Gjykata Kushtetuse/Ambasadorja amerikane thirrje të fortë palëve: Duhet të lëvizin me urgjencë
Ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim u ka bërë një thirrje të forte palëve politike në Shqipëri që të lëvizin me urgjencë për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese para datës 31 dhjetor.
Ambasadorja vlerëson takimin e djeshëm të KED, duke shtuar se ky institucion bashkë me Presidencën dhe Parlamentin duhet të veprojnë në përputhje me Komisionin e Venecias.
“Takimi i djeshëm tregon bashkëpunimin e KED, Presidencës dhe Parlamentit për të vepruar me urgjencë në përputhje me opinionin e Komisionit të Venecias. Sjell një hap më afër një Gjykate Kushtetuese që funksionon deri më 31 Dhjetor. Palët përkatëse duhet të vazhdojnë të lëvizin me urgjencë”, shkruan Yuri Kim në rrjetet sociale.
Kujtojmë që kjo nuk është hera e parë që ambasadorja amerikane thekson se Gjykata Kushtetuese duhet të bëhet funksionale deri në fund të vitit, duke lëshuar mesazhe të forta për palët.