Shqipëria/Aktualitet

Markim shtegut për në shpellën e Pirogoshit në Skrapar

TIRANË, 2 shtator/ATSH/ Specialistët dhe rojet mjedisorë të Adiministratës së Zonave të Mbrojtura Berat, rifreskuan markimin e shtegut për tek Shpella e Pirogoshit, një nga më të mëdhatë dhe më interesantet në rrethin e Skraparit dhe ndër më të veçantat në Shqipëri.

Për të vizituar këtë shpellë duhet ndjekur rruga automobilistike Berat – Çorovodë – Pirogosh dhe më pas rruga këmbësore, për rreth 350 m.

Shpella e Pirogoshit është monument natyre, e cila ndodhet në Kanionin e Gradecit.

Ajo ka një hyrje me gjerësi 12 m dhe lartësi 4-5 m dhe është lehtësisht e kalueshme nga vizitorët e zakonshëm.

Në brendësi të saj gjenden stalaktite e stalagmite. Gjithashtu ka vende, ku terreni është i mbuluar nga shtresa të tëra mikroorganizmash, të cilët të krijojnë idenë se shpella është e mbuluar nga një “tapet” i ngurtë e i bardhë.

Kjo shpellë është vizituar nga shumë grupe speleologjike të huaja franceze dhe holandeze. Eksplorimi i plotë i saj, u krye në vitin 1995 nga speleologët italianë të grupeve “Puglia Grotte dhe Dauno”. /j.p/