NË TEATRIN E PËRRALLAVE – Viktor Malaj: Lista e përralltarëve në katundin tonë që rivalizojnë me La Fontenin, Nastradin Hoxhën dhe Andersenin
Krijimi dhe tregimi i përrallave, zakonisht ka si objekt dhe mision fëmijët, për t’iu zhvilluar atyre imagjinatën dhe për t’i formuar me një moral të caktuar. Por, jo rrallë edhe për t’i vënë në gjumë me lehtësi dhe zgjuarsi.
Në përgjithësi, nënat dhe gjyshet janë ato që kujdesen më shumë dhe shpenzojnë kohën duke iu treguar përralla fëmijëve. Mirëpo, ashtu si edhe në vendet e tjera, ka marrë një zhvillim të madh Teatri i Përrallave, i cili, nën shembullin e Athinës së lashtë, është i lëvizshëm, e gjen kudo dhe shfaqjet jepen falas.
Problemi është se spektatorë të Teatrit të Përrallave janë vetëm të rriturit, ata që kanë mbushur moshën për të votuar, ndërsa përrallëtarët kryesorë janë politikanët “seriozë”, burra të veshur mirë, me makina dhe vila të shtrenjta, njerëz që kanë marrë përsipër apo po përpiqen të marrin përsipër drejtimin, sigurimin dhe mbarëvajtjen e jetëve tona si bashkësi shoqërore dhe politike.
Kur shikon seancat parlamentare, konferencat e shtypit apo paraqitjet në studiot televizive të shumicës së politikanëve fillon e bindesh se shumë prej tyre rivalizojnë edhe me La Fontenin, Nastradin Hoxhën apo Andersenin.
– Kryeministri ynë i nderuar, z. Rama është përrallëtar i mirë dhe i tregon bukur si përrallat e krijuara nga të tjerët ashtu edhe ato që mbajnë autorësinë e tij.
Kur u njoftua rritja e çmimeve të energjisë në botë, gjë që çon në rritjen edhe të shumicës së çmimeve të produkteve dhe shërbimeve të tjera, Kryeministri na e kumtoi këtë gjëmë të madhe, por edhe na qetësoi duke na shpjeguar se “ne vetë e kemi pranuar ekonominë e tregut dhe këtu çmimet nuk i përcakton shteti por vetë tregu”.
Njerëzit filluan të vrasin mendjen se ç’ishte ky tregu, kush e kishte krijuar, nga vinte dhe cilët ishin aktorët e tij. Dikush filloi të besonte se tregu duhet të jetë një meknizëm i mbinatyrshëm ku njerëzit nuk luajnë asnjë rol por, thjesht, i nënshtrohen atij duke iu lutur Perëndisë që të tregohet sa më e mëshirshme me ne gjatë vënies në punë të tregut.
Disa njerëz që nuk i zë gjumi lehtë nga tregimi i përrallave, filluan të shtrojnë pyetjet djallëzore: Pse në treg fitojnë gjithmonë të pasurit? Pse gjatë krizave ekonomike apo fatkeqësive të tilla si pandemia e kovid-19 miliarderët i shumëfishojnë pasuritë e tyre? A mos vallë ata janë qenie të ndryshme nga miliarda njerëz, mbi kurrizin e të cilëve bien papunësia, ulja e pagave, shtrenjtimi i jetesës, falimentimi, varfëria?
Si ka mundësi që shtetet lejojnë marrëveshjet e fshehta midis tregëtarëve për fiksimin e çmimeve të mallrave e shërbimeve, duke asfiksuar konkurencën dhe penguar uljen e çmimeve të shitjes? Pse s’ka ndodhur asnjëherë që këta të pasurit të bëhen të varfër dhe të pashpresë?
Si shpjegohet që kur milarderët ndihen në rrezik falimentimi (si në krizën e viteve 2006-2010) shteti merr miliarda dollarë nga xhepat tanë, pra nga buxheti shtetëror që mbushet me taksat tona, dhe ua jep atyre për t’i “shpëtuar” dhe nuk ndodh kurrë që t’ua marrë atyre paratë e fituara me bixhoz në bursa apo të fshehura nga mospagimi i taksave dhe të na i japë ne që të mos falimentojmë?
Kush i krijon krizat në marrëdhëniet e tregut, të pasurit apo punëtorët dhe pse shteti nuk ndodh kurrë të vendosë që një rritje e përkohshme e çmimeve t’i faturohet si humbje miliarderit dhe ne të tjerët të ruajmë nivelin, edhe ashtu të mjerë, të të ardhurave dhe shpenzimeve?
A e ka fajin tregu, për shembull, që qeveria kërkon të vendosë një taksë prej gjashtë lekë për çdo litër gaz që qytetari i thjeshtë do të përdorë për të gatuar ?!
Megjithëse Kryeministri e ka këshilluar disa herë opozitën të mos flasë keq për Shqipërinë në gjuhë të huaj, muajt e fundit nuk la gazetë as TV të Perëndimit pa iu pohuar se “Edhe ne kemi qenë afganët tridhjetë vjet më parë në përpjekje për të gjetur strehë në Itali dhe në Evropë, të dëshpëruar për t’iu ikur talebanëve të kuq të Tiranës…”.
Nga ana tjetër, INSTAT njoftoi se nga viti 2008 e deri tani e kanë lënë Shqipërinë 700 mijë shqiptarë, ose një e katërta e popullsisë, përkatësisht 60 mijë çdo vit. A thua vallë në Shqipëri kanë qenë në pushtet gjatë këtyre 12 viteve “talebanët e kuq të Tiranës”?! Edhe kjo përrallë, me talebanë dhe afganistanas të etnisë shqiptare duket se nuk i vuri lehtë në gjumë fëmijët shqiptarë të moshës 18-100 vjeç.
– Nën shembullin e Kryeministrit, edhe zëvendësi i tij, z. Ahmetaj, si ekonomist i madh që është, pasi ka studiuar për anglisht, filloi të na tregojë disa përralla interesante. Ai na tha se ekonomia shqiptare këto muajt e fundit u rrit me rreth 20 %, por nuk na shpjegoi se si është shpërndarë dhe ka ndikuar kjo rritje tek të gjithë qytetarët.
Sepse, ndonjë spektator i Teatrit të Përrallave mund të shtrojë pyetjen e pafajshme dhe “të pakuptimshme”: Nëse dhjetë vetëve iu shtohet pasuria me nga një milion dollarë ndërsa njëmijë të tjerë humbin vendet e punës, mundet që mesatarja e shtimit të pasurisë së 1010 personave të na dalë 20%, por a duhet të gëzohemi për këtë?!
Pastaj Ahmetaj na njoftoi se, megjithëse numri i lopëve dhe dhenve në vend ishte pakësuar, sasia e përgjithëshme e qumështit të prodhuar ishte shtuar ndjeshëm. Kjo na kujtoi këngën e vjetër përmetare “A kanë ujë ato burime?”, përtej kuptimit metaforik.
Përralla e tretë e zv. Kryeministrit ishte pohimi se në nëntor qeveria do iu jepte shtëpi falas, e përsëris falas, plot 1100 qytetarëve” gjë që s’ka ndodhur kurrë në histori, nga asnjë qeveri e mëparshme”. Njëri nga spektatorët më të vjetër të Teatrit të Përrallave luajti nga vendi dhe thirri: Ç’janë këto dokrra historike merjahu? Këtu ka rënë tërmeti para dy vjetëve, ndërsa shumë kohë më parë, në kohën e Qoftëlargut, në vitet 1967 dhe 1979 iu dhanë shtëpitë e reja 5-6 mijë qytetarëve brenda pak muajve.
– Në garën e përrallëtarëve ka kohë që është futur edhe njëfarë Lulzim Basha, i cili ka dalë me disa propozime për “vetingun e politikanëve”, dhe madje kërkon që atë ta bëjë SPAK. Mirëpo SPAK është institucion i hetimit penal dhe ai ka një zakon të keq që po të gjeti me “mospërputhje” të çon tek 313 ose në Reç dhe jo thjesht të të largojë nga Parlamenti.
Duke pasur parasysh që ligji i dekriminalizimit, i propozuar nga Basha me shokë iu çoi për lesh atin e tyre shpirtëror e politik, Sali Berishën, mendoj se z. Basha duhet ta rimendojë edhe një herë çështjen e vetingut të politikës nga SPAK, sepse mundet që në formularin që do t’i dërgohet Bashës për ta plotësuar mund të ketë edhe pyetje që lidhen me vrasjet e 21 janarit, fshirjen e videoregjistrimeve të ngjarjes, lirimin nga burgu të kriminelëve në prag të zgjedhjeve të vitit 2009 kur Basha ishte Ministër i Drejtësisë apo pyetje të tjera që lidhen me “zhdukjen” e 230 milion eurove në ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës etj.etj..
– Ezopi i politikës shqiptare, z. Berisha ka disa javë që ka nisur turneun e Falltores nëpër Shqipëri, një lloj teatri shetitës ku tregohen “përralla nga e kaluara”. Aty, ai shpjegon parimet demokratike, premton rivendosjen e vlerave demokratike dhe ringjalljen e atdhetarizmit, të shkelura nga Edi Rama dhe pengu i tij Basha.
Madje, ai njoftoi edhe vënien e kandidaturës së tij për kryetar të PD-së dhe premtoi se do të ketë një garë të lirë për drejtuesin e ardhshëm të PD-së. Të gjithë spektatorët e Teatrit të Përrallave u zgjuan nga gjumi dhe u mahnitën.
Duke psherëtirë, ata i thoshin njëri-tjetrit: Ah, sikur ta kishte pasur PD-ja në krye këtë demokrat të kulluar tash tridhjetë vjet, si do të ishte sot Shqipëria! Po të kishte qenë ky në krye të PD-së dhe shtetit nuk do të kishin ndodhur tragjeditë e firmave piramidale, ikjet masive të njerëzve nga Shqipëria, tollovia e kjoskave dhe ndërtimeve pa leje, kaosi i 1997 apo dhuna ndaj institucioneve në shtator 1998, Marrëveshja e Detit me Greqinë dhe as kontrabanda e naftës me ish – Jugosllavinë dhe as vrasjet e 21 janarit 2011.
Madje, pohoi njëri nga spektatorët, edhe në garën e dikurshme për kryetar të PD-së nuk do ia kishin ndaluar z. Pjetër Arbnori përfaqsuesit e vet në qendrat e votimit brendapartiake. Por, ç’t’i bësh. Më mirë vonë se kurrë. Tani e kemi gjetur shpëtimin tek… përrallat.
– Një politikan i vjetër, tirons i kulluet, i papërzim me… çeçenë, i cili e ka thithur rakinë me hundë tash 50 vjet për t’u qetësuar nga vuajtjet që i shkaktonte gjendja e Shqipërisë dhe e shqiptarëve, dora vetë Dash Shehi, i tha kundërshtarit të vet politik, z. Shalësi se “Jam 64 vjeç unë merjahu. Nuk më jep dot leksione edukate ti more… legen”.
Aty Shalësi e gjeti veten të gozhduar përballë kulturës dhe edukatës së deputetit dhe ish-zv. Kryeministrit dhe s’i mbetej tjetër veçse të heshtte. Ishte përrallë pikante që të gozhdon, kushdo qofsh.
– Teatri i Përrallave zhvendoset shpesh edhe në media. Kështu një kanal televiziv kishte ftuar para pak ditësh njëfarë Pëllumbi që kishte ardhur nga SHBA dhe premtonte se kishte si mision shpëtimin e Shqipërisë.
Megjithëse as pantallonat s’i rrinin pa rrip, ai angazhohej se do ta rrëzonte këtë qeveri dhe se kishte lidhje të ngushta me Sekretarin e Shtetit Amerikan, z. Blinken i cili, siç pohoi vetë Pëllumbi, e merrte në telefon çdo një orë. Kjo ishte nga përrallat më të goditura, të besueshme dhe zbavitëse.
Po i njëti TV kishte ftuar në studio një ditë tjetër 2-3 personalitete, njëri prej të cilëve pretendonte se ishte president i shtetit të Çamërisë dhe ishin në procesin e formimit të qeverisë. Madje, kolegu i tij, ish-ushtarak legjendar, i dorëzoi në studio gazetarit Çurri emërimin e tij si “Ministër i Informacionit dhe Lidhjeve me Parlamentin”.
Sigurisht që gazetari u gëzua dhe u gajas. Ashtu bëmë edhe ne spektatorët e tjerë të Teatrit.
– Në një të përditëshme, z. Butka, historian i kohëve të harruara, pasi përpiqej ta paraqiste Midhat Frashërin si një Don Zhuan të vërtetë, sigurisht si një vlerë e lartë morale, e justifikonte moskrijimin e familjes prej tij si më poshtë:
“Mithad Frashëri ishte një qytetar i lirë europian, ndaj përpiqej që pasioni dhe jeta familjare të mos ia pengonin dashurinë e madhe ndaj atdheut dhe detyrën ndaj çështjes kombëtare”.
Kur lexuan këtë përrallë serioze, burrat dhe gratë shqiptare filluan të vënë në dyshim dashurinë dhe përkushtimin ndaj atdheut të të gjithë patriotëve shqiptarë, qysh prej Skënderbeut e këtej, pasi thuajse të gjithë ata e kishin “sakrifikuar” atdheun duke u martuar dhe krijuar familje.
Përrallat ndihmojnë shumë, jo vetëm në zhvillimin e imagjinatës, por edhe në shpalosjen e personalitetit të rrëfimtarëve. (DITA)