Lëvizja\UÇK

Emrush Xhemajli: SI E MBRON JUSUF BUXHOVI PIKËPAMJEN SERBE PËR LUFTËN E ARMATOSUR ÇLIRIMTARE NË KOSOVË

REAGIM

SI E MBRON JUSUF BUXHOVI PIKËPAMJEN SERBE PËR LUFTËN E ARMATOSUR NË KOSOVË

Disa ditë më parë, më 22 prill 2023, në televizionin “tëvë1” , Jusuf Buxhovi dezinformoi opinionin:

E para, gjoja se Lëvizja Popullore e Kosovës kishte hyrë në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Kjo nuk është e vërtetë. Kurrë LPK nuk është bashkuar dhe nuk ka hyrë në LDK.

Programi dhe statuti i kundërt i tyre i ka mbajtur larg këto dy subjekte politike. Në LDK kanë hyrë anëtarët e një grupimi politik që është quajtur gjithashtu LPK, por asnjëherë Lëvizja Popullore e Kosovës që drejtoi politikën e luftës së armatosur dhe që formoi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

E dyta: nuk është e vërtetë teza që ai e mbron, e cila përputhet me tezën serbe, se gjoja “SHBA-ja ka kurdisur luftën e armatosur në Kosovë”, pasi që, sipas tij, SHBA – ja ka punuar në dy vija: LDK-së e Rugovës, gjithnjë sipas Buxhovit, i paska thënë “mos u merr me luftën e armatosur”,  ndërsa në vijën tjetër e paska mbështetur LPK-në në luftën e saj të armatosur çlirimtare.

Çka i ka thanë SHBA – ja LDK-së e Rugovës nuk e dimë, por e dimë se LPK-së nuk i ka thënë as ta nis, as të bëjë luftë, as të formojë ushtri. LPK – ja ka konsideruar se krijimi i ushtrisë dhe lufta e armatosur është detyrë e pashmangshme për një popull që dëshiron të çlirohet nga pushtimi. Andaj, LPK – ja ishte ajo që ka nisur, programuar, organizuar dhe udhëhequr luftën e armatosur antipushtuese,  përkatësisht Ushtrinë Çlrimtare të Kosovës.

Hisorikisht dihet se ndërhyrja politike serioze nga faktorë dhe akterë ndërkombëtarë në dramën e Kosovës ka ndodhur nga gjysma e dytë e vitit 1998 e tutje, shumë vjet pasi u formua UÇK – ja, pasi u çliruan shumë territore, pasi lufta e drejtë e armatosur u bë çështje ndërkombëtare, ndërsa terrori i Serbisë kundër popullatës (civilve) u shndërrua në krizë humanitare, gjë që çoi në marrjen e vendimit për bombardimin e Jugoserbisë…

Gjithë halli i Buxhovit është të heq përgjegjësinë nga kreu i LDK – së, Rugovës,  që nuk përmbushi detzrimet kushtetuese kushtetuese për çlirimin e vendit dhe të arsyetojë mospjesëmarrjen në luftën e armatosur çlirimtare. Shfajsimi, duke falsifikuar faktet historike dhe duke implikuar pa të drejtë të tjerët, është dy herë gabim. Gabim dje e gabim sot! Me dëme të mëdha dje e me pasoja sot

 Emrush Xhemajli, Sekretar i LPK-së gjatë viteve 1987-1998.