Pas mbylljes së vendvotimeve në orën 19 janë numëruar 99.8 përqind e votave në komunat e Kosovës shqiptare. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga 2477 qendra votimi, janë numëruar 2.477.
Në zgjedhjet e së dielës, nga 1 milion e 885 mijë e 448 persona me të drejtë vote, kanë votuar 779 mijë e 960 qytetarë.
Qytetarët e 21 komunave duhet t’u drejtohen përsëri kutive të votimit pasi që “dështuan” që t’i zgjedhin kryetarët e tyre në këto palë zgjedhje të mbajtura më 17 tetor.
Ndërsa, 17 komuna të tjera, kanë zgjedhur tashmë kryetarët që do i drejtojnë në 4 vitet e ardhshme.
E treta është Lidhja Demokratike e Kosovës e cila ka fituar në Pejë e Lipjan, ndërsa po aq komuna sa LDK-ja ka edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila arriti ta mbajë pushtetin në Suharekë e Deçan.
Kurse, fituesja e zgjedhjeve nacionale të 14 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arritur që ta mbajë asnjë komunë në të cilën ajo qeveriste.
Ndërsa, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, 21 komuna do të shkojnë në balotazh, mes tyre të gjitha komunat e mëdha përveç Mitrovicës e Pejës.
Në Prishtinë gara për balotazh do të jetë mes Arben Vitisë së Lëvizjes Vetëvendosje dhe Përparim Ramës së Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Garë në balotazh do të ketë edhe në Besjanë, ku momentalisht është duke prirë kandidati i LDK-së, Ekrem Hyseni ndërsa i dyti është Shpejtim Bulliqi i Lëvizjes Vetëvendosje.
Në dy komuna që konsideroheshin bastione të LDK-së, Fushë Kosova dhe Gjilani, do të jenë në garë me Lëvizjen Vetëvendosje.
Në Fushë Kosovë, Burim Berisha do të ketë përballë në balotazh Enver Bajçincën e VV-së ndërsa Alban Hyseni i prin garës në Gjilan ndaj Lutfi Hazirit.
Balotazh LVV-LDK do të ketë edhe në qytetin e Vitisë.
Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arritur ta fitojë Prizrenin pa balotazh. Në garën e balotazhit, VV-ja do ta ketë përballë Shaqir Totajn me Partinë Demokratike të Kosovës.
LDK-ja do të jetë në balotazh edhe në komunën e Junikut, ku në garë do të jetë me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.
NISMA Socialdemokrate nuk ka arritur ta fitojë atë që njihej si bastion i saj, Malishevën. Në këtë komunë, NISMA do të jetë në garë me Partinë Demokratike e Kosovës.
Qëndron Kastrati i Partisë Socialdemokrate do ta ketë përballë ish-partinë e tij, Vetëvendosjen në garën për balotazh në Kamenicë.
Balotazh do të ketë edhe në Kastriot, Kaçanik, Shtime, Rahovec, Gjakovë, Dragash, Istog, Vushtrri, Drenas, Kllokot dhe Junik.