Vështrim/Analizë

Fatos Tarifa: Hapni mendjen të shihni ndryshimet e bëra në Tiranë!

Rreth katër vite më parë, në tetor 2019, sociologu i njohur Fatos Tarifa i ka dërguar një mesazh dashamirës një studenteje në Fakultetin e Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës. Për shkak të përmbajtjes dhe interesit shoqëror që ai paraqet, mesazhi në fjalë u botuar në atë kohë i plotë në gazetën Dita.

Ndërkohë që gara për kreun e bashkisë së Tiranë duket se do të jetë e fortë, kjo gazetë e sheh të dobishme të ribotojë disa fragmente nga ai mesazh.

Zonjushë!…Unë dhe ju, sigurisht, shohim të njëjtat gjëra dhe të njëjtat dukuri në shoqërine tonë dhe në këtë Tiranën tonë—të cilën unë e dua, ndërsa ju, siç kuptoj nga fjalët tuaja, nuk e pëlqeni. Por, siç thoshte Peter Berger, sociologu i njohur amerikan, për të cilin shpresoj t’ju kenë folur pedagogët që ju japin mësim në Fakultetin e Shkencave Sociale, ju dhe unë i shohim gjërat dhe dukuritë ndryshe.

Unë jam sociolog dhe, si i tillë, jam mësuar të shoh përtej fasadës së gjërave dhe përtej shfaqjes së dukurisë që ju dhe unë vemë re.

Unë uroj që ju të bëheni e vetëdijshme dhe të përdorni imagjinatën sociologjike, të cilën, siç thotë C. Wright Mills, një tjetër sociolog i shquar amerikan, për të cilin besoj keni dëgjuar, e kemi të gjithë si një “aftësi të mendjes sonë”.

Por unë kuptoj se ju, këtë aftësi potenciale të mendjes suaj nuk e njihni dhe nuk e zhvilloni. Sa keq!

Pa asnjë argument që mund të ishte bindës, ose të paktën i arsyeshëm, ju zonjushë mohoni në mënyrë kategorike çdo arritje të Bashkisë së Tiranës dhe çdo meritë të kryetarit aktual të saj.

Por, si është e mundur të gjykoni pa krahasuar? Thinking without comparison is unthinkable! Më thoni, ju lutem, çfarë bënë në Tiranë dhe për qytetarët e saj në vitet 1990 kryebashkiakët demokratë të Sali Berishës?

Ju jeni e re dhe, ndoshta, nuk e dini se çfarë ka ndodhur me Tiranën në vitet 1990, kur bashkinë e kryeqytetit e drejtuan dy kryetarë demokratë. Ky qytet, dikur i vogël, por i pastër, u shndërrua në një xhungël të qelbur.

Çdo shesh publik dhe çdo park e shkatërruan, e mbushën me kioska, bare, kafene, shtëpi publike, motele të lira nga ku trafikoheshin vajza të reja si ju, u ngritën bordello dhe dyqane, ku njeriu mund të blinte dhe të shiste çdo gjë: banane, cigare kontrabandë, drogë, armë dhe prostituta.

Në ato vite, kryeqyteti ynë u shndërrua në një Kandahar, u fëlliq, u shndërrua në një nevojtore të madhe, u shkatërrua, u vodh, u tejpopullua, u kthye në një shanty town. Kudo në Tiranë sundonte krimi.

Ju pëlqen juve ose jo, të vetmet ndryshime pozitive të mëdha në Tiranë janë bërë nga dy kryebashkiakët socialistë të saj, Edi Rama në dy mandatet e parë të tij, dhe Erion Veliaj këto vitet e fundit.

Ju qaheni se zoti Veliaj po e “betonizon” Tiranën! Kush ua ka thënë këtë? Pedagogët tuaj militantë apo ata anarkistë? I verbër nuk është vetëm ai njeri që nuk sheh, por edhe ai që zgjedh të mos shohë atë që duket. Ky i fundit mbetet i verbër edhe mendërisht.

Faqe e parë DITA, 19 prill 2023

Unë kam jetuar, ose i kam vizituar shumë nga ata qytete të mëdhenj, që Saskia Sassen, edhe kjo një sociologe shumë e njohur hollandezo-amerikane, i quan “global cities”. Shumë prej tyre besoj i keni parë edhe ju—në foto ose në ëndërr. A keni vene re se sa të betonizuar janë këta qytete, çdonjëri prej të cilëve popullohet nga miliona njerëz?

Si mund të ndërtohet në kohën e sotme pa beton! Mos vallë ju do të dëshironit që në Tiranë të vazhdohej të ndërtohej me qerpiç, si në kohën kur Tirana ishte një fshat i humbur në periferi të Perandorisë Osmane, apo si popullsitë para-arabe të berberëve në Afrikën Veriore?

Përpiquni t’i shihni edhe ju ndryshimet e mëdha që janë bërë në Tiranë gjatë këtyre katër viteve të fundit, ndryshime që i vë re kushdo që ka sy në ballë dhe një mendje që gjykon racionalisht, jo verbërisht, ose e nxitur nga kundershtarët politikë të këtyre ndryshimeve.

Nuk po i rreshtoj këtu këto ndryshime, pasi lista e tyre është shumë e gjatë. Veç një këshillë miqësore e profesionale, si një profesor i sociologjise një studenteje si ju, dëshiroj t’ua jap, këshillë të cilën Immanuel Kant e shpalli si moton e Iluminizmit Europian: Sapere aude!

Përdorni intelektin tuaj, gjykoni me mendjen tuaj, jo me mendjen e të tjereve dhe, sidomos, jo me mendjen e një pjese të pedagogëve tuaj në atë fakultet ku ju studioni, të cilët, paaftesinë e tyre akademike, intelektuale dhe profesionale përpiqen ta fshehin pas nje aktivizmi politik pa kauzë dhe shterp në ide.

Nëse pedagogëve të tillë u bashkoheni edhe ju dhe studentë të tjerë si ju—ndjesë që ua them hapur—ju dhe ata rrezikoni të mbeteni miopë dhe robër të mediokritetit të të tjerëve.