Lëvizja\UÇK

Xh. Gjini: Të dashur anëtarë, drejtues dhe dashamirë e mbështetës të Shoqërisë LËVIZJA!

Të dashur anëtarë, drejtues dhe dashamirë e mbështetës të Shoqërisë LËVIZJA!
Shoqëria LËVIZJA, duke bashkëpunuar edhe me Shoqatën e të Burgosurve Politikë, me Institutin Albanologjik, me atë të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore (Shkup) dhe me komunat tona shqiptare në Kosovë dhe në viset e saj, gjatë gjithë vitit 2022 ka organizuar dhjetra akademi, zbulim pllakash, tryeza, Simpozium shkencor, etj. për të shënuar 40 – vjetorin e bashkimit politik të organizatave patriotike – krijimin e LPK – së, për t’i nderuar dhe kujtuar Heronjtë e BASHKIMIT: Jusufin, Kadriun dhe Bardhoshin, për t’i nderuar dhe kujtuar Dëshmorët dhe Heronjtë e LPK – UÇK – së, të LKÇK – së dhe të gjithë Dëshmorët dhe Heronjtë e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe të Luftës Çlirimtare të UÇK-së, pa dallim organizate, ideje, feje e krahine… Gjatë vitit jubilar 2022, – VIT I LËVIZJES, – Shoqëria LËVIZJA u ka dhënë Mirënjohje dhe i ka nderuar e falënderuar edhe qindra veprimtarë të LPK -së, posaçërisht, dhe të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, përgjithësisht…
Shoqëria LËVIZJA – Dega e saj në Zvicër, ka organizuar dhe po organizon veprimtari (takime dhe akademi mirënjohjeje e falënderimi) për të shënuar përvjetorin e Bashkimit dhe krijimit të LPK-së, për t’i nderuar dhe kujtuar Heronjtë dhe Dëshmorët e Bashkimit dhe të Lëvizjes e të Luftës sonë Çlirimtare, edhe jashtë Atdheut.
Takime me bashkëveprimtarë e bashkëluftëtarë dhe me mërgimtarë janë mbajtur në Arau, Gjenevë, në Bazel, në Sion e në Lion të Francës… Po bëhen përgatitje edhe për takime dhe akademi tjera. Në këto takime po jepen edhe Mirënjohje për veprimtarët dhe luftëtarët e lirisë…
Veprimtaria e Shoqërisë LËVIZJA po vazhdon e do të vazhdojë edhe gjatë vitit 2023 në trojet shqiptare (në Atdhe) dhe në mërgim (jashtë Atdheut)…
Shoqëria LËVIZJA i falënderon anëtarët, mbështetësit dhe simpatizantët që kanë dhënë e po japin ndihmesë dhe po dëshmojnë gatishmëri e përkushtim të madh krejtësisht vullnetar për organizimin e këtyre veprimtarive të rëndësishme për ruajtjen, paraqitjen dhe afirmimin e vlerave atdhetare, liridashëse, përparimtare, qytetëruese, demokratike dhe emancipuese të LËVIZJES dhe të LUFTËS sonë ÇLIRIMTARE…, sepse liria e fituar (kaq sa është fituar) duhet vlerësuar dhe mbrojtur si dytë e ballit nga rinia dhe brezat pas nesh, që të mund të ecet më tej, të zgjithet çështja shqiptare në tërësinë e saj…
NDERIM DHE LAVDI HERONJVE DHE DËSHMORËVE TË ATDHEUT!
Mirënjohje dhe falënderim anëtarëve, mbështetësve dhe simpatizantëve të Shoqërisë LËVIZJA!
Prishtinë, më 13 shkurt 2023                                                                                                 Me respekt!
                                                                                                                                        Kryetari i Shoqërisë LËVIZJA