( Në 100-vjetorin e vrasjes së Heroit)
Likuidimi fizik i përfaqësuesve përparimtar dhe i prijësve të shquar të kombit tonë qe një masë e vazhdueshme e gjenocidit serbo-malazez për shfarosjen e shqiptarëve. Me këto akte të shëmtuara kriminele Serbia provoi ta shuante çdo shkëndijë zgjimi, organizimi, rebelimi dhe kryengritjeje shqiptare. Likuidimi i prijësve shqiptarë organizohej nga shërbime speciale të shtetit ndërsa ekzekutimi i tyre bëhej nga xhandarmëria, ushtria apo agjentët e shitur shqipfolës. Vrasja e prijësve shqiptar aq sa ishte masë hakmarrjeje e shtetit kundër veprimtarëve atdhetarë, po aq ishte masë frike, demoralizimi dhe shuarjeje e çdo shprese të popullit për të jetuar në vatrat shekullore. Tradita e vrasjes së personaliteteve të shquara shqiptare në praktikën e shtetit serb është e hershme, është e pasur, është e gjatë mbi një shekull e gjysmë dhe si e këtillë popullit shqiptar i ka kushtuar shumë, madje, në të gjitha sferat e jetës: të paktë janë ata prijës shqiptarë që kanë vdekur natyrshëm, me trup në shtrat e me kokë në jastëk.
Aktet e burgosjes, maltretimit, vrasjes dhe likuidimit të prijësve dhe bijve të tij më të mirë populli shqiptar i mbajti prore në kujtesë dhe nëpërmjet këngës ato i bëri të pa vdekshme. Ndër qindra shembujt e vrasjeve të prijësve të shquar shqiptar nga dora terroriste serbo – malazeze muza popullore e qau me lot dhembjeje dhe krenarie edhe vrasjen e atdhetarit Isa Boletini (1864-1916), personalitetit qendror të Rilindjes kombëtare, organizatorit dhe udhëheqësit të kryengritjeve të mëdha antiosmane për çlirim e bashkim kombëtar, organizatorit të forcave të armatosura për mbrojtjen e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, anëtarit të delegacionit shqiptar, që shkoi në Londër për të protestuar kundër vendimeve të Fuqive të Mëdha për copëtimin e Shqipërisë, organizatorit dhe udhëheqësit të qëndresës shqiptare kundër pushtimit serbo-malazez gjatë Luftërave Ballkanike e më vonë.
Si personalitet që tërë jetën e kaloi në luftë për lirinë, për bashkimin e trojeve dhe për pavarësinë e Shqipërisë, si figurë tipike e burrit shqiptar, i veshur gjithmonë me kostume të bukura kombëtare që i jepnin një hijeshi të pashoqe, luftëtar që kurrë nuk i largoi armët nga trupi, gojëtar i urtë dhe trim me orë, me kohë, gjenerali Isa Boletini fiton admirimin, respektin, dashurinë e popullit dhe njërin ndër vendet qendrore të figurave të merituara të epikës popullore historike. Prandaj, vrasja e atdhetarit Isa Boletini nga dora serbo-malazeze, tronditi dhe pikëlloi mbarë kombin, ndërsa muza popullore këtë vrasje mizore të heroit legjendar e pasqyroi në këngën “Kral Nikolla rrehi telin”.
Kënga “Kral Nikolla rrehi telin” e përshkuar me nota elegjiake dhe zemërimi lartësohet në protestë monumentale artistike që dëshmon dhe akuzon rrethanat historike të krimit të organizuar, gjenocidin serbo-malazez si dhe pabesinë e dhunën ndërkombëtare të kohës. Isa Boletini që nuk ishte përkulur para mbretit e kralit, para atentateve të shumta e sulmeve ballë për ballë në beteja, para djegieve gjashtë herë të kullës feniks, para joshjes së sulltanit e premtimeve marramendëse të autoriteteve antishqiptare, më në fund, si njeri i besës e fjalës së dhënë, i ndodhur në situatë rreziku, ia beson mbrojtjen diplomatit francez në Shkodër, konsullit Bikok, i cili i zotohet se do t’ia sigurojë vizën e udhëtimit për cilin do vend neutral që dëshironte. Në marrëveshje sekrete me krerët e qeverisë së kral Nikollës konsulli francez e udhëzon Isa Boletinin që të shkojë në Cetinë, në Ambasadën Franceze, për të marrë vizën udhëtimit. Viza, në këtë rast, ishte kurdisur si mbulesë për likuidimin e Isa Boletinit. Pikërisht këtë komplot të shëmtuar ndërkombëtar e stigmatizon hapur edhe muza popullore nëpërmjet vargjeve të këngës:
Krajl Nikolla ma rrehka telin
Kançallozit po ja çon haberin
Me ma nxanë ore Isa Begun
Krejt Avropa ja kanë pa sherrin
Kançallozi ja ka dredhun telin
Kral Nikollës ja çon haberin
Ta kam nxanë more Isa Begun
Ta kam nxanë ta kam mashtrue
Në Podgoricë Isën ta kam çue
Në Podgoricë Isa asht dalë
Veshoviqin po çon me e marrë
Gjeneralin ka çue me marrë
Është dita e 23 janarit të vitit 1916. Podgorica po pushtohej pa luftë nga ushtria austriake. Atë ditë, Isa Boletini me bashkëluftëtarët e tij, i vendosur për t’u kthyer në Kosovë, tradhtohet nga diplomatët francez dhe lëshohet në “përcjellje” të ushtarëve malazezë. Kurthi i vrasjes i organizuar nga gjeneralët Veshoviq, Vukotiq, Plemenac, Ramadanoviç etj. zbatohet nga Sava Llazareviqi, krimineli namkeq i njohur me nofkën Savë Batarja. Prita e përbërë nga dy batalione prej 80 xhandarësh iu zu te Ura e Ribnicës, në afërsi të Podgoricës. Urdhërit të komandantit për dorëzim armësh dhe kalim pa luftë në duart e xhandarmërisë: “Hiqi armët Isë se i kam dy fjalë”, Isa Boletini, si gjithmonë i vendosur për rezistencë, i përgjigjet:
Gjeneral, mos t’kofasha falë
Para mretit n’aben jam dalë
Ket sylah nuk ja kam dhanë
Para krali n’Cetinë jam dalë
Unë sylahin nuk ja kam dhanë
Nuk i hjek armët sa t’jam gjallë
Dialogjet në mes të dy gjeneralëve janë sfiduese si në këngët e epikës legjendare. Konflikti i thellë krijon gradacion të menjëhershëm. Përgjigjet e heroit poetikisht reflektojnë burrëri, mburrje, vendosmëri, vendim të prerë për qëndresë deri në fund. Lufta që fillon është e rreptë dhe e pabarabartë. Dy batalione xhandarësh kanë zënë dy krahët e urës mbi lumin Ribnicë. Masa të mëdha të sigurisë formojnë rrethimin tjetër. Brenda në dërrasat e urës, pa mbrojtjen më të vogël, qëndrojnë të pa lëkundur tetë trima, tetë kreshnikë, me të vetmen alternativë: qëndresë sa më të gjatë në sheshin e nderit për të marrë me vete sa më shumë armiq.
Kërset pushka në Pazar
Në Pazar e në çarshi
Rrebt po qet Isa allti
Po i nimojnë do djem të ri
Ngul kadale i ka thanë atij
Kurr kësi shqiptari nuk ke pa me sy
Në vazhdim muza popullore akuzon edhe Austrinë, qoftë për qëndrimin e saj asnjënës e qoftë si pjesëmarrëse e drejtpërdrejt gjatë ekzekutimit të Isa Boletinit nga xhandarmëria malazeze. Vargu “Krejt Avropa ia kanë pa sherrin” e përforcon këtë akuzë dhe e ngrit atë në nivel evropian. Isa Boletini, respektivisht populli shqiptar, nuk u pajtua me vendimet e Londërs, ndaj hakmarrja e të mëdhenjve qe e pashmangshme dhe e rëndë. Kënga nuk kalon pa e theksuar shpresën shqiptare që vinte si rezultat i besimit të krijuar nga propaganda austro-hungareze, respektivisht evropiane, për të drejtat, barazinë dhe liritë e popujve. Prandaj, aty ku të tradhton shpresa, zhgënjimi është shumë i dhimbshëm:
Ta njefsha t’ligën moj Austri
Shumë uzdajë kam pasë në ty
S’e kam ditë se po don me m’gri
Austria more po ban seri
Zot çka asht ky nam beteri
Podgoricën ma mloi jezeri
Po lifton more ai Isa Begu
Met dëshmor Isa vet i teti
Vet i teti dëshmor asht metë
Ka vra shkie njizet e tetë
Kral Nikolla po ban medet
M’ka fikë zoti cep më cep
Kënga ka një mbarim spektakli tragjik. Lufta zien e pabesueshme për kohën. Podgorica është mbuluar me një tis të dendur tymi, Gadishulli me një mjegull krimi shekullor. Ndërsa gjëma e kral Nikollës profetizon ardhmërinë e kobshme të farës së vet, kënga e le të hapur metaforën e përgjakur politike. Është kjo pikturë liqeni legjendar apo ndërgjegje e vrarë njerëzore austro-hungareze dhe evropiane do të shihet më vonë!? Ndërsa muza popullore shtron dilema arti, realiteti kohor e pohon të vërtetën tragjike objektive. Në luftën mbinjerëzore për të çarë rrethimin, duke lënë tridhjetë armiq të vrarë, Isë Boletini bie heroikisht në fushën e nderit. Me Isanë u vranë edhe dy bijtë, Halili dhe Zahidi; dy nipërit, Januzi dhe Halili; i kunati, Hajdar Radisheva, dhe dy shokë të tjerë të tij, Idriz Bislimi dhe Misin Bala. Kështu mori fund jeta e Isa Boletinit, i cili në zemrën e Atdheut ishte betuar për jetë të jetëve: “Edhe njëqind vjet jetë në paqa, të tana ia kam falë atdheut. Edhe njëqind herë n’u rrëzofsha prapë kam me u çue e kam me dalë ku është balli më i vështirë i luftës. Me dekë për atdhe më duket si me le për së dyti… Unë njëqind herë jetën e jap, po kurrë armën, nderin, Flamurin dhe Atdheun tim!… Unë kam ngrit krye për hakun e Shqipnisë. Nuk lypi shpërblime për vete. Unë jam mirë kur asht mirë Shqipnia!”
(Nga libri: Kadri Rexha, DERVISH SHAQA, RKL, Prishtinë, 2012)