohjen tonë për Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, do të na ndihmojë të gjykojmë më mirë për historinë e saj, për njerëzit që morën pjesë dhe mbi të gjitha për drejtësinë e kërkesës “Kosova Republikë”. Viti 1981 shënoi një pikë kulmore të kërkesave kombëtare të shqiptarëve, por jo fundin e një rruge të gjatë, e cila do të vazhdonte dhe do të kurorëzohej vetëm në fillim të shekullit të XXI, me shpalljen e shtetit të pavarur të Kosovës.

Shpresojmë dhe besojmë se publikimi i këtij vëllimi origjinal dhe intrigues do të tërheqë vëmendjen e lexuesit të thjeshtë, studiuesve të shkencave shoqërore, e veçanërisht të historianëve. Interesi besojmë se do të jetë i shumëfishtë për njerëzit që bënë historinë në ato vite, të cilët janë ende gjallë. Dokumentacioni është përcjellë sipas kronologjisë së ngjarjeve, pa i cunguar e hequr pjesëza nga trupi i tyre.

                                             Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba

 

                                                                                      -91-

Konfidenciale

  1. E. Montgomery                                    Ambasada britanike

Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore                                                            Beograd

Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit                                                                  1 shtator 1981

I nderuar Alan,

                                                                                         Kosova

 Ju falënderoj për letrën tuaj të datës 12 gusht, ku komentoni mbi njoftimin e Ambasadorit të datës 1 korrik. Mirëpres dialogun për këtë pikë.

Situata e sigurisë

  1. Tendenca drejt qetësimit të situatës së sigurisë, që është theksuar në letrën time të datës 28 korrik, duket se vazhdon. Siç shprehet Charles Crawford më vete, shtypi është i mbushur me raporte që tregojnë një qëndrim të sigurt në drejtim të rihapjes së shkollave më 1 shtator. Në të kundërt, raportet mbi “eksese” të vogla po bëhen gjithnjë e më të rralla. Gjithashtu kam dëgjuar nga Departamenti i Protokollit më 1 shtator se diplomatët kanë marrë aktualisht leje për të vizituar Kosovën si turistë, megjithëse njoftimi tyre nuk është bërë ende meqenëse zyrtarët lokalë janë “tepër të zënë”. Do t’ju dërgojmë sa më shpejt informacione mbi studimin e terrenit.
  2. Ndërkohë, ekzistojnë raporte mbi diskutime serioze të zhvilluara midis firmave kosovare dhe firmave të tjera jugosllave me qëllim që të krijojnë ndërmarrje të reja në Krahinë. Këto marrëveshje, të njohura në zhargon si “fondet sociale shoqëruese”, padyshim do të pasqyrohen në Planin e rishikuar 5-vjeçar për Kosovën që pritet të dalë më vonë gjatë këtij muaji.
  3. Megjithëse këto janë të gjitha shenja shpresëdhënëse për rikthimin e statuskuossë mëparshme, jam dakord me konkluzionin tuaj që problemi themelor vazhdon. Dënimet e ashpra që po jepen për udhëheqësit e demonstratave dhe për të tjerë për vepra penale krahasimisht të vogla të tilla si thjesht shkrimi i parullave dhe përjashtimi i studentëve, nxënësve dhe punëtorëve, janë masa të rënda shtypëse, të cilat mund të veprojnë si element frenues në aspektin afatshkurtër, por gjithashtu mund të forcojnë pakënaqësinë e nacionalistëve dhe vendosmërinë e tyre për të rezistuar në aspektin afatgjatë.
  4. Një incident i çuditshëm dhe i pashpjeguar deri tani më 24 gusht mund të jetë puna e opozitës. Në orën 10.15 të këtij mëngjesi, linja elektrike që transportonte energji elektrike nga Kosova në Maqedoni, duhej të mbyllej “për shkak të një defekti”. Maqedonia ishte pa energji elektrike për një orë e gjysmë derisa u mundësua një lidhje me Greqinë. Për këtë u ngrit një komision i veçantë për hetimin e situatës. Unë arsyetoj se ky rast mund të ketë qenë sabotim.

Nacionalizmi serb

  1. Kam reflektuar mbi vëzhgimet tuaja lidhur me efektet anësore të Kosovës për nacionalizmin serb. Natyrisht keni pasur në mendje artikullin e mirë-informuar të Chris Cviiç në gazetën ‘The Tablet’ të datës 8 gusht. Megjithatë, mendoj se vërejtjet e tij mbi marrëdhëniet serbo-maqedonase janë tërësisht spekulim. Është e vërtetë se kontaktet e nivelit të lartë midis autoriteteve dhe Kishës Ortodokse serbe duket se kanë qenë më të shpeshta së fundmi dhe po kështu atmosfera, duke gjykuar nga pasqyrimi i TV, ka qenë më e ngrohtë. Sidoqoftë, kjo situatë nuk ka penguar kritikën zyrtare në shtypin popullor të nacionalistëve klerikë, të cilët përfshinin ortodoksë si dhe katolikë dhe myslimanë dhe vetëm rreth një javë më parë doli një përgjigje e fuqishme në gazetën “Pravoslavlje”, e cila është një gazetë ortodokse që del dy herë në muaj. Kështu, e gjithë kjo panoramë nuk është e gjitha e ëmbël dhe e ndriçuar.
  2. Përveç kësaj, Cviiç është në rrugë të gabuar për kishat serbe dhe maqedonase. Problemi për pajtim nuk premtonte sukses në anën maqedonase. Patriarku serb, German, ka kundërshtuar thekshëm krijimin e Kishës autoqefale maqedonase dhe, sipas të gjitha gjasave, vazhdon të mbajë këtë qëndrim. Natyrisht pakënaqësia e tij mund të jetë e shoqëruar me Kryepeshkopin Dositej, por vdekja e këtij të fundit dhe zëvendësimi i tij më 18 gusht nga Angelarij, ish metropolitani 70-vjeçar i Dibrës dhe Kërçovës, nuk ka të ngjarë që të ndryshojë qëndrimin e Germanit. Dyshoj se pajtimi mund të arrihet vetëm pas vdekjes së Germanit. Por ky mendim është po aq spekulativ sa edhe pikëpamja e Cviiqit.
  3. Për momentin, nacionalistët e zjarrtë serbë do të vazhdojnë të ankohen për “humbjen” e Maqedonisë dhe nacionalistët e zjarrtë maqedonas padyshim do të vazhdojnë të ndjejnë keqardhje për sundimin e mëparshëm serb. Por unë nuk shoh se maqedonasit mund të sulen me armët e tyre thjesht për shkak të trazirave me shqiptarët në krahinën e Tetovës. Maqedonasit duket se e kanë situatën plotësisht nën kontroll atje dhe kanë bërë të qartë se shqiptarët e tyre janë shqiptarë maqedonas dhe do të mbeten të tillë, duan apo s’duan ata. Duket se ata nuk i janë drejtuar Serbisë apo tjetërkujt për ndihmë.

Kushtetuta

  1. Siç e thoni edhe ju, zgjidhja kushtetuese nuk ekziston për Kosovën. Nëse ka pasur ndonjë dyshim në këtë drejtim, Vidiq, Kryetar i Kryesisë serbe i ka hedhur poshtë ato në një vizitë në Mitrovicë më 26 gusht, ku përsëriti në një fjalim aty se “sipas Kushtetutës së Federatës, Serbisë dhe Krahinave Autonome të vitit 1974, është përcaktuar statusi autonom i Krahinave, si dhe është përcaktuar plotësisht pjesëmarrja e tyre aktive në arritjen e marrëveshjeve dhe mirëkuptimit midis Republikave, Krahinave dhe Federatës si dhe roli i tyre aktiv në funksionimin e Serbisë në tërësi”. Megjithatë, më vonë ai theksoi: “Nevojitet që ne së bashku të çojmë më tej dhe të perfeksionojmë të gjitha aspektet e marrëdhënieve kushtetuese në Republikën tonë. Kushdo që kundërshton në publik shqyrtimin e kësaj teme, është i gabuar”. Kjo deklaratë synon të konfirmojë se shqyrtimi i çështjes vazhdon, por më tepër ka të bëjë me objektivin e shtrëngimit të situatës sesa të lehtësimit të saj.

                                                                                                                                           I Juaji

  1.       J. Crark

Për dijeni: P Rennie Esq

Departamenti i Kërkimit

                                                                                                  -92-

Për përdorim të kufizuar

J C R Gray Esq                                                                                         Ambasada britanike

Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore                                                            Beograd

Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit                                                                    2 shtator 1981

I nderuar Charles,

                                              Kosova: përgatitjet për vitin e ri shkollor

Përmbledhje

 Autoritetet e Kosovës janë përgatitur shumë për vitin e ri shkollor që filloi sot (Universiteti i Prishtinës rihapet në tetor). Vëmendje e veçantë i është kushtuar në Kosovë, por edhe në Mal të Zi dhe në Maqedoni përmbajtjes së teksteve shkollore në gjuhën shqipe; shumë libra janë konstatuar se përmbajnë paragrafe me tone nacionaliste dhe për rrjedhojë janë tërhequr nga përdorimi. Është kërkuar që të vihen para përgjegjësisë personat përgjegjës për shqyrtimin e këtyre teksteve shkollore dhe pranimin e tyre, por që deri tani pa sukses. Por autoritetet jugosllave vazhdojnë t’i japin shumë rëndësi rifillimit të qetë të mësimit.

Detaje

  1. Siç kam raportuar (në letrën time për ju të datës 23 korrik), autoritetet në Kosovë kanë shfrytëzuar pushimet verore për të shqyrtuar sistemin arsimor në Krahinë dhe për të futur një larmi ndryshimesh. Meqenëse është afruar data e planifikuar për rifillimin e mësimit, shtypi ka vëzhguar nga afër (nëse jo në mënyrë të përsëritur) zhvillimet në këtë krahinë të rëndësishme; përmbledhja e mëposhtme është marrë nga përshkrimi i ngjarjeve në gazetën “Politika”, përveç kur shprehej ndryshe.
  2. Në një fjalim madhor të Komitetit Qendror të LKK më 6 gusht, Sekretari i Kryesisë, Peter Kostiq, identifikoi katër detyra të gjera arsimimi në Kosovë: nevojën për diferencim në radhët e kuadrove të përfshirë në arsim për të përjashtuar të gjithë ata që nuk kishin “cilësitë e duhura moralo-politike” apo që kishin prirje nacionaliste; heqjen e “një numri të madh njerëzish të pakualifikuar”; nevojën për të mbushur këto hapësira me kuadro të përgjegjshëm; si dhe një shqyrtim analitik dhe kritik të bazës ideologjike të programeve shkollore dhe, në veçanti, teksteve shkollore. Megjithëse këto objektiva pa dyshim janë ndjekur pak a shumë me kujdes, gjatë muajit të fundit shtypi ka nxjerrë së paku disa të dhëna që tregonin se në jetën akademike të Krahinës po zëvendësohet “një numër i madh njerëzish të pakualifikuar”. Mbase suksesi në këtë front do të përmbushë përpjekjet e Z. Rushi për t’i dhënë fund praktikave shkel e shko dhe jokompetente mësimdhënëse në Universitetin e Prishtinës. Por analiza e fundit e përmbajtjes së teksteve shkollore ka qenë vërtet domethënëse.

Tekstet shkollore

  1. Historia kryesore në Kosovë për këtë çështje ka qenë refuzimi i plotë i një vlerësimi të mëparshëm nga Komiteti përgjegjës i Këshillit të Arsimit të Kosovës që tekstet shkollore aktualisht në përdorim,  janë të kënaqshme, megjithëse mund të bëhen një a dy ndryshime. Gazeta “Politika” më 20 gusht është nxitur që të sulmojë këtë konkluzion të bërë nga një gazetë serbe në Prishtinë, ku theksoi se pikërisht autorët dhe botuesit e librave kishin qenë përgjegjës për kontrollin e tyre. Për shembull, në një libër historie, gabimet ishin të shumta dhe të dukshme: fotoja e Titos mungonte në faqen e përparme të librit; Tito thuhej se ka lindur “shumë larg nesh”; emri i plotë i Jugosllavisë ishte dhënë në mënyrë të pasaktë; është ngatërruar dallimi i rëndësishëm jugosllav midis termave “kombe” dhe “kombësi”; dhe është pasqyruar lufta partizane në Kosovë por jo lufta tjetërkund në Jugosllavi. Me fjalë të tjera, libri portretizonte një pamje tejet ‘Kosovo-centrike’ të botës.
  2. Në ditët e ardhshme shtypi nxori më shumë shembuj të librave të papërshtatshëm, shpesh të shkruar prej shqiptarëve nga Shqipëria, në të cilat tonet nacionaliste ishin mjaft të qarta. Më 29 gusht Këshilli i Arsimit të Kosovës bëri të ditur se nuk ishte pranuar konkluzioni i mëparshëm dhe përmendi 14 libra të cilët do të hiqeshin nga përdorimi në gjuhën dhe letërsinë shqipe. Gjithashtu, Komiteti Ekzekutiv i Kuvendit serb vendosi të hetonte përgjegjësinë e inspektorëve të shkollave, të cilët kishin aprovuar materiale të tilla si të përshtatshme.
  3. Është interesante se autoritetet në Mal të Zi dhe Maqedoni gjithashtu nuk lanë gur pa lëvizur. Kështu, në Mal të Zi u zbulua se kurset e letërsisë që mësoheshin aty në gjuhën shqipe, i kushtonin rreth 67 orë letërsisë nga Shqipëria dhe vetëm 59 orë letërsisë jugosllave dhe asaj botërore. Në Maqedoni deri në 40% të teksteve shkollore aktuale në gjuhën shqipe vinin nga autorë të Shqipërisë e madje edhe nga shqiptarë që jetonin në Bullgari. Vetëm 7 (!) libra aktualisht në përdorim në orët e gjuhës shqipe në shkolla, ishin të përshtatshme për t’u përdorur në vijim. Në një mbledhje të Këshillit Arsimor Republikan në Shkup më 28 gusht, thuhej se “këta libra shkollorë ushtronin prej vitesh një influencë negative”. Disa prej tyre madje glorifikonin Stalinin dhe Enver Hoxhën. Thirrje të forta ishin bërë që personat përgjegjës të viheshin para përgjegjësisë. Megjithatë, deri tani asnjë person nuk është dënuar rëndë për këtë çështje në Kosovë, ose në Maqedoni apo Mal të Zi. Me të vërtetë, kaq shumë mësues dhe zyrtarë janë përfshirë saqë do të ishte e vështirë për të ditur se ku të fillohej – apo ku të ndalohej. Duke komentuar këtë çështje në tërësi, një artikull i gazetës “Borba” më 1 shtator vinte në dukje me sarkazëm se Universiteti i Prishtinës kishte “1,022 mësues, duke përfshirë 244 me gradën Dr. dhe 216 me gradën Ma., por nga 143 libra shkollorë që përdoreshin rregullisht në fakultetet e Universitetit, vetëm 38 prej tyre ishin shkruar në Jugosllavi”.

Universiteti i Prishtinës

  1. Pak lajme ka pasur që prej letrës sime të datës 28 korrik, në të cilën në paragrafin 4 kam përmendur se regjistrimi i studentëve në klasat ku mësimi jepej në gjuhën serbo-kroate, nuk ka shkuar aq mirë, megjithëse janë pritur përmirësime. Sidoqoftë, ‘raundi’ i dytë i regjistrimit nuk ka dhënë shumë kënaqësi në këtë rezultat; më 26 gusht ishte njoftuar se ishin zënë të gjitha vendet në degët e fakultetit të drejtësisë, mjekësisë, ekonomikut dhe fakulteti bujqësor, por në lëndë të inxhinierisë, metalurgjisë, matematikës dhe në lëndë të tjera të tilla kishte shumë pak të regjistruar, veçanërisht kur mësimi jepej në gjuhën serbo-kroate. Ndërkohë, vazhdon ‘raundi’ i tretë i regjistrimit. Në të kundërt, e vetmja pikë tjetër për t’u theksuar doli në një artikull në gazetën “Politika” më 14 gusht, ku shqyrtoheshin hapat e marrë (të cilat janë përmendur në letrat tona) për të siguruar se komunitetet lokale ushtrojnë kontroll shumë më të rreptë mbi studentët nga krahinat e tyre. Është identifikuar edhe problemi i studentëve që pranojnë bursa nga firmat e më pas dështojnë të përmbushin detyrimet e tyre. Gjatë pesë vjetëve të fundit, kompleksi gjigant“Trepça” ka sponsorizuar 2,090 studentë të universitetit dhe shkollës së mesme në pritje që të punësonte për pasojë mbi 1,000 ekspertë të rinj. “Por vetëm 211 studentë kanë përmbushur detyrimet e tyre ndaj … kolektiv … një numër i madh janë zhdukur pa lënë gjurmë dhe 620 studentë kanë humbur bursat e tyre pas rezultateve të dobëta”. Ky fakt përfaqëson një humbje të madhe financiare për “Trepçën”.
  2. Më tej do t’ju raportoj më vete mbi përgatitjet për vitin e ri shkollor në Universitet, i cili fillon më 1 tetor.

Komente

  1. Në artikullin e datës 1 shtator, gazeta “Politika” deklaronte se “çdo gjë është gati për fillimin e vitit të ri shkollor” dhe, duke folur në Prizren më 27 gusht, Sinan Hisani, Zëvendës/Kryetar i Kuvendit Jugosllav, tha prerazi se “fillimi i vitit shkollor do të tregojë nëse e kemi fituar betejën”. Muajt e ardhshëm do të jenë një test i rëndësishëm si për autoritetet e Kosovës dhe ato Federale dhe do të ketë shumë rrezik. Por problemet mbi tekstet shkollore tregojnë se ndryshimet që kërkohen, janë të thella dhe do të duhen muaj ose, në disa pika, edhe vite që rezultatet të jenë të dukshme. Sidoqoftë, ‘shtypi i Beogradit’ po shikon me skepticizëm të gjitha këto zhvillime në Kosovë, një fakt ky që duhet të jetë burim i vazhdueshëm i dështimit aty.

 I Juaji

  1. G. Crawford

Për dijeni: P Rennie Esq

Departamenti i Kërkimit

FCO

                                                                                            -93-

Konfidenciale

GRS 161

Shkresë

Nga A. E. Montgomery, Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore

6 shtator 1981

Për ndjekje për T. J. Crark, Beograd                                                                   14 shtator 1981

                      Telegrami juaj nr. 156: dokumenti i EC/EEWG për Shqipërinë

 Ju falënderoj për komentet tuaja mbi draft dokumentin për EEWG për Shqipërinë.

  1. Jemi dakord që dokumenti duhet të përfshijë një përshkrim të marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave mbi Kosovën dhe për këtë arsye kemi përfshirë një fjali të re hyrëse siç është propozuar. Sidoqoftë, mendojmë se nëse bëhen ndryshime tërësore në të gjithë tekstin, artikulli do t’i shmangej shumë qëllimit kryesor, d.m.th. për të zbuluar më shumë për politikat e brendshme shqiptare nga partnerët tanë të KE të cilët kanë poste aty. Megjithëse jugosllavët vazhdojnë të flasin pa pushim për lidhje të pretenduara midis nacionalistëve kosovarë dhe Tiranës, aluzione të ndërthurura për përfshirjen e sovjetikëve, pak prova janë ofruar për këto deklarata. Por keni të drejtë që pasoja e ndryshimit të regjimit për Jugosllavinë meriton një vlerësim më nga afër dhe po mendojmë mbi mundësinë që EEWG t’i drejtohet këtij aspekti të problemit në një datë të mëvonshme.

Nënshkruar nga A. E. Montgomery

                                                                                        -94-

Për përdorim të kufizuar

  1. E. Montgomery Esq      Ambasada britanike

Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore                                                           Beograd

Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit                                                                   8 shtator 1981

I nderuar Alan,

                                                            Kosova: situata e sigurisë

 Siç kam raportuar në letrën e 1 shtatorit, situata e sigurisë është përmirësuar. Kryesia e Komitetit Krahinor të LK të Kosovës u mblodh më 5 shtator për të shqyrtuar situatën dhe, sipas “Tanjug”, arriti në përfundimin se ishte më e mirë se më parë, por nuk kishte arsye për vetëkënaqësi. Viti shkollor kishte filluar normalisht dhe procesi i “diferencimit” po bëhej gjithnjë e më i suksesshëm.

  1. Ky njoftim u shoqërua me një sërë raportesh në shtyp nga pjesë të ndryshme të Kosovës, ku komitetet lokale të LK-së po zhvillonin në shqyrtim të ngjashëm të situatës në komunat e tyre. Tablloja e shfaqur kishte tendencën të konfirmonte konkluzionin e Kryesisë përveç në komunën e Ferizaj, ku kishte probleme të hapura. Këtu, duket se situata e sigurisë ka mbetur “e ndërlikuar” dhe aktiviteti i nacionalistëve nuk tregon shenja pakësimi, veçanërisht në fshatrat përreth vetë Ferizajt. Ata vazhdojnë të shkruajnë parulla, të qarkullojnë pamflete, të dëmtojnë të korrat, si dhe të rrethojnë dhe të angazhohen në zjarrvënie. Ky aktivitet u intensifikua në gusht dhe bëri që serbët lokalë të kërkonin masa të ashpra kundër të gjithë shqiptarëve. Serbë të tjerë thjesht vendosën të shpërngulen nga krahina.
  2. Komiteti Qendror serb dhe Kryesia serbe u mblodhën së bashku më 7 shtator dhe, midis të tjerash, shqyrtuan çështjen e Kosovës. Vlerësimi i tyre ishte më i kujdesshëm me efektin se të gjitha përpjekjet e bëra deri tani kishin kontribuar në normalizimin gradual të situatës politike dhe të sigurisë por që kishte mbetur e ndërlikuar dhe aktive. Ata miratuan më tej, masa të papërcaktuara qartë “për normalizimin e plotë të situatës në Kosovë”.
  3. Sot arritëm që të marrim një lejekalim për Atasheun e Mbrojtjes dhe djalin e tij që të kalonin në Kosovë nga dy rrugë të ndryshme me ndalime natën në Prishtinë dhe Pejë gjatë rrugës për në Ohër dhe prej andej përmes Tetovës. Pas kthimit të tij më 14 shtator, do t’ju informoj nëse përshtypjet e tij konfirmojnë përmirësimin e raportuar.

                                                                                                                                            I Juaji

  1.     J. Crark

Për dijeni: P Rennie Esq

Departamenti i Kërkimit

FCO

Zyra e Kancelarit

UKDEL NATO Bruksel

                                                                                                -95-

Për përdorim të kufizuar

J C R Gray Esq                                                                                        Ambasada britanike

Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore                                                          Beograd

Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit                                                                  8 shtator 1981

I nderuar Charles,

                                                                      Kosova: probleme ekonomike

Përmbledhje

  1. Në disa fronte, Kosova ka bërë progres të rëndësishëm gjatë dy dekadave të fundit, por janë bërë gabime të rëndësishme në strategjinë e përgjithshme të zhvillimit. Dy dekadat e rritjes së shpejtë të popullsisë nënkuptojnë se tashmë nuk ka më mundësi për të plotësuar nevojat për punë të cilat do të rriten me të shpejtë gjatë 5 vjetëve të ardhshme. Baza industriale e Krahinës ka nevoja të theksuara për shuma të mëdha kapitalesh, e cila, në përgjithësi, është joefikase dhe e cenueshme ndaj prishjes; Për më tepër, aktualisht raportohen humbje të panumërta. Gjithashtu, sistemi arsimor i Kosovës nuk është duke i siguruar ekonomisë lokale aftësitë e duhura, një problem i cili i shtohet emigrimit të serbëve dhe malazezëve të aftë. Janë planifikuar më shumë investime masive, por pjesa më e madhe e tyre është lënë rezervë për të paguar për përfundimin e (dhe për të subvencionuar humbjet) komplekseve industriale ekzistuese të Kosovës.
  2. Çfarë duhet bërë? Meqenëse asgjë nuk mund ta pengojë zgjerimin e shpejtë afat-shkurtët të tregut të punës, Kosova duhet ose të krijojë vende të reja pune ose të eksportojë punëtorë ose të aplikojë të dyja rastet. Nuk është e nevojshme që të zbatohen menjëherë reforma të papëlqyeshme në sistemin arsimor. Gjithashtu, duhet të rrënjoset disi në mendjen e të gjithëve një kuptim më i madh i disiplinës dhe përgjegjësisë në punë. Por, duke pasur parasysh krizën ekonomike të zhvillimit në Jugosllavi, e ardhmja afatshkurtër duket e zymtë. Atëherë, a mundet Jugosllavia që ekonomikisht të përballojë vazhdimin e mbështetjes për Kosovën? A mundet që ajo politikisht të mos ta bëjë një gjë të tillë?

Detaje

  1. Trazirat nacionaliste në Kosovë në mars dhe prill çuan në rivlerësime të gjera publike të pozitës kushtetuese të krahinës brenda Jugosllavisë dhe të të gjitha aspekteve të performancës politike të Kosovës. Megjithatë, gjatë verës, shtypi ka tërhequr vëmendjen në mënyrë të kujdesshme në rritjen e vështirësive ekonomike që kjo krahinë po pësonte. Raportimi ynë në këtë drejtim mbi Kosovën ka qenë deri tani i kufizuar në një vlerësim të përbashkët të ambasadave të KE në Beograd, të cilat trajtuan në përgjithësi disa (por jo të gjitha) nga çështjet kryesore. Ambasada e Shteteve të Bashkuara bëri më 23 korrik një analizë më të plotë të problemeve ekonomike të Kosovës (dërgohet një kopje bashkangjitur). Analiza në vijim është planifikuar për të plotësuar këto dy studime dhe bazohet në një shqyrtim të artikujve të shtypit që në muajin prill (është shfrytëzuar përshkrimi i gazetës “Politika” përveç rasteve kur shprehet ndryshe). Por të dhënat e cituara në shtyp, kanë qenë në mënyrë karakteristike të paqarta ose të paplota ose vetë-kontradiktore. Për rrjedhojë, ndërkohë që vlerësimi i përgjithshëm duket i vlefshëm, kërkoj falje për prezantimin domosdoshmërish të parregullt (dhe ‘jo shkencor’!) të fakteve mbështetëse.

Disa komente të përgjithshme

  1. Përpara vazhdimit të analizimit të temave kryesore, vlen të përmendet se me gjithë shenjat e dukshme të ndryshimit shoqëror, veçanërisht në Prishtinë, në disa zona rurale të Kosovës, njerëzit jetojnë ende sipas mënyrave tradicionale dhe normave sociale, të cilat janë zhdukur disa dekada më parë tjetërkund në Evropë. Për shembull, artikujt e fundit të revistave raportonin vazhdimin e gjakmarrjes së përhapur, ndërkohë që “gratë në shumë fshatra nuk lejohen të shikojnë TV që ndodhen në vendet e burrave”. Komunikimet kanë mbetur të dobëta në Krahinë megjithëse këtë javë është njoftuar një nismë e re për të elektrifikuar të gjitha fshatrat e Kosovës. Lidhjet tradicionale të sistemit karakteristik kosovar “Zadruga” (familjet e mëdha) janë ende të fuqishme dhe pjesa më e madhe e fuqisë punëtore industriale është ‘brezi i parë’, pra të pamësuar me disiplinën që kërkojnë teknikat moderne të prodhimit.
  2. Prej këndej, del që ashtu siç ekziston aspekti “veri-jug” në zhvillimin e Kosovës që është përmbledhur mirë në dokumentin e Shteteve të Bashkuara (pp 2-3), po kështu mund të thuhet se modeli i vetë-zhvillimit në Kosovë ka krijuar një model klasik ‘qendër-periferi’ aty. Prishtina, me Universitetin e saj të mbushur me studentë, biblioteka e saj e re e mrekullueshme, hoteli i saj pesë-yjesh si dhe ndërtimi i gjallë i ndërtesave publike dhe private dominon në provincë si nga ana politike dhe sociale. Investimet e mëdha publike aty kanë nxitur shpërnguljen e thekuar rurale-urbane, shumë më larg se kapaciteti i qytetit për të siguruar punë ose akomodim, duke arritur rezultatet e dyfishta të prishjes së modelit të jetës tradicionale në të gjithë Krahinën për asnjë qëllim praktik, dhe të krijimit të një ‘proletariati të painteresuar’ urban, perspektivat e të cilit janë të varfra, por aspiratat e të cilit janë padyshim të ushqyera nga stili i mirë i jetesës i elitës së privilegjuar (të punësuar). Askush nuk është e nevojshme të pajtohet me determinizmin e ashpër Marksist për të pranuar se në këtë pjesë të Ballkanit po shpaloset modeli aktual i njohur i modernizimit të shpejtë, por të keqdrejtuar që më shumë shkakton probleme sociale sesa i zgjidh ato kur përplasen me mentalitetet dhe stilet tradicionale të jetesës.

Punësimi

  1. Një grup i thjeshtë shifrash shpjegon problemin e papunësisë në Kosovë:

Popullsia e përgjithshme e Kosovës 1981                           : 1,600,000

Numri i përgjithshëm i të punësuarve 1981                        :   200,000

Numri i përgjithshëm i të regjistruarve si të papunë 1981  :      72,000

 

Numri i llogaritur i të sapoardhurve në

tregun e punës 1981 – 1986                                                 :   190,000

Numri i përgjithshëm i planifikuar për

vende të reja pune 1981 – 1986                                             :     75,000

Numri i përgjithshëm i parashikuar i të papunëve 1986         :   200,000

Me fjalë të tjera, rritja e shpejtë e popullsisë e viteve 1960, po fillon t’i hedhë të larguarit nga shkolla në tregun e punës shumë më shpejt nga sa mund të gëlltisë ekonomia lokale. Ka më shumë të ngjarë që, së paku, gjysma e popullsisë së moshës për punë të mbetet pa punë në 5 vitet e ardhshme – dhe do të ishte e çuditshme nëse Kosova do të siguronte një numër të mjaftueshëm të punëve të reja në mënyrë që të mos lejonte rritjen e këtij proporcioni.

  1. Një ndarje e detajuar e shifrave të censusit të vitit 1981, nuk është ende e disponueshme. Kur kjo të bëhet, do të jemi në gjendje të krijojmë një përshkrim më të saktë të këtyre faktorëve demografikë. Por, duhet të konfirmohet forca shtytëse e analizës së mësipërme.
  2. Gazeta “Politika” komentoi më 16 gusht me pesimizëm probleme të tjera të punësimit në Kosovë. Kapacitetet ishin veçanërisht të pashfrytëzuara; Rrallë ka filluar puna me turne, por është përdorur gjerësisht puna me kohë të zgjatur. Më shumë femra aktualisht kërkojnë punë. 64 % e njerëzve të regjistruar që kërkojnë punë kanë mbërritur rishtazi nga fshatrat. Rregulloret për punësimin e fillestarëve injoroheshin. Sektori i bujqësisë dhe biznesit të vogël ishin neglizhuar. 7000 ‘mjeshtrit’ e Krahinës punësuan vetëm 9000 njerëz dhe zgjerimi i planifikuar në sektorin e vetë-punësimit të 7500 punëtorëve gjatë 5 viteve të ardhshme ishte mjaft i papërshtatshëm. Zgjerimi i punësimit në sektorin bujqësor as që figuronte në planet zyrtare. Trajnimi për mjeshtri të ndryshme për të papunët ishte po aq i nevojshëm sa edhe drejtimi i investimeve në drejtim të fabrikave të përpunimit që kërkonin shumë fuqi punëtore fati i të cilave nuk ishte i lidhur kaq ngushtë me atë të industrive përtej Kosovës. Nevojiteshin përmirësime të sistemit për të informuar kosovarët për vende pune tjetërkund në Jugosllavi me qëllim që të zhvillohej një lëvizshmëri më e madhe e fuqisë punëtore.
  3. Sidoqoftë, ‘ekonomia joformale’ po ndihmon në mbushjen e disa hapësirave të mëdha që tregojnë shifrat zyrtare (dokument i SHBA, p.4), si në Kosovë dhe më gjerë. Shqiptarët njihet se janë punëtorë të zellshëm në Jugosllavi dhe ndoshta një numër i madh i tyre enden nëpër vend duke kryer punë fizike në të zezë në biznesin fitimprurës të ndërtimit dhe rregullimit të shtëpive dhe duke dërguar para në shtëpi. Megjithatë, kjo lloj ekzistence zor se mund të funksionojë, mijëra studentë të diplomuar nga Universiteti i Prishtinës, të cilët do të vërshojnë në tregun e punës gjatë viteve të ardhshme. Planet aktuale duket se ofrojnë siguri të pamjaftueshme për këtë grup.

Investimet

  1. Siç sugjerohet në paragrafët e mësipërm, politika e investimeve në Kosovë ka krijuar një strukturë të pandryshueshme industriale. Prej rreth 200.000 personave të punësuar zyrtarisht 26% janë angazhuar në “aktivitete jo-ekonomike” si organizata qeveritare, kulturore dhe sociale (dokument i SHBA, p.3). Kështu, rreth 150.000 veta punojnë vetëm në sektorin industrial, por disa komplekse gjigante përfaqësojnë një pjesë të konsiderueshme të këtij totali; për shembull, kompleksi i minierës së “Trepçës” punëson 19.000 njerëz në 5 fabrikat e tij në Kosovë, ose çdo punonjës i tetë industrial në Krahinë.
  2. Një gjë e tillë nuk është e rastësishme. Kur autoritetet qendrore nga mesi i viteve ‘60 nisën politikën e industrializimit të shpejtë në Kosovë, ata e perceptuan me korrektësi se një aspekt i rëndësishëm i avantazhit të krahasuar të Kosovës qëndronte në shfrytëzimin e burimeve të saj të pasura me minerale. Por, industria e lehtë dhe bujqësia janë neglizhuar në favor të një ekonomie konglomerate që kërkon shumë kapital dhe ku neglizhenca ndjehet ende sot. Grupet e ‘Trepçës’, ‘Kosovës’, ‘Feronikl’ dhe ‘Melioraca’ kanë përvetësuar prej vitesh deri në 70% të kapitalit total të investimeve të planifikuar për zhvillimin e Krahinës. Këto grupe gjigante nuk janë mbërthyer vetëm nga paefektshmëria. Ato nevojitet të kenë gjithashtu investime të mëdha: centrali elektrik ‘Kosova B’ kërkon 4.3 miliard dinarë, ‘Feronikl’ kërkon 3.9 miliardë dinarë dhe ‘Ibër-Lepenci’ kërkon 6.5 miliardë dinarë. Fatkeqësisht, Jugosllavia nuk ka zgjidhje tjetër veçse të vazhdojë me këto subvencionime të shtrenjta, të cilat përfaqësojnë 50% të shumës së investimeve të planifikuara për periudhën 1981-1985. Duke angazhuar veten me këtë strategji shumë të rëndë, autoritetet duhet t’i shohin si të papërfytyrueshme pasojat politike dhe sociale për tërheqjen e mbështetjes më të gjerë financiare në favor të një rruge të re drejt një strukture të larmishme industriale që kërkon shumë fuqi punëtore.
  3. Dokumenti i SHBA-së (p.6-8) vë në dukje fitimet e ulëta në kapitalin e investuar që Kosova ka përfaqësuar deri më sot. Thuhet se ky fitim kushton dy herë më shumë për të hapur një vend të ri pune në Kosovë dhe tjetërkund në Jugosllavi. Duke shtuar vërejtjet e përgjithshme se produktiviteti është shumë i ulët, se kapacitetet janë tejet të pashfrytëzueshme, se projektet kanë përfunduar shpesh me vonesë dhe se objektivat e prodhimit po humbasin me një diferencë të madhe, njeriu arrin në konkluzionin se tablloja është mjaft e zymtë. Autoritetet kanë filluar tashmë të përfshijnë realitetin ekonomik në këtë situatë, duke reduktuar elementet neto të grandeve në fondet e përgjithshme të investimeve për Kosovën dhe duke inkurajuar ndërmarrjet e përbashkëta që kërkojnë shumë fuqi punëtore me firma nga Republikat e tjera (Plani 5-vjeçar i rishikuar për vitet 1981-1985 pritet që të sjellë sigurimin e plotë të këtyre lëvizjeve kur të dalë më vonë këtë muaj).

Humbjet dhe disiplina industriale

  1. Në të vërtetë, këto firma do të duhet të kenë një shpirt të guximshëm sipërmarrjeje nëse nuk do të pengohen nga raportimet e fundit të shtypit mbi paefektshmërinë e tmerrshme, humbjet gjigante dhe rritjet e tepërta të pagave në ndërmarrjet kosovare. Në Kuvendin e Kosovës, më 14 korrik është raportuar se megjithëse prodhimi industrial po përmirësohej në disa zona, situata ekonomike ishte ende “shumë e komplikuar”. Kështu, gjatë 5 muajve të parë të këtij viti, prodhimi i qymyrit ka rënë (me 297.000 tonë), po ashtu si prodhimi i energjisë elektrike (me 237 milionë për kilovat/orë). Çmimet e qymyrit janë rritur me 75%, por efektet ishin “zbutur” në uljen e prodhimit dhe rritjen e pagave. Më 8 shtator, humbjet e llogaritura në të gjithë Kosovën për gjashtë muajt e parë të vitit 1981, u deklaruan se ishin 1.57 miliardë dinarë, 136% më shumë sesa në periudhën korresponduese të vitit 1980. Pagat personale në disa firma që prodhonin humbje apo që ishin në prag të falimentimit, kishin kapërcyer në 50% ndërkohë që faturat e firmave ishin rritur shumë pak.
  2. Një raport i botimit të gushtit të revistës “Duga” mbi bazën e kontakteve me disa ndërmarrje të mëdha në Kosovë, bëri të njëjtin përshkrim: Prodhim më i ulët sesa planifikimi, vetëkënaqësi në radhët e fuqisë punëtore, humbje të mëdha dhe rritje të mëdha të pagave. Një zyrtar në “Trepçë” citoi: “Çështja është se si të stimulohet rezultati i prodhimit thelbësor…shkaku kryesor është mungesa e interesit të punëtorëve në prodhim”. Në Trepçë, paga mesatare nga janari në qershor ishte aktualisht 130% më e lartë sesa paga në periudhën korresponduese të vitit 1980, por pa rezultat. Minatorët vinin vonë në puse; përgjegjësit ishin të pakualifikuar; shmangia/mosvajtja ishte e përhapur; gjithashtu ishin raportuar raste sabotimi.
  3. Kjo mungesë e dukshme endemike e disiplinës në fabrika duhet të jetë një burim i madh shqetësimi për autoritetet qendrore. A është ky një shqetësim relativisht jetëshkurtër i fuqisë punëtore me një këndvështrim tejet rural të gjërave që kombinohen me nevojat për prodhimin në masë? Apo në vend të kësaj a është kjo një llogaritje cinike e bërë nga ana e punëtorëve që në të vërtetë nuk ka rëndësi se çfarë niveli tolerimi ata zgjedhin ndërkohë që Serbia (dhe Jugosllavia) nuk rrezikojnë që t’i lejojnë këto komplekse kaq të rëndësishme të shkojnë dëm?

Përgjigja zyrtare

  1. Më 13 korrik u organizua mbledhja e përbashkët e Kryesisë së Kosovës dhe Kryesisë së LK të Kosovës. Situata ekonomike u vlerësua “se ishte për pjesën më të madhe e pakënaqshme … ku, në veçanti, mbizotëronin kushtet e vështira dhe të ndërlikuara në periudhën pas demonstratave armiqësore”. U arrit në konkluzionin se detyrë parësore ishte aktiviteti intensiv dhe i mirë organizuar “për të zgjidhur problemet e fondeve të investimit në Krahinë; për të plotësuar projektet e nisura dhe për t’i vënë ato në funksion; për të shënuar mjetet për përfundimin e investimeve aktuale (veçanërisht ato që përfshijnë punën tjetërkund në Jugosllavi); për të zgjidhur problemet e vënies së çmimeve në mbrojtje të standardeve të jetesës dhe furnizimeve me ushqime dhe mallra bazike; për të rritur shfrytëzimin e kapaciteteve prodhuese dhe rritjen e punës prodhuese”; e kështu me radhë. Nuk ka një listë të detajuar të sugjerimeve.
  2. Megjithatë, pas këtyre këshillave të mërzitshme, janë zhvilluar diskutime gjatë verës midis Kosovës dhe Republikave të tjera për investime në këtë Krahinë. Më 21 korrik, gazeta “Borba” raportoi bisedimet e bëra për bashkëpunimin ekonomik midis ndërmarrjeve në Bosnjë-Hercegovinë dhe Kosovë. U arrit marrëveshja për të ndërtuar dy fabrika të reja për skelete biçikletash dhe biçikleta, duke krijuar kështu me qindra vende pune. Puna do të fillonte “pas gjashtë muajsh”. Më 19 gusht, përfaqësuesit serbë dhe kosovarë diskutuan mundësitë për hapjen e nëntë fabrikave të reja, duke përfshirë një të tillë në Deçan që kushtonte 320 miliardë dinarë. Gjithashtu, më 28 gusht, u njoftua për një larmi projektesh të reja që përfshinin firmat kroate në lidhje me produkte të tilla si pajisje frigoriferike, turbina, kompresorë, fabrika të përpunimit të gurit, ëmbëlsira dhe biskota, si dhe qumësht. Gjithsej, deri tani janë planifikuar në vlerën 4 miliardë dinarë investime më pak madhështore në ndërmarrje të përbashkëta, duke treguar se së paku po bëhen përpjekje për të marrë disa hapa pozitive.
  3. Dokumenti i SHBA jep gjithashtu një përmbledhje të mbështetur të përgjithshme të mangësive në sistemin arsimor në Kosovë (p.4 dhe 5), megjithëse do të përmendja se shifra e cituar prej 47,000 si madhësi e trupës studentore në Universitetin e Prishtinës është zëvendësuar nga shifra zyrtare prej 28,608 (shkresat e mia dërguar për ju më 10 qershor dhe 28 korrik janë ndalur në problemet e rënda politike në Universitet dhe hapat e marrë deri tani për zgjidhjen e tyre). Së fundi, dokumenti i SHBA vlerëson me kujdes humbjet e shkaktuara në ekonominë e Kosovës drejtpërdrejt nga vetë trazirat, për të cilat mund të shtoj se nuk ka të ngjarë që të mësojmë ndonjëherë shtrirjen reale të dëmeve ekonomike të shkaktuara nga trazirat nacionaliste të pranverës, nga emigracioni i serbëve dhe malazezëve të kualifikuar, por edhe nga veprimet e errëta të përçarjes dhe sabotimit të cilat nuk janë pasqyruar në media.

Komente

  1. Disa ekspertë jugosllavë pëlqejnë të shprehen se nuk ekziston asnjë dallim real ndërmjet problemeve ekonomike me të cilat përballet Kosova dhe atyre me të cilat përballet Jugosllavia në tërësi; është thjesht fakti se në Kosovë problemet janë shumë më të vështira dhe delikate. Diskutimi i mësipërm në njëfarë mënyre e mbështet këtë ide. Historia e investimeve të keq-menaxhuara, rritjes së papunësisë, paaftësisë në punë dhe neglizhencës së bujqësisë gjen zbatim në të vërtetë në të gjithë Jugosllavinë dhe nuk është vetëm një anomali lokale. Megjithatë, norma e shpejtë me të cilën edhe në rastin më të mirë do të rritet papunësia në Kosovë gjatë viteve të ardhshme dhe dobësia drastike e strukturës industriale të lartë joefikase atje, shkakton shqetësim të veçantë në Jugosllavi dhe jashtë kufijve të saj. Shpërthimet nacionaliste këtë pranverë padyshim kanë nxitur kërkimin për të rishqyrtuar një strategji afatgjatë zhvillimi në këtë Krahinë dhe padyshim që do të bëhen ndryshime. Sidoqoftë, çështja është nëse janë ndjekur me vendosmëri politika të gabuara në Kosovë për një periudhë tepër të gjatë. A munden autoritetet të ndryshojnë drejtim?
  2. Përgjigja do të kërkojë kohë. Në këtë fazë, njeriu mund të thotë vetëm se autoritetet qendrore dhe serbe kanë njohur së paku dimensionet e problemit dhe duket se po bëjnë përpjekje më të mëdha me udhëheqjen e re në Kosovë për trajtimin e këtij problemi. Plani 5-vjeçar i rishqyrtuar do të japë disa tregues të qëllimeve të tyre, por aftësia për t’i zbatuar ato, do të varet nga një shumëllojshmëri faktorësh, duke përfshirë zgjidhjen politike (së paku afatshkurtër) të problemit nacionalist dhe progresin e Jugosllavisë për të arritur stabilizimin ekonomik. Kjo çon në një detyrë të vështirë edhe në rrethana të favorshme dhe aktualisht duket se nuk ka shanse për sukses. Por nuk ka alternativë të pranueshme për përpjekjen e bërë, nëse nuk do të ndodhin shpërthime të tjera nacionaliste dhe nëse nuk do të kërcënohet integriteti territorial i Jugosllavisë.

I Juaji

  1.                           G. Crawford

                                                                                                    -96-

Konfidenciale

(014/427/1)                                                                                            Ambasada britanike

  1. E. Montgomery Esq                                    Beograd

Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore

Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit                                                               14 shtator 1981

I nderuar Alan,

                                                     Artikull i EC/EEWG për Shqipërinë

 Ju falënderoj për shkresën tuaj të datës 8 shtator mbi artikullin që do të shqyrtohet në Grupin e Punës së Evropës Lindore për Shqipërinë pas epokës së Hoxhës. Jam dakord me mendimet tuaja.

  1. Ndërkohë, kam takuar së fundmi Denny Rusinow, i cili raporton nga Vjena për Stafin e Fushës së Universiteteve Amerikane dhe i cili është ekspert i njohur për Jugosllavinë. Ai më dha një kopje të dy artikujve që ka shkruar për Kosovën në fund të vitit 1979, të cilat, në retrospektivë, janë të jashtëzakonshme për parashikimin e tyre. Ato lidhen veçanërisht me konsideratat e juaja aktuale në faktin që ai shprehu në atë kohë të njëjtën çështje për aspiratat e nacionalistëve shqiptarë të Kosovës për Shqipërinë e Madhe pas Hoxhës. Bashkangjitur po ju dërgoj një fotokopje të ekstraktit përkatës.

I Juaji

  1. J. Crark

                                                                                        -97-

D G Manning Esq                                                                                        Ambasada britanike

EESD                                                                                                                     Moskë

FCO                                                                                                                    17 shtator 1981

I nderuar David,

                                                                                         Kosova

   Në një artikull të rrallë për Kosovën, gazeta “Pravda” e datës 12 shtator raportoi se Kryesia e LKJ ka diskutuar një program tjetër masash për të normalizuar situatën e brendshme politike në Kosovë. “Pravda” komentoi se situata e shkaktuar nga trazirat dhe demonstratat e rrugëve në pranverë ka mbetur e ndërlikuar. Shtypi jugosllav i ka përshkruar këto ngjarje si “armiqësore dhe kundërrevolucionare” dhe që synonin prishjen e unitetit të popullit jugosllav.

  1. Vazhdonin përpjekjet për manifestime të reja provokuese, e po kështu vazhdonte përhapja e materialeve armiqësore, formave të ndryshme të terrorit dhe dhunës. Organizatorët dhe aktet subversive ishin grupuar së bashku në të njëjtën platformë të nacionalizmit shqiptar. Sipas raporteve të shtypit, 189 persona janë dënuar për akte kundërrevolucionare dhe nacionaliste. Gazeta “Borba” është shprehur se nga LKJ dhe organizata të tjera socio-politike nevojitej një punë aktive politike dhe edukuese për të normalizuar plotësisht situatën. Kryesia ka theksuar se një prej detyrave bazë do të mbetej lufta pa kompromis kundër aktivitetit subversiv.

E Juaja

Anne Jackson

Për dijeni:

Departamenti i Kërkimit, FCO

Zyra e Kancelarit, BEOGRAD

                                                                                             -98-

Konfidenciale

  1. E. Montgomery Esq              Ambasada britanike

Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore                                                           Beograd

Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit                                                                 17 shtator 1981

I nderuar Alan,

                                                                     Kosova: situata e sigurisë

 Kam raportuar në letrën time të datës 8 shtator se i kisha kërkuar Atasheut të Mbrojtjes që të përdorte lejen e dhënë kohët e fundit për diplomatët që të vizitojnë Kosovën – si turistë. Kolonel Eaton bëri një turne midis datave 10 dhe 14 shtator dhe hartoi një raport të detajuar për DIS, MOD. Për koincidencë, kolegu i tij amerikan vizitoi Kosovën në të njëjtën kohë, megjithëse vetëm për pak orë, dhe na dha një kopje të raportit të tij. Unë jam bazuar tek të dy raportet për të dhënë një përshkrim të situatës aktuale të sigurisë në Kosovë dhe pjesë të Maqedonisë.

  1. Koloneli Eaton mori rrugën në shumicën e qendrave më të rëndësishme të demonstratave të mëparshme nacionaliste shqiptare në Kosovë dhe Maqedoninë Perëndimore dhe kaloi natën në Prishtinë, Ohër dhe Pejë. Përfaqësuesi i SHBA kaloi vetëm një pjesë të Kosovës përmes Prishtinës dhe Nishit. Gjithsesi, konkluzionet e tyre ishin pak a shumë të njëjta se autoritetet duket se kanë situatën nën kontroll, megjithëse në dëm të vendosjes së një numri të madh forcash të sigurisë aty. Nga përshkrimet e tyre duket se në qytetet kryesore jeta në përgjithësi i është kthyer normalitetit dhe atmosfera është qetësuar me gjithë patrullat e armatosura rëndë të milicisë të përhapura kudo. Forcat e Armatosura (JNA) duket se nuk kanë pasur ndonjë rol të dukshëm në ruajtjen e sigurisë. Përveç disa parullave, të cilat nuk ishin domosdoshmërish nacionaliste, Kolonel Eaton nuk pa prova të trazirave për të cilat autoritetet thonë se vazhdojnë, d.m.th. shkarravitja e parullave politike, shpërndarja e pamfleteve dhe akteve të intimidimit. Madje edhe Tetova dhe Ferizaj, të cilat janë përmendur kohët e fundit si vende të trazirave të vazhdueshme, duken të qeta. Hyrja dhe dalja nga Kosova në rrugët kryesore ende kontrollohet dhe po kështu lejekalimet diplomatike kërkohen, por përfaqësuesi i SHBA zbuloi se në një rrugë dytësore për në Nish nuk kishte fare kontroll.
  2. Shpresojmë që të rregullojmë një vizitë nga një anëtar i Zyrës së Kancelarit në të ardhmen e afërt dhe të raportojmë në kohën e duhur.

                                                                                             I Juaji

  1. J. Crark

Për dijeni: P Rennie Esq

 Departamenti i Kërkimit

                                                                                           -99-

Për përdorim të kufizuar

J C R Gray Esq                                                                                            Ambasada britanike

EESD                                                                                                                    Beograd

FCO 29 shtator 1981

I nderuar Charles,

                                           Kosova: përgjegjësia e Mahmut Bakallit

Përmbledhje

  1. Raporti i komisionit të ngritur për të shqyrtuar përgjegjësinë politike të Mahmut Bakallit (pjesë të të cilit ishin zbuluar në gusht) është botuar tashmë i plotë. Bëhet fjalë për një përshkrim të detajuar dhe dënues për rritjen e nacionalizmit shqiptar në Kosovë dhe dështimin e Bakallit për ta trajtuar atë apo për të informuar autoritetet serbe ose ato shtetërore në këtë drejtim. Raporti hedh poshtë çdo sugjerim se autoritetet e Kosovës ishin zënë në befasi në mars dhe në prill nga shtrirja e nacionalizmit shqiptar në Krahinë. Publikimi i këtij raporti mund të paralajmërojë fillimin e procedurave kundër vetë Bakallit.

Detaje

Komisioni dhe gjetjet e tij

  1. Pas demonstratave nacionaliste në Kosovë në mars dhe prill, Kryetari i LKK, Mahmut Bakalli, dha dorëheqjen më 5 maj (Telegram nr. 56 datë 6 maj, Beograd); Ai më pas u largua nga Kryesia e LKK në korrik (letra e Terence Clark drejtuar Alan Montgomery më 21 korrik). Tashmë, e dimë se Kryesia e KQ të LKJ vendosi më 2 qershor 1981 që të ngrinte një Komision Special për të hetuar përgjegjësinë personale të Bakallit për dobësitë në politikat e LKJ të cilat kishin çuar në “përshkallëzimin e nacionalizmit të Shqipërisë së Madhe dhe irredentizmit”.
  2. Komisioni prej 6 vetash kishte në përbërje tre anëtarë të Komitetit Qendror të LK të Serbisë dhe tre anëtarë të Komitetit Krahinor të LK të Kosovës, ekuivalenti krahinor. Pas diskutimesh të gjata me Bakallin dhe shqyrtimit të provave dokumentare në fillim të korrikut, Komisioni arriti konkluzionet e tij më 12 Korrik (letra e Terence Clark për Alan Montgomery e datës 10 gusht, paragrafët 13 dhe 14, përmendte se si gazeta “Politika” kishte nxjerrë disa nga gjetjet e Komisionit). Sidoqoftë, teksti i plotë ka dalë tashmë për herë të parë në gazetën “Komunist” të datës 25 shtator, dhe është ribotuar në gazeta të tjera. Është një dokument i rëndësishëm dhe i shquar, i cili ka vlerë të raportohet në disa detaje me rëndësi për shkak se konfirmon zyrtarisht shumë pika të ngjarjeve, të cilat shtypi i ka publikuar që në muajin prill.

Pamfletet e “Partisë Marksiste-Leniniste të shqiptarëve në Jugosllavi”

  1. Ndërkohë që Komisioni kishte detyrë në përgjithësi të hidhte dritë mbi përgjegjësinë e Bakallit për mangësitë e LKJ, ai i kushtoi vëmendje të veçantë së pari faktit që LKJ dhe LKS nuk ishin njoftuar për pamfletet armiqësore të dërguara në mënyrë anonime tek Bakalli dhe udhëheqësit e tjerë të Kosovës. Pamfletet u dërguan prej marsit 1979 deri në janar 1981, dhe pretendohej se vinin nga “Partia Komuniste Marksiste-Leniniste e Shqiptarëve në Jugosllavi” (ose PKMLSHJ). Një pamflet i tillë mesa duket shkonte deri në 140 faqe dhe rendiste strukturën dhe statusin e PKMLSHJ. Autoritetet e sigurisë së Kosovës i mblodhën këto dokumente por autoritetet qendrore të LKJ i panë ato vetëm më 24 prill 1981. Në fakt, shumica e anëtarëve të Kryesisë së Komitetit Krahinor gjithashtu nuk patën dijeni deri atëherë për ekzistencën e tyre. Bakalli i shpjegoi Komisionit se megjithëse nuk kishte urdhëruar që pamfletet të dërgoheshin në Beograd, ai nuk kishte urdhëruar që ato të mos dërgoheshin; Një hetim u nis në këtë drejtim për zbulimin e autorëve. Komisioni konstatoi se ky hetim nuk zbuloi gjë, pjesërisht për arsye se mungonte një analizë serioze e detajuar politike e PKMLSHJ.

Si u mbajtën të fshehura incidentet nacionaliste

  1. Raporti i Komisionit më pas përshkroi sesi dy mbledhjet e Komitetit Krahinor të LKK në qershor dhe shtator 1979, kishin diskutuar një sërë incidentesh nacionaliste të kohëve të fundit në Kosovë (për shembull heqja e fotos së Titos dhe parullat, bojkotimi i mësimit, shpërndarja e fletushkave apo pritjet euforike që iu bënë orkestrave vizitore nga Shqipëria). “Kryesia e Komitetit Krahinor në këto mbledhje, veçanërisht gjatë mbledhjes së mbajtur në prag të vizitës së Titos në Kosovë ishte fare pranë vlerësimit të vërtetë të situatës politike në Krahinë”. Edhe Bakalli kishte thënë se ngjarjet “po lëviznin në një drejtim të rrezikshëm që mund të krijonte një situatë të rrezikshme kritike” (!). Por, Komiteti Krahinor nuk kishte raportuar asnjë fjalë të këtyre problemeve pranë autoriteteve qendrore. Vetë Bakalli kishte shprehur shqetësimin se mos lajmet për to do të bëheshin publike dhe incidentet mund të ekzagjeroheshin dhe “dramatizoheshin”. Komisioni konstatoi se ky qëndrim ishte shprehje “e liberalizmit” duke shtuar me forcë se Kryesia e Komitetit Krahinor nuk duhej të ishte habitur nga veprimet e armikut. Nuk ishte zhvilluar një betejë e hapur dhe publike kundër nacionalizmit.
  2. Kur në vitin 1980 u arrestuan 55 nacionalistë, “mbi bazën e konsultimeve në Jugosllavi, Serbi dhe Kosovë” u vendos që tëçoheshin në gjyq vetëm 19 krerët e tyre. Sidoqoftë, në vend që të mbanin qëndrim të vendosur (megjithëse ekstraligjor) kundër personave të liruar, në të vërtetë autoritetet e Kosovës kishin shpërblyer sjelljen e tyre, duke i pranuar disa prej tyre sërish në shkolla dhe duke u dhënë bursa. Ku ishte në një politikë të tillë beteja kundër nacionalizmit? Përsëri, Bakalli i kishte thënë Komisionit si një shembull pozitiv të kontrollit nga ana e tij të situatës se ai ishte konsultuar për një kërkesë të disa shqiptarëve vizitorë që të hiqej fotoja e Titos. Por, siç tha Komisioni, vetë fakti që kjo çështje duhej madje të analizohej, tregonte sesa e çorientuar ishte bërë politika e LKK. Bakalli kishte refuzuar vazhdimisht për të lejuar publikimin e sulmeve nacionaliste, “nga frika se mos një gjë e tillë pengonte hetimet”; Në trajtimin e nacionalizmit shqiptar, ai e kishte parë publicitetin më tepër si një faktor përkeqësues sesa ndihmues. Ky qëndrim i kishte dekurajuar të gjithë ata që ishin të gatshëm për të vepruar me vendosmëri.

Emigracioni i serbëve dhe malazezëve

  1. Autoritetet kryesore të Kosovës kishin dijeni gjithashtu për rastet e presioneve ndaj serbëve dhe malazezëve që të largoheshin nga Krahina, por Bakalli i kishte dënuar këto si gënjeshtra që synonin diskreditimin e udhëheqjes së Kosovës. Kishte pasur edhe raste të dëbimit të njerëzve nga LKK për faktin se kishin folur hapur për këtë çështje. Por, problemet e marrëdhënieve në komunitet nuk ishin shfaqur në agjendën e Komitetit Krahinor që në Kongresin e 11-të të LKJ.

Nacionalizmi në medien e Kosovës dhe Universitetin e Prishtinës

  1. Komisioni tha se në retrospektivë, Bakalli tashmë e pa se dobësia kryesore e LKK kishte qenë në mungesën e betejës së hapur dhe publike kundër nacionalizmit. “Ndërkohë që vlerësimet kritike të nacionalizmit shqiptar kishin mbetur brenda një qarku të mbyllur, pikëpamjet nacionaliste po shpreheshin publikisht dhe gjithnjë e më gjerësisht”. Komisioni dha shembuj të ndryshëm pak a shumë të hapur të manifestimeve nacionaliste që ishin shfaqur në medien e Kosovës, duke shtuar se ishte lejuar gjithashtu që të zbulohej bashkëpunimi kulturor midis Universitetit të Prishtinës dhe atij të Tiranës. Bakalli kishte qenë në kontakt me autoritetet drejtuese të Universitetit në Prishtinë, por nuk kishte arritur të shihte se ku po çonte “romantizmi kombëtar” me të cilin u pajtuan disa prej tyre.

Demonstratat e 11 marsit

  1. Megjithëse kishte pasur një përfshirje të qartë nacionaliste në demonstratat e 11 marsit, në të cilat u plagosën 20 milicë, një prej të cilëve me armë zjarri, Bakalli e kishte minimizuar këtë fakt dhe kishte theksuar kërkesat “sociale” (d.m.th. për kushte më të mira) të studentëve. Udhëheqja kryesore e Kosovës në diskutimet e saj të nesërmen kishte folur kryesisht lidhur me faktin se çfarë do të njoftohej publikisht dhe jo për vetë demonstratat. Në mbledhjen e radhës të Komitetit Krahinor, demonstratat ishin vënë në seksionin “ndonjë
  2. çështje tjetër” të agjendës. Shpjegimi i Bakallit ishte se mbledhja ishte thirrur tashmë dhe agjenda ishte përcaktuar – “një justifikim teknik por jo politik”.

Konkluzionet e Komisionit

  1. Komisioni nuk kishte qenë në gjendje të mblidhte të gjitha rastet e nacionalizmit shqiptar në Kosovë gjatë viteve të fundit. Sidoqoftë, ishte e qartë se aktiviteti armiqësor vazhdonte prej një kohe të gjatë por që nuk ishte përballuar siç duhet. Përgjegjësia e udhëheqjes së Kosovës dhe e Bakallit personalisht ishte e padiskutueshme. Bakalli kishte argumentuar se udhëheqja kishte punuar në mënyrë kolektive. Megjithatë, Komisioni ishte i bindur se influenca e Bakallit dhe e zyrtarëve të tjerë të lartë ishte vendimtare. “Përgjegjësia personale nuk mund të zbutet duke u përfshirë në disa përgjegjësi kolektive, formale dhe të pacaktuara… Bakalli është përpjekur të gjejë justifikime për shumë gjëra që janë të pafalshme”. Qëndrimi i tij ndaj incidenteve nacionaliste ka qenë “liberal dhe i lëkundshëm”. Për pasojë, ai duhej të përjashtohej nga Komiteti Krahinor. Megjithëse ky sanksion nuk pasqyronte plotësisht masën e përgjegjësisë së tij, atij i duhet dhënë mundësia që të shprehë një kritikë të sinqertë dhe qëndrim të sinqertë kritik dhe vetë-kritik. Raporti konkludonte se pozita e tij e ardhshme në LKJ varej nga një qëndrim i tillë.

Komente

  1. Ky raport është padyshim një dokument me rëndësi të madhe, i cili jo vetëm që demonstron mjaft qartë influencën e madhe personale që Bakalli ka ushtruar në jetën politike të Kosovës dhe pasojat e shpërfilljes së tij neglizhente (ose të qëllimshme) mbi mënyrën sesi po rriteshin ndjenjat nacionaliste në Krahinë. Ky raport gjithashtu i jep të drejtë shtypit, veçanërisht ‘shtypit të Beogradit’, në vendimin e tij nëse situata e vërtetë ekspozohej me vonesë dhe ofron një rast që në praktikë është tejet pa përgjigje për autoritetet serbe që të ripohojnë e më pas të ushtrojnë kontroll të rreptë mbi Kosovën. Për më tepër, në prag të publikimit të këtij raporti, mund të pritet që t’i kushtohet më shumë vëmendje incidenteve nacionaliste të të gjitha llojeve në të gjithë Jugosllavinë.
  2. Pyetja që deri më sot ka mbetur pa përgjigje, është: Pse raporti është bërë publik tani? Kemi dëgjuar zëra të pakonfirmuara se mund të vijojë përjashtimi i Bakallit nga LKJ dhe procedurat penale. Siç po raportoj më vete, ka pasur kritika mbi ashpërsinë e disa dënimeve të caktuara për të rinjtë në Kosovë gjatë verës. Siç tregojnë të dhënat, Bakalli ka luajtur rol kryesor duke lejuar një shumicë ndjenjash nacionaliste që të përparonin shumë larg në Kosovë; Situata anormale e dhjetëra studentëve që vuajnë dënime të rënda ndërkohë që Bakalli është i lirë mund të mos jetë e pranueshme për shumë kohë.

I Juaji

Charles Crawford

Oficer Informacioni

Për dijeni: P Rennie Esq

Departament i Kërkimit, FCO

                                                                               -100-

Për përdorim të kufizuar

Ref Nr: 15/2                                                                                               Ambasada britanike

Beograd                                                                                                           29 shtator 1981

J C R Gray Esq

EESD, FCO

I nderuar Charles,

                                  Kosova: më shumë ndryshime në udhëheqje

Përmbledhje

  1. Siç pritej, Dushan Ristiq dha dorëheqjen si Kryetar i Kuvendit të Kosovës më 25 shtator, por jo pa dhënë një fjalim të hidhur për dorëheqjen e tij. Kreu i Këshillit Ekzekutiv të Kosovës u zëvendësua. Gjithashtu u bënë disa ndryshime në udhëheqjen e Lidhjes Socialiste të Kosovës dhe RTV e Prishtinës.

Detaje

Kuvendi i Kosovës

  1. Siç e parashikoi Terence Clark (në letrën e tij drejtuar Alan Montgomery më 10 gusht, paragrafi i fundit), procesi i diferencimit në Kosovë nuk ka përfunduar ende. Në një mbledhje të përbashkët të tre Dhomave të Kuvendit të Kosovës më 25 Shtator, Ilia Vakiq u zgjodh si Kryetari i ri i Kuvendit i cili zëvendësoi Dushan Ristiqin dhe Riza Sapunxhiu zëvendësoi Bahri Oruçin si Kryetar i Këshillit Ekzekutiv. (Vakiq (vl. 1930) ka ecur përpara përmes niveleve politike në Kosovë dhe është anëtar i Komitetit Krahinor të LKK; Sapunxhiu (vl.1925) ishte nën/kryetar i Këshillit Ekzekutiv, por ka një eksperiencë të gjatë në çështje biznesi dhe bankare të Kosovës).
  2. Dorëheqja e pashmangshme e Ristiqit është diskutuar në letrën e përmendur të Terence Clark, por ai nuk kërkoi asnjë falje në fjalimin e tij të dorëheqjes. Ai pranoi një masë përgjegjësie të përgjithshme, por për përhapjen e aktivitetit armiqësor në Kosovë, ia vuri fajin “organizatës së papërgjegjshme dhe udhëheqjes së LKK”. Ai argumentoi se përgjegjësia e tij si Kryetari i Kuvendit de fakto ndryshonte shumë nga përgjegjësia e atyre personave, puna dhe rëndësia e të cilëve nënkuptonte se ata kishin qenë plotësisht të informuar. Ai mbështeti vlerësimet zyrtare të LKJ mbi shkaqet e trazirave në Kosovë dhe masat e marra për trajtimin e tyre. Për pasojë, sulmet e bëra ndaj qëndrimit të tij ishin të barazvlefshme me sulmet e bëra ndaj politikës së LKJ. Ky fjalim i hidhur u pranua pa komente.
  3. Pas dorëheqjes së Uruçit (ai tashmë e kishte humbur punën e tij në Komitetin Krahinor të LKK – shih letrën e Terence Clark në bazë të Referencës) vijoi një kritikë e ashpër mbi performancën e kohëve të fundit të Kuvendit dhe Këshillit Ekzekutiv të Kosovës nga Muhamer Imeri, Kryetar i Komisionit të ngritur për të shqyrtuar punën e Kuvendit dhe Këshillit. Ai tha se Kuvendi nuk kishte arritur të ushtronte kontroll të mjaftueshëm mbi Këshillin dhe në të ardhmen do të kishte bashkëpunim më të ngushtë midis Kuvendit të Kosovës dhe atij të Serbisë për të shmangur vonesat në miratimin e legjislacionit të ri. Kuvendi, kishte qenë veçanërisht i dobët në ushtrimin e përgjegjësive të tij kushtetuese në fushën e bashkëpunimit me Shqipërinë. Edhe shërbimi i sigurisë në Kosovë kishte qenë i pakualifikuar dhe i çorganizuar. Në të ardhmen, vëmendje e veçantë do t’i kushtohej forcimit të lidhjeve me bazën e deleguar dhe sigurimit se kjo bazë do të kuptonte atë që diskutohej. Kuvendi e pranoi këtë vlerësim.

Lidhja Socialiste e Kosovës

  1. Në letrën time dërguar për ju më 3 qershor, kam përmendur diskutimet mjaft të padobishme të Lidhjes Socialiste të Kosovës. Në një mbledhje të Komitetit Krahinor (KK) të Aleancës Socialiste të Popullit Punëtor të Kosovës (ASPPK), përsëri më 25 shtator, u paraqit një raport ku thuhej se KK mbante përgjegjësi të veçantë për paefektshmërinë e gjatë të ASPPK. Kryetari i KK, Mihailo Zvicer u zgjodh për përmendje të veçantë në këtë drejtim. Mustafa Rushiti (i cili, siç do ta kujtoni, filloi polemikën në shtyp në muajin shkurt duke sulmuar ‘shtypin e Beogradit’ – përmendur në letrën time dërguar për ju më 5 gusht) tha më pas se ai nuk do të fliste për përgjegjësinë e Zvicerit, meqenëse Zvicer ishte i sëmurë, por theksoi se ASPPK nuk e kishte pasur në agjendë çështjen e marrëdhënieve ndër-komunitare për 7 vjet. Josuf Kelmendi tha se ASPPK kishte qenë “pa mend” gjatë periudhës së kundërrevolucionit në Kosovë.
  2. Më pas u pranuan kërkesat e Dr. Gazmend Zajmit dhe Muharrem Kryeziut që të liroheshin nga detyrat e tyre në KK, ndërsa Brigadier Gjeneral Fadil Çuranolli, Asllan Fazlia, Dr. Minir Dushi, Ismail Mikulovci, Desimir Jovanoviq, Nevzad Hudaverdi dhe Musa Beka u zgjodhën në KK, gjë që dukej si një përpjekje për të forcuar vendimet dhe efikasitetin e këtij Komiteti.

Ndryshime të tjera

  1. Letra ime dërguar për ju me datë 15 korrik përmend (në paragrafin 4) se do të merreshin masa kundër Shaban Hysenit, Drejtor i Radio Prishtinës. Ai është pushuar në gusht dhe më 25 shtator është zëvendësuar nga Dragan Markoviq, ish drejtues i LKK lokale në Prizren. Fahredi Gunga, Drejtor i TV Prishtinës është zëvendësuar nga Agim Zatriqi (anëtar i Komitetit Krahinor të LKK). Petrit Dushi dhe Gojko Radovanoviq u pushuan nga postet e tyre si redaktorë kryesorë në RTV-në e Prishtinës. Në fund, u pushua gjithashtu edhe Emin Berisha, drejtor i Institutit të Statistikave Krahinore.

I Juaji

Charles Crawford                                                                Oficer Informacioni

Për dijeni: P Rennie Esq

Departamenti i Kërkimit, FCO

(VAZHDON)