Politikë

Blerim Muriqi: DIABOLIZËM ZGJEHDJESH APO HIR DIADEME MBI TO

Ka kohë që zhurma e militantëve të Vetëvendosjes nuk mbetet vetëm zhurmë grupimi, ajo ia ka dalë të bëhet qëllim mase. Tashmë, ajo është këtu, dhe me gjithë forcën e votës, sikur foli në zgjedhjet e kaluara, do të flas edhe më shumë kësaj radhe, në këtë realitetin tonë. Kujt tjetër do t’i flasë ky vërshim veçse kësaj brishtësisë sonë pritëse, të cilën e ka zënë për gryke dhe po e trandë nga gjumi i rëndë e turpërues. Fjala ndryshim ka zënë sytë e gojët e secilës mendje ndër ne. Krahas saj, sot, kumbon me forcë himni i një përballjeje nën thirrjen e secilës zemër: poshtë hajnat, poshtë zhvatësit, poshtë keqbërësit, pengmarrësit e të ardhmes sonë, vrasësit e të nesërmes me kapjen e të sotmes. Varfëria dhe pashpresa janë bërë kronike. Ato dhunohen çdo ditë e pandalur nga mundësitë jo të barabarta, të cilat janë kapur nga pushtetet edhe vrastare, mos kokëçarëse dhe kriminale. Këto pushtete me armatën brenda tyre të krimit, krahas krijimit të një pasurie të zhvatur në gurmbullin e të keqes, kanë fragmentarizuar shoqërinë tonë në klasën e tyre të mbyllur me ndjekësit përfitues dhe masës qytetare të lënë në fatin e mohimit. Kjo masë qytetare e mohuar dhe e grabitur në dy dekadat që lamë pas, përdhunoi durimin me ëndrrën se do bëhej mirë një ditë. Por sikur Danteja me rrathët e tij të ferrit, edhe këta u bënë përshkrimi real i të bëmave të zhvatësve të vendit tonë, dhe tani më kanë prekur secilin rreth të tij me lëkurën e vet. Këto masa, që mezi kapin ditët për bukën dhe kanë kapur ku sytë këmbët, pashmangshëm një ditë do zgjoheshin dhe helmin e mbledhur nëpër lëkurën e regjur vuajtjes pashpresë do ta zbraznin me forcën e mospranimit që të dhunoheshin më. Ky shkarkim po aq emocional sa edhe në krahë të shpresës nuk ka ku tjetër të zbrazet si fillim i një fundi veç se në kutitë e votimit, para se ai të vërshojë (në rast zhgënjimi edhe nga këta) me përmbysjen e të keqes. 

Shoqëria jonë tashmë është e gatshme për ndryshimin. Ajo e meriton ndryshimin edhe pse nuk do bënim faj po të thonim se e meritoi edhe poshtërimin kaq të gjatë nga këta drejtues zhvatës e fajtor për shumëçka që është vendosur në disfavor të vendit tonë, ku edhe shumë gurë janë vënë nën rrotat e rrugëtimit drejt bashkimit Shqipërisë sonë, sepse ajo nuk bëri syrin çel dhe e trashi lëkurën e durimit. Shoqëritë e përparuara nuk durojnë. Kanë lëkur të hollë edhe ndjesie edhe ndërgjegjeje dhe nuk lejojnë të dhunohen. Ato ngritën mbi pushtetet në secilën shfaqje të gabuar të tij. Mjafton të kujtojmë Parisin, atë barometrin e ndjeshmërisë qytetare, kudo Evropën deri në Bjellorusinë e mbërthyer nga tirani Lukashenko. Mos flasim për ato vende përtej oqeanit.   

Shoqëria jonë meriton ndryshimin, por ajo akoma rri në ndrojtje dhe me të drejtë është në dilemë për sa pamë në fillet e vitit që lamë, kur koalicioni i shpresës përfundoi me heqje të petës së lakrorit, e ku doli të kishin gatuar gjithçka keq LVV-LDK. E reja me të vjetrën e ka të vështirë ta prodhoj përmbysjen e të keqes. Këtë e kemi ditur që në paralajmërim të kohezionit të frymës zgjedhore LVV-LDK, gjë që nuk u desh kohë fare të kuptohej. Koalicioni i përafruar nëpër dy vitet e oponencë-bërjes parlamentare doli të kishte qenë një formalitet propagandistik dhe aureolë me vello prej bryme.  

Tendenca vazhdon edhe kësaj radhe, pra në këto zgjedhje. Sikur thuhet shpresa vdes e fundit dhe ne tashmë jemi në pozicionin: ku rafsha mos u vrafsha. E keqja ka prekur fundin dhe nuk ka ku të shkoj më poshtë, andaj askush nuk po brengoset se krejt kush po rreshtohet në këtë mundësinë e re. Por, përtej këtij vërshimi, na takon të shohim tej syzeve që na i ka kopsitur dëshira e përmbysjes së të keqes. Ç’drejtim po merr karvani? Kush krejt ka hipur në qerren e ndryshimit dhe kush për çfarë është këtu? Duart e shpresës kanë ditur jo pak herë të dalin duart e kapaciteteve të munguara apo ndonjëherë edhe të mashtrimit. Të dyja këto, njëjtë në të shkuarën e përvojës kanë ditur t’ua përmbysin shoqërive të ndryshme zhgënjimin me tepri. Bashkimi i të gjithëve me ëndrra ndryshe-ndryshe, përbëjnë kolorit të vrazhdë jo vetëm për syrin e shpresës, por edhe për duart e mundësive.  

Ku jemi sot na tregon edhe heshtja elektorale që po mbretëron. Asnjëherë nuk kemi pasur qartësi më të madhe për fituesin, të dytin e të tretin a të katërtin (sepse tjerë nuk ka), por edhe asnjëherë nuk kemi qenë në kaq mjegull e besim se këto zgjedhje mund e do të prodhojnë zgjedhje të reja të shpejta. Zgjedhja e kryetarit është traseja ku do të thyhen zgjedhjet e tashme. Posti i kryetarit nuk është mollë sherri në vetvete për cilësinë apo përkatësinë partiake që mund të ketë, sepse ka mjaftueshëm përzgjedhje, por atë ne mund ta vuajmë si zgjedhje të dyta të njëpasnjëshme për shkak të vështirësisë që do ketë ta ruaj qenësinë e të qenit e re e ndryshe ardhja në pushtet, meqë ajo për ta fituar paqen qeverisëse duhet patjetër të përafrohet me subjektet që dikur u pat vënë vija të kuqe.  

Heqja e vijave të kuqe do të thotë se disa thana mund të mos trajtohen të pshurrura për shkak kinse të pamundësisë për ta kapur mundësinë, se vetëm duke kapur mundësin mund të merren vendime për ndryshimin. Por, kjo mund ta dërgoj qeverinë në ardhje në grykësi sa t’i hajë të gjitha thanat e ndoshta edhe barin përfundi tyre. Aty ku shijojnë edhe thanat edhe shurra nuk shkruhet mirë. 

Por, ç’e do! Nuk operohet në pamundësi dhe kjo e shtynë secilin nga ne ta mirëkuptoj koalicionin e fitimtarit të kësaj radhe me cilindo të skenës, nëse përmbysja nuk është e plotë dhe pushteti i ri do varej nga matematikat. Edhe pse unë mendoj se duhet lënë vendi pa mundësi qeverisjeje deri sa nuk hapet shtegu i përmbysjes.  

Paszgjedhjet do na thërrasin me forcë të krijohet oponenca me mendësi të re ndaj pushtetit që po vihet tashmë edhe vetëm me frymën e votës paraelektorale. Kjo do jetë një sfidë e re, e cila do të thirrë për hapësira reformuese partitë e vjetra ose përlindjen e një të reje mbi rrënojat e tyre të përtej grushteve të ngurtësuara në kupolat e tyre. Po ndodhi braktisja e të vjetrave në mungesë të hapësirave reformuese, ajo do bëhet ngrehina reale e pushtetimit të ardhshëm në oponencë me të tashmen që po vërshon.  

Ose mund të biem atje ku ra Shqipëria e viteve të ‘30-ta, edhe pse kohët favorizojnë më mirë se aq. 

Nëse skena jonë politike ka mësuar nga e kaluara, ajo patjetër se ka shfletuar vitet e zhvillimeve të bujshme të para dhe pas 1924-tës, kur ngritja e qeverisë Noli nga shpresa përfundoi në rënje në pazotësi. Marrëdhëniet shoqërore dhe varfëria në Shqipërinë e asaj kohe kishin degraduar në pashpresë. Kjo kishte bërë që të mblidheshin të gjithë rreth një proklamimi të madh për Shqipërinë. Proklamohej një Shqipëri sikur bota perëndimore, ku qytetarët kishin varur shpresën, ndryshe e të kamur, ku të gjithë e panë veten të shëruar brenda ditës që po vinte, ku halle më nuk do kishte dhe jeta do bëhej lule, ku e keqja do hiqej me një të rënë të lapsit, dhe ku burgjet do kishin banuesit e ri e të përhershëm. hajnat e së djeshmes, grabitësit e pabesë, të këqinjtë! Dhe revolucioni ndodhi, u përmbys e vjetra, por nuk po përmbushej shpresa! Aq shumë ishte dhjamosur e keqja sa Nolit iu desh të bënte kumbari me të gjithë, që nuk pranonin të hypnin në trenin që ai kishte proklamuar, dhe para se Zogu të kapte Tiranën me forcat e angazhuara me fondet e Pashiqit filloi braktisja e vendit nga eksponentë të revolucionit të qershorit me përjashtim të ndonjërit që vazhdoi për pak kohë në ilegalitet derisa u bindën se e reja e tyre e proklamuar kishte mbaruar. Shqipëria vazhdoi me të vjetrën e riardhur, por tash me riardhjen e vetëm një njeriu.  

E tashmja nuk mund të vijë kaq e zezë, por se mund të rikthehet e vjetra nuk do mend se edhe ajo është një hap larg rikthimit. Andaj, i takon të resë të mos vijë nëpër thana të pshurrta, që të mos shkoj për lesh bashkë me ëndrrën që mbolli!