Histori

Servet Agalliu: DEBATIK – asit (10 shkurt 1942 – 10 shkurt 2024)

10 Shkurt 1942 – 82 vjet – 10 Shkurt 2024
DEBATIK – asit ata që lidhën besën për të luftuar nazifashizmin
Nga Servet Agalliu – Ish Debatikas
    Si mbarë populli shqiptar, fëmijët ndjenë dhe u përballën me pushtimin fashist të 7 prillit 1939. Ata e kundërshtuan pushtimin, ndaj e mirëpritën organizimin e Debatikut. Organizata u krijua më 10 shkurt 1942 nën kujdesin e PKSh dhe të djemve të rinj aktivë të organizatës së Rinisë Komuniste në radhët e saj. Bërthama e Debatik, ishin një grup fëmijësh të moshave nga 10 deri në 14 vjeç që u mblodhën tek Kodrat e Saukut në Tiranë. Betimi i tyre para flamurit ishte solemn. Aty fëmijët lidhën besën për luftë kundër pushtuesve fashistë italianë dhe bashkëpunëtorëve të tyre vendas. Motoja e tyre ishte: “Edhe ne do të luftojmë pushtuesit e tradhtarët e vendit”.
Pjesëtarët e parë që organizuan mbledhjen e 10 shkurtit 1942 ishin: Selman Vaqarri, Ahmet Godenca, Ali Anadolli, Agim Kala, Agim Tugu, Bardhyl Erebara, Gaqo Marto, Gëzim Erebara, Perlat Bozgo, Petrit Mëzezi, Musa Anadolli, Xhevat Bozo. Menjëherë pas krijimit u grumbulluan me qindra fëmijë të tjerë e adoleshentë, që u organizuan në grupe të vogla dhe të manovrueshme për veprimtari klandestine. Në të gjithë veprimtarinë e saj, kjo organizatë udhëhiqej nga edukatorë të Rinisë Komuniste si: Ludovik Shllaku, Manush Alimani, Misto Mame, Alqi Kondi, Hamdi Sallaku, Skënder Begeja, etj. Ata ishin në krye të punës për edukimin e fëmijëve dhe adoleshentëve. Edukatorët u kujdesën për organizimin sa më të mirë të tyre në luftë dhe në aksione kundër pushtuesve. Gjashtëmujori i dytë i vitit 1942 ishte koha e një zgjerimi të madh të organizatës së debatikasve, si: Durrës, Berat, Vlorë, Korçë, Elbasan, Shkodër, Fier, etj. që i detyrohet punës së edukatorëve të dërguar nga ana e organizatës së Rinisë me në krye Qemal Stafën. U rrit veprimtaria e Debatikut, në çdo lagje e në çdo shkollë të Tiranës, dhe në gjithë Shqipërinë. Disa nga drejtuesit e kësaj organizate ishin: Hamdi Sollaku, Skënder Begeja, Meriban Najdeni, Selman Vaqarri, Laman Çoçoli, Jovan Andoni, etj.
Po cila ka qenë veprimtaria e tyre? Organizata arriti deri në 3000 antarë. Fëmijët dhe adoleshentët vepronin si të rritur, të matur, me shkathtësi dhe shpërndanin komunikata nën hundën e armiqve. Debatikasit kalonin nga një lagje në tjetrën, me materiale propagandistike e letra sekrete, por edhe me armë nga qyteti i Tiranës e në rrethina: në Pezë, në Priskë, Petrelë e gjetkë.
Po kështu dhe në qytetet ku ishin krijuar këto Organizata, të cilat mblidhnin ndihma, veshmbathje e monedha, grumbullonin informacione mbi lëvizjen e armikut, merrnin pjesë në aksionet luftarake që kryenin njësitet guerile. Shembulli dhe përvoja e ngritjes së organizatës “Debatik” u përhap me shpejtësi në tërë Shqipërinë (qytet-fshat). Kudo ata kryenin veprimtari të organizuara, si në Tiranë e kudo në rrethe. Gjithë kjo veprimtari e Debatikasve, nuk mund të kalohej lehtë. Spiunët e shumtë në shërbim të nazi-fashistëve, binin në gjurmët e tyre. Kjo bëhej shkak që ata të largoheshin e të rreshtoheshin në radhët partizane, ku treguan trimëri të rrallë në luftime gjithashtu. Në këto aksione u shqua Heroi i Popullit Met Hasa, i cili në moshën 15 vjeçare ra duke mbuluar me gjoksin e tij mitralozin e nazistëve, mbasi asgjësoi mitralierin që po bënin kërdinë mbi partizanët.
Kur gjermanët kapën trupin e tij që kishte bllokuar mitrolozin atyre u bëri përshtypje ku fëmijë kaq i vogël, dhe e varrosën me ceremoni. Çelo Sinani, 16 vjeç ra heroikisht duke luftuar kundër armiqve e mercenarëve fashistë; Ylbere Bilibashi, 16 vjeç ra heroikisht në kodrat e Vokshit për çlirimin e Junikut në Kosovë; Viktor Gjokoreci ishte gjithashtu 16 vjeç, artist në shpirt dhe instrumentist shumë i talentuar e inteligjent, nxënës i liceut artistik, u pushkatua më 28 shkurt 1944 në Tiranë. Gjatë LANÇ, nga debatikasit ranë dëshmorë të Atdheut mbi 80 vetë. Mes tyre përmendim: Fiqiri Begeja, i cili priti me gjoksin e tij plumbat e nazistëve në Prishtinë. Antoneta Vreto, që ruajti deri në fund sekretin për shokët partizanë dhe nuk tregoi asgjë përballë xhelatëve nazistë edhe pse e torturuan barbarisht. Gjithashtu ranë heroikisht debatikasit; Ali Spahiu, Ahmet Godenca, Xheladin Hoxha, Agim Gjinali, Aleko Qirici, Juo9rgo Vogli, Rexhep Skënderi, Irfan Hoxholli, Shaqir Oshafi, Qazim Alimehmeti, Osman Ademi, Aristidh Lano, Xhemal Zajmi, Osman Luga, Amali Qenami, Nadire Hysa, etj. Pionerët e organizatës Debatik, apo siç u quajt më vonë Organizata e Pionerit, dhanë një kontribut të vyer gjatë Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare. Heroizmit të tyre iu këndua kënga e pionerit “Ndonëse i vogël,/ edhe pushkë nuk kam,/ fashizmit i bëj dëm,/ sa një partizan”. “Luftoj për Shqipëri,/ me sa kam fuqi, / s\trembem kurrë një herë,/ se jam pioner”.
Historia e Debatikut, është përfshirë në disa libra, si: Historia e “Debatikut”, me autor Selman Vaqarri, libri “Edhe ata luftuan” me autor Agim Kalo, si dhe shumë libra e broshura të tjera. Këto botime janë një thesar i vyer në shërbim të brezit të ri të Shqipërisë. Por kontributin e fëmijëve të LANÇ, e ka dhënë bukur filmi artistik “Debatik”, që edhe sot është shumë i shikuar. Ai ngjall dhimbje, respekt, mirënjohje, homazh nderimi, për kontributin e fëmijëve në luftën për liri e antifashizëm.
Mbas çlirimit të vendit fëmijët që morën pjesë në luftën për Liri, fituan statusin e veteranit të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, si të gjithë luftëtarët e tjerë. Ata kanë mbetur simbol dhe një thesar i bukur trimërie e atdhetarizmi për edukimin e brezit më të ri të Shqipërisë. Në çdo 10 Shkurt, bëhen homazhe e vendosen kurora me lule të freskëta tek lapidari ku u krijua kjo organizatë (kodra e Saukut).