Lëvizja\UÇK

Mehmet HAJRIZI: NJË JETË VEPRIMTARI DHE LUFTË E KOMANDANTIT AZEM SYLA

Mehmet HAJRIZI

 NJË JETË VEPRIMTARI DHE LUFTË E KOMANDANTIT AZEM SYLA

Fjalë e mbajtur në ceremoninë e vendosjes së pllakës nderimore në shtëpinë e Azem Sylës

Kërzharekë, më 16 mars 2024

Zonja dhe zotërinj

Pas shuarjes në gjak e represion të demonstratave të vitit 1968 dhjetëra të rinj e të reja që po përpiqeshin ta mbajnë të ndezur flakadanin e rezistencës organizoheshin në grupe të vogla, disa prej të cilave u bashkuan më 3 mars 1973 për të themeluar organizatën klandestine Grupi Revolucionar i Kosovës (GRK), i cili më vonë u riemërtua Organizata Marksiste-Leniniste e Kosovës (OMLK).

Organizata i konsolidoi shpejt radhët, sipas parimeve, normave dhe teknikave organizative nën konspiracion të thellë dhe disiplinë të hekurt. Ajo shtriu veprimtarinë e saj në të gjitha trevat shqiptare nën pushtimin serb e jugosllav dhe në mërgatë, filloi për herë të parë shtypin klandestin në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare (LKSH) të pas Luftës së Dytë Botërore, zhvilloi një veprimtari të gjerë botuese, vuri kontakte me Shqipërinë dhe kontribuoi fuqishëm në përgatitjen e rinisë dhe popullit shqiptar për kryengritjen e madhe të vitit 1981.

Organizata përndiqej egërsisht nga regjimi pushtues, duke arrestuar shumë veprimtarë të saj më 1974, 1975 e përgjatë viteve vijuese. Ajo jo vetëm u qëndroi dëmtimeve serioze policore, por riorganizohej dhe vazhdonte jetën duke u rritur e zgjeruar në progresion gjeometrik.

Njëri nga anëtarët më të hershëm dhe më të devotshëm i kësaj organizate ishte Azem Syla. Azemi ishte lindur në Kërzharekë të Drenasit vetëm pesë vjet nga ploja që kishte bërë regjimi i ri i Beogradit në Drenicën e tij për ta shuar kryengritjen popullore të udhëhequr nga tribuni i madh Shaban Polluzha.

Azemi ka aderuar në radhët e GRK-OMLK që në fillim të themelimit të saj. Nuk kishte si të mos organizohej për rezistencë Azem Syla i një familjeje atdhetare dhe simbol të burrërisë shqiptare. Babai i tij Rizahu ishte burrë me karakter të fortë, i mençur, i matur dhe patriot e punëtor fisnik. Ai kishte qenë mësuesi i parë i formimit të personalitetit atdhetar të të birit të vetëm të tij, Azemit. Nuk ishte as koincidencë rasti pagëzimi i tij Azem.

Azemi kishte trashëguar nga i ati dhe e ëma, nga gjithë familja e tij dashurinë për atdheun dhe edukatën shqiptare të trimërisë e të qëndresës, sistemin tradicional të vlerave dhe virtyteve shqiptare. Ai që fëmijë ishte përgatitur për të qenë më vonë një luftëtar i vendosur, i guximshëm dh i paepur i kauzës së madhe të çlirimit dhe  bashkimit kombëtar.

Azem Syla është veteran i arsimit. Ai pasi kishte mbaruar arsimimin e lartë universitar, dymbëdhjetë vjet me radhë ka edukuar dhe arsimuar breza të tërë të rinjsh në shkolla si profesor në Nekoc, Kërzharekë, Drenas, Kievë e Klinë. Ai kudo që punonte dhe kudo të ndodhej, vepronte për emancipimin e shoqërisë shqiptare dhe zgjimin e saj çlirimtar.

Gjatë përvojës së gjatë dhjetë vjeçare në organizatën e tij çlirimtare Azemi kurrë nuk i lejoi vetes pushim të veprimtarisë, por me përkushtim shembullor i kontribuoi gjithanshëm radhëve të organizuara e çështjes së lirisë dhe emancipimit e përparimit të kombit të vet. Veprimtari Azem Syla ka qenë shembull i zgjerimit të radhëve të organizatës, duke shtrirë anëtarësinë e saj në shumë treva shqiptare, si në vendlindje, në Klinë, në Strugë, në Malishevë, në Skënderaj, në Komaran, në Llashkaderonoc, në Tërpezë, në Nekofc, në  Çabiq, në Dragobil, në Gllarevë, në Cerovikë, në Llazicë, në Drenas, në Divjakë (Baza), në Lubeniq të Pejës etj. Veprimtaret e veprimtarët e shumtë Azemi i zgjidhte sipas kritereve rigoroze për pastërtinë morale të familjeve të tyre, për karakterin dhe formimin e personalitetin që kishin personalisht, për guximin dhe besnikërinë ndaj atdheut e lirisë së tij, për frymën e sakrificës e të vetëmohimit, për vullnetin e hekurt dhe qëndresën, për edukimin patriotik e devocionin dhe përkushtimin në veprimtari, për disiplinën e konspiracionin e thellë, për kujdesin ndaj bashkëveprimtarëve dhe solidaritetin, për figurën morale dhe virtytet e luftëtarit besnik të lirisë etj. Ai kishte edhe një rreth të gjerë burrash e grash besnike, si simpatizantë të organizatës, të cilët e ndihmonin veprimtarinë çlirimtare në forma të ndryshme. Veprimtari Syla me kujdesin dhe durimin e edukatorit punonte pareshtur për përgatitjen e kandidatëve të organizatës, edukimin, kalitjen dhe formimin intelektual e revolucionar të radhëve të organizuara, duke u prirë vetë në aksionet e shpërndarjes së trakteve, të shtypit klandestin, të parullave me karakter çlirimtar etj.

Për herë të parë Azemin e arrestojnë më 20 maj 1981 për kryengritjen e atij viti. Përsëri arrestohet më 25 dhjetor 1981 dhe për veprimtarinë e tij dënohet me burgim të rëndë pesë vjet, të cilin e mbajti një pjesë në Kosovë, por më shumë në Serbi (Novi Sad). Azem Syla në burg përjeton tmerrin e trajtimit çnjerëzor udbesk që ushtrohej ndaj veprimtarëve shqiptarë. Madje edhe pas mbylljes së hetimeve, ai merret në hetuesi për të vazhduar procesin hetimor nën torturë. Megjithatë Azemi kishte mbajtur shumë veprimtarë pa zbuluar para organeve të hetuesisë. Organizata GRK-OMLK është zbuluar vetëm pjesërisht, sepse qindra veprimtarë kanë mbetur jashtë burgut për ta vazhduar angazhimin çlirimtar.

Azem Syla e ka mbajtur dënimin në kushte tepër të rënda, jo në shtëpitë ndëshkuese, por fillim e mbarim në burgje hetuese, në Prishtinë, në Prizren dhe më shumë në Novi Sad. Burgu i vjetër hetues i Novi Sadit ishte rezervuar për trajtim intensiv të të dënuarve politikë shqiptarë. Ai kishte tridhjetë qeli, ku ishin vendosur tridhjetë shqiptarë, në secilën nga një, por bashkë edhe më dhjetë të burgosur nën hetime, të kombësive të ndryshme; kriminelë, hajdutë, birbo dhe banditë e të sëmurë mendorë, të cilët e rëndonin gjendjen sa vetë burgu. Të burgosurit mbaheshin të mbyllur nën kyç. Pak kohë na dërguan në një bodrum si punishte, ku patëm rastin të jemi bashkë me Azemin dhe bashkëveprimtarë të tjerë.

Azemi krenar dhe i pathyeshëm nuk u dha në këto kushte inkuizicioni mesjetar të vuajtjes së dënimit, duke e mbajtur deri në fund dënimin me dinjitet dhe qëndresë burrërore. Babai i Azemit në moshë, duhej të bënte rreth 1000 kilometra vajtje-ardhje për  ta vizituar të birin një herë në muaj, jo më shumë se 15 minuta, madje në distancë nga njëri-tjetri disa metra.

Pas lirimit nga burgu, Azem Syla e vazhdon veprimtarinë e gjatë çlirimtare në Lëvizjen Popullore të Kosovës (LPK), ku e drejtonte  Sektorin e Luftës. Kjo veprimtari bëhej tashti në kushte të reja, të avancimit e konsolidimit të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, por në kontekstin e pandryshuar historik të vazhdimit të politikës shoviniste antishqiptare të Beogradit, të ndjekjes, represalieve e terrorit mbi rininë dhe popullin e Kosovës e të viseve tjera shqiptare nën Jugosllavi.

Azem Syla i vendosur në parimet e tij, sërish arrestohet dhe mbahet disa muaj në burg i izoluar. Një arrestimi tjetër të mëvonshëm, kur ai do të dënohej rëndë me burgim të gjatë, i shmanget për pak dhe detyrohet të emigrojë jashtë atdheut, për ta vazhduar veprimtarinë.

Kurora e veprimtarisë jetësore të Azem Sylës ishte Ushtri Çlirimtare e Kosovës. Azem Syla është njëri ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe komandant i Shtabit të Përgjithshëm të saj. Lufta çlirimtare e Kosovës përbënte sfidë të rëndë në rrethanat e kohës, sprovë me shumë sfida duke u përballur Davidi me Goliatin në një ndeshje të pabarabartë, me mungesa të shumta që nga armatimi e logjistika, por Azemi dhe bashkëluftëtarët e tij e mbajtën fuqishëm frontin deri në çlirimin përfundimtar edhe me intervenimin ushtarak të NATO-s kundër forcave të Serbisë. Për Kosovën e lirë u hap rruga dhe perspektiva e shtetndërtimit, paqes, pavarësisë, sovranitetit dhe demokracisë.

Azem Syla ishte anëtar i Delegacionit shqiptar në Konferencën e Rambujesë, ku dha kontribut të çmuar në mbarëvajtjen e saj, duke nxjerrë aty të mundshmen si artin e politikës e të diplomacisë, por mbi të gjitha garancinë e të ardhmes së pavarur e të lirë të Kosovës.

Në themelet e lirisë së Kosovës është veprimtaria e gjatë dhe e pareshtur e LKSH, 13 dëshmorët e organizatës klandestine ku militonte Azem Syla, dhe mijëra dëshmorë të luftës çlirimtare të udhëhequr nga UÇK.

Në GRK-OMLK dhe organizatat tjera të LKSH janë formuar e kalitur mijëra veprimtarë, shumë nga të cilët në epokën e lirisë ishin kuadro të përgatitur mirë dhe të motivuar për t’i shërbyer atdheut edhe ne paqe e shtetndërtim. Njëri nga këta meritueshëm ishte dhe vazhdon të jetë veprimtari dhe luftëtari besnik Azem Syla, duke ushtruar detyrën e ministrit, deputetit të zgjedhur dhe politikanit.

Të flasësh për figurën morale të Azem Sylës, si intelektual, veprimtar e ushtarak, për personalitetin e tij shumëdimensional dhe sistemin e vlerave e virtyteve që përfaqëson, duhet më shumë hapësirë dhe kohë se sa lejon korniza e një veprimtarie si kjo, prandaj po e mbyll këtu duke i uruar vëllazërisht bashkëveprimtarit dhe bashkëluftëtarit tone jetë të gjatë, shëndet të plotë dhe pleqëri të bardhë, bashkë me të shoqen e tij besnike, vajzën dhe dy djemtë, nipat e mbesat, në Kosovën e tij që i dha aq shumë vetëm në një jetë njeriu.