Portreti/intervista

Albert Z. Zholi: Intervistë me Prof. Dr. Lush Susajn për problemet e bujqësisë dhe të blegtorisë=

Flet Prof. Dr. Lush Susaj: Nuk mund të fajësohen fermerët, as blegtorët e Shqipërisë për mungesën e laboratorëve dhe të kontrollit të cilësisë në tregje e dogana.

Mos fajësoni e mos fyeni fermerët dhe as blegtorët e Shqipërisë.

 

Intervistoi: Albert Z. ZHOLI

    Fermerët, blegtorët, eksportuesit dhe ekspertët e bujqësisë nuk janë optimistë për vitin 2024. Kostot e larta, braktisja e fshatit, ulja e mbështetjes buxhetore do të vijojë të thellojë rënien në blegtori dhe prodhimin e fushës. Serrat, janë disi më optimiste. Në sfond të potencialit të lartë për rritje, sektori i bujqësisë do të përballet me vështirësi në vitin 2024, teksa në 9-mujorin 2023, prodhimi ishte në rënie, sipas të dhënave zyrtare. Prodhimi bujqësor parashikohet të jetë me ulje ose të qëndrojë në vendnumëro në vitin 2024. Sektori gjithsesi përballet me probleme të thella strukturore, si copëzimi i tokës, mungesa e ekonomisë së shkallës, automatizimit, vlerë e ulët e shtuar, apo dhe mbiprodhim, apo nënprodhim të produkteve të ndryshme.  Fermerët që kultivojnë në serra janë më optimistë dhe më të motivuar, për shkak të rritjes së kërkesës në eksport dhe çmimeve më të larta, ndërsa prodhimi në fushë mbetet i rrezikuar nga pakësimi i popullsisë rurale dhe ndryshimet klimatike, që janë shndërruar në një rrezik të madh. Nga ana tjetër thuajse 90% e prodhimit të mollës në qarkun e Korçës ka mbetur pa shitur për shkak të konkurencës nga vendet e rajonit, Greqia, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Fermerët dhe grumbulluesit protestuan para disa ditësh duke kërkuar nga qeveria të marrë masa lehtësuese për prodhimin vendas. Ata thanë se nga vjeshta e deri më sot kanë shitur vetëm 20% të prodhimit, pasi po i konkuron molla e importit, kryesisht nga Greqia e Serbia. Sektori i blegtorisë pritet të vijojë rënien në krerë edhe në vitin 2024, teksa eksportet janë të varura nga prodhimi i ulët dhe cilësia. Serrat optimiste, por prodhimi në fushë në rënie. Në një pronocim për një TV, Mariglen Ziu, i cili zotëron një serrë rreth 1 hektar në zonën e Samaticës në Berat ka thënë: “Ne jemi optimistë për vitin 2024, pasi këtë vit janë shtuar sipërfaqet e serrave që do të mbillen. Në vitin 2024 do të kemi më shumë prodhim. Kulturat që do të dominojnë janë domatja dhe kastraveci me gjemba, por nuk përjashtohen dhe shumëllojshmëritë e specit”. Por këto janë një sipërfaqe shumë e vogël në raport me mijëra hektarë në fushë të hapur. Serat janë shumë të vogla në raport me këtë sipërfaqe. Pra bujqësia nuk duhet të matet me  serrat, por me të gjithë hapësirat e mbjella dhe jashtë serave ku shihen ditë të zymta. Po ashtu sektori i blegtorisë u përkeqësua më tej vitin e kaluar, pasi numri i bagëtive ra si për gjedhin, delet dhe dhitë, të cilat ndikuan edhe në rënien e prodhimit të qumështit. Sipas të dhënave të INSTAT, numri i gjedhëve në vitin 2022 është 362.583 krerë, duke shënuar rënie me 12,76 %, në krahasim me vitin 2019. Përqendrimi më i madh i numrit të krerëve është në qarkun e Fierit me 16,15 % dhe në qarkun e Korçës me 10,87 % ndaj numrit gjithsej të gjedhëve. Në vitin 2022, numri i të leshtave është 1,55 milionë krerë, duke shënuar rënie me 11,40 %, krahasuar me vitin 2019. Kategoria kryesore e të leshtave përbëhet nga delet e qumështit me rreth 75,39 % ndaj numrit gjithsej të tufës. Përqendrimi më i madh i numrit të të leshtave është në qarkun e Vlorës me 23,92 % dhe në qarkun e Korçës me 15,79 % ndaj numrit gjithsej të krerëve. Shpesh herë fermerët dhe blegtorët kritikohen për cilësinë. Po a janë ata fajtor për cilësinë? A ka laborator? Çfarë bën shteti për laboratorët dhe ndihmën në këtë drejtim?!

–         Problemet e bujqësisë dhe blegtorëve shqiptarë nuk kanë të mbaruar. Jo vetëm konkurrenca e jashtme, por edhe organizimi i punës dhe ndihma e shtetit vlen për të dëshiruar.

Përmes këtij shkrimi dua që të falënderoj, të mbështes dhe të inkurajoj të gjithë fermerët dhe blegtorët reagues e protestues të Shqipërisë. Dua që të falenderoj dhe të inkurajoj të gjithë agronomët dhe veterinerët e profesionit dhe meritës, qëllimisht të mënjanuar nga punët dhe funksionet e tyre jetike për bujqësinë dhe gjithë shoqërinë shqiptare. Në mënyrë të veçantë, mbështes dhe inkurajoj zërin dhe protestën e profesorëve dhe ekspertëve të shkëlqyer të bujqësisë shqiptare, qëllimisht të përjashtuar e mënjanuar nga strukturat e verbëra të injorancës dhe korrupsionit.

 Mbi të gjitha dua të theksoj faktin që nuk duhen fajësuar fermerët, as blegtorët, sepse ata janë viktimat më të mëdha të injorancës dhe korrupsionit në bujqësi. E njoh shumë mirë situatën e vështirë në të cilën punojnë e jetojnë fermerët, agronomët, veterinerët, por edhe profesorët dhe ekspertët e meritës dhe fjalës së lirë. Unë e di dhe e kuptoj se sa vuan kjo pjesë elitë e qëndrestare e bujqësisë, e cila po përballet me vështirësi, fyerje, përgojime dhe sulme tinëzare pa fund e nga të gjitha anët.

Për të gjithë ata që për këtë situatë të trishtë guxojnë të fajësojnë fermerët dhe blegtorët e vjedhur, të rrënuar e në prag të dëbimit nga toka dhe atdheu i tyre, po ju kujtoj që shkaku i vërtetë janë politikat e gabuara dhe njerëzit pa shpirt e pa moral agronomik e veterinarë që janë katapultuar në krye të institucioneve të bujqësisë.

Për ju që guxoni të fajësoni fermerët e blegtorët, viktimat më të mëdha të injorancës dhe korrupsionit me fondet, investimet dhe politikat bujqësore, po ju kujtoj disa nga faktet lehtësisht të vërtetueshme e të kudo gjëndura në fshatrat dhe njësitë administrative të vendit.

 -Cilat janë këto fakte? A dihen nga shteti? A ka standarte europiane në kërkesat ndaj ndihmës dhe prodhimit?

Të korruptuarit nuk mund të shfajësohen më gjatë duke fajësuar fermerët për strukturën varietore dhe as blegtorët për strukturën rracore të tufave të tyre. Kjo nuk mund të bëhëj as në kohërat e shoqërive primitive, sepse stokun e mollëve në Korçë, pikë së pari e shkakton korrupsioni me liçensat e importeve, e sidomos mungesa e politikave rajonizuese e mbrojtëse për prodhimet e vëndit. Politika që nuk ekzistojnë as për një muaj të vitit, të mjaftueshme sa për të shpëtuar qindra prodhues të mollës. Problemin e asgjësimit të blegtorisë, si dhe protestën e fermerëve nuk po e shkakton struktura rracore e tufave, por korrupsioni me importet e vajit të palmës, të miellit, të qumshtit, të mishit dhe të bulmetit të mirë subvencionuar nga vëndet prodhuese, e që futen e qarkullojnë në tregjet tona pa rregull e pa kontrollet e duhura. Fermerët dhe blegtorët e Shqipërisë punojnë e prodhojnë, ndërsa kontrollet, strukturat varietore, rajonizimet, teknologjitë dhe cilësinë e kanë në dorë agronomët dhe veterinerët, e që fatkeqësisht prej kohësh janë përzënë nga detyrat e tyre profesionale.

Nuk mund të fajësohen fermerët, as blegtorët e Shqipërisë për mungesën e laboratorëve dhe të kontrollit të cilësisë në tregje e dogana. As për mbetjet kimike në produkte, sepse mbetjet kimike i njef dhe duhet t’i drejtojë agronomi dhe veterineri, kontrollohen me aparatura e paisje bashkëkohore e jo me facebook.

Nuk mund të fajësohen fermerëët as blegtorët për mungesën e politikave mbrojtëse, subvencionuese dhe fiskale në shërbim të prodhimit. Këto politika duhen bërë nga institucionet, e gjithmonë në shërbim të prodhimit vendas, nuk mund të bëhen nga të paditurit, të korruptuarit e as thjeshtë e vetëm në shërbim të importuesve.

Me investimet dhe fondet e IPARD, duket që janë pasuruar të korruptuarit, ndërsa janë varfëruar fermerët dhe blegtorët, e këtu nuk mund të fajësohen viktimat. Politikat buxhetore për bujqësinë nuk i bëjnë fermeret, as blegtorët. Sikurse dihet edhe këtë vit, buxhetin për bujqësinë e kollandrisën dhe kaluan pa asnjë debat e konsultë publike, e kjo e dëmton bujqësinë dhe demografinë e vëndit.

Për të gjithë ata që bëjnë propagandë duke fajësuar fermerët e blegtorët, e mbi të gjitha për lexuesin, po risjell në vëmëdje faktin që fermerët nuk mund të fajësohen kurrë për buxhetin e munguar apo të cunguar të bujqësisë.

Sepse nuk ka faj fermeri as blegtori që edhe për vitin 2024, është programuar një buxhet prej 14.1 miliardë lekë, e barabartë me rreth 135 milionë euro. Kjo përbën vetëm 1.9 % e buxhetit që do të shpenzohet për më shumë se 45% të shqiptarëve që jetojnë në zonat rurale, e që janë të lidhur me bujqësinë.

Nuk mund të fajësohen fermerët as blegtorët që edhe buxheti për vitin 2024, në vend që të rritej, është rreth 18 milion euro më pak se ai i vitit të kaluar, ose 11.6% më pak se sa buxheti për 2023. Ulja e buxhetit me patjetër që do të reflektohet në të gjithë jetën tonë shoqërore e prodhuese. Edhe kjo ulje nuk e ka burimin nga fermerët, as nga blegtorët, që janë viktimat e kësaj papërgjegjshmërie.

Kjo do të thotë se edhe këtë vit do ketë më pak investime të brendshme (vetëm 26.9 milion euro ose 10.8 % më pak se në vitin 2023), dhe më pak investime të huaja me rreth 28.6 milion (ose 18 % me pak se në vitin 2023).

Nuk mund të fajësohen fermerët, as blegtorët, as për mungesën e laboratorëve dhe raftet e dosjeve fiktive për frigoriferët, pikat e grumbullimit dhe objektet e industrisë agropërpunuese, që janë në letra, por që nuk kanë funksionuar as edhe një ditë në shërbim të bujqësisë.

Nuk mund të fajësohen fermerët, as blegtorët, as për shkurtimin e buxhetit për zhvillimin rural (ku është reduktuar me 30%), e as të buxhetit për skemat mbështetëse (reduktuar me 45,5%).

Kjo në një kohë kur sikurse dihet, është hapur edhe një gropë e përmasave të mëdha nga korrupsioni dhe abuzivizmi me fondet e IPARD, e kjo jo për fajin e fermerëve dhe blegtorëve.

Nuk kanë asnjë faj fermeret dhe as blegtorët. Analistët dhe propaganduesit pa moral dhe profesion, duhet ta kërkojnë fajin tek administrata e korruptuar e pa pikë profesionalizmi. Sepse: është administrata ajo që edhe në buxhetin e vitit 2024, nuk ka parashikuar politika fiskale mbrojtëse e lehtësuese për prodhuesit vendas. Kjo duket në faktin që gjatë importit të produkteve bujqësore, dihet që rimbursohet taksa 20 % e TVSH. Ndërsa për prodhimin vendas nuk ka rimbursim, e as subvencionim mbi bazën e prodhimit, kjo e vret konkurueshmërinë e  prodhimit vëndas. Kjo harresë (uroj të mos jetë e qëllimshme), e ka shkatërruar edhe më shumë prodhimin vendas, duke e ulur interesin e përpunuesve për blerjen e qumshtit të tufave tona. E kështu do të mund të vazhdojmë pa fund me probleme që nuk janë shkaktuar nga fermerët e as nga blegtorët, por që janë shkaktuar nga politikat e gabuara korruptive, e jo profesionale.

-Si do ta përmbledhësh këtë situatë? A ka zgjidhje? Dihen shkaktarët, por a do ndihmohen blegtorët dhe fermerët dhe si? A do dalim nga kjo gjendje?

Për ta përmbyllur, duhet të kuptojmë faktin që kostoja e shkatërrimit të bujqësisë është shumë e rëndë e me pasoja afatgjata. Sikurse duhet të kuptojmë edhe domosdoshmërinë e stopimit të shkatërrimit të mëtejshëm, e që kjo bëhet duke reaguar me vëndosmëri kundër politikave dhe përsonazheve të gabuara, që me sjelljen e tyre kanë shkatërruar e po shkatërrojnë punësimin dhe prodhimin bujqësor. Duhet të kuptojmë faktin që protestat e fermerëve dhe blegtorëve të Shqipërisë, janë një domosdoshmëri dhe rreze e pastër drite e shprese për të shpëtuar sa më parë nga këto praktika të gabuara të drejtimit dhe menaxhimit të bujqësisë dhe blegtorisë shqiptare.

Unë mendoj që fermerët dhe blegtorët mund dhe duhet të fajësohen vetëm për shkakun që nuk reaguan, e që përsëri nuk po reagojnë sa duhet në mbrojtje të bujqësisë, blegtorisë, pronës dhe mirëqënies së familjeve të tyre.