Arkiv / Ripublikim

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: Dokumente britanike për Pranverën Shqiptare ’81

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba

 DOKUMENTE BRITANIKE PER DEMONSTRAT E VITIT 1981 NE KOSOVE

                                                                                  * * *

Dokumentet britanike për Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, sjellin para lexuesit informacione të rëndësishme, për një ngjarje me shumë interes të historisë bashkëkohore të shqiptarëve. Janë afër 300 faqe dokumente të vjela nga Arkivat Britanike në Londër, të natyrës diplomatike, politike, shoqërore, ushtarake etj. Shumica e dokumenteve i përket korrespodencës së Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Beograd, me Ministrinë e Jashtme dhe të Komonuelthit (Foreign and Commonwealth Office – FCO) dhe një numër më i kufizuar informacionesh të përcjella nga Konsullata e Përgjithshme Britanike në Zagreb. Dokumentet përfshijnë edhe korrespodencën  diplomatike të ambasadave të Madhërisë së saj, në: Athinë, Ankara, Moskë, Vjenë e deri në Abu Dhabi [Emiratet e Bashkuara Arabe], me Londrën. Pjesa më e rëndësishme e kësaj korrespodence i është bërë e njohur edhe Uashingtonit, me të cilin Londra konsultohej herë pas here dhe, siç dëshmojnë dokumentet, duket se ndanin edhe qëndrime të përbashkëta.

Një vend të konsiderueshëm zënë edhe artikujt e shtypit të vendeve perëndimore. Imazhet e para të qëndrimeve të diplomacive perëndimore ndaj Demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, dhe ndaj çështjes shqiptare, u përcollën pikërisht përmes këtyre artikujve. Në të vërtetë, disa prej shkrimeve të shtypit perëndimor dhe sidomos të atij austriak e gjermano-perëndimor shprehnin më qartë përmasat reale të asaj që po ndodhte në Kosovë në pranverën e vitit 1981, të egërsisë me të cilën u soll Jugosllavia ndaj demonstruesve dhe intelektualëve shqiptarë gjatë dhe pas demonstratave. Në ndonjë dokument specifik të këtij botimi do të pranohej e argumentohej juridikisht legjitimiteti dhe drejtësia e kërkesës kyçe “Kosova Republikë”.

Tematika e këtyre dokumenteve është e pasur dhe e larmishme, por, përmbajtja e saj mund të rivijëzohet në disa drejtime, të cilat fokusohen: tek  nacionalizmi i shqiptarëve të ish-Jugosllavisë; tek shkaqet e Demonstratave të mars-prillit të vitit 1981; tek kërkesa kryesore e tyre “Kosova Republikë”; tek roli i Shqipërisë në këto demonstrata dhe tek marrëdhëniet e saj me Jugosllavinë; tek politika zyrtare e Britanisë së Madhe ndaj Jugosllavisë dhe kërkesave të shqiptarëve; tek reagimi i organeve të larta partiake e shtetërore në  Serbi e  Federatë, gjatë dhe pas demonstratave; tek qëndrimet e dyzuara të udhëheqësve shqiptarë në Kosovë; tek analizat interesante për kushtetutshmërinë e kërkesës së demonstruesve “Kosova Republikë”; tek hamendësimet intriguese për vdekjen e papritur të kryeministrit të Shqipërisë, Mehmet Shehu etj.

Hartuesit e dokumentacionit në përgjithësi i gjejnë rrënjët e krizës brenda Jugosllavisë dhe jo jashtë saj, në kundërshtim me përpjekjet e udhëheqësve jugosllavë, që i kërkonin ato jashtë Jugosllavisë, kryesisht tek politika e shtetit shqiptar apo e Bashkimit Sovjetik. “Nacionalizmi në Kosovë, përmendet me të drejtë në një informacion të Ambasadës britanike në Beograd, është një problem endemik, të cilin as Tito nuk mundi ta zgjidhte”. Dokumentacioni hap rrugën për një analizë më realiste e më të plotë të Demonstratave të vitit 1981 në Kosovë.

Politika zyrtare britanike e vitit 1981 ishte për ruajtjen e Jugosllavisë dhe të tërësisë së saj territoriale, ndërsa kërkesa e shqiptarëve “Kosova Republikë” shihej me dyshim dhe rrezikshmëri, sepse pranimi i saj mund t’i hapte rrugë shpërbërjes së Jugosllavisë dhe hapjes së  “Kutisë së Pandorës”. Sidoqoftë, nuk do të mungonin edhe gjykimet dhe zërat e veçantë jashtë kuadrit zyrtar, të cilat e konsideronin të drejtë kërkesën e shqiptarëve për barazi brenda Federatës Jugosllave. Disa artikuj të shtypit të këtyre muajve, ndonëse furnizoheshin me “karburant” nga shtypi dhe autoritetet jugosllave, arritën në konkluzione më të drejta se vetë politikanët e shteteve të tyre, duke pranuar opsionin “Kosova Republikë”, madje edhe shkëputjen e saj nga Jugosllavia, duke sjellë si shembull historinë e disa vendeve evropiane.

Qeveria jugosllave, siç dëshmon dokumentacioni, qëllimisht e keqinterpretonte  kërkesën e demonstruesve për “Kosovën Republikë”, me shkëputjen e saj nga Jugosllavia dhe me ndryshimin e kufijve, duke e ditur se një opsion i tillë, do të prishte ekuilibrat dypolarë dhe do të kundërshtohej nga Perëndimi. Në mënyrë jo korrekte dhe të përsëritur, disa politikanë jugosllavë i referoheshin Aktit Final të Helsinkit, për pandryshueshmërinë e kufijve evropianë të vendosur pas Luftë së Dytë Botërore, duke “harruar” të përmendnin një nga nenet e tij, i cili i hapte rrugë ndryshimit të kufijve në mënyrë paqësore. Sidoqoftë, në rrethanat e “Luftës së Ftohtë” ishte gati e pamundur të “kapërceje gardhin”. Frika dhe paragjykimi për tjetrin ishin të pranishëm kudo. Por, studentët, punëtorët dhe intelektualët e Kosovës nuk kërkuan ndryshimin e kufijve, por barazi me republikat e tjera të ish-Jugosllavisë.

Në ndonjë dokument të këtij vëllimi vihet në dukje një tipar i veçantë i nacionalizmit shqiptar – prirja drejt të drejtave kombëtare dhe jo drejt lirive individuale, sikurse ndodhte në vendet anëtare të KSBE-së, ku bënte pjesë edhe Jugosllavia. Prirja për të drejta dhe liri individuale, ishte karakteristike për vendet ish-komuniste të Evropës Qendrore e Lindore, [ndonëse edhe Jugosllavia kishte problemet e veta], por, tek shqiptarët interesat kombëtare kishin fituar prevalencë mbi liritë dhe të drejtat e njeriut, për kohën kur u hartuan këto dokumente.

Dokumentet nuk i shpëtojnë dot subjektivizmit dhe këndvështrimeve të ndryshme, jo thjesht se ato janë ushqyer nga burime zyrtare jugosllave, por kryesisht për shkak të “doganës” që vë koha. Por, kjo nuk e cenon vlerën e tyre. Publikimi i këtij korpusi dokumentar do ta pasurojë më tej njohjen tonë për Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, do të na ndihmojë të gjykojmë më mirë për historinë e saj, për njerëzit që morën pjesë dhe mbi të gjitha për drejtësinë e kërkesës “Kosova Republikë”. Viti 1981 shënoi një pikë kulmore të kërkesave kombëtare të shqiptarëve, por jo fundin e një rruge të gjatë, e cila do të vazhdonte dhe do të kurorëzohej vetëm në fillim të shekullit të XXI, me shpalljen e shtetit të pavarur të Kosovës.

Shpresojmë dhe besojmë se publikimi i këtij vëllimi origjinal dhe intrigues do të tërheqë vëmendjen e lexuesit të thjeshtë, studiuesve të shkencave shoqërore, e veçanërisht të historianëve. Interesi besojmë se do të jetë i shumëfishtë për njerëzit që bënë historinë në ato vite, të cilët janë ende gjallë. Dokumentacioni është përcjellë sipas kronologjisë së ngjarjeve, pa i cunguar e hequr pjesëza nga trupi i tyre.

                                             Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba

 

                                                                                     -81-

Për përdorim të kufizuar

J C R Gray Esq                                                                                             Ambasada britanike

EESD                                                                                                                              Beograd

FCO                                                                                                                         5 gusht 1981

I nderuar Charles,

                                                      Kosova: pasqyrimi në media

Përmbledhje

 Kritikat e fundit nga një zyrtar Informacioni për Kosovën mbi disa pjesë të shtypit “të Beogradit” për trajtimin e trazirave në Kosovë, kanë nxitur reagime përçmuese nga gazetat e Beogradit, por tërhoqën mbështetje të paparashikuar publike nga disa anë të tjera shtypi tjetërkund në Jugosllavi. Një gjë e tillë ka shkaktuar ‘polemika’ të pahijshme midis publikimeve të ndryshme, ku ‘shtypi i Beogradit’ ka hedhur poshtë me forcë akuzat se pasqyrimi nga ana e tij është goditur nga senzacionalizmi apo nacionalizmi serb. Është shumë herët për të dalluar nëse kjo do të ndikojë në pasqyrimin e thekshëm kombëtar të Kosovës apo në tendencat e përgjithshme në drejtim të lirisë më të madhe të shtypit në Jugosllavi. Por kjo situatë demonstron qartazi se sa lehtë mund të ndizen xhelozitë kombëtare në klimën e vështirë aktuale.

Detaje

  1. Në letrat e mia për ju të datës 28 prill dhe 19 maj, kam përshkruar se si trazirat në Kosovë kanë çuar në një debat të gjallë mbi rolin e përgjithshëm të shtypit në Jugosllavi. Raportimi ynë për Kosovën që atëherë ka zbuluar (shpresoj) faktin që shtypi në tërësi, por në veçanti botime të tilla me bazë në Beograd si gazetat NIN, “Politika”, “Politika Ekspres” dhe “Duga”, i kanë ofruar publikut jugosllav që në prill një analizë të gjerë të problemeve të kaluara dhe aktuale në Kosovë. Disa nga zbulimet kanë vënë në siklet me të drejtë grupe të ndryshme të Kosovës dhe ndoshta kanë ndihmuar për të detyruar shumicën e dorëheqjeve të paraqitura nën presion deri tani. Ka pasur ankesa sporadike nga Kosova se ky pasqyrim i fuqishëm i shtypit ka qenë jashtëzakonisht ‘senzacionalist’, pesimist ose edhe dëmtues (shih, për shembull, letrat e mia për ju të datës 10 qershor, paragrafi 10, dhe të datës 17 qershor, paragrafi 3). Por debati në shtyp që ka pasuar vërejtjet e Mustafa Rushitit më 20 korrik, raportuar të nesërmen në gazetën “Politika”, ka pasur implikime më të gjera.

Fjalimi i Mustafa Rushitit

  1. Duke hapur një mbledhje të Seksionit të Informacionit të Lidhjes Socialiste të Kosovës të mbledhur për të diskutuar temat dhe jo për të përgatitur një vlerësim përfundimtar, Kryetari i Seksionit, Mustafa Rushiti, kritikoi “gazetat e ndryshme të ilustruara” pasi kishin shkruar në “mënyrë të njëanshme, tendencioze dhe senzacionaliste”, duke mbjellë kështu mosbesim për forcat progresive dhe kombësinë shqiptare në Krahinë. Ndërkohë që gazetat “Oslobodjenje”,“Borba” dhe “Vjesnik”kishin qenë në përgjithësi konstruktive, gazeta “NIN” dhe revista të tjera (për shembull, “Duga” dhe “Ilustrovana Politika”) kishin paraqitur “kritika të përgjithësuara dhe ofensive”. Në veçanti ai dënoi artikullin e Dr. Halit Trnavci në gazetën “NIN” (raportuar në letrën e Terence Clark për Alan Montgomery e datës 13 korrik), por gjithashtu pretendoi se edhe korrespondentët e “Tanjug-ut” në Prishtinë nganjëherë nuk kishin arritur të vlerësonin ndryshimet pozitive që po ndodhnin. Raportimi i fjalimit të tij nga gazeta “Politika”shprehte se këto komente çuan në një diskutim të gjatë, me mosmarrëveshje të shprehura për pika të ndryshme.

Përgjigjet e ‘shtypit të Beogradit’

  1. Siç mund ta imagjinoni, publikimet e sulmuara nga Rushiti nuk ishin krejtësisht dakord me konkluzionet e tij. Gazeta “Politika” e datës 25 korrik iu shmang përgjigjes së drejtpërdrejtë duke ribotuar një artikull nga versioni serb i gazetës “Komunist” nga Mirko Arsiq. Arsiq tha se kritika e “disa tendencave negative” në Kosovë pasqyronte në fakt mbështetjen e plotë dhe pa rezerva nga pjesë të tjera në Jugosllavi për të gjitha ato forca në Krahinë që trajtonin çështjen e kundërrevolucionit. Megjithatë, përpjekjet për t’i klasifikuar publikimet si të mira dhe të këqija mbi bazën e raportimit të tyre të përgjithshëm ishin të paprecedente, veçanërisht kur vetë shtypi i Kosovës nuk gjykohej në mënyrë të ngjashme. Ai pranoi se disa artikuj kishin qenë vërtetë të padobishme dhe senzacionaliste, por përgjithësimet e gjera në vend të kritikës së artikujve individualë ishin pavend. “Ky vlerësim i Kryetarit të Seksionit është shumë pranë papërgjegjshmërisë dhe favorizon nacionalizmin shqiptar”.
  2. Gazetat “Borba” dhe “Politika” publikuan më pas më 27 korrik një përgjigje të dhënë nga “Tanjug”, e cila bëri komente të ngjashme dhe dënoi përpjekjet “për të ndezur një formë diferencimi brenda sistemit jugosllav të informacionit”. Përpjekje të tilla çuan në “një klasifikim të papranueshëm politik, i cili mund të përmbante përpjekje të fshehta për të përhapur përçarje në shtypin jugosllav”. “Tanjug” shtoi se nëse disa nga korrespondentët e saj kishin pasur vështirësi të gjuhës në Kosovë, ky ishte pikërisht një problem që seksionet e informacionit në Krahinë duhet të kishin ndihmuar për ta zgjidhur.
  3. Gazeta “NIN” publikoi komentet e saj më 31 korrik. Ajo tërhoqi vëmendje të veçantë në tre tema të artikullit të Dr. Trnavcit, të cilat e kishin irrituar Rushitin: fakti që indoktrinimi i zgjatur nacionalist në Krahinë ishte toleruar nga një rreth i ngushtë intelektualësh dhe politikanësh; nevoja për një vlerësim shumë më të vendosur të përgjegjësisë personale në nivelin e lartë politik në Kosovë; dhe shkalla e martesave dhe nepotizmit në radhët e qarqeve të larta. Çfarë konstatoi Rushiti “liberaliste” apo të pasaktë në gjithë këtë? Nuk ishte e lehtë të shkruhej për Kosovën, por ishte e nevojshme që të bëheshin hetime të thella të problemeve atje “jo për faktin se dikush duhet të marrë hak ndaj dikujt tjetër, por më tepër për të mbytur kundërrevolucionin akoma pa lindur”. Siç u shpreh gazeta “NIN”, duke ri-lexuar konkluzionet e qarta të organeve më të larta politike në Jugosllavi, “është e vështirë të shmanget përshtypja se ndërkohë ka ndodhur diçka që ka bërë disa zyrtarë dhe medien informative t’i shohin detyrat që lindin nga këto konkluzione nga një këndvështrim tjetër…”.

Mbështetja për Rushitin

  1. Sidoqoftë, më 29 korrik gazeta me qendër në Sarajevë “Oslobodjenje” publikoi një pjesë të Kemal Kurspashiq, të cilën gazeta “Politika” e ribotoi të nesërmen. Në fillim të muajit kishte pasur një luftë fjalësh midis redaktorit të gazetës “NIN” dhe asistent/kryeredaktorit të gazetës “Oslobodjenje”, i cili, së bashku me një redaktor të RTV Zagrebit kishte kritikuar pasqyrimin që gazeta “NIN” i kishte bërë çështjeve të ndryshme në Kosovë (veçanërisht emigrimit të serbëve dhe malazezëve); por Kurspahiq i vuri në një kontekst më të gjerë kritikat e Rushitit ndaj ‘Beogradit’. Ai kërkonte të dinte pse disa botime ishin të gatshme të kritikonin të tjerët në emër të lirisë së shtypit, por nga ana tjetër, “tregonin dhëmbët e tyre” ndaj njerëzve që i kritikonin ato. Ai tha se shumë pjesë nga fjalimi i Rushitit përmendnin realisht punën e medies në Kosovë por që komentuesit i kishin injoruar ato. Për më tepër, të njëjtët njerëz që kishin hedhur poshtë klasifikimet e përgjithshme të shtypit jugosllav po kërkonin që një procedurë e tillë të zhvillohej në Kosovë. Ndërkohë që të gjithë ishin bërë një në dënimin e kundërrevolucionit në Kosovë, “ne nuk mund të një mendjeje për rolin e informacionit në aksionin politik kur në të njëjtën kohë ekzistojnë artikuj dhe gazeta që janë më të angazhuara me regjistrimin e shpërthimeve nacionaliste sesa me përpjekjet pozitive për normalizimin e tyre”. Ekzistonte një implikim i dukshëm në fjalët e Kurspahiq se nacionalizmi serb ishte pas sulmeve të ‘shtypit të Beogradit’ ndaj Rushitit.
  2. Dukej se ishte shumë vonë që gazeta NIN të reagonte, por gazeta “Politika Ekspres” e datës 29 korrik nuk u tërhoq nga kritikat e saj në trajtimin e atyre që kërkonin të sulmonin “mediet e tjera të popullit”. Artikulli citonte se shtypi në Serbi mbante përgjegjësi të veçantë për kanalizimin e Kosovës prej një dekade si Krahina që ishte përpjekur të shmangte rolin e saj si pjesë përbërëse e Serbisë, duke iu drejtuar drejtpërdrejt Federatës, duke bllokuar në këtë mënyrë përpjekjet e Serbisë për të ndjekur politika të përgjithshme në të gjithë Republikën në tërësi. Në luftën e informacionit brenda Serbisë ka pasur suksese dhe gabime, por tendenca më e fundit në drejtim të vëzhgimit të “medieve të tjera të popullit” ka qenë alarmuese. “Këto kritika mesa duket janë të lidhura nga një fije e padukshme, meqenëse pak a shumë të gjitha në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, synojnë të jenë në qendër të vëmendjes të të ashtuquajturit shtypi ‘serb’ ose ‘i Beogradit’, duke mbajtur të fshehur anën e errët të qëllimeve të tyre”. Natyrisht, nëse (siç ishte e nevojshme) shtypi në Serbi është përfshirë veçanërisht në problemet e Kosovës, logjikisht kishte më shumë të ngjarë që të bënte më shumë gabime; por ishte e rëndësishme që kritika praktikisht të njëjta për Serbinë të vinin nga Shqipëria, e cila kërkonte të tregonte se ‘problemi i Kosovës’ ishte krijim serb.
  3. Kjo përmbledhje irrituese por inteligjente e debatit të Bozidar Bogdanoviq, asistent redaktor në gazetën “Politika Ekspres”, provokoi nga ana e tij shkrimin e një letre çuditërisht të paqartë të Milan Uzelac, Sekretar i Kryesisë së Aleancës Socialiste të Bosnje-Hercegovinës, ku Bogdanoviq akuzohej se kishte krijuar përçarje “në një mënyrë të ashpër dhe të papranueshme” dhe se kishte përdorur “logjikë të çuditshme” për të ndarë përgjegjësinë mbi ngjarjet në Kosovë midis së kaluarës dhe të tashmes. Gazeta “Politika Ekspres” publikoi më 4 gusht një letër “thjesht sepse Shoku Uzelac ka marrë përsipër të drejtën për të folur në emër të Kryesisë së Aleancës Socialiste të Bosnje-Hercegovinës. Ndryshe, shpjegimet dhe argumentet e tij nuk janë në një nivel të tillë që të lejojë zhvillimin e një dialogu me vlerë”.

Përpjekje për pajtim?

  1. Pas shkëmbimeve të tilla të hidhura, gazeta “Politika”botoi më 2 gusht një artikull të Slavoljub Gjukiqit, ku përpiqej të qetësonte gjërat. Ai tha se defektet në raportimin e Kosovës ishin lehtësisht të korrigjueshme, “por është shumë më e vështirë që të mbushen disa çarje, të cilat po krijohen në shoqërinë tonë dhe po përhapen në mënyrë alarmuese”. Ndarjet në shtyp që pranonin vlerat bazë të Jugosllavisë ishin të menaxhueshme, por “dashur pa dashur shtypi Republikan po transformohet në një forum të interesave krahinore. Një gjë e tillë ka një çmim të lartë dhe pasoja të dhimbshme politike”. Lexuesit e zakonshëm mund të mendojnë se mosmarrëveshjet midis shtypit në Republika të ndryshme pasqyronin qëndrime të ndryshme të udhëheqësve të tyre politikë, “një gjë më se serioze”. Beteja kundër nacionalizmit “nuk fitohet me fjalë por me punë të përditshme të lodhshme në të cilën mbizotërojnë përgjegjësia dhe ndjenja e përbashkët”. Javët në vazhdim do të tregojnë nëse ky apel për bashkimka funksionuar.

Pasojat e kësaj politike

  1. Vetë Rushiti duket i padruajtur. Në një mbledhje të Konferencës së Lidhjes Socialiste të Kosovës më 31 korrik (raportuar më 1 gusht në gazetën “Borba”) ai kërkoi falje për faktin se gazetarëve nuk u ishin afruar lehtësirat e duhura të përkthimit në mbledhjen e mëparshme, por përsëriti kritikat e tij (këtë herë me shembuj që nuk i dha gazeta “Borba”) dhe tha se komentet e “Tanjugut” ishin “plot me insinuata”, ndërsa pjesa e Arsiqit “fliste vetë”. Kryetari i Lidhjes Socialiste Azem Vllasi tha se Sekretariati i Informacionit nuk duhej të përfshihej në argumentime nëse një artikull i dhënë ishte apo jo i dobishëm. Mendimet personale ishin jashtë temës në fjalë. Një mbledhje e Kryesisë do të kryente në kohën e duhur një vlerësim të plotë të çështjeve të informimit në lidhje me Kosovën.
  2. Ndërkohë që pasqyrimi nga ana e shtypit është përgjithësisht më i dobët në korrik dhe gusht, realisht nuk është e mundur të dallohet nëse të gjitha këto argumente do të ndikojnë në analizën për Kosovën. Gazeta “NIN” duket se vazhdon si zakonisht, por një deklaratë pothuajse e pacipë e Fakultetit Filozofik në Universitetin e Prishtinës se “bashkëpunimi me Universitetet e huaja, veçanërisht me atë të Tiranës, ka qenë i suksesshëm, i denjë dhe shumë i dobishëm”, është raportuar drejtpërdrejt në gazetën “Politika” pa komentin hokatar që ka shoqëruar deklarata të tilla deri tani. Kjo deklaratë u raportua po ashtu me qetësi në TV, duke e lënë në dorë të audiencës që të nxjerrë konkluzionet e veta. Për më tepër, shtypi ‘i Beogradit’ ka përdorur padyshim ekspozimin e shprehjeve nacionaliste në Kosovë për të zmadhuar rolin e tij në Jugosllavi. Në aspektin afatgjatë, mund të pritet që shprehitë e kriticizmit të mprehtë dhe kërkesës për analizë të përftuar në këtë zonë të zbatohen tjetërkund, kështu që do të ishte tejet pa vend nëse ky kundër-sulm nga Kosova do të çonte në një reduktim të gjithanshëm, të vetë-imponuar ose ndryshe, në gatishmërinë e shtypit për t’u vënë në krye të denoncimit të korrupsionit dhe paaftësisë.

Komente

  1. Në këtë debat jam ndalur në detaje sepse në mënyrë të tërthortë ilustron qartë disa nga problemet kryesore me të cilat Serbia (dhe Jugosllavia) po përballet në trajtimin e çështjes së Kosovës. Fakt kryesor është se për një dekadë e më shumë Kosova shfrytëzoi boshllëqet në marrëdhëniet kushtetuese të saj me Serbinë dhe fitoi një gjendje praktikisht të pavarur në të cilën grupi udhëheqës i bashkuar i Kosovës ishte në gjendje të kryesonte, praktikisht në mënyrë të padiskutueshme, një rritje të qëndrueshme dhe të fshehtë të ndjenjës nacionaliste shqiptare. Nëse duhet të shmanget një krizë e madhe kushtetuese në Jugosllavi, Serbia duhet të rifitojë njëfarë kontrolli të konsiderueshëm mbi Kosovën duke rishpallur kompetencat e saj dhe duke siguruar se udhëheqja lokale nuk do të dalë jashtë kontrollit. Padyshim, duke ndjekur një objektiv të tillë, Serbia do të bjerë në kundërshtim me vetë Kosovën nga interesat vetjake aty, por po fillon të shikojë sikur këto interesa do të merren me vete në ndryshime të rëndësishme të udhëheqjes që parashikohen të ndodhin sot dhe në të ardhmen. Gjithashtu, Serbia do të duhet të tregojë takt nëse kërkon të shmangë ngritjen e dyshimeve të Republikave të tjera të cilat kanë shqetësime historike për “nacionalizmin serb”. Argumenti më i mirë që ka Serbia, është në thelb i njëjtë me atë të përdorur nga Bozhidar Bogdanoviq në artikullin e gazetës “Politika Ekspres” të cituar më lart: është në vetë natyrën e problemit të Kosovës që Serbia duhet të vihet në krye dhe të adoptojë linjën më të fortë në zgjidhjen e këtij problemi. Është shqetësues fakti se burime të caktuara të rëndësishme të shtypit në Republika të tjera mesa duket, nuk janë të sigurta.
  2. Kopje të kësaj shkrese do t’ua dërgoj javën tjetër për departamentet e tjera të FCO.

I Juaji

Charles Crawford

Oficer Informacioni

                                                                                            -82-

Për përdorim të kufizuar

J C R Gray Esq                                                                                            Ambasada britanike

EESD                                                                                                                             Beograd

FCO                                                                                                                         5 gusht 1981

I nderuar Charles,

                                                              Kosova: proceset gjyqësore

     Siç ka raportuar tashmë edhe BBC, gjatë javës së fundit janë zhvilluar proceset gjyqësore të disa prej demonstruesve të marsit dhe prillit. Dënimet kanë qenë të ashpra, pa dyshim për të shërbyer si efekt parandalues për ata që do të guxonin të dilnin në demonstrata.

  1. Gazeta “Borba” e datës 30 korrik përmbante një raport (bashkëngjitur përkthimi) të procesit gjyqësor të pesë personave të zhvilluar në Mitrovicë, me akuzën se kishin organizuar dhe marrë pjesë në demonstratat “kundërrevolucionare”. Është me interes të thuhet se vetëm dy nga të akuzuarit ishin studentë. Dënimet e tyre silleshin nga 6½ vjet në 8½ vjet.
  2. Megjithatë, gjyqi kryesor u zhvillua javën e kaluar në Prishtinë, dhe gazeta “Borba” raportoi më 3 gusht se njëmbëdhjetë persona ishin nën gjykim për aktivitete armiqësore. Dhjetë prej tyre u dënuan me 7 dhe 13 vjet dhe i njëmbëdhjeti u dënua me një vit burgim. Krimi i tyre më i rëndë ishte se kishin vjedhur një automjet në një karvan automjetesh zyrtare të Sekretariatit Federal të Punëve të Brendshme (SSUP) në një fshat të quajtur Besi, që është rreth 8 milje larg Prishtinës. Ata plaçkitën kamionin me armë dhe municion dhe armët u ndanë në radhët e grupit dhe u fshehën në vende të ndryshme. Grupi u kap shpejt nga oficerët e SSUP, të cilët i rimorëm armët. Anëtari i trembëdhjetë i grupit, i cili nuk kishte marrë pjesë në këtë sulm, dorëzoi një pushkë dhe 70 fishekë në zyrën e pushtetit lokal që ia kishte dhënë njëri prej sulmuesve, dhe u akuzua se kishte fshehur një armë të vjedhur.
  3. Megjithëse dënimet janë jashtëzakonisht të rënda sipas standardeve jugosllave, ndoshta është e drejtë të thuhet se personat që vjedhin armë nga forcat britanike do të merrnin mbase të njëjtin dënim, me pëlqimin e Madhërisë së Saj.

I Juaji

  1. Ward

Për dijeni: P. Rennie Esq

Departamenti i Kërkimit, FCO

                            Organizatorët e demonstratave të dënuar në Prishtinë

Gazeta Borba, e hëne, 3 gusht 1981, p. 12 c. 1-3

(Prishtinë, 2 gusht)

Këshilli i Gjykatës së Rrethit ka shpallur sot dënimin për një grup prej 11 personash me akuzën se kanë marrë pjesë në organizimin e demonstratave armiqësore dhe kundërrevolucionare më 2 prill 1981, sipas platformës dhe irredentizmit të nacionalizmit shqiptar dhe me dhunë morën armë nga një automjet i Sekretariatit të Punëve të Brendshme, 13 km larg autostradës Prishtinë-Podujevë, në fshatin Besi, dhe/ose kanë ndihmuar fajtorët e kësaj vepre penale për të fshehur armët.

Në bankën e të akuzuarit ishin Zymber Krasniqi (i datëlindjes 1960), nga fshati Breznicë, bujk, Bajram Syla (i datëlindjes 1963), student i shkollës së mesme, nga fshati Rimanishtë, Q!erim Arifi (i datëlindjes 1961), bujk, nga fshati Rimanistë, Nagip Bllaca (i datëlindjes së 1962), bujk nga fshati Besi, Naim Statovci (i datëlindjes 1962), student nga fshati Prugovc, Sadik Dragusha (i datëlindjes 1949), bujk nga fshati Prugovc, punëtor në Ndërmarrjen e Ndërtimit “Izgradnja” nga Peja, kantier ndërtimi në Prishtinë, Ramadan Rexha (i datëlindjes 1922), bujk nga fshati Rimanishtë, Enver Koliqi (i datëlindjes 1955), nga fshati Lupç i Poshtëm, i papunë, dhe Sadri Berisha (i datëlindjes 1942), nga fshati Drenovc, punëtor i Kombinatit nga Obiliqi.

Për kryerjen e veprave penale të kundërrevolucionit që rrezikojnë rendin shoqëror, sipas Nenit 114 të Kodit Penal të RSFJ, Këshilli i Gjykatës së Rrethit të Prishtinës ka administruar, bazuar në provat e përftuara nga padia, dënimet në vijim: Zymber Krasniqi dhe Nexhmedin Pireva janë dënuar me 13 vjet burgim secili, Bajram Syla dhe Nagip Bllaca janë dënuar me 12 vjet burgim secili, Naim Statovci dhe Sadik Dragusha me 10 vjet secili, Qerim Arifi dhe Enver Koliqi janë dënuar me nga 8 vjet.

Për veprën penale të ofrimit të ndihmës për rrëmbimin e armëve, sipas Nenit 137, paragrafi 1, i Kodit Penal të RSFJ, u dënuan me 7 vjet burgim Shaban Dragusha dhe Ramadan Rexha. I fundit prej tyre Sadri Berisha, u dënua me një vit burgim, sipas veprës penale të fshehjes së armëve, bazuar në Nenin 154, paragrafi 1 i Kodit Penal të Kosovës.

Tashmë janë të njohura faktet për ngjarjet në fshatin Besi, afër Prishtinës, për të cilat u përhapën zërat menjëherë pas demonstratave. Konkretisht, sipas akuzës, deponimeve të dëshmitarëve dhe të akuzuarve, u provua në seancën kryesore në Gjykatën e Rrethit të Prishtinës, se tetë personat e akuzuar sipas Nenit 114 të Kodit Penal të RSFJ, në mes të cilëve veçanërisht Zymber Krasniqi dhe Bajram Syla, kanë qenë aktorët kryesorë në organizimin e demonstratave në fshatin Besi, në të cilat morën pjesë me dhjetëra persona të tjerë. Këta tetë demonstrues ishin gjithashtu zhurmëmëdhenjtë që thërrisnin parullat armiqësore “Kosova – Republikë”, “Kushtetutë”, “Republikë me paqe ose me forcën e armëve”, si dhe shumë parulla të tjera nga platforma e nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar.

Ky grup u angazhua në aktivitete armiqësore më 2 prill, nga 11 deri në 16 orë. Ata goditën me gurë shumë automjete që kalonin në rrugën kryesore Prishtinë-Podujevë në atë kohë. Sidoqoftë, ky nuk ishte fundi i dhunës së grupit që qëndronte në këtë anë të rrugës. Me shkopinj në duar, Zymber Krasniqi dhe Bajram Syla, të cilët kishin marrë një flamur të kombësisë shqiptare më parë në shkollën publike në fshatin Besi, ndaluan më pas një kamion, e parkuan atë në rrugën kryesore dhe bllokuan plotësisht trafikun.

Ndërkohë, nga Prishtina po vinte për në Podujevë një varg makinash të Sekretariatit Federal të Punëve të Brendshme. Nën drejtimin e Zymber Krasniqit dhe Bajram Sylës grupi sulmoi një prej automjeteve dhe mori prej tij disa armë, një sasi municionesh dhe mjete të tjera. Se sa e paramenduar ishte kjo lëvizje, është provuar nga fakti se grupi, pasi mori armët me forcë, shkoi me një grup më të madh demonstruesish në një pyll aty afër dhe filloi t’i stërviste me armët e kapura. Natyrisht, në këtë “stërvitje” janë qëlluar disa fishekë në ajër. Gjithsesi, duhet përmendur se kjo “histori” nuk mori fund nga oficerët e Sekretariatit të Punëve të Brendshme, pasi ata ishin të vetëdijshëm se çdo përpjekje për të ndaluar plaçkitjen e armëve do të shkaktonte gjakderdhje.

Mirëpo, keqbërësit nuk ndaluan menjëherë plaçkitjen e armëve dhe municioneve si dhe stërvitjen me armë. Ata shkuan në shtëpi dhe i fshehën armët dhe municionet. Por kjo zgjati vetëm për pak kohë. Agjencitë e ndjekjes ishin shumë pranë gjurmëve të tyre, i arrestuan dhe gjetën armët. Gjatë këtij zbulimi ata gjetën dy armë automatike tek Zymbar Krasniqi, një prej aktorëve kryesorë të këtij aksioni armiqësor, që synonte rrëzimin e sistemit tonë vetë-menaxhues, shkatërrimin e unitetit, vëllazërisë dhe barazisë së kombit dhe kombësive tona. Një armë u gjet tek Bajram Syla, e po kështu Qerim Arifi kishte marrë një armë, një çantë me pajisje të tjera dhe 60 fishekë. Nagip Bllacës iu gjet gjithashtu një armë automatik dhe municion; Naim Statovicit iu gjet një armë dhe 70 fishekë. Sadik Dragusha kishte marrë gjithashtu një armë gjysmë-automatike dhe 10 fishekë, dhe Nexhmedin Pireva – i cili ishte dënuar më parë për disa vepra penale, mori së bashku me Enver Koliqin një armë automatik, një çantë me pajisje dhe 80 fishekë. Shaban Dragusha u akuzua se kishte marrë nga një person një armë automatik me pajisje dhe 150 fishekë, të cilat i kishte fshehur në papafingon e shtëpisë së tij në fshatin Prugovc. Në vend që të raportonte dhe të dorëzonte armën, Shaban Dragusha – i cili ishte dënuar edhe më parë për fshehjen e armëve – pengoi qëllimisht zbulimin e keqbërësve dhe armëve. Të njëjtën vepër ka kryer edhe Ramadan Rexha, i cili e dinte se ku i kishte fshehur dy armë dhe gjashtë fishekë Bajram Syla dhe nuk vuri në dijeni askënd për këtë fakt. Personi i fundit i të akuzuarve sipas Nenit 154 të Kodit Penal të Kosovës, Sadri Berisha nuk mori pjesë në këtë aksion armiqësor, por e dorëzoi armën dhe 70 fishekë që ia kishte dhënë një person tjetër, në zyrën e pushtetit lokal, por gjithsesi e bëri këtë vetëm pas 12 ditësh, duke kryer kështu veprën penale të fshehjes.

Firma Energo-Project në listën kryesore botërore

Gazeta “Borba”, e diel, 2 gusht 1981, p. 3 c. 1- 4

(Beograd, 1 gusht)

Në botimin e korrikut të revistës së njohur amerikane “Engineering News Record” u paraqit edhe këtë vit një listë kryesore e firmave, të cilat i ofronin botës punë këshillimore dhe punë të plota inxhinierike. Si zakonisht, listat janë përpunuar në përputhje me rezultatet e biznesit gjatë vitit të mëparshëm. Në mesin e 50 firmave drejtuese në botë për punë këshillimore, firma “Energo-Project” renditet mjaft lart në këtë listë, e 37-ta, me një biznes prej 11.7 milion dollarësh në këtë fushë. Firma “Energo-Invest” ka ende rezultate të mira në klubin e firmave të mëdha, e madje ka përmirësuar vendin e saj krahasuar me vitin e mëparshëm; kjo pasi parashikohet që projekti i kontraktuar së fundmi, që është mbikëqyrja e projektit “Mosul” në Irak për rreth 30 milion dollarë, do të rrisë në mënyrë të konsiderueshme vitin e ardhshëm biznesin disi të mirë të këtij viti.

Dënimet e shpallura në Mitrovicë

(Gazeta “Borba”, e enjte, 30 korrik 1981, p. 12 c. 1)

Mitrovicë, 29 korrik: Në përfundim të seancës dëgjimore kryesore, e cila filloi dje, trupi gjykues i Gjykatës Krahinore të Mitrovicës shpalli sot dënimet e pesë personave të akuzuar për aktivitet armiqësor dhe për organizimin dhe pjesëmarrjen në demonstrata armiqësore dhe kundërrevolucionare. Tekniku i papunë nga fshati Shupkofc, Xhelal Ferizi, i akuzuar për veprën penale sipas Nenit 136, paragrafi 1, dhe Nenit 114 i Kodit Penal të RSFJ, është dënuar me 8 vjet e 6 muaj burgim. Personi tjetër i akuzuar për të njëjtat vepra, Ujkan Zeneli, 19 vjeç, nxënës i shkollës së mesme në qendrën “Desa Tomoviq” në Mitrovicë, u dënua me 8 vjet burgim. Personi i tretë, Skënder Hajredini, punëtor i Elektrolizës së zinkut në Mitrovicë, u dënua me 7 vjet dhe 6 muaj burgim për kryerjen e veprës penale sipas Nenit 136, paragrafi 2/a, dhe Nenit 114 të Kodit Penal të RSFJ. Sabit Veseli, teknik i papunë nga fshati Broboniq u dënua me 7 vjet burgim për të njëjtat vepra penale. Anëtari i pestë i këtij grupi, Nazim Shaqiri, student i shkollës së mesme teknike në Mitrovicë, u dënua me 6 vjet e 6 muaj burgim.

                                                                                   -83-

Konfidenciale

  1. E. Montgomery Esq

Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore                                             Ambasada britanike

Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit                                                                              Beograd                                                                                                                            10 gusht 1981

I nderuar Alan,

                                                             Kosova: përgjegjësia politike

Përmbledhje

  1. Riorganizimi i shumëpritur i udhëheqjes së Kosovës ndodhi në mbledhjet e Kuvendit të Kosovës dhe Komitetit Krahinor të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës, respektivisht më 4 dhe 5 gusht. Kryetari i ri i Kryesisë së Kosovës, Ali Shukrija, një shqiptar “federal i provuar si dhe Kryesia e re dhe e reduktuar e Partisë prej 13 anëtarësh tregon gjithashtu rikthimin e një numri kosovarësh të besuar “federalë” përveç anëtarëve të rizgjedhur më pak të debatueshëm të Kryesisë së vjetër. Është shprehur njëfarë optimizmi për situatën politike dhe të sigurisë si dhe është rënë dakord për detyra të ardhshme në fushën e emigrimit, arsimit dhe ekonomisë. Gazeta “Politika” është edhe një herë në telashe pasi ka nxjerrë informacione Konfidenciale (për Bakallin). Efektet e ngjarjeve për anëtarët e Partisë janë zbuluar në statistikat më të fundit.

Detaje

Mbledhja e Kuvendit të Kosovës

  1. Më 4 gusht u mblodhën të tri dhomat e Kuvendit të Kosovës dhe “në mënyrë unanime dhe pa diskutim” zgjodhën Ali Shukrinë si Kryetar i Kryesisë së Kosovës, i cili zëvendësoi Xhavit Nimanin, për dorëheqjen e të cilit kam shkruar në letrën time të datës 21 korrik. Siç tregon përfaqësuesi ynë i përhershëm aty, Shukrija është një burrë i madh shteti i aftë dhe i paepur, i cili ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës së tij politike në Beograd. Ai përfaqëson modelin “jugosllav” të partizanëve dhe duhet të shikohet si një kandidat federal me detyrë rindërtimin dhe riintegrimin e Kosovës në Serbi dhe në Federatë.
  2. Kuvendi bëri gjithashtu edhe ndryshime të tjera. Dr. Zeki Bejtullahu u shkarkua nga postet e tij si anëtar i Këshillit Ekzekutiv të Kosovës dhe si Drejtor i Institutit për Planifikimin Social me argumentin se nuk i ka kryer këto funksione mirë, veçanërisht këtë të fundit, ku ai është kritikuar për mënyrën se si ka zbatuar planin afatmesëm. Shaban Hyseni, Kreu i mëparshëm i Radio Prishtinës, i cili e kishte paraqitur dorëheqjen e tij (shih letrën e Charles Crawford të datës 18 korrik), u pushua menjëherë nga posti për sjellje të papërgjegjshme dhe oportuniste. Gjithashtu Mustafa Osmanagiq i cili përshkruhej si një punëtor i shquar socio-politik nga Mitrovica, u zgjodh në Këshillin e Kosovës.
  3. Sidoqoftë, shtypi u ndal më gjatë në një sulm të hapur që është bërë nga tre anëtarë shqiptarë ndaj Dushan Ristiqit (serb), Kryetar i Kuvendit. Ata kërkuan dorëheqjen e tij me argumentin se ishte në përgjithësi përgjegjës njësoj si Nimani dhe Bakalli dhe se kishte luajtur rolin e “mbrojtësit të serbëve dhe malazezëve” dhe kishte nxitur çështjen e emigrimit të këtyre të fundit nga Kosova. Ishte vendosur se kjo çështje nuk ishte e përshtatshme për diskutim në Kuvend por që duhej diskutuar të nesërmen në mbledhjen e Komitetit Krahinor. Megjithatë, duket se Ristiq ka marrë vetë iniciativën për ngritjen e kësaj çështjeje aty dhe bëri një deklaratë duke pranuar përgjegjësinë e tij personale dhe kolektive për ngjarjet në Kosovë gjatë muajve të fundit dhe duke vendosur të paraqiste dorëheqjen e tij në mbledhjen e ardhshme në Kuvend. Ai bëri të qartë se vendimi i tij ishte i pakthyeshëm dhe duket se nuk ka pasur diskutime në këtë pikë apo ndonjë përpjekje për t’i kthyer mendjen. Ai theksoi gjithashtu se nuk po largohej për shkak të sulmit të ditës së mëparshme ndaj tij, duke deklaruar se i qëndronte çdo gjëje që ka thënë për çështjet në diskutim. Në të vërtetë, Ristiq ka qenë tejet i hapur në kritikën e tij ndaj nacionalizmit shqiptar dhe presioneve ndaj serbëve dhe malazezëve për t’u larguar nga Kosova, por padyshim ai duhej fajësuar po aq për situatën për faktin që nuk ngriti zërin deri më vonë (ose ndoshta e paralajmëroi Beogradin më parë, por nuk i kushtoi vëmendje arsyeve më të gjera politike). Prandaj, largimi i tij duhet parë si një përpjekje e bërë nga shqiptarët për të treguar se ata nuk duheshin fajësuar ekskluzivisht për çfarë kishte ndodhur. Ai është serbi i dytë i njohur që jep dorëheqjen (tjetri është një prej zëvendës/Rektorëve të Universitetit të Prishtinës) dhe dyshoj se do të kishte ikur nëse nuk do të ishte shtyrë për ta bërë një gjë të tillë.
  4. Në mbledhje të veçanta të Dhomës socio-politike dhe Dhomës së Komunave, u zgjodh Sekretari për Punët e Brendshme, Milosh Vujakoviq (serb ose malazez), ish anëtar i Kryesisë së Sindikatave të Kosovës, i cili zëvendësoi shqiptarin që kishte dhënë dorëheqjen më parë. Prokurori Publik ishte liruar nga detyrat e tij “për shkak të transferimit në funksione të tjera” dhe u zgjodh një tjetër. Gjithashtu u zgjodh një Mbrojtës i ri Publik. Nga ana tjetër, delegatët nuk ishin në gjendje të binin dakord me propozimin për të liruar nga funksionet e tij Drejtorin e Institutit të Statistikave për Kosovën, megjithëse e mbante atë post prej 9 vitesh, dhe vetëm këto ditë u pa e përshtatshme për ta larguar.

Mbledhja e Komitetit Krahinor

  1. Detyra e parë e mbledhjes së Komitetit Krahinor më 5 gusht ishte shqyrtimi i programit të veprimit që kishte filluar 3 muaj më parë, por vëmendja e shtypit ishte e pritur të përqendrohej në zgjedhjen e Kryesisë së re. Ishte njoftuar se ishte vendosur të reduktohej anëtarësia e kësaj Kryesia nga 19 në 12, megjithëse sipas numërimit tim në fakt janë 13 anëtarë!

Kryesia e Vjetër

Mahmut Bakalli – Kryetar, dha dorëheqjen

Veli Deva (q.v.)

Xhavit Nimani – kryetari i dorëhequr nga Kryesia e Kosovës

Dushan Rishtiq – kryetari i dorëhequr nga Kryesia e Kosovës

Bahri Oruçi – kryetar i Komitetit Ekzekutiv

Mihajlo Zvicer k ish-kryetar i ASPPS

Asllan Fazllija

Rexhep Zogaj

Sefedin Batalli

Borivoje Zhivageviq

Rabije Bajrami

Asllan Skenderi

Asim Zatriqi

Kryesia e Re

Veli Deva – Kryetar (u zgjodh më 5 maj në vend të Bakallit)

Sinan Hasani – Zëvendës/Kryetar i Kuvendit Federal

Ilijaz Kurteshi – ish-Kryetar i TU-ve serbe

Ilija Vakiq – ish Kryetar i Dhomës Jugosllave të Ekonomisë

Azem Vllasi – Kryetar i Kosovës dhe ish Kryetar i Bashkimit Federativ të Rinisë

Nebi Gashi – Zëvendës/Kryetar i Këshillit Ekzekutiv

Svetislav Vukoviq

Predrag Cuckiq                                   )

Xhevdet Hamza                                  )

Petar Kostiq                            )           të rizgjedhur

(Sekretar)                                )           nga

Mustafa Pljakiq                      )           Kryesia

(Kryetar i TU-ve të Kosovës  )           e vjetër

Sinan Sahiti                            )

Ali Shukrija                            )

(Kryetari i ri i Kryesisë se Kosovës)

  1. Kryesia e reduktuar përmbante së paku gjysmën e atyre që mund të quheshin “federalistë”, d.m.th. politikanët që kishin kaluar pjesën më të madhe të karrierës së tyre në Beograd, dhe duhet të shikohen, të tillë si Ali Shukrija, si zgjedhje të sigurta për rindërtimin e Kosovës. Ky reduktim duket se është arritur përmes shkurtimit të numrit të pjesës më të madhe të Kryetarëve të komiteteve të ndryshme të Kryesisë, por nuk u dha asnjë shpjegim se pse një gjë e tillë ishte e nevojshme ose pse disa Kryetarë komiteti ishin mbajtur dhe disa të tjerë jo. Sidoqoftë, Kryesia e re ishte e shpejtë në reagimin e saj, duke mbajtur mbledhjen e saj të parë të nesërmen dhe duke zgjedhur si sekretar të saj ekzekutivë, Beqir Hotin dhe Sava Komadiniq.
  2. Megjithatë, pjesa kryesore e mbledhjes iu kushtua shqyrtimit të programit të veprimit nga Sekretari, Petar Kostiq. Ai pretendoi se, megjithë problemet dhe vështirësitë e shumta, ky program kishte hedhur themele të shëndosha dhe LKK i konsideroi arritjet e saj me optimizëm të moderuar megjithëse në të njëjtën kohë edhe më pakënaqësi për faktin se nuk kishte arritur nivelet e pritshme të “konsolidimit”. Ai tha se situata politike dhe e sigurisë ishte e favorshme, megjithëse ende e ndërlikuar. Kjo situatë ishte e favorshme në sensin që armiku ishte thyer dhe dëbuar nga rrugët, por ende nuk ishte shkatërruar, dhe organizatat e Partisë po punonin në mënyrë të drejtpërdrejtë kudo me njerëzit, gjë që nuk kishte ndodhur më parë. Kjo situatë mbeti e ndërlikuar sepse parullat – “Kosova, Republikë” – vazhdonin të shfaqeshin, pamfletet vazhdonin të qarkullonin duke e denigruar Jugosllavinë, duke bërë thirrje për revoltë dhe duke nxitur armiqësinë ndaj komuniteteve të tjera; gjithashtu, u bënë sulme ndaj pronës dhe jetës së njerëzve në disa fshatra me objektivin për të ruajtur atmosferën e tensionit deri kur Kosova të bëhej Republikëme çdo mjet. Ky aktivitet mbështetej nga propaganda e zhvilluar nga Shqipëria dhe nga organizatat shqiptare dhe ustashe të emigrantëve. Organizatat komuniste në disa zona po merrnin masa të suksesshme kundër këtij aktiviteti por tjetërkund ato ishin të dobëta, madje ishin shpërndarë dhe procesi i spastrimit po zhvillohej ngadalë. Kostiq veçoi organizata të ndryshme në komunat e Pejës, Deçanit, Vitisë, Ferizajt dhe Universitetit të Prishtinës (megjithëse aty ishin bërë disa përmirësime), organizata të industrisë elektrike dhe organizatën e ndërtimit “Ramiz Sadiku” si organizata në veçanti të pakënaqshme.
  3. Kostiq theksoi tri fusha të aktivitetit të veçantë për LKK: marrëdhëniet ndër-komunale, sistemin arsimor dhe ekonominë. Ai vuri në dukje se pothuaj kudo në Kosovë kishte pasur ftohje të marrëdhënieve midis komuniteteve dhe theksoi nevojën për të ndaluar emigrimin e serbëve dhe malazezëve, veçanërisht të atyre me kualifikimet e nevojshme për ekonominë.
  4. Duke iu kthyer sistemit arsimor ai renditi çështjet bazë për të cilat nevojiteshin vendime: diferencimi ideo-politik në radhët e stafit mësimdhënës dhe largimi i të gjithë atyre që nuk kishin cilësitë e duhura morale dhe politike dhe atyre që ishin rrënjosur me besime nacionaliste, zëvendësimi i një numri të madh personash të pakualifikuar me personel të përshtatshëm, si dhe shqyrtimi analitik i bazës Marksiste të kurrikulave dhe teksteve shkollore. Masat në këto fusha janë në zhvillim e sipër për t’i vënë tekstet shkollore në shkolla dhe në universitet në linjë me ato që përdoren në Serbi; gjithashtu u mbajtën seminare me stafin mësimdhënës në të gjitha komunat, përveç Pejës kryesisht si pjesë e riedukimit të tyre.
  5. Duke folur për ekonominë, ai përmendi rënien e produktivitetit dhe realizueshmërisë; Kosova tani mbulonte vetëm 46.7% të importeve të saj me eksportet dhe me tregun e monedhës së konvertueshme vetëm në masën 17.5%. Sidoqoftë, ai nuk doli me zgjidhje të reja dhe, siç ishte njoftuar një ditë më parë në Kuvend, versioni i rishqyrtuar i planit të tërhequr 5-vjeçar do të ishte tani gati për diskutim deri më 30 shtator me qëllim paraqitjen e këtij plani në fund të nëntorit!
  6. Nuk pati ndonjë gjë të re në debatin në vijim, përveç disa pikave që theksuan se nacionalistët nuk ishin mundur aspak. Një folës tha, “megjithëse armiku është përçarë ai po e rrit aktivitetin e tij dhe i përgjigjet të gjitha veprimeve tona me kundër-veprime përkatëse, të cilat zhvillohen në vende të ndryshme, por që qartazi ato janë koordinuar nga një vend”. Folës të tjerë përmendën se në bisedimet me studentët dhe mësuesit ishte e qartë se kishte ende mbështetje për pikëpamjet nacionaliste shqiptare. Ndoshta më interesantja nga të gjitha, është se Veli Deva konfirmoi për herë të parë në fjalimin e tij dredhues se ishin zhvilluar sulme ndaj JNA (Forcave të Armatosura).
  7. Siç raportoi Charles Crawford javën e kaluar në përmbledhjen e tij të marrëdhënieve me shtypin, ka pasur një farë rënieje në interesin e shtypit në Kosovë, por gazeta “Politika” ka hyrë përsëri në telashe duke publikuar në prag të mbledhjes së Komitetit Krahinor një përshkrim të mirë-informuar të dokumenteve bazë që do të shqyrtohen. Gazeta “Politika” dha në detaje gjetjet e Komisionit të veçantë të ngritur për të përcaktuar përgjegjësinë politike të Bakallit për gabimet dhe mosveprimet që çuan në shpërthimin e nacionalizmit në Krahinë. Në veçanti, Komisioni shqyrtoi faktin përse Komitetet Qendrore të Jugosllavisë dhe Serbisë nuk ishin informuar për pamfletet armiqësore, informacionet dhe shkresat nga Prishtina, Gjakova dhe Ulqini (Mal të Zi), të cilat ishin marrë nga Bakalli dhe të tjerë dhe nuk ishin paraqitur për analizën e duhur. Bakalli e kishte justifikuar këtë përpara Komisionit, duke thënë se ato ishin anonime dhe se ai po priste për të bërë hetime të mëtejshme për to. Shumë çështje të tjera që prej vitit 1979, kur armiku po rriste aktivitetet e tij, nuk u vunë asnjëherë në agjendë për diskutim dhe gjërat u lejuan të vazhdonin në të njëjtën mënyrë të vjetër. Këtyre gabimeve iu shtua trajtimi i 55 personave të arrestuar në fund të vitit 1979 apo në fillim të vitit 1980 (të dhëna të cilat gazeta “Politika” i nxori në atë kohë – shih letrën time të datës 2 prill 1980 për Christopher Battiscombe). Ishte rënë dakord që të gjithë këta persona me përjashtim të 19 prej tyre duheshin liruar dhe, në vend që të vuanin dënimin për aktivitetet e tyre armiqësore, ata u lejuan të vazhdonin studimet, madje 23 prej tyre morën edhe bursa! Përfundimisht, Komisioni shënoi se çështja e nacionalizmit nuk kishte qenë në agjendën e Kryesisë gjatë dy viteve të fundit. Mbledhja nxori konkluzione se përgjegjësia e Bakallit ishte e padiskutueshme dhe propozoi që ai të përjashtohej nga Komiteti Krahinor dhe t’i bëhej një paralajmërim i fundit përpara se të përjashtohej nga LK.
  8. Asnjë nga këto detaje nuk u zbulua në raportimin për vetë mbledhjen dhe shqetësimi i anëtarëve për rrjedhjen e informacioneve u shpreh në vendimin e tyre për të ngritur një Komision tjetër që do të përcaktonte se si ndodhi që gazeta “Politika” publikoi materiale tepër Konfidenciale për përgjegjësinë politike të Bakallit. Kështu, përsëri gazeta “Politika” do të vihet në bankën e të akuzuarve pasi e ka marrë lirinë e shtypit në kuptimin e mirëfilltë të fjalës.
  9. Përfundimisht, për të bërë bilancin eventual për Kosovën, u nxorën disa statistika më shumë nga Komiteti Krahinor. Deri tani janë përjashtuar 534 anëtarë nga LK. Një numër tjetër i rëndësishëm anëtarësh (jo për Kosovën në tërësi, por vetëm për Prishtinën ky numër ishte 364), është hequr nga listat e LK, d.m.th. anëtarësia e tyre ka përfunduar për shkelje të vogla, për shembull mos-pagimi i kuotizacionit, mos-shkuarja në mbledhje, etj. Gjithashtu, 269 nxënës dhe studentë janë përjashtuar nga shkollat e mesme dhe të larta, duke humbur kështu bursat e tyre të studentit si dhe bursa të tjera. Po kështu, 210 persona, kryesisht staf mësimdhënës, janë pushuar ose pezulluar nga puna. Procesi i diferencimit vazhdon dhe duhet hartuar ende një përmbledhje përfundimtare.

I Juaji

  1.   J. Clark

Për dijeni: P Rennie Esq

Departamenti i Kërkimit; FCO; Kancelari; UKDEL NATO; Bruksel

                                                                                 -84-

Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit                                                                          Beograd

Londër SW1A 2AH                                                                                              11 gusht 1981

  1. J. Crark Esq CVO

I nderuar Terry,

                                                  Kosova: situata e sigurisë

 Ju falënderoj shumë për shkresën tuaj të datës 28 korrik ku keni përfshirë raporte shumë interesante të amerikanëve për situatën në Kosovë. Jam dakord se në përgjithësi ato tingëllojnë të vërteta megjithëse duket se ka një mospërputhje midis deklaratës së ushtarëve të rinj sipas së cilës ushtarët kanë marrë urdhra të rreptë për të shmangur shqetësimet dhe veçanërisht për të mos përdorur armë zjarri dhe pretendimit për inkursione ndëshkimore kundër fshatrave shqiptare. Megjithatë, tabloja e përgjithshme përbën një problem të madh që ka të ngjarë t’i paraqesë autoritetet federale jugosllave me vështirësi të vazhdueshme për një periudhë të gjatë në të ardhmen.

  1. Lejomëni të përfitoj nga rasti (që erdhi nga një çlirim i çastit në presionin e vazhdueshëm të shkaktuar nga zhvillimet në Poloni) t’ju falënderoj ju dhe pjesën tjetër të Zyrës së Kancelarit të Beogradit për raportimin tuaj shumë të plotë mbi Kosovën. Mendojmë se keni shërbyer shumë mirë dhe mund t’ju siguroj se të gjitha raportet e juaja janë lexuar me kujdes dhe vëmendje edhe nëse nuk janë pranuar gjithmonë.

I Juaji

  1. E. Montgomery

Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore

                                                                                        -85-

Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit                                                                      Beograd

Londër SW1A 2AH                                                                                           12 gusht 1981

  1. J. Crark Esq CVO

I nderuar Terry,

                                                                Kosova: Treguesi II

 Ju falenderoj shumë për informacionin e Ambasadorit mbi vazhdimin e tensionit në Kosovë. Këtë informacion e kam paraqitur dhe shpërndarë gjerësisht në të gjitha seritë departamentale.

  1. Më duket se kam zbuluar në tonin e informacionit të Ambasadorit një notë më të mprehtë shqetësimi (të cilin e kemi edhe ne) se tensioni aktual po bie shumë më ngadalë nga ç‘mund të jetë shpresuar, dhe se ka të ngjarë që për një farë kohe të vazhdojë rreziku i përsëritjes, megjithëse ndoshta sporadike të shpërthimeve të trazirave. Sidoqoftë, më shqetësues është konkluzioni me të cilin vështirë të mos bihet dakord, se autoritetet federale po përballen këtu me një prej problemeve të gjata të pakicave, ku edhe pse pas pakënaqësisë aktuale thuhet se këto probleme janë zgjidhur, nacionalizmi lokal, pakënaqësia e vazhdueshme dhe tendenca demografike (të cilave do t’i shtonim varfërinë e vazhdueshme relative të Kosovës) do të vazhdojnë të tensionojnë marrëdhëniet midis Kosovës dhe Republikave të tjera. Përshtypja jonë në këtë rast është se shumica e jugosllavëve do të pranonin që Kosova (si Ulster) nuk është e përshtatshme për një zgjidhje në kuptimin e një hapi të përcaktuar qartë, një herë e përgjithmonë, që do të kënaqte plotësisht të gjitha palët e përfshira. Ndoshta ajo që jugosllavët mund të shpresojnë më shumë është që të mbajnë manifestimet e pakënaqësisë së Kosovës brenda limiteve të menaxhuara, ndërkohë që do të bënin të pamundurën për të lehtësuar kufirin e saj ekonomik përmes nxitjes së industrisë së re.
  2. Mendoj se ishte e pashmangshme që përballja në Kosovë dhe sensacionalizimi në shtyp i vështirësive me të cilat janë ballafaquar serbët që jetojnë aty, duhet të ketë provokuar rigjallërimin e nacionalizmit serb. Për këtë arsye, do të jetë me interes për të parë nëse në aspektin afatgjatë do të shfaqen më me forcë problemet e tjera kombëtare të Jugosllavisë. Shpresojmë që të jetë e vërtetë e kundërta dhe Republikat e tjera, ashtu si udhëheqja kolektive, të mund të përfitojnë, siç e ka sugjeruar Ambasadori, në sensin pozitiv nga impulset për ruajtjen e integritetit të Jugosllavisë. Padyshim shembulli kosovar duhet t’u ketë kujtuar jugosllavëve në tërësi rrezikun se mund të qëndrojnë të ndarë nëse nuk arrijnë të bashkohen të gjithë, duke i dhënë kështu një stimul idealit të unitetit të popujve sllavë të jugut. Për shembull, kohët e fundit na është sugjeruar nga Chris Cviiç se reagimi i ashpër i Maqedonisë ndaj kërcënimit shqiptar për Republikën maqedonase mund të ndihmonte për të zhdukur ndjenjat e mbetura anti-serbe në Maqedoni. Nga ana tjetër, edhe nacionalistët më të zjarrtë serbë, të cilët ankoheshin për humbjen e Maqedonisë, mund të afrohen sot më mirë me maqedonasit me të cilët kanë sfidën e përbashkët ndaj kosovarëve jo-sllavë. Është me interes të dimë mendimin tuaj.
  3. Por, sipas mendimit tim, vështirësia më e madhe për udhëheqësit jugosllavë është ajo e pajtimit të krenarisë serbe me nacionalizmin kosovar. Jugosllavia, si Federatë shumëkombëshe, ndryshe nga shumica e shteteve unitare, ka në dispozicion një përgjigje të gatshme ndaj pohimeve nacionaliste të këtij lloji, më specifikisht autonominë e madhe. Për një të jashtëm, zgjidhja e qartë do të ishte që kosovarëve t’u jepet statusi i Republikës me qëllim që t’i pritet rruga irredentistëve shqiptarë. Por një zgjidhje e tillë do të ishte tërësisht e papranueshme për Serbinë.

I Juaji

  1. E. Montgomery

Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore

                                                                                         -86-

Konfidenciale

021/8                                                                                                           Ambasada britanike

Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore                                                       Athinë

FCO                                                                                                                  12 gusht 1981

I nderuar Departament,

                                                                                     Kosova

 Duhet ta kini vënë re deklaratën e Kryeministrit jugosllav gjatë vizitës së tij në Athinë në korrik (paragrafi 9 i përkujtesës së Ambasadorit i datës 21 korrik) ku shprehej se rusët kanë nxitur trazirat në Kosovë. Kjo pikëpamje është pasqyruar më tej në paragrafin 13 të njoftimit të Ambasadorit të Madhërisë së Saj në Beograd më 29 qershor dhe paragrafin 12 të njoftimit të tij më 1 korrik.

  1. Duke pasur parasysh interesin e veçantë grek në këtë problem përfitova nga rasti dhe pyeta Kalpadakis (zëvendës/drejtor i Departamentit të Evropës Lindore pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme) për reagimet greke në këtë drejtim. Ai tha se pohimi i Gjuranoviq i kishte zënë tërësisht të befasuar. Grekët nuk kishin prova nga ndonjë burim për të sugjeruar për përfshirjen e sovjetikëve, megjithëse nuk mund të përjashtohej mundësia e përzierjes së tyre me disa nga grupet nacionaliste. Në lidhje me temën e përfshirjes së shqiptarëve, Kalpadakis tha se nuk kishte për të shtuar asgjë në vlerësimin që Mazarakis i kishte dhënë Llewellyn Smith më 20 maj (letra e Llewellyn Smith drejtuar Broomfield më 20 maj).
  2. Ky është këndvështrimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme. Në bisedën me Ambasadorin, Averoff (Ministri Grek i Mbrojtjes dhe Zëvendës/Kryeministër) ka thënë se besonte që rusët do të shfrytëzonin çdo rast për të nxitur shqetësime midis Shqipërisë dhe fqinjëve të saj. Ai shtoi se nuk do tëçuditej nëse harta e Shqipërisë, sipas grekëve referuar në letrën e Michael Llewellyn Smith të datës 19 qershor drejtuar Battiscome, të ishte pjesë e operacionit të KGB, megjithëse ai nuk pretendonte se kishte prova të forta për këtë.
  3. Asnjë reagim nuk është për t’u habitur. Ministria e Punëve të Jashtme është e predispozuar të minimizojë raportet mbi vështirësitë e marrëdhënieve midis vendeve të Ballkanit, ndoshta me përjashtim kur bëhet fjalë për bullgarët. Nga ana tjetër, Averoff është gjithmonë i gatshëm për të parë dorën komuniste në problemet e Ballkanit, veçanërisht atë sovjetike. Ne jemi më të prirë për të qenë dakord me Ministrinë e Punëve të Jashtme, veçanërisht nën dritën e vlerësimit të kohëve të fundit të Qendrës së Përbashkët të Informacionit, JIC, për Shqipërinë. Por jemi të interesuar të dimë se çfarë të dhënash kemi, nëse ka ndonjë, mbi përzierjen e sovjetikëve (ose në të vërtetë shqiptarëve).

I Juaji

  1. Parker

Për dijeni: J. Jenkins Esq, SED, FCO

Kancelarive: Beograd, Moskë

Stafit të Vlerësimit, Zyra e Kabinetit

                                                                                             -87-

Konfidenciale

E pabotueshme për shtetas të huaj

E botueshme për qeverinë e  Mbretërisë së Bashkuar

Zyra e Shërbimit të Fshehtë dhe Kërkimit

Raport 204-AR

20 gusht 1981

                                         (U) Trazirat në Kosovë: ndikimi i tyre në marrëdhëniet

jugosllavo-shqiptare

 Përmbledhje

(U)       Marrëdhëniet midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë janë përkeqësuar ndjeshëm që prej trazirave të fundit të shqiptarëve etnikë në krahinën e Kosovës. Zyrtarët jugosllavë kanë akuzuar Shqipërinë për nxitjen dhe organizimin e trazirave dhe për bashkëpunim me organizatat e emigrantëve anti-jugosllavë që kërkojnë shkatërrimin e shtetit jugosllav. Tirana, nga ana e saj, ka akuzuar jugosllavët, në veçanti serbët, për shfrytëzimin dhe persekutimin e pakicës shqiptare dhe për marrëveshje të fshehtë kundër Bashkimit Sovjetik.

(C)       Aktualisht, ekziston një perspektivë e vogël për ndonjë përmirësim substancial në marrëdhëniet dypalëshe përsakohë mbetet në fuqi regjimi doktrinar dhe stalinist i Hoxhës. Edhe shfaqja e një udhëheqjeje më pragmatike në Tiranë nuk mund të ndryshojë marrëdhëniet, veçanërisht nëse kjo udhëheqje do të ndjehej e kërcënuar nga politikat jugosllave. Në këto rrethana, Tirana mund të jetë mbase më e bindur ndaj propozimeve sovjetike sesa ka qenë nën regjimin e Hoxhës. Për jugosllavët, duken të pazgjidhshme problemet që lidhen me pakicën e tyre shqiptare të pabindur dhe me Shqipërinë armiqësore – së paku në aspektin afatshkurtër.

Reagimi fillestar jugosllav ndaj trazirave

(U)       Trazirat në marsin dhe prillin e kaluar të zhvilluara nga shqiptarët etnikë në Kosovë (një Krahinë autonome brenda Republikës së Serbisë që është më e madhja e gjashtë Republikave përbërëse të Jugosllavisë) përbënin krizën e parë të madhe për udhëheqjen e pas periudhës së Titos dhe kërcënimin më të rëndë për sigurinë e brendshme që prej tronditjes nacionaliste kroate në vitin 1971. Sipas deklaratave zyrtare, trazirat – të cilat u organizuan nga studentë të Universitetit në Prishtinë, kryeqyteti i Kosovës, për të protestuar për kushtet e tyre ekonomike por që menjëherë morën nota politike dhe nacionaliste – lanë 9 persona të vdekur dhe më shumë se 250 të tjerë të plagosur. Këto statistika janë kundërshtuar nga regjimi shqiptar dhe organizata të ndryshme të emigrantëve anti-jugosllavë, të cilët akuzojnë se janë vrarë qindra njerëz pasi regjimi i ka shtypur brutalisht demonstratat.

(C)       Trazirat e para më 11 mars përfshinin një numër të llogaritur prej 2000 studentësh të Universitetit, të cilët protestonin për kushtet e këqija të jetesës. Në demonstratën e 26 marsit në Prishtinë, parullat e studentëve shprehnin ankesat për shtypjen e shqiptarëve, kërkonin liri më të madhe të shtypit dhe liri të tjera, bënin thirrje për statusin e Republikës për Kosovën, dhe i thurnin lavde Hoxhës dhe regjimit të Tiranës. Më 1 prill, rreth 10 mijë protestues të Prishtinës – përfshirë studentët, minatorë dhe punëtorë të tjerë – kërkonin lirimin e personave të arrestuar gjatë demonstratave të mëparshme. Demonstrata të ngjashme u zhvilluan edhe në disa qytete të tjera të Krahinës. Përleshjet midis autoriteteve lokale të sigurisë dhe demonstruesve i detyruan autoritetet jugosllave të dërgonin policinë speciale dhe forca ushtarake nga anë të tjera të vendit për të rivendosur rendin. Për një periudhë të caktuar, u vendosën rregulla të rrepta për kufizimin e udhëtimit brenda dhe jashtë krahinës, si dhe u ndaluan tubimet publike.

(U)       Udhëheqësit jugosllavë u zunë në befasi nga dhuna dhe përmasat e trazirave. Kur u bë e qartë se ishin përfshirë segmente të mëdha të popullsisë shqiptare etnike (pothuajse 80% e banorëve të Kosovës që përbëjnë 1.7 milionë janë shqiptarë nga origjina) – jo vetëm studentët e pakënaqur të Universitetit, por edhe mësues, gazetarë, intelektualë të tjerë, punëtorë e madje dhe anëtarë partie në të gjithë Krahinën – zëdhënësi i regjimit akuzoi se “elementë të huaj armiqësorë” ishin prapa “aktiviteteve kundërrevolucionare”. Sipas jugosllavëve, këta elementë punonin me elementë emigrantë anti-jugosllavë (ustashë, kominformistë, zogistë dhe ballistë shqiptarë, grupe të ndryshme Marksiste-Leniniste të mbështetur nga Tirana dhe “punëtorë sezonalë” shqiptarë në Evropën Perëndimore), të cilët kërkonin të destabilizonin Jugosllavinë. Kishte gjithashtu insinuata se një rol në organizmin e këtyre trazirave kishin edhe “forcat e këqija”, “shërbimet e inteligjencës” dhe “qendrat e spiunazhit”.

(C)       Disa jugosllavë në fshehtësi kishin frikën e një “komploti” që përfshinte sovjetikët, bullgarët dhe shqiptarët. Armiqësia e Tiranës ndaj Moskës dhe Sofies në përgjithësi kishte rënë me argumentin se ishte arritur njëfarë “mirëkuptimi” për të çuar përpara objektivat e përbashkëta të tre regjimeve – shkatërrimin e Federatës jugosllave, ku Shqipëria do të aneksonte zonat e banuara nga shqiptarët dhe Bullgaria do të aneksonte Maqedoninë (zonat e banuara nga shqiptarë në Maqedoni dhe Mal të Zi afër me kufirin me Shqipërinë).

(C)       Sulmet jugosllave ndaj kominformistëve dhe pretendimet për bashkëpunim me sovjetikët provokuan një përgjigje të fortë të dhënë nga gazeta “Pravda” e Moskës nga mesi i prillit. Megjithëse ajo u hodh menjëherë poshtë nga jugosllavët, shumë shpejt u qetësuan polemikat midis medies sovjetike dhe asaj jugosllave mbi Kosovën. Asnjëra palë, mesa duket, nuk dëshironte që të ndërlikonte më tej marrëdhëniet e tyre duke e shtuar Kosovën në listën e çështjeve të diskutueshme të pazgjidhura, të tilla si Afganistanin, Kamboxhian dhe lëvizjen ndërkombëtare komuniste. Gjithsesi, shumë jugosllavë mbeten të bindur mbi rolin sovjetik në këto trazira, megjithëse nuk janë në gjendje që të ofrojnë prova.

Tirana e akuzuar

(U)       Megjithëse disa zyrtarë jugosllavë aludonin se Tirana kishte gisht në trazirat e Kosovës, veçanërisht kur komentonin manifestimet e “nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar”, Tirana nuk u akuzua për përgjegjësi të drejtpërdrejtë për disa javë. Më pas, më 7 prill, një kryeartikull në të përditshmen shqiptare “Zëri i Popullit”, dënonte “brutalitetin” jugosllav në shtypjen e trazirave dhe mbështeste kërkesat që Kosovës t’i jepet statusi i Republikës.

(U)       Regjimi jugosllav u përgjigj me një fushatë masive propagande, e cila e akuzonte Shqipërinë:

– se kishte nxitur dhe organizuar “aktivitetet nacionaliste, irredentiste dhe kundërrevolucionare në Kosovë”;

– se ka pasur “pretendime të hapura territoriale” kundër Jugosllavisë dhe ka kërkuar që t’ia aneksonte Kosovën dhe zona të tjera “Shqipërisë së Madhe”;

– se ka përdorur diplomatët e saj dhe agjencitë e inteligjencës në Jugosllavi dhe në vendet e treta për të kontaktuar dhe rekrutuar elementët anti-jugosllavë;

– për dhunë flagrante dhe abuzim të bashkëpunimit jugosllavo-shqiptar dhe marrëveshjeve të shkëmbimit për të përhapur “parimet staliniste” të Partisë shqiptare dhe për të glorifikuar udhëheqësin e Partisë Hoxha, ndërkohë që dënonte udhëheqësit e Jugosllavisë, si dhe politikat e saj të brendshme dhe të jashtme; dhe

– për ndërhyrje të vazhdueshme në punët e brendshme të Jugosllavisë.

(C)       Fushatat intensive që zgjasnin prej muajsh të tërë përfshinin sulmet publike ndaj Shqipërisë nga udhëheqësit kryesorë politikë të Jugosllavisë. Sidoqoftë, me gjithë sharjet dhe akuzat e shumta, nuk u paraqit asnjë provë e rëndë mbi përfshirjen e drejtpërdrejtë të Tiranës në këto trazira (udhëheqësit jugosllavë mbase nuk do t’i zbulonin prova të tilla edhe nëse ato ekzistonin pasi nëse do e bënin një gjë të tillë, atëherë praktikisht do të detyronin Beogradin që të shkëpuste marrëdhëniet me Tiranën. Këta udhëheqës mund ta kenë parë si më të përshtatshme që të përdornin Shqipërinë më të vogël, më të dobët – më tepër sesa BRSS – si kokë turku për të shmangur vëmendjen nga dështimet e tyre politike në Kosovë dhe më gjerë).

(U)       Disa zyrtarë jugosllavë treguan skepticizëm në lidhje me shtrirjen e përfshirjes së huaj në Kosovë duke argumentuar në të vërtetë se theksimi i tepërt i “elementëve të huaj armiqësorë”, mund të ishte jo produktiv. Ata thanë se udhëheqja duhej të ishte e hapur në vlerësimet e saj ndaj “shkaqeve dhe pasojave të ngjarjeve në Kosovë”. Sipas analizës së tyre, duket se Tirana nuk kishte ndonjë arsye për të nxitur paqëndrueshmëri në Jugosllavi; Është qartazi në interesin e vetë Shqipërisë që të ketë një Jugosllavi të fortë dhe të bashkuar për t’i rezistuar çdo kërcënimi sovjetik kundër vendeve të Ballkanit, veçanërisht Shqipërisë.

Politika të reja ndaj Shqipërisë

(U)       Ndërkohë që rritej preokupimi i tyre për Kosovën, udhëheqësit jugosllavë pohuan se autoritetet federale dhe serbe në të ardhmen do të ushtronin mbikëqyrje dhe kontroll më të ngushtë mbi marrëdhëniet me Shqipërinë. Marrëdhëniet ishin kanalizuar kryesisht përmes zyrtarëve të Kosovës (d.m.th. shqiptarëve etnikë) – meqenëse Tirana kishte këmbëngulur dhe Jugosllavia kishte rënë dakord. Vetëm tregtia ishte zhvilluar në nivel federativ; Tirana kishte kufizuar praktikisht të gjitha shkëmbimet kulturore, arsimore, turistike dhe sportive me Kosovën, Maqedoninë dhe Malin e Zi. Liria e veprimit e Tiranës kishte qenë në përputhje me politikën jugosllave se shqiptarët në Jugosllavi dhe, mbi të gjitha, në Kosovë, duhej të vepronin si “urë” në promovimin e marrëdhënieve dypalëshe.

(C)       Dështimi i dukshëm i kësaj politike i kishte detyruar zyrtarët jugosllavë të vepronin për të kundërshtuar influencën shqiptare në Kosovë dhe në Maqedoni ku nacionalizmi shqiptar kohët e fundit ishte bërë më i theksuar. Marrëveshje dhe shkëmbime të ndryshme ishin anuluar ose pezulluar; Për shembull, më 23 korrik, autoritetet arsimore “rekomandonin” që të pezulloheshin të gjitha marrëveshjet e bashkëpunimit midis Universitetit të Tiranës dhe universiteteve jugosllave (në Prishtinë, Shkup dhe Titograd). Më pas, jugosllavët akuzuan profesorët nga Shqipëria, të cilët jepnin mësim në Universitetin e Prishtinës, se kishin përhapur nacionalizmin shqiptar dhe hidhnin akuza se shumë tekste shkollore në gjuhën shqipe të importuara për përdorim në institucionet arsimore jugosllave ishin thjesht fletushka propagandistike.

(U)       Zyrtarët jugosllavë planifikojnë gjithashtu që të përdorin radio transmetuesin e Prishtinës në mënyrë më efektive për transmetim në të ardhmen në Shqipëri. Megjithëse media jugosllave kishte injoruar me të madhe sulmet e kaluara ideologjike të Tiranës ndaj Jugosllavisë – me shpresën që do të shmangte polemikat dhe kështu do të përmirësonte marrëdhëniet dypalëshe – kjo politikë duhet ndryshuar. Do të bëhen përpjekje për t’i vënë në dukje shqiptarëve si në Jugosllavi dhe Shqipëri karakteristikat më të këqija të regjimit të Hoxhës.

Përgjigja e Tiranës ndaj Kosovës

(C)       Megjithëse protestat e para në Prishtinë u zhvilluan më 11 mars, duket se media shqiptare fillimisht e ka injoruar këtë nxitje në Kosovë. Udhëheqësit shqiptarë mund të kenë pasur dëshirë të qëndrojnë në heshtje pjesërisht në interes të marrëdhënieve të mira me Beogradin, ose, ndoshta, për faktin se nuk ishin vendosur ende se si të reagonin sa më mirë ndaj situatës. Edhe pas demonstratave të dhunshme dhe të përhapura më 1 dhe 2 prill, nuk pati ndonjë reagim të menjëhershëm nga Tirana: më 2 dhe 3 prill, media shqiptare kishte vetëm përshkrime të shkurtra të drejtpërdrejta të incidenteve, duke përdorur materiale nga burimet e agjencive jugosllave të lajmeve.

(U)       Ky qëndrim i matur mori fund me një artikull të gjatë dhe të ashpër në gazetën “Zëri i Popullit” të datës 7 prill. Artikulli akuzonte se varfëria dhe diskriminimi kundër popullsisë shqiptare në Kosovë ishin përgjegjëse për trazirat. Gjithashtu, artikulli akuzonte jugosllavët dhe, mbi të gjitha, serbët se kishin shfrytëzuar burimet minerale të Kosovës në dobi të tyre; dhe miratonte pa ekuivoke kërkesën e protestuesve që Kosova të bëhej Republikë.

(U)       Në maj, një tjetër artikull i “Zërit të Popullit” trajtonte padrejtësitë që shqiptarët kishin vuajtur qëllimisht që para periudhës së Luftës së Parë Botërore në duart e serbëve dhe (me formimin e Jugosllavisë në vitin 1918) jugosllavëve. Artikulli akuzonte komunistët jugosllavë për poshtërsi që nuk kishin lejuar regjimin e Hoxhës që të mbante Kosovën dhe zona të tjera të banuara nga shqiptarët në Jugosllavi që i ishin dhënë Shqipërisë (atëherë, nën sundimin e Italisë) gjatë Luftës së Dytë Botërore – pasi shqiptarët kishin qenë aleatë të Jugosllavisë në “Luftën Nacionalçlirimtare”. Artikulli i referohej një takimi të vitit 1946 midis Hoxhës dhe Titos, ku citohej se ky i fundit kishte pranuar se këto zona me të drejtë duhej t’i përkisnin Shqipërisë “… por jo tani sepse reaksionarët e Serbisë së Madhe nuk do të pranonin diçka të tillë”. Politikat e Titos pas luftës ndaj Shqipërisë janë përshkruar si “të egra dhe asgjësuese”.

(U)       Megjithëse Tirana zor se mund të krahasohej me volumin e fushatës së Jugosllavisë, sulmet e saj ishin po aq të dëmshme sa edhe sajesat e zëdhënësve të Beogradit. Praktikisht, Tirana censuroi çdo aspekt të politikave të jashtme dhe të brendshme të Jugosllavisë, të kaluara dhe aktuale – duke përfshirë vetë-menaxhimin, mos-angazhimin, emigracionin e “punëtorëve sezonalë” jugosllavë, turizmin, aksesin e sovjetikëve dhe amerikanëve në portet jugosllave, borxhet dhe kreditë e huaja. Në të njëjtën kohë, Tirana mohoi me këmbëngulje çdo ndërhyrje në punët e brendshme të Jugosllavisë, çdo qëllim për të shkatërruar Jugosllavinë apo çdo dëshirë për territore jugosllave, por këmbënguli se do të mbronte të drejtat e shqiptarëve në Jugosllavi, “veçanërisht kur këto të drejta mbyten me gjak, siç ndodhi kohët e fundit në të gjithë Kosovën”.

(U)       Tirana akuzoi jugosllavët, veçanërisht serbët se i kanë trajtuar shqiptarët në Jugosllavi qëllimisht “si qytetarë të dorës së dytë” dhe kanë ushtruar “gjenocid”. Thuhej se synohej një komplot “sovjeto-serb” kundër shqiptarëve në Jugosllavi dhe vetë Shqipërisë, i cili synonte gjithashtu të fitonte dominimin serb në të gjithë Federatën Jugosllave. Sipas Tiranës, për arsye historike, fetare dhe politike, serbët ishin aleatët natyrorë të sovjetikëve; të dyja palët ishin bërë “armiq të betuar” të Shqipërisë. Qëllimi përfundimtar i këtij komploti ishte që të lejoheshin sovjetikët të çonin përpara “depërtimin e tyre strategjik, hegjemonist dhe ekspansionist” ndaj Jugosllavisë dhe Ballkanit. Kosova ishte objektivi aktual i këtij “komploti sovjeto-serb” me Bosnjën, Slloveninë dhe më pas Kroacinë (Tirana i karakterizonte Slloveninë dhe Kroacinë si “pro-perëndimore dhe pro-amerikane”) dhe si vende që kërkonin pavarësinë politike nga “hegjemonizmi” serb.

(U)       Mediet shqiptare kritikuan fillimisht sllovenët dhe kroatët për “hegjemonizëm” dhe i etiketuan zyrtarët shqiptarë etnikë në Kosovë si “renegatë” dhe “tradhtarë”. Megjithatë, më vonë mesa duket, media kërkoi të shfrytëzonte mosmarrëveshjet e fshehura nacionaliste, veçanërisht midis serbëve dhe kroatëve. Media i paralajmëroi sllovenët dhe kroatët që të mos mashtroheshin nga akuzat serbe dhe sovjetike se Shqipëria – në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve në Jugosllavi – kishte ndërhyrë në punët e brendshme të Jugosllavisë dhe kishte kërcënuar pavarësinë dhe integritetin territorial të Jugosllavisë. Tirana e përshkroi veten si “bastion i pathyeshëm” kundër “imperializmit dhe revizionizmit sovjetik” dhe vlerësoi pakicën shqiptare në Jugosllavi si një faktor i rëndësishëm për stabilitetin e Federatës, si dhe si “pengesë e fuqishme kundër sulmeve sovjeto-bullgare” që kërcënonin popujt e Jugosllavisë, Shqipërisë dhe vendeve të tjera.

(U) Hoxha dënon politikën Jugosllave për Kosovën

Propagandistët shqiptarë përdorën komentet e Hoxhës për Kosovën për të nënvizuar rëndësinë e fushatës së tyre kundër Jugosllavisë. Në Plenumin e Komitetit Qendror të Partisë të datës 15-16 qershor, Hoxha foli për “sulmet e egra dhe shpifëse” të udhëheqjes jugosllave kundër Shqipërisë, ndërsa udhëheqja shqiptare i ishte përmbajtur “pozitës së moderuar, parimore dhe të ftohtë” ndaj Kosovës. Komiteti Qendror miratoi “me unanimitet” këtë qëndrim. U publikuan shkrimet e vitit 1966 të Hoxhës në lidhje me Kosovën për të mbështetur akuzat e mizorive jugosllave kundër shqiptarëve. Më pas, ai kishte dënuar Titon si “renegat” dhe “revizionist” dhe akuzoi udhëheqësit jugosllavë për “gjenocid” në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi. Ai tha se shqiptarët në këto zona ishin nën “pushtetin e terrorit… që në ditët e para tëçlirimit. Ky terror vazhdon duke rritur gjithnjë e më shumë barbarizmin ende sot”. Hoxha gjithashtu pohoi të drejtën e regjimit të tij për të mbrojtur “interesat jetësore” të  shqiptarëve në Jugosllavi.

Protesta kundër prishjes së marrëdhënieve

(U)       Me intensifikimin e polemikave, marrëdhëniet midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë u përkeqësuan deri në pikën e tyre më të ulët prej vitesh, duke përmbysur kështu tendencën e ngrohtë që kishte qenë e dukshme që prej prishjes shqiptaro-kineze në vitin 1978. Vendimi jugosllav për të prishur marrëdhëniet dukej i pashmangshëm në fund të majit, pas hedhjes së bombës në ambasadën jugosllave në Tiranë, protestave zyrtare jugosllave dhe kundërshtimit të tyre nga Tirana, dhe akuzave shqiptare se jugosllavët kishin realizuar hedhjen e bombës për “provokim”. Në një pikë të caktuar, shqiptarët në të vërtetë i nxitën jugosllavët të prishin marrëdhëniet.

(C)       Gjatë gjithë shkëmbimeve të hidhura, disa zyrtarë në Beograd (dhe padyshim në Tiranë) kërkuan haptazi të shmangin prishjen e marrëdhënieve. Këta zyrtarë, natyrisht e ndjenin që prishja e marrëdhënieve nuk ishte në interesin e jugosllavëve dhe se Moska do të ishte përfituesi kryesor. Më 9 qershor, zëvendës/sekretari i jashtëm jugosllav, Peshiq, deklaroi se Jugosllavia dëshironte marrëdhënie të mira me Shqipërinë, por vetëm mbi bazën e respektit të rreptë për parimet e “pavarësisë, barazisë, sovranitetit, integritetit territorial, mos-ndërhyrjes në punët e brendshme dhe reciprocitetit” (shqiptarët përdorën gjuhë të tillë të ngjashme kur diskutonin marrëdhëniet dypalëshe). Peshiq deklaroi se marrëdhëniet e mira ishin në interesin afatgjatë të të dy vendeve dhe në interes të paqes dhe sigurisë në Ballkan.

(U)       Në diskutimet për Kosovën dhe rolin e pretenduar shqiptar atje, zyrtarë të ndryshëm jugosllavë paralajmëruan Tiranën me ton plot nënkuptim që të shqyrtonte se çfarë efekti do të kishin veprimet e saj – qoftë të miratuara nga ajo vetë apo në marrëveshje të fshehtë me të tjerë – në nxitjen e interesave të “gjithë atyre që janë armiq me Jugosllavinë dhe vetë Shqipërinë”. Mbështetja e Tiranës për “elementët nacionalistë dhe irredentistë” në Jugosllavi dhe “sulmet e saj ndaj integritetit territorial të Jugosllavisë” thuhej se kërcënonin vetë pavarësinë e Shqipërisë: “nacionalizmi i Shqipërisë së Madhe” do të nxiste nacionalizma të tjera në Ballkan (duke përfshirë nacionalizmin grek, bullgar dhe serb) dhe do të shfrytëzohej nga ata që dëshironin ta kthenin këtë zonë në “fuqi baruti”.

(U)       Shqipëria insistoi të shprehej se dëshironte “marrëdhënie të sinqerta dhe normale tregtare”. Ajo vlerësoi shkëmbimet tregtare dhe kulturore si shkëmbime në interes të të dy vendeve. Megjithatë, ajo përbuzi pretendimet jugosllave mbi “bujarinë, tolerancën dhe durimin… gjatë 32 viteve të fundit” dhe hodhi poshtë pretendimet jugosllave se Shqipëria kërkonte trajtim të privilegjuar në marrëdhëniet e saj me Jugosllavinë. Gjithashtu, Shqipëria e akuzoi Beogradin se kishte caktuar çmime të tepruara për mallrat jugosllave ndërkohë që kishte vënë çmime të ulëta për mallrat shqiptare, duke vendosur kështu “pengesa serioze” në rrugën e tregtisë dhe duke shkelur disa nga marrëveshjet ekonomike që prej trazirave të Kosovës.

Faktori sovjetik në marrëdhëniet jugosllavo-shqiptare

(C)       Si udhëheqësit jugosllavë dhe ato shqiptarë janë shqetësuar për një kohë të gjatë për kërcënimin sovjetik ndaj regjimeve të tyre dhe mundësinë që BRSS mund të ishte në gjendje të përdorte territorin e palës tjetër si bazë për subversion. Ndërkohë që po afrohej epoka post-Tito, veçanërisht kur Tito u shtrua në spital, thuhet se shqiptarët ishin të shqetësuar se pasardhësit e Titos nuk do të ishin në gjendje t’i rezistonin presioneve sovjetike për të fituar pozitë të favorizuar në Jugosllavi. Jugosllavët – të shqetësuar për pasiguritë e vazhdimësisë pas Hoxhës – u përpoqën të përmirësonin marrëdhëniet me Shqipërinë me qëllim që të kishin një kuptim më të mirë të zhvillimeve aty dhe të kundërshtonin përpjekjet e Moskës për të rritur influencën politike, ekonomike dhe ushtarake në mesin e zyrtarëve shqiptarë.

(C)       Në bisedat private dhe deklaratat publike, zyrtarët jugosllavë dhe shqiptarë kanë treguar se janë të ndërgjegjshëm që çdo përkeqësim serioz në marrëdhëniet e tyre mund të kishte efekt negativ në stabilitetin e brendshëm të të dy vendeve, dhe në sigurinë e Ballkanit në përgjithësi. Me gjithë mosmarrëveshjet e hidhura për Kosovën, Shqipëria kishte përsëritur kohët e fundit zotimin e saj të mëparshëm për të luftuar “sup më sup” me jugosllavët nëse këta të fundit do të goditeshin nga BRSS.

(C/NF)     Sidoqoftë, megjithëse nuk ka shenja se Hoxha ka ndryshuar armiqësinë e tij të papajtueshme me “revizionistët” sovjetikë, disa jugosllavë dyshojnë se duhet të ketë marrëveshje të fshehtë midis Moskës dhe Tiranës kundër Beogradit. Ata besojnë se elementët pro-sovjetikë në Tiranë janë thjesht duke pritur vdekjen e Hoxhës për të lidhur Shqipërinë në aleancë me BRSS. Ata që janë dyshues për një aleancë të tillë, kanë frikë se një nga hapat e para do të përfshijë shfrytëzimin e armiqësive mbi kombësinë në Jugosllavi. Sipas burimeve greke, kryeministri Gjuranoviq i ka thënë zyrtarëve grekë gjatë vizitës së tij në Athinë më 17-19 korrik se hetimet intensive të bëra mbi trazirat në Kosovë nuk zbuluan asnjë përzierje të Shqipërisë në këto trazira, por zbuluan se sovjetikët kishin gisht në to. Zyrtarë të tjerë të njohur jugosllavë kanë pranuar në fshehtësi shqetësimin se shërbimet e inteligjencës sovjetike dhe bullgare po shfrytëzojnë çështjen e kombësisë në Jugosllavi dhe mund të kenë krijuar tashmë kontakte indirekte me shërbimin inteligjent shqiptar përmes organizatave të emigrantëve shqiptarë anti-jugosllavë. Një gazetë jugosllave – ndërkohë që diskutonte përfshirjen e supozuar të Tiranës në planifikimin dhe organizimin e trazirave në Kosovë – pretendoi ekzistencën e një “programi” për vendet socialiste të udhëhequra nga Shqipëria, për të “çliruar” Jugosllavinë.

(U)       Për më tepër, një koment i medies sovjetike i datës 10 qershor, ku vlerësohej roli historik i Lidhjes së Prizrenit Shqiptar në bashkimin e popullit shqiptar “kundër pushtuesve të huaj”, duhet të ketë ngritur dyshime tek jugosllavët mbi përpjekjet më të fundit të sovjetikëve për t’i ardhur rrotull Shqipërisë. Artikulli, i cili përkujtoi 103-vjetorin e krijimit të Lidhjes, duket se hodhi poshtë akuzat shqiptare se sovjetikët kanë qëndruar në krah të serbëve (dhe jugosllavëve) kundër shqiptarëve.

(C) Interesat jugosllave në Shqipëri

Pozita gjeografike e Shqipërisë e bën atë që të jetë një vend i rëndësishëm nga ana strategjike për sigurinë e Jugosllavisë. Si rezultat, udhëheqësit jugosllavë kanë kërkuar që në mënyra të ndryshme të dominojnë në Shqipëri (si në periudhën menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore) ose në të kundërt të zbusin mosbesimin dhe armiqësinë tradicionale shqiptare – pa shumë sukses. Megjithatë, më shpesh udhëheqësve të Beogradit u është dashur të përballen me një situatë në të cilën Shqipëria – që prej pavarësisë së saj në vitin 1912 – është dominuar nga fuqi kundërshtare (Austro-Hungaria, Italia, BRSS dhe Kina).

Ngritja e regjimeve komuniste në Jugosllavi dhe Shqipëri pas luftës nuk ndikoi shumë për të qetësuar armiqësitë e gjata. Disa komunistë udhëheqës jugosllavë e trajtonin nganjëherë regjimin në Tiranë sikur kishin të bënin praktikisht me një shtet vasal, duke i trajtuar shqiptarët në Tiranë dhe Jugosllavi me një përbuzje që zor se mund të fshihej. Çdo shpresë që Tito mund të ketë pasur për ta përfshirë Shqipërinë si Republikë të shtatë në Federatën Jugosllave mori fund kur Hoxha u rreshtua në krah të Stalinit në vitin 1948. Hoxha më pas eliminoi nga udhëheqja rivalët e tij pro-jugosllavë dhe nxiti irredentizmin kundër Jugosllavisë.

Gjatë viteve, veçanërisht që prej prishjes shqiptaro-kineze, e cila e la Tiranën “pa protektor”, dhe bamirës ekonomik, disa zyrtarë jugosllavë tentuan t’i etiketojnë sulmet politike dhe ideologjike të Shqipërisë ndaj “revizionizmit” jugosllav si sulme me pasoja të vogla. Ato e ndjenë se ishte shumë e rëndësishme që të zbuteshin dallimet dhe të kërkoheshin mënyra, sado modeste, për të rritur kontaktet me zyrtarët shqiptarë dhe në këtë mënyrë për të shtuar perspektivat për influencë të Jugosllavisë në Shqipëri pas epokës së Hoxhës (shumica e udhëheqësve jugosllavë janë pajtuar me armiqësinë e paepur të Hoxhës dhe me përmirësimin e vogël substancial në marrëdhëniet dypalëshe gjatë jetës së tij).

Perceptimet e Shqipërisë ndaj Jugosllavisë

Mosbesimi i Shqipërisë ndaj Jugosllavisë është rrënjosur në shekuj në antagonizmat dhe rivalitetet shqiptaro-serbe. Për Hoxhën dhe udhëheqësit e tjerë shqiptarë, regjimi komunist i Jugosllavisë nuk është fqinj më i mirë sesa paraardhësit e tij “monarkistë” apo “fashistë”. Frika e ambicieve jugosllave ishte një faktor i rëndësishëm në vendimin e Hoxhës për të lidhur regjimin e tij me Stalinin; gjithashtu, kjo luajti një rol të veçantë në prishjen e Hoxhës me sovjetikët, pasi ai kishte frikë se rivendosja e marrëdhënieve miqësore Tito-Hrushov do ta mundësonte Jugosllavinë që të rifitonte influencën e saj në Shqipëri. Përfundimisht, përmirësimi gjithnjë në rritje i marrëdhënieve jugosllavo-kineze në mesin e viteve 1970, mishëruar nga vizita fitimtare e Titos në Kinë në vitin 1977 dhe vizita e Hua Guo-Feng në Jugosllavi në vitin 1978, kontribuoi në ftohjen midis Pekinit dhe Tiranës.

Hoxha, 72 vjeç , ka udhëhequr Partinë Komuniste Shqiptare që nga themelimi (1941). Ai nuk i ka falur asnjëherë komunistët jugosllavë që i ripërfshinë zonat – Kosovën dhe kufijtë perëndimorë të Maqedonisë – të cilat Shqipëria i aneksoi gjatë Luftës së Dytë Botërore. Duke pasur parasysh këtë përvojë, si dhe qëndrimet izolacioniste dhe ksenofobike të regjimit të Hoxhës, nuk të çudit aspak dyshimi i tij obsesiv për Jugosllavinë.

Fushata politike dhe ideologjike e Shqipërisë kundër Jugosllavisë gjatë tre dekadave të fundit dhe kërkimi nga ana e saj për aleatë kundër Jugosllavisë janë krijuar për të penguar “hegjemonizmin jugosllav” dhe për të përfshirë përfundimisht pakicat shqiptare të Jugosllavisë në “Shqipërinë e Madhe”. Megjithëse Tirana proteston publikisht se nuk ka plane territoriale ndaj Jugosllavisë, ajo ka shpallur gjithashtu se “… kombi shqiptar është një, pavarësisht se një pjesë e tij jeton në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe pjesa tjetër në tre pjesët e Jugosllavisë Federale”. Megjithëse arsyet e vendimit shqiptar për të përmirësuar marrëdhëniet me Beogradin në fund të viteve 1970 nuk dihen, Hoxha mund ta ketë ndjerë se – pas prishjes me Kinën – ishte e nevojshme që të vendoseshin lidhje tregtare/ekonomike për të përballuar vështirësitë ekonomike të Shqipërisë, të cilat përfshinin standardin më të ulët të jetesës në Evropë. Jugosllavia ishte e përshtatshme dhe e gatshme – për arsye taktike dhe strategjike. Për më tepër, vendimi i Titos për të përmirësuar fatin e popullsisë shqiptare në Kosovë, pjesërisht në dëm të serbëve dhe malazezëve atje, mund të ketë qenë faktor në arsyetimin e Hoxhës – veçanërisht nëse ai shihte mundësi unike për të çuar përpara qëllimet e tij politike dhe ideologjike në Kosovë.

Marrëdhëniet jugosllavo-shqiptare “përmirësohen”

(U)       Me këmbënguljen e Tiranës, marrëdhëniet me Jugosllavinë gjatë viteve të fundit janë zhvilluar më shumë në nivel shtetëror/qeveritar sesa politik. Janë parashikuar disa ndërmarrje të përbashkëta në sektorin ekonomik: Projekte të lidhjes hekurudhore, rrjetit të energjisë elektrike, teknologjisë së energjisë hidraulike dhe rritjes së shërbimit ajror. Shembulli më i dukshëm i përmirësimit të marrëdhënieve dypalëshe ndodhi në korrik 1980: Ministri i Tregtisë së Jashtme të Shqipërisë  bëri një vizitë zyrtare në Jugosllavi, duke përfshirë Maqedoninë dhe Kosovën. Kjo ishte vizita e parë ministrore shqiptare në Jugosllavi, që përpara prishjes Tito-Stalin. Që nga koha e vizitës, Jugosllavia është bërë partneri drejtues tregtar i Shqipërisë.

(U)       Gjatë kësaj periudhe, menjëherë pas Titos (Tito vdiq në maj 1980), Shqipëria u bë më e kujdesshme në komentet e saj për statusin e Kosovës. Për shembull, nuk u tha asgjë për gjyqet e qershorit 1980 të “irredentistëve shqiptarë” të akuzuar për subversion. Kjo heshtje ishte në kundërshtim me kritikën e mëparshme të Shqipërisë për gjyqe të tilla nacionaliste dhe kohët e fundit, me denoncimin e menjëhershëm nga ana e Tiranës të gjyqeve të pesë shqiptarëve etnikë në Maqedoni këtë maj. Tirana i kishte etiketuar këto gjyqe – të cilat rezultuan në dënime të ashpra me burgim për akuzat e formimit të një organizate ilegale që synonte bashkimin e shqiptarëve në Jugosllavi me ato në “Shqipërinë e Madhe” – si një farsë, ku autoritetet jugosllavo-maqedonase përdornin metoda si ato të “fashistëve bullgarë” në Luftën e Dytë Botërore.

(C)       Ndërkohë shkëmbimet arsimore/kulturore dhe tregtare arritën nivele të paprecedentë. Tirana bëri të qartë se përpjekjet e saj do të ishin kryesisht ideologjike dhe nacionaliste në fokus – të drejtuara nga shqiptarët në Jugosllavi. Efekti i kësaj propagande për popullsinë shqiptare të pabindur në Kosovë nuk mund të përcaktohet, por vetë përpjekja është planifikuar dhe organizuar me kujdes. Regjimi i Hoxhës e dinte se përpjekja e tij do të kishte një përgjigje të gjerë dhe dashamirëse:

– Kosova kishte qenë burim tradicional i pakënaqësisë politike dhe ekonomike që në fund të Luftës së Dytë Botërore, ku popullsia shqiptare nuk e dëshironte influencën serbe aty;

– Kosova është gjithashtu zona më e prapambetur dhe e ulët ekonomikisht e Jugosllavisë me gjithë sakrificat e konsiderueshme të republikave dhe kombësive të tjera për të ndihmuar ekonominë dhe standardet e jetesës së saj.

– Segmente të tëra të popullsisë shqiptare në Jugosllavi e ndjenin se janë konsideruar si qytetarë të dorës së dytë dhe se nuk kanë të ardhme në shtetin sllav; dhe

– studentët “e papunë” të Universitetit dhe intelektualët që herë pas here ishin në ballë të agjitacionit nacionalist, do të ishin veçanërisht dyshues ndaj “komunizmit egalitar” dhe konceptit “një Shqipëri” të Hoxhës.

(C)       Dështimi i autoriteteve (d.m.th. federale dhe serbe) për të bërë progres të dukshëm në stabilizimin e “situatës së ndërlikuar” në Kosovë 5 muaj pas shpërthimit të demonstratave studentore nënvizon natyrën e vështirë të problemeve që lidhen me nacionalizmin shqiptar. Për më tepër, tensionet e rritura ndërmjet shqiptarëve, nga njëra anë, dhe serbëve dhe maqedonasve, nga ana tjetër, kanë prodhuar një “reagim të ashpër” nacionalist veçanërisht në radhët e serbëve. Ekziston njëfarë shqetësimi në mes jugosllavëve dhe një “reagim i tillë i ashpër” mund të acarojë mosmarrëveshjet për kombësinë në përgjithësi dhe mund të dëmtojë rëndë Federatën.

(C)       Maturia e jugosllavëve në marrëdhëniet e ardhshme me Shqipërinë

Megjithëse Shqipëria nuk mund të bëhet përgjegjëse për trazirat, zyrtarët jugosllavë duhet të jenë më të kujdesshëm në marrëdhëniet e ardhshme me Tiranën dhe të sigurojnë se shqiptarët në Jugosllavi nuk përbëjnë kërcënim për stabilitetin. Në përballimin e problemeve të lidhura me pakicën e pakënaqur shqiptare dhe Tiranën armiqësore, autoritetet jugosllave do të duhet të tregojnë maturi dhe vetëpërmbajtje – qoftë edhe vetëm për të penguar Shqipërinë që tëmos kthehet nga sovjetikët, dhe BRSS që të mos bëhet përfituesi kryesor i pasojave të Kosovës. Fushata intensive anti-shqiptare e propagandës së Beogradit ka shërbyer për të ndezur armiqësitë tradicionale dhe mbase për të bërë të pamundur ndonjë përmirësim të rëndësishëm në marrëdhëniet dypalëshe gjatë kohës që Hoxha është në pushtet. Përpjekjet jugosllave për të minuar Hoxhën do të jenë ndoshta joproduktive për të ardhmen e parashikueshme; ato ka të ngjarë që do të forconin mbështetjen e tij në radhët e popullsisë shqiptare e frikësuar nga “hegjemonia” jugosllave dhe mund të bëjnë më tërheqës afrimin me sovjetikët.

Nuk dihet se çfarë efekti, nëse ka ndonjë, ka pasur “brutaliteti” i supozuar jugosllav për shtypjen e trazirave në rritjen e ndjenjës kosovare për t’u bashkuar me Shqipërinë (më shumë se statusin e Republikës jugosllave). Po kështu, askush nuk mund të dallojë nëse brutaliteti ka pasur rol në vendimin e regjimit shqiptar për të vepruar si “protektor” i komunitetit shqiptar në Jugosllavi. Por Tirana ishte qartazi e gatshme për të rrezikuar marrëdhëniet e saj me Beogradin mbi çështjen e Kosovës.

(C)       Vazhdimi i armiqësisë shqiptare

Në propagandën e saj, Tirana shfrytëzoi qëllimisht vështirësitë e regjimit jugosllav me qëllim që të përmirësonte imazhin e saj në radhët e komunitetit etnik shqiptar. Ajo bëri të ditur qëllimin e saj për të kundërshtuar “persekutimet” dhe “përndjekjet” e Beogradit në Kosovë; ajo, gjithashtu, akuzoi se politikat e jashtme dhe të brendshme të Jugosllavisë duhet të kundërshtohen sepse ato ishin “të mbushura me rrezik” për Shqipërinë, vetë Jugosllavinë dhe Ballkanin. Duke pasur parasysh rezistencën pa kompromis të Hoxhës ndaj “revizionizmit” jugosllav, ka të ngjarë që regjimi i Tiranës të braktisë rolin e vet negativ në të ardhmen e afërt. Hoxha dhe udhëheqësit e tjerë shqiptarë mund të jenë bindur se përpjekjet e tyre për të shfrytëzuar problemet politike, ekonomike dhe etnike të Jugosllavisë do të detyrojnë udhëheqësit e Beogradit të përqendrohen në punët e brendshme dhe jo në punët e jashtme, duke e bërë Beogradin një kërcënim shumë më të vogël për Shqipërinë. Propagandistët e Tiranës e kanë karakterizuar situatën e Jugosllavisë si një situatë të “kontradiktave dhe dizintegrimit të thellë kombëtar, politik, ekonomik dhe shtetëror”. Nëse shqiptarët aktualisht e ndjenin se regjimi jugosllav rrezikonte të shembej, mund të pritej që ata të organizonin një përpjekje më agresive për të realizuar qëllimin e tyre “Një Shqipëri”. Për të arritur këtë, ata mund të bëjnë marrëveshje me sovjetikët – ashtu siç shumë jugosllavë dyshojnë se ata tashmë e kanë bërë një gjë të tillë.

Sidoqoftë, deri tani nuk ka tregues se Hoxha ka bërë ndonjë gjest ndaj Moskës ose se ai ka qenë perceptues ndaj propozimeve sovjetike për përmirësimin e lidhjeve shqiptaro-sovjetike. Që prej trazirave në Kosovë dhe përkeqësimit vijues të marrëdhënieve jugosllavo-shqiptare, Tirana është përpjekur të përmirësojë marrëdhëniet e saj me vendet e zgjedhura perëndimore dhe të paangazhuara. Marrëveshja e qershorit midis Shqipërisë dhe Italisë për një program shkëmbimi arsimor, kulturor dhe shkencor për vitet 1981-1983, mund të jetë ndikuar nga vendimi jugosllav për të anuluar programet e ndryshme ekzistuese të bashkëpunimit me Shqipërinë. Vlerësimet e brendshme (vështirësitë ekonomike dhe kundërshtimi në rritje ndaj politikave dogmatike dhe izolacioniste) mund të kenë luajtur rol në vendimin e Shqipërisë për të sulmuar politikat e Jugosllavisë. Hoxha mund të ketë pasur dëshirë të përdorte Jugosllavinë si një mjet për të mbledhur popullsinë e tij kundër kërcënimit të jashtëm dhe për pasojë për të minimizuar trazirat e brendshme. Ai gjithashtu mund të ketë qenë i shqetësuar për ndikimin eventual të përpjekjes jugosllave për të përdorur Kosovën si urë dhe “vend tërheqës” për shqiptarët dhe për krahasimet e urryera midis lirive më të mëdha politike, shoqërore dhe ekonomike në Kosovë kundrejt kushteve shtypëse, izolacioniste dhe të prapambetura në Shqipëri (disa mësues të dërguar nga Shqipëria në Kosovë në programet e shkëmbimit thuhet se janë pushuar nga shërbimi apo dëbuar në provinca pas kthimit të tyre – me dyshimin se janë molepsur nga “revizionizmi” jugosllav). Gjithashtu, disa zyrtarë drejtues të spastruar nga Hoxha në vitet 1970, duke përfshirë ish-Ministrin e Mbrojtjes Balluku dhe ish-Kryetarin e Parlamentit Këllezi – të dy bashkëpunëtorë për një kohë të gjatë të Hoxhës – thuhet se kanë pranuar që kanë pasur “lidhje tradhtare” me “revizionistët” jugosllavë dhe sovjetikë.

(C) Perspektivat

Marrëdhëniet jugosllavo-shqiptare kanë pësuar kthim të rëndë prapa; Mund të duhen vite që të ndodhin përmirësime. Ka të ngjarë që të dyja palët të presin me durim duke e parë njëra-tjetrën me mosbesim, por duke shmangur  një prishje që mund të inkurajojë Moskën për t’u bërë më aktive në Ballkan. Zyrtarët jugosllavë e kuptojnë se Tirana ka aftësinë që të nxisë pakënaqësi dhe trazira në radhët e shqiptarëve etnikë. Kështu, zgjidhja e “problemit” shqiptar mbetet vendimtare për integritetin territorial të Jugosllavisë dhe për stabilitetin në Ballkan. Pas ikjes së Hoxhës, mund të rriten perspektivat për përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe, veçanërisht nëse shfaqet një udhëheqje më pragmatike. Megjithatë, një udhëheqje e tillë mund të rrisë tërheqjen e bashkimit me Tiranën për shqiptarët etnikë në kufirin jugosllav – nëse këta udhëheqës nuk kanë minimizuar këndvështrimin nacionalist. Por, udhëheqësit e Tiranës mund të vazhdojnë gjithashtu paragjykimet e forta anti-jugosllave që kanë karakterizuar hierarkinë shqiptare, dhe nga halli të kthehen nga Perëndimi ose, siç ka më shumë të ngjarë, të kthehen nga sovjetikët për ndihmë ekonomike ose mbrojtje kundër Jugosllavisë. Për shumë shqiptarë, Jugosllavia fqinje ka qenë gjithmonë një kërcënim më i madh sesa BRSS e largët.

Përgatitur nga P. Costolanski                                                            Miratuar nga M. Mautner

x22876                                                                                               x29536

                                                                             -88-

Konfidenciale

Shkresë për Beogradin

GRS 1083

Nga J C R Gray, EESD

Referenca e dosjes, datë 25 gusht ‘81

                 Grupi i punës i EC/Evropës Lindore: analizë mbi situatën në Shqipëri

 Duhet të keni parë në përkujtesën time të datës 7 gusht për Joe Banks se në përgjigje të sugjerimit të Terry Clark për të bërë një analizë mbi zhvillimet e brendshme në Shqipëri, po bëjmë përgatitje që këtë ta marrë përsipër EC/EEWG në mbledhjen e radhës më 16 dhe 17 shtator. Paragrafët 2 deri në 9 më poshtë përbëjnë përpjekjen time të parë për një draft të tillë ku dhe do të mirëprisja çdo koment apo kritikë nga Beogradi. A mund t’i dërgoni këto komente afërsisht deri të mërkurën më 2 shtator? Nëse mund të arrijnë pas 28 gushtit a mund t’i adresoni tek Bob Campbell, i cili do të grumbullojë komentet në mungesën time ndërkohë që jam me leje gjatë gjysmës së parë të shtatorit?

  1. Fillimi i draftit

Hyrje

Në mungesë të Ambasadës Britanike në Tiranë jemi domosdo të keqinformuar për situatën politike në Shqipëri. Për rrjedhojë, qëllimi i këtij dokumenti është që të hedhim në letër atë që dimë me shpresën se partnerët që kanë misione rezidente në Tiranë, mund të jenë në gjendje të mbushin këto boshllëqe. Do të mirëpritet veçanërisht një analizë e mëtejshme politike.

  1. Regjimi shqiptar mbetet regjimi më i rreptë despotik dhe Stalinist në Evropën Lindore. Por që prej Kongresit të fundit në vitin 1976, ka pasur njëfarë zbutjeje në çështje të tilla si kontaktet me të huajt. Kjo politikë mund të jetë mbështetur veçanërisht fort nga Hoxha: por ka sugjerime se mund të ketë qenë më pak e mirëpritur për Shehun. Megjithatë, të dhënat për një divergjencë të tillë janë aq të pakta sa të mos konsiderohet më shumë se thjesht një hipotezë e arsyeshme paraprake.
  2. Por, megjithëse kemi pak të dhëna mbi mosmarrëveshjet politike brenda Partisë, ka të dhëna të qarta mbi dallimin mes brezave në organe të ndryshme partiake.

Byroja Politike aktuale e cila u zgjodh në Kongresin e 7-të në vitin 1976, përbëhet nga 11 anëtarë të plotë dhe 5 anëtarë kandidatë. Të gjithë anëtarët e plotë, përveç dy relativisht të posaardhurve, Hekuran Isai dhe Pali Miska, të cilët u zgjodhën në vitin 1975, i përkasin grupit të periudhës së luftës që është i lidhur ngushtë me Hoxhën dhe është zgjedhur në mënyrë të përsëritur. Por të gjithë, përveç njërit prej anëtarëve kandidatë, janë emëruar që në vitin 1975 dhe i përkasin një brezi të ri që ka marrë dominim të menjëhershëm nën patronazhin e Hoxhës. Një dallim i ngjashëm brezash ekziston në Sekretariatin me 4 anëtarë përfshirë Hoxhën: një, Ramiz Alia, ka qenë anëtar që prej vitit 1960. Por dy të tjerët, Hekuran Isai dhe Prokop Murra, janë emëruar në vitin 1976. Prurja e gjakut të ri është edhe më qartësisht e dukshme në Komitetin Qendror, ku më shumë se gjysma e 77 anëtarëve të tij janë zgjedhur për herë të parë në Kongresin e fundit. Duket e mundshme që shumica e figurave të promovuara rishtazi janë persona të favorizuar nga Hoxha dhe që pasqyrojnë pikëpamjet e tij.

Vijimësia

  1. Hoxha, Sekretari i Parë i Partisë e ka mbajtur këtë post që në vitin 1948, dhe Shehu, si Kryeministër, që në vitin 1954. Ata janë respektivisht 73 dhe 68 vjeç dhe thuhet, së paku prej disa vitesh, se Hoxha është i sëmurë rëndë me ankesa të ndryshme përfshirë sëmundjen e kancerit dhe parkinsonit. Dalja e tij e fundit për të cilin jemi në dijeni ishte në ditën e 1 Majit këtë vit kur ai në dukej ishte në formë të mirë. Dëshmi të një vijimësie të mundshme mund të dalin nga Kongresi i 8-të i Partisë që pritet të mblidhet më 1 nëntor. Por, për momentin, besojmë se pasardhësi më i mundshëm do të jetë Shehu dhe Alia do të jetë zgjedhje e dytë.

Ekonomia

  1. Shqipëria është ende vendi më i varfër në Evropë dhe tërheqja nga ndihma kineze në vitin 1978 ishte një goditje. Por standardi i jetesës dhe kushtet sociale janë përmirësuar. Aktualisht theksi kryesor në politikën industriale është në elektricitet, kimikate (veçanërisht plehrat kimike) dhe inxhinieri (veçanërisht pjesët rezervë për pajisjet kapitale ekzistuese). Në bujqësi, Shqipëria ka qenë e pavarur në prodhimin e grurit që në vitin 1976 dhe madje ka prodhuar teprica të vogla për eksport. Plani aktual 5-vjeçar (1981-85) synon vazhdimin e rritjes së shpejtë, përsëri pa hua nga jashtë dhe ndihmë ekonomike. Me gjithë sukseset e pretenduara për rritjen e shkallës së ngritjes ekonomike pa ndihmë të huaj, Shqipëria ka të ngjarë ta ketë tejet të vështirë të ruajë rritjen e shpejtë nëse vazhdon me politikën e vetëmjaftueshmërisë së ngurtë.
  2. Shqipëria ka disa burime natyrore: naftë që mjafton për të mbuluar një të tretën e nevojave të saj dhe për të lënë një tepricë të vogël për eksport (megjithëse ka cilësi të dobët dhe vështirësi në nxjerrjen e saj), qymyr dhe një potencial të konsiderueshëm hidro-elektrik. Vendi ka gjithashtu burime të rëndësishme mineralesh hekuri dhe bakri, megjithëse aktualisht prodhimi i bakrit është në një shkallë mjaft të vogël. Burimi më i rëndësishëm i Shqipërisë është kromi, për të cilin ajo është aktualisht prodhuesja e tretë më e madhja në botë dhe eksportuesja e dytë më e madhe. Por ne besojmë se rezervat e vërtetuara janë ndoshta të mjaftueshme për më pak se prodhimin e 10 viteve në normat aktuale dhe përfaqësojnë vetëm rreth 1% të rezervave të përgjithshme botërore; edhe rezervat potenciale ndoshta nuk do të zgjasin më shumë se për 20 vjet të tjera. Shqipëria do të jetë me fat nëse do të ruajë prodhimin e mineralit të kromit në nivelin aktual deri në fund të viteve 1980. Për pasojë, objektivi për zgjerim është i kufizuar. Do të duhet disa kohë për të zgjeruar kapacitetin e prodhimit.

Tregtia e jashtme

  1. Qeveria shqiptare ka bërë përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet tregtare me 80 apo më shumë vende me të cilat ajo ka marrëdhënie diplomatike. Por që në fillim të viteve 70, tregtia e jashtme shqiptare nuk është rritur më shumë se 600 milion dollarë amerikanë në vit. Tregtia me vendet jo-sovjetike Komekon (Comecon) është rreth 200 milion dollarë amerikanë në vit, kryesisht me bazë shkëmbimi. Tregtia me Bashkimin Sovjetik është e papërfillshme. Tregtia me Perëndimin e zhvilluar arrin gjithashtu në rreth 200 milionë dollarë amerikanë. Partneri më i madh tregtar i Shqipërisë tani është Jugosllavia. Kohët e fundit, Shqipëria është përpjekur të inkurajojë partnerët e saj tregtarë perëndimorë që të bëjnë tregti mbi bazën e shkëmbimit ose ndërrimit të mallrave: një gjë e tillë mund të pengojë planet për zgjerimin e këtyre lidhjeve tregtare në të ardhmen e afërt.
  2. Balancimi i tregtisë shqiptare midis Lindjes dhe Perëndimit nuk është thjesht rezultat i dëshirës së udhëheqjes për të ruajtur pavarësinë politike të vendit. Pajisjet e avancuara perëndimore do të mbeten jetike për zhvillimin e industrisë shqiptare, por tregjet e Komekon janë më shumë të afta që të tërheqin mallra të prodhuara shqiptare të kualitetit të dobët. Megjithëse Shqipëria ka kapacitetin të shtojë eksportet e saj minerale dhe energjetike, ajo nuk do të jetë në gjendje të importojë të gjitha makineritë që kërkon nga Perëndimi: disa furnizime do të duhet të vijnë nga Evropa Lindore.

Nënshkruar nga J C R Gray

                                                                                       -89-

Konfidenciale

C

H E C

DA

Për dijeni: J C R Gray Esq, EESD

P Rennie Esq

Departamenti i Kërkimit

                                                                    Shqipëria

 Takova sot Jan Hesseling në Ambasadën holandeze për të diskutuar për Shqipërinë.

Personalitetet

  1. Ai tha se ishte shumë e vështirë për Misionet në Tiranë për të marrë të dhëna për personalitetet drejtuese në Shqipëri meqenëse nuk janë publikuar madje as detajet bazë të tilla si vendi dhe data e lindjes. Hesseling komentoi se, megjithëse Hoxha është i sëmurë, ai shkruan ende artikujt kryesorë për gazetën “Zëri i Popullit” dhe ruan një kontroll të fortë të çështjeve shtetërore. Ai shfaqet në publik tre herë në vit, më 1 maj, 29 nëntor dhe rasti i tretë është zakonisht kur viziton një fabrikë. Për pjesën tjetër të kohës ai qëndron në shtëpinë e tij, e cila është larg rrugës kryesore në Tiranë dhe vizitohet vetëm nga këshilltarët e tij të afërt. Thuhet se ai asnjëherë nuk i shtrëngon dorën të huajve, por kalon në distancë dhe i përshëndet. Hesseling komenton se kjo sjellje ksenofobike është ndoshta shkaku kryesor i politikës izoluesee Shqipërisë. Ai tha se Shehu i pranon letrat kredenciale nga Ambasadorët e rinj dhe, në përgjithësi, vepron si President me Hoxhën që ruan një rol të fortë, por gjithsesi në sfond.

Çështjet ekonomike

  1. Drafti i Planit të ri 5-vjeçar u miratua në fillim të korrikut dhe do të jetë plani i parë sipas të cilit Shqipëria duhet të mbështetet tërësisht në burimet e veta. Ai tha se shqiptarët e kanë pranuar se standardi i jetesës do të bjerë për shkak të Planit, por ata kanë thënë se më parë pranojnë të jenë të varfër dhe të pavarur sesa të varen nga vendet e tjera.

Disidentët

  1. Jan Hesseling tha se, sipas jugosllavëve, në Shqipëri ka rreth 1-2,000 të burgosur politikë (një shifër shumë më e ulët se 20,000 që pretendohet nga grekët). Ata zakonisht marrin dënime të rrepta me punë të rëndë dhe mbahen në kampe të veçanta. Të burgosurit nuk mbahen të izoluar por në grupe. Disidentët që janë arratisur thonë se është e vështirë të largohesh nga vendi meqenëse kufijtë (duke përfshirë liqenet) janë të mbrojtur nga dy gardhe me lidhje zinxhirësh rreth 300 metra larg njëri tjetrit. Në kufijtë tokësorë zona ndërmjet gardheve është shtruar me mina tokësore dhe mina anti-personel.
  2. Jugosllavët thonë se rreth 1,000 shqiptarë arrijnë të largohen nga vendi çdo vit për në Jugosllavi. Me të arritur aty, ata mbyllen në kampe të veçanta pritëse për rreth tre jave ndërkohë që merren në pyetje. Pjesa më e madhe e tyre marrin azil politik aty dhe vendosen në zonat shqiptare të Maqedonisë, Malit të Zi dhe natyrisht Kosovës. Pjesa tjetër dorëzohen pranë UNHCR që të risistemohen në vende të tjera.

27 gusht 1981

Juaji

  1.      Ward

                                                                                 -90-

Konfidenciale

GRS 370

FM Beograd 011400Z shtator ‘81

Direkt për FCO

Telegram nr. 156, i datës 01 shtator ‘81

 

          Shkresa e Gray e datës 25 gusht: dokumenti i EC/EEWG mbi situatën në Shqipëri

 Përshëndes këtë iniciativë për të grumbulluar të dhënat e EC meqenëse është e qartë nga kërkimet e rastësishme këtu se disa nga kolegët tanë kanë më shumë informacione në Shqipëri nga vëzhgimet e drejtpërdrejta sesa na janë vënë në dispozicion.

  1. Kritika ime kryesore për draftin është se nuk adreson në mënyrë të drejtpërdrejtë problemin e ngritur në letrën time të datës 12 maj për Brian Fall, konkretisht pasojat për Kosovën dhe Jugosllavinë nga ndryshimi i regjimit në Shqipëri. Mendoj se duhet të përfshini në hyrje, p.sh. pas fjalisë së parë, diçka që të ketë efektin në vijim: “Interesi ynë është rritur veçanërisht nga deklaratat jugosllave se një prej arsyeve të trazirave të kohëve të fundit në Kosovë ishte se nacionalistët shqiptarë të Kosovës po përgatisnin rrugën për pavarësinë e Kosovës nga Serbia si një hap i parë drejt shkëputjes nga Jugosllavia dhe bashkimit me Shqipërinë. Sidoqoftë, në qarqet perëndimore është arsyetuar se nacionalistët nuk ishin aq shumë të interesuar për t’u bashkuar me Shqipërinë e Enver Hoxhës si një vend nën regjimin e pasuesit në të cilin kosovarët do të luanin një rol drejtues. Të dhënat tona në mbështetje të një spekulimi të tillë janë të pakta, qëllimi i këtij dokumenti është ECT (siç vazhdon drafti juaj)”.
  2. Nëse pranoni këtë hyrje, nevojitet të përmendni në pjesën kryesore të shkresës lidhjet e mundshme midis shqiptarëve të Kosovës dhe organizatave shqiptare të emigrantëve, për të cilat jugosllavët kanë folur shumë, si dhe lidhjet e këtyre organizatave me shërbimet e fshehta shqiptare/sovjetike/të tjera, për aq sa janë të njohura. Nëse ka një dorë sovjetike që punon në Kosovë, si dëshmi të së cilës kemi vetëm deklaratën enigmatike të Gjuranoviq bërë së fundmi në Athinë dhe deklaratën po aq enigmatike të Vrhovec bërë në Londër, a mund të ketë një lidhje me elementët e pretenduar sovjetikë në Shqipëri? Arsyetimi për këto linja do të çonte në një konkluzion të ngjashëm me atë të JIC(81) (N) 39 të datës 16 korrik, (një version të të cilit kolegët tanë të EC do ta kenë nga NATO?).
  3. Në një pikë tjetër më të detajuar në paragrafin tuaj 8, mund të përmendni vizitën e fundit të Bashiq në Tiranë për bisedime tregtare (referuar në shkresën e Jon Ward të datës 12 gusht).      Clark                                                                              (VAZHDON)