PRISHTINË, 18 mars/ATSH/- Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell ka dalë në një konferencë për mediat në Ohër, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Gjatë fjalës së tij, Borrell u shpreh se Kosova dhe Serbia u dakordësuan që të implementojnë aneksin e zbatimit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.
“Për zbatimin e nenit 7, Kosova është pajtuar të nisë menjëherë negociatat në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të krijuar rregullime specifike dhe garanci në mënyrë që të sigurojë një nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë”, tha ai.
Zyrtari i lartë evropian po ashtu tha se në takim, Kurti dhe Vuçiç kanë mbështetur “deklaratën për personat e zhdukur, ashtu siç është negociuar në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, si çështje urgjente”./REL/