Histori

Ramazan Nushi: Kozma Nushi, Heroi që u dogj i gjallë në krematoriumin nazist

Kozma Nushi, heroi që u dogj i gjallë në krematoriumin e Mat’hauzenit
Nga Ramazan Sherja
   Midis 133 luftëtarëve nga trevat shqiptare që gjetën vdekjen në kampin famëkeq të Mathauzenit, ishte edhe trimi dhe intelektuali Kozma Nushi,“Hero i Popullit”, me numër matrikuli 100210. Më 23 janar 1945, ra në agoni nga torturat mizore të nazistëve dhe ashtu gjysmë të vdekur ia dogjën trupin në krematoriumin e Kampit. Ky kamp përbindësh ishte i fundit që u çlirua nga aleatët amerikanë më 5 maj 1945 dhe krerët nazistë të tij dhanë llogari për krimet e bëra. Kozma Nushi lindi në Vuno të Himarës më 15 qershor të vitit 1909 dhe , bashkë me të vëllanë Gogon, kanë qenë emigrantë ekonomikë në Lion të Francës, ku atje ai u rrit me frymën e një intelektuali perëndimor. Në periudhën e viteve 1934-38, Kozma Nushi, së bashku me vëllain e tij, Gogon dhe një sërë elementësh të tjerë me pikëpamje revolucionare, si Halim Xhelo, Ali Kelmendi, Kahreman Ylli, Qamil Çela, u inkuadruan në PK Franceze dhe u rreshtuan të parët në lëvizjen antifashiste, ku frymën revolucionare të saj do ta sillnin më vonë në Tiranë. Shtëpia e tij në Desinë të Francës u bë bujtina e dhjetëra shqiptarëve dhe shërbeu si një klub për politikanët e mërguar dhe intelektualët e rinj shqiptarë, të cilët më vonë u bënë drejtues të lartë të Luftës ANÇ. Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia, familja Nushi vendosi të kthehet në Shqipëri dhe vendoset me banim aty pranë Urës së Dytë të Lanës, në Tiranë dhe u përfshi menjëherë në Lëvizjen Antifashiste. Për aktivitetin e tij revolucionar, u arrestua nga nazistët gjermanë dhe e internuan në kampin e përqendrimit në Mathauzen, ku pas një rezistence komuniste dhe bindje të patundur për të ardhmen e LANÇ, në vitin 1944 nazistët e torturuan deri vdekje. Kur ishin në Francë, babai i tij, Sokrati hapi atje një kafene luksoze dhe aty punësoi të birin, Kozmain, me synimin që t’i linte më pas trashëgiminë e biznesit. Por Kozmai nuk ishte pasionant i tregtisë, por përkushtues i ideve revolucionare, lexues apasionant i librave dhe intelektual i papërkulur. Duke parë pasionin dhe prirjen e të birit, i ati e dërgoi Kozma Nushin në Liceun e Nicës, në një nga institutet më të mira arsimore të vendit, ku ai mësoi e rrënjosi në ndërgjegjen e tij njohuri të sakta për historinë e Revolucionit francez, Napoleonin, si dhe bëri pjesë të botëkuptimit të tij krijimtarinë e kollosëve francezë të politikës, artit e filozofisë. Kështu i lindi pasioni, jo vetëm për politikën, por edhe frymëzimin për t’u marrë me krijimtari artistike. Që në moshën 14 vjeç ai filloi të bëjë ndonjë poezi dhe të mblidhte këngët e krijimtarinë e gurrës popullore të zonës së tij. Dalëngadalë ai përvetësonte edhe idetë komuniste dhe nisi të kuptojë, se kishte ardhur koha që ashtu si në gjithë Europën e civilizuar, edhe në Shqipëri të luftohej për një botë të re. Pasi u vendos në Tiranë, shtëpia e tij u shndërrua në një bazë të rëndësishme ilegale, ku gjenin strehë partizanë e drejtues të Luftës, shkrimtarë dhe gazetarë të shtypit ilegal nga e gjithë Shqipëria. Kozma Nushi u bë një nga eksponentët kryesorë politikë të lëvizjes politike për themelimin e PKSH-së, së bashku me një nga miqtë e tij të ngushtë, Qemal Stafa. Ai shpesh këshillohej edhe me shokun tjetër, Zaho Koka, një nga trima më të vendosur të Vunoit, heroit që më shumë u bë i njohur për shkak të një historie të kurdisur dashurie me Ramize Gjebrenë, sesa për heroizmin e tij luftarak. Kozma Nushi nuk ishte vetëm intelektual me vizion perëndimor, por edhe një aktivist i sakrificës dhe krijues me ndjenjë të lartë patriotike. Ndoshta pak e dinë, se vargjet elegjike të këngës që i kushtohet vrasjes së Qemal Stafës: “Brenda në Tiranë/afër një spitali/ u vra Qemal Stafa/ një trim nga të malit”, janë krijim i dhimbshëm i shokut dhe mikut të tij të ngushtë, Kozma Nushi.
Pas një aktiviteti të dendur revolucionar, në nëntor 1943, Kozma Nushi arrestohet së bashku me shokun e tij Telat Noga në Durrës dhe të dy i dërgojnë më pas në burgun e Tiranës. Pas një muaj, në dhjetor të vitit 1943, e internojnë bashkë me një grup të rinjsh revolucionarë për në Zemun të Beogradit. Nga këtu, më 16 shtator të vitit 1944 Kozma Nushin nazistët e hipin në njërin nga trenat e vdekjes dhe e nisin drejt kampit shfarosës të Mathauzenit. Më 23 janar 1945, “djaloshi nga Vunoi” , siç firmoste në Kamp, me numër matrikulli 100210, e torturuan gjer në agoni dhe trupi i tij u zhduk. Nuk iu gjetën dot eshtrat, pasi trupin e tij e dogjën të gjysmëgjallë në krematoriumin e Kampit. Pas Çlirimit, atdhetari Kozma Nushi nderohet me titullin “Hero i Popullit” dhe disa institucione shtetërore u pagëzuan me emrin e tij. Madje, para ca vitesh në qytetin e Durrësit ngrihej edhe një bust kushtuar aktivitetit luftarak të këtij trimi, por sot nuk duket më as një shenjë e tij. Ashtu si nuk iu gjetën eshtrat në Mathauzen, edhe mendësitë “demokratike” që u bënë me pushtet në vitet ’90, e zhdukën këtë simbol të heroit si memoriestikë “komuniste”. Megjithatë bustin më të mirë e të paasgjësueshëm nga çdo rrebesh kohe, Kozma Nushit ia ka ngritur zemra e popullit: “Kozma Nushi yll mbi yje/vetëm qiellin mban mbi krye!”.