Portreti/intervista

PreshevaPRESS: Intervistë eksluzive me Drejtorin e Institutit të Historisë “Ali Hadri”

PreshevaPRESS ju sjell intervistë ekskluzive me  drejtorin e i lnstitutit të Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë, dr.Sabit Syla rreth Luginës së Preshevës, pozitës së Luginës në relacionet Kosovë – Serbi, si shihet Lugina nga ana e Kosovës, çka humbin dhe çka fitojnë shqiptarët nëse Lugina bashkohet me Kosovën dhe në të kundërtën. Në vazhdim ju sjellim intervistën e dr.Sabit Syla të dhënë ekskluzivisht për PreshevaPRESS, e cila u realizua nga gazetarja Hava Mustafa.  


PreshevaPRESS: A është Lugina e Preshevës një mbetje që nuk po i intereson Kosovës për ta shqyrtuar si çështje?

dr.Sabit Syla: Nuk mendoj se Lugina e Preshevës është një çështje që nuk i intereson Kosovës, përkundrazi është një çështje që shihet nga dy këndvështrime: nga ai etnik – si një pjesë e pandashme e trungut etnik shqiptar, e kulturës, historisë dhe traditave të njëjta, dhe nga ai politik – si një element në rregullimin e përgjithshëm të çështjes shqiptare në Ballkan.

Për t’i kuptuar këndvështrimet e sipërme duhet t’i referohemi dhe çështjeve historike. Viset shqiptare gjersa jetonin nën sundimin osman, shqiptarët në fakt jetuan në një administrim të unifikuar në kuadër të kësaj perandorie. Në katër-pesë vilajete (krahina administrative osmane) shqiptarët përbënin shumicën. Kufijtë e vilajeteve ishin vetëm të karakterit administrativ. Shqiptarët kalonin pa asnjë kufizim nga njëri në tjetrin vilajet, qoftë për çështje tregtare, ekonomike apo për arsye tjera. Luftërat Ballkanike të vitit 1912 dhe Konferenca e Londrës që pasoi ë vitin 1913 i cungoi territoret shqiptare. U pranua krijimi i një Shqipërie që nuk ishte as sa gjysma e territoreve të banuara me shqiptarë që mbetën nën sundimin serb, malazez dhe grek. Në këtë mënyrë, Lugina e Preshevës, Kosova dhe pjesa perëndimore e Maqedonisë e banuar kryesisht me shqiptarë, që nga viti 1912 mbetën nën sundimin serb. Ata përjetuan një fat të përbashkët të diskriminimit shtetëror dhe përpjekjeve serbe për shkombëtarizimin e këtyre viseve. Prandaj, në vitet e sundimit serb 1912-1915 dhe 1918-1941, Kosova dhe Lugina e Preshevës nuk kanë ekzistuar si nocion administrativ. Territoret që aktualisht sot gjenden në Luginë dhe Kosovë kanë qenë të organizuara në kuadër të banovinave (ndarje administrative) që i përshtateshin kërkesave politike të hegjemonisë serbe. Për shembull, në kuadër të banovinës së Vardarit bënin pjesë: Prishtina, Prizreni, Gjilani, Presheva, Vranja, Shkupi, Tetova, Kumanova, etj. Pra, sikurse e shihni, kemi vazhdimësi të jetës së përbashkët të shqiptarëve në relacionin “Kosovë – Luginë”. E përbashkët ka qenë edhe rezistenca kundrejt sundimit serb. Lëvizja për çlirim, e njohur si “Lëvizja kaçake” u shtri edhe në rrethin e Anamoravës, që përfshinte edhe Luginën e Preshevës. Pas Luftës së Dytë Botërore, Kosova fitoi një subjektivitet juridik autonom, me c’rast me Luginën e Preshevës e ndante vetëm linja e kufirit administrativ. Kultivimi i jetës së përbashkët të popullit vazhdoi edhe më tej. Prishtina u bë qendër e gravitetit të shqiptarëve nga ato vise, por që jetonin në Luginë, Maqedoni dhe Mal të Zi. Shumë studentë nga këto treva u shkolluan në Prishtinë, madje gjetën punë dhe u inkuadruan në jetën shoqërore e politike. Shqiptarët e Luginës ndihmuan dhe morën pjesë në luftën e Kosovës të viteve 1998-1999, sikurse që bënë shqiptarët e Kosovës në luftën e armatosur për clirimin e Luginës  së Preshevës nga Serbia. Me fjalë tjera, ekziston një lidhje e pandashme sepse kemi të bëjmë me të njëjtin popull, që padrejtësisht është ndarë nga trungu i saj- Kosova,  me të njëjtat tradita dhe me të njëjtat përvoja të rezistencës dhe përpjekjeve për liri e demokraci.

Tani, në bazë të këtyre argumenteve që përmenda më sipër, nuk ka asnjë dyshim se Kosovës i intereson çështja e Luginës. Këtu nuk kemi të bëjmë me pyetjen a i intereson, por me atë se çfarë mund të bëj dhe sa mund të bëj Kosova për Luginën? Kjo sigurisht që është një çështje që do të ngrihet në dialogun midis Serbisë e Kosovës, sepse nuk mund të anashkalohet.

 

PreshevaPRESS: Sa politikanë shqiptarë të Kosovës janë në dijeni për rrugën e vështirë në të cilën po kalojnë preshevarët?

dr.Sabit Syla: Jam i bindur se politikanët e Kosovë e kuptojnë plotësisht situatën në të cilën gjenden preshevarët. Në përgjigjen paraprake i sqarova arsyet. Por duhet kuptuar edhe rrethanat politike. Kosova është duke u përballur me një politikë agresive nga Serbia në planin ekonomik, politik dhe diplomatik. Politika dhe diplomacia e Kosovës kanë vështirësi të shumta në mbrojtjen dhe promovimin e subjektivitetit të vet ndërkombëtar, e në këto rrethana avokimi për Luginën bëhet gjithnjë e më i vështirë. Por jo një harresë kombëtare, sepse Lugina në çdo shqiptarë ndjehet si gjymtyrë e shkëputuar padrejtësishtë nga trungu i saj.

PreshevaPRESS: Çfarë ka bërë Kosova për Luginën deri tash?

dr.Sabit Syla: Kosova si një subjekt shtetëror ka ndërmarr disa iniciativa lidhur me Luginën e Preshevës. Në qershor të vitit 2013 Parlamenti i Kosovës miratoi Rezolutën për të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanovc. Rezoluta kërkonte nga Qeveria e Kosovës që të hapte zyra në Prishtinë e Gjilan për shqiptarët e Luginës, që të shpërngulurit e këtyre viseve të kenë një trajtim të veçantë në Kosovë dhe të realizoheshin të drejtat e shqiptarëve të kësaj pjese.  Madje për këtë qëllim është kërkuar dhe vazhdon të kërkohet në të gjitha forumet ndërkombëtare, për aq sa ekzistojnë mundësitë që asaj treve t’i njihet e drejta historike. Është kërkuar që shqiptarëve autokton t’u nihej e drejta e përdorimit të librave shqip, sidomos e lëndëve të fushave shoqërore, ku trajtohen çështjet historike dhe gjeografike, si lëndë mësimore të karakterit identitarë. Përveç tjerash një nga pikat e Rezolutës i bënte thirrje Qeverisë që normalizimi i raporteve me Serbinë të shfrytëzohej edhe për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në Luginë. Por, nuk dihet se për çfarë arsye një zyre e tillë nuk po funksionalizohet ashtu siç duhet. Ndoshta këtu kemi të bëjmë dhe me disa stereotipe të politikave të Bashkimit Evropian. Kjo çështje mbetet të analizohet në këtë pikëpamje.

Dy përpjekje tjera u ndërmorën gjatë vitit 2020. Në shtator të këtij viti Qeveria e Kosovës mori vendim për themelimin e Zyrës për ofrimin e asistencës për qytetarët e Luginës së Preshevës, e cila do të funksiononte në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës. Qëllimi i kësaj zyre ishte që të ofrohej mbështetje për qytetarët e Luginës së Preshevës dhe përmirësimi i jetës së tyre në fushat si arsimi, kultura, mbështetje për bizneset, etj. Po ashtu, ishte planifikuar që kjo zyrë të lehtësonte furnizimin me tekste të nevojshme shkollore, gjë që nuk u lejua dhe për çudi, institucionet e Bashkimit Evropian nuk kanë reaguar. Pastaj janë marrë disa masa që të krijohen lehtësira për pranimin e studentëve të Luginës në universitetet publike në Kosovë dhe mbështetje për ta, etj. Duhet cekur se Serbia qysh nga viti 1989 nuk ka lejuar të zhvillohet asnjë lëndë mësimore në shkollat shqipe në Luginë të Preshëvës, lëndë, të cilat trajtojnë historinë, kulturën dhe identitetin shqiptar. Madje, atje është e ndaluar dhe Abetarja e gjuhës shqipe. Janë bërë përpjekje të vazhdueshme nga viti 2015 që kjo barrierë të mënjanohet. Madje, janë mbajtur dhe demonstrata në vitin 2016, nga nxënësit shqiptar me moton: “Dua Abetaren Shqipe-Dua Librin Shqip”. Trysnia e protestave të nxënsëve ka bërë të mundur që të shqyrtohet dhe në nivelin e BE-s, por nuk ka pasur ndonjë progres për sa i përket qëndrimeve politike të Bashkimit Evropian në zgjidhjen e kësaj çështje. Për më tej, Republika e Kosovës ka nisur dhe një kontingjent me libra për shkollat shqipe në Luginë të Preshëvës. Si të tilla këto libra janë bllokuar dhe kanë qëndruar mbi nëntë muaj në dogana, duke pamundësuar dërgimin e tyre në destinacionin e duhur. Pra nuk është lejuar asnjë tekst shkollorë të dëpërtoj në Luginë të Preshëvës, pavarësisht se Kosova i ofronte ato falas. Nga ky prizëm, këtë përgjegjësi duhet ta ndjejë edhe Bashkimi Evropian, së paku mbi bazën e parimeve të të drejtave të njeriut.

Në tetor të këtij viti (2020) ministrat e Jashtëm të Shqipërisë e të Kosovës nënshkruan marrëveshjen për krijimin e një fondi ndërshtetëror në mbështetje financiare për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Por, nuk dihet se për çfarë arsye ngeci funksionalizimi i një fondi të tillë.

Nuk duhet anashkaluar as ndihmat financiare që Qeveria e Kosovës ia akordoi komunave  shqiptare të Luginës. Në prill të vitit 2020 për t’ua lehtësuar përpjekjet këtyre komunave në luftë me COVID-19 Qeveria e Kosovës ua ndau atyre 500.000 euro, të dedikuara kryesisht për pajisje mjekësore.

Në qershor të vitit 2021 Qeveria e Kosovës i ndau këtyre tri komunave 100.000 euro për t’ua lehtësuar përpjekjet për tejkalimin e problemeve që sollën vërshimet. Andaj, nga ky prizëm nuk mund të flasim për çështje të mos kujdesit të Republikës së Kosovës ndaj bashkatdhetarëve të atyre viseve, por për mungesën e gadishmërisë së Bashkimit Evropian për të mundësuar ndihmën e ofruar për banorët e këtyre komunave shqiptare.

PreshevaPRESS: A është Lugina një territor që i takon Kosovës dhe që mund të merret nga serbët ndonjëherë ose thjesht kjo temë bëhet sa për sy e faqe?

dr.Sabit Syla: Që nga viti 1990/91 kur ra perdja e hekurt e komunizmit, Ballkani u shqua si një rajon ku mbizotëroi nacionalizmi. Dhe ky nacionalizëm, që në rastin e ish Jugosllavisë ishte dy kahesh: nga njëra anë rreshtoheshin përpjekjet e popujve të shtypur për liri e pavarësi, kurse nga ana tjetër tendencat hegjemoniste serbe dhe thirrjet e saj për një shtet të madh kombëtar në kurriz të popujve tjerë, prodhuan dhunë, vrasje dhe vuajtje. Dhe pikërisht, kjo dhunë vjen nga pyetjet e ngjashme se cili territor cilit shtet i përket. Më sipër ne bëmë një vështrim historik që jep mjaft për të kuptuar. Por, populli shqiptar i Kosovës është i vetëdijshëm për rrugën e vështirë dhe sakrificat për arritjen e lirisë, prandaj edhe nuk e dëshiron dhunën. Kështu, pavarësisht retorikës nacionaliste, që është mjaft e shpeshtë në Ballkan sidomos në prag të zgjedhjeve parlamentare/presidenciale apo krizave të ndryshme, Kosova synon integrimin evropian dhe barazi për gjithë popujt që jetojnë në territorin e saj, por edhe për shqiptarët që jetojnë në vende fqinje, në këtë rast në Serbi. Bashkimi i shqiptarëve duhet të bëhet në Evropën e integruar, pra me Kosovën e gjitha shtetet ku banojnë shqiptarët si pjesë e Bashkimit Evropian, si një vend ku sundon ligji, demokracia, ku njihen dhe respektohen vlerat qytetare, kombëtare, dhe ku mbizotëron perspektiva ekonomike.

PreshevaPRESS: Çfarë fitojnë e çfarë humbasin preshevarët nëse i bashkohen Kosovës?

dr.Sabit Syla: Në Ballkan, ndryshimi i territoreve gjithnjë është shoqëruar me luftëra. E luftërat gjithnjë na kanë sjellur tragjedi të mëdha, që janë ruajtur në kujdesën historike. Serbia ishte shkaktari kryesor i këtyre luftërave në Ballkan. Ju e dini sa i kushtuan shqiptarëve, kroatëve e boshnjakëve doktrinat nacionaliste serbe, të cilët  synonin krijimin e një shteti të quajtur Serbia e Madhe. Pasojat nga kjo politikë hegjemoniste janë të mëdha, ngase një precedent që mund të ndodhë në Kosovë apo Ballkan do të reflektohej edhe në vende tjera. Në botë ekzistojnë shumë vatra krize të cilat do të shfrytëzoheshin kryesisht nga palët e interesuara për të krijuar trazira. Kemi rastin me serbët e Bosnjës apo me ish shtetet sovjetike. Pra, e them edhe njëherë, ne si popull jemi për një zgjidhje paqësore dhe këtë zgjidhje e shohim në kuadër të integrimit të të gjitha shteteve ballkanike në Bashkimin Evropian me kushtin e respektimit të të drejtave historike, njerëzore, etnike dhe kulturore të të gjithë popujve, aty ku jetojnë. Nëse në mënyrë hipotetike supozojmë se Lugina e Preshevës i bashkohet Kosovës, pa i cekur këtu pasojat shoqëruese në nivel rajonal e më gjerë, shqiptarët e Luginës mund të fitojnë lirinë. Ata thjesht, nuk do të dallohen me asgjë nga qytetarët tjerë, kurse se çfarë humbasin është një pyetje që mund të periodizohet varësisht zhvillimit ekonomik politik të dy shteteve fqinje, Kosovës e Serbisë.

PreshevaPRESS: Edhe pas përfundimit të luftës me Serbinë, preshevarët tash e 24 vite ballafaqohen me nënçmimin, ofendimin dhe maltretimin në cilindo institucion të nevojshëm. Edhe pas kësaj ata ende qëndrojnë stoik në vendet e tyre pa kushte elementare. A e njohin kosovarët patriotizmin që preshevarët e bëjnë pa plumba?

dr.Sabit Syla: Pa asnjë dyshim! Shqiptarët e Kosovarët e njohim patriotizmin, atdhedashurinë, kontributin e asaj treve shqiptare në shërbim të çlirimit dhe bashkimit kombëtar. Shqiptarët e asaj ane janë pjesë e pashkëputuar e të gjitha kauzave kombëtare, si për çlirim, shtetndërtim dhe bashkim kombëtar. Historikisht, Lugina e Preshevës (apo Kosova Lindore) që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, në çdo kuvend kombëtarë ka pasur përfaqësuesit e saj. Pra, Lugina ka dhënë kontributin e saj në të gjitha proceset që janë zhvilluar në kontinuitet me qëllim çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e të gjitha viseve shqiptare me Shqipërinë. Por, në rrethana të sotme,  duhet veçuar dy gjëra: njohjen e rrethanave të krijuara dhe mundësinë për të bërë diçka pozitive për atë pjesë të çmuar shqiptare. Shqiptarët e Kosovës i njohin vuajtjet e preshevarëve dhe njohin mentalitetin e regjimit serb, i cili vepron egërsishtë mbi ta. Shqiptarët e asaj treve me të njëjtat politika diskriminuese janë përballur më shumë se një shekull. Megjithatë, është lehtësi për ta ngase përkundër disa barrierave ligjore, të cilat vlejnë për gjithë ata që nuk e posedojnë shtetësinë kosovare, banorët e Luginës së Preshevës konsiderohen të barabartë në Kosovë në jetën e përditshme. Sigurisht, do të ishte pozitive që të ndërmerrej diçka që do t’ua lehtësonte jetën e tyre në Kosovë dhe në Luginë. Por, duhet të kemi parasysh se përpjekjet e tilla janë të vështira për shkak të pozitës ndërkombëtare të Kosovës. Si një vend që ende nuk njihet nga OKB dhe si shtet jashtë Bashkimit Evropian, nga pikëpamja kontraktuale Kosova e ka të pamundur t’i shtyjë përpara iniciativat e saja sidomos në rastin kur ajo duhet të angazhohet për çështje që dalin jashtë kufijve të saj. Shpresojmë se dialogu me Serbinë do të krijoj rrethana të favorshme për realizimin e të drejtave politike, historike, etnike dhe kulturore të shqiptarëve të Luginës në Serbi.

PreshevaPRESS