Politikë

Dy humbësit e mëdhenj dhe disa shifra mbresëlënëse të 14 majit

Dy zullumçarët e mëdhenj të Republikës së Shqipërisë dhe të krejt kombit shqiptar u “pushkatuan” politikisht nga populli votues shqiptar. Mbetet që dy përgjegjësit më të mëdhenj (sidomos Berisha) të krimeve, shkatërrimeve – vandalizmit, korrupcionit, trafiqeve, kontrabandës… në Republikën e Shqipërisë, Berisha – Meta, të “pushkatohen” edhe nga drejtësia dhe organet e saj… (GL)

Në total, të dyja palët duket se kanë humbur elektorat në rang kombëtar por opozita Berisha+Meta dukshëm nuk ka bindur një numër thelbësor qytetarësh të dalin në zgjedhje.

Humbësit më të mëdhenj të zgjedhjeve të 14 majit duket se janë dy ish-kryeministrat dhe ish-presidentët, Sali Berisha dhe Ilir Meta, të cilët krijuan koalicionin Bashkë Fitojmë, pasi Berisha u përzu nga partia e tij nga pasardhësi dhe ish-benjamini Lulzim Basha për shkak se u shpall non grata nga Shtetet e Bashkuara si politikan i përfshirë në korrupsion madhor.

Po sa janë votat e marra nga Partia Demokratike dhe LSI në zgjedhjet e vitit 2021, krahasuar me votat që kandidatët e koalicionit “Bashkë Fitojmë” dhe ata të “PD zyrtare” morën së bashku në zgjedhjet e së dielës?

Opozita mori në total 522 mijë vota të dielën, nga të cilat 490 mijë shkuan për kandidatët e koalicionit “Bashkë Fitojmë”. Në total, opozita humbi rreth 207 mijë vota nga viti 2021, duke humbur bastionet e tyre historike në Shkodër, Kamëz, Dibër, Kukës e Tropojë.

Bashkia më e madhe e fituar prej tyre është Kavaja. Të shtata bashkitë e fituara nga opozita të marra sëbashku kanë gjithsej 200 mijë banorë, sipas gjendjes civile ose 4.5% të totalit të popullsisë sipas regjistrit civil.

Partia Socialiste fitoi gjithsej 53 bashki, ndërsa Partia Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen, fitoi bashkinë e Finiqit. Bashkitë e qeverisura nga koalicioni i majtë kanë 96% të popullsisë së vendit.

Partia Demokratike zyrtare garoi në 13 bashki, ku në tre mund të konsiderohej pretendente.

Në Mallakastër, kandidati i saj Agron Kapllanaj humbi me rezultat të ngushtë përballë kryebashkiakut aktual, i cili u ndihmua në fitore edhe nga kandidati i Bashkë Fitojmë. Në Këlcyrë duket se ndodhi e kundërta, kandidati i Bashkë Fitojmë humbi pasi një grusht votash u fituan nga kandidati i Partisë Demokratike zyrtare. Në Dimal kandidati i PD-së zyrtare, Dritan Sula mori 36%. Votat e tij dhe të kandidatit të Bashkë Fitojmë, Gentian Meçi të marra sëbashku nuk bëjnë shumicën.

Pjesëmarrja

Te gjithë qytetarët shqiptarë që gjenden të regjistruar në regjistrin civil dhe kanë mbushur 18 vjeç, janë pjesë e listës së zgjedhësve. Në total, 3.65 milionë shqiptarë kanë të drejtë vote.

Nga këto, të dielën 1.39 milionë qytetarë e ushtruan të drejtën për të votuar. Një pjesë e mirë e votuesve janë në pamundësi fizike për të votuar pasi jetojnë e punojnë prej shumë vitesh jashtë vendit. Nuk është e mundur të dihet se sa realisht prej tyre jetojnë jashtë vendit dhe sa jetojnë në Shqipëri, por nuk paraqiten për të votuar.

Në zgjedhjet më të afërta, ato parlamentaret të vitit 2021, pjesëmarrja ishte 1.66 milionë, ose 273 mijë më shumë se sa të dielën. Ndërkohë, lista e zgjedhësve është shtuar me 102 mijë shtetas. Këto dy shifra, pra 273 mijë vota të hedhura më pak në kushtet e shtimit të numrit të votuesve me 102 mijë vetë, sugjerojnë se së paku 300 mijë shqiptarë me të drejtë vote nuk kanë votuar.

Në rang kombëtar, pjesëmarrja ra nga 47% më 2021, në 38% më 2023.

Rënia më dramatike e numri të votuesve duket se u shënua në bashkinë Vlorë. Të dielën, vetëm 25% e votuesve në listat e zgjedhësve u paraqitën. Vlora ka një shkallë shumë të lartë emigrimi dhe pjesëmarrja ka qenë historikisht e ulët. Në zgjedhjet e vitit 2021, pjesëmarrja aty ishte 37%. Të dielën në Vlorë u hodhën 41 mijë vota, ose 19 mijë më pak se sa dy vjet më parë. Pra, një në tre votues nuk u paraqit.

Kandidati i maxhorancës Ermal Dredha mori 7 mijë vota më pak se sa PS më 2021, ndërsa kandidati opozitës Hysni Sharra mori gati 9 mijë vota më pak.

Kandidatët e Partisë Socialiste në të gjithë vendin morën 765 mijë vota të dielën, gati 46 mijë vota më pak nga sa Partia Socialiste dhe aleatët e tyre joformalë, Partia Socialdemokrate, patën marrë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.

Përkundrejt kandidatëve socialistë, kandidatët e koalicionit Bashkë Fitojmë dhe kandidatët e Partisë Demokratike zyrtare morën sëbashku të dielën 522 mijë vota.

Në vitin 2021, dy partitë opozitare, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, patën marrë sëbashku 730 mijë vota. Në total, opozita ka humbur 207 mijë vota në të gjithë territorin e vendit në krahasim me votat që pati marrë në zgjedhjet e kaluara.

Të dielën, rreth 7% e votuesve hodhën vota të pavlefshme apo votuan kandidatë të tjerë të pavarur. Kandidati Arlind Qori nga Lëvizja Bashkë garoi në Tiranë dhe mori gati 14 mijë vota. Ai u rendit i treti pas Veliajt dhe Këlliçit.

Kryebashkiaku aktual Erion Veliaj fitoi 159 mijë vota. Dy kandidatët e Bashkë Fitojmë dhe Partisë Demokratike, Belind Këlliçi dhe Roland Bejko, morën sëbashku 113 mijë vota. Votat e tyre ishin 46 mijë më pak nga sa kishin marrë Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.

Në thelb, nëse nuk marrin parasysh që lista e zgjedhësve në Tiranë është shtuar me 20 mijë vetë gjatë kësaj periudhe, një në çdo tre votues të opozitës nuk vajti në zgjedhje. Nga mbështetësit e maxhorancës, një në pesë vetë nuk doli.

Suksesi më i madh elektoral i Partisë Socialiste në këto zgjedhje është thyerja e bastionit historik të së djathtës në Shkodër, ku kryebashkiaku i ardhshëm, Benet Beci fitoi rreth 34500 vota ose mbi 60%.

Në Lezhë, kryebashkiaku i PS-së Pjerin Ndreu përmbysi rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2021. Ai fitoi me 3 mijë vota më shumë se sa kishte marrë PS në vitin 2021 ndërsa opozita humbi me 2,500 vota më pak…

Postimet e fundit !