Takimi me udhëheqësit e rajonit për Procesin e Berlinit, Rama: Po përgatitet plan i ri mbështetjeje financiare për Ballkanin Perëndimor
TIRANË, 17 korrik/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se mbështetja financiare për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe hapja e shtigjeve të integrimit në tregun e bashkuar europian, pa pritur anëtarësimin në BE, ishin në fokus të takimit informal të zhvilluar sot në Tiranë me krerët e vendeve të rajonit dhe komisionerin për Zgjerim në Bashkimin Europian, Oliver Varhelyi.
Gjatë një konference për mediet, kryeministri Rama bëri të ditur se takimi informal u fokusua mbi Planin e Ri të mbështetjes financiare dhe ekonomike të BE-së për Ballkanin Perëndimor.
“Shqipëria do të mikpresë samitin e parë të Procesit të Berlinit jashtë BE-së në tetor dhe për këtë ne jemi angazhuar shumë seriozisht me Kancelarinë në Gjermani, por edhe me aktorë të tjerë, që ky samit të ketë një produkt domethënës për Ballkanin Perëndimor dhe të shërbejë për të hedhur një hap të rëndësishëm më tutje në raport me ato që Procesi i Berlinit ka në bazën e vet, që janë lehtësimet e vazhdueshme në ndërveprimin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor”, tha Rama.
Rama theksoi se synohet që kjo të shërbejë edhe për të hedhur një hap të rëndësishëm në raportet e Ballkanit Perëndimor me BE-në.
“Për këtë të dytën ne ishim sot këtu në Tiranë me komisionerin Varhelyi, i cili mbulon rajonin dhe ka për detyrë trajtimin e të gjitha çështjeve që kanë të bëjnë me Zgjerimin dhe Fqinjësinë, dhe për këtë diskutuam”, informoi Rama.
Kryeministri bëri të ditur se Shqipëria prej disa kohësh është në një përpjekje për të nxitur një mënyrë të re të të parit të gjërave në raport me Ballkanin Perëndimor, në aspektin e hendekut që ekziston përmes vendeve anëtare dhe vendeve tona, sidomos pas goditjeve të njëpasnjëshme të pandemisë, krizës energjetike në tërësi, konfliktit në Ukrainë, që ka bërë që BE të shpërndajë fonde shumë të konsiderueshme në mbështetje për vendet anëtare.
Kjo, sipas tij, e ka zgjeruar hendekun mes Ballkanit Perëndimor dhe vendeve anëtare, në aspektin e kapaciteteve plus mundësive të brendshme të çdo vendi, duke marrë parasysh jo vetëm këtë pasojë, por edhe kontekstin e përgjithshëm dhe të gjitha sfidat që sot janë të përbashkëta sa edhe të përveçme.
“Ne jemi përpjekur edhe duke u koordinuar me të tjerët të krijojmë një tjetër qasje, paralelisht me ecurinë e procesit të negociatave të kemi një mbështetje ekstra financiare dhe ekonomike për vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo është diçka që ka filluar të formësohet dhe një Plan i Ri mbështetjeje financiare dhe ekonomike për Ballkanin Perëndimor është duke u përgatitur. Për këtë ishim me Komisionerin për të diskutuar, konsultuar, ndarë opinione, për se si mund të mbështeten më shumë financiarisht vendet e Ballkanit Perëndimor dhe mund t’u hapen disa shtigje të integrimit në tregun e bashkuar europian, pa pritur që ato të anëtarësohen në BE”, bëri të ditur Rama.
I pyetur mbi fushat ku Shqipëria do të kërkojë më shumë mbështetje nga ky plan, Rama tha se “nuk mund të flasim akoma për gjëra konkrete sepse ky plan është në diskutim”.
“Nuk e di a e keni ndjekur Presidenten e Komisionit Ursula von der Leyen, e cila në Bratislavë dha një sinjal të qartë për objektivat e këtij plani. Ndërkohë që jemi shumë herët për të diskutuar se sa dhe pse një vend ose një vend tjetër do të marrë. Ajo që është e rëndësishme në këtë moment është që ta shikojmë rajonin si një i tërë dhe të punojmë për rajonin si një i tërë sepse kështu na sheh Bashkimi Europian, pavarësisht se brenda për brenda rajonit ka vende që janë më përpara me procesin e integrimit dhe ka vende që janë më mbrapa”, tha Rama.
Për sa i përket fushave, Kryeministri shtoi se “edhe kjo është diçka që u diskutua edhe sot dhe mbi të gjitha, ajo që është më e rëndësishmja është sesi ky plan do të integrohet me çfarë ne kemi si mekanizma ekzistues mbështetjeje nga Bashkimi Europian”.
Pyetjes nëse i vinte keq që në këtë takim nuk ishte kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Rama iu përgjigj duke theksuar se “ishin të gjithë të ftuar dhe kush deshi erdhi, e kush nuk mundi, nuk erdhi”.
/r.e/