Uncategorised

Albulenë Halili: Fragment nga disertacioni i doktoratës: “Marrëdhëniet transatlantike në kuadër të globalizmit”

Një fragment nga disertacioni im i doktoratës “Marrëdhëniet transatlantike në kuadër të globalizmit”, 2021
Dallimet e mospajtimet pas krizës më të madhe në historinë e kësaj marrëdhënieje (më lart është folur për dallinet e aleatëve gjatë Luftës së Irakut) kanë të bëjnë me çështje të tjera po aq të rëndësishme, në krye të të cilave është kontributi financiar në buxhetin e mbrojtjes. Ky mospajtim kishte arritur majat gjatë administratës së Trampit, ku ai shprehimisht pati transmetuar pakënaqësinë e tij lidhur me këtë neglizhencë evropiane. Pas vitit 2014, në kohën kur Rusia po bëhet gjithnjë e më tepër agresive e e paparashikueshme duke grumbulluar forcat e saj ushtarake rreth kufirit lindor të NATO-s, duket sikur mjedisi i sigurisë evropiane ka filluar t’i ngjajë gjithnjë e më tepër atij të Luftës së Ftohtë. Aneksimi i një pjese të Ukrainës, si vend i interesuar për anëtarësim në NATO është tregues i qartë se ajo edhe po e përdor praktikisht forcën ushtarake për arritjen e qëllimeve të saja. Ndaj Evropa ka gjithnjë e më shumë nevojë për një angazhim amerikan në kontinent, qëllim i cili mund të arrihet vetëm në saje të një angazhimi po aq serioz nga vetë evropianët.
Vetë sekretari gjernaral i NATO-s përmes deklaratës së tij mbi domosdoshmërinë e kontributit të shteteve evropiane në buxhetin e mbrojtjes së NATO-s kishte nxjerrë në pah këto sfida të brendshme të aleancës.
“Më shumë se 90 përqind e qytetarëve të Bashkimit Evropian jetojnë në një vend të NATO-s. Por anëtarët e BE-së sigurojnë vetëm 20 përqind të shpenzimeve të mbrojtjes së NATO-s. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me paratë. Këtu bëhet fjalë edhe për gjeografinë”, kishte thënë ai.
Mbase Tramp është brengosur më shumë për buxhetin amerikan se sa për buxhetin e përbashkët të NATO-s, por është nga gjërat e rralla që ai ka pasur të drejtë. Kjo sfidë pritet se do të jetë e pranishme edhe gjatë presidencës aktuale Bajden, me vetë faktin se presidenti aktual është një pionier i jetëgjatësisë së aleancës, e sidomos përmbushjes së zotimeve të marra në Samitin e Uellsit, 2014, për kontributin prej 2 përqind të prodhimit të brendshëm bruto të shteteve anëtare në buxhetin për mbrojtje të aleancës. Kjo mbetet një nga kërkesat më legjitime, kur kihet parasysh, se mbrojtja kolektive e mishëruar në nenin 5 të traktatit veriatlantik përbën sot e gjithëditën thelbin e misionit të aleancës. Gatishmëri e anëtarëve të aleancës për të reaguar në mënyrë kolektive në qoftë se ndonjëri nga anëtarët tjerë sulmohet, tregon një solidaritet dhe sakrificë të epërme, e cila domosdo që duhet të ketë kostot e investimit.
Koha gjatë administratës amerikane të Trampit, përfaqëson poashtu një nga zbaticat e marrëdhënies transatlantike. Atëbotë kohezioni dhe uniteti i marrëdhënies transatlantike qe luhatur goxha shumë aq sa presidenti francez, Emanuel Makron, në një intervistë për The Economist, kishte paralajmëruar vendet evropiane se ato nuk mund të mbështeten më te Amerika për të mbrojtur aleatët e NATO-s. “Ajo që ne po përjetojmë aktualisht është vdekja e trurit të NATO-s”, kishte deklaruar ai. Evropa qëndron “buzë një gremine” dhe duhet të fillojë të mendojë për veten strategjikisht si një fuqi gjeopolitike; përndryshe ne “nuk do të kemi më kontroll mbi fatin tonë”. Për fat të keq kjo nuk përfaqësonte brengën vetëm të Francës.
Një çështje tjetër mjaft e ndjeshme midis aleatëve është ajo rreth botëkuptimeve dhe marrëdhënieve të aleatëve transatlantikë me Rusinë. Ka një ndarje që pasqyron realitetin e rendit bipolar, ndonëse në mënyrë paradoksale, shtetet e ish bllokut lindor, janë atë që aktualisht mbajnë qëndrimin më të ashpër kundërshtues në raport me Federatën ruse, ndërkaq janë pikërisht shtetet e Evropës Perëndimore ato të cilat në kohë dhe për çështje të ndryshme kanë shfaqur shenja flirtimi dhe interes për bashkëpunim në sferat e përbashkëta me atë. Këtë e ilustron më së miri bashkëpunimi i Gjermanisë me Rusinë për sa i përket gassjellësit NordStream 2, një lajthim gjeopolitik i mbështjellë me petkun e një projekti energjetik e në emër të “ndërtimit të urave midis Evropës e Rusisë” siç qe shprehur presidenti gjerman në një intervistë të tij të fundit. Gjermania mbetet aktualisht kundërshtarja më e madhe edhe e zgjerimit të NATO-s me shtetet fiqnje të Rusisë si Ukraina e Gjerogjia si edhe e stërvitjeve ushtarake të NATO-s në Evropën Lindore, kryesisht në shtetet që gjatë Luftës së Ftohtë ishin sferë e ndikimit sovjetik.
Dekada e kaluar qe karakterizuar me një krizë të madhe refugjatësh që vinin nga rajonet e luftës në Lindjen e Mesme, duke kontribuar edhe më shumë në divergjencat ekzistuese midis shteteve të Bashkimit Evropian. Lufta në Siri, implikimi rus në këtë krizë dhe lufta e saj hibride kishin shkaktuar valën më të madhe të refugjatëve në botë që nga Lufta e Dytë Botërore. Kriza e refugjatëve kishte vënë në dukje kufijtë e brishtë të Evropës dhe jokohezionin midis shteteve anëtare të cilët, kishin hequr dorë nga një pjesë e sovranitetit të shtetit të tyre në të mirë të mirëqenies e prosperitetit kontinental. Bashkimi Evropian pa Britaninë e Madhe, është i brishtë, i polarizuar e me shumë sfida të brendshme, gjë që e bëjnë atë mjaft të ndjeshme ndaj Rusisë. Bashkimi Evropian duket se po rijeton në mjedisin e epokën e detantës. Nga njëra anë BE ndihet shumë i sigurt në vetvete dhe i pavarur nga “proteksionizmi” amerikan, ndërsa nga ana tjetër tjetrën flirton ose është thjesht frikacak përpara Rusisë.
Pra, përderisa gjatë Luftës së Ftohtë Rusia kishte në Evropën Lindore satelitet e saj, shtetet e Paktit të Varshavës, në shekullin XXI, Rusia nuk synon shtrirje territoriale, por shtrirje të influencës. Këto ndikime kanë shkuar deri thellë në struktura të larta politike e institucionale. Ajo përmes luftës hibride ka zgjeruar sferën e saj të influencës përmes metodës së kalit të Trojës brenda Bashkimit Evropian si tërësi dhe brenda shteteve më të fuqishme të Evropës Perëndimore veç e veç. Në një studim me titull “Kuajt trojanë të Kremlinit” të qendrës Këshilli Atlantik, përshkruhet detajisht strategjia aktuale ruse e ndikimit e cila, sipas tij përmbledh një spektër të gjerë instrumentesh, që përfshin: fushatat dezinformuese, eksportin e korrupsionit dhe rrjeteve kleptokratike, presionet ekonomike në sektorin energjetik dhe kultivimin e një rrejti të aleatëve politikë në demokracitë perëndimore. Qëllimi final i kësaj strategjie është që të mbjellë mosmarrëveshje midis shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, të destabilizojë politikat evropiane dhe ta rrënojë vlerat perëndimore liberale – demokracinë, lirinë e shprehjes dhe transparencën, të cilat regjimi i Putinit i interpreton si kërcënim ndaj pushtetit të tij.
P.s. Nga këndvështrimi i sotëm jam e lumtur për reflektimin që ka bërë Gjermania dhe jo vetëm ajo, lidhur me rishikimin e marrëdhënieve me Rusinë dhe kthimin e vëmendjes te përmbushja e kontributit prej 2% të PBB të anëtarëve të aleancës në buxhetin e mbrojtjes së NATO-s.