Portreti/intervista

Ali Jaupi: Dritëro Agolli ose maja e mendjes dhe e shpirtit të letërisë shqipe

MENKULAS……
BIRI JUAJ
DRITËRO AGOLLI
Në përvjetorin e largimit në përjetësi 03.02.2017
“Ka fjalë që qajnë dhe lotë që flasin”.
D Agolli
Dritëro Agolli lindi në Menkulas të Devollit. Pasi mori mësimet e para në vendlindje, vazhdoi gjìmnazin e Gjirokastrës, një shkollë me mjaft traditë. Studimet e larta për letërsi i mbaroi në Petërburg. Ka punuar shumë kohë gazetar në gazetën e përditshme “Zëri i popullit”, dhe për shumë vjet ka qenë Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Për tridhjetë vjet me radhë Dritëro Agolli u zgjodh deputet. Krijimtaria e tij letrare është mjaft e pasur në gjini e lloje të ndryshme: poezi, poema, tregime, novela, romane, drama, skenarë filmash etj. Është fitues i disa çmimeve dhe i nderimeve të tjera. Disa prej veprave më të rëndësishme të tij janë përkthyer në Perëndim e në Lindje. Dritëro Agolli hyri që në fillim në letërsinë shqiptare (vitet’60) si një protagonist i saj, duke i ndryshuar përmasën e së ardhmes. Në veprën e Agollit e pa veten si protagonist bujku dhe bariu, fshatari dhe studenti, malësori dhe fusharaku. Agolli u bë poeti i tokës dhe i dashurisë për të, shkrimtari i filozofisë dhe i dhimbjes njerëzore. Vepra letrare e Dritëro Agollit krijoi traditën e re të letërsisë shqiptare. Ajo na bën të ndihemi me dinjitet përballë botës së madhe. Shkrimtar i madh i një “gjuhe të vogël”, ai është po aq i dashur prej lexuesve bashkëkombas, sa dhe në metropolet e kulturës botërore. Dritëro Agolli dhe brezi i tij letrar (vitet ’60) nuk u paraqitën me ndonjë poetikë të re, sido që u diskutua mjaft edhe për rimën dhe ritmin, për vargun e lirë dhe vargun e rregullt, për “rreptësinë” e poezisë. Më shumë përvoja e tij krijuese, se traktatet teorike, bëri që të ndryshohej rrënjësisht tradita e vjershërimit shqip. Dritëro Agolli u shfaq në letërsi si një autor me kërkesa të larta për poezinë. Ai synoi një poezi më të përveçme, me më shumë individualitet. Agolli krijoi poezinë e “un-it”, përkundër poezisë së “ne-ve”, që shkruhej “për të bashkuar masat”.
Agolli krijoi një model të ri vjershërimi në problematikë dhe në mjeshtërinë letrare, gërshetoi natyrshëm vlerat tradizionale të poezisë me mënyra të reja të shprehjes poetike. Thjeshtësia e komunikimit, mesazhet universale dhe shprehja e hapur e ndjeshmërisë janë shtyllat e forta ku mbështetet poezia e tij.
Në prozën e tij Agolli solli risi lo vetëm në strukturën narrative, por dhe në galerinë e personazheve të veta. Ata lanë sa të çuditshëm aq dhe të zakonshëm, sa tragjikë aq edhe komikë, sa të thjeshtë aq edhe madhështorë. Frazeologjia e pasur popullore dhe filosofia jetësore e bëjnë përgjithësisht tërë veprën letrare të Agollit sot për sot ndër më të lexuarën.
Poezia
Poezia e Agollit krijoi një model të ri vjershërimi në problematikë, në shqetësime dhe në mjeshtërinë letrare. Me krijimtarinë e vet Dritëro Agolli ka treguar se di të rrezikojë në letërsi. Dyzet vjet më parë, duke botuar vëllimin e parë poetik “Në rrugë dola” (1958), ai huajti për titull pjesën e parë të një dyvargëshi të mirënjohur të poetit skocez Bërns: “Në rrugë dola / Pas meje porta u mbyll”.
Rruga e rritjes së tij poetike shprehet dhe në titujt e librave poetikë: Hapat e mia në asfalt (1961), Shtigje malesh dhe trotuare (1965), Devoll-Devoll (1964), Mesditë (1968), Baballarët (1969), Nënë Shqipëri (1974), Fjala gdhend gurin (1977), Udhëtoj i menduar (1985), Pelegrini i vonuar (1993), Lypësi i kohës (1995), Fletorkat e mesnatës (1999) e libra të tjerë. Me poezinë e tij Dritëro Agolli e çkanonizoi vjershërimin e traditës dhe njëherësh krijoi një traditë të re e çliroi poezinë shqipe nga një frymë monumentalizmi të gënjeshtërt, nga deklarativizmi dhe ngurtësia; ndryshoi përdorimin për “temën e madhe”, duke kërkuar madhështi poetike jo vetëm prej luftës dhe heroizmit të jashtëm, por edhe prej përjetimeve të “heroit të dobësisë”; duke zgjeruar shumëfish hapësirën e realitetit në poezi dhe duke i ndryshuar rrënjësisht raportet ndërmjet tyre. Agolli krijoi një poezi antologjike me motive të përditshmërisë së jetës.
Poezia e Agollit ka ndikime të drejtpërdrejta prej poezisë popullore, prej artit të Naim Frashërit e të Lasgushit, prej Bërnsit e autorëve rusë të fillimit të shekullit të 20-të. Kjo poezi emancipoi në tërësi mendimin letrar në Shqipëri dhe futi frymën e konkurrencës për ide të reja dhe cilësi në art. Gjithashtu krijimtaria poetike e Dritëro Agollit mund të cilësohet si liriko-epike. Kjo ishte një shmangie e madhe nga tradita, e cila mbahej kryesisht në lavdinë epike. Agolli e pruri poezinë shqipe prej kozmocentrizmit në homocentrizëm.
Poezia e D. Agollit e ktheu vëmendjen në jetën e njeriut në kohë paqeje. Në kohën kur u botuan librat e parë poetikë të tij, botën e sundonte slogani “t’i ktheimë armët në plugje”. Kjo ishte një thirrje e përgjithshme e njerëzimit në gjysmën e planetit. Në këtë kohë Agolli shkroi poezi që përshkohen nga kulti i vendlindjes, i tokës, i bukës, i parmendës, i familjes, i prindit, babait. Ishte një prurie e re në letërsinë shqipe pretendimi i tij për të qenë një “unë” i identifikuar në letërsi. Kjo u shpreh qartë, fillimisht në poemat “Devoll-Devoll”, dhe “Poemë për babanë dhe për veten”.
Nga ana tjetër në tërësinë e vet poezia e Dritëro Agollit sundohet nga bota e gjallë, shpirtëzimi i mjedisit, shenjtërimi i natyrës, i arës dhe i bagëtisë. Në këtë tipar të poezisë së tij rishfaqen panteizmi i Naimit dhe gjurmë të botëkuptimit bektashian.
Në mënyrën e vet Dritëro Agolli krijoi “një Shqipëri alterna-tive”, që mbështetej në një ideal romantik. Kjo është një marrëdhënie e zakonshme poetike me realitetin, e njohur në traditën shqiptare
dhe atë të huaj. Të gjithë e dinë se Naimi e kishte fare mirë të qartë se cila ishte Shqipëria, por ai krijoi Shqipërinë e vet plot bukurira imagjinare. Ismail Kadare e krijoi “Shqipërinë tjetër” duke mërguar në lashtësitë e moçme shqiptare. Ndërsa “Shqipëria tjetër” e Dritëro Agollit, që hyjnizohet tek “Nënë Shqipëri” dhe në vepra të tjera, është kulti i atdheut, përthirrja e krenarisë kombëtare. “Nënë Shqipëri”, si duket, u shkrua si një “Bagëti e bujqësi” e kohëve moderne. Fryma naimiane e futurizmit romantik (“Shqipëria, ç’mund të jetë”, siç do të shprehej Samiu), ndihet e plotpushtetshme në poemë. Agolli dëshironte të ndërtonte një Shqipëri të lumtur. Poetikísht kjo mund të arrihej ose në formën e mitit të së shkuarës (nostalgjisë për “motin e madh”, si e bënë shumica e rilindësve), ose në formën e utopisë – kultit të së ardhmes, idealizimit të një “vendi që nuk ekziston” (nga greqishtja. “u-topos”, “vend që s’është”).
Dhe në vëllimet më të fundit poetike, D. Agolli s’ka pushuar së qeni një poet mjaft popullor, që s’mban kurrëfarë distance me lexuesin e thjeshtë; që dhimbjen, gëzimin dhe dobësinë njerëzore i merr si ndjenja universale dhe i shkrin me filozofinë jetësore. Raportet jetë / vdekje, lumturi / hidhërim, tradhti / besë etj. bashkëjetojnë dhe përplasen me njëra-tjetrën sa në realitetin e jashtëm aq edhe në atë të brendshëm.
Dritëro Agolli që nga fillimet e deri më sot mbeti një poet i trishtimeve “të vogla” për një zog të vrarë apo një qen të shtypur dhe poeti i dhimbjeve të mëdha për udhëkryqin e historisë shqiptare. Asnjë poet më shumë se Agolli nuk e ka të shprehur kaq me sinqeritet dobësinë e vet njerëzore.
Më ndodh sikur s’jetoj në vendin tim,
Por në një vend të huaj dhe të largët…
(Sikur s’jetoi në vendin tim)
… Dhe gishtat kërcas si kokrra arrash të forta
Është koha kur mblidhem shuk nën peshën e natës
Dhe pres i friksuar kusarët të vijnë te porta
(Është koha)
Po iki me trishtim i zhgënjyer nga miqtë,
E mbylla dhe derën që rrinte e hapur…
… Diku në një skaj të largët do prehem
Me qafën e futur në jakën gri të xhaketës…
( Trishtimi)
Libri poetik “Fletorka e mesnatës” u botua nga Dritëro Agolli në 40-vjetorin e botimit të vëllimit të parë, “Në rrugë dola”.
Gjatë 40 vjetëve krijimtari, poezía e Dritëro Agollit ka ruajtur disa tipare përveçuese, të cilat janë të pranishme vijimisht: kultin e tokës dhe të bukës, shenjtërimin e natyrës dhe të njeriut, raportin vetjak me botën, mitin e dheut të të parëve dhe të historisë së tyre, përmasën e një të ardhmeje optimiste dhe zhgënjimin për humbjet e së shkuarës.
Në vitet ’90 Agolli iu paraqit lexuesit të vet me një ringjallje poetike. Kjo qe një sfidë e fuqisë krijuese. Pas “Pelegrinit të vonuar” dhe “Lypësit të kohës”, në një periudhe kulturore që erdhi me tronditje të rënda të referencave të shoqërisë, poeti shfaqi një tjetër pjesë të fshehtë të vetes, që ruhej diku në “Fletorkën e mesnatës”.
Në këtë libër shpërfaqet po ai Dritëro që prej vitesh “udhëton i menduar”, po ai qytetar që mundohet të shohë fatin e vet në fatin e bashkësisë ku jeton, i njëjti poet që e gdhend fjalën sikurse mjeshtri gurin. “Fletorka e mesnatës” është një vëllim me të cilin poeti ka shprehur përjetimet e dhimbshme të një kohe me tronditje të mëdha, prej vitit 1996, kryesisht të vitit 1997, disa edhe të vitit 1998. Me këtë vëllim është paraqitur një hapësirë tjetër e poezisë së tij.
Vjershat e “Fletorkës së mesnatës” janë bisedë e dhimbshme me veten, me miqtë, me aleatët dhe kundërshtarët, me njeriun ashtu siç është. Nata është e ngarkuar me zymtësi dhe njeriu është mirë të mos mendojë gjatë natës. Nata është depresive dhe njeriu është mirë të ruhet prej rënies, sidomos në kohëra të rënda. Mirëpo ndërgjegjja e poetit nuk mundet ta pranojë këtë luks. Dhe është një fat që ndërgjegjja e poetit ka ndenjur zgjuar e ka kthyer në art situata e ndjesi që njeriu i zakonshëm do t’i shmangte lehtë me një qetësues nervash. Poeti ka nyjëtuar në artín e tíj vuajtjet e njeríut që e di përgjegjësinë e tij para opinionit, që t’i tregojë atij se ç’vlerë ka dhimbja. Po, edhe dhimbja ka vlerë! Eshtë një ndjenjë fisnikëruese.
Ka qenë një fat për njeriun shqiptar, subjektin që pret letërsinë në gjuhën shqipe, që këto dhimbje poeti la sjell atij si një “realitet të dytë”, si realitet letrar. Ne dridhemi nga dhimbja e poetit, që vjen prej “realitetit të parë”, ngjarjes së ditës, gjëmës së ditës, tronditjes së ditës, të cilin poeti nuk e ka përjetuar si poezi. Përmes dhimbjes letrare që arriti të shprehë Dritëro Agollí ne kemi mundur të kuptojmë vlerën e mahnitshme të gjuhës që flasim e që kanë folur të parët tanë, vlerat e kësaj pasurie që i lidh shqiptarët me burimin e kryehershëm të popujve evropianë e indo-evropianë, finesat e saj të brendshme, që vetëm një mjeshtër i fjalës mund t’i bëjë të ditura.
Proza
Komisari Memo (1970), ndoshta për shkak të ngjyresës së fjalës “komisar”, është një libër që shpesh është gjendur i ekspozuar kritikës. A është “Komisari Memo” një vepër tipike e realizmit socialist, në kuptimin e nënshtrimit ideologjik (ndaj frymës së partisë) dhe artistik (ndaj kanoneve), domethënë një vepër skematike? Vështirë të thuhet po. Së pari, sepse vetë figura qendrore e romanit, komisari Memo, është brenda llojit të “njerëzve të krisur” që përmban në tërësinë e vet letërsia e Dritëro Agollit. Ai nuk është një komisar i ngrirë në rregulla e mendime, si dy paraardhësit e tij, që komandanti Rrapo i kishte përzënë pa e zgjatur. Komisari Memo, “patriot i një kohe të re”, e gjen pa vështirësi gjuhën e komunikimit me “shqiptarin e vjetër patriot” komandantin Rrapo, që ngjan si i thirrur prej kohës së komitëve. Ai është një hero që herë-herë e shkel disiplinën, bën gabime, dashuron një vajzë në një kohë kur për cënim të kësaj tabuje, mund të merrje vendimin e pushkatimit nga gjyqi partizan (duhej edhe shumë që Kongresi i Helmësit ta lejonte dashurinë), nuk bën “trimërira sokolash”.
Zhurma e erërave të dikurshme (1964), një përmbledhje me tregime, botuar më 1964, u hoq nga qarkullimi për nxirje realiteti Nga pikëpamja letrare, këto tregime, një pjesë e të cilave u ribotuan në librin “Njerëz të krisur”, janë të mbushura me personazhe atipike, me karakter e pamje të paskalitura, me individualitete jashtë standartit, gjë që përbënte një largim të hapur nga parimet e metodës skematike zyrtare.
Në romanin Njeriu me top (1975) Dritëro Agolli zbuloi një marrëdhënie tjetër, krejt të ndryshme nga ajo e “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur” të Kadaresë, sa i takon raportit të njeriut shqiptar me armën. Zot e rob i pushkës, i magjepsur dhe i marrosur prej saj, ky njeri bën çudira e marrëzira nga më të pabesueshmet. Ky njeri është i denjë të thërrasë me dëshpërim njësoj si Hamleti: “Dynjaja u prish! O hak i madh, ç’pret?!”, ndonëse mund të mos e ketë dëgjuar kurrë emrin e Shekspirit. Edhe në këtë roman shfaqen gjurmë të babait patriark në organizimin e bashkësive bektashiane shqiptare.
Romani Trandafil në gotë (1980) u prit nga mendimi letrar si një “libër rozë”, por me këtë vepër Dritëro Agolli provoi të bënte një sfidë tjetër në letërsi, duke krijuar një vepër të arrirë me një personazh që gjendet midis dashurish, pa tema epokale; pa epizëm dhe heroizëm. Me këtë roman Agolli krijoi njeriun hero për merita të dobësisë, duke manifestuar një hapësirë lirie vetjake jashtë asaj lirie që ofrohej prej mendimit shoqëror të kohës.
Dritëro Agolli është një shkrimtar i mësuar me “goditje rrufesh”. Në vitin 1965, një plenum i posaçëm i Komitetit Qendror të Partisë së Punës për letërsinë dhe artet, e kishte kritikuar në raportin kryesor librin e tij “Zhurma e erërave të dikurshme”, i cili pastaj u hoq fare nga qarkullimi. Ndonëse periudha e liberalizmit në kulturë (1972-1974) e gjeti “në pozita të shëndosha” (sapo kishte botuar poemën “Baballarët”, që evokonte lidhjen e brezave dhe jo konfliktin e tyre), romani Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo, që botohej pjesë-pjesë në revistën “Hosteni”, u ndërpre me porosi nga zyra të larta të shtetit. Në mesin e viteve ’70 një teatër vuri në skenë dramën e tij “Baladë për një grua”, ku personazhi qendror, një aktiviste e partisë në rreth, anëtare byroje, voton kundër përjashtimit të ish-burrit të saj nga partia, por duke zbritur shkallët pas mbledhjes i thotë: “Ti je i denjë për të qëndruar në parti, por jo për të qenë burri im!”. Ishte një “kundravajtje ideologjike” që nuk mund të falej. Sipas vijës duhej të ndodhte e kundërta: marrëdhënia në familje vinte si rrjedhim i mbetjes ose jo në parti. Shfaqja u ndalua dhe drama nuk u botua më. Edhe dramat Fytyra e dytë e Mosha e bardhë nuk u pritën mirë nga kritika zyrtare. Polemikë kritike u zhvillua për romanin “Trandafil në gotë”. Vitet ’80 vijuan me një varg zymtish të tjera. “Hundëleshi” (i botuar më pas me titullin “Kalorësi lakuriq”), u kritikua ashpër për ironi dhe aludime anti-ideologjjke. Kritikat ndoqën edhe disa tregime dhe cikle poezish të botuara në gazetën “Drita”. Ndërsa për romanin “Dështaku”, që pruri tek lexuesit një realitet me dramë, u mbajt heshtje.
…….
Poemë për Babanë e për Veten (kënga e parë)
Im atë tokën shumë e donte
Siç donte nënë e grua
Për tokën lodhej dhe rëkonte
Dhe djersën derdhte krua
Kur plis me plis hidhte hapin
I kishte hapi hije
Dhe zogjtë e malit udhë i hapnin
Me fjalë hirësie
Kur grushtin mbushte plot me farë,
Mahnitej kush e shihte,
Dhe era ndalte frymën në arë,
Që qejfin mos ja prishte
Në këmbë si në katër kleçka
Në gur ngrinte hardhucka
Përgjonte lart në shelg rebecka
Me thonjtë me majucka.
Me sqep lejleku bënte harqe
Rreth rruzullit të diellit
Dhe dukej sikur ndillte paqe
nën kaltërsinë e qiellit
Po ati im mbi plisa ecte
Me shpirt të madhërishëm
Dhe tokës shpirt me shpirt i jepte
Nga shpirti i çuditshëm
kur pranë mollës ulej qetë
të hante bukë e gjizë
Nuk fëshfërinin gjethe e fletë
Nuk pipëtinte drizë
Me tokën rrinte ditë e natë
Në vapë, erë e mjegull
Ndaj nga pasardhësit im atë
Kërkonte djersë e rregull
Nuk kish syze dijetari
Dhe rafte me defterë,
Po udhë i hapte shkencëtari
Me nam të madh e vlerë
Ky shkencëtar që njihte dhenë
Në fusha pas më mori;
”mësoje biro abecenë
në brazdat që le plori
Mësoje biro abecenë
E gjithë abeceve
Atje ku plisat shpinën ngrenë
Pas plugut e pas qeve….”
Pa dale mirë nga pelena
Më dha në dorë hostenë
Dhe shfryu si era në bedena;
”Tani përmbyse dhenë
Përmbys dhenë, dheu s’ankohet
Kur plori ia kruan shpinën,
Po qesh, lot valle dhe gëzohet
Dhe gazi çmend luginën.
Dhe të harbuar marrin vrapin
Kërcejtë radhë-radhë
Dhe sythat sytë e vegjël hapin
Për ditëzën e bardhë”…
Një ditë i lodhur, i menduar,
I thashë me ngadalë:
“Përse kaq shpejt m’i ke mësuar
Kaq punë e brengë e halle?”
Ai nga buzet llullën hoqi
E foli dy-tri fjalë:
“Që mos ta hajë qeni shkopin.
Pëllumbi im, o djalë!”
Pastaj u ngrit të përkëdhelte
Balashin dhe Kazilin,
Që nxirrnin gjuhën si lepjet
Dhe shelgjet i lëpinin.
Ata i bindeshin tim eti,
Siç binden dy fëmijë,
Me ta e lidhte fort një jetë
Me qindra mijëra fije…
Dhe nuk ia prishnin qejfin kurrë
në vapë, erë, e mjegull,
lëronin, mbillnin, mbanin grurë;
Im atë donte rregull…
Pastaj babai në plis mbështetur
Këndonte fill i vetëm,
Sikur përpiqej për ta gjetur
në këngë të vërtetën:
“Që nga maja e malit
Ta shtira dylbinë,
Pas dritës së llambës
Ta pashë stolinë.
Në gjysmën e ballit
Të derdhej shamia,
M’u në dorën time
Seç më ngriu dylbia.
Me erën e malit
Desha të të vinja,
Sarhosh seç më bëre,
Mbeta nëpër brinja.
Qetë m’i zu zekthi,
Kali malet mori,
Majë grurit mbata,
Ç’të bëj unë i gjori!…
Që nga majë e malit
Ta shtira dylbinë,
Them të vij pas teje,
Them ta shes shtëpinë…”
Poemë për Babanë e për Veten (kënga e dytë)
O brezi im u vrenjte herët
Në rrugën e mjerrimit;
Ti pe të parën ditë të errët,
Të parën të pushimit
Ti s’e mësove Shtatë Prillin
Në libër e gazetë,
Ti Shtatë Prillin me qefinin
E pe, e ndjeve vetë!
Babai me botën zemërohej
Dhe bëhej pikë e vrer,
Dhe arave ngaherë ankohej,
Dhe thoshte: “Duam nder!”
Ka qenë i ri, ka qenë i zgjuar,
Me supe të medhenj
Dhe mund të ngrinte me dy duar
Dy dema, dy shkëmbinj.
Këto dy duar unë i pashë
Tek hiqnin me rrëmbim një dërrasë
Një tra, një hu, një gur…
Atje babai e mbante fshehur
Një pushkë me fishekë,
Që trashëgim i pati mbetur
Nga gjyshi im i shkretë.
E nxorri pushkën dhe e ngriti
Me sy të përlotur:
“O plaku im, të ndrittë shpirti,
Na le një gjë të çmuar!”
Pastaj i vrenjtur si oxhaku
M’u kthye ballëlartë:
“Eh, ky dyfek që na la plaku,
Kërkon një dorë të artë!
Tani me mua eja djalë,
Të dalim në fushim,
T’ia fshijmë tytën rrath-rrathë,
Se ndryshku na e grin
E grin i shkreti si veremi
Dhe pushka mbetet shterpë,
Fishekë pak në vezme kemi,
Se pula s’pjell fishekë
Ndaj pushkën, biro, ta gatitim,
T’ia njohim degë e rrënjë
Nga tyta plumbin kur ta nisim,
Të shkojë drejt në shenjë.
Babait një ditë i thashë prapë
Te kumbulla me fletë:
-Kjo pushkë e shkretë ç’do më japë,
Ç’do bëj me të në jetë?
I ngriti sytë lart në pllajë
Dhe na tha të njëjtat fjalë:
-Që qeni shkopin mos ta hajë,
Pëllumbi im o djalë!
Ka qenër plot kjo zuskë botë,
Kjo botë e turbullt shumë,
Në zheg na vijnë e në të ftohtë
Dhe kurrë s’kanë gjumë…”
Pastaj pas kumbullës mbështetur
Këndoi ngadalë i vetëm,
Sikur mundohej për ta gjetur
në këngë të vërtetën
”Lumi vjen i turbullt,
malet borë kanë,
Dale, pusht i Shagut,
Të ta shoh fustanë!
Po thërret tellalli:
E kujt është kjo pallë!
Devolliu i vogël
Tri pëllëmbë djalë!
Devolliu i vogël,
Takijen mënjanë,
Në hendek me baltë
Hodhi kajmekamnë.
Dale pusht i Shagut,
Të ta shoh fustanë!…”
Poemë për Babanë e për Veten (kënga e tretë)
S’e thur poemën aq të gjatë,
Me vargje si litarë,
Se kushedi e gris im atë
Dhe dredh me të cigare.
Nga kjo poemë e nisa rrugën
E vargjeve rinore,
Në rrokje e rima treta jugën
Dhe erën me dëborë…
Do bëj poema më të mira.
Po ti në mend do vish,
O moj e para më e vështira,
E thurur mes lajthish
Dhe do më thuash buzëplasur:
-S’më vure shumë fletë! –
Ahere ati im i dashur
Në varr do të jetë!
S’do futesh fare në botimet
E vargjeve të zgjedhur
Do mbetesh vetëm në kujtimet
E kaltër, e pazverdhur.
Po mund të ndodhë ndonjëherë,
Qeflinjtë e poezisë
Ty të të vënë në defterë
Si fakt të historisë:
“Dhe fshati ynë nxjerr poetë,
Siç nxorri trima shumë.
Vrapojnë vargjet me rëketë
Dhe piqen në një lumë,,…
Po ti, poemë, moj naive,
E thurur arë më arë,
Do sjellësh erën e lajthive,
Si dashurinë e parë
Dhe thellë rreshtave të tua
Ku zemra ime mbeti,
Do dal’e do më zgjojë mua
Çibuku i tim eti…
PËR VITET E SHKËRDHATOKRACISË
po shënoj vetëm këtë përcaktim të Dritëroit:
“Fatkeqësisht ekipi drejtues i PD-së është tepër i trashë për ta mësuar gjuhën moderne të demokracisë dhe për të ndërmarrë veprime bashkëkohore bindëse dhe të efektshme. I mësuar me gjuhën e vjetër si një agjitator komunitar, ai vazhdon të hidhet hu më hu dhe të lëshojë majë hurit deklaratat primitive të pagdhendura plot agresivitet fisesh të lashtë. Ndonjëherë ky ekip të duket sikur është një UFO i zbritur nga ndonjë planet i panjohur, të cilit nuk ke se çfarë t’i bësh. UFO në këtë rast është Sali Berisha, UFO Shaban Memia, UFO Ylli Vejsiu. Këto UFO shfaqen herë pas here në sheshe dhe rrallë në Parlament, duke lëshuar një zhurmë jashtëtokësore dhe jashtënjerëzore dhe njerëzit thonë: “I patë UFO-t?
E dyta, sjellja zhurmuese dhe provokuese e ekipit në momentet kur deputetët e PD marrin pjesë në Parlament është veprim primitiv, pa pikën e kulturës demokratike. Ekipi drejtues i PD vrapon drejt tribunës së Parlamentit, i rrëmben mikrofonin një deputeti që flet, e shtyn dhe është gati t’i bjerë me mikrofon në kokë. Deputetin që vjen të shuajë sherrin e shtrin dhe ia fut kokën nën shalë. Nga ky provokim më vonë kërcet koburja. Pasi shan Parlamentin, dy herë me radhë, duke i quajtur deputetët maska me blozë, Sali Berisha ngrihet herën e tretë dhe u drejtohet: “Ju fytyra të ndyra!”. Me këtë sharje plotëson sharjen e deputetit tjetër PD-ist: “Ju bëfsha nënat dhe motrat… !”. Më thoni ju, a ka më primitivitet? Si mund të drejtojë Partinë Demokratike ky ekip që ka vetëm një alternativë: “Ju bëfsha nënat!”? E shoh se kjo shprehje nuk është e përshtatshme për botim, por kjo u përcoll në Parlament, në tempullin e moralit… E treta, deklaratat e ekipit drejtues të PD-së janë autogracka. E kam fjalën që ky ekip i kurdis gracka vetes nga mënyra primitive e të menduarit”. Siç vihet re qartë, konstatimet e Agollit në ato vite janë dhe sot mëse aktuale.
…..Në Paqe dhe Përjetësi në këtë vjetor të largimit tuaj të përjetshëm Agolli ynë????✍️????????
A Jaupi, shkruar nga mërgimi i largët, Normandi 03.02.2024