TIRANË, 13 shkurt/ATSH – I. Vata/ Kryeministri i Shtetit të Lirë të Bavarisë, Markus Söder deklaroi sot se Bavaria do të mbështesë investimet në Shqipëri.
Pas takimit me kryeministrin Edi Raman në konferencën e përbashkët për mediet, Kryeministri i Shtetit të Lirë të Bavarisë, Markus Söder vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve, duke sjellë në vëmendje Franz Josef Strauss, i cili ishte ai që hapi derën në kohën kur Shqipëria jetonte në një periudhë komplet tjetër.
“Për mua është një kënaqësi vërtetë e madhe që ndodhem sot këtu dhe që jemi të lidhur edhe me ndjenja miqësie mes njëri-tjetrit. Ky nuk është takimi ynë i parë; jemi parë edhe më parë me njëri-tjetrin. Ju keni qenë shpesh në Bavari, në Munih dhe në fakt, vitin e shkuar ne kemi pasur idenë e një takimi të përbashkët, një shkëmbimi të përbashkët, kemi ndjekur Wagner-in dhe sikurse thamë, ishte një ngjarje vërtetë e këndshme dhe vërtetë unë premtova të vi këtu. Pse? Sepse, e para, kemi të bëjmë me një lidhje historike mes dy vendeve tona, pra Bavarisë dhe Shqipërisë. Franz Josef Strauss ishte ai që hapi derën në kohën kur Shqipëria jetonte në një periudhë komplet tjetër. Kjo lidhje ka mbetur në kujtesën kolektive të Bavarisë dhe partisë sime. Ne e shikojmë veten si hapës të dyerve, si fqinj, si ura lidhëse”, tha ai.
Në vijim, kryeministri i Shtetit të Lirë të Bavarisë, Markus Söder vlerësoi reformat që ka ndërmarrë Shqipëria në rrugën e saj drejt BE-së.
“Është shumë e rëndësishme ta them si fqinj, kemi ndjesinë që në Evropë ka boshte të tjera, shumë pak shihet drejt Evropës Juglindore, drejt fqinjëve të drejtpërdrejtë, në mënyrë që të përforcohen ndjenjat e miqësisë dhe të fqinjësisë. Evropa do të jetë e fortë vetëm nëse këto marrëdhënie përforcohen dhe Shqipëria kësisoj, do të bëhet shumë shpejt pjesë e Bashkimit Evropian. Nuk bëhet fjalë për të ndërtuar ura artificiale, por me respekt dhe me shpejtësinë e duhur të mund të bëjmë të mundur që Shqipëria, si vend i qëndrueshëm, i cili ka zhvilluar procese të rëndësishme reformash, të bëhet shpejt pjesë e Bashkimit Evropian; kjo për shkak të traditës së marrëdhënieve tona, por edhe për shkak të asaj çka ne kemi aktualisht si marrëdhënie të tilla dhe çfarë presim të shndërrohen prej tyre”, tha ai.
Po ashtu, kryeministri i Shtetit të Lirë të Bavarisë, Markus Söder vlerësoi punën e qeverisë shqiptare jo vetëm për ato që ka arritur, por edhe për marrëveshjen që u firmos sot për hapjen e një zyre kontaktesh që kanë të bëjnë me sektorë të ndryshëm, sektori i drejtësisë, i ekonomisë, i teknologjisë.
“Sigurisht që ne ndajmë ndjenjat e vlerësimit për qeverinë dhe atë ka ajo ka bërë, por sigurisht kemi një shpresë të madhe për çka do të bëhet prej Shqipërisë, sepse ne duhet të mbetemi të lidhur edhe në të ardhmen me njëri-tjetrin. Së këtejmi rrjedh pika e dytë, që me marrëveshjet e sotme ne kemi ngritur një komision të përbashkët qeveritar në të dyja vendet, kemi këtu dhe Ministren e Shtetit për Europën, zonjën Umel e cila zhvilloi vizitën në Rumani dhe Shqipëri. Në kuadër të aktivitetit të kësaj zyre do të vendosim në aplikim, në marrëveshje, marrëveshje që kanë të bëjnë me sektorë të ndryshëm, sektori i drejtësisë, ekonomisë, teknologjisë”, tha ai.
Kryeministri i Shtetit të Lirë të Bavarisë, Markus Söder duke folur për bujqësinë tha se e pranon ofertën shqiptare për të ngritur këtu një shtëpi bavareze, me kulturë bavareze.
“Bujqësia, kemi marrëdhënie mjaft të ngushta në këtë sektor, këtu bëhet fjalë për bashkëveprim mes parqeve tona kombëtare. Pra, do të çojmë përpara aspektet e zhvillimit bujqësor dhe një pikë tjetër është temat që kanë të bëjnë me arsimin, shkollat dhe kulturën. Ne e pranojmë ofertën tuaj për të ngritur këtu një shtëpi bavareze, me kulturë bavareze. Në të shkuarën gjithmonë e kemi menduar një mundësi të tillë dhe oferta e sotme mund të ishte fillimi për shumë ide të tjera. Kjo mund të kishte ardhur prej meje, erdhi prej jush, e pranoj me kënaqësi dhe unë ju falënderoj për këtë. Shtëpitë tona të derimëtanishme kanë qenë thjesht shtëpi që ishin më së shumti me kulturën etno të Bavarisë. Por një pikë e tretë po kaq e rëndësishme është zhvillimi i marrëdhënieve ekonomike. Për ne është e rëndësishme që sipërmarrjet bavareze, të cilat janë ndër më të fuqishmet që ekzistojnë në kontinentin evropian, GDP e Bavarisë është e madhe se ajo e Portugalisë, Çekisë dhe Greqisë dhe pothuajse aq e madhe sa ajo e Arabisë Saudite. Kemi një dinamikë të konsiderueshme në këtë drejtim. Në Bavari, ne kemi një giga efekt të ri pas tjetrës, pra njëra pas tjetrës është duke u investuar; është duke u investuar në teknologji vërtetë gjigante. Krahas kësaj, kjo lloj teknologjie shërben për të tërhequr njerëz nga e gjithë bota drejt Bavarisë, ndaj është mjaft e rëndësishme që edhe në këtë kontekst, të përforcojmë më tej marrëdhëniet tona të bashkëpunimit”, tha ai.
Duke folur për ekonominë, kryeministri i Shtetit të Lirë të Bavarisë, Markus Söder, tha se do të hapë nëvendin tonë një zyrë kontaktesh që do të funksionojë mes dy vendeve.
“Ekonomia dhe sipërmarrjet bavareze, sikundër biseduam dhe së bashku me kryeministrin Rama, do hapë këtu një zyrë kontaktesh, e cila do të funksionojë në të dyja drejtimet, nga Bavaria në drejtim të Shqipërisë, por edhe anasjelltas. Kjo do të sjellë dhe mbështetjen e investimeve nga Bavaria në Shqipëri, po kështu mbështetje të kualifikimeve të fuqisë punëtore të kualifikuar në Shqipëri, por edhe anasjelltas. Askujt nuk do mund t’i ndalonim që pikërisht për ata që duan të vijnë në Bashkimin Evropian, dhe që është një ndër gjërat më të bukura të Bashkimit Evropian dhe që ne na pëlqen më së shumti, është që njerëzit nga Shqipëria të mund të vijnë dhe të punojnë tek ne për profesione të ndryshme. Sigurisht që ne duam të ndihmojmë me masa mbështetëse për arsimin, por duhet të jetë një situatë që do të sjellë dobi për të dyja palët, në mënyrë të ngjashme sikundër edhe në Rumani. Prej Rumanisë ne kemi studentë, të cilët i kemi kualifikuar mjaft mirë në Bavari dhe që kanë sjellë përvojën e tyre në Rumani. Unë theksoj gjithnjë e më shumë një situatë përfitimi nga të dyja palët, ndaj mendoj që e sotmja është një shans mjaft i mirë për të dyja palët. Unë mendoj që është një ditë që dëshmon marrëdhëniet mjaft të mira dhe lidhjet mjaft të mira. Dëshirojmë të vazhdojmë të punojmë më tej në këtë drejtim edhe për shkak të reminishencave historike që mbështesin dhe ne si Bavari gëzohemi që të vijmë si partnerë këtu në vendet e Evropës Juglindore, duke shpresuar që Shqipëria të gjejë sa më shpejt rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian. Do të keni vazhdimisht mbështetjen tonë në këtë drejtim duke ushtruar, me aq sa kemi mundësi, edhe drejt Brukselit, të tërë mbështetjen tonë”, tha ai.
/gj.m/r.e/