Komenti

Xh. Gjini: Serbia kërcënon me luftë – BE -ja dhe Fuqitë Perëndimore me thirrjet demode për përmbajtje

Koha e fundit që Serbia dhe prania e saj të detyrohet të tërhiqet nga Republika e Kosovës. Nuk ka alternativë tjetër për paqe, siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon e më gjerë.

Tirana, Prishtina dhe Shkupi (edhe faktori tjetër politik shqiptar në trojet e pushtuara) duhet t’i bashkërendojnë dhe unifikojnë deklaratat dhe qëndrimet e tyre përballë kërcënimeve të Serbisë milosheviçiane të Vuçiçit për t’u rikthyer në Kosovën shqiptare me ushtri. De jure dhe de fakto ky është kërcënim me luftë dhe një gjysmëshpallje lufte. Deklaratat dhe qëndrimet e Tiranës (sidomos) të gdhendura me daltën e politikanit dhe të diplomatit nuk pinë ujë më! Serbia neofashiste nuk e kupton këtë gjuhë. S’e ka kuptuar kurrë që ta kuptoj sot! BE – ja dhe SHBA – të (Fuqitë Perëndimore) është koha e fundit që me Serbinë të flasin qartë, të flasin shkoqur dhe pa ekuivoke. Deklaratat, marrëveshjet dhe qëndrimet e tyre dykuptimshe e shumëkuptimshe s’kanë bërë gjë tjetër veç se e kanë ushqyer dhe rritur oreksin e Serbisë për ta ruajtur praninë e saj në Kosovë, për ta pamundësuar funksionimin dhe zhvillimin normal të Kosovës së pavarur nga Serbia, për të ushqyer urrejtjen dhe për të nxitur dhunë, tensione e konflikte me qëllim të riokupimit të një pjese të territorit të Kosovës shqiptare.

Thirrjet e Fuqive Perëndimore për përmbajtje, që i drejtohen Prishtinës e Beogradit tash dy dekada, janë bërë demode dhe e kanë trimëruar Serbinë milosheviçiane të Vuçiçit, nga njëra anë, dhe e kanë dekurajuar klasën politike e shtetërore të Kosovës, në anën tjetër! Projekti për ta penguar Kosovën shqiptare të bashkohet me shtetin e saj i shtyri Fuqitë e Mëdha të shpikin dhe të imponojnë “zgjidhje” të rrezikshme dhe kërcënuese për qëndrueshmërinë dhe funksionalitetin e Kosovës dhe për paqen dhe sigurinë në rajon! Shpikja e “komunave serbe”, e “kishës serbe” dhe e “zonave të mbrojtura serbe” në zemër të Kosovës, me qëllim të fundit bosnizimin e Kosovës shqiptare, duke krijuar një minishtet serb në tokën shqiptare të Kosovës, prodhoi realitetin absurd, tensionues e të dhunshëm që po jetojmë edhe këto ditë!! Ndarja e qytetit shqiptar, Mitrovicës, dhe shpikja e dhunshme e një Kosove Veriore, nën ombrellën dhe me miratimin (tolerimin) e heshtur të pranisë ndërkombëtare, s’kishte si të jepte fryte tjera pos këtyre që po i “shijojmë” tash 23 vjet!!

Rikthimi dhe tolerimi i pranisë së Serbisë në territorin e Kosovës pas një lufte heroike çlirimtare, në emër të një pakice serbe (5%), ishte më tepër se gabim i Fuqive Perëndimore! “Detyrimi” i klasës politike të Prishtinës (përdorimi i politikanëve me të kaluar kolaboracioniste dhe i disave të kapur e të shantazhuar) ishte një goditje tjetër nën brez për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës shqiptare! Shfrytëzimi i Kosovës për kusuritje midis Fuqive të Mëdha, për kusuritje gjeopolitike e gjeostrategjike e dëmtoi rëndë pozitën dhe lirinë e fituar me shumë sakrifica të Kosovës!

Tensionet, dhuna, terrori, barrikadat dhe sulmet ndaj policisë sonë dhe asaj të EULEX -it janë vepër e retorikës, e udhëzimeve, e përgatitjeve dhe e organizimeve të Beogradit! Gjendja konfliktuoze në Kosovën Veriore nuk është vepër e qytetarëve serbë. Këtë e kanë të qartë edhe BE -ja, edhe ato Fuqi që i krijuan kushtet për të ndërhyrë Serbia shoviniste në punët e Kosovës… Prandaj, është momenti që BE – ja, SHBA – ja dhe Fuqitë tjera Perëndimore e rajonale, që angazhohen për paqe, siguri dhe stabilitet në rajon e më gjerë, t’ia bëjnë të qartë Serbisë dhe Vuçiçit, pa ekuivoke, se nuk do të lejohet ndërhyrja dhe interferimi brenda kufijve të Republikës së Kosovës… Këto Fuqi dhe forcat e tyre në Kosovë duhet urgjentisht dhe energjikisht t’i heqin barrikadat, t’i zhbllokojnë rrugët dhe të garantojnë lëvizjen e lirë cep më cep në Kosovë… Nëse jo, ta lejojnë Kosovën të armatoset dhe “trajnohet” me armët dhe mjetet e nevojshme për t’u mbrojtur nga Serbia.

Qeveria e Republikës së Kosovës dhe të gjitha partitë politike duhet t’i harmonizojnë deklaratat, qëndrimet dhe angazhimin pa kushte për mbrojtjen e lirisë dhe të sovranitetit në tërë territorin. Serbia, përveç tjerash, me rritjen e tensioneve dhe dhunës në Kosovën Veriore ka për synim edhe përmirësimin e pozitës së saj në tryezën e bisedimeve me qëllim që ta krijojë “zajednicën”, ashtu siç është nënshkruar nga leshkot tanë, me çka do të vendoste kontrollin në 30% të territorit tonë dhe do ta bënte të pamundur funksionimin e Republikës! Që të dilet nga ky rreth vicioz, ku e kanë futur Kosovën tonë leshkot qeveritarë e politikanë me marrëveshjet dhe “zgjidhjet” e pranuara (edhe të nënshkruara), Qeveria e Kosovës, dhe jo vetëm, duhet urgjentisht të marrë masa dhe të krijojë “mbrojtjen civile”, si hapin e parë për përgatitjen, përfshirjen dhe strukturimin e gjithë qytetarëve të aftë për mbrojtjen e vendit… Të merret vesh me Tiranën dhe me qendra tjera mike që të sigurohet armatimi i nevojshëm mbrojtës për ta mbrojtur vendin, jo vetëm sot, dhe për ta ndihmuar Serbinë të qetësohet dhe të heq dorë nga planet e saj ekspansioniste dhe luftënxitëse. Mbrojtja e Kosovës shqiptare, liria dhe sovraniteti i saj janë pa alternativë për popullin shqiptar në Kosovë dhe për gjithë kombin. Kushdo që ka dhe propagandon, siç po propagandojnë disa qarqe kolaboracioniste e mercenare në Prishtinë e Tiranë, tjetër almternativë do të gjendet në anën e gabuar të historisë…