(Pjesë nga kumtesa DRAMA E ASPIRATAVE KOMBËTARE e lexuar në Simpoziumin “Adem Demaçi – Ura mbi të cilën kalon liria e Kosovës”, mbajtur në Volkshaus të Cyrihut, më 21.02.20161.)
Drama “Politika dhe pushka” e shkrimtarit Adem Demaçi është vepër e veçantë e letërsisë shqipe. Nëse jo kryevepër, në saje të temës, idesë, porosisë dhe vlerave letrare, padyshim, kjo dramë do të mbetet vepra më autobiografike dhe më e çmuar e autorit të saj. Në favor të këtij pohimi flet edhe fakti se, më mirë dhe më besnikërisht se në asnjë vepër tjetër e tij, në këtë dramë pasqyrohet artistikisht ideali jetësor i autorit, çështja e pazgjidhur shqiptare, qëndresa e shtresave të gjëra popullore, përpjekjet e brezave për liri e pavarësi dhe aspiratat e popullit tonë për bashkim kombëtar. Drama është e shkruar në burg, brenda muajve shkurt dhe mars të vitit 1970, në kohën kur lëvizja kombëtare, politike, shoqërore dhe kulturore legale dhe ilegale e Kosovës po organizohej, po masivizohej dhe kur populli me çdo kusht duhej të përgatitej për luftën finale për çlirim nga robëria serbe. E frymëzuar nga ngjarje të mëdha historike dhe e shkruar me qëllime praktike mobilizuese organizative, për arsye të njohura botërisht, drama do të mbetet e burgosur, njësoj si autori i saj, dhe, për më shumë se dyzet vjet, nuk do të arrijë të kontaktojë me lexuesin e as me skenën e teatrit dhe, kësisoj, as ta përçojë porosinë e saj politike, shoqërore dhe letrare.2.Drama për temë ka luftën, diplomacinë, filozofinë politike dhe organizimin e mirëfilltë të luftës çlirimtare dhe është jehonë letrare e programeve politike-luftarake të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” e themeluar në vitin 1918 dhe organizatës”Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve” e themeluar në vitin 1963. Struktura e kompozicionit të dramës ndërtohet përmes pesë akteve, tablove e pamjeve të shumta, ndërsa ngjarjet e saj zhvillohen në hapësira dhe vende të ndryshme si në kabinetin e punës dhe në shtëpinë e Nikolla Pashiqit, në kafenenë provinciale e quajtur “Orijent”, në një dhomë të një qendre atdhetare në Shkodër, në shtëpinë e hanxhiut Banush Berila, në Shotorr të Llapit, në pyjet Kosmaç e Gërdeç dhe në fshatrat e Drenicës gjatë harkut kohor dhjetor 1920 – gusht 1924. Zhvillimi i ngjarjeve të dramës përkon me pranimin e Shqipërisë së vitit 1913 në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, respektivisht me prishjen e ëndrrës serbe për pushtimin e Shqipërisë dhe daljen në Durrës, me ringjalljen e shpresës së shqiptarëve për çlirim e bashkim kombëtar dhe me organizimin e lëvizjes së armatosur çlirimtare shqiptare nën udhëheqjen e prijësit Azem Galica. Lufta shekullore shqiptare-serbe, e vënë në qendër të dramës përmes një galerie personazhesh reale dhe të imagjinuara, shpaloset nëpërmjet bisedave të N. Pashiqit ku zbërthehet doktrina serbe për shfarosjen e shqiptarëve, nëpërmjet masakrave serbe në masat e gjëra shqiptare, tensioneve të ngritura ndërluftuese, debateve të shumta të krerëve kryengritës për gjetjen e rrugës së lirisë, aksioneve guerile të luftëtarëve të atdheut, tendosjeve dhe lojërave të pabesa të qarqeve diplomatike ballkanike dhe evropiane, marrëveshjeve të kurdisura të armikut me elementin atdhemohues dhe, në fund, nëpërmjet tradhtisë tradicionale sllave. Tri personazhet kryesore të dramës, Nikolla Pashiqi, Azem Galica dhe Nurë Shatri, i pari kryeministër i Serbisë, i dyti udhëheqës i Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe i treti këshilltar politik i Azem Galicës, krijojnë treshen simbolike të zhvillimeve politike të kohës dhe mbartin peshën e misionit të veprës letrare. Të gjitha personazhet tjera si Shota Galica, Shaban Manxholli, Mehmet Delia, Emin Lati, Hasan Prishtina, Bajram Curri, Luigj Gurakuqi, Nazim Gafurri, Mushan Jahudia, Salih Siqani, Banush Berila, Dara dhe Rade Pashiqi, Momçillo Ninçiqi, etj. e përmbushin rrëfimin dramatik me identitete të veçanta, me ide nga më të ndryshmet, me veprime konkrete, me situata të llojllojshme shpirtërore dhe, si ansambël kuptimplotë, ato vihen në shërbim të porosisë së veprës. Syzheu i dramës rrjedh në mënyrë normale pa thyerje të komplikuara dhe formon një tablo epokale, një epope moderne bashkëkohore. Shtresat kuptimore të dramës të ndërtuara nëpërmjet kategorive kuptimore, si: ideja, debati, ligjërata, thirrja, definicioni, portreti i politikanit, sistemet filozofike, sistemet shoqërore, ekonomia politike, revolucioni, shtyllat e pushtetit, objektiviteti, zhvillimi dialektik i gjërave, largpamësia politike, nënvlerësimi dhe mbivlerësimi i armikut, dobësitë dhe veset e politikanit, indiferenca, sedra, vetëkënaqësia, vetëmashtrimi, karrierizmi, mjeshtëria e heshtjes, sistemi shkencor i të menduarit, materializmi dialektik, dobësitë e shqiptarit, vetëdija e fjetur kombëtare, vëllavrasja, pabesia sllave, mos dorëzimi i armëve, përgatitja për luftë, shikimi i problemit nga të gjitha anët, vigjilenca, roli i prijësit në momentin historik, ndihmat materiale për luftë, lidhshmëria e gjërave, zgjidhja e problemeve sipas radhës dhe peshës, sprovimi i bashkëluftëtarit, disiplina, morali, vetëbesimi, vendosmëria, flijimi për ideal, disfatizmi, pacifizmi, përçarjet, injoranca, autoriteti, vullneti si komponentë psikologjike, spontaniteti dhe organizimi, negociatat si manovrim i kulluar, organizimi me program të qartë politik dhe me një strategji e taktikë përkatëse të menduar mirë, kushti që ushtria t’i bindet politikës, aksionet guerile, e kështu me radhë, shtresa kuptimore këto, që, nëpërmjet bisedave spontane dhe të qëllimshme, të lidhura tok në një bosht, formojnë temën dhe motivet kryesore të veprës, qëndresën, organizimin dhe luftën e armatosur, si akte të vetëdijesimit më të lartë të secilit popull të robëruar…