Lëvizja\UÇK

B. Tahiri: MBLEDHJA E DYTË E PËRGJITHSHME E SHOQËRISË “LËVIZJA”

MBLEDHJA E DYTË E PËRGJITHSHME E SHOQËRISË “LËVIZJA”
Në Shkup, më 9 mars 2024, u mbajt Mbledhja e Dytë e Përgjithshme e Shoqërisë „Lëvizja“. Në Mbledhje ishin 60 delegatë nga qytetet shqiptare të Shqipërisë Verilindore (Shqipëria këndej Drinit). Këtë mbledhje e hapi dhe moderoi me elokuencë, Bekim Adili. Mbledhjen e Shoqërisë e nderoi me ardhjen e tij edhe Ali Ahmeti, një nga drejtuesit e LPK – së dhe të Luftës Çlirimtare të UÇK – së në Kosovën pa vise dhe në Maqedoninë tonë.
Fjalën e mirë se ardhjes, në vend të Ulusi Beqirit, që s’ishte mirë me shëndet, e lexoi Mirvan Xhemajli. Kurse në emër të Shoqatës së Burgosurve Politikë delegatët i përshëndeti Kryetari i saj, Shefik Sadiku.
Mbledhjen e nderoi me një fjalë rasti edhe nikoqiri, Drejtori i ITSHKSH – së, Prof. Dr. Skender Hasani. Në fjalën e tij ai, në mënyrë kronologjike përmendi fazat historike, duke nisur nga Kongresi i Manastirit, Konferenca e Londrës, ajo e Versajës, për Komitetin „Mbrojta Kombëtare e Kosovës, etj.. Një pjesë të fjalimit, Drejtori ia kushtoi simbolit të qëndresës, Nderit të Kombit, Adem Demaçit, Pranverës Shqiptare ’81, të burgosurve politikë, LPK-së dhe UÇK-së. Vitet e fundit, pas fillimit të luftës në Ukrainë, Rusia dhe aleatët e saj, sidomos Serbia, është e angazhuar dhe përqendruar dhe po i përkrah qarqet dhe forcat antishqiptare (proruse) në Maqedoninë tonë. Por, kam besim që plejada e atdhetarëve nuk do të lejojë asnjëherë t’i bëhet ndonjë e keqe kombit tonë dhe nga ky vend do të ketë një reflektim për t`u bashkuar përmes integrimeve euroatlantike, përfundoi Dretori i Institutit!
Në pamundësi për të ardhur në Mbledhje, anëtari i Kryesisë ga Tirana, Dilaver Goxhaj (“Shpëtim Golemi”) kishte dërguar telegram, në të cilin kishte shkruar se shteti amë është bashkë me ne, se Gjykata Specilale është një paradoks, etj.
Në këtë Mbledhje Shoqëria LËVIZJA i dha Mirënjohje veprimtarit dhe atdhetarit të dalluar Luan Veliut, të cilën e mori nga dora e Hydajet Hysenit…
Kryetari i Shoqërisë „Lëvizja“ përshendeti të pranishmit dhe paraqiti rendin e ditës, i cili u pranua me një ndryshim që propozoi Emrush Xhemajli për zgjedhjen e Kryetarit të Shoqërisë nga Mbledhja e Përgjithshme. Mbledhja zgjodhi Kryesinë e saj prej pesë vetash: Xhevat Bislimi, Ulusi Beqiri, Sejdi Gega, Zarie Bajrami dhe Guximtar Labënishti. Njëherit u zgjodhën edhe dy procesmbajtës: Bejtullah Tahiri dhe Merita Ibrahimi.Ndërkohë erdhi Ali Ahmeti, i cili u prit me duartrokitje nga të pranishmit. Ai foli për rëndësinë dhe rolin historik të LPK-së në përballje me pushtuesit dhe për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë nga Jugosllavia.
Në vazhdim u paraqit raporti për veprimtarinë e Shoqërisë nga kryetari Xhevat Bislimi dhe raporti për veprimtarinë e Degës nga kryetari i Degës, Sejdi Gega. Ndërsa raportin financiar e paraqiti sekretari për financa i Shoqërisë, Izet Ibrahimi, i cili tha se veprimtaritë janë mbuluar vetëm 13% me financa të Shoqërisë, kurse pjesa tjetër e veprimtarive janë organizuar dhe mbajtur me financa dhe shpenzime individuale nga drejtuesit dhe disa shokë aktivë të Shoqërisë. Sekretari për financa kërkoi që të ketë përkrahje më të madhe financiare. Në vazhdim ai tha se barra më e madhe e veprimtarinë ka ra mbi kryetarin dhe disa anëtarë aktivë të Shoqërisë. Ndërsa prej degëve ai tha se më e mira ka qenë ajo e Maqedonisë shqiptare. Ndërsa prej komunave ai dalloi atë të Rahovecit, Kryetari i së cilës ka qenë mbështetës i veprimtarive të Shoqërisë. Sa i përket financave ai tha se dy vitet e fundit shoqëria ka poseduar 700 euro dhe ato vetëm nga Dega jashtë Atdheut. Ai apeloi për një unifikim për ta ndihmuar edhe më shumë Shoqërinë dhe që shpenzimet mos t`i mbeten vetëm kryesisë përndryshe do ta kemi vështirë të funksionojmë.
Ndersa për veprimtarinë e Degës raportoi Sejdi Gega, i cili tha se në arkën e kësaj Dege janë 3000 Fr zvicerane. Për punën e Degës foli edhe nënkryetari i saj, Basri Misini…
Për raportet e paraqitura e moren fjalën dhe diskutuan dia delegatë: Blerim Muriçi, Sami Hoxha, Bajram Ajeti, etj., të cilët patën vërejtje për disa shokë që ishin zgjedhur në organe drejtuese të Shoqërisë, por pas një kohe ishin pasivizuar… Prandsj, thanë këta delegatë, ata që zgjedhen dhe marrin përgjegjësi duhet edhe të angazhohen për projektet dhe veprimtarinë e Shoqërisë. Ata që zgjidhen duhet të jenë të gatshëm për punë. Të zgjidhet një Kryesi me shokë që kanë vullnetin, energjinë dhe kushtet për t’i përmbushur detyrat dhe kërkesat e ngarkuara nga Shoqëria. Është pak çudi dhe për lëvdatë si është kryer gjithë ajo veprimtari nga Shoqëria jonë me një përkrahje të vockēl financiare. Pas diskutimeve u miratuan raportet e paraqitura.
Te shqyrtimi i pikës: çështje statutare dhe organizative, Xhevat Bislimi propozoi që Shoqëria „Lëvizja“ të quhet Shoqëria Shqiptare „Lëvizja“. Por ky propozim nuk kaloi dhe mbeti emri i Shoqërisë ashtu siç ka qenë.
Propozimi për korrigjimin e emblemës (logos) u miratua nga delegatët. Shqiponjës lartë do t’i heqet fusha e kuqe (mbetet shqiponja e zezë) dhe logoja do të vendoset brenda një unaze, ku do të shkruhet: Shoqëria LËVIZJA.
Pati propozim edhe për rishikimin e funksionimit të degëve dhe mundësinë e unifikimit të Shoqërisë në trevat shqiptare (këndej Drinit)…
Izet Ibrahimi tha që Shoqëria jonë “Lëvizja” ka për qëllim hulumtimin, studimin dhe afirmimin jo vetëm të trashëgimisë së LPK – së, por edhe për trashëgiminë e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, përgjithësisht.
Mbledhja zgjodhi edhe Këshillin Drejtues me përfshirje të të gjitha qyteteve këndej Drinit dhe me përfaqësim të Mërgatës..
Pas zhgedhjes së Këshillit Drejtues, u propozua që kryetar i Shoqërisë „Lëvizja“ të zgjidhet Xhevat Bislimi, i cili u zgjodh unanimisht nga delegatët.
Gjatë këtij takimi u propozua që data e 2 Marsit të shpallet nga Tirana Ditë e Bashkimit Kombëtar.
Në fund Mbledhja autorizoi Kryetarin që të hartojë një Deklaratë politike për medie dhe për opinionin publik.
Bejtullah Tahiri