Uncategorised

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CCXLVII) TIVARI – QYTETI KU NDODHI MASAKRA MË E MADHE MBI SHQIPTARËT

Shtegtime nëpër Atdhe (CCXLVII)
TIVARI – QYTETI KU NDODHI MASAKRA MË E MADHE MBI SHQIPTARËT
Kur përmendim Tivarin, mendja na shkon te Masakra e Tivarit, te ajo ngjarje e kobshme kur u vranë në pabesi mijëra shqiptarë të pafajshëm e duarthatë. Ndryshe, Tivari është një qytet i ri në bregdetin e Adriatikut, një port i madh detar dhe njëra ndër 25 qendrat komunale të Malit të Zi. Shtrihet në bregun e detit dhe rrëzë malit të Rumisë, 26 km nga Ulqini, 38 km nga Budua, 51 km nga Podgorica. Si qytet ka rreth 18 mijë banorë, ndërsa si komunë ka rreth 42 mijë banorë. Tivari ishte pika e fundit e trevave shqiptare në Bregdetin Adriatik.
Materialet arkeologjike tregojnë se në trevën e Tivarit, që nga parahistoria, kanë jetuar ilirët. Qyteti është ndërtuar në afërsi të qytetit antik Antipargal në shek. VI. Gjatë historisë ishte seli e sundimtarëve të Dokleas. Për herë të parë përmendet me emrin Antibarium në shek. IX. Në shek. XII kishte rënë nën sundimin e Bizantit, kur S. Nemanja ia bashkon mbretërisë serbe të Rashkës. Bëhet pjesë e Principatës së Balshajve nga viti 1360 deri në vitin 1421, ndërsa nga viti 1443 deri në vitin 1517 është sunduar nga Venediku. Në vitin 1517 venedikasit Tivarin ia dorëzojnë Perandorisë Osmane. Pas qindra vjetësh, më 10 janar 1878, u pushtua nga Mali i Zi.
Fati historik i qytetit të Tivarit është shumë i rëndë, ashtu siç është edhe i shumë qyteteve tjera shqiptare të mbetura jashtë trungut etnik. Përkundër rezistencës së gjatë të popullsisë vendore dhe të vullnetarëve të ardhur nga Ulqini e Shkodra, në dimrin e vitit 1877/1878, pas një rrethimi dymujor, qyteti ka rënë në duar të malazezëve dhe këtë pushtim e ka zyrtarizuar, po atë vit, Kongresi i Berlinit. Gjatë pushtimit të qytetit ishin djegur e shkatërruar të 600 shtëpitë, aq sa kishte qyteti, kurse në një xhami ishin gjetur 200 gra e fëmijë të vdekur. Gazetari francez, Auguste Meylan, ka shkruar: ”Kam parë shumë rrethime tjera, por s’kisha parë kurrë një gjë kaq të tmerrshme si kjo në këtë qytet të mjerë të Tivarit, ku s’ka mbetur asnjë shtëpi në këmbë…” Mbrojtja e Tivarit, veçanërisht mbrojtja e Kështjellës, paraqet shembull të heroizmit të lartë të popullsisë tivarase, por edhe shembullin më të keq të krimeve e të mizorisë të ushtrisë pushtuese malazeze.
Tivari ishte qyteti i parë shqiptar që u shkëput nga trungu etnik shqiptar. Për shkak të kushteve e të rrethanave të rënda, një pjesë e madhe e popullsisë ka ikur nga qyteti dhe është vendosur në Shkodër, Durrës, Elbasan e qytete tjera. Atëherë Tivari kishte rreth 2300 banorë, prej të cilëve rreth 80 për qind ishin popullsi shqiptare. Në regjistrimet e popullsisë pas LDB shqiptarët paraqiten në numra simbolik. Madje, edhe sot shumë shqiptarë të këtij qyteti nuk deklarohen si shqiptarë.
Gulielm Adam, arqipeshkvi i Tivarit, në një vepër latinisht të vitit 1332 ka shkruar: “Shqiptarët kanë një gjuhë krejt tjetër dhe të ndryshme nga latinishtja, kanë alfabetin latin në të gjitha librat e tyre”.
Është interesant që emri i Tivarit lidhet me qytetin e Barit në Itali, pasi italianët e quajnë Antivari ose Antibari, që ka kuptimin e një qyteti përballë Barit të Pulias, në të kundërtën apo në anën tjetër të Barit.
Sipas regjistrimit të vitit 2011 qyteti i Tivarit kishte rreth 18 mijë banorë, kurse komuna e Tivarit rreth 42 mijë banorë në 83 vendbanimet e saj (rreth 12 për qind popullsi shqiptare). Sot llogariten që në komunën e Tivarit jetojnë vetëm rreth 2500 shqiptarë, të cilët janë kryesisht nga fshatrat e krahinës së Krajës. Shqiptarët e Tivarit dhe të rrethinës së tij kanë pas fatin e keq që mbetën në kuadër të shtetit malazez. Ata i janë nënshtruar shpërnguljes dhe asimilimit, duke mos pas të drejtën as për arsimim në gjuhën amtare. E sot në Tivar mund të gjenden shumë pak shqiptarë. Edhe ata pak që ndodhen, janë në pozitë të vështirë dhe në krizë të identitetit kombëtar.
Në pranverën e vitit 1945 Tivari u bë vendi i mizorisë shoviniste jugosllave, ku u masakruan pabesisht mijëra shqiptarë, që ishin regrutë të mobilizuar dhunshëm në Kosovë. Masakra ndaj shqiptarëve të mobilizuar është bërë në oborrin e Monopolit të Duhanit në Tivar. Aty është bërë një plojë e madhe, duke qëlluar pa shkak mbi ta me të gjitha llojet e armëve të zjarrit; pushkë, mitralozë, mortaja, bomba dore etj. Oborri i Monopolit ishte mbuluar me gjak e me të vrarë. Nuk ka shënime të sakta për numrin e viktimave, por manipulohet me shifrat nga disa qindra deri në disa mijëra persona. Dhe, sot në Tivar nuk ka as edhe një pllakë përkujtimore për njërën ndër masakrat më të mëdha botërore, e zhvilluar në kohë e në rrethana të paqes.
Në fakt ndodhen dy Tivara; Tivari i Vjetër, me rreth 2000 banorë, 4 – 5 km larg bregut të detit. Në vitin 1908, me vendim të qeverisë së atëhershme të Principatës së Malit të Zi, qyteti është zhvendosur në fshatin Pristan, në një fushë pranë detit, duke u emërtuar si Tivari i Ri.
Kështjella e Tivarit të Vjetër, e cila u përballoi shekujve, sot është e braktisur dhe në rrënoja. Kështjella, që kishte funksionin e qytetit – kështjellë, kishte disa kisha, njëra prej të cilave kishte një mozaik ikonografik mural. Pastaj, kishte mullinj për bluarje, mullinj të vajit të ullirit, furra buke, burg, kullë sahati dhe muze. Tivari i Vjetër paraqet një atraksion të vërtetë turistik, të cilin e vizitojnë rreth 100 mijë turistë në vit. Aty ndodhet çarshia, një xhami e vitit 1662, një kishë ortodokse 160-vjeçare etj.
Në Tivarin e Ri ekzistojnë vetëm dy institucione fetare që drejtohen nga shqiptarët; kisha dhe xhamia. Tivari, si qendra më e vjetër katolike në Ilirik, që nga viti 1089 është seli e Kryepeshkopatës së Tivarit, që mbulonte nëntë peshkopatat e Shqipërisë së veriut. Një ndërtesë madhështore është edhe Katedralja katolike e Tivarit. Në vitin 1885 Kral Nikolla në Tivar e ka ndërtuar kompleksin e pallatit mbretëror, brenda të cilit ndodhet muzeu i qytetit të Tivarit. Në malin e Rumisë ndodhet një kështjellë antike, një tjetër ndodhet afër fshatit Sutomore. Një monument tjetër është Ujësjellësi i Tivarit, i ndërtuar mes shekujve XVI dhe XVII.
Lidhjet hekurudhore, detare e ujore e bëjnë Tivarin një qendër të rëndësishme ekonomike e turistike. Tivari ka portin detar, që ishte me kapacitetin më të madh në ish-Jugosllavi, i cili është një pikë referimi dhe identifikimi i qytetit, i ndërtuar në vitet 70-ta të shek. të kaluar. Për ta lidhur këtë port me pjesën e brendshme të Jugosllavisë, veçanërisht me Podgoricën e Beogradin, në vitin 1976 është ndërtuar hekurudha Beograd – Tivar dhe tash po ndërtohet edhe autostrada Beograd – Tivar. Gjithashtu, Tivari është i lidhur përmes Magjistrales së Adriatikut me bregdetin lindor të Adriatikut, kurse në rrugë ujore lidhet shumë mirë përmes tragetit Bari (Itali) – Bar (Tivar).
Në territorin e komunës së Tivarit janë të mbjella rreth 100 mijë trupa të ullirit dhe rreth 80 mijë pemë agrume; limon, portokall, mandarinë, grejpfrut etj. Njëri nga ullinjtë, i quajtur “Ulliri i Vjetër”, ka vjetërsinë 2500-vjeçare. Ekonomia e Tivarit plotësohet edhe me turizëm me shumë plazhe e vendpushime. Tivari njihet për ditët më të shumta me diell në vit, gjithsej 270 ditë.
Tivari, veçanërisht Tivari i Vjetër, është një perlë në bregdetin e Adriatikut, është një qytet i humbur në rrathët e historisë sonë të rëndë.