Vështrim/Analizë

Xh. Bislimi: Natyra dhe njeriu – përmbytjet

NATYRA DHE NJERIU

(Dy fjalë edhe për përmbytjet)

Njeriu po armiqësohet gjithnjë e më shumë me Nënën e tij, Natyrën. Veprimtaria e njeriut, etja e tij për eksploatim e pasuri, është bërë kërcënim serioz për jetën në tokë! Kapitalizmi me gjithë brutalitetin e tij po i shkakton plagë të pashërueshme Natyrës. Ndotja e ajrit, ujit dhe tokës është në kuota të patolerueshme! Shkatërrimi i pyjeve, ndryshimet klimatike dhe shfrytëzimi i pa fre i pasurive natyrore po rrezikojnë seriozisht sistemin tonë ekologjik…

Kurse në Atdheun tonë (gjeografinë shqiptare) problem i madh është bërë ndërtimi dhe zhvillimi kaotik, mungesa e planifikimit hapësinor dhe sjellja harbute e njeriut tonë ndaj tokës, ujit dhe ajrit (natyrës)! Natyrisht që shkaku i këtij zhvillimi dhe ndërtimi kaotik duhet kërkuar edhe te mungesa e një qeverisjeje të strukturuar mirë dhe efikase… Njeriu ynë, në mungesë të qeverisjes efikase, ka ndërtuar këto dy dekada ku ka dasht, kur ka dasht dhe si ka dasht!! Kjo ka bërë që numri i shtëpive dhe pallateve të shtohet shpejt. Ndërtimi në vende të rrafshta, në vende të ulëta, përgjatë lumenjve dhe në vende potencialisht të rrezikuara nga përmbytjet ka bërë që edhe sivjet (këto ditë) të shohim shtëpi,  lokale, pallate e toka të përmbytura… Përmbytjet janë favorizuar edhe nga zënia e kanaleve dhe prrenjve, mungesa e një sistemi për ujërat… Jo pak ka ndikuar dhe po ndikon edhe hedhja e mbeturinave në prroska dhe lumenj!! Ka të tillë që edhe thasët e mbushur me mbeturina i hedhin në prrenj e lumenj! Ka të tjerë që edhe kanapen ose dyshekun e shtratit e hedhin në kanal, prroskë a lum!! Kanalet e rrugëve përgjithësisht janë të mbyllura!! Nuk shkon kush (inspekcioni, etj.) me u thënë se kanali është i rrugës dhe nuk ka askush të drejtë ta mbyllë sipas dëshirës dhe nevojës së tij. Nuk ka organe (formalisht janë) që i vënë gjobën ose e dënojnë edhe me burg cilindo që dhunon ligjet, rregulloret dhe normat në fuqi për ndërtimin, për mbeturinat, për ujërat , etj.. Veç kësaj, në vendin tonë edhe përmbytja dhe fatkeqësia e të përmbyturve përdoret nga militantët primitivë të partive për fushatê e propagandë partiake!! Një grusht vend e një grusht popull jemi dhe s’bëhemi rehat pa u ndarë edhe në komuna, rajone e lagje brenda katundit!! Të krijohet përshtypja që akoma nuk jemi formuar si njësi kombëtare… Solidariteti dhe mbështetja te njëri-tjetri për të mirë e për të keq akoma nuk janë vlera të sjelljes dhe kulturës sonë. Institucionet shtetërore dhe vendore kanë dobësi të shumēta dhe janë stërmbushur me zyrtarë mediokër e të papërgjegjshëm…