Nga Bujar QESJA

Doja ta bëja edhe unë një urim. Zakon profesional, por edhe ves tradicional në shërbim të qëllimit. Befasohem nga një pamje e rrallë, shumë, shumë tërheqëse, me format nxitës dhe shpirtëror. Janë dy të mëdhenj të arsimit durrsak, madje kapitujt thelbësorë të tij.

Shumë qytetari, shumë ndriçim, realizuar nga prozhektorët e fuqishëm të edukatës dhe kulturës së tyre të krijuar dhe trashëguar, ka në atë që quhet profesioni i tyre, që i shenjtëroi me bekimin dhe respektin e njerëzve. Janë Salvator Sotiri, i biri i arkitektit historik Kristo Sotiri dhe Polikseni Koçi, e bija e mësuesit të lindur Vlash Dushniku.

Bashkë në një foto. Bashkë në një magji. Poli mbush edhe pak ditë 80 vjetorin e lindjes. E ndërsa Salvator Sotiri, i lindur me 9 janar 1935 dhe mbylli sytë me 2 nëntor 2018, është në përjetësinë e kujtesës tonë. Pamja më vjen si vetë pranvera. Aroma e atyre luleve, del përtej fotos dhe vjen tek unë fuqishëm dhe më deh, më josh, më mbush me shumë krenari, me shumë mirënjohje.

Dyshe madhështore, kundrejt fisnikërisë që rrezatojnë, e kundrejt fisnikërisë pjesë e trashigimisë familjare. Të qeshur, si vetë karakteri i tyre. Të bukur si vetë shpirti dhe zemra e tyre. Të paraqitshëm, si vetë stina e luleve, ku 7 Marsi është në themel të saj.

Salvator Sotiri dhe Polikseni Dushniku, të lidhur me një buqetë me lule, buqeta më e bukur në botë, urojnë këtë ditë të madhe të kulturës dhe arsimit shqiptar. Ata urojnë, që puna e tyre të jetë vërtet një lule e bukur, që t’i qendroj si gjerdan i artë gjatë tërë kohës objektit të punës së tyre, nxënësve që kërkojnë dije dhe arsimim.

Polikseni Koçi dhe Salvator Sotiri, në gëzimin pa kufi të ditës së 7 Marsit. Sa shumë urojnë ato! Sa kënaqësi kanë ato! Sa dëshira për Durrësin dhe durrsakët kanë ato! Tori tashmë nga pavdeksia, e Poli nga realiteti aktiv i jetës.

Tori dhe Poli, ju duam shumë, aq sa koha gjithnjë, do të jetë në favor të kësaj dëshire.

Gëzuar 7 Marsin!