Arkiv / Ripublikim

Xhevat Bislimi: LPK – TRIDHJETË VJET PËRPJEKJE, VEPRIMTARI, LUFTË DHE FLIJIME PËR ÇLIRIMIN E TOKAVE TË PUSHTUARA TË SHQIPËRISË DHE BASHKIMIN E TYRE NË NJË SHTET TË VETËM SHQIPTAR (Ripublikim)

LP(R)K – TRIDHJETË VJET PËRPJEKJE, VEPRIMTARI, LUFTË DHE FLIJIME PËR ÇLIRIMIN E TOKAVE TË PUSHTUARA TË SHQIPËRISË DHE BASHKIMIN E TYRE NË NJË SHTET TË VETËM SHQIPTAR
Sot, u shënua tridhjetëvjetori i themelimit të LP(R)K-së, asaj organizate politike dhe atdhetare me karakter të pastër kombëtar dhe çlirimtar, vazhduese e përpjekjëve për liri dhe bashkim kombëtar, bashkuese e organizatave dhe atdhedashësve të ndryshëm shqiptarë, por me një qëllim të vetëm: çlirimin dhe bashkimin e tokave të pushtuara shqiptare në një shtet të vetëm, në një Shqipëri). Kjo organizatë politiko-çlirimtare krahas përhapjes së idesë, mendimit, fjalës dhe shembullit liridashës e atdhedashës mori masat, përgatiti anëtarët e saj dhe popullin e pushtuar shqiptar për Luftë të armatosur Antipushtuese dhe Çlirimtare…
Për këtë qëllim fillimisht u krijua krahu i armatosur në shumë Këshilla të LP(R)K-së dhe në vetë qendrën drejtuese të LP(R)K-së, që pa u vonuar u pagëzua me emrin Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Me Kosovë aso kohe (nën)kuptoheshin të gjitha trojet shqiptare nën pushtimin e Jugosllavisë. Për këtë arsye fillimisht ishin krijuar ose deklaruar tri Zona operative të UÇK-së. Ndërhyrjet dhe trysnia e huaj (ndërkombëtare), por edhe forcat dhe mundësit e kufizuara, e “shtrenguan” UÇK-në (drejtuesit e saj) të heqnin dorë nga dy Zonat e pushtuara nga “Maqedonia” dhe Mali i Zi. Kjo ishte arsyeja pse pas perfundimit të detyruar të Luftës Çlirimtare në Kosovën e kufijve të “vizatuar” nga Beogradi u organizuan (po nga anëtarët e LPK-së) edhe dy “ushtri” çlirimtare: UÇPMB-ja dhe Ushtria Çlirimtare Kombetare…
Sukseset dhe rezultatet e arritura nga LPK-ja dhe “ushtritë” çlirimtare të krijuara prej saj i dimë të gjithë… Jemi këtu ku jemi. Është bërë shumë, por mbetët edhe më shumë për t’u bërë. Zgjidhja e tërësishme dhe e plotë e çështjës shqiptare në Ballkan, duke krijuar një shtet të vetëm shqiptar në gjithë hapësirën e mbetur shqiptare (pas kafshimëve shekullore) është domosdoshmëri për paqen, sigurinë dhe qendrueshmërinë në Ballkan e me gjërë. Kjo zgjidhje është në interesin dhe të mirën edhe të popujve fqinj, të cilët do të (ç)liroheshin përfundimisht nga shqiptarët…
Me ketë rast duhet të thuhet edhe një gjë, që rrallë po thuhet… Pa shtetin shqiptar, pa Tiranën zyrtare vështirë se do të mund të imagjinohejë një përpjekje dhe luftë e sukseshme çlirimtare në tokat e pushtuara të Shqiperisë. Këtë duhet ta themi zeshëm, sidomos ne që ishim anëtarë dhe drejtues të LPK-së, UÇK-së…
Mendimi për ta organizuar nje manifestim për 30 vjetorin e themelimit të LP(R)K-së doli se ishte me vend. Çdo gjë shkoi sipas marreveshjes dhe parashikimit të Keshillit organizues të këtij manifestimi… Vetëm diçka nuk na eci si duhet. Ishim marrë vesh të mos përmendeshin emra dëshmoresh, që janë të shumtë nga radhët e LPK-UÇK-ve, por shoku ynë, Emrushi, u “ngatërrua”… Në fjalën e tij përmendi disa emra dëshmorësh dhe kjo na bëri pak “nervozë”, sepse nuk u përmend, u harrua Komandanti Legjendar, Adem Jashari, që ishte anetar i LPK-së, pastaj Xhavit Haziri, Jashar Salihu, Agim Bajrami… e shumë e shumë të tjerë. Kjo ishte edhe arsyeja pse ishim marrë vesh të mos përmendëshin emra të veçantë dëshmorësh.
Pastaj, nuk u përmend Kryetrimi dhe Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skenderbeu, i cili kishte vdekur pikërisht me 17 janar… Mund të përmendej edhe Plaku i urtë i Vlorës dhe Kryeministri i parë i Shqipërisë (deri ku i thone ujit ujë e bukës bukë), i cili kishte lindur me 16 janar dhe kishte vdekur (i helmuar) me 24 janar, po në janar (16) kishte vdekur (ishte vrarë) edhe Heroi i popullit shqiptar, Isa Boletini… Uroj që herave tjera t’i shmangim edhe këto gabime…
Ndoshta me një organizim më të mirë (krijimi i një Shoqërie) me të gjithë këta anëtarë, veprimtarë e luftëtarë të LPK-së do të bënim më shumë punë për ruajtjën dhe kultivimin e vlerave atdhetare të LPK-së, (ri)identifikimin e anëtarëve, veprimtarëve, luftëtarëve, dëshmorëve dhe simpatizantëve të kësaj organizate mbarëkombëtare, mbledhjën, sistemimin dhe grumbullimin e dokumentave, materialëve… dhe publikimin e tyre, etj…
17 JANAR 2012