Vështrim/Analizë

Viktor Malaj: Për turp…

Botuar në DITA

“Nuk më bëjnë përshtypje njerëzit e këqinj por më çudit fakti se e kanë humbur ndjenjën e turpit…” *

Përgjithësisht, turpi përcaktohet si një ndjenjë e fortë turbullimi apo hutimi kur dikush bën diçka të pahijshme apo të pandershme, kur nuk bën gjënë e duhur, kur e shikon se bëhet qesharak para të tjerëve etj. Në fakt, ndjenja e turpit është në raport të drejtë me vetëdijen individuale dhe personalitetin e personit që vihet apo e vënë në pozita që bien ndesh me normalitetin moral dhe etik të shoqërisë.

Edhe tek ne ka pasur gjithmonë njerëz që s’e kanë njohur ndjenjën e turpit, por këto kohë duket se një shumicë gjithnjë e më e madhe e shoqërisë tonë “as skuqet, as zverdhet” siç thotë populli, dhe, po sipas popullit tonë, “e ka ngrënë turpin me bukë”.

Politikanët gënjejnë para, gjatë dhe pas fushatave zgjedhore, bëjnë korrupsion dhe dalin në publik e vetëshiten si kalorës të luftës kundërkorrupsion. Zyrtarë të pushteteve qendrore e vendore mashtrojnë qytetarët, i sorollatin ata dhe, jo rrallë iu kërkojnë ryshfet. Gjyqtarë e prokurorë që bëjnë e japin drejtësi duke u bazuar mbi peshën e xhepave të palëve dhe jo mbi kërkesat e ligjit kemi pasur me shumicë dhe ende kemi. Mjekë që i vënë pacientët në pozita shtrënguese për t’iu ofruar para ka gjithandej, pa folur këtu për shumicën e biznesmenëve që mashtrimet me taksat apo me çmimet, si dhe me keqpagesën e punëtorëve i kanë “pjesë të zanatit”.

Pa përmendur morinë e veprimeve të padenja, autorët e të cilëve duhej të ndjenin turp, po kufizohemi në pak prej tyre:

1 – Para disa ditësh u arrestua një mjek, i quajtur Dervish Hasi, i cili dyshohet se, përveç bashkëjetesës me disa gra, ka kryer marrëdhënie intime dhe ka bërë fotografi pornografike edhe me një vajzë 14 vjeçare. Nëpër studio televizive dhe në shtyp plasën diskutimet pro dhe kundër veprimeve të mjekut 42 vjeçar.

Është e turpshme që tek ne ka ende njerëz publikë që guxojnë që institucionin e martesës ta trajtojnë duke u bazuar në Libra të Shenjtë dhe jo në ligjet e një shteti laik, siç është shteti shqiptar. Gjatë një debati në Top Story, regjia kishte cituar në krye të ekranit avokatin A. Lapaj, i pranishëm në studio, sikur kishte pohuar se “përdhunimi i femrave mbi 14 vjeç nuk dënohet me ligj”.

Në të vërtetë, z. Lapaj kishte thënë diçka krejt të ndryshme. Ai, bazuar në legjislacionin penal, kishte thënë se “kryerja e marrëdhënieve seksuale me femra mbi 14 vjeç nuk dënohet ligjërisht”. Të rinjtë që mund të ishin duke ndjekur emisionin, shumë lehtë, mund të mashtroheshin me citimin e gabuar, duke ngatërruar përdhunimin, si krim i kryer ndaj çdo femre, pavarësisht nga mosha, me marrëdhëniet në mirëkuptim midis partnerëve mbi 14 vjeç.

Lind pyetja: a kanë regjisorë dhe njerëz të përgjegjshëm bizneset televizive për të kontrolluar saktësinë e programeve, ngjarjeve apo pohimeve të ndryshme?! Nëse jo, a duhet të kenë?

2 – Politikani Vangjel Dule u paraqit në SPAK për të dhënë dëshmi apo për të ndjekur një proces hetimor që lidhet me të arrestuarin Fredi Beleri. Dy persona të papërgjegjshëm iu afruan dhe e goditën me vezë në shenjë mospajtimi me qëndrimet e tij kundrejt çështjes Beleri.

Veprimi i sipërpërmendur nuk dëshmon as ndjenjat atdhetare as ato të drejtësisë të personave që vepruan kundrejt z. Dule. Ato, mbi gjithçka, dëshmojnë intolerancën dhe dëshirën e autorëve për t’u dukur. Ne duhet të mësohemi që mospërputhjeve në mendime apo interesa me dikë tjetër t’iu përgjigjemi me shprehjen e mendimeve tona të argumentuara dhe jo me dhunën të turpshme dhe të dëmshme.

3 – Zoti Neritan Ceka u shfaq para pak kohësh në një studio televizive ku foli për punën e tij shkencore dhe jetën familjare. Një gazetë e përditshme kishte cituar z. Ceka në pjesën ku fliste si bashkëshort dhe prind. Është e paimagjinueshme, e turpshme dhe e papranueshme histeria e mjaft komentuesve anonimë poshtë shkrimit në fjalë, mbushur me mashtrime, fyerje, shpifje dhe poshtërime.

Po, çfarë ju ka bërë o njerëz ky personalitet që i vërsuleni nga prapa ferrave si burracakë?- thashë me vete. Kjo nuk është hera e parë që njeriu normal patakset nga egërsia dhe paturpësia e një pjese të popullit tonë në marrëdhënie me njëri-tjetrin.

Mund të mos jesh dakord me z. Ceka për shumë probleme apo qëndrime politike, siç jam edhe unë, por kjo as të jep të drejtë ta fyesh dhe as e ndryshon faktin që z. Ceka është një qytetar i denjë, një familjar shembullor dhe një shkencëtar (arkeolog) i rrallë, emri i të cilit, ashtu si edhe i të atit, do të mbetet në panteonin e shkencave albanologjike.

4 – Emisionet komerciale, thjesht fitimprurëse për bosët e medias, si Big Brother, Love Island etj. janë shembulli më domethënës i mungesës së moralit jo vetëm të organizatorëve e drejtuesve të tyre, por edhe të vetë personave që marrin pjesë në to. Etja për fitime materiale dhe famë të bazuar mbi zbrazëtinë intelektuale dhe mungesën e personalitetit i ka çuar këto emisione dhe “protagonistët” e tyre në kotësi, vulgaritet, paturpësi dhe arrogancë fyese ndaj shikuesve.

Një “personalitet” i sportit si Klodian Duro iu krenohej bashkëmisionarëve të kotësisë në Big Brother se e kishte rrahur gruan e vet disa herë. Pohimi i tij është i vërtetë, po aq sa është i vërtetë fakti se rinisë shqiptare i shiten si VIP-a nga media njerëzit më pa personalitet, pra jo ata që duhen marrë si shembull për t’u ndjekur në jetë, por ata që shembullin e tyre rinia duhet ta përçmojë e përbuzë.

Po kështu, klouni i skenës së humorit Julian Deda, i cili dikur e kishte damkosur emisionin Big Brother si të pamoralshëm dhe antifamiljar, tani është bërë pjesë e tij dhe, me paturpësinë ekstreme të një halabaku, zbulon të ndenjurat përballë kamerave dhe gjithë publikut që, fatkeqësisht, ndjek emisione të tillë.

5 – Kryeministri i vendit z. Edi Rama, gjatë vizitave të tij zyrtare nëpër botë, nuk lë rast pa pohuar se “Jemi një vend ku mikpritja është feja kryesore… qysh kur dolëm nga situata e të qenit Koreja e Veriut e Evropës, sepse ishim vend komunist”. Ndërsa nga njëra anë, me të drejtë, kritikon opozitën pse nxijnë Shqipërinë përpara botës, në anën tjetër “të këput shpirtin” me ankesa për Shqipërinë e të atit, pra asaj të para nëntëdhjetës.

Sipas psikologjisë dhe mendësisë së tij, nuk lejohet të flitet keq vetëm për “Shqipërinë e tij”, ndërsa për Shqipërinë para tij mund të thuhen broçkulla pa hesap.

Jo vetëm që Koreja e Veriut as me kushtetutë nuk është një vend komunist dhe thuajse ajo nuk ka asgjë të përbashkët me Shqipërinë e para 1990, por përtej kësaj etiketimet, qarjet dhe përshkrimet poshtëruese ndaj vendit që i përket nuk të krijojnë simpati apo keqardhje dhe aq më pak respekt. Në fund të fundit, bashkëbiseduesit apo dëgjuesit e huaj mund të krijojnë përshtypjen se kanë përballë të birin e Kim Il Sungut që kërkon të mohojë të atin dhe të lartësojë veten.

Nga ana tjetër, duhet guxim i madh i bashkëshoqëruar me papërgjegjshmëri të madhe, që të jesh drejtuesi i një vendi me thuajse të gjithë treguesit më të ulët të zhvillimit në Evropë, me përqindjen më të lartë të korrupsionit, shoqëruar me pakënaqësi popullore si askund në Evropë dhe me përqindjen më të lartë të popullsisë që ikën nga sytë-këmbët prej vendit dhe, ndërkohë, t’iu tregosh të huajve broçkulla të shekullit të kaluar dhe t’i ndjellësh me “parajsën” e këtij vendi që të ka ngarkuar ta qeverisësh.

6 – Rituali i përjavshëm i sjelljeve të opozitës kryesore në Parlamentin shqiptar është dëshmi rrëqethëse e zbrazëtisë të saj intelektuale dhe kalbëzimit të pandalshëm moral. Herën e fundit, shumë prej deputetëve, ku binte në sy apostullja e patundur e berishizmit, me emrin Albana Vokshi, mbanin në dorë disa pankarta ku shkruhej “Vrasës i Demokracisë”, që i adresohej Kryeministrit të sotëm.

Është e vërtetë se ka mjaft sjellje e veprime qeverisëse antidemokratike, por është fyese dhe cinike që këto parulla dhe akuza i bëjnë bashkëpunëtorët, avokatët dhe dishepujt e njeriut që s’ka lënë gjë pa bërë këto 33 vjet për të marrë apo mbajtur pushtetin duke shkelur çdo normë të pranuar demokratike, të njeriut që është shpallur non grata nga anglo-amerikanët, është braktisur nga politika perëndimore në përgjithësi dhe që, për shkak të së kaluarës dhe të sotmes së tij, nuk gëzon më shumë se 15-20 për qind të përkrahjes popullore në vend.

Sikur demokracia të ekzistonte vërtetë dhe zonja Vokshi të paraqitej si shëmbëlltyra e saj në tokë, me siguri që, përveç se do të ishte shpallur non grata nga shumica dërmuese e shteteve, do ta kishin marrë përpara me gurë e hunj nëpër rrugët e qyteteve për t’ia pamundësuar bashkëjetesën me shoqërinë normale njerëzore.