Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (XCVII) – PATOKU – FSHATI PARAJSË QË PO E HA DETI


Se Shqipëria është vërtet një vend shumë i bukur e vërtetojnë edhe parqet, rezervatet apo vendet turistike, siç është Parku Natyror Patok – Fushëkuqe – Ishëm apo Kompleksi Ligatinor i Patokut apo Rezervati Natyror i Patokut. Në këtë park duket sikur ndodhesh rastësisht në një botë tjetër, në një parajsë me bukuri përrallore, ku takohen me njëra tjetrën vlerat e larta natyrore; bregdeti i ulët, grykëderdhjet e tre lumenjve, lagunat, kënetat…, ku gjendet një florë e faunë shumë e zhvilluar, me ndërthurrje të të gjitha habitateve; të 358 llojeve të bimëve të larta, të 179 llojeve të shpendëve etj. Shumëllojshmëria e bimësisë është shumë e shprehur, veçanërisht është interesante bimësia ujore; bimët detare dhe livadhet ujore. Patoku është njëra nga gjashtë lagunat më mbresëlënëse të bregdetit shqiptar. Ndahet nga deti me një rrip të ngushtë rëre dhe lidhet me një kanal. Ka vijë ranore bregdetare prej tetë kiliometrash, ku vija bregdetare ndryshon pozicionin nga faktorët natyror dhe veprimet njerëzore, kryesisht nga gërryerjet dhe ndryshimet tjera gjeomorfologjike. Laguna shtrihet në ultësirën bregdetare në grykëderdhjen e lumit Mat apo në “Bregun e Matës”, mes lumenjve Mat, në veri dhe Ishëm, në jug, rreth 50 km në veri të Tiranës, përballë qytetit të Laçit, 10 km në perëndim të tij, vetëm 6 km nga rruga Tiranë – Shkodër. Në basenin ligatinor, përreth lagunës janë disa këneta, sepse toka ndodhet nën nivelin e detit. Klima është e përshtatshme për zhvillimin e sistemit ekologjik, me verë të freskët e dimër të butë të temperaturës mesatare 15.5 gradë C. Ky vend, pos bukurive natyrore interesante, e ka edhe një emër interesant, Patok, që zgjon kërshërinë tonë për prejardhjen e tij. Në zonën e lagunës rriten me shumicë patat dhe… patokët. Laguna e Patokut njihet si njëra nga perlat e bregdetit, që ka natyrë të mrekullueshme, shumë e veçantë nga të tjerat. Sapo futet vizitori në Patok, mrekullohet me peisazhin e tij, ku bien në sy disa kasolle të vogla prej druri me bazament të shtyllave të drujta të ndërtuara mbi ujë, të cilat, faktikisht janë dhjetra restorante të peshkut të freskët të lagunës. Kur qëndron në to, duket sikur kasollet lundrojnë bashkë me ju nëpër ujë. Një kuriozitet tjetër është shëtitja apo lundrimi me barkë apo kanoe nëpër lagunën 400 hektarëshe, kur shihen rrjetat e hedhura të peshkatarëve për kapje të llojeve të peshkut; levrekut, merlucit, qefullit, ngjalës, gjuhëzës etj. Nga gjallesat skaj bregut të detit janë edhe qindra breshka të mëdha shtegtare të detit, që gjenden pranë lagunës. Por, nuk mungojnë as delfinët, balenat e peshkaqenët. Një breshkë e madhe, e rëndë 400 kg., është zënë e pastaj, pas matjeve, është lëshuar në ujë. Nga zogjët, pos patave e rosave të egra e pulëbardhave, janë edhe pelikanët, që tashmë janë rikthyer, pasi ishin larguar në vitin e rëndë edhe për to, në vitin 1997. Shëtitja me barkë mund të të dërgojë te ishulli i Cabokut përmes kallamishteve, që ngjajnë në livadhet ujore. Dikur territoret tona i grabitnin fqinjtë, tash po i gllabëron deti. Sot nuk ka, por dikur, në vitet 80-ta, Patoku kishte plazhin e tij të njohur, të bukur e të vizitueshëm nga turistë të shumtë rreth 10 km të gjatë. Pas vitit 1990 plazhi u përmbyt nga devijimi i lumit Mat dhe nga vërshimi i detit të egërsuar, duke e shndërruar zonën në lagunë e duke krijuar një vepër tjetër të bukur natyrore. Dikur Patoku ishte fshat i plazhit dhe i pushimeve, tash duket si një pjesë e detit, ku pushon së bashku uji i detit dhe uji i lumit. Edhe sot mund të hasen në ujë gërmadhat e kabinave e ndërtesave të dikurshme, edhe sot deti po i merr tokë Shqipërisë së vogël. Vlerësohet se me një ndërhyrje për pastrimin e rregullimin e lagunës, sidomos të ridevijimit të lumit Mat, Patoku do të mund të kishte edhe lagunën, edhe plazhin. Zona e Patokut ndodhet në ujë, por vuan për ujë! Pos ujërave të shumta sipërfaqësore, zona është shumë e pasur edhe me ujëra nëntokësore. Uji nxirret me motopompa në sipërfaqe, por nuk ndalet në zonë, çuditërisht transportohet për Durrës, Kavajë e vendbanime tjera. Paradoks ky shqiptar! Zona përballet edhe me degradim të natyrës; me ndërtime pa leje, me gjueti të paligjshme, me shkatërrim të infrastrukturës, me mosmbrojtje të tokës nga gërryerjet e detit. Fshati Patok ka det, lagunë, pyll, lumenj, tokë bujqësore. Banorët tradicionalisht merret me bujqësi e blegtori, me prodhimin e drithërave, të patates, të fasules e shalqinit. Merren edhe me vreshtari, me rritjen e bagëtive, veçanërisht të deleve e kuajve, me peshkim, me gjueti… Bregdeti, laguna dhe lumenjtë kanë krijuar kushte të veçanta për zhvillimin e peshkimit. Kohëve të fundit popullsia merret gjithnjë e më shumë me zhvillimin e turizmit ekologjik dhe hotelierisë. Në fshat janë ngritur lokale të shumta turistike, që i shërbejnë turizmit të natyrës, turizmin familjar dhe kulinarisë. Fshati tashmë është i vizitueshëm nga turistë ditor të vendit dhe të huaj gjatë tërë vitit. Falë kushteve shumë të përshtatshme natyrore; të lagunës, të dy lumenjëve, të tokës bujqësore, të pyjeve dhe të detit, fshati dhe përgjithësisht zona ligatinore e Patokut ka mundësi të shkëlqyeshme për zhvillim e përparim të shpejtë. Ligatina e Patokut, si një rezervat natyror, paraqet njërën nga bukuritë e fshehta dhe më interesante natyrore në Shqipëri. Një rrafshirë e gjerë shkrihet në horizontin me ujë të lagunës, me detin dhe qiellin e kaltër. Shumë vizitorë, edhe nga Kosova, ata që tashmë e kanë mësuar ku ndodhet kjo mrekulli, ia mësyejnë asaj vetëm për një drekë peshku e për gatimet tradicionale, për qetësinë, që e prishë fluturimi i tufave të pulëbardhave dhe motoskafet e peshkatarëve, për lundrimin me barka në ujin e qetë të lagunës. Pozita e Patokut, afër rrugës nacionale, mundëson arritjen e lehtë e të shpejtë në cak të turistëve.