Komenti

Xh. Gjini: Ta them a mos ta them

TA THEM A MOS TA THEM?
(Dilema që kisha)
Njeriun, ndonjëherë, edhe kur është i bindur se ka të drejtë për një gjë a për një çështje, ka diçka që e frenon ta thotë, sepse mund të mos kuptohet drejt, sepse është kundër rrjedhës…
Këtë dilemë pata sonte edhe unë, pasi ndoqa me vëmendje të shtuar konferencën e Kryeministrit tonë, Rama me Sekretarin amerikan, Blinken.
Mendimi se SHBA – ja – NATO – ja e çliroi Kosovën (në kufijtë krahinor), falë politikanëve, mediave, studiuesve dhe OJQ – ve të “sponzorizuara”, tashmë është bërë opinion publik i ngulitur në shumë koka pa mendim të vetin!!
Ka një mendim (opinion) mjaft të përhapur dhe të ngulitur se shtetin tonë shqiptar e ka krijuar Austrohungaria (janë shkruar edhe libra me këtë tezë!)… Po ashtu, ka një mendim tjetër, që e dëgjojmë shpesh nga gazetarë, studiues e publicist, që s’e lodhin kokën ose që hanë bukën e botës, se Wilsoni e shpëtoi shtetin shqiptar në Konferencën e Versajës! Ndryshe sot s’do të ishim!? Ka të tjerë që thonë se ne jemi edhe sot, falë Perandorisë Osmane!? Ndryshe do të ishim tjetërsuar të gjithë në sllavë e grekë!?
E njëjta logjikë e shpjegimit të ngjarjeve, rrethanave dhe proceseve ekonomike, shoqërore e historike u shfaq nga Kryeministri shqiptar sonte në konferencën e tij me Sekretarin amerikan, Blinken! E pra, Kryeministri i shtetit tonë nuk do të duhejë të ulejë në nivelin e atyre kategorive të “sponzorizuara” që i përmenda më lartë…
“Po të mos ishte SHBA – ja ose pa SHBA – n Kosova nuk do të bëhejë shtet”, thoshte e përsëriste Kryeministri ynë me përvujtëri!!
Nuk e kam kuptuar kurrë pse ne ekzistencën tonë duhet t’ua dedikojmë të tjerëve?! Pse politikanët, mediet, mjaft studiues e kategori tjera, me përulësi tugitëse (dje dhe sot), në secilin rast, çdo ditë e çdo orë, duhet t’i falënderojnë të tjerët që marrim frymë akoma e që jemi shqiptarë?!
A nuk u shkon mendja (nëse kanë mend dhe nëse kanë unin e tyre) se, po të ishte populli ynë kaq i dobët, kaq i paformuar dhe kaq i pafuqishëm kurrë nuk do t’u kishte mbijetuar mijëvjeçarëve? Do të ishte zhdukur e harruar si shumë popuj tjerë dhe s’do të ishte edhe sot këtu që ta shpëtonin të tjerët…
Pa u shtyrë thellë në histori e lashtësi po marrim shembull Luftën e Dytë Botërore. A nuk ishte shteti ynë dhe populli ynë që u çlirua i pari në Evropë nga nazifashizmi dhe i ndihmoi edhe të tjerët të çlirohen? Apo kjo faqe e lavdishme e historisë shqiptare dhe periudha 45 – vjeçare duhet varrosur e harruar se ndryshe s’na duan aleatët, falë të cilëve jetojmë?!!
Shembulli më i ri: Lēvizja dhe Lufta Çlirimtare e LPK – UÇK – së ose çlirimi i një pjese të tokave të pushtuara të Shqipërisë (Kosovës pa vise)…
Si i mbanë toka ata shqipfolës, që harrojnë se populli shqiptar (bijtë e tij), pjesa e pushtuar e Shqipërisë, vetēm në periudhën 1945 – 99 i ka vuajtur 666 shekuj burg… Janë torturuar, janë vrarë e masakruar dhjetëra mijëra shqiptarë nga Jugosllavia pushtuese e Tito – Rankoviçit dhe janë shpërngulur me dhunë e terror nga vatrat e tyre qindra mijëra të tjerë!
Kjo përpjekje për liri dhe kjo Lëvizje Kombëtare Çlirimtare është kurorëzuar me krijimin e UÇK -së dhe me çlirimin e 10887 km² tokë Shqipërie (Kosova në kufijtë krahinor). Për këtë tokë të çliruar shqiptare është derdhur gjaku lum nga bijtë e bijat e kombit shqiptar, këndej e andej Drinit, dhe nga bijtë e bijat më të mira të Mërgatës sonë shqiptare. Nuk di që të jetë vrarë e të ketë derdhur gjak ndonjë ushtri e huaj… Përjashtim bëjnë disa vullnetarë të huaj, por që kanë luftuar dhe kanë ra si ushtarë të UÇK – së.
I vetmi shtet në botë, që ka qenë natyrshëm në krah të Shqipërisë së pushtuar (Shqipërisë këndej Drinit), ishte shteti ynë shqiptar (Shqipëria andej Drinit). Prandaj, falë vetë ekzistencës së shtetit tonë shqiptar dhe përkrahjes së tij është organizuar Qëndresa, Lëvizja dhe Lufta Çlirimtare dhe është çliruar edhe një pjesë e Shqipërisë së pushtuar nga Jugosllavia titoiste e milosheviçiane… Lufta është bërë me armët e shtetit tonë. Nuk i dha kush armë UÇK – së!
Falë shtetit shqiptar dhe Luftës Çlirimtare të UÇK – së dhe të kombit shqiptar është fituar përkrahja e SHBA – së, e NATO – s dhe e vendeve tjera demokratike.
Dua të them (meqë vendosa ta them) që, Kryeministri ynë shqiptar, politikanët e Prishtinës e të Shkupit, mediet dhe gazetarët, studiuesit dhe rrjetet sociale, që krijojnë opinionin publik, do të duhejë të kishin minimumin e krenarisë dhe të integritetit intelektual, politik, moral e njerëzor në marrëdhënie dhe në komunikim me aleatët – miqtë tanë dhe me publikun tonë…
Një marrëdhënie dhe një komunikim dinjitoz nuk e “lëndon” mikun dhe as miqësinë. Përkundrazi, e bënë më të natyrëshme, më të sinqertë, më të besueshme dhe më të fuqishme.
Po ta shikoni historinë, që nga lashtësia e deri në ditët tona, nuk ka popull, principatë dhe shtet që nuk ka patur në një kohë aleancë ose miqësi me një popull, principatë a shtet tjetër… Historia ka njohur e shënuar edhe aleanca e kundëraleanca grupore (blloqesh). Edhe krijimi i shteteve të mëdha a të vogla përmes aleancash e përkrahjesh nga popuj e shtete tjera janë krijuar. Prandaj, t’ia dedikosh vlerën më të madhe të kombit, Lirinë, të tjerëve, nga njëra anë, dhe ta mohosh e varrosësh përpjekjen, qëndresēn, luftën dhe gjakun e derdhur për liri, shtet e bashkim të kombit, në anën tjetër, nuk ka gjë më të ulët, më të shëmtuar dhe më të dëmshme për kombin dhe Atdheun tonë ende të copëtuar!!
Me këtë nuk dua të them që të prishemi me miqtë – aleatët tanë strategjikë dhe që nuk duhet të bashkëpunojmë e të koordinohemi në këto kohëra të trazuara e të mbarsura me rreziqe për popujt e vegjēl nga përplasjet, konfliktet, lufta dhe armët që po vringëllohen anembanë botës… Larg qoftë!
Por, dua të them që për të hyrë në marrëdhënie, për të bashkëpunuar dhe për t’u koordinuar me miqtë tanë strategjikë dhe me gjithë miqtë tjerë duhet të jemi NE! Kosova dhe të gjitha trojet shqiptare duhet të koordinohen, këshillohen dhe bashkëpunojnë ngushtë, si një njësi e vetme, me shtetin shqiptar, Tiranën, dhe anasjelltas… Të jemi të përgatitur, të formuar, të organizuar, të zotët e të shkathët në çdo fushë e për çdo rrethanë – situatë. Shkurt e shqip: Ta meritojmë e të jemi të denj për miqësinë dhe partneritetin e aleatëve tanë strategjikë!