Arkiv / Ripublikim

Bislim Elshani – Zëri i Popullit: Pse u përdor dhuna policore dhe tanket kundër shqiptarëve në Kosovë

Dyezet vjet më parë gazeta “Zëri i popullit” organi i PPSH, botoi një artikull të gjatë mbi ngjarjet e mars-prillit në Prishtinë. Vite më vonë, disa kritizerë kosovarë nisën ta quanin këtë reagim nga shteti shqiptar si të vonuar. Mirëpo në botë kjo u perceptua ndryshe, si një gjest i matur i shtetit shqiptar, të cilit iu desh të shqyrtonte situatën me gjakftohtësi, dhe sidomos, të mos u jepte shkas të tjerëve se vetë Shqipëria qëndronte pas këtyre ngjarjeve. Sidoqoftë, populli në Kosovë, i fyer rëndë nga dhuna policore e ushtarake mbi studentët e mbi punëtorët në Prishtinë, e përjetoi, si këtë, ashtu edhe 10 artikujt tjerë të “Zërit të Popullit” të transmetuar disa herë radhazi në valët e Radio Tiranës gjatë vitit 1981, si një balsam mbi varrën e shkaktuar nga sllavët. Nga perspektiva e tanishme natyrisht që këta artikuj mund t’i nënshtrohen ndonjë analize shkencore mbi përmbajtjen e tyre politike, ideologjike, mitike, nacionaliste, etj. etj. Sigurisht që mbi lexuesin e sotëm këta artikuj s’mund ta kenë magjinë e 40 viteve më parë kur i detyronin gjithë shqiptarët në Kosovë të mbylleshin nëpër shtëpi, për të dëgjuar nga fillimi e deri në fund këta artikuj në valët e Radio Kukësit e Radio Tiranës. Ajo që më ra në sy pas rileximit të fundit që i bëra artikullit të parë të ZP-së, është përjashtimi i ideologjisë marksiste dhe ballafaqimi me nomenklaturën titiste të Jugosllavisë pikërisht me argumentet e tyre mbi demokracinë e mbi vetadministrimin. Për të qenë korrekt, ideologjia në të është e përfaqësuar gjithsej me më pak se dy rreshta. Gjithçka tjetër është argumentim me baza politike, historike, juridike e nacionaliste. Sot, 40 vite më pas, vendosa t’ua ofroj miqve të mi të rinj e të vjetër, jo thjesht në shenjë përkujtimi e falënderimi për atë gjest kuptimplotë të shtetit shqiptar në favor të Kosovës, por edhe si një shkas për një reflektim mbi një dimension të harruar e të keqintepretuar të historisë së nacionalkomunizmit shqiptar.

PSE U PËRDOR DHUNA POLICORE DHE TANKET KUNDËR SHQIPTARËVE NË KOSOVË?

Shtypi e radiotelevizioni jugosllav kanë ngritur një fushatë të jashtëzakonshme dezinformimi rreth shkaqeve që shtynë studentët e punonjësit kosovarë të dalin në demonstratë. Ajo që bie ne sy menjëherë në fjalimet e udhëheqësve e në artikujt e pafund që mbushin faqet e gazetave jugosllave, sidomos të atyre te Beogradit, është toni i ngritur shovinist dhe mungesa e plotë e çdo analize realiste e qëndrimi objektiv ndaj ngjarjeve tragjike të Kosovës. Jo vetëm hijet rankoviçiane, por edhe shpirtrat e vjetër të karagjorgjeviçëve janë ngjallur. Ato veprojnë tashti me kërbaç e me tanke që popullsisë shqiptare në Jugosllavi t’i mbytet zëri, që ajo të goditet fort, të shtypet e të nënshtrohet.Por, pavarësisht nga ç’thuhet e ç’shkruhet në Jugosllavi, shkaqet e vërteta të demonstratave të Kosovës, përmbajtja e tyre, kërkesat që u paraqitën në to, nuk mund të mbulohen me frazeologjira të rreme dhe të zhurmshme, siç veprojnë shtabet e Beogradit. Çdo njeri objektiv, çdo vëzhgues i paanshëm, e shikon dhe e kupton menjëherë se në bazë të ngjarjeve të fundit në Kosovë qëndrojnë prapambetja e madhe e kësaj krahine, varfëria e mjerimi i njerëzve të saj, mungesa e lirive demokratike dhe e të drejtave politike. Demonstratat janë shpërthimi i një gjendjeje të padurueshme që vazhdon prej dhjetëra vjetësh, është errësimi i mëtejshëm i perspektivës për të dalë nga kjo gjendje.Sipas të dhënave që jep shtypi jugosllav, të ardhurat kombëtare për frymë në Kosovë janë 6 herë më të ulëta se në Slloveni, rreth 5 herë më të ulëta se në Kroaci dhe 3,5 herë më të ulëta se në Serbi. Vitet e fundit ritmi i rritjes së prodhimit industrial në Kosovë ka qenë 4-5 herë më i vogël se ai i Serbisë. Shkalla e papunësisë është 20 herë më e madhe se në Slloveni dhe 2,5 herë se në Serbi. Numri i punëtorëve që kanë emigruar për punë jashtë Kosovës e Jugosllavisë i kalon të 110 000 vetat përveç 70 000 vetave, shumica punëtorë të kualifikuar, që janë të papunë në Kosovë.Këto fakte i njohin e i pranojnë edhe udhëheqësit jugosllavë e të Kosovës. Në një fjalim të mbajtur në Prishtinë, V. Gjuranoviç, Kryetar i Këshillit Ekzekutiv të Jugosllavisë, ka thënë: «Zhvillimi i Kosovës po ngec… Shihet qartë se politika e zhvillimit të shpejtuar të krahinës nuk po realizohet sipas përpjesëtimeve të parapara me plan. Përkundrazi, diferenca ndërmjet Kosovës dhe pjesëve të tjera të vendit po ashpërsohet… Investimet ekonomike në Kosovë janë 43 për qind më të vogla se mesatarja e Jugosllavisë».M. Bakalli, Kryetar i Kryesisë së LKK të Kosovës, në fjalën e mbajtur në mbledhjen e 15-të të KQ të LKJ (dhjetor 1980) ka thënë se «nuk u arritën synimet për zvogëlimin e diferencave në shkallën e zhvillimit të Kosovës në krahasim me mesataren e vendit. Përkundrazi, u bë një thellim i mëtejshëm i diferencave… Kësisoj, në vend që dinamika e zhvillimit të krahinës të jetë 60 për qind mbi dinamikën e zhvillimit të vendit, siç ka qenë planifikuar, dinamika e zhvillimit të Kosovës ishte 46,9 për qind nën mesataren e vendit. Kjo tendencë e rritjes së këtyre diferencave, tha ai, vazhdon që nga viti 1947 e deri tani. Ky proces i thellimit të diferencave, thotë M. Bakalli, ka arritur kufijtë kritikë».Nga kjo situatë bëhet e qartë pse populli i Kosovës është i pakënaqur dhe pse doli në demonstratë për ta shprehur këtë pakënaqësi në mënyrën që ai e quajti më të mirë dhe në formën që e gjeti më të përshtatshme.Çfarë bënë dhe çfarë kërkuan studentët kosovarë ndaj të cilëve Beogradi po lëshon tani breshër e rrufe? Vetë udhëheqësit jugosllavë dhe komunikatat e shtypit kanë pranuar botërisht e zyrtarisht se në demonstratat e 11 marsit në Prishtinë studentët kanë shprehur pakënaqësinë e tyre për gjendjen ekonomike, për kushtet e këqija të jetesës, për diskriminimin që u bëhej atyre në krahasim me studentët e tjerë të universiteteve jugosllave. Këtë pakënaqësi, siç është pasqyruar shpesh në vetë shtypin jugosllav, ata e kanë shprehur disa herë si përpara autoriteteve lokale, ashtu edhe atyre qendrore. Po kështu punonjësit e Kosovës kanë folur shpeshherë edhe për prapambetjen e Kosovës dhe kanë vënë në dukje nevojën e marrjes së masave urgjente për zhvillimin e vendit. Por këtyre kërkesave të drejta e esenciale asnjeri nuk ua ka vënë veshin. Çdo gjë e ka mbuluar indiferentizmi dhe populli është lënë në mëshirën e fatit. Në qoftë se do të kishte pasur ndonjë interesim, Kosova me burimet e pafundme minerare, me fushat pjellore, me njerëzit e saj trima e punëdashës, nuk do të ishte këtu ku është. Sigurisht, këto pasuri shfrytëzohen. Qymyri nxirret me miliona tonelatë, termocentralet prodhojnë me miliarda kilovatë, plumbi shkrihet si lumë në Trepçë, kromi, nikeli, magneziti formojnë male të lartë, gruri i Kosovës mbush eshalona të tëra vagonash dhe bagëtia e shijshme e Kosovës shkon në tërë pazaret evropiane. Po Kosova, pse ngec në vend? Këto janë pyetjet që studentët dhe populli i Kosovës i bëri udhëheqjes jugosllave dhe që përgjigjen e morën me plumba.Udhëheqësit jugosllavë thonë se në Jugosllavi kombet e kombësitë, punonjësit e kolektivat e ndryshme vetadministrohen, se ato vetëvendosin për zhvillimin ekonomik të ndërmarrjeve, fshatrave, qyteteve, republikave etj. Nuk duam të hyjmë këtu në polemikë ideologjike me teoritë e praktikat e tyre, por do të deshëm të bënim një pyetje të thjeshtë: Në këtë të ashtuquajtur vend socialist e të vetadministruar, në RSFJ, në bazë të atyre të drejtave që jep Kushtetuta Jugosllave, a ka të drejtë populli dhe rinia e Kosovës, a kanë lirinë të shtrojnë pyetjen pse krahinat e tjera të Jugosllavisë zhvillohen, ndërsa në Kosovë nuk ndodh një gjë e tillë? Duket se dikush e pengon zhvillimin e Kosovës, dhe se kush është ai këtë duhet ta dijë udhëheqja e federatës, përderisa ajo ka pohuar se Kosova është, në të njëjtën kohë, e pasur në mundësira dhe e varfër në fakt.Në fjalimet e disa udhëheqësve kosovarë, si dhe në mjaft organe të shtypit është deklaruar se demonstratat e studentëve në Prishtinë, përveç protestës për gjendjen e vështirë ekonomike të tyre, kërkuan edhe më shumë liri e të drejta demokratike, vendosjen e statusit të Republikës së Federuar për Kosovën. Edhe për këtë çështje lind një pyetje: Në bazë të së ashtuquajturës demokraci vetadministruese, a kanë të drejtë popujt e Jugosllavisë t’i kërkojnë këto gjëra?Dushan Dragosavaci, Sekretar i Kryesisë së KQ të LKJ, në një fjalim që mbajti më datën 3 prill, kushtuar ngjarjeve në Kosovë, tha: «Përvoja ka treguar se vazhdimisht kemi pasur dëme, kur i kemi lënë pas dore momentet që paraqiteshin për ne si historike». Kjo këshillë «e vlefshme», që jep ai, është me vend jo vetëm për udhëheqjen e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, por është një kujtesë edhe për Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë. Ajo nuk është një rekomandim vetëm për popullin serb, por edhe për popullin shqiptar që jeton në trojet e veta në Jugosllavi.Por ne dëshirojmë të theksojmë, me këtë rast, se udhëheqja jugosllave asgjë nuk ka lënë në harresë, dhe historinë nuk ka dashur ta shikojë ashtu si duhej shikuar, me qëllim që të mos përsëritej e kaluara e hidhur.Dushan Dragosavaci, po në këtë fjalim, thotë se ne kemi zgjidhur në mënyrën më të mirë të mundshme çështjen e kombësive, të republikave kombëtare dhe, në kuadrin e Republikës Socialiste të Serbisë, çështjen e krahinave autonome». Po këtë gjë thekson edhe Dobrivoje Vidiçi, Kryetar i Republikës Socialiste të Serbisë, i cili, pasi hodhi vrerin dhe mërinë më të madhe mbi Kosovën, tha se «Krahinat autonome, socialiste kanë pavarësi e barazi të plotë në kuadrin e Republikës Socialiste të Serbisë». Shkurt «pavarësi e barazi e plotë», por nën sqetullën e Serbisë!Këto pohime të udhëheqësve jugosllavë tregojnë se, edhe pas Luftës Nacionalçlirimtare të popujve të Jugosllavisë, historia e vjetër nuk u harrua: Kosova mbeti «një krahinë autonome» e Republikës së Serbisë dhe popullsia shqiptare, kompakte, si nga kombësia ashtu edhe nga territori, u nda në mes tri republikave të Federatës Jugosllave. Pse ndodhi kështu? Këtë u bie ta shpjegojnë ideologjikisht, politikisht, gjeografikisht dhe ekonomikisht Dragosavacit, Vidiçit e shokëve të tyre. Po të bëhet një analizë e tillë, atëherë do të dalë se sa pa vlerë janë afirmimet si ato të Dragosavacit, kur thotë: «Ne kemi zgjidhur në mënyrën më të mirë të mundshme çështjen e kombësive dhe të republikave kombëtare».Në një vend të fjalimit të tij Sekretari i Kryesisë të KQ të LKJ, pasi pretendon se në Jugosllavi janë zgjidhur drejt çështjet e kombësive, thotë: «Megjithatë, do të ishte iluzion të mendohej se këtë e kemi zgjidhur në mënyrë të qëndrueshme dhe të përsosur dhe se nuk do të ketë probleme ndërnacionale». Qartë, ai pohon se «nuk e kanë zgjidhur në mënyrë të qëndrueshme dhe të përsosur» këtë problem kaq të koklavitur të kombësive. Atëherë duhet të dilet me konkluzionin se nga popujt që përbëjnë Jugosllavinë duhet të bëhen përpjekje që këto probleme të përsosen. Pra, u përket popujve të Jugosllavisë që t’i zgjidhin e t’i përsosin këto demokratikisht, brenda kuadrit të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë.Tani, popullsia shqiptare që jeton në Kosovë dhe që përbën pjesën dërrmuese të saj, kërkon, brenda normave kushtetuese, por edhe në rrugë, që Krahina e Kosovës të çlirohet nga tutela e Serbisë, ajo kërkon t’i njihet statusi i një republike brenda Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë.Ç’krim bëri populli i Kosovës me këtë kërkesë, që u cilësua si i tillë nga udhëheqja e Federatës së Jugosllavisë dhe nga disa udhëheqës kryesorë të Krahinës së Kosovës? Ai s’bëri asnjë krim. Përkundrazi, këto kërkesa të ligjshme janë nënvlerësuar, janë quajtur armiqësore, prandaj dhe u arrit në demonstratat që u zhvilluan.Asnjëherë populli shqiptar i Kosovës dhe i viseve të tjera të Jugosllavisë nuk është lejuar të shprehet lirisht dhe në mënyrë demokratike mbi statusin që duhej të kishin krahinat ku ata banonin. Persona të tjerë kanë vendosur për ta. Dhe, kur, pas shumë kërkesave paqësore, ata kërkuan me zë të lartë, që të dëgjonin popujt vëllezër të Jugosllavisë, se Kosova kërkonte statusin e një republike brenda kuadrit të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, ata që bënin veshin e shurdhër, s’ngurruan të sulmojnë me tanke dhe të qëllonin mbi shqiptarët. Jo vetëm kaq, por studentët trima kosovarë i akuzuan se gjoja vepruan si gangsterët e Çikagos dhe vunë përpara kalamanët e vegjël. Këto zakone të ndyra mund të jenë cilësi të të tjerëve, por kurrë të shqiptarëve që kanë luftuar dhe luftojnë me pallën sheshit. Pretendimi i shtypit jugosllav vërteton të kundërtën, se demonstratat ishin popullore dhe paqësore. Ky pretendim, gjithashtu, të lë të kuptosh, se, po të mos ishin turma nxënësish, policia serbe do t’i kish grirë njerëzit me mitraloza. Këto gjëra nuk harrohen kollaj. Ato nuk tregojnë forcën, por dobësinë, nuk tregojnë pjekurinë, por hutimin.Pse udhëheqja e Federatës nuk i studion në rrugë të drejtë kërkesat për republikë brenda kuadrit të federatës, pse ajo nuk i interpreton ato si kërkesa që rrjedhin nga vetë Kushtetuta e RFSJ, por nxitohet t’i quajë «armiqësore, kundërrevolucionare, që prishin stabilitetin, që shkatërrojnë Jugosllavinë»? A nuk i kanë shqiptarët e Kosovës të gjitha tiparet e karakteristikat që përbëjnë një komb, a nuk rrojnë ata në një territor kompakt, a u mungojnë atyre gjuha, kultura dhe konstitucioni shpirtëror i përbashkët, a nuk janë ata të aftë për t’u vetëqeverisur, por u nevojitet tutela e dikujt, a janë të paktë në numër sa nuk do t’ia vlente të ngriheshin në rangun e një republike, a s’ka republika të tjera të federuara në Jugosllavi dhe republika që kërkojnë shqiptarët e Kosovës do të bënte një përjashtim?Çështjet duhen gjykuar me objektivitet dhe me drejtësi dhe jo të arrihet deri atje sa te gjitha udhëheqjet e çdo rangu të vihen në lëvizje për të ngjallur në popujt e Jugosllavisë ndjenjat e mërisë e të armiqësisë ndaj shqiptarëve, sa të mobilizohen gjithë forcat që të sulmojnë, të shajnë, të rrahin, të vrasin, të gjymtojnë dhe të burgosin lulen më të bukur, rininë trime shqiptare të Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare.Nuk është as në nderin dhe as në interesin e Jugosllavisë që të derdhen mbi Kosovë gjysma e policisë serbe dhe e milicisë së Beogradit të armatosura deri në dhëmbë, të rrethojnë qytetet e Kosovës me tanke, të mbulojnë qiejt me avionë dhe të mbushin aerodromet me parashutistë.Jo, kjo s’duhet të ngjiste. Ne e dënojmë rëndë këtë dhunë të pashembullt në Kosovë. Shkaktarët e vërtetë të situatave duhet të gjenden, po këta nuk janë në Kosovë, as në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë, siç bëhen aluzione dhe siç flitet me nënkuptime. Ata duhet të kërkohen e të gjenden më thellë, në arsyet subjektive dhe objektive, në politikën e ndjekur nga udhëheqja jugosllave.Demonstratat dhe kërkesat e drejta të studentëve e të popullit shqiptar të Kosovës, janë parë e interpretuar nga një kënd i gabuar, ato janë trajtuar në mënyrë armiqësore dhe me një brutalitet të jashtëzakonshëm. Ne mendojmë se këto çështje duheshin trajtuar me gjakftohtësi e urtësi, sidomos duke pasur parasysh se popullsisë shqiptare në Jugosllavi kurdoherë i janë bërë padrejtësi dhe forca shoviniste janë përpjekur të hakmerren në mënyrë të egër, qoftë në historinë e largët, qoftë edhe në atë më të afërmen.Të kërkosh të frikësosh një popull me epitete monstruoze dhe me tanke, siç po veprohet me shqiptarët në Jugosllavi, nuk i arrihet asnjë qëllimi. Me shqiptarët e Kosovës, të Maqedonisë, të Malit të Zi dhe me ata që kanë shkuar në emigracion nga mjerimi dhe papunësia, duhet biseduar shtruar, me qetësi, me arsye e jo me paragjykime të këqija. Ata duhet të gëzojnë të gjitha te drejtat dhe të kenë barazi të plotë me popujt e tjerë brenda Federatës së Jugosllavisë.Çdo propozim e çdo kërkesë e drejtë e shqiptarëve që jetojnë në Jugosllavi, por që nuk i pëlqen dhe i prish rehatinë udhëheqjes federale dhe asaj krahinore, kualifikohet pa ngurrim «armiqësore, shoviniste shqiptare, irredentiste etj.». Po kështu edhe çdo protestë kundër padrejtësive që u janë bërë dhe po u bëhen atyre, dhe ato s’janë as të pakta dhe as të vogla, futen në këto kallëpe ofenduese.Ç’do të thotë në gojën e jugosllavëve epiteti «nacionalist» që u vihet shqiptarëve? Fjala nacionalist, vjen nga fjala “nacion”, që do të thotë komb, kombësi. Çdo fjalor, i vogël ose i madh, e shpjegon qartë këtë. Por në gojën e jugosllavëve epiteti «nacionalist» është kërkesë për nënshtrim ndaj kombit të madh, është kërkesë që njerëzit të heqin dorë nga dashuria për vendin, atdheun dhe kombin e tyre.Kur një kombi përpiqesh t’ia mohosh kombësinë, sovranitetin dhe të gjitha atributet që rrjedhin prej tij, atëherë fjalët “nacion”, “nacionalitet” që jugosllavët i mbajnë përditë në gojë dhe i shkruajnë në letër, janë vetëm demagogji. Këto përpjekje shkaktojnë fërkime që çojnë edhe në konfrontime të padëshirueshme e të rrezikshme. Në qoftë se një populli përpiqesh t’ia shtypësh dhe t’ia zhdukësh traditat dhe aspiratat nacionale, atëherë do të hasësh patjetër në një reaksion vetëmbrojtës.Vetëm marksizëm-leninizmi dhe socializmi shkencor, teoria e Marksit, Engelsit, Leninit dhe Stalinit, i zgjidh drejt problemet nacionale.Në Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë është shkuar deri atje sa në Republikën e Bosnjë-Hercegovinës, në Kosovë dhe kudo ku jetojnë shqiptarë të krijohet një «kombësi myslimane». Thuhet se «kombësia myslimane» na qenka një specifikë e Jugosllavisë. Por, për çudi, në Jugosllavi nuk ka ««kombësi kristiane ortodokse» dhe as ««kombësi katolike romane». Ai që do shpjegime për këtë le të lexojë promemorien e V. Çubriloviçit, ish-konsulent politik në regjimin monarkist, ish-ministër i RSFJ dhe tani akademik i Jugosllavisë, drejtuar në vitin 1937 qeverisë mbretërore të Stojadinoviçit. Po të lexohet kjo promemorie kuptohet edhe më mirë pse çdo veprim i shqiptarëve të Kosovës, brenda kushtetutës dhe ligjeve të federatës, cilësohet menjëherë «shovinizëm shqiptar», pse për t’i futur njerëzit në burgje e në kampe përqendrimi, cilësohen fare lehtë «si irredentistë». Të akuzosh si irredentist një popull dhe një komb të tërë, prej më shumë se 2 milionë banorësh, siç është pjesa e kombit shqiptar që jeton në trojet e veta në Jugosllavi, duhet vetë të mos jesh shovinist dhe të kesh zhdukur të gjitha shkaqet dhe burimet e padrejtësive nacionale, që janë pjellë e imperialistëve dhe e feudoborgjezisë së vjetër ballkanike. Në qoftë se pas Luftës Nacionalçlirimtare është zbatuar, siç pretendohet, parimi i vetëvendosjes së popujve, atëherë pse duhet të ketë irredentizëm?Më parë se të flitet për të ashtuquajturin irredentizëm, duhet të shpjegohet historia e kaluar, prapambetja ekonomiko-kulturore, papunësia në masë dhe emigracioni i detyruar i shqiptarëve, që përbën një nga emigracionet më të mëdha të Jugosllavisë, në vendet e huaja. Gjendja e Kosovës nuk shpjegohet me «krizën botërore» siç duan ta shpjegojnë disa udhëheqës jugosllavë, gjoja teoricienë, të Federatës dhe të Kosovës.Për sa i përket shovinizmit të ashtuquajtur shqiptar, duhet thënë se karakteri i shqiptarit dhe historia e tij në shekuj tregojnë të kundërtën e asaj për të cilin akuzohen shqiptarët e Jugosllavisë. Shqiptari asnjëherë s’ka shtypur dhe s’ka shfrytëzuar ndonjë popull. Kurrë ai nuk ka sulmuar dhe copëtuar tokat e popujve të tjerë. E kundërta ka ngjarë ndaj shqiptarëve. Prandaj shovinizmi duhet kërkuar e duhet gjetur gjetiu dhe jo te shqiptarët e Kosovës dhe as te ata të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, që përbëjnë një popull e një komb. Shovinizmi duhet kërkuar pikërisht te ata udhëheqës jugosllavë që urdhëruan sulmin me tanke dhe me policë serbë, që vranë, gjakosën, torturuan dhe burgosën studentët, punëtorët dhe fshatarët shqiptarë, nipërit dhe mbesat e heronjve të popullit tonë Isa Boletinit, Bajram Currit, Abdyl dhe Naim Frashërit, Sulejman Vokshit, Ymer Prizrenit, Azem e Shote Galicës, Çerçiz Topullit e Selam Salarisë, vëllezërit dhe bashkëluftëtarët e Hajdar Dushit, Hysni Kapos, Miladin Popoviçit, Emin Durakut dhe të mijëra partizanëve heroikë shqiptarë, malazezë dhe maqedonas që luftuan së toku si vëllezër dhe derdhën gjakun e tyre në Jugosllavi për lirinë, pavarësinë dhe vetëvendosjen e popujve të Jugosllavinë.Mos vallë në Beograd kërkojnë që shqiptari të mos jetë patriot? Jo, kjo s’do të ngjasë kurrë! Shqiptari kurdoherë është mbrojtur me heroizëm dhe ka fituar mbi armiqtë, pse gjithnjë ka qenë në të drejtën e vet. Kudo që jeton, punon dhe lufton, ai tregon kurdoherë pjekuri dhe durim. Por, siç ka thënë shoku Enver Hoxha: «Popullin shqiptar mos e zemëroni, ai është i durueshëm, por, kur zemërohet shqiptari, merr zjarr e flakë edhe stralli».Historia shekullore e shqiptarëve dhe ajo e kohës së Luftës Nacionalçlirimtare kanë vërtetuar se populli ynë ka derdhur gjakun e bijve dhe bijave të tij për t’u ardhur në ndihmë edhe popujve vëllezër fqinjë. Atë e karakterizon shpirti i lartë i sakrificës dhe ndjenja e thellë internacionaliste. Me Jugosllavinë kemi dashur dhe duam fqinjësi të mirë. Qëndrimi ynë është i pandryshuar. Në qoftë se ndokush, imperializmi ose social-imperializmi, e sulmon Jugosllavinë, populli ynë, Shqipëria socialiste, do të luftojë përkrah popujve të Jugosllavisë. Këtë e kemi thënë dhe këtë do ta bëjmë.Opinioni ynë dhe opinioni ndërkombëtar nuk mund të pranojnë dhe të pajtohen me veprimet barbare që po bëhen kundër shqiptarëve të Jugosllavisë. Udhëheqja jugosllave duhet të jetë e matur dhe t’i studiojë e t’i zgjidhë drejt problemet e saj të brendshme dhe jo t’u japë mësime me bollëk të tjerëve, «për moderasion, për zgjidhje paqësore të konflikteve, për të drejtat e njeriut dhe të popujve e të tjera».Ne mendojmë se duhen ulur gjakrat, dhe, në radhë të parë, nga udhëheqësit jugosllavë. Çështjet e shqiptarëve që jetojnë në Jugosllavi të studiohen me gjakftohtësi, me urtësi e drejtësi. Po u veprua ndryshe, nuk shërohet plaga, përkundrazi, do të thellohet hendeku. Ne nuk duam të ngjasë kjo dhe jemi gati të ndihmojmë me të gjitha forcat tona të pastra e fisnike, të zemrës dhe të mendjes, për të ruajtur miqësinë me popujt vëllezër të Jugosllavisë, për të ruajtur marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë që janë vendosur, për të ndihmuar si edhe më parë vëllezërit tanë shqiptarë në çdo drejtim, për të zhvilluar me ta marrëdhëniet tregtare dhe shkëmbimet kulturore, siç bëjmë edhe me popujt e tjerë të Jugosllavisë, në bazë të marrëveshjeve të përfunduara bashkërisht në mes Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë.Këtë e do interesi i të dy shteteve tona, e do miqësia, fqinjësia e mirë, pa ndërhyrë në asnjë moment në punët e brendshme të njëri-tjetrit.Shqipëria as ka ndërhyrë, as ndërhyn në çështjet e brendshme të Jugosllavisë. Ky është një parim bazë i politikës sonë. Edhe duke shfaqur pikëpamjet tona për ngjarjet e fundit në Kosovë, ne nuk ndërhyjmë në punët e brendshme të Jugosllavisë. Po ne ngremë zërin dhe kemi të drejtë ta ngremë kur bëhen padrejtësi ndaj vëllezërve tanë, kur ndaj tyre përdoret dhuna e represioni, kur slogane të ndryshme si shovinizmi shqiptar, irredentizëm etj. përdoren për të diskredituar rininë e popullin shqiptar të Kosovës. Ashtu siç ka të drejtë Jugosllavia dhe çdo shtet tjetër të mbrojë dhe të kërkojë të drejtat për pakicat e veta nacionale, këtë të drejtë e kemi edhe ne. Traktati i Londrës, Traktati i Versajës dhe çdo traktat tjetër imperialist nuk kalon më mbi kurrizin e popullit shqiptar. Këtë ta kenë të qartë të gjithë, miq dhe armiq, shtete të vegjël e të mëdhenj, imperialistë dhe revizionistë, antikomunistë e pseudosocialistë, si dhe shokët e vëllezërit komunistë dhe njerëzit përparimtarë.«Zëri i popullit», 8 prill 1981