Uncategorised

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CCXXI) -TRAGJASI – FSHATI LAB I SAKRIFICËS DHE I QËNDRESËS SHQIPTARE

Shtegtime nëpër Atdhe (CCXXI)
TRAGJASI – FSHATI LAB I SAKRIFICËS DHE I QËNDRESËS SHQIPTARE
Tragjasi është një fshat i Labërisë në bashkinë e Vlorës, 20 km në jug të Vlorës dhe 4 km në lindje të Orikut. Shtrihet në luginën e Dukatit (Erihojt), midis malit të Shashicës dhe Karaburunit dhe në rrëzën e malit të Lungarës.
Fshati Tragjas është vendbanim i periudhës bizantine, shek. XIV – XV, i themeluar nga popullsi e ardhur nga viset e afërme. Themelues i fshatit merret Gjergj Arianiti, bashkëluftëtar i Skënderbeut dhe prind i Donika Kastriotit. Emri i fshatit përmendet për herë të parë në burimet dokumentare të vitit 1432. Në historinë e bujshme ky fshat ka pas disa emra; Tregas, Dragjat, Tragasei, Dragjiates. Në fshat ende gjenden gjurmë të një vendbanimi të lashtë, rrënojat e ndërtimeve nga shek. VI – IV p.e.r., tumat ilire, rrënojat e Tragjasit të Vjetër etj.
Tragjasiotët ndër shekuj kanë luftuar për liri, duke e mbrojtur përherë nderin, gjuhën e zakonet e të parëve, si gjatë Perandorisë Osmane, që nga viti 1432 e deri në vitin 1912, kundër pushtuesve grekë në vitet 1913 – 1914, kundër pushtuesve italianë, në vitet 1914 – 1920, kundër nazifashistëve italianë e gjermanë gjatë LDB. Populli ka kënduar:
Në Tragjas u dha njoftimi
Mblidhuni ngado ku jini,
Merrni armët të luftoni
Fshatin e nderin ta mbroni.
Kur shpallej pavarësia, në vitin 1912, Tragjasi ishte një bazë dhe mbështetje e Ismail Qemalit. Çeta e Tragjasit, në Luftën e Vlorës të vitit 1920, luftoi me heroizëm derisa pushtuesit u hedhën në det. Edhe gjatë Luftës Nacionalçlirimtare populli i Tragjasit u ngrit i tëri në këmbë për të luftuar për liri. Ai dha çdo gjë për lirinë, dha edhe bijtë e bijat më të mirë të tij, 42 dëshmorë, nga të cilët katër janë heronj, 13 vajza dëshmore, nga të cilat njëra është heroinë. Në qendër të fshatit sot ngrihet madhështor monumenti i njërës ndër 40 luftëtaret e Tragjasit, njërës ndër 13 vajzat dëshmore tragjasiote, monumenti i Heroinës së Popullit, Zonjës Çurre.
Tragjasi është një fshat me rreth 1400 banorë, me natyrë të bukur e me pamje piktoreske, që detin e ka vetëm 3 – 4 km larg. Fshati e ka fushën pjellore, i ka kullotat e gjera, që mundësojnë prodhimtari të lartë bujqësore, blegtorale e pemëtore. Fushat e bregoret e fshatit janë të mbushura me dru frutor; ullinj, portokall, limon, arra, pjeshka, rrush etj. Kohëve të fundit po zhvillohet me ritme të shpejta edhe turizmi. Afërsia e fshatit me plazhet e Radhimës dhe të Orikut ka bërë që edhe në Tragjas të vendosen pushuesit e shumtë, si dhe turistët e vendit e të huaj. Tragjasi është fshat turistik, i përfshirë edhe në projektin “100 fshatrat e Shqipërisë”. Gjatë udhëtimeve të tij nëpër Shqipëri, Tragjasin e ka vizituar, në tetor të vitit 1848, piktori i famshëm anglez, Eduard Lir, ku e ka realizuar njërën ndër tabllotë më të bukura të tij. Në këtë fshat të bukur është xhiruar filmi me motive nga Lufta Nacionalçlirimtare “Kur zbardhi një ditë”, ku ka lindur ajo batuta “Po me urën ç’patën, xhanëm”.
Në qendër të fshatit ndodhen shtatë rrepe 250 deri 500-vjeçare, të shpallura monument natyre. Rrepet kanë qenë vendpushime për udhëtarë, ku janë mbajtur edhe takime e kuvende popullore. Pranë rrapeve ndodhet burimi i lumit të shkurtër, Izvor, i cili, pas rrjedhjes trekilometërshe, derdhet në Detin Adriatik në Gjirin e Vlorës. Pranë fshatit ndodhet kështjella mesjetare e Gjon Boçarit, që është një atraksion turistik, historik dhe kulturor. Ndërtimi i kësaj kështjelle në shek. XVI lidhet me familjen Boçari dhe me Gjon Boçarin, bashkëkohës i Skënderbeut. Ndryshe, kështjella e Gjon Boçarit është quajtur edhe Gjoniqestra, si një lagje me 61 familje hebraike. Pastaj, në fshat ndodhet varri i Alem Mehmetit, anëtar i qeverisë së Ismail Qemalit. Në afërsi të fshatit ndodhet edhe lokaliteti arkeologjik “Qyteza e Sofes”, ku ka gërmadha të ndërtimeve nga shek. IV – II p.e.r. dhe ku ka edhe tuma ilire.
Tragjasi i Vjetër, rreth 5 km larg nga fshati Tragjas, sot është një ish-vendbanim, i vendosur në kodrina dhe i mbetur në gërmadha qe 80 vjet, por që ka vlera të shumta kulturore e historike. Ky fshat i vdekur, që dikur kishte 280 shtëpi prej guri, i përket një qytetërimi të vjetër, i ngritur shekuj më parë, i djegur e i shkatërruar shumë herë nga pushtuesit e ndryshëm. Për shkak të angazhimit të banorëve të fshatit në Luftën Nacionalçlirimtare, gjatë LDB fshati është djegur nga italianët (7 gusht 1943) dhe është bombarduar e shkatërruar në tërësi nga aviacioni gjerman (6 prill 1944). Prej atëherë banorët e mbijetuar të Tragjasit janë detyruar ta braktisin fshatin e tyre dhe të vendosen me shtëpi më poshtë, në luginë, më afër bregut të detit. Në Tragjasin e Vjetër ka shumë gjurmë arkeologjike nga shek. VII – IV p.e.r., ka shumë kulla prej guri të rrënuara apo gjysmë të rrënuara, ka pozitë piktoreske dhe strategjike. Dhe, aty ku dikur kishte gjallëri, sot ka vetëm gjurmë të jetës, gjurmë të shtëpive, të lagjeve e të fshatit, gjurmë edhe të shkollës së gurtë. Aty do ta gjeni kroin monumental, rrapin madhështor, varrezat e vjetra… Si i tillë, Tragjasi i Vjetër mund të bëhet dhe duhet të bëhet një destinim i rëndësishëm turistik. Ky lokalitet ka statusin e monumentit të kulturës si “zonë historike”, por, edhe çka i duhet Tragjasit të Vjetër të rrënuar për t’u bërë një park përkujtimor me rëndësi kombëtare? Duhet të ndërtohet rruga, të rindërtohet ish-shkolla që do të shndërrohej në muze, të rregullohet qendra apo sheshi i fshatit me kroin dhe me rrapin monumental.
Tragjasi është një fshat i arsimuar dhe me kulturë të gjerë. Kur gjuha shqipe ishte e ndaluar të mësohej në shkolla, atdhetarët tragjasiotë, gjatë Perandorisë Osmane, kanë marrë nga Hoxha Tahsini, në vitin 1875, abetaren e parë shqipe. Shkolla e parë shqipe në Tragjas është hapur në vitin 1908, kurse pas pavarësisë është hapur, me 25 nxënës, në janar të vitit 1913. Thirrjes së ministrit të Arsimit, Luigj Gurakuqi, për të punuar si mësues në këtë fshat i ishte përgjigjur menjëherë nxënësi i tij në Normalen e Elbasanit, 19-vjeçari Avni Rustemi, i cili edhe u emërua mësues në Tragjas. Këtu Avniu qëndroi deri në prill të vitit 1914, kur u kthye për tu përfshirë në çetën e krahinës së Libohovës për ta mbrojtur vendin nga shovinistët e “Vorioepirit”, që ishin futur në jug të vendit.
Relievi malor i Tragjasit është i pasur me vlera të larta natyrore, me pamje të mrekullueshme, me natyrë të paprekur e të padëmtuar, me rrënojat e fshatit të vjetër, me ndërtimet karakteristike, me monumente natyrore e kulturore. Prandaj, fshati paraqet vlera të larta edhe për zhvillimin e turizmit fshatar. Turisti në Tragjas dhe, sidomos, po të ngjitet në Tragjasin e Vjetër, do ta njoh, pos tjerash, edhe historinë e lashtë të fshatit, do t’i njoh Boçarët dhe kështjellën e tyre.
Tragjasi sot paraqet fshatin e humbur në harresë, fshatin rrënojë, monument i trashëgimisë kulturore, muzeun e hapur në natyrë, ansamblin arkitektonik, dëshminë e heshtur të të shkuarës së rëndë dhe pikën shumë interesante për t’u vizituar.
Populli i Tragjasit është popull trim, mikpritës, bujar, punëtor, luftëtar e atdhetar, i cili për atdhe luftoi me pushkë e me penë. Vështirë se mund të gjendet një fshat tjetër që ka histori të bujshme, siç ka Tragjasi. Tragjasi i djegur më vonë u bë Tragjasi i kulturës, i dijes dhe i punës. Dhe, ky Tragjas mes malit e detit, i djegur e i shkatërruar, është dëshmia më e mirë e vuajtjeve, e sakrificave, e qëndresës së një populli liridashës për të mbijetuar, nga njëra anë dhe të mizorive dhe brutalitetit të makinerive ushtarake, nga ana tjetër.