Sot vendi shqiponjave është vendi pa shtëpi për krijuesit dhe pa gazetë të tyre
I vetmi vend në botë pa Lidhje të Shkrimtarëve.
-7 tetor 1945 dhe 7 tetor 2024- 79 vjetori-
LSHA e krijuar nga Sejfulla Malëshova, Poradeci, Bulka, Luarasi, Shuteriqi, Agolli, Kadare, Spahiu.
- – Shoqata “Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve” u zhbë me një gjakftohtësi në vitin 2006.
– T’u marrësh shkrimtarëve godinën e tyre historike dhe të mbyllësh gazetën më të vjetër dhe më të bukur letrare është vrasje, që i është bërë letërsisë shqiptare.
-Shqipëria sot përbën një çmim për Guines, sepse është i vetmi vend europian që nuk ka asnjë shoqatë për shkrimtarët dhe artistët, asnjë institucion të tyre.
- – Si kryetar i saj i parë u zgjodh Sejfulla Malëshova, dhe president nderi, Fan Noli.
- – Midis krijuesve më të njohur ishin Poradeci, Bulka, Luarasi, Shuteriqi, Asllani, Pasko, Prenushi, Spasse, Haxhiademi etj
- -Lidhja e shkrimtarëve u anulua dhe u zhbë me një gjakftohtësi idioteske.
- -Shkrimtarët sot nuk botojnë asnjë gazetë dhe asnjë revistë dhe nuk përbëjnë asnjë lloj komuniteti me një status të përcaktuar.
- -Shkrimtarët sot nuk kanë asnjë vlerësim real, janë në një gjendje ekonomike të mjerueshme.
- – Shteti nuk duhet të arrinte deri aty sa të merrte godinën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të mos financonte gazetën “Drita”.
- – Jemi ndërgjegjja e një kombi, jemi përcjellësit e mendimit qytetar, civilizimit, demokracisë, jemi përçuesit e mendimit progresist.
- -Pa librat e shkrimtarëve nuk do të kishte histori Shqipëria, nuk do të kishte gjithë këto këngë, poezi, legjenda, portrete. Historia do të ishte e zbrazët.
- -Roli i shkrimtarëve, poetëve dhe artistëve në historinë e një vendi është determinant.
Albert Z. ZHOLI
Me krijimin e Lidhjes së Shkrimtarëve në vitin 1945, me një varg veprash të reja letrare, me aksione të herëpashershme për të hequr nga qarkullimi vepra dhe autorë që nuk i shërbenin regjimit, kupola e PPSH, ishte e kënaqur me gjendjen e letërsisë shqipe, sepse mendonte se do t’i shërbente regjimit. Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë (LSHA) ishte organizatë jofitimprurëse e krijuar nga një grup shkrimtarësh e artistësh shqiptarë për të propaganduar krijimtarinë letrare e artistike të autorëve shqiptarë, për të vlerësuar e rivlerësuar veprat më të mira të letërsisë, muzikës, pikturës e skulpturës shqiptare, vlerat tradicionale dhe ato bashkëkohore, dhe për të nxitur krijimtarinë e talenteve të reja. LSHA mbronte dhe nxitëte tendencat më të mira të zhvillimeve të letërsisë dhe artit në shërbim të shoqërisë e kombit shqiptar, sipas modeleve më të mira të vlerave letrare e artistike të kombeve të qytetëruara.
Por…
Ka më shumë se 25 vjet që Godina e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë është marrë në mënyrë të padrejtë nga shteti. Shumë vite më parë në periudhën që LSH ishte në gjyq me shtetin për pronësinë e godinës gazeta “Telegraf” ka realizuar dhjetëra intervista me shkrimtarë dhe poetë dhe ende vazhdon. Aktualisht bashkë me godinën edhe Lidhja duket pa jetë. Sot shkrimtarët shqiptarë janë të vetmit në botë, pa një godinë të tyre dhe pa një shtyp të tyre. E famshmja gazeta “Drita” ka po kaq vite që është mbyllur. Shkrimtarët shqiptarë, s’dinë ku të takohen, ku të qajnë hallet dhe ku të gjejnë vetveten. Ngushëllimin e gjejnë vetëm tek çantat e rënda në kurriz që mbartin brenda libra, projekte, skica letrare, të cilat i hapin dhe i bëjnë prezent mes shokësh nëpër tavolinat e kafeneve të panumërta të Tiranës.
Bashkimi…
Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dikur ishte organizatë krijuesish, me qendër në Tiranë, që përmblidhte shkrimtarë, kompozitorë, artistë, krijues të arteve figurative dhe kritikë të vlerave letrare e artistike. Lidhja e Shkrimtarëve u krijua më 7 tetor të vitit 1945, ndërsa Lidhja e Artistëve në vitin 1949. Kongresi i Parë, i mbajtur më 1957, i bashkoi këto dy organizata në një institucion të vetëm: në” Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë”. Në krijimin dhe drejtimin e organizatës së parë të krijuesve shqiptarë merrnin pjesë disa nga intelektualët më të shquar. Si kryetar i saj u zgjodh Sejfulla Malëshova, president nderi, Fan Noli. Midis krijuesve më të njohur ishin Poradeci, Bulka, Luarasi, Shuteriqi, Asllani, Pasko, Prenushi, Spasse, Haxhiademi etj. Këtë bashkim vullnetar të krijuesve të të gjithë vendit në fillim e përbënin 70 anëtarë. Për më shumë se 60 vjet, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve kishte organet e saj letrare dhe artistike: revistën “Literatura jonë”, më pas “Letërsia jonë” (1947), më vonë revistën mujore “Nëntori” (1954), të përjavshmen “Drita” (1961), revistën në frëngjisht “Les lettres Albanaises” (1978), “Bota Letrare” dhe “Revista letrare” si botime alternative pas viteve 1990, ndërsa aktualisht organizata e shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë, për mungesë fondesh, nuk boton asnjë organ dhe është inegzistente “de facto”. Në fillim kishte 70 anëtarë, duke përfshirë edhe gazetarë e gjuhëtarë dhe një seksion të letrarëve të rinj. Që në hapat e saj të parë zhvilloi një luftë të ashpër, duke mbështetur ideologjinë e “partisë” kundër koncepteve reaksionare dhe idealiste të letrarëve antipopullorë. Madje, kjo përcaktohej edhe me statusin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë ku qëllimi i saj mbetet bashkimi i forcave krijuese për shërbim ndaj socializmit. Me gjithë kushtet e vështira të një shoqërie të prapambetur dhe të një regjimi totalitar, që e kufizonte së tepërmi lirinë e të shprehurit, që ushtronte një orientim dhe censurim vigjilent të partisë-shtet mbi krijimtarinë, madje edhe duke persekutuar dhe dënuar disa shkrimtarë e artistë, mjaft talente, anëtarë të LSHA, të cilët gëzonin të drejta si leje krijuese, orare pune të reduktuara, studio dhe mjete të ndryshme lehtësuese për krijimtarinë e tyre, krijuan vepra që dilnin jashtë kornizave të metodës së ashtuquajtur të realizmit socialist, sidomos në ato fusha të artit e të letërsisë ku tradita kombëtare ishte fare e pakët. Pas viteve 1990, krijuesit shqiptarë, shkrimtarë e artistë anëtarë të organizatës sonë, besuan shumë në çlirimin e tyre dhe të krijimtarisë artistike në përgjithësi. Madje e besuan shumë dhe shpresonin për një mbështetje të madhe. Në nxitimin për të kapur kohën e humbur, disa vepra u shquan dhe sidomos u rivlerësuan figura të persekutuara të së shkuarës si Konica e Fishta, gjë për të cilën organizata dha kontributin e saj me rivlerësime të shumta. Gjatë këtyre dy dekadave me një demokraci tepër problematike dhe mjaft të politizuar, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë ka qenë për shumë vjet lajkatarja e partisë në pushtet, e cila, bashkë me marrjen e pushtetit politik, caktonte edhe kryetarin e krijuesve shqiptarë. Më në fund, nuk mundi të shkëputej prej politikës, dhe për shumë vjet organizata u përpëlit si ai fëmija midis dy shemrave, herë e përbuzur nga një parti dhe herë e persekutuar nga partia tjetër politike. Sidoqoftë, pavarësia e një bashkimi krijuesish dihet që ka çmim të lartë për vetë krijuesit dhe duhen përpjekje të vazhdueshme për ta përballuar. Në statutin e saj të ri , neni 1, përcaktohet qartë natyra thelbësore e shoqatës si një shtëpi e përbashkët e artit dhe letërsisë duke mos ndryshuar emërtimin “Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë” është një institucion i lirë dhe i pavarur, një bashkësi krijuesish profesionistë, i hapur për çdo shoqatë tjetër letrare dhe artistike, i pakushtëzuar nga bindjet politike, rrymat dhe platformat artistike”. Në strukturën organizative kanë funksionuar seksioni i letërsisë, i muzikës, i pikturës e skulpturës dhe ai i talenteve të reja. Për më shumë se 62 vjet të historisë së saj, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë është drejtuar nga personalitete të shquara të kulturës sonë. Kryetarët e saj kanë qenë zotërinjtë: Sejfulla Maleshova (i vdekur), Dhimitër Shuteriqi (i vdekur), Dritëro Agolli (vdekur), Bardhyl Londo, Xhevahir Spahiu, Limos Dizdari, Zyhdi Morava (i vdekur) dhe Hysen Sinani. Po sot a ka LSHA? Po godina e saj ku është?!
Rrugëtimi i Lidhjes së shkrimtarëve dhe Artistëve
LSHA fillimisht u lansua si organizatë dhe përfaqësuese e vlerave letraro-kulturore të momentit. Ajo u ndërmor nga një “komision iniciator: Imzot Vinçenç Prendushi, Prof. Sejfulla Malëshova, Prof. Aleksandër Xhuvani, Ali Asllani, Prof. Skënder Luarasi, Dr. Lazgush Poradeci, Dr. Dhimitër Pasko, Selim Shpuza, Sterjo Spase, Dhimitër S. Shuteriqi, Shevqet Musaraj” (Arkiva personale e Dhimitër Shuteriqit). Në momentet e lansimit, në statutin e Lidhjes së Shkrimtarëve, ishte vendosur vetëm një kusht për praninë në organizatë, i përcaktuar në nenin 4, ku thuhej: “Nuk pranohen në këtë LIDHJE ata shkrimtarë, publicistë dhe gazetarë që i kanë shërbyer me veprat e tyre okupatorit, në mënyrë direkte dhe deri në fund tue u ba armiq të popullit”(Revista “Bota e Re”, nr. 1, 1945). Ja si shkruan Albert Gjoka:
“Përplasja ideore nisi organet e sapo krijuara, të cilat u shndërruan shumë shpejt jo thjesht në një “media” për përcjelljen dhe promovimin e arritjeve letrare, por në një arenë dhe më pas në një armë ideologjike. Revista e parë “Bota e re” doli në korrik të vitit 1945, si vijim i “Bota e re” e Korçës, për të mbështetur “traditat pozitiviste dhe progresive të Rilindjes kombëtare” (Bota e Re, nr. 1); “me u ba pasqyrë e zhvillimit kultural”, me përkrahur të “gjitha energjive mendore që e duan lirinë dhe përparimin”, dhe për të “mbështetur talentet e reja”(Bota e Re, nr, 1). …
LSHA u zhbë
Shoqata “Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve” u zhbë me një gjakftohtësi mbas vitit 2006. Iu muar dhe godina që në letra juridikisht ishte pronë e shkrimtarëve dhe artistëve. Shqipëria sot përbën një çmim për Guines, sepse është i vetmi vend europian, që nuk ka asnjë shoqatë për shkrimtarët dhe artistët, asnjë institucion të tyre, nuk botohet asnjë gazetë dhe asnjë revistë dhe nuk përbëjnë asnjë lloj komuniteti me një status të përcaktuar dhe nuk kanë asnjë vlerësim real, janë në një gjendje ekonomike të mjerueshme, nuk u përfillen të drejtat e autorit, nuk fitojnë asgjë nga botimi i veprave të tyre, përkudrazi duhet të paguajnë vetë për botimin e këtyre veprave. Pra, çdo gjë është një katrahurë. Kjo tregon se sa mbrapa është Shqipëria, me të gjitha shtetet e tjera, jo vetëm në Europë, po në të gjitha kontinentet e tjera, në vlerësimin e kulturës dhe të njerëzve, që e bëjnë në kondita të pazakonta dhe të vështira këtë kulturë për të mos ndërprerë vijimësinë e saj.
Çfarë janë shkrimtarët?
Shteti nuk duhet të arrinte deri aty sa të merrte godinën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të mos financonte gazetën “Drita”. Nuk duhet ta bënte këtë veprim. Të mirë, të këqij, ne jemi. Por jemi krijues. Jemi ndërgjegja e një kombi. Jemi përcjellësit e mendimit qytetar, civilizimit, demokracisë. Jemi përçuesit e mendimit progresist. Pa librat e shkrimtarëve nuk do të kishte histori, Shqipëria, nuk do të kishte gjithë këto këngë, poezi, legjenda, portrete. Historia do të ishte e zbrazët. Roli i shkrimtarëve, poetëve dhe artistëve në historinë e një vendi është determinant. Studiuesi Behar Gjoka pas marrjes së godinës së LSHA është shprehur se:”Tani jemi në një situatë, ku libri gati- gati po shndërrohet në mall. Libri nuk është mall. Libri është simbol. Është pasqyrë e një kohe të caktuar, e një rrethane të caktuar. Është një marrëdhënie, e cila e kapërcen kohën. I kapërcen këto lloj sinorësh, të cilat në fund fare nuk ka se si të na krijojnë mundësinë të komunikojmë realisht. Letërsia shqipe tashmë gjendet tani diku në periferi, të mendjes së Institucioneve shqiptare, në periferi të vëmendjes së lexuesit shqiptar, vëmendjes së botuesve shqiptarë. Është tek e fundit në nderin e atyre që marrin përsipër që kjo zonjë e rëndë (siç është letërsia), të mos lihet të largohet (të përzihet) nga jeta e përditshme, sepse, nesër jeta do të jetë pak më e shëmtuar se sa sot. Shkrimtarët nuk bëjnë kompromise, nuk janë servilë, nuk janë sahanlëpirës, nuk dinë të bëjnë korrupsion. Ata janë paraprijës të mendimit njerëzor dhe qëndrojnë në pararojë të çdo lëvizje qytetare. Marrja që i është bërë Godinës sonë është atentati më shkatërrues për krijuesit tanë. Të gjithë llojet e sporteve, shoqatat, bizneset kanë godinat dhe statuset e tyre, ne s’kemi asgjë. Sot shkrimtarët shqiptarë janë të vetmit në botë, pa një godinë të tyre dhe pa një shtyp të tyre. E famshmja gazeta “Drita” ka po kaq vite që është mbyllur. Shkrimtarët shqiptarë, s’dinë ku të takohen, ku të qajnë hallet dhe ku të gjejnë vetveten. Ngushëllimin e gjejnë vetëm tek çantat e rënda në kurriz që mbartin brenda libra, projekte, skica letrare, të cilat i hapin dhe i bëjnë prezent mes shokësh nëpër tavolinat e kafeneve të panumërta të Tiranës.
Organet dhe drejtuesit e LSHA
Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve kishte organet e saj letrare dhe artistike: revistën “Literatura jonë”, më pas “Letërsia jonë” (1947), më vonë revistën mujore “Nëntori” (1954), të përjavshmen “Drita” (1961), revistën në frëngjisht “Les lettres Albanaises” (1978), “Bota Letrare” dhe “Revista letrare” si botime alternative pas viteve 1990. Ndërkaq si organ promovues i artit dhe të kulturës, në të kalonin emra të mëdhenj të kësaj fushe. Disa nga kryetarët, të cilët drejtonin LSHAK janë: Sejfulla Maleshova, Dhimitër Shuteriqi, Dritëro Agolli, Bardhyl Londo, Xhevahir Spahiu, Limos Dizdari, etj.
Sejdo Harka, shkrimtar
Pse politika e sotme shqiptare është larguar nga shkrimtarët, madje, u ka marrë dhe godinën e Lidhjes? S’ka se si të ndodhë ndryshe. Shkrimtarët nuk bëjnë kompromise, nuk janë servilë, nuk janë sahanlëpirës, nuk dinë të bëjnë korrupsion. Ata janë paraprijës të mendimit njerëzor dhe qëndrojnë në pararojë të çdo lëvizje qytetare. Marrja që i është bërë Godinës sonë është atentati më shkatërrues për krijuesit tanë. Të gjithë llojet e sporteve, shoqatat, bizneset kanë godinat dhe statuset e tyre, ne s’kemi asgjë. Mosegzistenca e LSHA mbetet veprimi më i shëmtuar. Ndërsa më i shëmtuari i të gjithë kohërave mbyllja e gazetës “Drita”. T’u marrësh shkrimtarëve godinën e tyre historike dhe të mbyllësh gazetën më të vjetër dhe më të bukur letrare është vrasje që i është bërë letërsisë shqiptare.
Pirro Loli, shkrimtar
Një shtet pa Lidhje është si një shtëpi pa dritare, e errët, pa dritë. Zakonisht zaptimet bëhen nga të huajt. Zaptimi i godinës sonë nga shteti ynë ishte qëndrimi më ogurzi ndaj kulturës, artit dhe letërsisë sonë kombëtare. Pas kësaj u duk një shpërfillje totale ndaj shkrimtarëve, një burokraci agresive dhe indiferente njëkohësisht. Një godinë e disa zyra mund të gjenden kudo, por një ministri kulture të lëvizi gjërat e letërsisë, të organizojë e të përgjigjet për librin dhe artin, qenka e vështirë…Po të mëdhenjtë tanë, bejlerët e letërsisë, pse nuk e mbrojtën godinën e tyre nga zaptuesit, pse nuk kanë nxjerrë një fjalë nga goja për mungesën totale absolute të çdo organizimi të shkrimtarëve – ata hoqën b… mënjanë dhe lundrojnë akoma me famën e atij regjimi. Mendoj se sot, në emër të lirisë së fjalës, ata e kanë frikë organizimin, klubin a shoqatën. Kur heshtin të mëdhenjtë e letrave, hesht dhe shteti antiletrar. Mund të jemi nga vendet e rralla në botë që shkrimtarët nuk ekzistojnë në asnjë organizim.