Komenti

Labinot Gjini: 5 Maji Ditë nderimesh për Dëshmorët

HOMAZHE DËSHMORËVE VETËM MË 5 MAJ
“Virtyti ka shumë predikues dhe pak dëshmor”, thoshte filozofi francez Claude-Adrien Helvetius. Dëshmorët janë pakica, që e bënë ndryshimin e një status quo-e, duke i dhënë kombit gjakun e nevojshëm për ta vulosur vullnetin e tij kundrejt një fuqie tjetër. Dhe kombi i vogël shqiptar ka dëshmuar përgjatë historisë se kishte mjaftueshëm gjak sa për të vulosur vullnetin e tij edhe kundrejt fuqive më të mëdha të kohës. Kurse dëshmorët e luftës së fundit shqiptaro-serbe bënë që të zbatohet akti sovran juridiko-politik i 28 nëntorit 1912, i njohur si “Pavarësia e Shqipërisë”, edhe mbi territorin e Kosovës.
Ishte gjaku i tyre, ai që përcaktoi zhvillimin e historisë, krijimin e kombit shqiptar, çlirimin dhe pavarësimin nga pushtuesit e njëpasnjëshëm. Dëshmorët e komunës sonë, Vitisë, janë pjesë e pashkëputur e kombit tonë shqiptar. Ata duhet të nderohen në mënyrë institucionale dhe popullore po të njëjtën Ditë me të gjithë të tjerët.
Duhet rikujtuar se me nismën e z. Xh. Bislimi asokohe, 5 Maji është bërë edhe zyrtarisht Dita e Dëshmorëve në Viti. Kësisoj, Vitia është e para dhe, ndoshta, e vetmja Komunë në Kosovë që e ka dekretuar zyrtarisht 5 Majin si Ditën e Dëshmorëve; duke i unifikuar dhe institucionalizuar kështu dëshmorët e Vitisë në një ditë të vetme me të gjithë Dëshmorët e kombit.
Nëse fuqia e një kombi qëndron, mbi të gjitha, tek kapaciteti për të konceptualizuar dhe institucionalizuar vlerat e tij, si shpjegohet fakti se në vendin tonë vazhdon të mbijetojë një gjendje konfuze, ku e rëndomta vazhdon të bashkëjetojë me hyjnorën.
Kjo bashkëjetesë e gjatë – 24 vjet pas lufte – ka krijuar një gjendje të pazakont, ku e rëndomta (politika) ka vjedhur nga hyjnorja (Dëshmorët) dhe ku hyjnorja është infektuar nga e rëndomta për të humbur, së paku në perceptim, nga shenjtëria që i takon!
Nuk duhet të harrojmë se fjala “dëshmor” rrjedh nga ai që është “i dëshmuar” dhe, si i tillë, për ne mbetet “dëshmia” e lirisë tonë. Duke qenë, vlera reale e një dëshmie ka vlerën dhe efektin e saj të plotë, kur ajo përdoret vetëm me saktësi e sasi të përshtatur. Kush mund ta mendojë atëherë, se për një politikan është e përshtatur të shkojë njëzet herë në vit për të bërë homazhe tek Varrezat e Dëshmorëve?! Me këtë, a po i bëjmë vërtet nder gjakut të tyre apo po i bëjmë “nder” vetes tonë duke i zbritur njëzet herë në vit nga lartësit e hyjnorës Dëshmorët tanë për t’i infektuar këtu poshtë nga e rëndomta jonë?
Duke i shtruar këto pyetje dhe duke reflektuar gjatë mbi këtë çështje, në mbledhjen tonë të fundit të Kryesisë kemi vendosur që të mos dalim më në homazhe tek Varrezat e Dëshmorëve, përveç se më 5 Maj. Ky vendim është shprehur si pozicionim i guximshëm kundrejt një devijimi të qartë të ritualeve institucionale krahas Dëshmorëve të kombit.
Vendimi ynë duhet parë dhe kuptuar drejt si ndihmë për të unifikuar dhe institucionalizuar praktikat, ritualet dhe homazhet ndaj Dëshmorëve tanë, duke kërkuar që të respektohen në lartësinë e merituar të tyre. Ndërsa, nga ana tjetër, vendimi ynë vjen edhe si kërkesë ndajë politikanëve tjerë që t’i japin fund fërkimit me hyjnorën (jo vetëm me rastin e Dëshmorëve) si praktikë subverzive për t’i ikur përgjegjësisë dhe obligimit të tyre për t’i shërbyer vendit.
Politikani nuk mundet kurrë të pretendojë hyjnoren, duke u fërkuar për të. Ai duhet ta pretendoj hyjnoren vetëm duke konceptualizuar, ideuar, punuar, guxuar dhe sakrifikuar nga vetvetja në shërbim të kombi shqiptar dhe realizimeve të tija. Si i tillë ai mund të përafrohet një ditë me sakrificën dhe idealin e Dëshmorëve tanë, të cilët, mbi të gjitha, kishin lirinë e vendit. Këtë liri që e fituam në formën bruto, politikani sot e ka për detyrë ta kthej në zhvillim individual e kolektiv për ta siguruar të ardhmen dhe përjetësimin e kombit shqiptar. Pra, për ta siguruar përjetësimin edhe të vetë Dëshmorëve tanë.
Sot, si kurrë më parë, kombi shqiptar është i sfiduar nga një konfiguracion i ri. Ai është më i fuqishëm se kurrë më parë, por edhe më i sprovuar se kurdoherë nga zhvillimet e shpejta dhe ende jo mirë të njohura për të. Ai ka nevojë, si kurrë më parë, për mobilizimin e të gjitha energjive të tij me qëllim që të gjejë rrugën e duhur organizative për t’u bashkuar dhe zhvilluar. Koha është për punë. Dhe punën tonë duhet ta marrim si “homazh” të përditshëm ndaj atyre që dhanë më të shtrenjtën e tyre (jetën) për më të shtrenjtën tonë (lirinë). Puna jonë vjetore duhet të kurorëzohet me një homazh gjithëpërfshirës popullor tek Varrezat e Dëshmorëve.
Të shkojmë njëherë në vit, më 5 Maj, për t’ja dorëzuar veprimtarinë tonë vjetore Veprës së tyre të përjetshme. Në këtë mënyrë e rëndomta nuk fërkon duart për hyjnoren, por fërkon veprimtarinë e saj për Veprën e tyre.
Me Ju do të jemi çdo ditë; me ne do të jeni çdo 5 maj !
Lavdi e përjetësi !
Dega e AAK-së, Viti