Kulturë\Letërsi

Muharrem Xhafa: Artisti i Popullit, Demir Zyko i Skraparit!

Artisti i Popullit, Demir Zyko i Skraparit!
Me dëshirën e me këmbënguljen e Rustem Zykos, të djalit të tretë (të vogël e të fundit) të xha Demirit, hodha në letër, shkurt, disa nga kujtimet e përshtypjet e mia për Artistin e Popullit, Demir Zyko (Demir Arshin Zyko) të Skraparit, të cilin e kam njohur edhe si këngëtar brilant, edhe si mik fisnik në shtëpinë e tij.
Demir Zyko lindi në fshatin Gjerbës të krahinës së Tomorricës, më 21 maj 1911. Kjo krahinë e njohur e ka marrë emrin e saj nga Mali i Tomorrit, të cilit i ka kënduar aq bukur Çajupi ynë i madh, që e quante “Fron i Perëndisë”!
Demir Zyko jetoi LANÇ-in dhe qe korier i saj. Familja e tij qe bazë e LANÇ-it. Jetoi edhe socializmin dhe u këndoi aq bukur arritjeve të tij. Ai vdiq 81 vjeç, më 3 korrik 1992 në Gjerbës, kur socializmi në vendin tonë si sistem shoqëror dhe ekonomik në fuqi ishte përmbysur.
Në vitin 1985, me shokë të tjerë të Aparatit të KQ të PPSH-së u ndodhëm për punë në Kooperativën Bujqësore të Bashkuar të Gjerbësit, të zonës me tradita e zakone burrërore e atdhetare të Tomorricës së Skraparit.
Për darkë dhe për të fjetur u kërkova vëndasve të shkoja në shtëpinë e xha Demirit në Gjerbës, jo se nuk mund të shkoja gjetkë, po sepse doja të kuvendoja shtruar me xha Demirin dhe të dëgjoja po shtruar këngët e zërin e tij karakteristik e fantastik, origjinal, pa mikrofon.
Që nga larg, pashë te porta e oborrit të shtëpisë një katëshe se po na priste xha Demiri me të tjerë njerëz të shtëpisë e të afërm të tij. Pasi hymë në shtëpi e u rehatuam në një dhomë të madhe (ishte dhoma e miqve) dhe, pasi u pyetëm me njeri – tjetrin, xha Demiri, duke e ditur se isha nëpunës në Aparatin e KQ të PPSH-së, pyeti për shëndetin e Komandantit. Jo për modesti, i thashë xha Demirit se unë e takoj shokun Enver me raste, sepse ai nuk ka as kohë të mjaftueshme e as mundësi t’i takojë të gjithë nëpunësit e Aparatit të KQ të Partisë.
“Befas”, hyri në dhomë e shoqja e xha Demirit, Feruzeja, e cila i tha të shoqit se me miqtë nuk ecën muhabeti pa një gotë raki Skrapari me pak meze përpara. Pa vonuar tavolina u shtrua dhe u mbush me gjithë të mirat. Teksa po “shërbente”, vura re se e zonja e shtëpisë diçka po thoshte nëpër buzë. – A mos je gjë besimtare? – e pyeta. – Po, jam pak, por nuk e propagandoj – më tha. Në mes hyri një tjetër dhe biseda u ndërpre.
Sipas zakonit, xha Demiri ngriti për miqtë dollinë e mirëseardhjes. E dija që nuk pinte shumë raki, po as i erdhi mirë që i thashë : Xha Demir, rakinë e të zotit të shtëpisë dua ta pimë shtruar dhe pa shumë shëndete e dolli dhe shtova : ndërsa këngën e Skraparit dua ta kemi pa kufizim. Me këtë shprehjen e fundit sikur e rregullova, se vura re që xha Demiri u kënaq dhe pa një pa dy ia mori këngës : “Mbeçë, more shokë, mbeçë, përtej urës së Qabesë…”! Aq sa mundëm, i mbajtëm iso edhe unë me të tjerë, po a përballohej “bilbili” i Skraparit, Demir Zyko?
Pasi mbaroi kënga, i thashë : – A mund t’ju pyes për diçka? – Po – m’u përgjigj – xha Demiri! – Kjo këngë më ngjan si këngë kurbeti? – Po – më tha xha Demiri – është këngë kurbeti e vjetër! – Për nga oitë – i thashë – ngjan me isokëngët e Kurveleshit! – Po, ngjan, sepse këndohet në grup, por quhet këngë toske e Skraparit, jo këngë labe – ma ktheu xha Demiri.
– Sa di unë, xha Demir, ju jeni dekoruar “Artist i Popullit” me dekret të Presidiumit të Kuvendit Popullor në vitin 1979 dhe se jua ka dorëzuar këtë titull të lartë vetë kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor të RPSSH-së, shoku Haxhi Lleshi.
– Ashtu është – tha xha Demiri – dhe shtoi se shoku Haxhi Lleshi, pas ceremonisë që u organizua me këtë rast në Gjerbës, erdhi për urim dhe piu një kafe në shtëpinë time. Haxhi Lleshi, pavarësisht se cili ishte, ishte i thjeshtë, me të kemi kuvenduar si i barabarti me të barabartin, si dibrani me skraparliun. Në atë rast, ai më ftoi të vija për të banuar e punuar në Tiranë.
– Ore vërtetë, përse nuk keni pranuar të vini për të banuar e punuar në Tiranë dhe përse i keni kundërshtuar ofertat që ju janë bërë, kur të tjerë fusnin “mik”, – i thashë.
– Jo vetëm në Tiranë. Nuk kam pranuar të shkoj për të banuar e punuar as në kryeqytetin e rrethit tim, në Çorovodë të Skraparit. Është e vërtetë që kam pasur kërkesa nga lart për të banuar e jetuar familjarisht në Çorovodë e në Tiranë, po nuk i kam pranuar jo për tjetër, po sepse nuk ka si Gjerbësi im, si Skrapari im. E ku do t’i mësoja unë ato mbi 100 këngë që di e i kendoj, veçse në Gjerbës! Unë kam të incizuara rreth 50 këngë, por di përmendësh e këndoj edhe 50 këngë të tjera. Bile i këndoj jo rrallë me 8 fëmijët e mi, me 3 djemtë e me 5 vajzat. Dhe ia nisi këngës : “O Tomorr, o mal i lartë”…!
– Dhe një gjë – xha Demir – por mos ma merr për keq, madje ju kërkoj falje. Pse ju ka mbetur nofka “xha Demir”?
– Kjo “nofkë” më ka mbetur, sepse dukem më i vjetër se jam në të vërtetë për arsye se mbaj mustaqe! Po zërin e kam si të “djalit të ri”. Nuk thotë kot populli : njeriut shihi punën, jo gunën! Dhe qeshi.
Kënga dhe zëri i “Artistit të Popullit”, Demir Zyko, është dëgjuar jo vetëm në skenat e Skraparit e të rretheve të tjera të vendit tonë. Xha Demiri kishte ftesa nga shumë shtete të botës.
Kënga dhe zëri i “Artistit të Popullit”, Demir Zyko, ishin objekt studimi për specialistët e fushës, përbënin e përbëjnë një shkollë të veçantë kënge dhe ndiqeshin e ndiqen nga shumë djem e vajza të Gjerbësit, të Skraparit dhe të Shqipërisë! Me bindje them se është vështirë t’i vijë Shqipërisë një zë si i Demir Zykos, i cili nuk jeton më, po kënga e zëri i tij bilbil kanë mbetur e do të mbeten, do të studiohen e do të dëgjohen sa të jetë populli!
Muharrem Xhafa
Maj 2023