Lëvizja\UÇK

Mehmet Bislimi: Pushkët e LIRISË

Pushkët e Lirisë
(Me rastin e dyzetë e dy vjetorit të rënies heroike të Tahir e Nebih Mehës)

Dyzetë e dy vite që flasin vet, pa pasur nevojë të flasim ne! Kjo vatër lirie e rezistence, pushtuesit gjakatar serb i tha pareshtur:

… “Unë jam këtu denbabaden, këtu jam e këtu kam qenë, e këtu do të jam përherë, derisa mali të bëhet hi e hiri mal përsëri!… Këtu ku i thonë Shqipnisë – Shqipni, nuk lejojmë këmbë pushtuesi me hy, as të bardhë e as të zi- jo asnjëherë!…

Të gjithë juve, heronjtë e lirisë, përjetësisht kombi ju mbanë në gji, pa juve nuk do fliste me kaq zë historia jonë kombëtare, ju jeni krenaria jonë, jeni historia e motit, ju bijtë e Kastriotit, jeni krenaria e kombit- jeni emblema e lirisë, jeni djemtë të përflakur të vegjëlisë- jeni nderi dhe emri i lirisë.
Që nga Meha i parë, në vazhdim Emin Lati, Nebih, Tahiri e Beqir Meha, Mehajt tjerë në përgjithësi populli ynë liridashës, më pushtuesin u panë për mes grykës së pushkëve të lirisë – sot dyzet e dy vjet, Tahiri dhe Nebihu, historisë çlirimtare i dhanë edhe emrin e vet!…

13 maji, ishte dita e milicisë së ish pushtuesit Serbo-Jugosllav, Tahir dhe Nebih Meha, vranë me pushkët çlirimtare, para së gjithash namin e ish pushtuesit. Tahir Mehës, 13 majin e shndërrojë në ditë kushtrimi për liri. Ishte kjo pothuaj pushka e parë kaq e zëshme pas Luftës së Dytë Botërore, që u shkrep hapur e publikisht kundër pushtuesit Serbo-Jugosllav mbi tokat tona, nga një shqiptar bujar e atdhedashës siç ishte Tahir Meha i Prekazit me babanë e vet, Nebihun.

Pushka e Tahir dhe Nebih Mehës (babë e bir), vrau 13 majin e pushtuesit dhe ngriti një 13 maj shqiptar tjetër me heroizëm e kushtrim për luftë të pa kompromis kundër të gjithë atyre që kishin shkelur tokat ton. Kushtrimi i pushkës së Tahir e Nebih  Mehës, më vonë lidhi në kushtrim gjithëpërfshirës  pushkët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilat quan në vend amanetin e Tahirit dhe të qindra dëshmorëve tjerë të rënë për liri e bashkim kombëtar…
Sa shpejt ikën vitet, por kujtimi për heronjtë  mbetet i freskët, sikur të kishte ndodhur sot. Ne kujtojmë, dhe duhet të kujtojmë përgjithmonë heronjtë tanë kombëtar, ata dhanë gjithçka për atdheun, madje edhe jetën!, prandaj është detyrë jona që emrin e tyre ta mbajmë lartë e më lartë  në zemër të atdheut. Ishte 13 maji i vitit 1981, atë pranverë e tërë Kosova ishte ngritur në këmbë dhe po kërkonte lirinë e vet, të drejtat e veta që shkeleshin me këmbë nga pushtuesi Serbo-Jugosllav. Rënia e qindra të rinjve në zemër të Kosovës për lirinë dhe të drejtat tona të patjetërsueshme, ngriti në këmbë mijëra atdhedashës, si; djem e vajza, nxënës, studentë, intelektual, punëtorë, të rinj e të moshuar- ata së bashku me zërin e tyre të fuqishëm tundën përgjithmonë themelet e ish Jugosllavisë pushtuese!

Tahir Meha (10 tetor 1943 – 13 maj 1981)

Tahir Meha ishte fortifikuar në kullën e vet, si dikur Oso Kuka, dhe po priste momentin e duhur për t’i treguar pushtuesit serb, se tokat shqiptare kanë të zot e vet! Qëndresa heroike e Tahir dhe Nebih Mehës, ditën e 13 majit i bëri të qartë pushtuesit serb se këtu është taka e bijve të shqipes!…
Na ishte një herë një 13 maj (dita e themelimit të milicisë Serbo-Jugosllave). UDB-ja, dëshironte që këtë festë ta shënonte si fitimtare, duke arrestuar dhe nënshtruar Tahirin e shumë kërkuar për ta dërguar atë më pas në Beograd, si trofe për triumfin mbi rebelimin e shqiptarëve të “padëgjueshëm”. Pushtuesi kishte planifikuar lavdinë e këtij aksioni që do të forconte imazhin e njësitit special të milicisë së UDB-së- dhe KOS-it, që do të festohej më pastaj në qarqet e atjeshme serbe, se më në fund e zumë edhe Tahir Mehën të gjallë, dhe këtë pikërisht me 13 maj!… Jo, kjo nuk kishte si të ndodhte, ngase Tahir Meha nuk po flinte, nuk kishin fjetur as Mehajt e parë, as gjyshi i tij Emin Lati, nuk kishin fjetur as mijëra atdhedashës si Milesh Kopiliqi, Gjergj Kastrioti, Zaharia Gropës, Oso Kuka, Abdyl Frashëri, Mic Sokoli, Bajram Curri, Azem e Shotë Galica, Rrapo Hekali, Zenel Gjleka, Shpend Dragobia, Qerqiz e Bajo Topulli, Ismail Qemali e shumë të tjerë. Të gjithë ne, së bashku, mbështjellë fort rreth palcës e kombit, bëmë që zëri i shqiptarëve të ndihet deri atje ku puthitet qielli me tokën se ne duam lirinë e atdheut tonë!

Në këtë kontekst, Tahir Meha kishte bërë syrin pishë dhe gjoksin digë për t’i matur me pushtuesin. Madhështia e asaj pranverë të lulëkuqeve të Kosovës. Pa dyshim se ishte dhe mbeti vepra heroike e Tahir dhe Nebih Mehës- liridashësve tanë.
Pushka liridashës e Tahir Mehës, pa dyshim se mori haraçin e vet, mirëpo nuk kishte si të ndodhte ndryshe; nuk ka  liri pa gjak!, kjo u vërtetua më vonë katërçipërisht. Kushtrimi i pushkës së lirisë së Tahir Mehës, lidhi në kushtrim gjithëpërfshirës pushkët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, prirë nga Komandanti ynë legjendar Adem Jashari, të cilat quan në vend amanetin e Tahirit dhe të qindra dëshmorëve tjerë të kombit tonë.

Emin Lati, Nebih, Tahir dhe Beqir Meha- tri gjenerata, tre breza!

Qëndresa e Tahirit, bëri të ditur edhe njëherë se me pushtuesin nuk ka zgjidhje tjetër, dhe kjo zgjidhje e imponuar ishte lufta për liri. Tahiri nuk e bëri luftën për emër e nam, për këngë e histori, ngase emrin, namin, këngën dhe historinë e kishte në themelet e kullës së vet. Gjyshi i tij Emin Lati – Meha, ishte bashkëluftëtar i Azem Bejtë Galicës, babai i tij Nebihu ishte, bashkëluftëtar i Shaban Polluzhës, vëllai i Tahirit Beqir Meha, ishte i përndjekur politik, më vonë rreshtuar në radhët e UÇK-së. Beqiri, luftoi edhe në emër të të vëllait Tahirit, dhe në emër të babait Nebihut edhe në emër të Gjyshit Eminit, ai ishte bashkëluftëtarë i denjë i Komandantit Legjendarë Adem Jasharit!
Edhe Beqir Meha, si gjyshi i tij, babai dhe vëllai i tij, luftoi dhe ra për liri me pushkën në dorë, dhe nuk kishte si të ndodhet ndryshe: tri gjenerata,  tre breza heronjsh, a ka diçka më madhështore, diçka më hyjnore, diçka më fisnike se kjo, në altarin e lirisë së atdheut u flijuan tre breza me radhë, liri kush të do më shumë së ne, nderi dhe përkulja për luftëtarët, për të tashmit dhe të parët, përjetësisht jeni krenaria jonë kombëtare udhërrëfyes të shenjtëruar.

Gjyshi Emini, babai Nebihu të  bijtë Tahiri dhe Beqiri.
Gjyshi i ati dhe i biri – Lavdi e përjetshme!