Politikë

Alibeaj: Vendimi i Gjykatës së Apelit, ogur i mirë për demokratët

TIRANË, 3 mars/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj reagoi pas vendimit të Gjykatës së Apelit për logon dhe vulën e PD-së.

“Vendimi i sotëm i Gjykatës së Apelit vjen si një ogur i mirë për demokratët, që prej më shumë se 1 viti po kalojnë një periudhë të vështirë. Kjo është dita kur të gjithë ne, demokratët duhet të jemi më të bashkuar se kurrë për t’u përballur me regjimin e Edi Ramës dhe të lëmë mënjanë grindjet dhe mosmarrëveshjet mes nesh të shkaktuara nga mentaliteti i vjetëruar i politikës shqiptare”, deklaroi ai në rrjetet sociale.

Alibeaj ftoi demokratët që të lenë mënjanë pakënaqësitë dhe të jenë bashkë në përballjen e 14 majit.

“Me kandidatët më të mirë që nuk vendosin interesin personal të askujt mbi interesin e demokratëve. Nuk është ditë triumfi për askënd. Është ditë reflektimi i thellë, për ato që kemi kaluar dhe për të përballuar të ardhmen, që nuk është e thjeshtë, por as e pamundur”, përfundoi Alibeaj.

/r.e/