Lëvizja\UÇK

Organizata e Dëshmorëve: Atdheu mbrohet me trimëri por edhe me dituri (Në 75 vjetorin e rënies së Dëshmorit të Atdheut, Thoma Kalefi)

Në një mjedis me njerëz të përgjegjshëm dhe të përkushtuar për vlerat e kombit dhe të atyre që bënë histori, me emocione dhe ngrohtësi dashamirëse dhe miqësore, në sallën e konferencave të Hotel “Skampa” Elbasan, përkujtuam sot, 75 vjetorin e rënies së Dëshmorit të Atdheut, djalit me trimëri dhe principe të veçanta, Thoma Kalefi. Në vazhdim të nismës së OFDA Elbasan, “Dëshmorët për Dëshmorët”, veprimtarinë e rastit, e përgatiti shkolla 9-vjeçare “Sulë Harri”. Ishin të pranishëm deputetja e Partisë Socialiste për Elbasanin, zj. Evis Kushi, Sekretarja e Përgjithshme e Prefekturës për Qarkun Elbasan, znj. Eva Bica, nën/kryetari i Këshillit të Qarkut Elbasan, z. Ymer Tola, kryetarja e OFDA Elbasan, Xhuljeta Graceni, anëtarë të kryesisë dhe të OFDA Elbasan, kryetari i Komitetit të Veteranëve të LANÇ Dega Elbasan, Pëllumb Ekmekçiu, anëtarë të kryesisë dhe anëtarë të tjerë të kësaj organizate, mësues të shkollës “Sulë Harri” dhe të shkollave të ndryshme të Elbasanit, mësuese tashmë pensioniste, të cilat kanë dhënë mësim në ish shkollën “Thoma Kalefi”, shkollë e cila ndër vite, ka nxjerrë kuadro të përgatitur në fusha të ndryshme, në shërbim të vendit. Ndërkohë, ishin të pranishëm nipërit e Dëshmorit të Atdheut Thoma Kalefi, Frederik Kalefi dhe Lumturi Toda bashkë me familjet e tyre. Një tjetër emocion i bukur, që tregon rrënjë të thella të trashëgimisë familjare dhe atdhetare të kësaj familjeje, ishte prania e Thoma Kalefit të ri, mjek reanimator në QSUT, i cili trashëgon me nder, emrin e Dëshmorit të Atdheut, për të cilin kishim detyrimin e radhës, dhe e përkujtuam sot. Në fjalën e hapjes së kësaj veprimtarie, Xhuljeta Graceni, kryetare e OFDA Elbasan, falënderoi përzemërsisht të gjithë të pranishmit, si dhe ata familjarë të dëshmorit, të cilët shpirtërisht ishin në këtë sallë solemne. Ajo theksoi rëndësinë e vlerave historike të LANÇ, dhe përgëzoi në emër të OFDA Elbasan drejtorinë e shkollës 9-vjeçare “Sulë Harri”, trupën mësimore të kësaj shkolle, dhe mësuesen e përkushtuar Violeta Kuqi, e cila, jo vetëm organizon nxënësit dhe këmbëngul për më të mirën, por është edhe një krijuese dhe novatore vlerash, të cilat janë shembull i veçantë në sferën edukative dhe mësim dhënëse. Pas fjalës së hapjes, përshëndeti Deputetja e Partisë Socialiste për Elbasanin, zj. Evis Kushi, e cila theksoi se tradita e ruajtjes dhe kujtimit të ngjarjeve historike të kombit, është detyrë fisnike, dhe OFDA Elbasan, këtë po e bën më së miri. Brenda këtyre vlerave, është pa dyshim edhe figura e Dëshmorit të Atdheut, Thoma Kalefi, të cilin me shumë respekt e përkujtojmë në 75 vjetorin e rënies së tij, vazhdoi zj. Kushi. Në vijim Deputetja Kushi, tha, se Dëshmorit Thoma Kalefi, ia kemi detyrim rivendosjen e emrit në një shkollë të Elbasanit, për të riparuar një padrejtësi të kohës së shkuar. Për familjen, jetën dhe veprën historike të Dëshmorit Thoma Kalefi, kumtesën e mbajti Bardhul Toda. Në këtë kumtesë me përmbajtje të thelluar kërkimore e studimore, ai përmblodhi ngjarje të ndryshme nga jeta e Dëshmorit Thoma Kalefi, si një nga luftëtarët idealistë, të pa zmbrapsur para çdo lloj rreziku e torture fashiste, që në jetën e Thoma Kalefit, janë shumë të ngjeshura. Një nga parimet që e udhëhoqi këtë të ri, sot Dëshmor i Atdheut, veç guximit dhe trimërisë së pa shoqe, në ndërgjegjen e tij ishte deviza: Atdheu mbrohet me trimëri, por edhe me dituri!” Brenda këtij parimi, Thoma Kalefi ishte djali i Elbasanit, i cili në moshën 20-vjeçare, zotëronte tri gjuhë të huaja. Ai ishte frankofon i zellshëm, një anglisht folës i mirë, po ashtu zotëronte mjaft mirë edhe gjuhën zyrtare të ish Jugosllavisë së kohës që jetoi. Po kështu, ai kishte edhe shpirt artisti, ku pasioni i tij i veçantë në këtë fushë, ishte violina. Pas arratisjes nga burgu politik i Tiranës i veshur si mjek, në korrik të vitit 1943, me ndihmën e njësit gueril të Tiranës, Thoma Kalefi e vazhdon luftën e tij kundër pushtuesve dhe bashkëpunëtorëve me armikun, në Çetën e Pezës. Ai ishte emisar politik i kësaj çete, dhe mbante lidhje të ngushta me qarkorin e Elbasanit. Ai arrestohet në fshatin Kózan të Elbasanit, ku ndodhej atje me një shoqe lufte, me emrin Liri Dodbiba. Arrestimi i tyre u bë më 4 maj 1944, dhe Thomain apo Tomën siç e thërrisnin të gjithë, e mbajnë pesë ditë nën tortura të egra. Qëndresa e tij ishte e pa parashikuar. Mes të gjitha torturave, me këmbëngulje atij i kërkohej të nënshkruante një deklaratë, ku të shprehej se do të hiqte dorë nga LANÇ dhe ideali i tij. Këtë turp, Thoma Kalefi nuk e pranoi me asnjë çmim. Të dorëzuar para qëndresës së jashtëzakonshme të Tomës, pas pesë ditë torturash fizike dhe psikologjike, mëngjesin e 9 majit, Thoma Kalefin, xhandarët e nxjerrin duar lidhur tek Sheshi i Tabakëve, para Kullës së Sindanit.

Në atë vend që njihet si Sheshi i Tabakëve në Elbasan, u shua jeta e djalit trim të lagjes Shënkoll, dhe djalit trim të Elbasanit, Thoma Kalefi. Edhe pas vrasjes, mllefi çnjerëzor kundër tij, vazhdoi. Trupin ia lanë përgjatë gjithë ditës të shtrirë aty në shesh, duke mos lejuar as nënën, as të afërmit, as banorët e lagjes Shënkoll apo qytetarë të tjerë të afroheshin dhe ta merrnin… Të nderuar miq dhe trashëgimtarë të familjes Kalefi! Sot nuk përkujtuam thjeshtë një jetë dëshmori të Elbasanit, por ky dëshmor, si dhe të gjithë Dëshmorët e Atdheut të rënë në LANÇ, janë shtysa, që ne të kujtojmë dhe të kuptojmë, se pa sakrificën, guximin, vetëmohimin dhe idealizmin e tyre, fitorja e lirisë nuk do të kishte ardhur kurrë. Kjo fitore, në sajë të vetëmohimit të tyre, është një nga krenaritë më të mëdha dhe më të përligjura kombëtare, sikundër periudha e Skënderbeut, Lidhja e Prizrenit, Shpallja e Pavarsisë dhe LANÇ shqiptare, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ata luftuan pa e përfillur jetën, dhe dolën duke buzëqeshur para vdekjes. Ata nuk lejuan bashkëpunëtorët me fashizmin të bënin pazare me vendin, dhe luftuan për Shqipërinë me parimin e moralit më të shenjtë, dhe besnikë deri në fund ndaj idealit të lirisë, aspirata që i ka çdo shqiptar i ndershëm, çdo shqiptar që sot e do po me atë forcë të ardhmen e vendit, e do Shqipërinë anëtare në BE. Kryesia e OFDA Dega Elbasan, falënderon edhe një herë drejtorinë e shkollës “Sulë Harri”, të drejtuar nga zj. Eda Ekmekçiu, trupën mësimore të kësaj shkolle, dhe mësuesen Violeta Kuqi, të përkushtuarën deri në sakrificë, për të bërë gjithmonë gjëra të bukura dhe me trashëgimi vlerash! Lavdi Dëshmorit të Atdheut Thoma Kalefi! Lavdi të gjithë Dëshmorëve të Atdheut!

Postimet e fundit !