Arkiv / Ripublikim

Osman Zhitia: Gjykatësit tentuan ta “koritnin” Afrimin (Intervistë me të atin e një nga drejtuesit dhe Heroit të LPRK – së e të gjithë Shqipërisë, Afrim Zhitisë)

[Babai i Heroit të Kombit Afrim Zhitia, Osmani, shpalos për gazetën “Epokën e re” historinë e familjes Zhitia. Në vazhdim po sjell fragmente nga kjo intervistë, duke përzgjedh rrëfimet e Bacit Osman për Djalin e tij, Afrimin.]

EPOKA E RE: Kur mbani mend angazhimet e para të Afrimit?

OSMAN ZHITIA: Afrimi ka qenë në Shkollë të Mesme në Prishtinë. Profesor e ka pasur Nezir Myrtën. Ky ka qenë profesor edhe i Esat Brajshorit. Në atë kohë erdhi dhe i kërkoi “vitrat” në mëhallë për t’i ndihmuar lëvizjes. Kishte rënë në kontakt me lëvizjen dhe na ka thënë neve: “Mos ia jepni ‘vitrat’ hoxhës, por ndihmojeni lëvizjen”. Kur u bënë demonstratat e ’81-shit dhe filluan burgosjet, e burgosën edhe Nezir Myrtën, profesorin e Afrimit. Afrimi erdhi në shtëpi dhe më tha: “Babë, na kanë burgosur profesorin”. Unë u mërzita. Neziri në burg e shkruan një letër për familjen e tij dhe pyet: “Ju lutem shikoni dy nxënës mos i kanë arrestue”. E ka pasur fjalën për Afrimin dhe Esatin. Pas ’81-shit, Afrimi punonte punë të rënda, fitonte pak para dhe ato ua dërgonte të burgosurve politikë. Vazhdimisht ky ka qenë aktiviteti i Afrimit deri në kohën kur e thirrën për ushtri në vitin 1983. Kur e morën ushtar, e dërguan në Banja Llukë. Në atë kohë u vra Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha. Kur u vranë këta të dy, pas një kohe u zbulua edhe grupi i Afrimit. Në krye të këtij grupi ka qenë Sejdi Veseli. Në atë grup ka qenë edhe Shemsi Veseli, Esat Brajshori, Ilaz Zhitia dhe disa të tjerë.

EPOKA E RE: Kur është zbuluar grupi, Afrimi ka qenë ushtar?

OSMAN ZHITIA: Po. Atje kanë shkuar dhe e kanë arrestuar Afrimin në Banja Llukë. Esat Brajshorin e kanë marrë në Zagreb. E kanë marrë edhe Ramadan Avdiun dhe i kanë dërguar në Prishtinë. Ka qenë dimër. Unë dëgjova që e kanë sjellë Afrimin në Prishtinë dhe shkova pyeta në Gjyq të Qarkut. Pastaj shkova tek Isak Nishevci, i cili ka qenë gjykatës hetues i Afrimit. E pyeta Isak Nishevcin: “A mundesh mem tregue ku e kam djalin?” Më tha është në burg, në Prishtinë. I kërkova një leje që të shkoj t’i dërgoj diçka. Lejen ma dha. Pastaj shkova te burgu, ia dërgova pak duhan edhe disa gjëra të tjera. Shpresova që po më lejojnë ta shoh. Kam pritur katër orë me atë shpresë derisa erdhën dy policë dhe më pyetën: “Bacë çfarë po pret këtu? Shko se nuk ka mundësi me pa djalin”.

EPOKA E RE: Kur e takove Afrimin?

OSMAN ZHITIA: Pas disa ditësh erdhi edhe koha e vizitës. Pikërisht ato ditë e vranë Bajram Bahtirin, u vra Rexhep Mala e Nuhi Berisha. Ne u çuam dhe shkuam për vizitë në burg. Kur arritëm te burgu, e pash një plak. E pyeta. “Kush je bre ti? Më tha jam Hajrushi. I thashë, o Hajrush, zoti t’ndihmoftë! E ai më tha: “Ahi bre, ma vranë djalin shqiptarët, tjetrin djalë në burg, e vajzën ma kanë tranue”.

Nuk dija ç’të bëja. Ai dridhej kurse mua m’u nxi fytyra. Pastaj hyra tek Afrimi. Një polic rrinte anash i armatosur. Sa më pa Afrimi më pyeti: Çfarë të është nxirë fytyra? Ai e hetoi pak, por unë nuk iu përgjigja. I thashë: “Unë e di që të kam dërguar ushtar!”. Ai me buzëqeshje m’u përgjigj: “Epo atje larg nuk do të mund të vije të më vizitoje, tash t’u afrova”.

Pas pak ditësh erdhi koha edhe Afrimi doli para gjyqit. Sejdi Veseli ishte udhëheqësi i grupit dhe bëri shtatë orë para gjyqit. Gjykatës ka qenë Ahmet Ahmeti. Pastaj ka qenë Shemsi Veseli, kundër të cilit është përdorur libri “Titistët” i Enver Hoxhës. Erdhi radha edhe për Afrimin. Kur e mori fjalën, Afrimi duke u drejtuar kah gjykatësit ka thënë: “Unë nuk e pranoj këtë gjyq. Kjo gjykatë nuk është e popullit tim. Unë i përkas popullit tim”. Gjykatësi Ahmet Ahmeti dhe gjykatësi hetues Isak Nishevci e kanë dënuar me tetë vjet burgim. Që e dënuan Afrimin me tetë vjet burgim nuk më bëhej vonë, por që kanë thënë është penduar Afrim Zhitia, kurrë hallall mos u qoftë! Këtë shpifje në gazetë e ka lajmëruar gazetari Agim Muhaxheri. Afrimi të nesërmen e ka demantuar.

EPOKA E RE: Kanë thënë që është penduar Afrimi?

OSMAN ZHITIA: Kanë gënjyer, sepse Afrimi asnjëherë nuk e ka bërë një gjë të tillë. Por, po e them një gjë: më shumë jam mërzitur atë ditë që gënjyen sesa atë ditë që e mora të vrarë. Këta punëtorët shqiptarë të armikut e kanë bërë edhe një krim tjetër, Afrimit ia kanë rritur vjet. Në atë kohë Afrimi ka qenë i mitur, sepse ka qenë i lindur në vitin 1965. Kur u arrestua Afrimi ka qenë dilema nëse është i mitur apo jo. Për ta dënuar, për ta kapur ligji, vitet ia ka rritur gjykatësi Ahmet Ahmeti. Nuk e harroj një rast, kur kam shkuar ta marr lejen për vizitë, ai gjykatësi (Ahmeti) më tha, “A po shkon ta shohësh kasapin”. Unë i thashë, “Djali im nuk është kasap”. Aty jam tmerruar.

Pas pak kohësh, nga Mitrovica e dërguan në Pozharevc. Kur në një rast shkuam në vizitë unë bashkë me nënën e Afrimit, qëlloi përvjetori i vdekjes së Tito-s. Në ora tre pasdite ushtonte sirena në qytet dhe të gjithë duhej të ngriheshin në këmbë. Me qëllim, edhe Afrimin na qitën në orën tre ta vizitonim. Sa jemi ulur, sirena ka filluar të ushtonte. Në atë moment polici i ka bërtitur Afrimit që të çohej. Afrimi tha “Nuk çohem ta nderoj atë që më ka burgosur”. Unë dhe gruaja nuk dinim se ç`po bëhej. Mendova dhe thashë mos ndoshta nga kanë ardhur deri tek ne, janë kacafytur. Kur përfundoi vizita dhe ne dolëm jashtë, po e pyes djalin tim tjetër, “Sylë, çka u bë bre? Ai më tha, “Për Titon u desht të ngritemi një minutë”. Aiii, i thashë, edhe nga varri s`po na le rehat ai qen.

Bashkë me Afrimin në atë burg kanë qenë edhe Sabit Veseli, Mehmet Bislimi dhe Habib Selimi nga Presheva. Këta fillojnë në burg grevën e urisë. Afrimin e kishin dërguar në qeli.

Pas një muaji duhej të shkonim prapë në vizitë. Kur e qitën Afrimin para meje, ç`të shihja, i kishte mbetur vetëm skeleti. Ashtu kishte ndodhur edhe me të tjerët.

Unë së bashku me babanë e Sabit Veselit, Smajlin, u organizuam dhe shkuam në Jurisprudencë te Vesel Latifi. Aty sekretari ka qenë boshnjak dhe na pyeti, “Çka u bë”. I thamë që kemi ardhur të tregojmë se çka është duke ndodhur sot në Burgun e Pozharevcit. Ai na përzuri.

Kur dolëm nuk dinim nga t`ia mbanim. Të gjithë na urrenin. Menduam të shkojmë te Kolë Shiroka, i cili ka qenë kryetar komiteti. Na mori një djalë i ri dhe na futi brenda. Kur e ka lajmëruar Kolën, ai i ka thënë që menjëherë të na largojë jashtë.

Pas kësaj shkuam te Këshilli Krahinor, tek drejtori, Bogoviqi. Kur shkuam aty, një polic na tha që s`mund të hyjmë atje. Por, një djalë i ri, përcjellës i Bogoviqit, më pyeti se çka po kërkonim. I tregova. Ai më ka thënë, “Prisni pak”. Kur hymë aty i treguam për të gjitha torturat dhe provokimet që u bëheshin djemve tanë në Burgun e Pozharevcit. Ai na tha që të shkonim te Vesel Latifi, i cili do të shkonte të shikonte se ç`ishte duke u bërë. Por, na tha që të ktheheshim prapë tek ai pas tre ditësh. Kur shkuam pas tre ditëve, na tha që do të bënte ç`të kishte mundësi. Ai kishte kontaktuar edhe me Vesel Latifin, e kishte informuar edhe Jurisprudencën se çka ishte duke ndodhur në Burgun e Pozharevcit. Pastaj na tha që t’i shkruanim drejtorit të burgut, ato fjalë të cilat ia kishim thënë edhe atij.

Pas disa ditësh unë së bashku me babën e Sabitit, dhe babanë e Bardhyl Mahmutit shkuam në Pozharevc për t’u takuar me drejtorin. Kur u takova me drejtorin, ai më tha: “Po këndojnë këngë nacionaliste dhe nuk e respektuan fare Titon”. Po i thashë, e di se edhe unë bashkë me gruan, djalin dhe vajzën kemi qenë dhe as ne nuk jemi çuar në këmbë. Por ju po i maltretoni, për atë Martinoviqin në Gjilan. Çka ka lidhje Martinoviqi me këta këtu. Duke biseduar kështu dhe duke i treguar për të gjitha përpjekjet dhe kontaktet që i kishim bërë ne, ai më tha që të shkojë sepse s’do të ndodhin më këto gjëra. I tregova edhe për rritjen e vjetëve me të vetmin qëllim për ta burgosur. Ai më tha që nëse është e vërtetë fajet i ka Gjykata në Prishtinë. “Fajet i ka gjykatësi Ahmet Ahmeti dhe gjykatësi hetues Isak Nishevci”. Ky ishte edhe rezultati i bisedës.

Pas këtij takimi unë shkova te Afrimi. Kur e takova Afrimin i tregova që isha tek drejtori. Afrimi u nervozua shumë që kisha qenë te drejtori dhe më tha. “Edhe te drejtori edhe te unë nuk ka”. Më tha që kurrë më mos t’i shkoja në vizitë. Më tha që në vizitë t’i shkonte vetëm nëna ose askush.

Por drejtori në procesverbal e kishte shkruar që “Baba i Afrim Zhitisë, i beson djalit të tij”. Ndërkohë, se di se si, i bie Afrimit të shkojë në zyrën e drejtorit dhe e sheh atë shkrim. Kënaqet.

Kur u bënë një muaj, që nga vizita e fundit, nuk munda të duroj më. I thashë gruas, eja dhe shkojmë bashkë te Afrimi. “Mua nuk më pranon por t’i vizitoje”, i thashë nënës së Afrimit. Kur shkuam atje ato telashet që i kishin pasur përpara nuk i kishin më. Tani Afrimi ishte më mirë edhe nga shëndeti. Kur shkuam te dera, i thashë gruas ‘hyn ti’. Por aty afër kishte qenë edhe Afrimi, i cili ishte duke buzëqeshur. Më tha, “Hajde edhe ti babë me nënën”. I thash po a më ke thënë mos hajde? Afrimi më tha, “E kam parë dosjen, e kam parë që kishe besim te unë”. Unë i tash. Të kam besuar dhe të besoj gjithmonë. Prej vizitës dolëm të kënaqur deri në pikën e fundit.

Pastaj erdhi koha dhe Afrimi doli prej burgut.

EPOKA E RE: Si u bë që doli prej burgut Afrimi?

OSMAN ZHITIA: I mbajti vetëm katër vite burg. Pjesën tjetër ia hoqi shkalla e dytë.

NE E DINIM QË AFRIMI PO SHKONTE USHTAR, POR…

EPOKA E RE: Kur doli prej burgut, çka bëri Afrimi?

OSMAN ZHITIA: Filloi menjëherë punën aty ku e kishte lënë. Nënën e tij, Afrimi e ka dashur shumë. Ka qenë shumë i lidhur me të. Njëherë na tha të dyve: “Nënë dhe babë, mua mos më pengoni kurrë. Unë e kam zgjedhur rrugën time”.

Aktivitetin e vazhdoi me Fadil Vatën, me Ramadan Avdiun dhe me Fahri Fazliun. Ka bërë vaki që në shtëpi nuk ka qëndruar me muaj të tërë. Ne e dinim dhe s`kishim ç`të bënim.

Pas pak vjen koha kur Afrimi duhej të shkonte prapë ushtar, që të kryente edhe pjesën që i kishte mbetur. Kishte biseduar me shokët, me Fadil Vatën e të tjerët, a të shkonte apo jo. Marrin vendim që të shkonte. E ka pasur shok edhe Durmish Gashin prej Rahovecit, Binak Berishën etj. Të gjithë marrin vendim që të shkojë. Në mbrëmje Afrimi vjen në shtëpi tek unë bashkë me Fadil Vatën dhe Ahmet Avdiun. Më tha babë, po bëhem burrë e po e laj ushtrinë. Edhe shkoj ushtar. Atje në Shibënik e kishte pasur komandant një kroat. Kur vinte koha e provimeve këtu në fakultet në Prishtinë, duhej t’i dërgonim vërtetimin e fakultetit për provime. Sadetja, vajza ime, e cila po ashtu ishte në fakultet, shkon edhe ia kërkon referentit një vërtetim. Referenti ia gris kërkesën vajzës dhe i thotë që Afrimi nuk e meriton të jetë në fakultet për veprën që e ka bërë. Por komandanti e kishte lëshuar Afrimin.

Ditën e fundit, kur duhej të kthehej prapë në Shibenik, Afrimi vjen në shtëpi i veshur me uniformën e ushtrisë. E kishte pasur një rrip të mirë të ushtrisë. Unë i thashë, “Afrim a po ma jep bre qatë rrip”. Afrimi më ka thënë: “Ai babë bre! Po ky është rryp i huaj bre”. Beso që më ka shtyrë të flas vetë me vete. Edhe sot e kësaj dite jam pishman që ia kërkova atë rrip. Po e lidhi me këtë ngjarje që më ka ndodhur me Afrimin me një ndodhi të pas luftës. Kur u çliruam më thirri kryetari i Komunës së Podujevës, Sulejman Gashi, e më tha: “Kemi vendosur që familjeve të dëshmorëve t’ua japim disa lokale. Unë i jam përgjigjur: O burrë i dheut, për një rrip Afrimi më ka bërë të flas vetë me vete, me pranu unë këtë që po ma ofroni, ai nga varri ngrihet dhe më thotë: “Ah bre babë çka bane!” Unë nuk guxoj i thash. Unë jam për forcimin e shtetit tonë, e jo për lokale e gjëra të tjera. Sot ata njerëz janë të gjallë, mund ta dëshmojnë këtë.

EPOKA E RE: U kthye prapë në ushtri Afrimi?

OSMAN ZHITIA: Jo jo, në atë moment Afrimi hyri në dhomën e vet. I thashë, Afrim, kjo dhomë është e jotja. Fakultetin po e përfundon edhe ushtrinë po ashtu. Një nuse dua ta sjellësh në shtëpi. “Ai bre babë!, – u përgjigj ai, – a nuk po i sheh vuajtjet e popullit a? Të vramë, të vuajtun e t’i po më thua nuse?! Shikoje bacën Adem Demaçi i ka 28 vjet burgim, edhe ai ka pasur qejf të ishte te shtëpia e vet”. Më tha pastaj: “A e lëmë këtë bisedë babë”?

Nëna e Afrimit e kishte përgatitur një pulë, por Afrimi më tha mua: “Unë pulën nuk e marr me vete. Unë kam qejf ta ha me ty bashkë”. Unë u gëzova shumë. Kur dolëm te dera, Afrimi na përqafoi të dyve dhe iu drejtua nënës së tij që e donte shumë: “Oj nënë, kur të bëhen shtatë javë unë do të vij në shtëpi, në këtë dhomë”.

A beson që ditë më ditë, pas shtatë jave është ardhur kufoma e Afrimit në shtëpi.

EPOKA E RE: Pastaj ç’ndodhi?

OSMAN ZHITIA: Mendja jonë e dinte që Afrimi po shkon në Shibenik. Ai ka shkuar në Prishtinë, ka biseduar me shokët dhe qysh janë marrë vesh me Fadil Vatën, me Fahri Fazliun, dhe me të tjerët. Afrimi e ka marrë uniformën ushtarake, e ka futur në një paketë dhe ua ka dërguar në Shibenik.

UDB-ja u kishte rënë në gjurmë aktiviteteve të grupit. Nga policia dhe ushtria serbe rrethohet “Bregu i Diellit”, ku ishin Afrimi dhe Fahri Fazliu. Aty ata luftojnë dhjetë orë. Aty e vrasin Afrimin edhe Fahriun. Ka qenë njësia speciale e shqiptarëve në atë kohë që i ka rrethuar. Nuk mundën t’i mbrojnë dy djem të rinj. I rrethuan dhe i gjuan sa mundën. Ia dhanë djalit të ri dhjetëra plumba.

Më ka ardhur shumë rëndë kur njerëzit që e kishin vrarë Afrimi, flisnin shqip

EPOKA E RE: Ju dhe gjithë familja e keni ditur që Afrimi po kthehet ushtar në Shibënik?

OSMAN ZHITIA: Ne menduam që Afrimi shkoi në Shibenik. Sadetja, vajza ime, që ishte në fakultet bashkë me Afrimin, kur u kthye në shtëpi më tregoi. Më tha, Babë, Afrimi nuk ka shkuar. Naimi, djali tjetër, kishte shkuar ushtar në Maribor. Pas disa ditësh erdhi policia dhe pyeti se ku është Afrimi. Komandanti i tij, ai kroati, ia kishte dhënë edhe dhjetë ditë pushim, për të mos i shkaktuar probleme menjëherë. Policëve unë u thashë se Afrimi ishte në Shibenik.

Polici më tha. “Afrimi nuk është në Shibenik”.

Kur ndodhi ngjarja në Prishtinë, për Fahri Fazliun tregonin me emër. Për Afrim Zhitinë jo. Unë u zgjova në mëngjes për të shkuar në varrim të Fahri Fazliut në Llaushë. Por te shtëpia kishte qenë një “Nivë”. E kishin dërguar të më marrin. Ai më thotë. “O Osman, a je aty bre”. I thashë po. Më tha duhet të vish në sekretariat. Menjëherë i thashë, “a e paskan vra a? Më tha, “nuk e di valla”. Tërë rrugën ata kontaktonin mes vete.

Kur hymë tek sekretariati kishin qenë dy civilë. Edhe ata hynë të dy në “Nivë”, bashkë me ne. I thanë shoferit, që të voziste drejt spitalit. Kur shkuam tek spitali, kishin qenë dy policë te dera. Kur u hap dera, kishte qenë Afrimi aty i shtrirë. Disa policë më rrethuan. Ai civili më pyeti: “A e njeh”? I thashë po, është djali im. Në atë moment më ra ndërmend ajo që më kishte thënë Afrimi. Që përshëndetja me grusht nuk është as e Enverit, e as e Stalinit, por është grusht armikut, bashkim i popullit. Nuk kam pritur, kam qëndruar gatitu para trupit të tij dhe e kam përshëndetur me grusht. Ai civili u tha policëve: “Lidheni këtë qen”. Atëherë unë ua ktheve. “Largohuni qena se ky është i imi”. Më e rënda ka qenë në ato momente që ata flisnin në gjuhën shqipe. Kur flet në gjuhë të huaj, nuk është asgjë se okupatori na ka bërë shumë të zeza. Një polic që duket se ishte kryesori, u tha atyre që të largohen. Unë iu drejtova Afrimit. “Afrim, hallall me babën, nuk e ke koritur veten e as babën. Besën ta ka dhënë baba që pikë loti nuk do të derdhë”.

Dola prej aty, duke mos ia kthyer shpinën Afrimit. Më dërguan në sekretariat. Beso që askush nuk më ka folur serbisht, të gjithë shqip. Njëherë ia rriti vjetët për ta dënuar Ahmet Ahmeti, Isak Nishevci, kurse të tjerët ma vranë krejt. Kur arrita në sekretariat, i thashë atij komandantit që ishte shqiptar. O burr bre, këta që ma vranë mua djalin sot, nesër do të ta vrasin edhe ty. Ma dha një cigare. Na thirrën ata të “SUP-it”. Atij që më dha cigare ia tërhoqën vërejtjen. Më kanë mbajtur dy orë aty. Dikur më thanë, shko merre kufomën. I thashë, ma jep lejen me shkrim. Nuk ma dhanë, më thanë që të shkoj ashtu. Kur dola prej aty nuk dija nga t`ia mbaja. E prita autobusin për në spital. Në atë moment ka ardhur një taksi. Ishte njëfarë Hilmi Rama prej Koliqit, i cili më pyeti se ku isha duke shkuar. I tregova që po shkoja te motra ime në Ulpianë, e cila është e martuar për Ali Aliun. E takova motrën, e cila edhe ajo vinte nga spitali. Më tha: “O vëlla a po mund bën gajret?”. Unë iu përgjigja: “Po po, gajret po, por s`po kam me çka ta çoj djalin në shtëpi”. Ajo më tha që të mos mërzitesha për atë, sepse shumë vetura te spitali prisnin për atë punë. Në atë moment m’u duk se m’u ngjall djali. Edhe ata njerëz që ishin duke më pritur, policia i merrte në pyetje. E mora kufomën e Afrimit. Në atë moment m’u afrua të më ndihmonte një burrë nga Presheva, i cili quhej Maliq Kamberi. Më tha: “Bacë ky djalë është edhe i yni”. Pastaj vazhduam rrugën për në Llap. Kur arritëm në shtëpi, trupin e Afrimit e vendosëm në dhomën e vet, aty ku e kalonte shumicën e kohës, duke mësuar. Kur e pa nëna e tij, iu drejtua me fjalët. “Hallall të qoftë gjiri që ta kam dhënë o bir! Unë nuk do ta derdh asnjë pikë loti”.

Varrimin e caktuam prej orës 12 deri në orën 13. Duhej ta prisnim edhe djalin e madh, Sylën, që ishte nisur të vinte nga Zvicra. Varrimi u bë tek në orën 16:00. Kur arriti Syla, i përshëndeti të gjithë pjesëmarrësit në varrim dhe m’u drejtua mua: “O babë, ban gajret se nuk ta ka marrë ftyrën”. Në atë moment jehoi zëri i të gjithëve: “Lavdi dëshmorëve!”.

Kur përfundoi ceremonia e varrimit, m’u afrua një burrë me emrin Sherif Avdullahu i Dafinetit (Vranidollit), dhe më pyeti nëse mund të më thoshte diçka. I thashë, vetëm urdhëro. Ai pastaj më tha: “Djalin që të erdhi nga Zvicra, strehoje diku se ka me ta marrë policia”. Unë e mora Sylën dhe menjëherë e dërgova në Aeroportin e Shkupit, nga u nis menjëherë për në Zvicër. Të nesërmen më rrethoi policia dhe e kërkoi Sylën. Tani edhe pas kësaj kohe, dua t’i falënderohem Sherifit, për së vdekuri, për ata këshillë të madhe që ma dha. Ja kështu rrodhi gjithçka.

(Intervistues Jetlir Zyberaj, gazetar i Gazetës “Epoka e re”, Prishtinë, 28 korrik 2009.)

***

Nga rileximi i rrëfimit të Bacit Osman të krijohet ndiesi e mirë për rrëfim të rrjedhshëm, korrekt, modest, fisnik, prandaj nuk hetohen kundërthënie e krekosje, siç na bie të lexojmë e dëgjojmë herë pas here nga ca protagonistë që nuk ngurrojnë edhe të shpifin, për ta prezantuar veten e tyre më të rëndësishëm, se sa ishin. Akoma më keq: edhe për t’i kamufluar angazhimet e tyre sabotuese, komplotiste, profitoreske, kolaboracioniste!

Patjetër që në këso rastësh njeriu i ndërgjegjshëm reflekton. Kësaj radhe të mrekullon Afrimi me përmasat e tij patriotike e revolucionare, me shpirt guximi e sakrifice, edhe pse ende ishte Djalë që po frekuentonte gjimnazin në Prishtinë!

Vetëkuptohet, nuk mund të anashkalohet edhe keqardhja dhe hidhërimi për turmën e nomenklaturës kolaboracioniste të Kosovës se atëhershme, e cila simulonte sikur po rrinte urtë për hir të privilegjeve materiale e financiare që ia kishte mundësua sistemi monist e pushtues jugosllav. Ajo turmë nuk i doli në mbrojtje rinisë revolucionare, e cila qe rrebeluar në pranverën e vitit 1981. Përkundrazi, fatkeqësisht, shumica e madhe e tyre mbajti pozicione konformiste e kolaboracioniste, duke u bërë pjesë përkrahse e Lidhjes Komuniste dhe institucioneve shtetërore e “krahinore” që ajo i udhëhiqte. Kështu ata e ato, të orkestruar nga Beogradi fashistoid, iu kundërvunë rinisë patriotike, e cila guxoi të rrebelohet për interesa fisnike kombëtare, kulturore, ekonomike, sociale.

Ishin vetëm disa intelektualë të shquar, si Ukshin Hoti dhe sisoji i tij, – zor se ishin dhjetë veta, – të cilët guxuan të dalin hapur në përkrahje dhe mbrojtje të nxenësve e studentëve të tyre, gjegjësisht në mbrojtje të kërkesës: Kosova-Republikë! Ndërsa ishin shumë intelektualë mjeranë, konformistë, që simulonin qëndrimin neutral…

Intelektualët e asaj lukunie, që flisnin shqip e mendonin jugosllavisht, edhe sot e kësaj dite nuk ngurrojnë të ironizojnë e kritikojnë rininë e atëhershme revolucionare, me spekulimet e zhargone diskualifikuese, si, “u ngriten para kohe”, “i nxiten shërbimet e huaja”, etj., duke dëshmuar për mjerimin e tyre intelektual, i cili nuk ishte dhe nuk është në gjendje të di se rinia nuk është ushtri, e cila hedhet në sulm e tërhiqet vetëm sipas komandës qëndrore.

As sot e kësaj dite nuk lexojmë e dëgjojmë për reflektime penduese të intelekualëve mjeranë, meqë po të prononcohej e gjithë nomenklatura e KSA të Kosovës për Kosovën-Republikë, nuk do të ndodhnin gjithë ato vrasje, goditje aq të rënda, ato burgosje, torturime e dënime drakonike të dhjetëra mijë të rinjve studentë e nxenësa, sepse Beogradi do të detyrohej të debatonte për atë kërkesë tepër pragmatike.

Për rrjedhojë, kryesisht Baci Osman, Nana Qamile, fëmijët e tyre, dhe dhjetëra mijëra sisoj i tyre, të cilët e përbënin Vëgjëlinë çlirimtare të Kosovës, u ballafaquan guximshëm me lukuninë fashistoide serbe, jugosllave, por edhe shqipfolëse, duke dalë të fituar më 10 qershor 1999 – që solli krijimin e Shtetit të Kosovës!

Postimet e fundit !