Uncategorised

Riza Çelaj (“Kushtrim Brezash”): Një rrëfim për burrat e Dragobisë

Dragobia është e mbushur me shumë histori. Bijtë e saj në vite i kanë qëndruar stoikë tallazeve të kohës, e asnjëhere nuk i janë nënshtruar pushtuesit. Është e njohur historia e 21 burrave të Dragobise që korrikun e vitit 1944 u morën forcërisht nga gjermanët e u dërguan në kampin e përqëndrimit në Prishtinë. Për tre muaj u torturuan në këtë kamp. Në një pllakë përkujtimore janë skalitur emrat e tyre si: Zeqir Haxhia, Sadri Isufi, Man Dula, Ali Mani e të tjerë. Në këtë fshat janë strehuar shumë trima nga Kosova si; Shote e Azem Galica, Isa Boletini. Këtu është strehuar edhe Bajram Curri. Nga 50 shtëpi të Dragobisë, 33 prej tyre kanë qënë kulla tre katëshe e rrallë në Tropojë, më frengji për luftë me të huajt. Tregojnë se tre herë në vit sulmohej nga shkjau (serbi) e këto kulla shpesh herë u kthyen në llogore lufte. Nga Dragobia janë 30 veta që u rreshtuan në Brigadën e 25 Sulmuese. Në këtë shtëpi janë 17 shtëpi të shpallura “baza të LANÇ”. Ky fshat ka 8 dëshmorë të Lidhjes së Prizrenit. Ndërsa nga lufta Nacional Çlirimtare ka 3 dëshmorë. Në Dragobi duke luftuar ka rënë edhe Bajram Curri, “Hero i Popullit”. Po kështu, Ramë Sadria, i cili ra heroikisht në vitin 1953 në përpjekje për ruajtjen e kufirit, është nga Dragobia dhe është shpallur “Hero i Popullit”. Histori të shumta mëson çdo ditë për Dragobinë dhe njerëzit e saj. Një nga këto është ajo e Bajram Isuf Ismalajt për djegien e Nakutës (fshat shqiptar i populluar nga serbët). Shpopullimi i fshatrave shqipatarë ka nisur vite më parë, një pasojë të tillë pati edhe Nakuta. Për të hyrë në fshat duhej të kaloje përmes urës mbi lumin Lim. Forca të shumta gjermane e serbe bënin shërbime në urë. 300 forca të ardhura nga malësia e Kosovës donin të kalonin urën për të zhvilluar luftime. Një thirrje u dëgjua: “A ka djalë malësie që thyen frontin”. Mes luftëtarëve u dëgjua përgjigja, si një zë i fuqishëm: “Unë”. Ishte zëri i Bajram Isuf Ismalaj. Pas tij, shkuan edhe Hysen Ademi dhe Xhem Sadria. Fshatit iu vu zjarri e fronti u thye. Bajrami në atë kohë ishte vetëm 24 vjeç. Bëhet fjalë për vitin e largët 1942. Bajrami kishte vëllain Ukë Isufi, i cili ishte partizan në brigadën e XXV-të Sulmuese. Sot, dy djemtë e tij; Niman e Ibrahim Ismalaj dhe nipi Dorjan Ismalaj janë pasardhës veterani në Tropojë. Ibrahimi është anëtar i Komitetit të Veteranëve e Pasardhësve të LANÇ, dhe sekretar i këtij komiteti në qytetin e Bajram Currit. Të tre janë aktivë dhe mbahen si model të pasardhësve të veteranëve. Shtëpia e tyre ka qënë “bazë e LANÇ”. Bajrami jetoi e punoi në Dragobi. Vazhdimisht është përfshirë në aksionet lokale e kombëtare dhe është dalluar; si në rrugën e Shumrisë, në ndërtimin e hekurudhës, etj. Deri sa vdiq, ka punuar në kooperativën bujqësore në Dragobi si, në bujqësi e blegtori. Historia e Bajram Isuf Ismalaj ka ardhur deri në ditët e sotme. Ky është Bajrami nga Dragobia që tregohet si burri që dogji Nakutën. Histori të shumta, që flasin për trimëritë e kësaj ane shpesh flenë. E mira është të zgjohen e të njihen, siç është historia e Bajram Isuf Ismalajt.