Ri-kërcënimi nga shteti serb për destabilizim në Ballkan, në krye me ish-ministrin e propagandës (gebelcin) e Milosheviqit, Aleksandër Vuqiqin, është përveç tjerash edhe një sfidë/test i rëndësishëm për politikën e jashtme të Unionit Evropian (UE-së), që tradicionalisht nuk është treguar mjaftueshëm efektiv dhe parimor për zgjidhjen e konflikteve etnike në ish-Jugosllavi sepse që nga fillimvitet ’90, kur Jugosllavinë e kaploi kriza e përgjithshme politike, UE (që atëherë quhej Bashkimi Evropian – BE), ishte fillimisht kundër shpërbërjes së Jugosllavisë. Por pasi që shpërbërja e Jugosllavisë u bë e pashmangshme, UE u përcaktua pro njohjes së pavarësisë për njësitë federative (republikat) duke përfshirë garantimin e të drejtave për minoritetet brenda këtyre njësive federative. Për dallim nga republikat e tjera (Sllovenia, Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia dhe Mali i Zi), vetëm Serbia ishte kategorikisht kundër kësaj qasje të UE-së, duke vënë kushte se shkëputja e republikave mund të ndodhë vetëm nëse territoret e banuara kryesisht me serbë etnikë do të mbeten brenda Jugosllavisë së cunguar që, në fakt, nënkuptonte qëllimin për ta konstituuar Serbinë e Madhe. Për këtë qëllim, Serbia përdori Armatën Jugosllave të cilën e kontrollonte dhe e nisi agresionin luftarak kundër të tjerëve, madje edhe me përmasa gjenocidiale në Bosnjë dhe më pastaj edhe në Kosovë. Dhe përkundër kësaj qasjeje agresive dhe destruktive të Serbisë, në Konferencën e Dejtonit (1994) u vendos që rreth 30 % të serbëve në Bosnjë-Hercegovinë ta kenë republikën e tyre, e njohur me emrin Srpska Republika. Por ky kriter nuk vlen ende për rreth 30 % të shqiptarëve në Maqedoni, për themelimin e Republikës Shqiptare në Maqedoni sikurse Srpska Republika në Bosnje. Gjithashtu, gjatë negociatave në Vjenë për statusin e Kosovës, që rezultoi me planin e Ahtisaarit, u vendos që rreth vetëm 5 % të serbëve të Kosovës t’i kenë të garantuara të drejtat për minoritetet me standardet më të larta si në nivel qendror, po ashtu edhe në nivelin lokal. Por ky kriter nuk vlen ende për minoritetin shqiptar në Serbi etj.
Është hipokrizi të trumbetohet paqja e qëndrueshme në Ballkan, e sidomos në mes të serbëve dhe shqiptarëve, përderisa nuk insistohet për respektimin e parimit të reciprocitetit në lidhje me të drejtat e minoritetit shqiptar në Serbi dhe të minoritetit serb në Kosovë etj. Gjithashtu, është hipokrizi që parimi për përfaqësimin e minoriteteve në parlament, që përfshinë edhe minoritetet që nuk kufizohen me vendet amë, ose që nuk kanë fare vende amë, për shembull sikurse minoriteti romë etj., të vlen si parim vetëm në Kosovë si shembull i izoluar (bazuar në planin e Ahtisaarit). Dhe ende ky parim (në fakt parim i drejtë), nuk vlen për Serbinë që ka një numër më të madh të romëve sesa në Kosovë, ose për Rumaninë që ka një numër edhe më të madh të romëve sesa në Serbi dhe që njëkohësisht është edhe shtet anëtar i UE-së etj.
Rrjedhimisht, pas rezultimit të 7 shteteve nga shkatërrimi i federates jugosllave (ku në këtë proces edhe pavarësia e Kosovës, u cilësua e ligjshme nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë), në vend të hipokrizive (me dialogun të pa fund në mes Kosovës dhe Serbisë), do të ishte më me vend organizimi i një konference ndërkombëtare për zgjidhje (me standart të njëfisht) të cështjes së minoriteteve kombëtare brenda këtyre 7 shteteve të dalura nga federata jugosllave, e sidomos për një arritje të paqës së përhershme në mes Kosovës dhe Serbisë. Për më tepër, gjeneratat e ardhshme në një Evropë të Bashkuar – mutlikombëtare (UE-s), nuk do të mund të akseptojnë standardet e dyfishta për të drejtat e minoriteteve kombëtare brenda shteteve kombëtare të UE-së.