Komenti

Arban Bislimi: Cinizmi i Lajçakut dhe testbaloni i tij medial

Lajçak vjen në Prishtinë. Zyrtari sllovak, rrogëtar Evropian, u ilustrua para një jave me shfaqjen në zyrën e tij të një harte të Evropës, ku Kosova shfaqej sipas Kushtetutës së Serbisë gjenocidare, si pjesë e saj. Edhe më skandaloze ishte deklarata e Lajçakut dhe rrogëtarëve tjerë evropianë, që deklaruan me agresivitet dhe përbuzje, se “BE-ja ka status neutraliteti karshi statusit të Kosovës”, me fjalë, posturë dhe tone përçmuese ndaj opinionit shqiptar të Kosovës, duke u indinjuar pse e bëjnë të madhe shqiptarët këtë provokim të tij! Neutraliteti është të qëndrosh i paanshëm, jo të përdorësh hartat dhe argumentet e njërës palë kundër palës tjetër. Njëkohësisht duhet të kesh parasysh ndjeshmërinë e palëve, veçanërisht kur nuk bëhet fjalë për çështje ekonomike margjinale, si kuotat e peshkimit evropian (edhe kjo realisht temë e nxehtë, që mund t’i vë flakën Evropës), por për rregullimin e marrëdhënieve ndërmjet një vendi, që ka kryer gjenocidë dhe vendit, që u çlirua me flijim 100 vjeçar prej këtij vendi. Mund të ketë ngjarë në historinë evropiane, që një vend si Çekia të ketë braktisur vullnetarisht një pjesë të territorit të saj rural dhe ortodoks si Sllovakinë, por nuk është rasti i Kosovës, çmimi i të cilës është çmimi i gjakut. Por, një pjesë e madhe e fajit për mungesën e respektit dhe ndjeshmërisë së rrogtarëve të Bashkimit Evropian karshi ndjenjave, historisë dhe integritetit të vendit dhe qytetarëve tanë e kanë vet klasa politike dhe diplomatike e Kosovës. Serbia është në gjendje të shpreh krejt atë mllef dhe atë indinjatë për saherë shfaqet flamuri i Kosovës në ndonjë forum ndërkombëtar apo edhe në ngjarje të rëndomta sikur të ishte Flamuri i Hitlerit, gjersa shqiptarët tanë qyqarë, nuk janë të vetdijshëm as vet se Serbia ka kryer gjenocidë dhe krime tjera njëqindvjeçare ndaj popullit shqiptar në trojet e veta nën Jugosllavi. Kemi pasur edhe të tillë ministra që pak nga malli e shumë nga serviliteti kanë qenë të gatshëm të marrin edhe foto të fëmijëve të tyre në krahët e Ministrit të Milosheviçit. Asnjëherë, nuk u kanë thënë, thjesht: “Zotërinj! Lufta e juaj botërore ka përfunduar para 75 vitesh dhe ju ende mbani përvjetore për të kujtuar dhimbjen dhe fitoren tuaj dhe nuk lejoni përdorimin e simbolikave apo apologjinë ndaj asaj periudhe të kobshme për vendin tuaj dhe njerëzimin mbarë. Lufta botërore për ne ishte para 20 vitesh, Hitleri ynë ishte para 20 vitesh, masakrimi sistematik i grave, fëmijëve dhe pleqve tanë nga ushtria e Serbisë gjenocidare ishte para 20 vitesh”. Neve edhe mund të ulemi të bisedojmë për çështje teknike, të rregullojmë ato çështje që na takojnë si vende fqinje, por ne nuk do të harrojmë asnjëherë dhe ne nuk tolerojmë fjalor, simbolikë apo çfarëdo që fyen ndjenjat e qytetarëve tanë dhe integritetin e vendit tonë. Neve nuk lejojmë barazim të ndjenjave të Serbisë gjenocidale me ato të viktimave të gjenocidit. Për ne shqiptarët pamja e një harte, ku Kosova është pjesë e Serbisë është e ngjashme sikur juve të shifni një zyrtar të një vendi, duke pozuar krenar me uniformë naziste. Prandaj, të keni kujdes! Ndryshe, si mund të jeni ju lehtësues i një dialogu të tillë? Njeriu, ashtu si dhe kombet, ekzistojnë dhe definohen përmes atyre që refuzojnë, përtej ekzistencializmit të këtij paradigmi, urojmë vërtetë që Kombi Shqiptar të hyej apo të kthehet në histori me lavditë, të arriturat, dinjitetin dhe refuzimin e nëpërkëmbjes së dinjitetit të tij. Kjo nuk mund të arrihet me njerëz pa vullnet dhe pa vizion për Atdheun dhe botën, ndryshe populli shqiptar do vazhdoj të përçmohet, të shtyhet e të pështyhet ashtu siç ndodhi edhe nē këtë rast.