Histori

Sali Verdha: Myslim Peza dha sinjalin e parë të LANÇ në Shqipëri

Marrë nga libri: “Veteranët tregojnë”
Lexo dhe mbaj shënim: shkruajnë veteranët
Myslim Peza dha sinjalin e parë të LANÇ në Shqipëri
Nga SALI VERDHA
Ish komandant i Brigadës XXII Sulmuese Partizane
Në kohën e pushtimit fashist të vendit, Myslim Peza ishte i mërguar në Resnje të Maqdonisë. Dëshpërimin e madh që e pushtoi, e ndau me shokun dhe mikun e vet të ngushtë, Haxhi Lleshi. Së bashku vendosën që të fillonin luftën në prapavijat armike, secili në krahinën e vet. Me që Baba ishte i varfër ekonomikisht, Haxhiu i premtoi se do ta ndihmonte me të gjitha mënyrat.
Tre muaj pas pushtimit fashist të vendit, Myslimi kthehet në Shqipëri. Duke hetuar gjendjen, vuri re se këtu kishte mjaft forca antifashiste, por ato akoma nuk ishin organizuar mirë. Koha punoi për plotësimin e dëshirës së tij.
Më 28 tetor 1940 pushtuesi italian i shpalli luftë Greqisë. Krekosjet fashiste hasën në patriotizmin e popullit grek. Dhe ndodhi e kundërta e dëshirës fashiste: ushtritë italiane u thyen keqas. Pas dy muaj e gjysëm luftimesh të përgjakshme, italianët u tërhoqën dhe vija e frontit, më 10 janar 1941, u vendos që nga Himara, Gusmari, Çorovoda e deri në Pogradec.
Ndërkohë, lëvizja antifashiste në Shqipëri pat marrë përpjesëtime më të mëdha. Veçanërisht studentët e punëtorët qenë hedhur nëpër demonstrata e greva të fuqishme.
Që nga 5 qershori i vitit 1940, kur në Pezë u ngrit njësiti i parë e deri në marsin e vitit 1941 çeta kishte arritur në mbi 70 luftëtarë patriotë. Baba i mbante me veshmbathje e nevoja të tjera, sigurisht duke u financuar edhe nga Haxhi Lleshi, sipas premtimit që i pat dhënë kur qenë ndarë.
Duke e parë gjendjen mjerane të ushtrisë pushtuese, Baba vendosi ta fillonte luftën në prapavijat e armikut, gjë që deri në atë kohë nuk kishte ngjarë në asnjë nga vendet që kishin pushtuar ushtritë nazifashiste në Europë.
Më 13 mars 1941 një njësit i çetës preu rrugën Ndroq – Tiranë në Pezën e Vogël. U godit me breshëri një makinë ushtarake dhe u ndërpre ndërlidhja Itali – Tiranë. Ky aksion i tronditi shumë pushtuesit. Këta të fundit nisën në drejtim të Pezës së Madhe disa forca të zgjedhura. Plot
55 vjet më parë, më 15 mars1941, u nisën natën nga Tirana 700 forca të zgjedhura që të asgjësonin 70 kryengritësit, që ishin grumbulluar pranë Babë Myslimit. Lajmërimet që i erdhën Babës nga patriotë tiranas, se italianët do të sulmonin Pezën ai i vlerësoi. Dhe mori masa, duke e ndarë çetën në 4 njësite.
Ai vet me një grup shokësh qëndroi në shtëpinë e vet. Ai e parashikoi se do të goditej nga armiqtë. Një skuadër, me Kajan Karafilin në krye, e dërgoi në lagjen Bec të Pezës. Një skuadër tjetër, me Shaban Rexhën në krye, e dërgoi në afërsi të Pajonës. Ata që mbetën, i dërgoi në fshatin Çikallesh të Kavajës.
Pa zbardhur dita e 16 marsit 1941, kolona kryesore e karabinierëve italianë u fut në fushën përpara shtëpisë së Myslim Pezës, në formacion luftarak, me qëllim që t’i zinin në befasi. Por ndodhi e kundërta: Përvoja e Babës triumfoi. Shokët që ndodheshin në Pezë me Babën në krye ishin vendosur në pozicione të mbrojtura mirë dhe i pritën armiqtë shumë afër. Sinjalin e parë kundër tyre e dha pushka e Babës.
Ajo u ndoq, në çast, nga breshëri që i befasuan armiqtë. Vranë shumë prej tyre dhe pjesa që shpëtoi u tërhoq me shpejtësi, duke u futur në shtratin e përroit të Pezës e duke lënë dhjetëra kufoma në fushën përpara shtëpisë.
Skuadrat që ishin nxjerrë larg shtëpive të Pezës u vunë menjëherë në lëvizje: Kajani me shokët e tij u vendosën nën lagjen Çelmetaj, ndërsa Shabë Rexha kaloi nga lagjia Zgurie dhe u doli në shpinë përqendrimeve në veri të qendrës së Pezës. Kjo taktikë e ndjekur nga Baba bëri që italianët nga rrethues të gjendeshin të rrethuar. Dhe pësuan humbje të rënda. Në këtë luftë të përgjakshme u vranë mbi 80 karabinierë e milicë dhe shumë të tjerë u plagosën. Nga ana jonë ranë duke luftuar heroikisht 5 dëshmorët e parë të LANÇ: Hasan Gani Peza, Muharrem Hajdar Haka, Sadi Mersin Sinani, Vath Beqir Korriku dhe Xhafer Kapllan Durishti. Gjithashtu, u plagosën edhe 5 të tjerë: Emin Çelmeta, Qemal Deliallisi, Skënder Peza, Sulejman Brahja dhe Shkurt Rexha.
Kjo luftë dha shkëndijën e parë në Shqipëri, Ballkan dhe Evropë, që ushtritë pushtuese mund të luftoheshin edhe në prapavija, gjë që nuk ishte praktikuar deri në atë kohë në asnjë vend. Ky shembull i lartë heroizmi u ndoq nga dhjetëra e qindra shembuj të tjerë në të gjithë vendin tonë, derisa u çlirua tërë Shqipëria më 29 nëntor 1944.
Ne do ta përkujtojmë brez pas brezi këtë betejë të lavdishme, dëshmorët e saj dhe pjesëmarrësit në këtë luftë ngadhnjimtare.