Arkiv / Ripublikim

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: Dokumente britanike për Pranverën Shqiptare ’81 në Kosovë

 Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba

 DOKUMENTE BRITANIKE PER DEMONSTRAT E VITIT 1981 NE KOSOVE

                                                                                     * * *

Dokumentet britanike për Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, sjellin para lexuesit informacione të rëndësishme, për një ngjarje me shumë interes të historisë bashkëkohore të shqiptarëve. Janë afër 300 faqe dokumente të vjela nga Arkivat Britanike në Londër, të natyrës diplomatike, politike, shoqërore, ushtarake etj. Shumica e dokumenteve i përket korrespodencës së Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Beograd, me Ministrinë e Jashtme dhe të Komonuelthit (Foreign and Commonwealth Office – FCO) dhe një numër më i kufizuar informacionesh të përcjella nga Konsullata e Përgjithshme Britanike në Zagreb. Dokumentet përfshijnë edhe korrespodencën  diplomatike të ambasadave të Madhërisë së saj, në: Athinë, Ankara, Moskë, Vjenë e deri në Abu Dhabi [Emiratet e Bashkuara Arabe], me Londrën. Pjesa më e rëndësishme e kësaj korrespodence i është bërë e njohur edhe Uashingtonit, me të cilin Londra konsultohej herë pas here dhe, siç dëshmojnë dokumentet, duket se ndanin edhe qëndrime të përbashkëta.

Një vend të konsiderueshëm zënë edhe artikujt e shtypit të vendeve perëndimore. Imazhet e para të qëndrimeve të diplomacive perëndimore ndaj Demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, dhe ndaj çështjes shqiptare, u përcollën pikërisht përmes këtyre artikujve. Në të vërtetë, disa prej shkrimeve të shtypit perëndimor dhe sidomos të atij austriak e gjermano-perëndimor shprehnin më qartë përmasat reale të asaj që po ndodhte në Kosovë në pranverën e vitit 1981, të egërsisë me të cilën u soll Jugosllavia ndaj demonstruesve dhe intelektualëve shqiptarë gjatë dhe pas demonstratave. Në ndonjë dokument specifik të këtij botimi do të pranohej e argumentohej juridikisht legjitimiteti dhe drejtësia e kërkesës kyçe “Kosova Republikë”.

Tematika e këtyre dokumenteve është e pasur dhe e larmishme, por, përmbajtja e saj mund të rivijëzohet në disa drejtime, të cilat fokusohen: tek  nacionalizmi i shqiptarëve të ish-Jugosllavisë; tek shkaqet e Demonstratave të mars-prillit të vitit 1981; tek kërkesa kryesore e tyre “Kosova Republikë”; tek roli i Shqipërisë në këto demonstrata dhe tek marrëdhëniet e saj me Jugosllavinë; tek politika zyrtare e Britanisë së Madhe ndaj Jugosllavisë dhe kërkesave të shqiptarëve; tek reagimi i organeve të larta partiake e shtetërore në  Serbi e  Federatë, gjatë dhe pas demonstratave; tek qëndrimet e dyzuara të udhëheqësve shqiptarë në Kosovë; tek analizat interesante për kushtetutshmërinë e kërkesës së demonstruesve “Kosova Republikë”; tek hamendësimet intriguese për vdekjen e papritur të kryeministrit të Shqipërisë, Mehmet Shehu etj.

Hartuesit e dokumentacionit në përgjithësi i gjejnë rrënjët e krizës brenda Jugosllavisë dhe jo jashtë saj, në kundërshtim me përpjekjet e udhëheqësve jugosllavë, që i kërkonin ato jashtë Jugosllavisë, kryesisht tek politika e shtetit shqiptar apo e Bashkimit Sovjetik. “Nacionalizmi në Kosovë, përmendet me të drejtë në një informacion të Ambasadës britanike në Beograd, është një problem endemik, të cilin as Tito nuk mundi ta zgjidhte”. Dokumentacioni hap rrugën për një analizë më realiste e më të plotë të Demonstratave të vitit 1981 në Kosovë.

Politika zyrtare britanike e vitit 1981 ishte për ruajtjen e Jugosllavisë dhe të tërësisë së saj territoriale, ndërsa kërkesa e shqiptarëve “Kosova Republikë” shihej me dyshim dhe rrezikshmëri, sepse pranimi i saj mund t’i hapte rrugë shpërbërjes së Jugosllavisë dhe hapjes së  “Kutisë së Pandorës”. Sidoqoftë, nuk do të mungonin edhe gjykimet dhe zërat e veçantë jashtë kuadrit zyrtar, të cilat e konsideronin të drejtë kërkesën e shqiptarëve për barazi brenda Federatës Jugosllave. Disa artikuj të shtypit të këtyre muajve, ndonëse furnizoheshin me “karburant” nga shtypi dhe autoritetet jugosllave, arritën në konkluzione më të drejta se vetë politikanët e shteteve të tyre, duke pranuar opsionin “Kosova Republikë”, madje edhe shkëputjen e saj nga Jugosllavia, duke sjellë si shembull historinë e disa vendeve evropiane.

Qeveria jugosllave, siç dëshmon dokumentacioni, qëllimisht e keqinterpretonte  kërkesën e demonstruesve për “Kosovën Republikë”, me shkëputjen e saj nga Jugosllavia dhe me ndryshimin e kufijve, duke e ditur se një opsion i tillë, do të prishte ekuilibrat dypolarë dhe do të kundërshtohej nga Perëndimi. Në mënyrë jo korrekte dhe të përsëritur, disa politikanë jugosllavë i referoheshin Aktit Final të Helsinkit, për pandryshueshmërinë e kufijve evropianë të vendosur pas Luftë së Dytë Botërore, duke “harruar” të përmendnin një nga nenet e tij, i cili i hapte rrugë ndryshimit të kufijve në mënyrë paqësore. Sidoqoftë, në rrethanat e “Luftës së Ftohtë” ishte gati e pamundur të “kapërceje gardhin”. Frika dhe paragjykimi për tjetrin ishin të pranishëm kudo. Por, studentët, punëtorët dhe intelektualët e Kosovës nuk kërkuan ndryshimin e kufijve, por barazi me republikat e tjera të ish-Jugosllavisë.

Në ndonjë dokument të këtij vëllimi vihet në dukje një tipar i veçantë i nacionalizmit shqiptar – prirja drejt të drejtave kombëtare dhe jo drejt lirive individuale, sikurse ndodhte në vendet anëtare të KSBE-së, ku bënte pjesë edhe Jugosllavia. Prirja për të drejta dhe liri individuale, ishte karakteristike për vendet ish-komuniste të Evropës Qendrore e Lindore, [ndonëse edhe Jugosllavia kishte problemet e veta], por, tek shqiptarët interesat kombëtare kishin fituar prevalencë mbi liritë dhe të drejtat e njeriut, për kohën kur u hartuan këto dokumente.

Dokumentet nuk i shpëtojnë dot subjektivizmit dhe këndvështrimeve të ndryshme, jo thjesht se ato janë ushqyer nga burime zyrtare jugosllave, por kryesisht për shkak të “doganës” që vë koha. Por, kjo nuk e cenon vlerën e tyre. Publikimi i këtij korpusi dokumentar do ta pasurojë më tej njohjen tonë për Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, do të na ndihmojë të gjykojmë më mirë për historinë e saj, për njerëzit që morën pjesë dhe mbi të gjitha për drejtësinë e kërkesës “Kosova Republikë”. Viti 1981 shënoi një pikë kulmore të kërkesave kombëtare të shqiptarëve, por jo fundin e një rruge të gjatë, e cila do të vazhdonte dhe do të kurorëzohej vetëm në fillim të shekullit të XXI, me shpalljen e shtetit të pavarur të Kosovës.

Shpresojmë dhe besojmë se publikimi i këtij vëllimi origjinal dhe intrigues do të tërheqë vëmendjen e lexuesit të thjeshtë, studiuesve të shkencave shoqërore, e veçanërisht të historianëve. Interesi besojmë se do të jetë i shumëfishtë për njerëzit që bënë historinë në ato vite, të cilët janë ende gjallë. Dokumentacioni është përcjellë sipas kronologjisë së ngjarjeve, pa i cunguar e hequr pjesëza nga trupi i tyre.

                                                     Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba

                                                                                  -46-

Konfidenciale

J C R Gray Esq                                                                                      Ambasada britanike

EESD, Beograd                                                                                          3 qershor 1981

FCO

                                            Kosova: situata e brendshme politike

Gjatë kësaj jave nuk ka ndodhur asgjë mbresëlënëse që të ndikojë në situatën e përgjithshme në Kosovë qoftë për mirë apo për keq. Fjalimet dhe deklaratat zyrtare tregojnë se autoritetet e shohin veten e tyre përballë një problemi afatgjatë dhe të vështirë në Krahinë. Thirrjet e përsëritura për më pak “takime maratonë” dhe më shumë veprim, si dhe natyra e incidenteve të reja të raportuara në shtyp, sugjerojnë që nëse nuk ka opozitë aktuale ndaj masave të autoriteteve për të shtypur ndjenjat nacionaliste-lokale, shumë njerëz do të ngurrojnë në zbatimin e tyre. Një mbledhje e Lidhjes Socialiste të Kosovës la shtegun hapur për akuza të pazakonta të paaftësisë dhe korrupsionit në jetën publike lokale.

Deklarata zyrtare

  1. Fadil Hoxha përmendi në një vizitë në Prizren, më 29 maj, disa nga temat e mësipërme. Ai tha se situata në Kosovë ishte ende “e komplikuar”. Kishte ardhur momenti për veprime praktike dhe jo për mbledhje të gjata të lodhshme për të vendosur për kursin e saj. Më shumë aktivitet nevojitej në mesin e të rinjve, veçanërisht në fshatra ku sjellja nacionaliste kishte hapësirën më të madhe (veçanërisht, pa dyshim pas vendimit për të mbyllur Universitetin më herët).
  2. Në një intervistë të gjatë të raportuar në gazetën “Politika” më 1 qershor, Dragoslav Markoviç i përsëriti këto vërejtje. “Fakt është se puna ideologjike me të rinjtë ka qenë e pamjaftueshme, e varfëruar dhe e stereotipizuar. Kjo ka pasoja me ndikim të gjerë. Është punuar me të rinjtë në Kosovë “por fatkeqësisht nuk është punuar nga ana jonë”. Parimi i centralizmit demokratik nganjëherë është keqinterpretuar plotësisht në Jugosllavi, tha Markoviç. “Ne pranojmë direktivat por nuk marrim pjesë sa duhet në procesin e marrjes së vendimeve. Rezultatet janë të dukshme – mospërputhje në zbatimin e tyre”. Duhet kohë e konsiderueshme që situata në Kosovë të stabilizohet; meqenëse përgatitjet për aktivitet kundërrevolucionar kanë ndodhur për një kohë të gjatë, po kështu në mënyrë korrespondouese nevojitet një kohë e gjatë për rikthimin e situatës. Pa dyshim ka pasur forca në Kosovë të cilat ishin në gjendje dhe të gatshme të zgjidhnin fitoren e vetëmenaxhimit socialist (e panevojshme të thuhet, vlen të përmendet se nuk ka nevojë për ta theksuar këtë). Njerëzit nuk duhet të jenë të padurueshëm me komunistët kosovarë të cilët duhej të bënin betejën kryesore.

Lidhja Socialiste e Kosovës

  1. Disa nga personat përgjegjës për zhvillimin e betejës kryesore shprehën pakënaqësi për punën e tyre gjerë më sot kur më 1 qershor u mblodh Konferenca Krahinore e Lidhjes Socialiste të Kosovës, për të shqyrtuar situatën e vitit të kaluar dhe për t’u përgatitur për vitin tjetër si dhe për të konfirmuar Azem Vllasin-kryetar. Megjithatë, mbledhja ishte kryesisht e paharrueshme për akuzat e ngritura në të nga delegatë të ndryshëm për shpërdorim të detyrës dhe korrupsion. Siç raportohet në gazetën Politika, u bënë akuza, ndërmjet të tjerash, se fondet zyrtare janë shpërdorur për qëllime private, se ekzistonin ryshfeti dhe nepotizmi, se janë organizuar udhëtime të shtrenjta të panevojshme me shpenzimet publike, se makinat zyrtare janë marrë për përdorim privat, e kështu me radhë. Kryetari i Shoqatës së Veteranëve të Kosovës, tha se akuza të ngjashme në të kaluarën “janë hedhur poshtë në disa drejtime si kritikë-nxitëse dhe për konservatizëm”.
  2. Për sa i përket masave për trajtimin e problemeve politike në Krahinë, anëtari i Kryesisë së Lidhjes Socialiste, Jusuf Kelmendi, tha se duhet të ndalohen aktivitetet që ngjajnë si “forume”. Ka pasur diskutime dhe një mal me letra të pafundme, të pavlera dhe abstrakte. Nevojitej veprimi praktik. Një delegat tjetër tha se që më 11 mars ka pasur vetëm një (!) mbledhje aktive në të cilën shumë pak është vendosur në drejtim të veprimit, përveç katër mbledhjeve për të studiuar një raport mbi aktivitetin e vitit të kaluar.
  3. Nisur nga konstatimet në raportet e shtypit, edhe kjo mbledhje nuk arriti të dalë me një plan të thellë. Sidoqoftë, u theksua se çdo përpjekje për të shtrënguar serbët dhe malazezët që të largohen nga Kosova duhet trajtuar me ashpërsi dhe se duhet të analizohet çdo rast emigrimi për të parë nëse është bërë presion.

Situata lokale

  1. Këto shprehje të ndryshme të shqetësimit zyrtar janë përforcuar nga qarkullimi i vazhdueshëm i lajmeve mbi situatën lokale së cilës iu referua Terence Clark në letrën e tij të datës 17 maj drejtuar Alan Montgomery, paragrafi 15. Raportet e mbledhjeve të komiteteve krahinore të LKJ-së në Ferizaj dhe Istog e bënë të qartë se trazirat vazhdonin dhe se përpjekjet për trajtimin e tyre nuk po shkonin mirë. Kështu, në Ferizaj vazhdonin hapat intensive të LKJ-së “për t’i hequr maskën forcave armike”, por “heshtja dhe oportunizmi” ishin ende mbizotëruese; ishin shkruar parulla dhe ishin ftuar njerëzit për t’u bashkuar me demonstratat ose ishte bojkotuar mësimi. Më e rëndë kjo situatë paraqitej në një shkollë të mesme, në një qendër shëndetësore publike, në fabrikë veglash dhe punimesh druri si dhe në disa shkolla fillore. Drejtori i shkollës së mesme arriti deri aty sa tha se 80% e kuadrove nuk kishin kualifikimin e duhur për punën që bënin. Programi shkollor ishte “i ngarkuar me historicizëm, gjë që e ka lehtësuar detyrën e mësuesve që të shprehnin sjellje nacionaliste”.
  2. Më 31 maj gazeta “Borba” sulmoi ashpërsisht Komitetin Krahinor të LKJ-së të Istogut për neglizhencë në trajtimin e trazirave të rifilluara aty. Në Istog demonstratat ishin zhvilluar më 30 prill, pothuajse një muaj pas demonstratave kryesore tjetërkund në Kosovë; gazeta “Borba” pretendoi se përgatitjet për këto demonstrata ishin të njohura publikisht. Studentët kishin krijuar parulla, ndërsa aktivistët e Lidhjes Socialiste ishin sulmuar me gurë nga njerëz lokalë. Megjithatë pas demonstratave nuk u ngrit asnjë akuzë penale. Një raport i përgatitur për mbledhjen e LKJ-së të datës 20 maj thoshte se policia ishte çorganizuar. “Një numër forcash policore thjesht nuk dëshironin të ndërhynin kundër demonstruesve”. Një njësi policore nga Peja ishte e domosdoshme të kërkohej për të ndërhyrë para se të shpërndaheshin demonstruesit. Një raport i gazetës “Politika” që bënte fjalë për të njëjtën mbledhje përfshinte një mori detajesh të vogla shqetësuese dhe demaskuese. Një shembull i tillë është: Kryetari i Komitetit Krahinor tha se dy demonstrues të plagosur kishin kapërcyer radhën për vende në një qendër rehabilitimi, ishin larguar por ishin kthyer dy ditë më pas. Pas kritikave mbi mënyrën se si udhëheqësit lokalë i kishin trajtuar çështjet kohët e fundit, gazeta “Borba” tha: “Nuk mund të kërkohet dallimi ideologjiko-politik në bazë nëse në nivelet e larta duhet të lihet i paprekur”.
  3. Sidoqoftë, spastrimi kishte vazhduar. Gazeta “Politika” raportoi se midis datave 11 mars (!) dhe 20 maj, 440 njerëz ishin përjashtuar nga Partia, dhe pothuajse çdo ditë kishte raportime dëbimesh të reja apo sanksionesh të tjera. Përshkrimi i gazetës “Politika” mbi mbledhjen e Istogut përmendte se një mësues malazez ishte dënuar me 12 vjet burgim për “aktivitet armiqësor nga pozita neoinformo-zyrtare”. Ky dënim duket jashtëzakonisht i rëndë. Gazeta “Politika” komentoi në mënyrë kritike se ndërkohë që në raste të tjera nuk ishte dhënë një vendim i tillë, këtu ishte pikërisht vendimi që ai mësues meritonte. Nuk kemi informacione të tjera për këtë pikë. Ndërkohë, Universiteti i Prishtinës është rihapur për periudhën e provimeve.
  4. Gazetat “NIN”, “Ilustrovana Politika”, “Duga” dhe padyshim artikuj dhe periodikë të tjerë që ne nuk i monitorojmë, i janë futur punës me shumë zell dhe po publikojnë një sasi të tërë informacionesh për rastet individuale shqetësimi apo keqtrajtimi. Kështu, gazeta “Duga” kishte një artikull të gjatë për serbët të cilët pretendonin se ishin detyruar të linin tokat dhe shtëpitë e tyre. Gazeta “NIN” raportoi se disa serbë kishin gjetur pemët e tyre frutore të prera dhe po kështu gazeta “Ilustrovana Politika”, ndoqi po të njëjtën histori plotësisht. Në këtë drejtim, akuza e sekretariatit të Seksionit të Informacionit në Kosovë se revistat nacionaliste të Beogradit kishin qenë “subjektive, negative dhe sensacionale” në raportimin e tyre të ngjarjeve në Kosovë (shih gjithashtu letrën e Terence Clark përmendur më lart, paragrafi 9) u hodh poshtë me vendosmëri nga Konferenca e Kosovës; me të vërtetë vetë Seksioni ishte paralajmëruar për mungesë vigjilence! (Meqë ra fjala, lidhur me fuqinë e saj për të mbuluar çështjet e Kosovës, qarkullimi i gazetës “NIN” ka arritur tashmë 200,000 kopje në javë dhe po i kushtohet vëmendje edhe prodhimit të kësaj gazete në shkrimin romak).

Konkluzion

  1. Masa e lajmeve dhe analizave që po shfaqen në shtyp për Kosovën padyshim bën që njeriu të pyesë se çfarë zgjidhjeje mund të gjendet për t’u marrë me armiqësitë e thella dhe të dukshme nacionaliste që kanë inkurajuar vitet e vetëkënaqësisë zyrtare. Më e pakta, autoritetet qendrore kanë nxjerrë një mësim të dhimbshëm duke lejuar Kosovën që të ndjekë njëkohësisht politikat e decentralizimit dhe autonomisë lokale dhe kontrollin e gjithanshëm të lajmeve.

I Juaji
Charles Crawford
Oficer Informacioni

Për dijeni: P Rennie Esq
Departamenti i Kërkimit, FCO
P Rosling Esq,
HMC-G, ZAGREB
-47-

Për përdorim të kufizuar

  1. E. Montgomery Esq Ambasada britanike

Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore                                                      Beograd

Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit                                                                10 qershor 1981

I nderuar Alan,

                                         Kosova: situata e brendshme politike

  1. Siç e kam raportuar në letrën time të datës 27 maj, gjithnjë e më shumë çështje po dalin në shtyp lidhur me përgjegjësinë politike për gjendjen aktuale në Kosovë. Në veçanti, vazhdon të shfaqet kërkesa e përsëritur e Joze Smoles që të publikohet vlerësimi i Kardeljit i vitit 1977. Çështja u ngrit nga gazetarët jugosllavë në një konferencë për shtyp të dhënë nga Azem Vllasi, kryetar i Lidhjes Socialiste të Kosovës, më 5 qershor; gjithashtu gazeta “NIN” këtë javë ka tërhequr përsëri vëmendjen ndaj saj, duke botuar një intervistë me Mitja Ribiçiç nën titullin: “Çfarë tha Kardelj”.
  2. Ribiçiç, kryetar i Aleancës Socialiste të Sllovenisë, ka qenë subjekt i një sërë intervistash gjatë muajve të fundit kryesisht sepse, unë dyshoj, ai e ka zakon të shprehë mendimin e tij në një gjuhë të thjeshtë, gjë për të cilin ai është kërkuar nga kolegët e tij të dëshmojë kur herë pas here e kalon masën. Me këtë rast, gazeta “NIN”, pyeti ndër të tjera nëse ai mund të jepte thelbin e asaj që Kardelj ka thënë për aktivin politik në Kosovë në vitin 1977. Përgjigja e tij ngre pyetje të tjera të vështira.
  3. Ribçiç tha se edhe një shikim i shpejtë në temën e këtij diskutimi tregon se “nuk duhet të ishim çuditur për atë që ndodhi gjatë muajve të fundit në Kosovë”. Ai besonte se Kardelj, “megjithëse pati përpjekje për ta çorientuar atë”, ka dhënë një vlerësim që edhe në ditët e sotme ishte jashtëzakonisht interesant dhe paralajmëronte për kundërrevolucionin që kishte ndodhur që atëherë. Kardelj kishte thënë se ishte e vështirë të bihej dakord që situata politike ishte aq “e mirë” sa ata thonin dhe se gjithsesi nuk do të zgjaste nëse “ata” vazhdonin siç po bënin, pra nëse ata vepronin pa pyetur për interesat më të gjera të të gjithëve dhe kërkonin zgjidhje për problemet e Kosovës vetëm përmes kërkesave për më shumë para ose, sikurse u shpreh Ribçiç, “përmes një marrëdhënieje parazitare me ata që garantonin fondet”.
  4. Kardelj paralajmëroi gjithashtu për rreziqet e politikës në drejtim të fshatrave, gjë që rezultoi në migrimin e një numri të madh të rinjsh jashtë vendit ose në qytete për të studiuar apo punuar, duke shkaktuar probleme serioze sociale dhe politike.
  5. Kardelj e pa nacionalizmin shqiptar pjesërisht si rezultat i nacionalizmit më të hershëm serb por vlerësonte se shqiptarët, si shumicë, kishin tani përgjegjësi për të drejta të barabarta të nacionaliteteve të tjera. Kishte arsye mjaft objektive për nacionalizmin shqiptar në prapambetjen e Kosovës dhe traditat e vjetruara, që mund të bëheshin shkak për kundërrevolucion pa krijuar interesa të veçanta për nacionalitetin shqiptar.
  6. Në fund, Kardelj pranoi se ekzistonte faktori i emigrantëve shqiptarë, por duket se i hoqi nga mendja duke menduar se nuk ishin në gjendje që të dëmtonin Jugosllavinë. Ai foli gjithashtu për disa manifestime ftohjeje të udhëheqjes në Kosovë nga populli, për privilegje…
  7. Me pak fjalë, Ribçiç, i cili ka ose kujtesë të jashtëzakonshme ose kopje të asaj çfarë tha Kardelj (unë dyshoj për këtë të fundit), thoshte se Kardelj kishte parë me saktësi se nga frynte era në Kosovë pikërisht katër vjet më parë. Ajo çfarë Ribçiç nuk tha, por çështja është lënë qartazi pezull, është se përse nuk është bërë asgjë për të ndrequr tendencën e dëmshme nga njerëz të cilët, përveç Bakallit, ishin në pushtet atëherë dhe janë ende sot. Vllasi tha në konferencën e tij për shtyp që ai personalisht nuk e besonte se kishte përpjekje të qëllimshme për të zhdukur regjistrimin e diskutimit të Kardelj, por është e qartë se gazetarët dhe të tjerët pikërisht këtë mendonin. Kushdo mund të supozojë se autoritetet nuk mendojnë se do të ishte në interesat e tyre që të zbulonin çdo gjë aktualisht por sipas mendimit tim ata do të duhet që herët a vonë të nxjerrin të vërtetën, nëse vazhdon presioni i tanishëm për të kërkuar shpjegim.
  8. Me artikullin e saj të përditshëm për Kosovën, gazeta “Politika” e datës 9 qershor, të cilën Charles Crawford është duke e raportuar në hollësi, ndihmon për të ndjekur presionin me një seri pyetjesh të mprehta lidhur me përgjegjësinë për situatën. Duke renditur mangësitë e panumërta të Universitetit të Prishtinës, gazeta “Politika” pyet se çfarë kanë bërë për to 4,800 anëtarët e LK-së në radhët e studentëve dhe stafit mësimdhënës. Organizimet e LK-së të Universitetit janë të lidhura me Konferencën e LK-së të qytetit, e cila thekson gazeta “Politika”, ende nuk e ka vlerësuar situatën në Universitet, përveç disa kritikave verbale. Pyetja e papritur është – pse jo? Gazeta “Politika” vazhdon më tej duke theksuar se shumica e stafit mësimdhënës ishte emëruar “pa dijeninë dhe influencën e fakulteteve”. Askush nuk pyet pse, thotë gazeta “Politika”, e madje as Konferenca e LK-së së Prishtinës, e cila ka përgjegjësi të konsiderueshme për situatën në Universitet. Studentët mbarojnë universitetin pa ditur gjënë e parë mbi marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë dhe Federatën. Për çfarë është stafi mësimdhënës? – pyet gazeta “Politika”. Më seriozisht, gazeta “Politika” pyet se si ka ndodhur që kjo marrëdhënie është hequr nga dokumente të ndryshme zyrtare, për të cilat organet e Këshillit Ekzekutiv të Kosovës janë përgjegjëse dhe askush nuk është kërkuar ende të përgjigjet për këtë apo është përjashtuar nga LKJ-së.
  9. Objektivi kryesor i gazetës “Politika” është universiteti, ku më në fund dhe haptazi me shumë ngurrim, rektori dhe dy zëvendësrektorët paraqitën dorëheqjet e tyre javën e kaluar, të cilat u pranuan nga Këshilli i Universitetit në mbledhjen e tij të datës 9 qershor. Universiteti, vëren gazeta “Politika”, i detyrohet një përgjigje të gjithë atyre punëtorëve të cilët kanë investuar në të. Po kështu, Konferenca e LK-së së Prishtinës u detyrohet një përgjigje. Mbetet për t’u parë nëse do të ketë ndonjë përgjigje në të ardhmen, por të krijohet përshtypja se në qarqet politike po kuptohet shumë ngadalë se nuk është më e mundur që njerëzit në poste të larta të shmangen nga përgjegjësia për gabimet e tyre, qoftë të veprimeve a mosveprimeve. Një zëvendëssekretar i Sekretariatit të Punëve të Brendshme të Kosovës dha dorëheqjen javën e kaluar. Duket e sigurt se drejtues të tjerë do të marrin tatëpjetën.

I Juaji, T. J. Clark

Rennie Esq; P. Rosling Esq

Departamenti i Kërkimit, Zagreb

-48-

Për përdorim të kufizuar

J C R Gray Esq                                                                                      Ambasada britanike   

Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore                                                 Beograd         

Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit                                                            10 qershor 1981

I nderuar Charles,

                                              Kosova: një kronologji e ngjarjeve

  1. Vazhdimisht ju kemi informuar në mënyrë mjaft të plotë për ngjarjet në Kosovë, shpresoj, pa ju mbingarkuar me shumë detaje. Aq shumë ngjarje janë duke ndodhur çdo ditë në Krahinë dhe aq shumë informacione të reja filtrohen për ngjarjet e kaluara sa kemi vendosur që të mbajmë një kronologji të tyre me qëllim që të mos humbasim ndjekjen e fillit kryesor.
  2. Gazeta “Politika” dhe disa gazeta të tjera kishin të njëjtën ide. Gazeta “Politika” sapo ka publikuar kronologjinë e ngjarjeve në formë libri (një kopje e të cilit i është dërguar vetëm Departamentit të Kërkimit). Bashkangjitur po ju dërgoj kronologjinë e bërë nga Jon Ward nga data 11 mars deri më 31 maj, e cila mund të jetë e dobishme për ju. Ne do të vazhdojmë të mbajmë kronologjinë e ngjarjeve, nëse ato vazhdojnë të ndodhin me ritmin aktual.
  3. Vlen të theksojmë dy pika që dalin nga një kronologji e tillë. Së pari, ka pasur qartazi shumë më tepër punëtorë të përfshirë në demonstratat e prillit sesa ishim drejtuar për të besuar. Për më tepër, ka qenë shumë e vështirë për të bindur personat e përfshirë që të pranonin gabimet e tyre. Kjo është shqetësuese për autoritetet për të cilat “punëtorët” kanë një domethënie të veçantë ideologjike dhe shihen si tejet të pastër. Së dyti, aktiviteti antiserbo-malazez ka ndodhur gjithashtu në shkallë më të gjerë sesa autoritetet u përgatitën të pranonin fillimisht. Kjo thyerje e “vëllazërim-bashkimit” është veçanërisht shqetësuese për autoritetet meqenëse vë në dyshim efektivitetin e një prej pikave kryesore të politikës së brendshme të Titos. Më shumë në këtë çështje do ju njoftoj së shpejti.

I Juaji,

  1. J. Clark

Për dijeni: P. Rennie Esq

Departamenti i Kërkimit, FCO

                                                                                            -49-

Konfidenciale

J C R Gray Esq                                                                                       Ambasada britanike

EESD                                                                                                                  Beograd

FCO                                                                                                              10 qershor 1981                    I nderuar Charles,

                                  Kosova: situata e brendshme dhe universiteti i Prishtinës

    Kjo javë ka kaluar përsëri me diskutime pa rezultat për situatën në Kosovë në një seancë të Kuvendit të Kosovës dhe një nga Konferencat Krahinore të LKJ-së së Prishtinës. Nuk ka shenja se autoritetet po ia dalin “për të diferencuar” më me efektivitet dhe mungesa e progresit në këtë drejtim në Universitetin e Prishtinës në veçanti ka shkaktuar kritika shumë të ashpra nga shtypi. Çdo ditë publikohen më shumë detajeve të incidenteve të mëparshme nacionaliste në Kosovë, duke theksuar në mënyrë dramatike shtrirjen e dallueshme të fshehjes zyrtare që ka ndodhur gjatë një periudhe të gjatë para demonstratave të fundit.

Kuvendi i Kosovës dhe Konferenca Krahinore e Prishtinës

  1. Megjithëse mbledhja e Kuvendit të Kosovës, më 3 qershor, mund të mos ketë arritur shumë sukses në propozimin e zgjidhjeve, ajo prodhoi një masë informacionesh mbi aktivitetin e vazhdueshëm nacionalist në Krahinë. Një raport i përgatitur për Kuvendin mbi situatën politike midis 24 prillit dhe fundit të majit dha një përshkrim shqetësues të aktivitetit të përhapur, megjithëse në shkallë të vogël, dhe armiqësor: fletushka dhe parulla që lavdëronin Shqipërinë dhe kërkonin lirinë dhe u shfaqën kërkesat për lirinë e të burgosurve politikë; varret serbe ishin dhunuar dhe një kopsht frutor serb ishte shkatërruar; u raportuan dy greva; bojkotet e shkollave të mesme ishin të shumta; gjithashtu u bënë përpjekje të mëtejshme për të organizuar demonstrata (megjithëse konfiskimi i aparaturave të fotokopjeve dhe makinave të shkrimit kishin ndihmuar për të penguar një lëvizje të tillë). U bënë thirrje për dorëheqje në Universitetin e Prishtinës, ku edhe kishin shpërthyer trazirat kryesore. Një delegat u ankua se spastrimi po kryhet nga vegjëlia në nivelet më të larta dhe jo anasjelltas.
  2. Siç raportoi së paku gazeta “Politika”, mbledhja e Konferencës Krahinore të LKJ-së së Prishtinës, më 6 qershor, ishte një çështje shumë më pak interesante, për të cilën u përsëritën ankesat e përbashkëta deri më tani për dobësi në LKJ-së. Asllan Fazlija, kryetar i Konferencës, tërhoqi vëmendjen në “një klasë dhe strukturë të luftës revolucionare të papërshtatshme, organizim të pamjaftueshëm, veçanërisht në zonat më të mëdha ekonomike dhe në Universitet, si dhe nivel të ulët ideologjik dhe mungesë gatishmërie për anëtarësim”. Mospërputhja dhe njëanshmëria në zbatimin praktik nga LKJ-ja të politikave në lidhje me barazinë kombëtare, “veçanërisht në politikën e punësimit dhe kuadrove”, kishte ndihmuar në krijimin e ndjenjës së pasigurisë në mesin e serbëve dhe malazezëve. Tashmë kishte më shumë kërkesa prej tyre për t’u larguar nga Prishtina. “Eksodi i kuadrove të nevojshëm për ekonominë e Prishtinës dhe Kosovës ishte veçanërisht i dëmshëm” (Kemi në plan të raportojmë më vete për problemin e emigrimit të joshqiptarëve). Më 8 qershor, gazeta “Politika” e bëri të qartë se kjo mbledhje ishte e pasuksesshme. Seanca prej tetë orësh ishte marrë me argumente të vjetra dhe jo me paraqitjen e këndvështrimit vetëkritik të përgjegjësive kolektive dhe individuale të anëtarëve, thuhej në këtë artikull. Këto ngjarje kishin rrënjë të thella. Ajo që u përmend mjaft shpesh, por që nuk u shpjegua siç duhet, ishte kalimi në heshtje i propagandës nga Shqipëria dhe politikat e kuadrove para demonstratave.

Universiteti i Prishtinës

  1. Ankesa për një kohë të gjatë se anëtarët më të lartë të Universitetit të Prishtinës i janë shmangur përgjegjësisë për trazirat e krijuara, e që u përsërit me forcë në Kuvendin e Kosovës, më në fund dha rezultate. Më 1 qershor, u njoftua ofrimi i dorëheqjes i një prej zëvendësrektorëve; ndërkohë më 5 qershor u njoftua se rektori dhe një tjetër zëvendësrektor kishin ofruar dorëheqjen e tyre. Rektori u shpreh se po jepte dorëheqjen “për arsye të ndërgjegjes dhe ndjenjës së përgjegjësisë për situatën e përgjithshme në Universitet dhe në lidhje me të”.
  2. Sidoqoftë, këto gjeste vetëdiferencimi nuk mjaftonin për të kënaqur gazetën “Politika”, e cila më 9 qershor publikoi një artikull të gjatë sulmues dhe depërtues mbi mënyrën se si ishte drejtuar Universiteti. Konkluzioni i artikullit ishte se informacionet për Universitetin dhe menaxhimin e tij ishin të paqarta ose të pakuptueshme. Vlerësimet për numrin e studentëve, për shembull, varionin nga 48,000 në 54,000 dhe në një mbledhje të vetë Rektoratit javën e kaluar ishte vënë(në mënyrë të paqartë) në dukje se “asnjë nuk e di me saktësi sa është numri i studentëve, përveç gjatë rekrutimit kur zyra e ushtrisë gjen listat e dyfishta”. Studentët diplomoheshin ndërkohë që nuk dinin asgjë për statusin e Kosovës në Serbi dhe në Federatën Jugosllave, për progresin social në Krahinë, apo për pozitën e Jugosllavisë në botë (kjo ndodhte pasi disa nga studentët kishin më shumë se nëntë vjet në Universitet!). Megjithëse kishte pretendime se doktoratat ishin marrë “menjëherë” dhe se, sado të kushtonte, po krijoheshin kuadro shqiptarë pa formimin e duhur shkencor, askush nuk i kushtoi vëmendje. “Për çfarë ishin duke i përgatitur profesorët studentët e tyre? A ishin duke i ndarë ata gradualisht nga Serbia dhe Jugosllavia duke lartësuar historinë shqiptare, duke evokuar romanticizmin dhe “faktet historike” të sapo zbuluara për historinë e Ballkanit? Vështirë të besohet se këta profesorë vepronin nga injoranca”.
  3. Duke i renditur këto defekte në punët e Universitetit, gazeta “Politika”, u shpreh se heshtja ishte gjithashtu faji i institucioneve dhe agjencive krahinore të cilat i kishin bekuar politikat e këtij Universiteti. Kështu për shembull, kryetari i Kuvendit të Kosovës kishte thënë se ata kishin mësuar për krijimin e Universitetit vetëm nga gazetat, duke shtuar se Kuvendi nuk ishte shprehur në zgjedhjen e organeve të Universitetit me gjithë faktin se vetë Kuvendi e kishte miratuar ligjin për rregullimin e tyre. Në Konferencën Krahinore të Prishtinës ishte thënë se dekanët dhe zëvendësdekanët ishin emëruar “përtej dijenisë dhe influencës së fakulteteve”. Por lind pyetja, nga kush u emëruan atëherë? “Komunistët e pranishëm, fëmijët e të cilëve ishin në Universitet, nuk kërkuan asnjë shpjegim dhe as nuk u dha ndonjë i tillë”. Stema e Serbisë ishte hequr nga dëftesat e shkollave fillore dhe simboli që tregonte pozitën e Kosovës brenda Jugosllavisë ishte zhdukur nga dyert e institucioneve krahinore, vendime këto që duhet të jenë miratuar nga Këshilli Ekzekutiv i Kuvendit të Kosovës.
  4. Është thënë në shumë raste se “procesi i diferencimit” në Universitet kishte ecur veçanërisht ngadalë. Gazeta “Politika” raportoi se takimet e LKJ-së nuk ishin në gjendje të fitonin kuorumin e nevojshëm meqenëse studentët tani ishin në shtëpi. Në të vërtetë, Këshilli i Universitetit ishte vonuar në zhvillimin e mbledhjeve të tij për shkak të pamundësisë për të krijuar kuorumin e duhur, megjithëse takimi i radhës pritej të paraqiste një debat mbi përgjegjësinë dhe mënyrën se si Universiteti ishte bërë “një shtrat i ngrohtë i nacionalizmit”. Punëtorëve dhe njerëzve të tjerë si në Kosovë dhe në Jugosllavi në përgjithësi të cilët kishin investuar shuma të mëdha për qëllime arsimimi u duhej dhënë një përgjigje për këtë pyetje, tha gazeta “Politika”, dhe Konferenca Krahinore e Prishtinës, anëtarët e së cilës ishin gjithashtu komunistë nga Universiteti, duhej të jepnin një të tillë. “Megjithatë, fjalët e censurës të shprehura me zë të lartë dhe të përditshme, nuk mund të zëvendësojnë veprimin konkret. Shumë komunistë të Universitetit, si nga radhët e profesorëve dhe të studentëve, dështuan në këtë provim”.
  5. Megjithatë, një veprim konkret u shënua më 6 qershor. Që prej vitit të ardhshëm akademik e në vazhdim, komunitetet lokale ishin ngarkuar me përgjegjësinë për të vendosur se kush nga studentët duhet të kishte vende në konviktet për studentë, por gjithsesi, asnjë student që banonte 30-40 kilometra larg Prishtinës nuk do të përfitonte vend në konvikt meqenëse transporti në Prishtinë ishte i mirë organizuar. Kështu, 600 vende do të liheshin rezervë për studentët që vinin nga vendet e tjera në Jugosllavi.

Manifestimet nacionaliste

  1. Vlen të përmenden disa nga incidentet që shtypi i ka raportuar kohët e fundit për të treguar se çfarë lloj sjelljesh janë llogaritur për të shkaktuar shqetësime ose pakënaqësi. Kështu, dy vjet më parë në një turne ballkanik volejbolli në Prishtinë, ekipi i femrave jugosllave, me sa duket “shpërtheu në lot për shkak të fishkëllimave dhe vërshëllimave të ashpra të spektatorëve ndërkohë që shqiptarët i gëzoheshin këtyre ‘pritjeve miqësore’ ”. Profesorët ishin duartrokitur sepse kishin lavdëruar Enver Hoxhën dhe denigruar Jugosllavinë në leksionet e tyre. Për disa punë jepej pagesë ekstra për njohjen e gjuhës shqipe, por jo për njohjen e gjuhës serbe. Fotoja e Titos ishte hequr nga faqja e zakonshme në disa libra leximi për klasën e parë në shkollat për të vegjlit. Shenjat e rrugëve me emrat e heronjve kombëtarë si dhe bustet dhe statujat e tyre ishin vjedhur. Qeleshe të bardha shqiptare ishin vënë më parë dhe vazhdonin të viheshin “në mënyrë provokative” (me sa duket nga të rinj të cilit nuk do pranonin t’i mbanin veshur). Nga ana tjetër, dyqanet shqiptare gjetkë në Jugosllavi u bojkotuan nga publiku gjatë javëve të fundit. Shumë prej këtyre rasteve dhe të tjera si këto kanë shijen e veprave të këqija spontane dhe jo të “aktivitetit armiqësor” të bashkërenduar, megjithëse është e rëndësishme të kuptohet pikërisht se sa dëshpërues ka qenë dështimi i nxitjeve standarde për “vëllazëri dhe unitet” në Kosovë krahasuar me bashkekzistencën në dukje të suksesshme të nacionaliteteve të ndryshme (megjithëse në mënyrë të konsiderueshme më të sofistikuar) në Vojvodinë.

Komente

  1. Tabloja mbetet e zymtë, me gjithë kërkesën e Azem Vllasit në një konferencë për shtyp që ai mbajti për gazetarët jugosllavë sipas të cilit shtypi “injekton njëfarë optimizmi” në raportimin e tyre. “Me të vërtetë, në disa zona njeriu fiton përshtypjen se situata është e pashpresë, por duke e parë përballë në tërësinë e vet, tabloja është optimiste”. Përshkrimi i problemeve të kësaj jave në Universitetin e bujshëm zor se nxit një këndvështrim të tillë. Përshtypja e krijuar flet për një institucion të zvarritur, i cili prodhon çdo vit një numër të madh të diplomuarish të kualifikuar jo siç duhet (në mos injorantë) dhe i administruar në mënyrë joefikase në shkallë të gjerë nga shqiptarë të vrazhdë dhe evazivë. Përpjekjet e bëra deri më sot për t’u ndeshur me këtë monstër jashtëzakonisht të shtrenjtë “të ngritur përtej kërkesave të punës që lidhet me të, gjigante në madhësinë e saj, por të varfëruar në potencialin e kuadrove të vet” (siç e quajti gazeta “Politika”) ka dështuar qartazi. Në Kosovë në përgjithësi dhe në Universitet në veçanti, pulat e vetmenaxhimit janë kthyer në kotecet e tyre të decentralizuara.

                                                                                                                                I Juaji,

Charles Crawford

Oficer Informacioni

Për dijeni: P. Rennie Esq

Departamenti i Kërkimit, FCO

                                                                                         -50-

Për përdorim të kufizuar

Fm Beograd 1510312, qershor ’81                                                                  (Kopje origjinale)

To routine FCO

Tel. nr. 98, datë 15 qershor 1981

Përsëritur për Zagreb

Nr. ynë i telegramit 93

                                                                                 Kosova

 Sekretariati federal i Marrëdhënieve me Jashtë më ka informuar zyrtarisht se turistët e huaj nuk do të lejohen të vizitojnë Kosovën deri në një njoftim tjetër. Në lidhje me biznesmenët çështja është si në rastin e turistëve.

[Ky telegram nuk është përcjellë]

CLARK

ENU 015/3

17 qershor 1981

EESD

CONS D

NEWS D

                                                                                   -51-

Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit

Londër SW1A 2AH

  1. J. Crarke Esq

Beograd                                                                                              15 qershor 1981

                                                Kosova: situata e brendshme politike

              Ju falënderoj shumë për letrën tuaj të datës 10 qershor, ku raportoni komente interesante të Ribiçiç në lidhje me “atë që ka thënë Kardelj”. Mesazhi që përcillet me zë të lartë dhe qartë është se i tërë episodi i Kosovës po trajtohet me një shkallë të habitshme transparence; gjithashtu çdokush pyet veten se çfarë efektesh (plotësisht të ndara nga implikimet e vetë ngjarjeve të Kosovës) do të kenë këto ngjarje dhe jehona e tyre për çështje kaq të gjera si liria e shtypit dhe llogaridhënia e zyrtarëve dhe ministrave.

  1. Më lejoni t’ju falënderoj ju dhe anëtarët e tjerë të Misionit për raportimin gjithëpërfshirës mbi problemin e Kosovës. Ka interes të konsiderueshëm këtu për këto ngjarje dhe jemi ndjerë në një pozitë të mirë për të hartuar përmbledhje raportimesh etj., falë informacioneve shumë të detajuara dhe analizave të matura që keni dërguar ju.

16 qershor 1981

  1. E. Montgomery

Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore

Për dijeni: P. Rosling Esq, Zagreb

  1. Rennie Esq, Departamenti i Kërkimit

                                                                                       -52-

Për përdorim të kufizuar

Fm Beograd 120800z, qershor ’81                                                             (Kopje origjinale)

Informacion rutinë për FCO

Tel. nr. 93, datë 12 qershor 1981                                                                 16 qershor 1981

Nr. i telegramit tuaj 74

                                                                            Kosova

Nuk është bërë ende e mundur të merret vija e qartë zyrtare për vizitat e turistëve në Kosovë. E kam ngritur këtë çështje me Vrhovec, më 9 qershor, por ai nuk kishte informacion për këtë dhe ia la Departamentit që të na jepte një përgjigje. Sondazhet nga stafi im me protokoll tregojnë se turistët nuk e përsëris nuk, duhet të shkojnë në Kosovë. Biznesmenët duhet të bëjnë kërkesë përmes nesh për leje, e cila zakonisht do të jepet me kusht që firmat pritëse të jenë të gatshme për t’i takuar dhe të kujdesen për ta.

  1. Sugjeroj që përgjigjet e pyetjeve të jepen përmes kësaj këshille jozyrtare deri kur të marrim përgjigjen e premtuar.

[Ky telegram nuk është përcjellë]

Bolland

MIMIMUM

EESD

CONS. D

NEWS. D

                                                                                      -53-

GRS 1390                                                                                                        Kopje origjinale

Fm Beograd 121345z, korrik ‘81

Prioritet parësor FCO

Nr. tel. 86 datë, 10 qershor 1981

përsëritur prioritet për UKDEL NATO, Washington, Moduk.

Telegrami im nr. 85                                                                                            15 qershor 1981

                                                       Kosova: situata e sigurisë

 Herljeviç, sekretari Federal për Punët e Brendshme, i paraqiti Kryesisë Federale më 9 qershor vlerësimin më të hollësishëm deri më sot mbi situatën e sigurisë në Kosovë.

  1. Herljeviç ia atribuoi aktivitetin kundërrevolucionar në Krahinë fushatës së vazhdueshme dhe të mirë organizuar nga nacionalistët dhe irredentistët shqiptarë, të cilët kanë arritur të fitojnë dimensionet aktuale si rezultat i indoktrinimit të gjerë dhe të thellë, tolerancës së gjatë dhe mungesës së vigjilencës politike ndaj saj. Përgjegjësia për këtë qëndrim tolerant ishte akoma më e madhe, pasi Tito në vitin 1975 dhe 1979 dhe Kardelj në vitin 1977 kishin dhënë paralajmërime të qarta.
  2. Në mars dhe prill, irredentistët dhe nacionalistët shqiptarë kanë organizuar 16 demonstrata dhe aksione të tjera në 11 komuna të Kosovës, në të cilat ata iu kthyen përdorimit të dhunës, duke përfshirë të shtënat dhe shkatërrimin e pronës shoqërore dhe vetjake, e duke rrezikuar kështu sigurinë e njerëzve. Ai përsëriti se 9 njerëz (8 demonstrues dhe 1 milic) humbën jetën e tyre dhe 257 të tjerë (133 anëtarë të forcave të sigurisë dhe 124 demonstrues) u plagosën. Ai theksoi se Sekretariati Federal i kishte propozuar Sekretariatit të Punëve të Brendshme të Kosovës para demonstratave më 25/26 mars që të kërkonte ndihmë nga jashtë Krahinës. Autoritetet kosovare refuzuan dhe kërkuan ndihmë vetëm kur nuk qenë në gjendje të përballonin prishjen e qetësisë dhe rendit. Ai zbuloi më tej se që më 3 prill e deri më 26 maj nacionalistët ishin përpjekur rreth 10 herë për të organizuar demonstrata dhe ia dolën në tre qytete të vogla dhe tre herë në Prishtinë.
  3. Forcat e sigurisë kishin zbuluar një numër organizatorësh të drejtpërdrejtë të cilët i përkisnin një organizate të njohur irredentiste “Lëvizja Nacionalçlirimtare e Kosovës dhe Viseve të Tjera Shqiptare në Jugosllavi”. Kjo organizatë mbështeste Partinë e Punës së Shqipërisë dhe u organizua në sistemin Troika. Ajo e zhvilloi veprimtarinë e saj përmes “komiteteve lokale” dhe kishte edhe një organizatë rinie. Deri më sot janë zbuluar 9 organizata ilegale të kësaj “lëvizjeje”. Gjithashtu, janë identifikuar 5 anëtarë të “Komitetit Qendror” të saj, 3 nga të cilët janë arrestuar dhe 2 janë jashtë vendit. Një numër i anëtarëve të organizatës “Lëvizja” ishin aktivë në radhët e punëtorëve shqiptarë jashtë vendit ku kishin formuar një organizatë të njohur si “Fronti i Kuq Popullor” i cili mbështeste Partinë e Punës së Shqipërisë dhe kishte lidhje me Kosovën dhe pjesë të tjera të Jugosllavisë. Kohët e fundit janë arrestuar 1,700 veta nga të cilët 506 janë dënuar, si dhe ka filluar procedimi penal ndaj 154 të tjerëve. Ai shtoi se pjesa më e madhe e këtij grupimi të fundit ishin intelektualë.
  4. Përveç “Lëvizjes” së përmendur më lart, ai deklaroi se në vitin 1979 deri 1981 ishte zbuluar një organizatë tjetër – Partia Komuniste Marksiste-Leniniste Shqiptare e Jugosllavisë. Kjo organizatë kishte të njëjtin objektiv si organizata “Lëvizja”, pra shkëputjen e të ashtuquajturave pjesë shqiptare të Jugosllavisë dhe bashkimin e tyre me Shqipërinë e Madhe.
  5. Duke iu kthyer përsëri organizatës “Lëvizja”, Herljoviç tha se deri tani ishin identifikuar 137 njerëz. Disa prej tyre ishin dënuar më parë për aktivitet armiqësor dhe një numër i caktuar kishte pasur lidhje me shërbimin inteligjent shqiptar dhe emigrantët shqiptarë armiqësorë në Perëndim.
  6. Anëtarët e këtyre grupeve ilegale ishin angazhuar në shtimin e anëtarëve të rinj në sistemin Troika, duke shkruar dhe shpërndarë broshura dhe fletushka. Me arrestimin e tyre, janë gjetur materiale propagandistike që flasin për indoktrinimin e të rinjve në mbështetje të Partisë së Punës së Shqipërisë. Ata po përgatiteshin për aktivitete armiqësore të dhunshme dhe masive.
  7. Ai tha se këto grupe, kanë planifikuar të arrijnë objektivat e tyre kundërrevolucionare në tri faza: së pari, indoktrinimi i nacionalizmit/irredentizmit, duke krijuar pakënaqësi në mesin e shqiptarëve dhe duke e bërë organizatën kështu një lëvizje masive. Së dyti, kryerja e aktiviteteve propagandistike dhe demonstratave me qëllim që të tërhiqnin shqiptarët. Dhe së treti, në rrethana të caktuara, organizimi i kryengritjes së armatosur dhe shkëputjes nga Jugosllavia. Kjo platformë ideo-politike nuk ndryshonte nga ajo e viteve të mëparshme, ku dallimi i vetëm në rrethanat aktuale ishte se njerëzit e përfshirë ishin më të arsimuar. Herljevic përsëriti detajet e operacioneve të sigurisë kundër organizatave ilegale në Kosovë prej vitit 1974 deri në vitin 1981 (referuar në letrën e Clark 015/2 të datës 18 maj drejtuar Montgomerit).
  8. Duke iu kthyer përgjegjësisë, Herljeviç tha se forcat e sigurisë në Kosovë ishin marrë kryesisht me individë nacionalistë dhe nuk kishin aktivë sa duhet në trajtimin e burimeve kryesore të frymëzimit, duke përfshirë atë nga Shqipëria. Për më tepër, disa individë që ishin përgjegjës për drejtimin e forcave të sigurisë dhe vetëmbrojtjes shoqërore nuk i dhanë rëndësinë e duhur politike dhe të sigurisë informacioneve për përgatitjen e aktiviteteve armiqësore në dispozicion të tyre. Autoritet e sigurisë në Serbi dhe Federatë nuk morën informacionin e duhur në kohë për situatën në Kosovë.
  9. Herljeviç tha se situata mbetej shumë e vështirë pasi armiku nuk ishte zbuluar dhe neutralizuar ende. Ai nuk e përjashtoi mundësinë që armiku mund të përpiqej të rifillonte aktivitete të tjera duke përdorur metoda më të egra të tilla, si: terrori, dhuna dhe rrëmbimi. Kjo tregohej nga këmbëngulja e armikut për të kryer forma subversione dhe forma të tjera të rezistencës pasive duke filluar me shkrimin e parullave armiqësore e deri tek vënia e zjarrit në prona. Ai vuri në dukje mënyrën me të cilën sinkronizoheshin parullat dhe broshurat si në përmbajtjen dhe kohën e shfaqjes së tyre. Ai përmendi më tej se forcat e sigurisë ishin vënë nën zjarr dy herë më 13 dhe 15 maj dhe se në pjesë të tjera të Jugosllavisë kishin ndodhur aktivitete armiqësore duke përfshirë përpjekjet për një demonstratë në Lubjanë.
  10. Herljeviç u shpreh se qarqet zyrtare shqiptare, shtypi, radio dhe televizioni mbështesnin irredentistët dhe i inkurajonin ata për aktivitete të reja armiqësore, duke përfshirë në këtë kategori bombën e hedhur në Ambasadën jugosllave në Tiranë. Ai pretendoi se ishte zbuluar një numër i caktuar agjentësh i shërbimit të fshehtë shqiptar në radhët e organizatave ilegale dhe organizuesve të demonstratave në Kosovë. Emigrantët shqiptarë të “Frontit të Kuq Popullor” dhe ustashë jashtë vendit ishin përfshirë gjer më sot në 20 demonstrata. Në këtë drejtim, ai theksoi se autoritetet e disa vendeve perëndimore nuk kishin ofruar mbrojtjen e duhur për qytetarët jugosllavë. “Fronti i Kuq Popullor” ishte mbështetur nga anëtarë të ndryshëm të grupeve fraksioniste marksiste-leniniste të Partive Komuniste në vende të ndryshme perëndimore të cilat njihej se kishin kontakte me Shqipërinë. Emigrantët fashistë shqiptarë kishin nisur sërish të hedhin bomba në zyrën e aviokompanisë jugosllave “JAT” dhe zyrën jugosllave të shoqatës së turizmit në Bruksel. Ai tha se ishte e nevojshme për të parandaluar këtë lloj aktiviteti jashtë vendit duke i kushtuar më shumë vëmendje punëtorëve jugosllavë me origjinë shqiptare të cilët ishin të ekspozuar ndaj indoktrinimit të zyrtarëve shqiptarë dhe përfaqësuesve të ndryshëm nacionalistë dhe irredentistë.
  11. Herljeviç tha se ngjarjet më të fundit treguan se forcat e brendshme të sigurisë së Kosovës ishin të pakta në numër dhe nuk ishin të pajisura dhe të përgatitura sa duhet. Kryesia e Kosovës kishte vendosur kohët e fundit që të rriste numrin e milicëve me 1,000 veta dhe të përmirësonte pajisjet e tyre. Në të njëjtën kohë do të dyfishohej numri i anëtarëve të shërbimit të sigurisë. Sekretariati Federal, Serbia dhe Vojvodina do të ndihmonin me formimin dhe pajisjen e njësive speciale të milicisë në Kosovë. Duke pasur parasysh situatën aktuale, ishte e nevojshme që të mbeteshin në fuqi masat e sigurisë të përfshira në periudhën e demonstratave, duke përfshirë praninë e forcave të milicisë nga jashtë Kosovës.
  12. Herljeviç konkludoi se besonte që forcat e sigurisë do të ishin në gjendje të zbulonin armikun dhe ta neutralizonin atë, por që problemi më i madh do të ishte eliminimi i pasojave të indoktrinimit nacionalist.

Ky ishte një problem afatgjatë.

Bolland                                                                        (Ky telegram nuk është përcjellë)

                                                                                     

                                                                                 -54-

Për përdorim të kufizuar

Zagreb

17 qershor 1981

I nderuar Terry,

                                              Situata e brendshme politike në Kosovë

 Qëndrova sot një orë me Jaksha Petriç, anëtar i Kryesisë së Kroacisë, një nga kontaktet më të dobishme këtu, i cili është i gatshëm që të flasë hapur për çështjet kombëtare dhe lokale. Diskutuam së bashku për skenën politike kombëtare, Kosovën dhe Kroacinë.

  1. Vetë Petriç, tha se problemi kryesor i vendit ishte ai i menaxhimit ekonomik dhe në veçanti arritja e kohezionit shumë të dëshiruar dhe marrëveshjes ndërmjet republikave (që Petriç e krahasonte me shtetet sovrane në konfederatë) me tendencën e tyre të fortë për autarki. Petriç tërhoqi vëmendjen në takimin e përbashkët të kohëve të fundit midis kryesive të Federatës dhe të Partisë, të cilat ai i kishte ndjekur si përfaqësues i Bakariç, dhe Kryesisë Federative dhe Këshillit Ekzekutiv Federal, që i kishin kushtuar vëmendje serioze këtij problemi. Petriç tha se ishte rënë dakord që masat të merreshin me marrëveshje para pushimeve verore për të ndaluar kalbjen, gjë që të gjithë e pranonin se kishte arritur shumë larg. Petriç shtoi se politika ishte që të përmirësohej dhe përshpejtohej arritja e marrëveshjes për masat ekonomike në mes të republikave dhe krahinave. Nuk pati asnjë sugjerim për t’ia hequr kompetencat këtyre të fundit, gjë që nuk ishte nismëtare. Fjalimi i Djuranoviç në Kuvendin Federal, më 10 qershor, pasqyroi shqetësimin e përbashkët në nivel të lartë. Petriç e përshkruante Djuranoviç si një njeri të shqetësuar dhe përmendi për shembull, që niveli i investimeve ende nuk po binte. Petriç tha se nuk kishte mosmarrëveshje në nivel të lartë, ku kishte unitet. Problemi i vërtetë filloi kur njëra nga palët filloi të ulej në pozitë nga ata që ishin të bashkuar në krye; dhe sa më tej që largohej nga maja aq më e vështirë bëhej situata.
  2. Në Kosovë, Petriç tha se autoritetet tashmë kishin arritur në fund të asaj që kishte ndodhur. Pjesa tjetër e Jugosllavisë ishte e vetëkënaqur, dhe jashtëzakonisht “liberale” (term të cilin mendoj se Petriç e përdorte në sensin jugosllav të “mosndërhyrjes”). Ka pasur neglizhencë në radhët e udhëheqjes së Kosovës, por vetëm pak prej tyre e dinin se çfarë po ndodhte dhe qëllimisht keqinformuan të tjerët, duke përfshirë në një fazë të mëvonshme, Dolane dhe Herljeviç, të cilët sidoqoftë kishin qenë të pafuqishëm në mos ishin nxitur nga autoritetet e Kosovës. Jugosllavët nuk u ngutën ndaj çështjes së Kosovës. Situata në bazë gradualisht po përmirësohej. Forcat speciale të SUP-it ishin tërhequr (sipas meje kjo nënkuptonte (?) njësi speciale dhe jo anëtarë të tjerë shtesë për të cilët Herljeviç tha se do të dërgohen). Shtytja kryesore e policisë do të jetë integrimi i ekonomisë me pjesën tjetër të vendit përmes investimeve ndërmjet republikave dhe krahinave në vend të sigurimit të komunikatave për burokracinë e Kosovës, që ka shkaktuar nacionalizmin dhe gjithfarë dokrrash. Petriç përmendi shembullin ku Kosova kishte përdorur fondet e ndihmave për të importuar pajisje të shtrenjta franceze në vend që të merrte një produkt po aq të mirë nga Kroacia. Por, pjesa tjetër e vendit, duke përfshirë serbët, e pranonte që politikat duhet të ndiqeshin duke punuar me kosovarët dhe përmes tyre, dhe që këto politika do të duhej të ishin shumë afatgjata. Megjithatë, nuk mund të kishte asnjë ndryshim në statusin kushtetues të Kosovës. Përveç në forcën e ndjenjës serbe, ndryshimi kushtetues do të kishte implikime të rrezikshme tjetërkund në vend (Më vonë, Petriç tha nga njëra anë se mbetej çështje e hapur për të parë se çfarë mund të ndodhte, le të themi, në 20 vitet e ardhshme duke pasur parasysh se kosovarët ishin një popull që vinte duke u shtuar, por për momentin nuk do të kishte asnjë ndryshim).
  3. Petriç tha më tej se durimi dhe kujdesi i jugosllavëve në trajtimin e Kosovës u pasqyrua në qëndrimin e tyre ndaj ambasadorit shqiptar në Beograd. Ai ishte përfshirë thellë në rrjetin “trojka” të ngritur nga shqiptarët, i cili tashmë ishte prishur (Petriç tha se ata kishin marrë Komitetin Qendror). Sipas standardeve normale, ambasadorit duhej t’i kërkohej që të largohej, por jugosllavët nuk dëshironin të lejonin ndonjë hapësirë, p.sh. përmes përshkallëzimit, për përfshirjen e ndonjë fuqie të madhe (duke nënkuptuar qartazi këtu atë sovjetike). Deri më tani nuk kishte pasur shumë tregues të një përfshirjeje të tillë megjithëse shiheshin përreth disa “peshkime klandestine duke çukitur grepin në skaje”; për shembull, shërbimi i fshehtë bullgar ishte në kontakt me shqiptarët për Kosovën. Shqiptarët ishin përgatitur në të kaluarën që të kërkonin mbështetjen sovjetike e më vonë atë kineze për çështjen e Kosovës, dhe jugosllavët nuk donin t’u jepnin atyre ndonjë pretekst për këtë tani (rastësisht, Petriç më tregoi një histori të vogël se si, kur ai ishte futur në Partinë shqiptare, Enver Hoxha i kishte zënë be që do të punonte për marrjen e Kosovës).
  4. Kroacia ishte e gatshme të investonte në Kosovë, për përfitim reciprok. Kroacia kishte mungesa të energjisë elektrike dhe ishte e gatshme, për shembull, të investonte në prodhimin e energjisë në Trepçë. Në përgjithësi,kroatët kanë qenë më të ashpër ndaj trazirave nacionaliste në Kosovë, dhe udhëheqësve kroatë u është dashur të frenojnë tundimin e tyre për të reaguar ndaj kosovarëve që jetonin aty. Vetë Petriç i kishte folur turmës në Brac, ishullin e tij të lindjes, e cila kishte dashur të dëbonte, dhe të vepronte akoma më keq, ndaj dyqanxhinjve kosovarë (shumica e ëmbëltoreve këtu dhe në Slloveni mbaheshin nga kosovarët). Gjithashtu, atij i është dashur të fliste me të birin në ushtri i cili, së bashku me shokët e tij, kishte dalë vullnetarë për të shkuar dhe “për t’i sjellë në vijë” kosovarët. Ndjenja e përgjithshme, siç tha Petriç, ishte zemërimi se kosovarët kanë kërcënuar stabilitetin e vendit.
  5. Lidhur me politikën e informimit, Petriç ishte kritik ndaj keqinformimit dhe fshehjes që kishte ndodhur më parë, por ai ishte i kujdesshëm për sa i përket qarkullimit më të lirë të informacionit. Sipas tij, jo çdo informacion mund të vihej në dispozicion.
  6. E pyeta Petriç për atmosferën politike në Kroaci, siç pasqyrohej në fjalimin e Baltiç drejtuar Komitetit Qendror kroat më 20 maj (përmendur në letrën time të datës 26 maj), ku sipas Baltiç kishte armiq pas çdo peme. Petriç komentoi se popullin mund ta kënaqje shumë lehtë dhe ishte e drejtë t’ia kujtoje rreziqet nga nacionalizmi dhe kundërshtarë të ndryshëm, por ai mendonte se Baltiçi i kishte rënë tepër fyellit në këtë pikë dhe tabloja e shfaqur ishte mjaft e ekzagjeruar. Duke iu referuar kishës, Petriç foli me terma miqësore për refuzimin e Kuhariç dhe tarafit të tij për të pranuar shoqërinë aktuale jugosllave, duke kërkuar në Poloni – por ku historia dhe roli i kishës ka qenë dhe është tërësisht ndryshe – një rol politik, që do t’u refuzohej atyre. Petriç ishte i vendosur kur deklaroi se nëse kisha e shkelte ligjin, atëherë do të merreshin me të. Ai shtoi se kisha ende po vazhdonte në këtë mënyrë dhe përmendi kontaktin e vazhdueshëm ndërmjet Kuhariç dhe grupimit më të keq të emigrantëve kroatë, duke përfshirë, tha ai, ish-famullitarin ushtarak të Pavlic, Cecelja, që aktualisht jetonte në Vjenë dhe ishte vetë në kontakt me emigrantët terroristë. Petriç nuk ishte plotësisht i kënaqur me qëndrimin e Vatikanit. Nga njëra anë Vatikani kishte marrëveshje me Jugosllavinë, të cilën e mirëpriti dhe u shpreh se do ta pranonte dhe respektonte, por nga ana tjetër, njerëzit në Vatikan vepruan ndryshe.

                                                                                                                                    I Juaji

                                                                                                                        (P. E. Rosling)

                                                                                       -55-

Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore                                       Ambasada britanike

Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit                                                                Beograd

                                                                                                                   17 qershor 1981

I nderuar Alan,

                                                                     Kosova: ekonomia

         Prej njëfarë kohe na ka munguar raportimi midis nesh për Kosovën, për vlerësimin e ekonomisë së saj, por për arsye të ndryshme nuk kemi pasur burime për t’ia kushtuar një studimi të tillë. Disa të tjerë kanë pasur të njëjtën ide dhe në një nga takimet së fundmi të Këshilltarëve Tregtarë të Misioneve të Komunitetit Evropian këtu është vendosur që të ngrihet një grup i vogël pune për të shqyrtuar ekonominë e Kosovës. Sapo kam marrë një draft, i cili është shkruar kryesisht nga Këshilltari Ekonomik në Zyrën e KE-së këtu, e që pas miratimit nga të gjitha Misionet e KE-së, do të dërgohet në Hagë për Grupin e Punës të KEP-it të Evropës Lindore, i cili do të mblidhet më 22 qershor, me sa duket për të diskutuar për Jugosllavinë.

  1. Këtë mëngjes nuk kam pasur kohë të shqyrtoj draftin, por vetëm i kam hedhur një sytë përciptë dhe mendova që duhet t’jua dërgoj juve pasi është pjesë e përgatitjes për përfaqësuesin tonë në Grupin e Punës të KEP-it të Evropës Lindore. Komenti im i vetëm është për konkluzionin: natyrisht është e vërtetë që perspektiva ekonomike e Kosovës varet nga situata e përgjithshme ekonomike si në Jugosllavi në përgjithësi ashtu edhe në mbarë botën, por duhet shtuar se varet gjithashtu në masë të madhe nga zgjidhja politike e problemit të përgjithshëm të Kosovës. Siç e dini nga raportimet tona kjo zgjidhje, nëse vërtet mund të arrihet, është në thelb afatgjatë.
  2. Lidhur me hollësitë, një pikë e rëndësishme është se kam dëgjuar që autoritetet kosovare kanë vendosur të “tërheqin” Planin 5-vjeçar të rënë dakord më parë (përmendur në paragrafin 2 të draftit) meqenëse disa nga republikat dhe Vojvodina, kanë shënuar se ky plan nuk ishte i përshtatshëm për nevojat e Kosovës, të paktën në masën që ka të bëjë me investimet e tyre në Kosovë. Për këtë arsye Plani do të rishikohet në të ardhmen e afërt dhe është e pamundur të parashikohen në këtë fazë se cilat do të jenë ndryshimet. Ajo që mund të them është se kjo i shton një element tjetër pasigurie të ardhmes ekonomike të Kosovës.

          I Juaji,

  1. J. Clark

                                                                                       -56-

Konfidenciale

 E. Montgomery Esq Ambasada britanike   

Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore                                                        Beograd

Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit                                                            17 qershor 1981

I nderuar Alan,

                                          Kosova: situata e brendshme politike

 Po përgatitesha t’ju shkruaja mbi zhvillimet e fundit për frontin e gjerë të përgjegjësisë për ngjarjet në Kosovë kur mbërriti letra juaj e datës 15 qershor, e cila më nxiti akoma më shumë. Siç e thoni edhe ju, Kosova ka hapur një fushë të rëndësishme të politikës për debatin publik dhe, siç më kanë thënë gazetarë të ndryshëm jugosllavë, shtypit i është dhënë dorë e lirë jo vetëm për të raportuar ngjarjet, por edhe për t’i komentuar ato në mënyrë kritike. Është e qartë se njeriu nuk dëshiron ta çojë analogjinë shumë larg, sepse, siç u tha edhe në gazetën “Politika” një javë më parë, Jugosllavia do t’ia dilte mbanë më mirë pa traumën e Kosovës sa herë që do t’i nevojitej një impuls për të trajtuar një problem veçanërisht të vështirë.

  1. Megjithëse data 15 qershor ishte e jashtëzakonshme në faktin që për herë të parë pas disa javësh gazeta “Politika” nuk kishte ngjarje për Kosovën, ende nuk ka reshtje në procesin e kritikës, vetëkritikës dhe “diferencimit”, siç quhet spastrimi (në dëshminë e fundit publike mbi 400 njerëz janë dëbuar nga LKJ-ja). Sidoqoftë, data 15 qershor nuk ishte një ditë e zbrazët për publikun e Beogradit pasi të gjithë ne u ngopëm me një film dokumentar 100-minutësh në TV për ngjarjet; kjo ishte përpjekja e parë në trajtimin e kësaj teme në televizion dhe shembulli i parë që mund të mbaj mend nga gazetaria investigative në TV e stilit perëndimor, megjithëse në një mënyrë mjaft amatoreske. Pjesa më e madhe e iniciativës për debatin duket se vjen nga Serbia; gjithashtu po vërehet gjithnjë e më shumë një tendencë drejt ripohimit nga ana e serbëve të pozitës së tyre përballë shqiptarëve në Kosovë. Siç e kam raportuar, shtypi i Beogradit është bërë gjithnjë e më shumë këmbëngulës për t’i kërkuar llogari personave përgjegjës për rritjen e nacionalizmit shqiptar. Korrespondentët e këtij shtypi kanë arritur që në shkallë të pashembullt të pasqyrojnë ngjarjet dhe të theksojnë në veçanti ato histori që duket se janë krijuar për të prekur pasionin e serbëve, p.sh. historitë për migrimin e detyruar të serbëve nga Kosova, gjë për të cilën është duke shkruar Charles Crawford. Shtypi aktualisht e merr sinjalin nga politikanët serbë, siç edhe konfirmohet nga disa shembuj që kanë ndodhur javën e fundit.
  2. Herljeviç, sekretari federal i Punëve të Brendshme, i distancoi autoritetet federale të sigurisë nga përgjegjësia për shpërthimin e trazirave në Kosovë në një fjalim para Kryesisë Federative, më 9 qershor (përmendur në telegramin tonë nr. 86 të datës 10 qershor). Stanojeviç, sekretari serb i Punëve të Brendshme, mbajti qëndrim të ngjashëm në një debat për Kosovën në Kryesinë serbe, më 10 qershor. Ai pretendoi se megjithëse autoritetet serbe të sigurisë i kanë informuar rregullisht autoritetet kosovare për çdo gjë që kishin në lidhje me Kosovën, nuk ka pasur reciprocitet, veçanërisht lidhur me ngjarjet më të fundit. Ai përmendi në mënyrë specifike se autoritetet e tij ishin informuar vetëm më 1 maj të këtij viti për një sërë manifestimesh antiserbe dhe antijugosllave në Kosovë në vitin 1980; dhe kishin dëgjuar vetëm në fund të marsit të këtij viti për shpërndarjen e broshurave të “Partisë Komuniste Shqiptare Marksiste-Leniniste të Jugosllavisë”, në periudhën midis marsit 1979 dhe nëntorit 1980. Ai vijoi më tej duke thënë se “njerëzit që janë më shumë përgjegjës në Sekretariatin Krahinor të Punëve të Brendshme, nuk arritën në thelb të pranonin vlerësimet dhe marrëveshjet e arritura në mbledhjen e datës 19 mars pas rrëmujave të para në Krahinë, pra ata nuk i respektuan vlerësimet pikërisht në mënyrën që kërkonte situata”. Ai shtoi se nëse nuk do të kishte pasur hezitim për faktin nëse kjo situatë quhej apo jo kundërrevolucion, forcat serbe të sigurisë tashmë të mobilizuara do të dërgoheshin këtu për të penguar ngjarjet e 26 marsit dhe 1-3 prillit. Këto forca me sa duket ishin mobilizuar më 11 dhe 26 mars dhe 1 prill dhe ishin vënë në dispozicion të autoriteteve kosovare, por pas dy a tre ditësh u tërhoqën në secilin rast meqenëse autoritetet lokale u shprehën se këto forca nuk ishin të nevojshme. Si shembull tjetër i ftohtësisë së Kosovës, ai kujtoi se në vitin 1979 autoritetet e Kosovës kishin refuzuar të futeshin në një ushtrim për të testuar efikasitetin e forcave të sigurisë, përveç se në mënyrë shumë të kufizuar dhe vetëm kur pothuaj kishte mbaruar. Si rezultat i ngjarjeve, ai pohoi se nacionalizmi i Serbisë së Madhe kishte filluar të ngrinte kokën, duke pretenduar që për këtë duhej të fajësohej i tërë nacionalizmi shqiptar. Ai tregoi 13 raste të shënuara me parulla shqiptare të shkruara, ku me përjashtim të njërit, ishin kapur autorët e të gjitha rasteve. Megjithatë, një delegat në debatin pasues protestoi se numri i pjesëmarrësve joshqiptarë që ishin arrestuar dhe dënuar, ishte i tepruar dhe i pavend dhe pretendoi se kjo ndodhte për shkak të përpjekjeve për të balancuar dënimin e shqiptarëve me atë të joshqiptarëve!
  3. Në një seancë të Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Serbisë, më 15 qershor, u deklarua më tej se në disa komuna (të papërcaktuara) kishte pasur akte të ndryshme hakmarrjeje kundër shqiptarëve, të tilla si thyerja e xhamave të dyqaneve dhe shkarravitja e parullave. Dhe faji i mbeti nacionalizmit serb. Shtypi i Beogradit ka raportuar gjithashtu rënie të fortë në shitjen e ëmbëlsirave dhe akulloreve në dyqanet e zotëruara kryesisht nga shqiptarët, me sa duket pjesë e bojkotit të qëllimshëm nga ana e serbëve.
  4. Pakënaqësia me progresin e ngadaltë të spastrimeve (të shqiptarëve) u shpreh nga një serb i Kosovës në Beograd, më 10 qershor, në mbledhjen e komunistëve kosovarë që punojnë në Administratën Federale këtu. Ai tha se Lidhja e Komunistëve të Kosovës nuk ishte e tëra fajtore, por vetëm ata që ishin në pozicione drejtuese. Deri në momentin që dikush të përmendte emra konkretë, ishte e vështirë të pritej një spastrim real. Ai vuri në dukje se zëvendëssekretari i Punëve të Brendshme kishte dhënë dorëheqjen, por ai natyrisht nuk e shikonte këtë si zgjidhje të çështjes, sepse zëvendëssekretari, tha ai, nuk mund të ketë marrë vendimin për të refuzuar ofertën e ndihmës Federale pa marrë paraprakisht pikëpamjet e Këshillit Ekzekutiv të Kosovës. Kryesia e Kosovës kishte ruajtur qetësinë dhe ky qëndrim inkurajoi edhe të tjerët të ruanin qetësinë. Ai besonte se sekretari krahinor i Punëve të Brendshme dhe të gjithë ata që e inkurajuan atë, duhet të shkarkohen dhe dënohen pas pranimit publik të fajit. Një serb tjetër u ankua se programi i veprimit të Komitetit Krahinor të LKK-së nuk shprehej mjaftueshëm për përgjegjësinë e udhëheqjes politike të Krahinës dhe se ishte e nevojshme që spastrimi të bëhej në nivel të lartë. Një shqiptar i Kosovës vuri në dukje disi në mbrojtje që të paktën për sa i përket politikës ndaj Shqipërisë, Kosova nuk ka vepruar pa dijeninë e organeve republikane dhe federative. Një shqiptar tjetër i Kosovës e mbylli mbledhjen me vërejtjen se edhe në këtë rast ka pasur mungesë të vetëkritikës dhe shmangie të thirrjeve të individëve për të pranuar gabimet.
  5. Filmi në TV i përmendur më lart tregonte shumë qartë problemet e përfshira në thirrjen e njerëzve për të dëshmuar. Rrëfyesi përpiqej të intervistonte një numër studentësh dhe nxënës shkollash në Prishtinë dhe gjetkë për dijeninë e tyre mbi ngjarjet dhe përfshirjen e tyre në to. Pothuaj në çdo rast, ai merrte përgjigje të tilla si: ata nuk dinin asgjë, atyre u është thënë të mos thonë asgjë, gjithsesi ata nuk janë përfshirë dhe nuk kanë folur serbo-kroatisht. Investigimi i kryer në një apo dy raste të viktimizimit të serbëve/malazezëve tregoi se policia lokale nuk kishte bërë asgjë për të ardhur në ndihmë në atë periudhë apo më pas. Rrëfyesi tregoi gjithashtu shifrën më të lartë deri më sot për numrin e pjesëmarrësve të përfshirë në demonstratat e prillit në Prishtinë – 10,000. Kështu, duke pasur parasysh numrat e dhënë dhe hezitimin e njerëzve për të folur, nuk është fare për t’u çuditur që diferencimi po ecën ngadalë.
  6. Gazeta “Politika” e 17 qershorit nxori në pah arsye të tjera të progresit të ngadaltë, duke raportuar se aktualisht po mbaheshin zgjedhjet në konferencat komunale të LKK-së dhe se kishte përplasje jo dinjitoze për heqjen e titullarëve aktualë nga pozicionet drejtuese! Gazeta “Politika” shtoi se asnjë nga kryetarët apo sekretarët e Lidhjes së Komunistëve në Komuna nuk e kishin parë të nevojshme deri më sot të kritikonin performancën e vet apo të jepnin dorëheqjen për shkak të demonstratave. Gazeta raportoi gjithashtu një qëndrim të ngjashëm midis kuvendeve të komunave, ku kryetarët dhe anëtarët e qeverive lokale vepronin “të qetë” sikur ngjarjet e fundit nuk kishin të bënin fare me ta, por ishin çështje ekskluzivisht të LK-së.
  7. Një shembull i fundit se sa thellë ka rënë shtypi serb për të fajësuar shqiptarët doli në gazetën “Politika” më 12 qershor. Në një raport tejet të gjatë dhe të përfshirë në arkeologjinë e Kosovës, gazetari iu vu punës për të përcaktuar se autoritetet arkeologjike shqiptare lokale i kishin hyrë me qëllim punës për të fshehur zbulimet arkeologjike që tregonin kolonizimet e hershme sllave të Kosovës dhe që do të tronditnin konceptin e një krahine shqiptare, të pastër nga pikëpamja racore!
  8. Një numër i vogël i shqiptarëve të Kosovës, kryesisht nga Universiteti i Prishtinës, kanë akuzuar shtypin e Beogradit për raportim tendencioz, por është e vështirë për shqiptarët lokalë që të mbrojnë veten e tyre pa dalë para akuzave të nacionalizmit. Kështu, për momentin, serbët shijojnë argëtimin. Politikanët serbë vazhdojnë të vënë theksin në nevojën për të zbatuar Kushtetutën serbe në vazhdimësi dhe shqiptarët e Kosovës nuk kanë alternativë tjetër përveçse të shoqërohen me lëvizje të ndryshme për t’i vënë fre pavarësisë së tyre të veprimit. Por, politikanët serbë dhe federalë janë të vetëdijshëm për rreziqet nëse reagimet e ashpra të serbëve shkojnë shumë larg por jam i sigurt se ata nuk do të lejojnë që situata t’u shpëtojë nga duart. Për momentin, kjo i shërben qëllimit të dobishëm për t’i thënë vazhdimisht shqiptarëve ngurrues të Kosovës që të shprehin me forcë mendimet e tyre.

                                                                                                                                            I Juaji,

  1. J. Clark

Për dijeni: P. E. Rosling Esq

Zagreb

  1. Rennie Esq

Departamenti i Kërkimit

                                                                                                57-

Konfidenciale

ENU 015/3                                                                                          19 qershor 1981

Ch d’A                                                                                                           

                                                                Kosova: pozita kushtetuese

         Në darkën me z. dhe znj. Raudenbush të Ambasadës së SHBA-së, më 12 qershor, takova një jurist kushtetues nga Universiteti i Beogradit, dr. Vladimir Kilibarda, i cili kryen specializimin për kushtetutat e shteteve federative. Dr. Kilibarda ka studiuar në Shtetet e Bashkuara (prandaj flet shkëlqyeshëm anglisht) dhe mendoj se ka marrë gradën doktor në Universitetin Stanford. Ai është mik i ngushtë (megjithëse së paku dhjetë vjet më i ri) dhe bashkëlojtar në tenis me dr. Djurisiç. Ka lindur në Pejë.

  1. Dr. Kiliborda foli në mënyrë interesante dhe shumë hapur për pozitën kushtetuese të Kosovës të cilën ai e përshkruan si “të pabazë”. Ai më tha se tre a katër vite më parë ai dhe disa kolegë, të cilët gjithashtu ishin juristë kushtetues, kishin paraqitur një studim për pozitën e Kosovës, ku theksonte rreziqet që dalin përpara nëse Kushtetutat e Serbisë dhe Kosovës nuk përshtateshin për të marrë parasysh anomalitë e ndryshme të dukshme dhe për t’i bërë ato më të pajtueshme me njëra-tjetrën. Studimi u hodh poshtë nga autoritetet Federale dhe grupit të juristëve iu tha të mbyllnin gojën dhe të shikonin punën e tyre (ndaj pozitës së federatave përveç Jugosllavisë).
  2. Sipas mendimit të dr. Kilibarda, pozita aktuale në Kosovë është e pashpresë. Situata kishte shkuar deri në atë pikë sa ishte e pamundur për të futur ndryshime të nevojshme kushtetuese; sidoqoftë, autoritetet federale i kishin përjashtuar ato. Trazira aktuale vetëm mund të përmbahej, por jo të zhdukej, dhe kjo do të bëhej një faktor gjithnjë e më dobësues në jetën e Federatës Jugosllave.
  3. Dr. Kilibarda tha se formula “Kosova Republikë”, pavarësisht se sa e papëlqyeshme për serbët, ishte e vetmja formulë logjike sipas së drejtës ndërkombëtare. Fjalimet e Titos dhe referencat e paqarta të “plebishiteve” dhe Aktit Final të Helsinkit, nuk ishin të mira sa duhet. Por, Jugosllavisë i duhej të jetonte me kontradiktat e Kosovës, meqenëse përfundimisht integriteti i Federatës ishte në rrezik dhe kjo pa dyshim, siç e kemi pranuar ne dhe shumë shtete perëndimore, kishte rëndësi të dorës së parë për Jugosllavinë dhe për pjesën tjetër të Evropës.
  4. Dr. Kilibarda ishte i prerë në pohimin e tij se pas parullës “Kosova Republikë” nuk ishin makinacionet e Tiranës, Moskës apo ndonjë kryeqyteti tjetër të huaj, por ato të vetë shqiptarëve të Kosovës. Ky ishte rasti i irredentizmit në termat e Prishtinës dhe jo të Tiranës. Kosovarët dëshironin Republikën e tyre si prelud për të realizuar ëndrrën e tyre të “Shqipërisë së Madhe”. Kjo nënkuptonte imponimin e nocioneve të tyre të kombësisë shqiptare dhe një rendi shoqëror për vetë Shqipërinë të cilin do të dëshironin ta transformonin në aspektin social, ekonomik dhe politik pas largimit të Hoxhës. Nëse agjitimi në Kosovë ia dilte të përshpejtonte këtë, aq më mirë nga pikëpamja e kosovarëve. Dr. Kilibarda theksoi se shumë pak prej parullave, nëse ekzistonin, ishin në të vërtetë “pro Hoxha” – ato ishin thjesht proshqiptare. Por natyrisht, autoritetet federale e kishin paraqitur situatën në një dritë tërësisht të ndryshme, d.m.th., që demonstruesit me sa duket dëshironin të bashkoheshin me Shqipërinë siç është tani, ose të impononin stanilizmin mbi veten e tyre (gjë që zor të jetë e besueshme).
  5. Kur thashë se ajo që ai më kishte treguar mund të ishte të paktën pjesërisht përfundim i një studimi nga afër i shtypit jugosllav (pas mungesës fillestare të informacionit për atë që kishte ndodhur në Kosovë për kaq shumë vite), dr. Kilibarda ra dakord menjëherë. Ai tha se tashmë shtypi po luante një rol shumë pozitiv në informimin e njerëzve mbi rreziqet e situatës, që zor se mund të ekzagjerohej. Kjo nuk i pëlqente të gjithëve qoftë në Beograd apo Prishtinë. Në të vërtetë situata tregoi se si shtypi po shfaqej si “forcë politike” në Jugosllavi dhe ishte gjithnjë e më e vështirë, që pas ikjes së Titos, për t’i mbyllur gojën. Shumica e artikujve me emër në ditët tona e shohin rolin e tyre investigativ më shumë si parësor sesa dytësor në informimin e publikut jugosllav në lidhje me atë që po ndodhte.
  6. Si federalist, dr. Kilibarda ishte qartazi në favor të fuqizimit të makinerisë federative dhe kundër delegimit të mëtejshëm të pushtetit politik në kryeqytetet e Republikave. Në këtë pikë, Kosova kishte nxjerrë një mësim të vlefshëm. Nëse pushteti politik do të ishte më shumë i përqendruar në Beograd, ngjarjet në Kosovë mund të ishin zbuluar shumë më herët dhe situata aktuale ndoshta mund të ishte evituar. Ai pranoi se pikëpamja e tij ishte jashtë mode (vetë ai nuk do ta kishte pranuar atë pak vite më parë), por të paktën një rikthim i kufizuar në centralizëm do të ishte i nevojshëm për stabilitetin e Jugosllavisë si në sensin politik dhe atë ekonomik. Ai tha se Djuranoviç të cilin e admironte, duhet të kishte si kryeministër i Federatës, shumë më tepër kompetenca dhe jo vetëm të natyrës ekzekutive.
  7. Mbase mund të dëshironi të flisni me dr. Kilibarda ndonjëherë. Ai banon në adresën Ivana Milutinoviça 88 (numri i telefonit 436-224). Mund të organizojmë një takim dreke ose darke të tre së bashku.

 I. Miller

15 qershor 1981

Për dijeni: J C R Gray Esq, EESD, FCO

                                                                                 -58-

Për përdorim të kufizuar

Ambasada britanike

J C R Gray Esq                                                                                                 Beograd

EESD

FCO                                                                                                            17 qershor 1981

I nderuar Charles,

                                      Kosova: emigrimi i serbëve dhe malazezëve

 Siç e kam përmendur në letrën time për Kosovën javën e kaluar, këtu është shprehur shqetësimi zyrtar për “pasiguri” në mesin e serbëve dhe malazezëve në Krahinë dhe për efektet e dëmshme të emigrimit të tyre. Megjithëse ka pasur një qarkullim të qëndrueshëm të emigrantëve për disa vite deri më sot, vetëm kohët e fundit janë shfaqur komente kritike zyrtare dhe të shtypit në drejtim të trazirave aktuale.

Shifrat e censusit

  1. Siç e ka përmendur edhe Jon Ward në letrën për ju, më 13 maj, në konferencën e tij kryesore për shtyp, Dolanc ka mohuar me forcë ekzistencën e një migracioni të dukshëm të serbëve dhe malazezëve nga Kosova. Për të qenë i saktë, Dolanc tha se “duke parë profilin e popullsisë në terma përqindjeje, përqindjet nuk kanë ndryshuar shumë gjatë 20 viteve të fundit, megjithëse nuk e mohoj se ka pasur disa raste të tilla”. Meqenëse censusi është plotësuar vetëm në Kosovë më 20 prill dhe rezultatet e tij u publikuan në fillim të majit, vlerësimi i Dolanc ishte i nxituar dhe, siç rezultoi, tërësisht i gabuar. Kështu, siç tregoi letra e Jon, gjatë dhjetë viteve të fundit numri total i serbëve në Kosovë ka rënë me 8.1%, ndërsa numri total i malazezëve ka rënë jo më pak se 14.8%. Në vitin 1961 njerëzit që e deklaronin veten si serbë përfaqësonin 23.5% të popullsisë së përgjithshme të Kosovës; në vitin 1971 ata përbënin 18.4% dhe në vitin 1981 përbënin 13.2% (shifrat për malazezët janë respektivisht 3.9%, 25% dhe 1.7%). Me fjalë të tjera, megjithëse midis viteve 1961 dhe 1981 popullsia e përgjithshme zyrtare e serbëve ra vetëm me 17,000 diferenca ndërmjet numrit të atyre që jetojnë në Kosovë me ata që do të kishin jetuar aty sipas normave të zakonshme jugosllave të rritjes dhe pa emigrimin, është shumë më e theksuar. Në terma si absolute dhe relative, numri i serbëve dhe malazezëve që jetojnë në Kosovë ka rënë dukshëm që prej vitit 1971.

Deklaratat zyrtare

  1. Ndërkohë që vendimet individuale për t’u larguar nga Kosova nuk mund të kritikoheshin zyrtarisht, tendenca në përgjithësi është dënuar nga autoritetet; gjithashtu janë bërë premtime për masa të forta kundër kujtdo që ushtronte “presion” për të nxitur emigrimin. Kështu, më 1 qershor, Jusuf Kelmendi, anëtar i Konferencës së Lidhjes Socialiste të Kosovës, tha se ishte detyrë konkrete për të shqyrtuar në detaj motivet për secilin vendim individual për të emigruar. “Duhet të merren masa më aktive politike dhe ligjore” kundër atyre që ushtrojnë presion. Më 4 qershor, Petar Kostiç, sekretari i Komitetit Krahinor të LKJ-së, tha se ishte e nevojshme për “ndërhyrje urgjente” për të ndaluar largimin e serbëve dhe malazezëve. Azem Vllasi, kryetar i Lidhjes Socialiste të Kosovës, tha në konferencën e tij për shtyp, më 6 qershor, se pas demonstratave është krijuar një situatë e cila “në mënyrë objektive dha pamjen e presionit”. Ai vazhdoi: “në këtë situatë çdo migracion ka një ngjyrë politike që krijon me shpejtësi një ndikim të pakëndshëm veçanërisht për ata njerëz që kanë ndërmend të jetojnë gjithë jetën e tyre në këtë Krahinë”. Dhe më 10 qershor, Mustafa Ristiç, kryetar i Seksionit të LKJ-së të Lidhjes Socialiste të Kosovës, tha se raportimi nga ana e shtypit për Kosovën nuk ka kontribuar gjithmonë në qetësimin e gjërave, veçanërisht për sa i përket emigrimit të serbëve dhe malazezëve, të cilët i janë nënshtruar presionit për të shitur shtëpitë e tyre dhe për t’u larguar. “Publikimi i vazhdueshëm i fotografive të dominuara nga tabelat ku thuhet “Shtëpi për shitje” nuk po ndihmojnë për të ndaluar emigrimin. Po të isha serb, do të kërkoja një blerës për shtëpinë time pasi të shihja kaq shumë foto”. Rishtiç shtoi se “asnjë shqiptar në Kosovë nuk mund të ndjehet i sigurt nëse serbët dhe malazezët nuk ndjehen në të njëjtën mënyrë”. (!) Siç mund ta kuptoni, prononcime të tilla janë zakonisht të gjata në denoncime dhe të shkurtra në sugjerime konkrete.

Presioni për të emigruar

  1. Siç e tha Ristiç, shtypi ka gjetur mbështetje në këtë çështje. Gazetat “NIN”, “Duga” dhe “Ilustrovana Politika”, kanë pasur të gjitha artikuj me intervista dhe foto personale të shtëpive me njoftimet “Për shitje” (për interesin tuaj, bashkëlidhur po ju dërgoj një kopje të një faqeje të tillë nga gazeta “NIN” e datës 7 qershor për këtë çështje). Siç e tha gazeta “NIN”, “çështja e presionit është delikate. Nëse e kufizoni atë me shkatërrimin e gjerë të pronës, keqtrajtimin fizik, kërcënimet serioze për jetën dhe i zbatoni këto kërcënime – ndoshta presioni nuk ndodh shpesh. Por, nëse ju gjithashtu i shikoni vështirësitë në rritje për punën, promovimin ose shkollimin si forma të presionit, nëse në mënyrë të ngjashme i klasifikoni aktet e vogla sistematike të mërisë për të cilat normalisht fajtorë janë fëmijët, por edhe të rriturit; dhe nëse shtoni sulmet ndaj monumenteve kulturore, abuzimin e femrave në rrugë, diskriminimin në punë dhe gjëra të tjera të vogla dhe të mëdha, atëherë do të gjeni mjaft presion për të shqetësuar një person, për ta bërë të ndjehet i trazuar dhe të dëshirojë të gjejë paqe dhe qetësi diku tjetër”.
  2. Për të sjellë shembuj, këtu ka disa fragmente nga artikulli i gazetës “Duga” për historinë personale të Aleksandër Millosheviçit, i cili u largua nga Kosova në vitin 1970, duke lënë pas një fermë mjaft të madhe. “Për të gjithë parcelën unë mund të merrja – jo, më mirë të mos e them”. Familja e tij përbëhej nga 17 anëtarë dhe disa ishin të armatosur. Por më kot. Disa fshatarë shqiptarë kanë nxjerrë bagëtitë e tyre nëpër fusha dhe e kanë shkatërruar parcelën. Kur ai u ankua në polici ata i thanë se kishin qenë fëmijë ata që e kishin bërë këtë, apo një shaka praktike. Femrat duhej të shoqëroheshin kur dilnin jashtë. Varret e tyre ishin dhunuar. “Nëse do përpiqeshit të bëni padi, atëherë fajtori do të ishit ju. Ju quajnë “Nacionalist”. Nëse shefi i policisë do të më pyeste, unë do t’i thosha: “U largova për shkakun tuaj – Ju mbrojtët ato grupe që po sulmonin njerëz të tjerë”.” Shumë njerëz ishin larguar vetëm me një çantë në shpinë dhe fëmijët e tyre në krahë. Në dyert e tyre u gjetën shënime të tilla si “Shansi i vetëm për t’u larguar – rruga Krushevac, Kraljevo, Smederevo, Gornji Milanoviç … puthni pragun e shtëpisë tuaj dhe largohuni”.

Komente

  1. Është e tepërt të thuhet se do të jetë pak a shumë e pamundur që autoritetet të ndalojnë përndjekjet në shkallë të vogël apo letrat kërcënuese anonime. Rritja e shpejtë e popullsisë shqiptare dhe ulja e numrit të serbëve jepnin një tablo alarmuese për të ardhmen e Kosovës në afat të mesëm apo të gjatë; dhe, siç e thashë javën e kaluar, largimi i punëtorëve të kualifikuar ka implikime ekonomike serioze të menjëhershme. Sidoqoftë, për sa kohë që vetë Shqipëria ndjek vijën e saj të përgjithshme aktuale nuk ka arsye të imagjinohet se ky problem emigrimi ka shansin më të vogël që të zgjidhet.

I Juaji,

Charles Crawford

Oficer Informacioni

Për dijeni: P. Rennie Esq

Departamenti i Kërkimit, FCO

                                                                                          -59-

Konfidenciale

23 qershor 1981

  1. Bullard,

                                                                Situata në Jugosllavi

 Keni kërkuar vlerësimin tonë mbi kontributin grek në COREU ngjitur.

  1. Kjo është një pjesë e mirë e cila në shumë drejtime kombinohet me raportimin shumë të hollësishëm që kemi marrë nga Beogradi. Grekët kanë interes të ngushtë dhe të mirinformuar në çështjet e Ballkanit dhe zhvillimet në Kosovë (një pjesë e të cilave janë pasqyruar fillimisht në pretendimet irredentiste greke) paraqesin interes të veçantë për ta.
  2. Jemi të një mendimi me vërejtjet e përgjithshme në lidhje me udhëheqjen pas Titos dhe situatën ekonomike. Sidoqoftë, jo për çudi, kjo pjesë përqendrohet në trazirat e fundit në Kosovë. Mendojmë se grekët të cilët janë të merakosur që të shihen si të paanshëm mund të kenë minimizuar mundësinë e përzierjes shqiptare, por jemi dakord me vlerësimin e tyre se nuk ka të dhëna mbi ndërhyrje nga ana e Bashkimit Sovjetik.
  3. Kur të drejtojmë grupet e punës të Evropës Lindore në gjysmën e dytë të vitit, duket se është me vlerë që të shqyrtojmë mundësinë për t’i kërkuar grekëve që të ofrojnë më tej kontributin e tyre në çështjet me interes aktual të Ballkanit.

                                                                                                                                 I Juaji,

  1. E. Montgomery

Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore

Për dijeni: Z. Broomfield

                                                                                                    -60-

Për përdorim të kufizuar

NR 2033

EM  ATM COPEU

CPE/BIL/ETR 145

Direkt për të gjithë COPEU

Grupi punës së Evropës Lindore

                                                               Situata në Jugosllavi

  1. a) Situata ekonomike

            Për shkak të krizës ekonomike kombëtare në shkallë të madhe, zhvillimi i situatës ekonomike në Jugosllavi është veçanërisht i pafavorshëm. Numri i të punësuarve u rrit në 1.200.000 (800.000 sipas të dhënave zyrtare). Norma e inflacionit, e cila në vitin 1980 ishte 50%, nuk parashikohet që të bjerë ndjeshëm në vitin 1981. Borxhi i jashtëm i vendit u rrit në 18 miliardë dollarë. Vështirësitë ekonomike çuan në rishikimin e programit ekonomik dhe zhvlerësimin e dinarit me 30% në mesin e vitit 1980.

  1. b) Çështja e kombësive

1)         Të përgjithshme

            Një prej problemeve më serioze me të cilat përballet udhëheqja post-Tito është ajo e pretendimeve të kombësive dhe pakicave (kroatët, sllovenët, maqedonasit, myslimanët, shqiptarët etj.), të cilat përbëjnë Republikën Federative të Jugosllavisë. Këto pretendime (të cilat janë nënvizuar nga pabarazia ekonomike midis krahinave të varfra dhe atyre të pasura) padyshim u bënë më këmbëngulëse pas vdekjes së Titos i cili falë personalitetit të tij të fuqishëm, ia doli me sukses që të ruante unitetin e mozaikut shumëkombësh të vendit të tij.

            Komuniteti shqiptar i Kosovës (1.200.000) përbën shumicën dërrmuese (80%) të popullsisë së rajonit. Ngjarjet e fundit aty çuan në krizën e parë të madhe nacionaliste në Jugosllavi, pas vdekjes së Titos.

2)  Incidentet në Kosovë

  1. Fakte

            Tablloja e Prishtinës, më 11 dhe 26 mars, vijoi më 1 prill me demonstrata masive. Kërkesa kryesore e demonstruesve ishte që ta bënin Krahinën Autonome të Kosovës Republikë të shtatë socialiste, të barabartë me gjashtë republikat e tjera. Megjithatë, kishte gjithashtu parulla në favor të “bashkimit me atdheun”.

            Autoritet jugosllave reaguan në mënyrë veçanërisht tronditëse duke dërguar ushtrinë dhe forcat e policisë pas demonstruesve, ku shumë njerëz u vranë dhe u plagosën. Kosova u deklarua zonë emergjente dhe për të huajt u ndalua hyrja në këtë Krahinë. Shumë persona u arrestuan dhe u morën masa të rënda, në veçanti kundër profesorëve, studentëve dhe mësuesve.

            Sipas të dhënave zyrtare jugosllave, 287 persona u dënuan për pjesëmarrje në demonstrata, 189 të tjerë u pushuan nga puna dhe 442 anëtarë të LK-së lokale u shkarkuan, përfshirë Bakallin, kryetar i Komunistëve të Kosovës. Për më tepër, u bllokua bashkëpunimi arsimor dhe kulturor midis Kosovës dhe Shqipërisë.

            Autoritetet e Kosovës akuzuan Shqipërinë se kishte organizuar aktivitete subversive kundër Jugosllavisë.

            Shtypi shqiptar mbështeti hapur kërkesat e demonstruesve dhe akuzoi Jugosllavinë se kishte shfrytëzuar elementin shqiptar. Sipas kundërsulmit të shtypit jugosllav, kjo përbënte një kërcënim ndaj integritetit territorial të vendit.

            Tensioni midis dy vendeve u përshkallëzua kur, më 23 maj, në Ambasadën jugosllave në Tiranë shpërtheu një bombë, ndërkohë që qeveria hodhi poshtë protestën jugosllave.

3)  Vlerësime

            Me gjithë polemikat e egra midis dy fqinjëve, nuk ka prova të prekshme se Shqipëria ka përkrahur trazirat në Kosovë. Për më tepër, fakti që shtypi shqiptar filloi të mbështeste kauzën e demonstruesve plot një javë pas trazirave, sugjeron më tepër se shqiptarët u zunë në befasi dhe se shkaqet e trazirave ishin të brendshme. Ky konkluzion ka të ngjarë që të përforcohet nga fakti se, disa muaj pas trazirave Kosova është ende në gjendjen e ndalimqarkullimit. Për më tepër, kushdo mund të vërejë se qëndrimi shqiptar është shprehur vetëm nga lajmet në media dhe se asnjë zyrtar i qeverisë nuk bëri asnjë deklaratë përkatëse. Përkundrazi, disa zyrtarë jugosllavë përdorën një gjuhë mjaft të fortë kundër fqinjëve të tyre, gjithsesi pa shkuar shumë larg që të mos rrezikonin në mënyrë permanente marrëdhëniet midis dy vendeve.

            Siç duket, dy vendet nuk dëshirojnë që t’i shtyjnë gjërat në ekstrem… Jugosllavia për shkak të frikës së saj se një Shqipëri plotësisht e izoluar, mund të kërkojë pas periudhës së Enver Hoxhës mbrojtjen e sovjetikëve dhe Shqipëria nga ana e saj, për shkak të nevojës së saj jetësore që të mbulohej nga një shtet politikisht i qëndrueshëm tampon kundrejt BRSS-së.

            Nga ana tjetër, nuk ka tregues se trazirat në Kosovë janë provokuar nga Bashkimi Sovjetik.

            Duket e sigurt se këto incidente janë shkaktuar nga kushtet e këqija politike dhe ekonomike që kanë mbizotëruar në Kosovë prej shumë vitesh. Aktualisht, Kosova është pjesa më pak e zhvilluar e Jugosllavisë – megjithëse zhvillimi i saj pas luftës ishte impresionues. Raporti i zhvillimit midis Kosovës dhe Kroacisë në vitin 1971 ishte 1:3,2 ndërsa shifra e sotme ka shkuar në 1:7.

            Veç kësaj, fakti që kjo krahinë banohet vetëm nga një pakicë josllave në Jugosllavi (përveç hungarezëve të Vojvodinës) e pengoi atë natyrisht për arsye politike që të garantonte statusin e Republikës.

            Popullsia shqiptare e Kosovës ka përshtypjen se është e klasit të dytë. Ky fakt së bashku me urrejtjen e tyre kundër Republikës Socialiste të Serbisë, brenda së cilës Kosova përbën një krahinë autonome, i nxiti kërkesat e tyre për pavarësi më të gjerë politike.

            Pranimi nga Qeveria jugosllave se Kosova duhet të marrë statusin e Republikës kërkon, gjë që ka pak gjasa, që të marrë parasysh faktin se një veprim i tillë do t’i jepte një goditje poshtëruese Republikës së Serbisë së cilës pas luftës i është shkëputur territori i Republikës Socialiste të Maqedonisë. Ky fakt gjithashtu do të krijonte precedent për Krahinën Autonome të Vojvodinës.

            Nga ana tjetër, ngjarjet në Kosovë vërtetuan se sa e gabuar ishte politika e Qeverisë federale për të inkurajuar kontakte të drejtpërdrejta të Kosovës me Shqipërinë veçanërisht në sektorët delikatë të bashkëpunimit midis universiteteve, programeve kulturore, shkëmbimit të profesorëve etj., duke lejuar kështu që brezi i ri i kësaj krahine të ndërgjegjësohej për origjinën e tij shqiptare.

            Në mesin e prioriteteve me të cilat po përballet udhëheqja jugosllave, natyrisht janë… a) rishikimi i sistemit të bashkëpunimit me Shqipërinë dhe i strukturës lokale arsimore me qëllim që të shtypet nacionalizmi shqiptar; b) rishikimi i pushtetit lokal dhe mekanizmit partiak dhe; c) nxitja e menjëhershme dhe liberale e programit të zhvillimit me qëllim që të plotësohen kërkesat ekonomike kryesore të popullsisë.

 ATH Copeu

Teksti përfundimtar

                         [Dërgohen kopje për ambasadat e KE-së në Londër]